KRIZË SHTYPI

Të gjithë e kanë vënë re se shtypi shqiptar ka filluar prej kohësh rënien e lirë. Kriza që po ia merr frymën është shumëpërmasore. Besueshmëria po shkon nën zero, cilësia është në kufijtë e turpit, përgjegjësia ka marrë malet, saktësia është neologjizëm, respekti për lexuesin është klandestin, privatësia nuk ekziston, e drejta për t’u informuar merret si kapriço, paanshmëria është fantazmë.

Ka të meta edhe të tjera, por le t’ua lemë kërkuesve shkencorë, meqë shpeshherë lipsen vërtet doktoratura për t’i zhbiruar. Nga të gjitha problemet e mësipërme, ajo që po më tërheq më shumë vëmendjen është mungesa e paanshmërisë. Shtypi shqiptar rrallë herë bujt shkrime të papartishme; kur ndodh, lexuesit së bashku me gazetarët, të droguar siç janë me një lloj të caktuar artikujsh, rendin t’ia bëjnë radiografinë autorit. Natyrisht, diçka gjejnë, përderisa nuk ka shqiptarë pa ndonjë kushëri ballist ose komunist.

Paanshmëria nuk ka të bëjë me mungesën e mendimit, as me baraslargësinë nga partitë politike. Por ndershmëria intelektuale kërkon që gazetarët, studiuesit, intelektualët, etj. të paraqesin realitetin, ta studiojnë shoqërinë, ta rrahin mendimin, larg demagogjisë partiake. Përndryshe, bëjnë mirë të ndërrojnë zanat e të punësohen në organizmat e partisë përkatëse. E keni vene re se gazetat shqiptare po i afrohen gjithnjë e më shumë modelit të shtypit partiak? Të gjitha gazetat në botë mund të vendosen përgjatë spektrit, madje disa e deklarojnë haptazi, por hapësira e lirisë në të cilën lëvizin ndryshon rrënjësisht nga gazeta që i merr urdhrat nga Sekretari i partisë.

Para disa ditësh më bëri përshtypje shkrimi me titull: “Edi Rama dhe modeli Walter Veltroni”, shkruar nga Ilir Yzeiri, gazetar me përvojë, në gazetën “Shqip” (1 mars 2008). Titulli është i gjetur, në kuptimin që funksionon mirë si karem për lexuesin. Pritja që më krijoi kishte të bënte me analizën e dy figurave të rëndësishme të së majtës shqiptare dhe italiane, brenda një kuadri modelesh e skemash politike. Titulli, me karakterin kinse intelektual, më sugjeronte gjithashtu, se me leximin e tij nuk do të humbisja kohë të kotë, por diçka do të mësoja nga ballafaqimi i modeleve. Zhgënjim i plotë. Ja përse-të.
Në shkrim, emri i përveçëm Edi Rama, është përmendur fiks 17 herë. Kuptohet, nuk është çështje stili. Pasi bën diagnozën shoqërisë shqiptare, tashmë të njohur nga të gjithë, Yzeiri thotë:

Për fat të keq, shqiptarët e Shqipërisë në këto 17 vjet kanë humbur e vazhdojnë të humbasin kohë, vazhdojnë të prodhojnë varfëri e krizë, që jo vetëm është e pajustifikueshme, por është edhe tragjike. Në këtë vështrim është shumë e rëndësishme që publiku dhe opinioni të ndjekë me vëmendje zhvillimet politike e të kërkojë nga ajo ndryshimin e menjëhershëm të gjendjes. Për këtë arsye bien në sy lëvizjet e Edi Ramës për të nisur një politikë të re, për të ndryshuar stilin e politikëbërjes shqiptare. Slogani i tij që të ndahemi nga politika e vjetër, është shoqëruar me një projekt konkret. Ai ka shkelur pothuajse të gjithë Shqipërinë dhe ka dëgjuar e i ka parë vetë problemet, nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve. Në fakt, një vend i vogël si ky i yni nuk ka nevojë për shumë mend që të identifikosh problemin, mirëpo në këtë stil është hera e parë që një lider i një force politike merr kurajën, gjen edhe kohën e forcën që ta përballojë. Pas kësaj, natyrisht, ashtu siç ndodh me projektet e mëdha dhe serioze do të nisë edhe plani i veprimit që do të shoqërohet edhe me faturën financiare. Ajo që bie në sy te projekti Rama është nxitja e zhvillimit në fshat, shtrirja e qeverisjes edhe jashtë qendrave urbane.

Të më falin lexuesit e këtij blogu, ndoshta e teproj, por kortizaneri të tillë vetëm në oborret e monarkëve dhe të diktatorëve mund të gjejnë. Mirëpo, servilizmi në mungesë lirie falet, adhurimi fanatik në liri, të paktën vihet në diskutim. Ilir Yzeiri vazhdon:

Mungesa e vizionit dhe e strategjive të zhvillimit, inercia dhe mediokriteti, korrupsioni dhe krimi kanë qenë për gjithë këta vjet treguesit më të spikatur të asaj që Edi Rama me të drejtë e ka quajtur politikë e vjetër. Ajo që ka parë e vizatuar në memorie Edi Rama në turin e tij të vazhdueshëm është varfëria e tejskajshme, papunësia, bujqësia inekzistente, aparati burokratik i sklerotizuar dhe një popull që nuk ka asnjë lidhje me qeverisjen e tij, sepse problemet ekzistenciale i zgjidh vetë…

Këtu imazhi i liderit që zbret në bazë, gju më gju me popullin, për t’u njohur drejtpërdrejt me hallet e tij, përforcohet edhe më shumë. Përveç kësaj, lideri jep sentencën për politikën e vjetër dhe shpalos të renë. Mirëpo, armiku i jashtëm dhe i brendshëm nuk rri duarkryq. Siç dihet, lumi fle, por hasmi s’fle. Tradhëtarët e së majtës i kanë ngritur pusì liderit të ri.

Atëherë kur të gjithë kujtonin se Edi Rama ishte lideri i padiskutueshëm i së majtës dhe aleatët e tij jo vetëm që duhet ta mbështesnin, por duhet edhe ta inkurajonin, befas, LSI-ja dhe Ilir Meta bashkë me grupin e mbështetësve të Nanos për një arsye ose një tjetër, nisën ta fajësojnë atë dhe shfaqën shenjat se nuk mund ta pranojnë për lider, pra për kandidatin për kryeministër nëse e majta fiton zgjedhjet e ardhshme.

Me fjalë të tjera, ka disa që punojnë kundër partisë. Demaskimi i tyre po afrohet, por kjo kërkon një shpërthim sinqeriteti si ky i poshtmi.

Natyrisht nuk më intereson aq shumë e majta sa fenomeni Edi Rama, të cilin e çmoj dhe kam bindjen se sot për sot është e vetmja mundësi për t‘u ndarë nga politika e vjetër dhe nga Berisha.

Në çastin kur çdo gjë po kthjellohej, pra që nga një anë qëndronte e keqja (Berisha, Nano, Meta, etj.), dhe nga tjetra e mira (Edi Rama), u fut, si pa dashje, elementi ndërkombëtar. “Bash në këtë pikë më vjen në mendje lëvizja e Walter Veltronit në Itali”, shkruan gazetari i njohur. Pasi e thjeshton në maksimum politikën e ndërlikuar italiane, Yzeiri, i kthehet Shqipërisë dhe idhullit të tij.

Kjo risi e politikës italiane të bën të reflektosh dhe duhet çmuar jo aq për rezultatin që mund të japë në zgjedhjet e pritshme, sesa për vizionin. Edi Rama ka shumë avantazhe si politikan. Nuk ka qenë komunist, ka qenë një ndër të rinjtë e kulturuar të Tiranës që ishte në krye të lëvizjes për demokraci, është i aftë dhe, për standardin e politikanit shqiptar, por edhe më gjerë zotëron kulturën e mjaftueshme që e bën të ngjashëm me një politikan evropian të nivelit të mirë.

Këtu penelatat nuk kursehen. Piktura e Edit ngjyroset me dashuri e përkushtim: jokomunist, i mirë, i kulturuar, i ri, evropian. Por këto janë vetëm një pjesë e vogël e aftësive të tij. Edi, sipas artikullshkruesit, ka edhe aftësi pedagogjike, sepse na mëson shumë gjëra, falë kompetencave të tij komunikative. Ballafaqimi me liderët e tjerë mund të bëhet, aq sa mund të krahasohet dita me natën.

Më ka bërë përshtypje se në dialogun që ai nisi dhe në turet e tij të vazhdueshme asnjëherë nuk u bë i mërzitshëm, komunikonte me zgjuarsi dhe ishte tërheqës jo vetëm për ata që e dëgjonin, por edhe për ne të tjerët që merrnim mesazhet e tij. Nga kjo pikëpamje ai e kaloi provën e vështirë dhe nuk ra në populizëm dhe në përsëritje. Në këtë pikë ai i tejkaloi të gjithë liderët shqiptarë, të cilët sapo zbresin poshtë jo vetëm që nuk dëgjohen, por bëhen edhe të neveritshëm. Kujtoni Berishën dhe populizmin vulgar që shfaq ai në të tilla raste. Ndoshta kjo është përshtypja ime, por më duket se edhe Meta është ndjerë keq se Rama dëshmoi që e zotëron komunikimin masiv dhe është i aftë të dialogojë me këdo pa u bërë i mërzitshëm. Deri para pak kohësh, Meta këtë e mbante si një ndër armët e tij më të forta.

Gazetari shqiptar nuk harron të na kujtojë zilinë e Metës. Ky i fundit “është ndjerë keq” (sic!) kur ia ka parë në punë oratorinë liderit Rama. Për të evituar plasjet e gazit nga ana e lexuesit, Yzeiri rreket të mbrohet: “ndoshta kjo është përshtypja ime”, thotë.

Pas kujdesit vjen guximi. Autori shkon e shtrin paralele të rrezikshme, ndërkombëtare, gati hermetike me cilësorin “të dyzuar”. Porse guximi zgjat vetëm pak sekonda. I kthehet sërish adhurimit të liderit që bashkon atje ku të tjerët ndajnë, pa hequr sytë nga evropi.

Paralelja që bëra pak më parë me Veltronin mund të shtrihet edhe më tej. Edi Rama është në krye të një force politike, që ka një histori të dyzuar. Ndërkohë, ai në turin e tij nëpër Shqipëri është përpjekur të ofrojë jo vetëm të majtët, por edhe të djathtët, duke thënë me të drejtë se në Shqipëri ndarje i majtë i djathtë është vetëm një truk që përdoret për të ndërsyer shqiptarët kundër njëri-tjetrit atje në kafenenë e fshatit. Mirëpo ky mesazh ka një përputhje edhe me zhvillimin e sotëm evropian.

Pasi kritikon ashpër armikun e klasës, PD-në, që nuk sillet si simotrat evropiane, shkruesi i jep një dorë tjetër boje bustit të Edit. Nuk mungojnë momente njerëzore plot entuziazëm me besim në të ardhmen. Mungon vetëm zotimi.

Ndaj politika e re e Edi Ramës ka vetëm një kundërshtar: atë që ai me të drejtë e quan politikë e vjetër, e cila ka si mendësi punizmin. Atij i duhet që të ndahet jo vetëm me komunistizimin e së majtës, gjë që e ka bërë, por i duhet që të ndahet përfundimisht me punizmin e së majtës. Natyrisht, sot mund të duket e vështirë, por unë jam i bindur se Edi Rama edhe i vetëm dhe me ata aleatë që e besojnë projektin e tij mund t‘i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Çdo líder máximo ka nevojë për prova të sigurta dlirësie, besueshmërie, thjeshtësie që, kur shoqërohen me “kritika” ndaj tij, ose me “udhëzime” për çka duhet të bëjë (por që në fakt, siç del më vonë, i ka bërë prej kohësh) fitojnë pikë efektshmërie dhe besnikërie.

Mirëpo që të ndodhë kjo, Edi Rama dhe projekti i tij duhet të identifikojë më mirë edhe disa probleme të tjera. Në fillim duhet të kemi parasysh që partitë politike shqiptare kanë një traditë të paktë dhe vijnë që të gjitha në një formë apo në një tjetër nga Partia e Punës. […] Edi Rama duket se po përpiqet të ndërtojë një ansambël tjetër dhe për këtë disa herë është akuzuar si autoritar e mendjemadh. Mirëpo fakt është se ai nuk identifikohet tani për tani si lider që ka mbledhur me besë miq e shokë të farefisit…

Ju kujtuan se armiqtë e të Madhit kanë mbaruar? Gabim. Armiqtë, ose më modernisht kundërshtarët, janë të panumërt. Por këtu del më në pah ngadhnjimi i liderit, i cili shkëputet nga balta e gjithkudogjendur.

Një kundërshtar tjetër i Edi Ramës është mediokriteti kolektiv. Shoqëria shqiptare po zhytet nga dita në ditë në një llum mediokriteti, që nganjëherë është rrëqethës…

E ardhmja, thotë gazetari, nuk njihet, (deri këtu jemi dakord, meqë kemi të bëjmë me përkufizimin klasik të së ardhmes), por po të vazhdojmë pa Edin, vazhdon autori, do të jetë katastrofë. Sipas artikullshkruesit sfidat janë të shumta.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me shqiptarët nesër, por ajo që dihet është se vizioni i asaj që Edi Rama e ka quajtur politikë e vjetër ka krijuar modelin e një vendi që ka si kult vetëm paranë që mund të fitohet me lehtësinë e tregut të gabit. […] Pushtetet në Shqipëri nuk janë të ndara. Ndaj kjo është sfida tjetër e Edi Ramës. Më parë se t‘i kushtojë vëmendje Ilir Metës apo pragut elektoral, ai do të duhet që t‘ju paraqesë shqiptarëve programin e qartë që pushtetet në Shqipëri do të ndahen

Së fundi, i vjen radha deklaratës së besës, që në vetë shkrimin kritikohet ashpër. Është varianti i mijëvjeçarit të ri, i brohoritjes së dikurshme “Gjithmonë gati!”. Lideri – thotë me fjalë të tjera gazetari – duhet ta dijë se populli është grusht bashkuar rreth tij dhe se ka besim të verbër se Ai do ta çojë nga fitorja në fitore. Ja me fjalët origjinale:

Edi Rama duhet të jetë i sigurt se ka një popull tjetër të ndryshëm nga ai që sot quhet i majtë apo i djathtë, është populli i njerëzve të dëshpëruar, që janë të shumtë, që nuk e kanë braktisur këtë vend, që kanë duruar gjithë marrëzitë e botës në këta 17 vjet dhe që janë gati të mbështesin platformën e Edi Ramës, sepse janë të bindur se me të mund të shënohet fundi i tranzicionit shqiptar dhe të rinisë demokracia e konkurrencës së ideve e platformave.

Tani që artikulli mbaroi, nuk mund të rri pa u shfajësuar se përse humba kohë duke e lexuar. E para, se më gënjeu emri, i cili e ka pasur vendin e vet dikur në shtypin shqiptar. Së dyti, sepse kam ende besim se, herë pas here, gjej diçka të mirë në shtypin shqiptar. Së treti, se u nisa nga ambalazhi: titulli ndjellës, faqosja e mirë. D.m.th. e pranoj: rashë në kurth. Por çdo e keqe e ka një të mirë. Në këtë mënyrë, pashë nga afër dhe përballë, një nga të metat më të mëdha të gazetarisë shqiptare, ose më mirë, të shoqërisë shqiptare.

4 Komente

  1. I dashur Pishak,
    per clodhje dhe sqarime te metejshme rreth koncepteve te “dyzuara” apo kuptimeve te tjera te autorit ne fjale (pa interes ne vetevete por si element perfaqsues i gazetarise shqip) te lutem lexo me poshte:

    Nga Ilir Yzeiri
    Botuar te gazeta “Koha Jone”, E Djele, 10 Prill, 2005

    “KUSH DO T’I FITOJE KETO ZGJEDHJE?!”

    […]
    PS perceptohet nga shqiptaret si partia qe perbehet nga militantet fanatike dhe me te kaluar te begate ne regjimin komunist, nga nepunes pa fund te admistrates socialiste, nga falangat e medha te punonjesve te ish-sigurimit te shtetit, nga nje pjese e madhe e fshataresise sidomos ne jug ku perjetimi emocional i luftes partizane ndihet ende si nje dominante kyc per te ndare shqiptaret ne ne dhe ata, etj.

    Kete shtrese te madhe njerezish e manipulojne me vendimmarrje njerez amorfe pa bindje te qendrueshme politike, pa nje ideologji te qarte, por me nje vetedije te ngulet qe eshte ajo e “homo albanicus”, term ky qe perdoret ne ndonje rast per te karakterizuar tipin e shqiptarit qe njeh si kuptim te jetes fitimin, parane dhe moralin e kodoshit dhe qe perben kapitalistin mafioz.
    […]

    Nejse, me siguri qe e ka pasur per Nanon:).
    Me thene te drejten ne shkrim Rama nuk permendet as edhe njehere te vetme:).
    Me keqardhje per degradimin e nderhyrjes sime them se diskutimi mbi sa me siper eshte pothuajse i pamundur ti shpetoje atij te tipit “argumentum ad hominem”, pasi eshte vete trajektorja e jetes se IY qe ta imponon kete. Askush nuk thote dot nje fjale ne lidhje me konsekuencen e M.Nanos apo M.Bazes ne qendrimet e tyre pro dhe kundra strukturave apo individeve te ndryshem politike, por duhet te kesh dashamiresi te skajshme ta gjesh I.Y si te tille.
    Nuk eshte gazetar pa kulture, aq me pak nese vleresohet ne krahasim me koleget e vet te shtypit, por duket se rrjedha e ngjarjeve e ka lene ne periferi, situate kjo besoj e perjetuar keq prej tij, ndaj edhe shkrime te tilla duhet kuptuar si perpjekje per mbijetese, tashme qe edhe mosha po i iken…

    Fatkeqesia nuk qendron thjesht e vetem tek ky, problemi qe do kerkoje shume kohe dhe permbushjen e nje serie variablash qe te zgjidhet eshte se ne keto ujera notojne shumica e gazetareve shqiptare. I.Y, duke qene me i njohur, thjesht demton me shume.
    Kjo marredhenia opinionist/analist me politikanin X apo Y ka kohe qe ka nisur te me ngjasoje me lojen Blackjack, te paret vendosin reputacionin dhe pritshmerite e tyre mbi nje politikan me gjasa suksesi, me shpresen qe njehere e mire ky i fundit do te konsakrohet ne pushtet, do ti shperbleje me pozicione apo ndere te tjera…

  2. Yzeira ishte nga më të besuarit në Sturmtruppen të Berishës vitet e para pas 1990; kishte një gazetë të vetën, “Bulevard”, që s’e mbaje dot me vete në bulevard se të shihnin shtrembër, aq e fëlliqur ishte. Tani po ia ofroka shërbimet e veta Ramës – së bashku me CV-në. Për njerëz të këtij kallëpi ka gjithnjë vend në oborret e princave.

  3. Sipash jush,nese nje gazetar shkruan jo vetem opinionin po ben dhe nje analize te punes dhe rezultateve te nje politikani, bekerka pune partiake?

    Ne nje moment krize te tille politike te Shqiperise, qe po e con ne nje katastrofe te pa pare ekonomike e sociale, mua me duket mese normale qe vemendja te perqendrohet ne ate se cilet nga politikanet e sotem jane me shpresedhendesit dhe me rezultativet ne fund te fundit!

    Mos duhet te merren me shkrime per atdheun e bukur qe po lulezon? Apo te flasin per makina e jete luksoze kur mjerimi duket ne cdo cep ne cdo fytyre shqiptare??

    Me falni po duhen kuptuar dhe situatat kur dhe gazetaria merr nje drejtim apo fryme te theksuar politike !

    Kjo s’do te thote qe media shqiptare ka nivel, por te marresh shkrimin e mesiperm per te treguar nivelin, eshte nje fakt nje tentakule me teper e oktapodit medioker qe ka pushtuar cdo cdo aspekt te jetes shoqerore, bashke me te dhe median!

  4. Mua më shqetësoi pikërisht mungesa e kritikës dhe e analizës; pa përmendur adhurimin pa kushte të shprehur nga gazetari i lartpërmendur për Njëshin si koncept, jo si person konkret. Artikulli, natyrisht, është i ligjshëm, por vendin e ka në shtypin partiak, jo në një gazetë që deklarohet e pavarur.

    Shkrime të tilla mund të gjenden sa të duash. Nga të dyja kampet politike. Mora si shembull njërin që m’u duk domethënës. Mendoj se gazetat nuk duhet të shndërrohen në altare idhujsh. Nuk na ka ngopur vallë historia?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin