SHALLI SHUMENGJYRESH I ANALISTIT

Sot më tërhoqi vëmendjen një shkrim satirik (spoof ose parodi) i Self Made Radio, me titullin “Si të bëhesh një analist shqiptar i shquar dhe i pavdekshëm”, kushtuar të ashtuquajturve ‘analistë’ në mediat e sotme shqiptare, i cili u afishua pastaj edhe në faqen Peshku pa ujë.

Shkrimi i SMR, për fat të keq, shpreh një prirje gjithnjë e më të shprehur, kohët e fundit, për t’i denoncuar të ashtuquajturit analistë të mediave si të paaftë, spekulatorë dhe të sëmurë nga protagonizmi i theksuar. Kjo prirje ndeshet shpesh në diskutimet e faqes tepër të vizituar Peshku pa ujë, edhe pse – paradoksalisht – faqja mbahet gjallë duke u ushqyer me materiale të shkruara prej këtyre ‘analistëve’.

Natyrisht, nuk SMR nuk mban ndonjë përgjegjësi për frymën e disa debatuesve të Peshkut, por mua më duket se vetë shkrimi është shumë i diskutueshëm në vetvete dhe ushqen një stereotip të kotë, në një kohë që një diskutim rreth cilësisë së analizave në mediat kërkon madje meriton qasje të një lloji të ndryshëm nga estrada.

Çfarë janë ‘analistët’? Fakti që kjo fjalë ekziston, nuk do të thotë medoemos se ekziston realisht edhe kategoria përkatëse. ‘Analistë’ quhen edhe Edison Ypi, edhe Baton Haxhiu, Mentor Petrela, edhe Fatos Lubonja, edhe Ilva Tare, edhe Arbër Xhaferri, edhe Edlira Gjoni, edhe Blendi Kajsiu, edhe Migjen Kelmendi, edhe Ardian Klosi, edhe Mustafa Nano, edhe Artan Fuga, edhe Inida Gjata-Zhaku, edhe Veton Surroi, edhe Kastriot Myftaraj, edhe Elsa Demo, edhe Skënder Shkupi, edhe Fatos Baxhaku, edhe Sokol Balla, edhe Elisa Spiropali, edhe Andrea Stefani, edhe Monika Stafa, edhe Arian Çani, edhe Rexhep Mejdani… Çfarë kanë të përbashkët mes tyre këta autorë, që ta meritojnë të njëjtin titull-kapele?

Përgjigjja vjen vetvetiu – e përbashkëta është se të gjithë këta shkruajnë rregullisht në gazetat.

Dhe jo vetëm kaq: shkrimet e tyre botohen në rubrika që zakonisht titullohen si “Komente”, “Analiza”, “Editorial”, etj. për t’u dalluar nga rubrika të tjera të gazetave.

E veçantë e këtyre autorëve është fjala – sepse këta kanë gjëra për të thënë, opinione për të shprehur, sugjerime për të bërë, gjykime për të formuluar; dhe botuesit e gazetave ose redaktorët e rubrikave mendojnë se këto opinione, arsyetime, komente, sugjerime dhe gjykime meritojnë t’i jepen lexuesit.

Personazhe si të mësipërmit bëhen zakonisht të njohur për publikun; sepse shkrimet e tyre botohen rregullisht, por edhe sepse një pjesë shfaqen edhe në media të tjera, si drejtues emisionesh të opinionit, ose polemistë të preferuar, ose thjesht figura që kanë aftësinë të tërheqin publikun.

Megjithatë, unë besoj se është krejtësisht e gabuar që të shpiket një kategori profesionale e paqenë – kjo e analistëve – vetëm e vetëm në bazë të pozicionit që u zënë shkrimet në faqe të gazetës, ose të rubrikës ku përfshihen këto shkrime, ose të rregullsisë së botimit të kolonave.

Në rubrikën e komenteve te “Panorama”, për të sjellë një shembull të thjeshtë, botojnë edhe Edison Ypi, edhe Rexhep Mejdani, edhe Edmond Tupja, edhe Petrit Vasili. Prej tyre, Ypi është shkrimtar që i mbështet krijimet e veta në emocionin, vëzhgimin e detajuar dhe retorikën; Mejdani analizon zakonisht probleme pak a shumë teorike të politikës dhe të konstitucionalizmit; Tupja është vrojtues ironik i gjuhës, ligjërimit dhe zakonit shoqëror; Vasili është eksponent i lartë i LSI, dhe shpesh shkruan për të shpjeguar politikat e partisë së vet.

Pse duhen futur të gjithë këta autorë në një thes, për t’u etiketuar si ‘analistë’?

Mua më duket se ky term është shpikur dhe abuzuar vetëm e vetëm për të zëvendësuar termin intelektual, i cili disave që nuk janë intelektualë dhe disa të tjerëve që janë anti-intelektualë nuk u pëlqen.

Mua më duket edhe se materialet e botuara në rubrikat e komenteve ose të opinioneve, në të gjitha gazetat e Tiranës, janë shembull i gjallë i ushtrimit me sukses të së drejtës aq të vyer të fjalës, të cilën publicistët shqiptarë e fituan vetëm në vitin 1990.

A është abuzuar me këtë të drejtë fjale? Natyrisht. A është përdorur tribuna e analizës ose e komentit për të hedhur baltë mbi kundërshtarin, për të gënjyer, për të shitur dëngla, për të bërë karrierë politike, për t’i thurur lavde një politikani dhe për qëllime të tjera që s’kanë fare të bëjnë me analizën intelektuale të mirëfilltë? Natyrisht. A vlen kritika e SMR për një takëm autorësh që nxijnë faqet e gazetave të Tiranës me budallallëqe, banalitete, profka, mashtrime dhe teori shkollareske? Patjetër që vlen. 

Po atëherë?

Gabimi i parë i SMR, të cilin unë do ta quaja të rëndë, është se përqesh këtë pseudo-kategori ‘analistësh’ pa dalluar midis atyre që vërtet përpiqen të mbajnë gjallë një dialog me lexuesit, dhe atyre të tjerëve që vetëm sa e përdorin gazetën për qëllime meskine politike ose për larje hesapesh ose për arsye të tjera të padenja.

Përndryshe, çdo kategori profesionale, duke përfshirë edhe kategoritë e sajuara ose artificiale si kjo e ‘analistëve’, nuk mund të gjykohet duke u nisur nga dështimet, dobësitë dhe marifetet e pjesëtarëve të veçantë.

A ka autorë që vijojnë të dalin me fletë-rrufe ose hartime në gazetat dhe të përgojojnë të tjerët egërsisht? Natyrisht që ka. A ka autorë që shkruajnë me kompetencë për çështje në të cilat nuk kanë kompetencë? Natyrisht që ka. A ka autorë që kopjojnë e përkthejnë tekste poshtë e lart, ose lëshojnë në fjalitë emra filozofësh të mëdhenj për të mbuluar zbrazëtinë e mendimit të tyre ose për të impresionuar të impresionueshmit? Përsëri, natyrisht që ka.

Sikurse ka edhe avokatë batakçinj, mjekë xherahë të pazot, priftërinj pedofilë dhe policë të korruptuar; ekzistenca e të cilëve nuk mund të shërbejë si argument për të provuar se avokatët janë batakçinj, mjekët janë xherahë, priftërinjtë janë pedofilë dhe policët të korruptuar.

Gabimi i dytë, përsëri i rëndë, i SMR, është ngatërresa, këtë herë e arsyetuar, midis intelektualit opinionist dhe ekspertit. Ideja se shumë prej ‘analistëve’ shkruajnë për çështje që nuk janë “të fushës së tyre” qarkullon prej kohësh – SMR vetëm sa e ka bërë të vetën.

Unë mendoj se kjo ide është jashtëzakonisht e dëmshme për komunikimin publik, sepse në thelb kërkon t’i vërë tribunat e mendimit, të diskutimit dhe të dialogut publik nën diktatin e ligjërimit teknokratik.

Sipas kësaj ideje, vetëm një ekonomist mund të shprehet publikisht për çështje të ekonomisë; vetëm një mjek për çështje të mjekësisë dhe vetëm një jurist për çështje të së drejtës ose të ligjit.

Sipas kësaj ideje, autorët e editorialeve, analizave, komenteve dhe opinioneve duhet të paraqitin kredencialet e tyre, titujt shkencorë ose diplomat që kanë marrë në universitetet, mundësisht në krye të artikujve.

Në të vërtetë, që mediat kanë nevojë për mendimin intelektual si mendim të pavarur nga ai i ekspertëve dhe i profesionistëve, kjo bën pjesë në ABC-në e marrëdhënieve të komunikimit publik.

Nëse vetëm një mjek mund të shkruajë për komplikimet e diabetit, nuk është e thënë të jesh mjek, për të shkruar dhe diskutuar seriozisht për problemet e mjekësisë; as të jesh kimist ose biolog, për të shkruar dhe diskutuar seriozisht për problemet e ndotjes së mjedisit; as të jesh arkitekt, për të shkruar dhe diskutuar seriozisht për qendrën e Tiranës.

Rëndësi ka vetëm që të kesh diçka për të thënë, dhe këtë diçka ta thuash aq mirë e qartë, sa fjala jote t’i shërbejë publikut për të formuar një mendim të ri, ose për të vënë në dyshim një mendim të mëparshëm.

Çka harrohet – shpesh pa dashur dhe shpesh qëllimisht – është se intelektualët, të quajtur gabimisht ‘analistë’, përfshihen në kritika të dukurive dhe zhvillimeve sociale, politike, ekonomike, estetike, filozofike, shkencore nga pozitat e publikut.

Kjo do të thotë që fjala e intelektualit, të quajtur gabimisht ‘analist’, nuk konkurron fjalën e ekspertit, por e plotëson. Një psikiatër, një psikoterapeut dhe një shkrimtar mund të shkruajnë të tre për depresionin – i pari duke u përqendruar në dozimin e saktë të fluoksetinës, i dyti duke shpjeguar rrënjët psikologjike të këtij çrregullimi, i treti duke përshkruar eksperiencën e vet si pacient. 

Normalisht, publiku ka nevojë për shërbimet e dy të parëve, dhe për fjalën e të tretit; edhe pse ka raste fusha ku profesionaliteti dhe ekspertiza shprehen nëpërmjet fjalës (ligji dhe politika, por edhe didaktika, duke përfshirë këtu edhe këshillat e tipit “dëmet e duhanit” ose “si të humbim në peshë”, të cilat normalisht vijnë prej profesionistëve të fushës). Mediat, nga ana e tyre, duhet të kujdesen për të ruajtur drejtpeshimin ose përpjesëtimin midis këtyre opinioneve të ndryshme.

Shpesh harrohet që, edhe sikur ekspertët dhe intelektualët të shkruajnë për të njëjtat çështje, kriteret e vlerësimit ndryshojnë; sikurse ndryshojnë edhe në pajtim me median ku botohen shkrimet. Një opinion për çështjen çame i botuar në “Gazeta shqiptare” nuk mund të ndjekë të njëjtat kritere të rrepta për referencat si një artikull po për këtë çështje, i botuar në revistën shkencore “Studime historike”.

Kur ekspertët dalin nga kufijtë e komunikimit akademik, për t’i folur drejtpërdrejt publikut, kjo është për t’u përshëndetur; vetëm se jo çdo ekspert i shquar në fushën e vet është në gjendje të komunikojë mirë dhe lirshëm me publikun e gjerë. Për këtë arsye, bie fjala, shumë shkencëtarë të mëdhenj parapëlqejnë që teoritë dhe eksperimentet e tyre t’ia shpjegojnë publikut gazetarët popullarizues, të cilët janë më të zotët e fjalës.

Nga ana tjetër, çdo intelektual publik është zakonisht ekspert në një fushë të caktuar; p.sh. Umberto Eco-ja, i konsideruar si polimath për shkak të interesave të gjera që shpreh në shkrimet e veta publicistike, është ekspert në semiologji dhe në estetikën mesjetare. Që Eco-ja është intelektual nga më të suksesshmit, dhe role model për publicistët anembanë botës kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me shkallën e popullaritetit global të veprës së tij shkencore – vallë sa përqind e admiruesve të Eco-s anembanë botës e njohin traktatin e tij të semiotikës së përgjithshme, ose veprat e tij të tjera të rëndësishme për semiotikën e tekstit dhe interpretimin?

Megjithatë, statusin e Eco-s si intelektual dhe suksesin e veprës së tij jo të specializuar e ka ndihmuar pa dyshim ekspertiza e Eco-s në fushën e semiotikës; në kuptimin që shpesh ekspertiza në një fushë themelore (si ligji, matematika, filozofia) u jep intelektualëve mundësi ta zgjerojnë sferën e interesave, për t’u marrë edhe me çështje të interesit publik që i kapërcejnë kufijtë e fushave ku janë specializuar.

Në Itali, ka një traditë të intelektualit publik, i së cilës Eco-ja është mishërim i përsosur, por jo i pari. Edhe në Shqipëri, ekziston një traditë e brishtë, e përpunuar në publicistikën e viteve 1930, por që u ndërpre brutalisht me ardhjen në fuqi të regjimit komunist. Pas 1990-ës, intelektualët publikë janë kthyer në mediat, dhe në përgjithësi janë pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit – megjithë një prirje të fortë anti-intelektuale, e cila në thelb kërkon t’ua mbyllë gojën, me pretekstin se diskursi i tyre është kallp, ose u shërben interesave meskine.

Mirëpo e vërteta është se analizat dhe komentet e këtyre intelektualëve rezultojnë nga më të klikuarat e më të lexuarat, veçanërisht në versionet e gazetave në Internet. Edhe forume diskutimesh si Peshku pa ujë, ku përqeshja dhe qesëndisja e ‘analistëve’ është kthyer në sport të përditshëm, mbahen në këmbë falë prurjeve të këtyre ‘analistëve’, të cilat milen prej gazetave.

Çfarë u mungon ende mediave të Tiranës, është gazetaria hetuese (investigative), e cila kërkon investime njerëzore dhe monetare të një lloji tjetër; por këtë mungesë kurrsesi nuk mund ta përmbushin opinionistët dhe komentatorët, sepse detyrë e këtyre të fundit është të mbajnë gjallë me publikun një dialog për çështje të ditës ose çështje me interes të përgjithshëm, jo të zbulojnë keqbërës, mashtrues e të korruptuar.

Me fjalë të tjera, nëse roli dhe ekspozimi i këtyre të ashtuquajturve ‘analistë’ duket i shpërpjesëtuar, në raport me problemet dhe shqetësimet reale të shoqërisë shqiptare, por edhe të statusit intelektual të këtyre autorëve, për këtë nuk e kanë aq fajin ‘analistët’, sesa vetë mediat, të cilat ende nuk e kanë gjetur veten plotësisht, as janë në gjendje të luajnë rolin që u takon, në shoqërinë shqiptare. Kjo nuk varet aq nga niveli profesional i gazetarëve dhe redaktorëve, të cilët në shumicën e rasteve bëjnë aq sa munden dhe ndonjëherë shumë më tepër se ç’munden; sesa nga mundësitë e pakëta financiare të gazetave dhe nga të ardhurat e pamjaftueshme prej shitjeve.

Shkrimi i SMR nuk ndihmon për të kuptuar problemet me mediat, sepse nga fillimi në fund nuk arrin dot të shkëputet nga një koncept populist, ose “i rrugës”, që i përbuz të ashtuquajturit ‘analistë’ thjesht ngaqë këtyre u del emri në krye të gazetës, ose fytyra në ekran të televizorit. Nuk besoj që SMR të jetë nisur nga qëllime të tilla; por shkrimi në fjalë është publik, dhe pritja festive që i është bërë te Peshku pa ujë nga një kategori e caktuar lexuesish duket se m’i konfirmon këto dyshime, aq më tepër që unë shkrimet prirem t’i gjykoj sipas efekteve që kanë te lexuesi, jo sipas qëllimeve të autorit. Gjithsesi, shpresoj se ky shkrim imi nuk do të interpretohet si kacafytje me SMR, por më tepër si shkas për të diskutuar nëse kjo kategori e ‘analistëve’ ekziston vërtet, dhe mund të shërbejë si bazë për të analizuar dhe gjykuar funksionimin e mass mediave në Shqipëri.

11 Komente

  1. I nderuar Xhaxha,

    Kam pershtypjen se reagimi i njerezve ka te beje kryesisht me mantelin e intelektualit qe shume “analiste” e mbajne mbi supe kur dalin ne forume publike si puna e editorialeve neper gazeta e te tjera. Problemi apo menyre e perceptimit te tij mendoj se nuk qendron me figuren qe krijon kjo manto, por me vleren e saj. Ne trajektoren e nje intelektuali eshte qartesishte e dukshme kalimi nga dija e interesuar (ku te paguajne per te gjetur te verteten), ne ate te painteresuar( ku bindja, besimi, pasioni eshte motivi i vetem qe te shtyn ne kerkim te se vertetes). Tek shume nga “intelektualet”tane kjo mungon. Dhe s`eshte cudi pastaj qe shqiptarit te thjeshte diploma e “ntelektualit” t`i duket kallpe, si ato diplomat 6 mujore te drejttesise.
    Tjeter qe bie aq shume ne sy ne shkrimet e disa “analisteve” eshte qendrimi i tyre prej kaloresi ndaj problemeve qe ngrene. Ata u leshohen atyre me vrull e me rremet. Ready to kill, to destroy. Subjektin. Objektin, Personin. Temen. Gjithshka, Ka nje absolutizem te frikshem ne trajtim, qe mund te lidhet ndofta me faktin qe shume prej “intelektualeve” tane u mungon kalimi neper dijen e interesuar. Por edhe kjo nuk shpegon mjaftueshmerisht gjerat. Ne narrrativen tone, retoriken tone, per mendimin tim mungon ai elementi kristian do te thoja, i pranimit te “mekatit”, i ndjenjese se keqardhjes per te, dhe i shprehjes se deshires per te bere mire ate c`ka eshte gabim.

  2. Xhaxha,

    ke shume te drejte ne kritiken parodise se SMR, sepse eshte vertet ashtu; por sic e ke thene (dhe mbrojtur) edhe ti per shkrime te tua te ketij karakteri, kjo eshte ne natyren e llojit te ketyre shkrimeve. SMR eshte shume e vetedijshme per kete. Ashtu sic eshte edhe shume e vetedijshme qe ka intelektuale shume te nderuar qe i bejne nder shtypit shqiptar.

    Problemi me shtypin shqiptar qendron, sipas mendimit tim, jo vetem ne mungesen e gazetarise investigative, por tek fakti qe nje pjese e konsiderueshme e komentuesve (analiste) neper gazeta nuk komunikojne me me publikun, nuk informojne. Keta njerez i flasin vetem njeri-tjetrit, ose politikes me te cilen jane te ngaterruar ne ndarje interesash: nje cirk!

    Me e keqja, shtypi eshte shnderruar ne nje zgjerim te tavolines se klubit: shume komentuese (alias analistet e parodise) nuk ndiejne me pergjegjesi per ate qe shkruajne, per vertetesine e atyre qe shkruajne, per dijen. Hamendjet dhe spekulimet, pseudodija qe shiten si fakte, si te verteta, nganjehere eshte ne permasa te absurdit! Te shkruarit si komentues, duket te jete kthyer ne nje qellim ne vetevete qe i anashkalohet nje nga qellimeve kryesore te nje gazete: informimit. Konsideruar prezencen dominante te ketyre komentuesve (analiste), fenomeni eshte shqetesues. Teper shqetesues.

    Nje shtyp ka nevoje per te gjithe. Edhe per specialistin, edhe per investiguesin, edhe per autoritete qe dalin mbi specifikat dhe manualet e nje fushe te caktuar dhe sintetizojne. Pikerisht, gjitheperfshirja e ketyre kategorive, i mungon shtypit shqiptar duke i dhene atij nje pamje te percudnuar.

    Aspak, xhaxha, nuk e marr si kacafytje kete koment tendin, por nje pergjigje te domosdoshme, qe nese nuk do e kishe bere ti, do e kisha bere vete. Tek e fundit, kjo parodi synonte, pikerisht, hapjen e nje diskutimi mbi shtypin shqiptar, monopolizimin e tij nga interesa dhe vanitete.

    gjithe te mirat
    SMR

  3. Duhet të të mjaftonin domethëniet e togfjalëshit “peshku pa ujë”, Xha Xhai, që pikënisjen për këtë problem të mos e merrje prej një shkrimi satirik, duke ju kërkuar peshqve heshtjen në këmbim të publicistikës së vjelë prej gazetave, dhe për të përcaktuar njëfarësoji se ç’lloj peshqish duhet të jenë: peshq Erzeni nga ata që të depilojnë lezetshëm qimkat e këmbëve kur i peshkon dhe jo piranja. SMR-ja, nuk më duket të ketë bërë gabim, me zgjedhjen përgjithsuese, rruga tjetër do ishte shpikja e një emër mbiemri- kjo është një satirë. Më lejo, që këto që thashë më sipër ti mbroj me fjalët e tua:
    “Shpesh harrohet që, … kriteret e vlerësimit ndryshojnë; sikurse ndryshojnë edhe në pajtim me median ku botohen shkrimet.”

    Analist apo intelektual?
    Kam përshtypjen se analistin, siç e njohim, ne së jashtmi nuk e quajtëm të tillë me arsyen se ai shkruan në gazetë por sepse ai merr përsipër të analizojë ato që ne të tjerët nuk kemi mundësi, kohë, e mend. Ata së brendëshmi, mundet (po rezervohem të them jam i sigurt) që në kontratat e punës a në bordero të firmosin për të tillë, analistë apo editorialistë, duke e veçuar punën që bëjnë si profesion; është pasojë dalja e përjavshme në kollonë, që ndodh të bëhet e përvajshme, e të marrë reaksionet e publikut. Nuk është publiku që i futi të gjithë në një thes, por janë vetë ata që firmosin paralel me “analist”, ata që e kanë futur veten në thes. Për të dalë ju duhet inteligjenca e një intelektuali, fjalë të cilën ju e ofroni në vend të fjalës analisti.
    Sa për fillim, jo të gjithë ata që ne i quajmë analistë janë analistë, përderisa plot prej tyre nuk zbërthejnë atë për të cilën shkruajnë në shkrimet e veta. Huazimi prej shkencave i kësaj fjale në gazetarinë që e përvetësoi nuk erdhi domosdoshmërisht me atë cilësi dhe Ata që e përfaqsonin në to. Analist është fjalë e madhe, që mund tu vihet gazetarëve kur bëjnë analiza, por edhe të tjerëve kur botojnë në gazetë. Psh, mund ti vihet Arbër Xhaferrit kur analizon ish-jugosllavinë, mund ti vihet Kastriot Islamit kur analizon sistemin e zgjedhjeve.
    Meqë ju shmanga fjalës intelektual kjo nuk do të thotë se jam pro analistit e kundër intelektualit, por sepse përkufizimi i intelektualit (jo sipas shpjegimit të keq tek fjalori i shqipes) si një person që përpiqet të përdorë inteligjencën dhe mendimin analitik, na sjell po aty. Ne mund ta quajmë gjithë kohën Arbër Xhaferrin intelektual, por kur ai boton tek Shekulli një analizë, ai është, po ashtu, një analist. Kjo e vërtetë për Arbër Xheferrin nuk është e vërtetë për gjithë emrat e lartpërmendur, ka prej tyre që përdorin vetëm inteligjencën, pa ju futur fare labirintit të analizës, e ne do të bënim gabim ti quanim të gjithë intelktualë, e me të njëjtën llogjikë, togfjalëshin “ka shkruar si intelektual” do të rezervoheshim ta vinim për pak nga shkrimet e secilit. Nga ana tjetër, ka ndodhur shumë herë kur ka qënë përvoja e hidhur dhe jo mendimtaria e ndritur e të sipërpërmendurve mbas së cilës ata kanë vepruar, një pengesë goxha e madhe kjo për ti quajtur intelektualë.
    Atëhere? Unë them që nga thesi i fjalëve të nxjerrim dhe të përdorim të paktën dhe një fjalë tjetër. Për mua kollonist apo kolumist, është fjala që përcakton më së miri dhe pa ngarkesa një pjesë të mirë të atyre që shkruajnë rregullisht në shtypin e sotëm. Të tillë janë zakonisht: Edison Ypi, Edmond Tupja, Inida Gjata-Zhaku; bëhen herë pas here: Fatos Lubonja, Mustafa Nano, Andrea Stefani, por edhe pse shkruan gazetë më gazetë të qënit kollonist nuk i shpëton dot Rexhep Mejdani, se shkruan më rrallë nuk i shpëton dot Veton Surroi, se i ndani materialet në të dorës së parë dhe të dytë nuk i shpëtoni dot as ju këtu në blog. Pa ju gjetur vendin të gjithë emrave, ne do të kemi intelektualë, analistë, kollonistë, reporterë etj, që shkruajnë në gazeta, ku një person mund të na shfaqet në të gjitha rolet. Do të kemi intelektualin kur ai na hap me aftësitë e tij shtigje për ne të mbyllura, do të kemi analistin kur ai ulet e na e bën “fije për pe” çështjen në fjalë, do të kemi kollonistin për të vazhduar pambarim bashkëbisedimin tonë, do të kemi reporterin për të na treguar atë që i shkel këmba dhe i sheh syri, e kështu me radhë.
    Të kërkosh një gazetë apo media intelktualësh, është si të kërkosh shpirtin, për rrjedhim të kërkosh pikën ku shpirti takohet me trupin që është e pamundur; kur dihet dhe ndjehet që gjaku takohet me ajrin në mushkëri, apo lexuesi me gazetarin në gazetë.

  4. Xha xhai thote:

    Nuk besoj që SMR të jetë nisur nga qëllime të tilla; por shkrimi në fjalë është publik, dhe pritja festive që i është bërë te Peshku pa ujë nga një kategori e caktuar lexuesish duket se m’i konfirmon këto dyshime, aq më tepër që unë shkrimet prirem t’i gjykoj sipas efekteve që kanë te lexuesi, jo sipas qëllimeve të autorit.

    Te paragjykosh shkrimet sipas efektit qe kane tek lexuesi, dhe sidomos duke u bazuar tek reagimet ne blogje sic eshte edhe ai i “Peshkut pa uje”, do te thote t’i thuash lamtumire argumentit. Te njejtin gabim beri psh. Agron Tufa duke reaguar mbi “reagimet/efektet” tek “Peshku pa Uje rreth nje shkrimi te vete mbi rishikimin e historise se letersise. Rezultatet e ketij reagimi mbi “reagimin” e “reagimit” i gjen ketu. Si per ironi autori i reagimit te “reagimit” ka perdorur metaforen e krizes ekonomike pikerisht ashtu sic e pershkruan SMR, per t’ia futur njeheresh (apo vrare me nje gure dy zogj) edhe Tufes se Agronit edhe asaj te kapitalisteve te mbare botes kudo qe ndodhen duke i qare te dyja, si analizen ekonomike ashtu edhe inatin ndaj Tufes. Kjo sa per te thene se “Peshku pa uje” nuk eshte “publiku”, sepse publik/lexues eshte edhe ai qe nuk reagon forumeve dhe qe kam pershtypjen eshte shume here me i madh. Pra kuti i gjykimit mbetet sidoqe te jete profesionalizmi, i cili sigurisht eshte me i fersket dhe ngushellues kur vjen sidomos nga ata qe jo patjeter kane nje diplome apo kualifikim te vecante per te, sepse vjen ose presupozohet si tregues emancipimi dhe ndergjegjsimi shoqeror dhe jo thjesht profesional.
    Megjithate nuk ka nevoje te ta them une Xha Xha se roli i analistit (intelektualit) eshte edhe formimi/ndergjegjesimi i publikut. Dhe lloji i atyre me te cilet satirizon SMR nuk kane asgje per te thene vecse t’i meshojne statusquose, dhe rolit/statusit te tyre personal nuk eshte i paket, perkundrazi. Kjo lloj dukurie nuk mund te anashkalohet kaq lehte sepse sa c’eshte i demshem per shoqerine eshte akoma me i dmeshme per ato qe ndergjegjsimin e shoqerise per probleme te caktuara e kane vertet seriozisht. Me nje fjale pak satire nuk i ben dem askujt, sidomos kur presupozohet se u drejtohet atyre qe kane marre, apo u eshte dhene, roli i ndergjegjesuesit te shoqerise.

  5. Ujku i zi shkruan:

    Te paragjykosh shkrimet sipas efektit qe kane tek lexuesi, dhe sidomos duke u bazuar tek reagimet ne blogje sic eshte edhe ai i “Peshkut pa uje”, do te thote t’i thuash lamtumire argumentit.

    Në fakt jo; sepse mua efektet, në rastin konkret, më interesojnë më shumë sesa substanca e shkrimit të SMR. Natyrisht, unë nuk e di ç’pritje i ka bërë shkrimit ajo që italianët e quajnë “la maggioranza silenziosa”, në një kohë që reagimin me përbuzje, qesëndi dhe poshtërim për ‘analistët’ e shoh dhe e ndiej rregullisht, në Internet dhe në Externet. Mund të diskutojmë nëse kjo përbuzje vjen si reagim ndaj nivelit të ulët të shkrimeve ose profilit të ulët etik të autorëve, apo është shprehje e anti-intelektualizmit plebé, të tipit “kur u bo ene ky mo, mos u boftë nieri.” Përshtypja ime është se masat anonime që ngërdheshen sa herë që u del përpara një pretendent për kurban nuk pyesin shumë për cilësinë e shkrimeve – të njëjtën gjë do të kishin bërë edhe me Umberto Eco-n. Tani, SMR vërtet e kupton se produkti intelektual i këtyre ‘analistëve’ në mediat shqiptare shpesh lë për të dëshiruar, por shkrimi i saj, në të vërtetë, përdor trope dhe teknika që eksitojnë masën anti-intelektuale – siç m’u provua nga reagimet te “Peshku”. “Peshku” në këtë rast është barometër i humoreve të një pjese pak a shumë të emancipuar të lexuesit shqiptar, se po të shkosh në forume të tjera shqiptarësh, atje bëjnë thirrje të një lloji tjetër, sidomos kur thyhet gjuha në dialekt.

  6. Edhe une qe komentoj me deshire ndonjehere tek Peshkupauje.com, nuk e pashe te udhes te komentoja tek kjo tema. Trajtimi i autorit mu duk shume grotesk dhe i pamerituar per analistet shqiptar, edhe pse ndonje syresh nuk do te kisha deshire ta lexoja (cfare edhe e bej).

    1. Gazetaria shqiptare edhe pse me te metat e saj, sidomos persa i perket vullnetit dhe ciltersise per te nxjerre te verteten, nuk eshte edhe aq e permjere. Kush lexon ketej jashte tabloidet gezohet se ne Shqiperi nuk ekzistojne te tilla, edhe nese po (Balkanweb psh. ne internet), nuk e kane ate tirazh si psh. e perditshmja “Bild” ne Gjermani. Kjo eshte nje lehtesi. Imagjinoni sikur shqiptaret te mos ishin me te interesuar per politike dhe analiza, e te lexonin lajme te rendesishme me 3 rrjeshta, me boje te kuqe, me komente mbi breket dhe sytjenat e X Aktore, ose ta sillnin Real-TV edhe neper gazeta, sic behet ketej. Shihni editorialin e Bild-Zeitung dhe krahasoheni psh. me nje editorial te atij A. Stefani, edhe pse Stefani nuk thote asgje, te pakten per nga stili i shkrimit dhe per sasine e fjaleve ja kalon atij tjetrit qe shkruan per analfabetet tek Bild-zeitung (shkronja te medha, fjale te thjeshta, ideja shume e qarte dhe e njeanshme, pa asnje lloj grimce kontroversi etj.).

    2. Nese duam te ndryshojme dicka, duhet te zgjedhim nje strategji me pak konfliktuale, pozitive dhe sidomos jo ate qe synon te poshteroj (ironizoj) bashkebiseduesin ose kolumnistin. Sic thote I Dashur, duhet pak me shume “perulje” (humility, umilta’, Demut) ne kuptimin e krishtere, cfare nuk do te demtonte asnjerin. Pse? Sepse “Poshterimi” e shtyn dike te ndihet i kercenuar ne pozicionin e tij, dhe si rrjedhoj ne pozicion mbrotjeje. Kur ne fakt, ajo qe deshirojme eshte te ndryshojme, dhe jo te ngulemi ca me teper atje ku jemi. Por nga ana tjeter arroganca, mendjemadhesia, marrja e pozicionit te “Baces”, jane veti (ose strategji per ate qe luan nje rrol) qe ne shoqerine tone me mendesi “primitive” premtojne sukses. Keshtu qe po te shohim me vemendje zhvillimin intelektual te dikujt nepermjet shkrimeve te tij, psh. te nje gazetari, sheh fillimisht se artikujt e tij tingellojne te pasigurta, stili karakterizohet nga nje “perulje” si e nxenesit ne diten e pare te shkolles, ose te sapo dale nga bankat e shkolles. Por une besoj se vete ambienti intelektual ne te cilen dikush sillet, ndikon ne personalitetin e tij. Nese te gjithe presin mend nga ai (-Fol ti, se ti i di te gjitha!), ketij vete i pelqen ky pozicion (Ndegjo pra mu!), por te gjithe jane indiferent ndaj asaj qe thuhet (Po varja!), shto ketu edhe fatalizmin qe na karakterizon (E mire, e mire!); atehere Arroganca eshte i vetmi mjet per te rene ne sy dhe per te udhehequr. Shihni politikanet tane te sukseshem: Edi Ramen dhe Sali Berishen! Arroganca e tyre i ka bere ata te kene aq shume ndjekes. Njerzit i terheq Pushteti, forca, dhe i forti (trimi i madh me shoke shume!) si miza m… Shkurt: arrogancen ja u kemi imponuar ne ketyre kolumnisteve, ata kete rrol kane marre, dhe ky teater me keta “marioneta” drejtohet nga ne, nga deshirat tona (te ndergjegjshme, ose jo). Ju ftoj te vezhgoni me vemendje nje bisede ne kafenete e Shqiptareve. Aty sheh gjithmone nje hierarki te qarte, njeri flet, te tjeret ndegjojne, jo se u intereson se cfare thote ai, porse ngase nuk u intereson se cfare mendojne vete. Kjo lloj hierarkie reflektohet edhe ne stilin e shume gazetareve, qe jane ne balle te tryezes.

    3. Shume ngjarje duken si pa lidhje, te komplikuara, ose sikur nuk permbajne asnje lloj relevance (rendesie) per jeten e publikut. Por eshte detyra e Kolumnistit te krijoj nje lloj sinteze midis elementeve ne dukje te kundert (psh. programet e partive politike), te sqaroj lojrat e komplikuara politike, “to make sense”, ti japi kuptim ngjarjeve qe kane rendesi per publikun. Kuptohet, qe te realizoj nje detyre te tille, nje kolumnist duhet te lexoj e te degjoj fillmisht, pra te marri, pastaj te jape nepermjet analizave te tij. Nese dikush nuk merr, do te filloj te japi nga fantazia, por nuk besoj se cdokush zoteron nje fantazi si kjo imja 🙂 ?!

  7. Xha Xha,

    Duket sikur frika e arsyeshme se sulmi ndaj analisteve eshte eshte rrjedhoje e nje anti-intelektualizmi plebé, ne gjykimin tend merr perparesi ndaj rrezikut, po ashtu te arsyeshem, qe paraqet vaniteti i elites shqiptare (lexo komentin e Kapedanit) ku ben pjese edhe ushtria e opinionberesve. Porse per mua me duket e tepert te kemi nje debat ndaj anti-intelektualizmit plebé, nderkohe qe vet intelektualizmit i jane mbyllur dyert nga ata te sillojit te vet.
    Perse e them kete? Sepse mendoj se ne kemi krijuar nje shoqeri pozicionesh te ngurta dhe jo konkurrente, ku me te rrezikuarat nga kjo konkurrence eshte vete konkurrenca e ideve. Eshte e tepert, mendoj, te flase per politiken (qe qartesisht nuk gjeneron asnje ide) por dua te theksoj nderkohe mardheniet politike-opinionberje qe do thosha se jane teresisht te deformuara. Mund ta mohojme dhe ta pohojme sa te duam ketu lidhjen e “opinionisteve” me politiken, por si per plebeun ashtu edhe per shumicen te atyre qe ndjekin debatin ne Shqiperi zor se mund t’i bindesh se opinionberja e institucionalizuar nuk eshte nje zgjatim i rendomte i politikes, apo se paku nuk karakterizohet nga vaniteti i kesaj te fundit. Per sa kohe kjo pjese e ndergjegjshme e opinionit (opinionistet) nuk eshte e gateshme ta kete debatin e gjenerimit dhe konkurrences se ideve brenda vetes, si dhe mardheniet e saj me politiken dhe shoqerine me gjere, zor se shqetesimi ndaj plebejve te con gjekundi.

  8. Kjo teme, ma nxiti keqazi kersherine, aq sa u hodha me nje fryme nga keneta e peshqve.

    Tufa kishte kryer dashje padashje, nje vetvrasje mediatike gijotinare dhe mbi kufomen e tij po gostiteshin dhjetra peshkakorbe e peshkasorra, qe nuk reshtnin se kenduari ‘marsejezen’.

    Kuptohet lehte, qe sot per sot analistet verdallisen forumeve per te pare suksesin e tyre, por cka me del pakuptim eshte pikerisht mllefi ndaj anonimeve. Nese mbart mllef ndaj anonimit do te thote qe nuk arrin te mposhtesh dot argumentet (apo shpifjet) e tij ,pasi anonimi ka nje te mire, eshte cka shkruan dhe jo nje person i njohur publik, te cilit i njihet rrenje e rremballe.

    Vet’ e kam pare perhere forumin si vend perleshjesh e kacafytjesh dialektike, nje lloj logu burrnie, ku lejohen ngjyrat e ashpra e biles per ata, me te cilet jam perleshur me ashper (perfshire sarkazmen primitive si arme lufte) e qe me kane vene me shpatulla pas muri, kam nje respekt te jashtezakonshem.
    Kjo vihet re edhe tek gabimet e pafundme drejt’shkrimore, qe kane shkrimet e mia.

    Kjo eshte arsyeja pse une e shoh si qelbezuese sjelljen qe tashme sundon kudo, dmth perdorimin e forumit si vend propagande, si me qene gazete apo televizion. Kjo moda e blogjeve nuk me pelqen fare, pasi kush ka per te thene dicka e thote fare mire brenda forumeve e sesa vlere ka duket qarte ne rremujen e forumit.

    Analistet kane nje arme te forte, shkruajne neper gazeta e dalin neper televizione e pikerisht duke kopjuar gazetat si vend propogande edhe interneti eshte kthyer ne nje mjet per tu dukur, kjo gje vihej re qe ne fillim, por tashme sundon kembekryq.

    Atehere perse analisti hidhet kunder duke perdorur si ne rastin e Tufes, fjalorin mitingor te Sales ? Nje nga arsyet mund te jete, sepse gazetat e televizionet e kane humbur sundimin e plote ndaj publikut, perndryshe nuk do ndiheshin kaq te kercenuar nga anonimet. Por vec analistet cakej mund te ndihen te kercenuar nga cakejte anonime te internetit, sepse analistet luane nuk kane frike.

    A eshte analisti kategori me vete ? Mendoj se po, pasi ne castin kur nxirret ‘buka e gojes’ duke shtjelluar argumente te ndryshme (rregullisht) neper gazeta, atehere kemi te bejme me krijimin e nje profesioni.
    Ata qe shkruajne rralle mund te percaktohen si analiste ‘te jashtem’.

    Intelektuali eshte kategori teper e gjere,aq e gjere saqe tashme termi intelektual perdoret si epitet e jo si percaktor.
    Filani eshte intelektual, sot per sot nuk jep asgje ne kategorizimin e individit. Per mendimin tim fjala intelektual eshte duke u asgjesuar nga fjalori, por jo vetem ne shqiperi e kjo qekur shkollen e larte po e mbarojne me qen e mace.

    Mund te tentohet te jepet kur i shkolluari ben dicka ne profesionin e tij, por per kete perdoret rendom termi specialist.
    Pra, fjala intelektual po kthehet gjithnje e me shume ne fjale shterp.
    Xha xhai eshte intelektual.
    Pergjigjet filan fisteku rreth 30 vjec qe ka mbaruar universistetin e ka bere nje master,punon ne nje banke dosido e gjendet poshte ne shkallen hierarkike : Edhe une jam intelektual.
    Si ti pergjigjem ?

  9. Ujk, në fakt unë u preka personalisht nga analiza e SMR, meqë shkruaj edhe vetë ndonjëherë në gazetat… Dhe meqë shkruaj vetë, kam në mendje një model etik ideal të opinionistit, të cilit mundohem t’i përmbahem me aq sa mundem, të paktën për sa i përket ndershmërisë intelektuale. Natyrisht, fakti që nesër, në po atë vend ku kam botuar unë, del artikulli i një sharlatani ose provokatori ose manipuluesi politik nuk më bën të ndihem në faj, sepse nuk ka kuptim të thuash që ‘na bashkoi vendi në gazetë’. E pata thënë edhe në krye, që SMR ka gabuar jo në mangësitë që ka përqeshur, por ngaqë i është futur temës me traktor, pa u bërë shumë merak se ashtu po shkatërron edhe të njomin bashkë me të thatin dhe duke ndërmarrë një lloj homologimi që nuk ndihmon aq për të kthjelluar vetë çështjen e amatorizmit dhe matrapazllëkut politik në mediat. Nga ana tjetër, kur flitet me përbuzje për analizat, komentet dhe editorialet në gazetat, mua më shkon mendja menjëherë tek të miat – dhe më vjen keq vetvetiu; prandaj ndoshta perceptimi im në këtë rast nuk i ndihmon trajtimit objektiv të çështjes.

  10. Xha Xha,

    Verejtja ime nuk ka te bej shume me mungesen e bjektivitetit, sesa me anashkaliminm (pa dashur) ne analize, ne emer te ketij objektiviteti, te natyres vanitoze te debatit publik ne Shqiperi. Me kujtohet qe eshte trajtuar dikur ne kete blog ne mos gabohem, tema rreth referencave ne analizat e shtypit shqiptar. Ju apo dikush tjeter, nuk me kujtohet, verente se opinionistet shqiptar u referohen gjithmone emrave te medhenj te filozofise apo kultures boterore, por rralle gjen dike ta nise arsyetimin duke iu referuar nje mendimi te formuluar me pare nga ndonje koleg shqiptar. Natyra e ketyre lloj analizash kuptohet eshte e tille qe ne vend ta thurrin debatin publik e cthurrin ate, sepse tentojne te nisin gjithmone nga e para duke mos lejuar asnje ide te marri forme te plote dhe te shtjellohet deri ne fund. Dhe nese kjo mungese kulture debati nuk vjen per shkak te vanitetit qe satirizonte SMR atehere kush jane arsyet e verteta?

  11. SFR ka postuar nje satire, nuk eshte ulur te analizoje seriozisht gjendjen e shtypit shqiptar, nivelin e analisteve, perspektivat, ndryshimet etj. etj. Ne kete kontekst do isha dakord qe duheshin dalluar “te thatet” nga “te njomet” Por nuk me duket se ka qene ky qellimi i postimit.

    Nese une ngrihem neser dhe, duke pare mediokritetet dhe idiotesite qe ndeshen ne cdo librari ne Shqiperi dhe gjetke, ulem e shkruaj dicka te tipit “Si te behesh ‘shkrimtar'” dhe filloj e tallem me ata pseudo-shkrimtaret, pseudo-intelektualet etj., mos valle duhet te filloj te numeroj se per cilet shkrimtare te vertete e te cmuar NUK e kisha fjalen? Sikur nuk shkon, me duket mua.

    Postimi duhet lexuar, ndofta, per ate qe ofron, nje satire mese e merituar per gjithe ata “analistet” qe shkarravisin gazetave dhe brockullisin televizioneve. Ne shtypin tone ne te njejten gazete, nje dite analizon Lubonja, nje dite “analizon” Zhaku. Keshtuqe, s’mbetet gje tjeter vecse ti trajtojme median dhe analistet si punen e atyre reklamave, filmave, emisioneve ne TV, qe kane target groups te ndryshem, s’jane te gjitha per secilin prej nesh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin