KOMANDANT, NA MORI MALLI

stalinKur më zuri syri sot letrat e Enver Hoxhës drejtuar së shoqes në 1960 që “Shekulli” i kish botuar në faqen hyrëse, m’u kujtua një lajm që pata lexuar diku, për një sondazh të kryer në Rusi, sipas të cilit 20% e rusëve do ta shihnin me ngazëllim Stalinin të kthyer në krye të punëve, në Rusinë e sotme.

Sondazhe të tilla në Shqipëri nuk ma merr mendja të jenë kryer; por kam frikë se shifrat do të ishin ku e ku më të larta se njëzetpërqindëshi i rusëve.

Dëshirën për Enverin e ndesh nga të gjitha anët, në publik dhe në privat – fryt i mallit për karizmën e tij e për mënyrën si i zgjidhte problemet me “vendosmëri” (lexo: dhunë); fantazive se si do t’i bënte “zap” këta të sotmit; etjen e nostalgjikëve të djeshëm për revansh; lëkundjeve të apolitikëve dhe të cektëve përballë korrupsionit dhe imoralitetit të politikës së sotme; nevojës së të papjekurve për një figurë babai; padijes dëshpëruese të brezave të rinj, të cilët e shohin diktatorin e djeshëm si nemesis të klasës së sotme politike.

Gazetat në Tiranë kanë njëzet vjet që nuk reshtin së botuari e ricikluari gjithfarë materialesh për të, pjesa më e madhe e të cilave, si këto letrat e tanishme për Nexhmijen, pa ndonjë vlerë historike; po të shohësh në komentet, gjithnjë e më dendur Enveri jo vetëm po trajtohet si simbol i një të shkuare sterile, të rregullt e të hekurosur, por edhe po kremtohet haptazi si alternativa e vetme dhe totale ndaj dështimeve dhe zbythjeve të sotme, maskarallëkut, allish-verisheve politike, kompromiseve, vjedhjeve të hatashme, mashtrimeve, kurvërimit të përgjithshëm.

Siç mund të pritej, shpirtin e Enverit po e ndjellin jo vetëm ata që ia gëzonin të mirat dhe jetonin mirë nën hijen e tij, por edhe të tjerët; ata që nuk e kanë njohur kurrë, përveçse në seancat e spiritizmit të gazetave dhe në televizion.

Çfarë nuk pritej, përkundrazi, është që ky shndërrim i Enverit në kryeshenjues (master signifier) të ndodhte vetëm brenda më pak se 20 vjetësh që prej rrëzimit të bujshëm të statujave të tij, në vitin 1991. Nga lartësitë e së tashmes madje mund të nxirret përfundimi se rrëzimi i statujave nuk ishte veçse stad i domosdoshëm drejt lumnimit të këtij kryeshenjuesi në psiken tonë kombëtare.

Do të veçoja dy mes faktorë bazë që e nxitin rehabilitimin krejt irracional të një udhëheqësi totalitar dhe autokratik, arkitekt të atyre politikave sociale katastrofike, pasojat e të cilave sot disa po duan përnjimend t’i luftojnë duke ua ringjallur frymëzuesin.

Më një anë, është masa e madhe e të gjithë atyre që kanë nevojë të kenë në krye një autoritet absolut, të padiskutueshëm, të tillë që të qëndrojë në një rrafsh përtej së mirës dhe së keqes, ose t’i japë kuptim e domethënie sistemit për së jashtmi. Këta nuk është e thënë të jenë doemos nostalgjikë të komunizmit; edhe pse pompimi i Enverit në mediat pjesërisht i detyrohet edhe një manovre jo dhe aq fine, për t’i pilotuar nostalgjikët politikisht.

Më anë tjetër, janë brezi i ri dhe i humbur, ose të gjithë ata që nuk dinë asgjë për krimet totalitare, as për shndërrimin e Shqipërisë në burg të sigurisë të lartë, gjatë viteve 1945-1990; por janë të neveritur nga kualiteti i keq i klasës së sotme politike; dhe Enverit i japin kuptim nëpërmjet një mekanizmi zhvendosës dhe kundërvënës. Këtu unë do të futja edhe masën e madhe të të rinjve shqiptarë nga trojet e ish-Jugosllavisë, të cilët e shohin bacë Enverin si burrin emblemë të kombit,  ose Skënderbeun e shqiptarisë bashkëkohore.

Si për një grup, edhe për tjetrin, çështja është nëse kjo dëshirë për një diktator aq të dalë boje e mode si Enveri, por edhe aq të përlyer me krime të kalibrit shekspirian, ndaj deri edhe shokëve të vet më të afërt, është apo jo shprehje e një nevoje bazë të shoqërisë shqiptare për barí.

Me fjalë të tjera, njëlloj si në atë sondazhin për Stalinin në Rusi, problemi mund të ketë të bëjë me psikologjinë sociale, jo me atmosferën politike konkrete. Aq më tepër kur, si në Rusi ashtu edhe në Shqipëri, demokracia perëndimore është instaluar si të ishte fjala për zëvendësim të sistemit operativ: hiq Windows XP dhe vër Windows Vista; pra është importuar në rrugë mekanike, me shpresë se format institucionale do të krijojnë përmbajtjen përkatëse (ndryshe nga Perëndimi, ku ka qenë gjithnjë përmbajtja që i ka sugjeruar format).

Përsëri me fjalë të tjera: për gjendjen ku ndodhet shoqëria shqiptare sot, vallë është e natyrshme për të që të ëndërrojë, natën, për t’u dominuar?

14 Komente

  1. Premise # 1:
    Demokracia eshte sistemi me i shtrenjte politik qe ekzistion

    Premise #2:
    Rruge qe ti biesh shkurt per ne demokraci nuk ka

    Premise #3:
    Lexo premise nr 1 dhe 2.

    1. Anglezet sapo kane vene ne internet te gjitha te dhenat per proceset penale dhe denimet perkatese, per gjithe shekullin e 19.

      Per periudhen 1791 – 1892 pati 10.300 ekzekutime
      Po ne kete periudhe pati 97,000 te denuar me “transportim”, ose me dergim ne koloni penale te B. se Madhe fillimisht ne Amerike, dhe me pas ne Australi. “Transportimi”, ne pjese me te madhe te rasteve ishte nje alternative ndaj ekzekutimit.

      Ne ate kohe 220 krime kishin denimin kapital si mase shtrenguese/edukuese.
      P.sh po te vidhje me shume se 25 cents (16,62 sterlina me te sotmen) ta perdridhnin qafen.
      Po te thyeje dhe vidhje shtepite, ta perdridhnin qafen gjithashtu.
      Po te dilje ne rruge e te ecje me fytyre te lyer me te zeze, edhe ne kete rast qafa e kishte punen keq.

      …. dhe me pas erdhi….. demokracia. Po jo me fjale. Ajo erdhi me litar ne dore.

      Nuk ka ideale te perbashket pa interesa MATERIALE te perbashketa. Me jep qetesine, dhe une te siguroj “life, liberty, and the pursuit of happiness”. Dhe jo anasjelltas.
      Bota e mesoi kete qe ne kohen e Ideve te marsit, ne 44 para eres sone. Dmth plot 2034 vjet para nesh.

      http://www.guardian.co.uk/uk/2009/aug/03/criminal-trials-records-online-ancestry

  2. Ne ndryshim nga ju, XhaXha, edhe une e degjova si lajm ne gazeten “Shekulli”, por nuk kisha aspak deshire ta lexoja. Emri dhe koha e tij, me ngjallin vetem krupen.. Me mjafton qe e kam perjetuar ate periudhe; te rikthehem e te rilexoj bemat e gjemat e tij, eshte vetem humbje kohe te cmuar.
    Ajo, cfare dua te theksoj ketu: nje mbremje, ne emisionin Opininon, ishte i “ftuar” pronari i kesaj gazete, K.K.,
    Midis njemije e nje brockullave te thena prej tij, u be fjale edhe per politiken editoriale te gazetes. Me aq sa tha, une as qe cuditem sepse, pikerisht te tilla “thesare” gjejne driten e botimeve ne te tilla gazeta, ku ne menyre here te fshehte e here “transparente”, revokohet diktatura. Ky zoteri, ia di shume mire “vlerat” atij regjimi, si ish-pjese integrale e tij, por, qe, ne menyre krejt te habiteshme (tashme, jo me), e mohoi ate dhe na doli si kapitalisti me sinjifikativ dhe i suksesshem, me moton: “Sfide,Para dhe te qenurit BOSS”! Me nje fjale, enderra e tij, shume e vjeter(sipas thenieve te veta), kishte qene te fitonte sa me shume para dhe te kenaqej kur te tjeret ta quanin Boss(:O) e per t’i realizuar keto, revokimi i periudhes me te erret te sistemit totalitar, neper faqet e shtypit te tij, sigurisht, qe ka rolin e vet. Por, ne rast se ky popull, do vazhdoje ende te trashitet midis fantazmes se Hoxhes dhe brockullave te K.K.,e te tjereve si puna e tij, atehere, bejme me mire, qe te “mbyllim edhe gojen”, ne kerkesat tona per integrim ne BE. Nuk kane per cfare te na duan. Akoma, nuk po arrijme te “duam” veten…

    1. Vetem pasi e lexova disa here komentin e noname, e mora vesh se kur flitesh per pronarin KK, ne kete rast behesh fjale per Koco Kokedhimen.
      Megjithese eshte jashte temes, por une e shoh karakterizimin qe i behet Kocos, si dhe perdorimin i tij si fakt apo argument negativ per te mbeshtetur nje opinion qe lidhet me temen ne fjale, krejt te keq vendosur dhe te keq perdorur. Tipike shqiptare, qe nuk arrin e nuk arrin dot te rritet ne moshe, te piqet e te kuptoje se bota nuk ka vetem dy ngjyra.

      Deri ne dhjetor te 1990, Kocon e kam pas njohur nga afer.
      Vetem nga viti 2003-2004 mora vesh se ishte bere “big boss” ne Shqiperi, c`ka nuk me cuditi aspak.
      Ne kujtesen time, larg se qeni thjesht nje sekretar rinie ne Fier, ai ngeli nje nga personalitetet me te vecanta te fundit te viteve 80 qe me ka sjelle rasti te njoh. Me nje zgjuarsi natyrale dhe te kultivuar, qe ishin ne sherbim te nje karakteri tejet te forte, dhe nje egoizmi, te cilit gjendja e asaj kohe i rrinte perqark si nje cizme tejet e ngushte, Kocoja ishte epitoma e pragmatistit, per te cilin jo ideologjia por pasojat praktike dhe efektet reale te gjerave ishin burimi kryesor i te vertetes se tij. Jo vetem ne Shqiperi, por kudo neper bote ta kish hedhur fati ate, Kocoja do ish ngritur mbi turmen.

      Urimi im i vetem eshte qe atij ti vije sa me shpejte ne maje te hundes endrra e tij shqiptare e te qenit bos dhe e te pasurit para, dhe te kerkoje ta perdore ambicjen e tij dhe talentin e tij ne nje shkalle me te gjere e me objektiva me te medha, qe shkojne pertej nje llogarie banlare.

      1. “Megjithese eshte jashte temes, por une e shoh karakterizimin qe i behet Kocos, si dhe perdorimin i tij si fakt apo argument negativ per te mbeshtetur nje opinion qe lidhet me temen ne fjale, krejt te keq vendosur dhe te keq perdorur. Tipike shqiptare, qe nuk arrin e nuk arrin dot te rritet ne moshe, te piqet e te kuptoje se bota nuk ka vetem dy ngjyra.” Me vjen shume mire, “i dashur”, qe e njihke nga afer zoterine pronar dhe faleminderit qe na ndricuat ne lidhje, edhe me karakterin e tiparet e tij. Ne komentin tim, fola duke iu refererua, pikerisht atyre cka ai tha e shpalosi ne emisionin Opinion, dhe mos u mundoni ju lutem, te induktoni mendime. Megjithate, une jetoj ne Shqiperi, dhe si element i kesaj shoqeri, mundohem te jem sa me larg paragjykimeve e keqinterpretimeve, por njekohesisht teper objektiv e realist ne lidhje me cdo situate apo emer te pervecem, qe plluskon gati cdo dite ne realitetin tone, njeri prej te cileve, eshte edhe ai i K.K. Por, nese, ju thoni dhe mbroni ato qe dini, ndersa une lexoj ne shtyp fakte e dokumenta qe kunderthone ate qe degjoj prej jush, kjo sigurisht, nuk mbetet me te quhet tipike shqiptare (nuk pohoj te jem tjetersoj!). Thjesht, u mundova te them se nga te tille individe, me te atille te kaluar (ate e kemi hije qe te gjithe, te mire a te keqe..), une, personalisht, nuk cuditem nga cilesia e shkrimeve dhe artikujve te Shekullit. Ne fund te fundit, hyzmetin parase, ia ben ai, qe me “djersen e ballit” e fiton. E keqja eshte se keta jane edhe ….elita e shoqerise se sotme shqiptare!:(
        Apo jo, i dashur??!

  3. “problemi mund të ketë të bëjë me psikologjinë sociale, jo me atmosferën politike konkrete”.

    Ashtu mendoj dhe une. Biles akoma dhe me thjeshte se me “psikologjike sociale”: thjesht me psikologjine. Shqiptaret jane per nga natyra popull nostalgjik, dhe jo melankolik. Kete te dyten, pak popuj kane fatin ta kene si veti…

  4. E lexova edhe unë artikullin tek Shekullin. Tani nuk më habit shumë mënyra e të zgjedhurit tek ajo gazetë që s’po bëhet gjë tjetër se sa një kopje e shëmtuar e ndonjë gazete të huaj e cila kërkon scoop-et në çdo cep të globit. Shkrimet çdo ditë e më tepër më japin shije të keqe. Dje për Enverin, sot për kosovarin që bënte dashuri me një italiane (shkrim i përkthyer keq nga italishtja), nesër për ndonjë scoop tjetër. T

    Enveri dhe Nexhmija, dy të akuzuarit më të famshëm të së shkuarës komuniste, gjejnë akoma gazetarë që t’i “lëpijnë”. Dhe këto gazetarë na japin mundësinë të lexojmë asgjë, por thjesht një situatë që mund të provokojë (siç edhe e thotë Stalker kur përmend nostalgjinë). Mos të harrojmë se 70-80 % e anëtarëve socialistë shqiptarë, kanë një nostalgji për E. H, dhe një pjesë e mirë e mban akoma si udhëheqës (idhull).

    Shpresoj se do ta lexojnë (lexuesit e artikullit të Shekullit) edhe librin e F. B. ‘Zonja e zezë N. H.’; them “shpresoj” për ata që do të dijnë pak më shumë mbi këtë çift. Eshtë e panevojshme të na serviret në mënyrë të tillë, me letra dashurie, letra përsonale, për të na treguar se priftërinjtë që i mbyste nëpër kënetat e Maliqit, apo shokët që i helmonte dhe i shkelte me këmbë, nuk i bëri Enveri? Apo për të na thënë: sepse ai kishte edhe një zemër, dinte të shkruante bukur.

    Problemi është kompleks, ashtu siç është komplekse situata në Shqipëri. Nuk e di në vëndet e tjera ish komuniste, por në Shqipëri (siç edhe e thotë At Zef Pllumi i ndjerë) sistemet që mbajnë gjallë shtetin, shkolla, mjekësia, administrata, kontrollimi, janë komuniste. Pra veprohet si në kohën e komunizmit që unë nuk e kam përjetuar shumë, vetëm pak vite.

  5. I lexova edhe une letrat.
    Pa komentuar mbi faktin nese duhen botuar apo jo letrat e Enver Hoxhes ne gazete, mua me duken krejt te fallsifikuara. Arsyetimet dhe gjykimet e shprehura aty duken sikur jane perpunuar gjate disa vjeteve, jo si pershtypje te çastit direkt nga zhvillimet e ngjarjeve. Komentet, me shume se personale, duket sikur kane dale nga kolektivi i ndonje instituti studimesh.
    E them kete sepse nese mund te kete arsye edhe pro edhe kundra botimit te letrave, eshte detyra numer nje e redaksise te vertetoje origjinalitetin e tyre.

  6. Ka shume njerez qe jane nostalgjike per ate njeri famekeq por ajo qe eshte e papranueshme eshte fakti qe cdo dite ne disa gazeta do te gjesh dicka per te ose per beniaminet e tij (sigurimsa “trima”) qe tregojne historite e tyre te “lavdishme”. Une nuk i kam lexuar keto letra (as edhe te tjerat histori) se e kam jetuar ate kohe dhe me duken budallalleqe me oke. Por tendenca per ta revokuar ate kohe dhe ate person qe eshte fatkeqesia e kombit me duket me teper se faj. Jam plotesisht dakort me noname qe pronari i gazetes ka interesa te ngushta edhe ekonomike me pasardhesit e tij. Mos harrojme se brenda nates ai u gdhi nga sekretar i rinise ne nje kapitalist me rroba firmato dhe me pasuri te patundshme kolosale. Botimet e ketyre brockullave bien ere qe larg.

    1. “Une nuk i kam lexuar keto letra (as edhe te tjerat histori) se e kam jetuar ate kohe dhe me duken budallalleqe me oke”.

      Une i lexova letrat me te njejtet sy (menyre te lexuari) qe lexova dhe mesazhin tuaj.

  7. Stalker, s’kam pse ruhem se nuk i kam kujt borxh asgjë.
    E përmenda F. B (jo facebookun) dhe librin e tij për të treguar se ka dhe më keq se sa letrat e botuara nga Shekulli. Le t’ia lëmë historianëve këto punë dhe jo F. B-ve që i bëjnë lëmsh fjalët dhe s’arrin t’i kuptosh.

    Kjo puna e debateve, e brekëve që dalin nëpër forume, është e vështirë për t’u kapërdirë sidomos nga disa përsona të respektuar dhe që nuk janë meskinë visrtualë. I lexova pak, por nuk është ajo pika ime e interesit, larg qoftë.
    Por sot çdo gjë është e mundur, biles edhe të krijosh një PTF tjetër, pra të sabotosh punën e dikujt sot është shumë më e lehtë se dikur.

  8. Historikisht figurat e diktatorëve të kudogjendur (e aq më tepër në një vend të vogël si Shqipëria) për nga natyra janë mbreslënëse në kujtesën popullore për disa arsye madhore.

    Së pari ngaqë gëlltisin (gllabërojnë) një pjesë të konsiderushme të historisë, në më të shumtën e rasteve e dhunshme kjo, e cila lë pasoja për vite të tëra më pas. Psika e atyre njerëzve që e kanë jetuar atë kohë, shtysën më të natyrshme e ka tek frika, kryesisht, mandej tek hovi i një brezi të tërë që besonte me gjith shpirt se kjo ishte e “vërteta” dhe “rruga e duhur”, se këto ishin “ndryshimet kolosale” dhe “jeta socialiste”, se ky ishte “ideali për të cilin luftuan” dhe se “e kuqja do triumfojë” në të gjithë globin, etj, etj. Brenda kësaj traume të ushtruar njëtrajtësisht në masën popullore – kam dëgjuar për raste dhe njerëz të cilët edhe përpara pushkatimit me etiketimin “armiq të popullit” thoshin përsëri si fjalë të fundit “rroftë partia” – është pra e njimendtë ajo që ndodh më pas.

    Ka një brez pasardhës që në mënyrë indirekte është i injektuar me këtë far fryme familjare. Dhe jo rrallë herë ky lloj injektimi vjen edhe në formë fobije nga mosnjohja e atij realiteti. Por si çdo “modë”, kjo është lehtësisht e kapërcyeshme.

    Ka dhe një shtres të tretë, më e rrezikshmja kjo, të njerëzve të masmediave që e përdorin për qellime dhe interesa të caktuara “imazhin e komandantit legjendar”.

    Koço Kokdhima është një njeri që e di fare mirë se çfarë kërkon nëpërmjet “Shekullit”, mediave, forcës ekonomike të 2K-Group, etj. Fari Balliu po ashtu nëpërmjet “55”-ës, bizneseve burimore në (ose jo) emër të tij. Të inkuadruar në legjionet respektive të së majtës dhe së djathtës interesat e tyre janë të lidhura përjetsishtë me pushtetin e cicës së mëmës parti që, i ushqen ambicjet dhe synimet e tyre, me rregullat e lojës në të cilën janë të përfshirë, në përligjje të ekzistencës së llojit (species) së cilës i përkasin si individë.

    Për ata që duan të shohin përtej fasadave shumëngjyrëshe, përtej sondazheve, përtej nostalgjisë të tipit “po ku je o Enver djali se neve na mori malli” ka veç një shpërblim në demokracinë e brishtë brenda së cilës mund të inkuadrohesh vërtet si një individ i lirë: ndershmëri dhe higjenë mendore gjer në verbëri! Ta shohësh botën dhe njeriun që të rrethon me sytë e shpirtit, dhe jo me syrin e trashëgimisë historike.

  9. Ne fakt dua ta shoh problemin ne nje veshtrim ndryshe. Ate dite kur jane botuar Letrat e dashura te shokut Enver per bashkeshorten e tij, gazeta ne fjale i kishte botuar nje fragment ne faqen e pare ku citonte nje pjese te tille “Ata jane te poshter, por une i demaskova…”. Kete mund ta konfirmoni lehte. Koincidence apo jo, por ate dite zhvillohej edhe Asambleja e Partise Socialiste e cila duhet thene se per thashethemin politik ndahej mes maskarenjve qe donin t’ia dridhnin kryetarit pas humbjes dhe ketij te fundit qe eshte nje qendrestar i vertete ne Politiken (???) e Re. Per ate qe nuk e beson fare, po fare fare kete lidhje nuk ehste nevoja te kujtoj rreshtimin e kesaj gazete, madje pse jo identifikimin e saj politik.
    Jemi mesuar tani me politikanet tane qe kerkojne te frymezojne apo ngjallin ide permes cimbisjes se kujteses se opinionit veteran apo atij militant, ne shembjen e busteve ne krahun tjeter.
    PS: Nese nuk eshte keshtu do kisha nje shprese te re per z. Kryetar dhe inteligjencen e tij.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin