KULLOTAT E KRYEQYTETIT

 

 

Komentet në temën e mëparshme më shtynë të cek disa çështje të cilat në të vërtetë e kanë vendin në një diskutim për trajtimin e pasurive të fundme, sidomos në kuadrin e perspektivave të zhvillimit të Tiranës dhe të zonave bregdetare në Shqipëri.

Çështja është nëse politikat e frymëzuara nga ekonomia e tregut mund të funksionojnë si duhet në hapësira të cilat vështirë se mund të prodhohen sipas nevojave ose dëshirave të individëve dhe të tregut vetë – p.sh. toka, ose zonat urbane; e lidhur me këtë është çështja tjetër nëse ndërhyrja e një autoriteti në këto fusha duhet parë apo jo si kufizim i lirive të aktorëve të tregut.

Kjo çështje mund të shtjellohet mirë në perspektivën e sjellë nga Garret Hardin, në një artikull të botuar në 1968 në revistën “Science”, me titull “Tragjedia e pasurisë së përbashkët” (Tragedy of the Commons). Është një artikull që ekonomistët me siguri e njohin mirë, meqë titulli është përdorur rëndom për të emërtuar një problem të vështirë për t’u zgjidhur, me të cilin përballen shoqëritë e sotme.

Artikulli merret edhe me gjëra që nuk më interesojnë këtu drejtpërdrejt, si nevoja për të frenuar shtimin e popullsisë globale; por unë e gjej me interes të veçantë metaforën qendrore të kullotës së përbashkët. Përfytyroni një kullotë të përbashkët, thotë Hardin, ku të gjithë barinjtë mund të shpien kopetë e tyre të bagëtive për t’i ushqyer. Kullota është e përbashkët jo vetëm në kuptimin që nuk i përket askujt, por edhe në kuptimin që komuniteteve përreth u intereson që të mbetet ashtu.

Tani, secili prej barinjve, duke vepruar në mënyrë krejtësisht racionale, është i interesuar të shtojë numrin e bagëtive që sjell për të kullotur, sepse çdo dele më tepër në tufën e vet automatikisht ia shton fitimet nga shitja e produkteve blegtorale.

Natyrisht, një dele më tepër ndër bagëtitë që përdorin kullotën jo vetëm do të shtojë fitimin e bariut pronar, por edhe do të konsumojë diçka më tepër nga bari në kullotë, deri sa të vijë një moment kur kullota të mos jetë më në gjendje të ripërtërihet vetvetiu etj., mirëpo këto kosto negative përballohen nga të gjithë përdoruesit e kullotës, jo nga bariu pronar i deles vetëm.

Në këtë mënyrë, shpjegon Hardin, të gjithë barinjtë janë vetvetiu të interesuar të shtojnë numrin e deleve në kopetë e tyre, edhe pse kjo do të çojë, në kushte normale, në rrënimin e kullotës si vend ushqimi të bagëtive.

Paradoksi këtu, nëse mund të flitet për paradoks, është se barinjtë veç e veç marrin vendime racionale, sa kohë që kërkojnë të maksimizojnë fitimet e tyre; por rezultati është katastrofik për të gjithë aktorët ekonomikë në sistem, sa kohë që këta gëzojnë liri të plotë për të përdorur pasurinë e përbashkët.

Hardin gjithashtu shpjegon se një pasuri e tillë si kullotat mund të ketë funksionuar mirë në disa rrethana, p.sh. kur popullsia ka qenë e paktë, ose kur rritja e popullsisë kushtëzohej nga luftrat, sëmundjet, etj.; por nuk funksionon më po aq mirë në kushtet kur numri i përdoruesve potencialë të vlerës së përbashkët vjen duke u rritur.

Një shembull tjetër domethënës në artikull ka të bëjë me ndotjen e mjedisit. Për një kompani prodhuese produktesh kimike është gjithnjë me leverdi ekonomike që t’i derdhë mbetjet toksike në një lumë; sepse kostot e shkatërrimit të mjedisit dhe të shëndetit të njerëzve përballohen nga shoqëria në tërësi, ndërsa kostot e përpunimit paraprak të këtyre mbetjeve ose të eliminimit të tyre të kontrolluar do t’i përballonte vetëm kompania.

Natyrisht, edhe ndotja e mjedisit vjen e bëhet problem shqetësues, me pasoja potencialisht katastrofike, në kushtet kur dendësia e popullsisë e tejkalon një masë kritike; prandaj Hardin arrin në përfundimin se “moraliteti i një akti është funksion i gjendjes së sistemit në momentin kur kryhet akti.” Para një mijë vjetësh, ishte krejtësisht normale që një indian i Amerikës së Veriut të vriste një bizon për t’i ngrënë vetëm gjuhën; sot një sjellje e tillë do të konsiderohej automatikisht kriminale.

Për të kaluar tani te problemet që po gërryejnë shoqërinë shqiptare, është e pamundur të mos vësh re se shumë prej tyre kanë të bëjnë me një zbatim përmendësh ose symbyllur të disa parimeve të thjeshtëzuara të ekonomisë së tregut, të cilat mund të kenë pasuruar pak aktorë ekonomikë agresivë ose me kontaktet e nevojshme politike, por meë kosto jashtëzakonisht të larta për shoqërinë në përgjithësi. Kjo duket qartë në çfarë është duke ndodhur me Tiranën.

Në një farë mënyre, pas shfuqizimit të ligjeve të pasaportizimit, Tirana erdhi duke u shndërruar në një kullotë të përbashkët për të gjithë popullsinë e Shqipërisë. Shprehje e këtij shfrytëzimi të shfrenuar të një pasurie në thelb të fundme, siç është hapësira urbane e kryeqytetit, janë ndërtimet e zyrave dhe sidomos të pallateve të banimit, që vijojnë të kryhen me ritme të pashembullta.

Zakonisht, kur dikush vëren se kjo ethe ndërtimesh nuk është normale, madje u përngjan deri diku etheve të skemave piramidale të mesit të viteve 1990, i përgjigjen menjëherë se ndërtimet do të vazhdojnë, sa kohë që ka kërkesa për apartamente. Në të vërtetë, të gjithë banorët e rinj që i shtohen Tiranës sjellin me vete kosto të reja, të cilat qytetarët e atjeshëm i përballojnë të gjithë së bashku: mbingarkesën e ujësjellësit dhe të rrjetit elektrik, mbingarkesën e rrjetit të ujërave të zeza, mbingarkesën e sistemit shëndetësor dhe të shkollave, pakësimin e sipërfaqeve të gjelbra për banor, rritjen e trafikut dhe të ndotjes së ajrit me partikulate dhe gazra helmuese nga automjetet, pakësim të hapësirës publike në rrugë dhe në trotuaret për shkak të automjeteve të parkuara e kështu me radhë.

Ja si e përshkruan Fatos Lubonja situatën e sotme në Tiranë:

Çfarë tregon shkatërrimi i fushave të sportit njëra pas tjetrës? Çfarë tregon pirshja e parqeve njëri pas tjetrit, e kinemave dhe zëvendësimi i tyre me banesa, vetëm me banesa dhe me kafenera e restorante? Kjo tregon, tek e fundit, një nivel të ulët, tejet të ulët, të asaj që quhet cilësi jete që po u imponohet shqiptarëve sa nga padija aq edhe nga zorri. Pra nuk është çështja vetëm atje se një pjesë njerëzish i kanë kthyer paratë vetëm në aparamente që as nuk haen as nuk prodhojnë e se, pa prodhuar, nuk blihen dot aapartamente të reja. Çështja është se edhe vlera e këtyre aparatmenteve po vjen e ulet për shkak se cilësia e jetës në shtëpinë e madhe po vjen duke u ulur pasi një apartament ka vlerë kur ka një dendësi për metër katror të pranueshme më së pari, kur ai përdoret, më së dyti, kur ka pranë një shkollë, një kopësht, një park, një fushë sporti, një kinema, një teatër, parkime të rehatëshme – pra tërë atë hapësirë publike që përbën shtëpinë tonë të madhe. Nëse të gjitha këto mungojnë atëhere cilësia e jetës përkeqësohet aq herë sa më shumë të mungojnë këto elementë të shtëpisë së madhe. Çështja ngrihet: a nuk e dinë shqiptarët se cilësia e tyre e jetës në shtëpinë e tyre të madhe është përkeqësuar disa herë; a nuk e kuptojnë se nuk është normale që dikush t’u ngrerë një pallat që u merr pemën e fundit që u zinte syri, që s’kanë më se ku të parkojnë, se ajri që thithin nga kjo dendësi e paparë po ua shkurton jetën? Shumica e dinë, por ndjehen të pafuqishëm për ta ndalur këtë masakër.

Asnjë nga sektorët e mësipërme të shërbimeve, që nga ujësjellësi, rrjeti elektrik, ujërat e zeza e deri te gjelbërimi, shëndetësia publike, transporti publik dhe miradministrimi i trafikut në kryeqytet, nuk janë rritur me të njëjtat ritme sa popullsia. Kam frikë se, edhe objektivisht, ritmet e rritjes së popullsisë nuk do mund të replikoheshin dot, edhe pse kjo nuk shfajëson krejt të gjithë ata që kanë pasur dhe e kanë për detyrë që të shqetësohen për cilësinë e jetës së përditëshme të qytetarëve (përkundrejt rrogash të bollshme nga fondet publike).

Mund të thuhet se, nëse industria e ndërtimit mbetet gjithnjë fitimprurëse në Tiranë, kjo mundësohet në kurriz të shëndetit fizik dhe mendor të qytetarëve, të kohës së humbur në trafik, të stresit të përgjithshëm, të rritjes së pisllëkut dhe të baltës, të rënies së cilësisë së shkollave, të uljes së orëve që fëmijët kalojnë duke luajtur në parqe përjashta, e kështu me radhë. Kjo do të thotë se jo vetëm industria e ndërtimit është duke thithur gjak drejtpërdrejt nga qafa e kryeqytetit, por edhe se po e bën këtë duke e zhvlerësuar me shpejtësi marramendëse hapësirën urbane si pasuri të përbashkët.

Cila do të ishte zgjidhja? Në artikullin e vet, Hardin me të drejtë vëren se çdo thirrje që u bëhet qytetarëve dhe aktorëve ekonomikë për të qenë më të përgjegjshëm është kundërprodhuese, meqë në kushtet e ekonomisë së tregut të përgjegjshmit dhe të ndërgjegjshmit eliminohen vetvetiu nga konkurrenca për t’u pasuruar. Prandaj zgjidhja, sipas autorit, do kërkuar në lëmin e ligjit administrativ, ose të taksimit përzgjedhës të përdoruesve të pasurisë së përbashkët.

Të gjithë ata që ende i falen ekonomisë së tregut, besoj se tashmë e kanë marrë një leksion përulësie me krizën financiare amerikane të huave të pasiguruara dhe të spekulimeve të tjera të hatashme nga ana e institucioneve financiare kinse serioze të Wall Street-it, që tani del se paskëshin luajtur kumar me paratë e klientëve të tyre. Megjithatë është pak qesharake të shohësh si bankierë me shtatë tuje, brokerë shumëmilionësh dhe të tjerë heronj verbues të kapitalizmit të lirë global po kërkojnë me ngulm, gati me panik, ndërhyrjen e autoriteteve federale për t’i shpëtuar institucionet e tyre nga kolapsi i plotë. Nga ana tjetër, nuk është e rastit që disa përfaqësues të institucioneve bankare dhe financiare europiane po e krahasojnë krizën amerikane me… katastrofën shqiptare të piramidave në vitin 1997.

Kjo ndoshta vetëm tregon se grykësia qenka ku e ku më e fortë se arsyeja; dhe se dallimi midis Sudes dhe Lehman Brothers është se Sudja nuk kishte vëllezër; në një kohë që shpresa se ekonomia e tregut mund të vetërregullohet, në kuptimin që individët që ndjekin interesat e tyre private udhëhiqen nga “një dorë e padukshme” për të promovuar interesin publik (sipas shprehjes së Adam Smith-it) nuk mund të përligjet më nga rrethanat e sotme.

Çfarë lypet në Shqipëri, është ndërhyrja rregullatore e shtetit; por jo si kofini pas të vjeli, as për të bërë bamirësi korporatash me paratë e taksapaguesve (si në SHBA), por për të shpëtuar hapësirën jetike që ka nevojë shoqëria shqiptare për të zhvilluar një vetëdije të mjaftueshme të vetvetes, përtej grykësisë individuale dhe logjikës së mbijetesës.

Në kushtet e sotme, është veçanërisht e rëndësishme, siç e përmenda pak në një koment të mëparshëm, që shteti të ndërhyjë për të kufizuar, sado tërthorazi, lëvizjen e pakontrolluar të popullsisë, e cila po shkakton zhbalancime të mëdha në ekonomi, të cilave herët a vonë do t’u ndihen pasojat në rang kombëtar. Si mund të qëndrojë shteti indiferent, kur fshati po braktiset në masë, tokat po lihen djerrë, kanalet ujitëse dhe kulluese po lihen të degradojnë dhe të amortizohen krejt, e deri edhe ullinjtë po priten, pa folur pastaj për kulturën ose traditën bujqësore dhe blegtorale, e cila do të shuhet së bashku me ata pak pleq dhe plaka që kanë mbetur fshatrave? Si mund të qëndrojë shteti indiferent kur një qytet si Tirana, që po i afrohet një milion banorëve, vazhdon të mbështetet mbi një infrastrukturë krejtësisht të amortizuar, e cila nuk mund ta përballojë më këtë mizëri?

Problemet janë reale, dhe tragjedia e commons (pasurisë së përbashkët) kërkon veprim të menjëhershëm nga ana e autoriteteve (duke filluar nga legjislativi), çka nuk mund të pezullohet e të paralizohet me argumente akademike, në lidhje me lirinë e individit ose të iniciativës private. Hardin sjell, në artikull, shembullin e disa lojërave në të cilat nuk mund të fitosh kurrë, në qoftë se kundërshtari luan normalisht; p.sh. treshi. Ose mund të fitosh, shton ai, po ta drogosh kundërshtarin, ose ta godasësh në kokë me çomangë, ose të falsifikosh rezultatet – në thelb, duke e braktisur lojën si të tillë. Sot për sot, kush fiton garat ekonomike në Shqipëri po e bën këtë njëlloj, duke i goditur të gjithë në kokë me çomangë; prandaj është e domosdoshme që vetë zgjedhësit, ose publiku, të bien dakord për t’u vënë fre veprimtarive që kanë për synim të zhvasin vlerë nga pasuria e përbashkët. Kjo do të thotë që shteti të autorizohet për të vepruar në pajtim me funksionin e vet shtrëngues (koerciv), duke i detyruar qytetarët t’u binden normativave të ndryshme administrative, p.sh. taksimit të diferencuar.

Për këtë kërkohet, natyrisht, qartësi e madhe në politikën ekonomike, por edhe pavarësi nga institucionet ndërkombëtare si FMN-ja ose Banka Botërore; çka nuk duhet kuptuar doemos si armiqësi, ose rebelim, por më tepër vullnet për të afirmuar interesat e zgjedhësve të tu dhe të shoqërisë para së cilës përgjigjesh, para se të jargavitesh vend e pa vend para ‘ndërkombëtarëve’.

Teza themelore e artikullit të Hardin është kundërshtuar, ndonjëherë ashpër; kritikët (zakonisht marksistë) jo pa të drejtë kanë vërejtur se tragjedia e pasurisë së përbashkët zakonisht mund të parandalohet në kohën e duhur, nëpërmjet ndërhyrjes së komuniteteve, të cilat nuk rrinë e të bëjnë sehir si u shkatërrohen vlerat materiale dhe shpirtërore që i zotërojnë së bashku. Edhe sikur të jetë vërtet kështu, argumenti nuk mund të ketë vlerë në Shqipërinë e sotme, për shkak se atje shkatërrimi i hapësirës publike po kryhet paralelisht me shkatërrimin e vetë komuniteteve, kryesisht nëpërmjet erozionit që i detyrohet emigracionit të brendshëm dhe të jashtëm.

 

14 Komente

  1. Hapsat e kashtes, sot, jane gjuhe burokrati dhe jo gjuhe intelektuali. Intelektuali e njeh gjuhen e burokratit. Burokrati e ka te veshtire ta lexoje gjuhen e intelktualit, le me ta kuptoje e ta artikuloje. Duke ja perkthyer burokratit gjuhen e intelektualit, kerkohet:
    Ndarja e Shqiperise ne (te pakten) dy zona fiskale.
    E para, zona bregdetare, Sarande-Shkoder me qender Tiranen (e me ndonje perjshtim aty ketu).
    E dyta, zona e kufirit tokesor, Malesi e Madhe-Gjirokaster, qe te perfshije dhe zonat midis.
    Taksa, tatimet ne te paren mbeten te pandryshuara ose rriten ndersa ne te dyten ulen ose jepen nxites (incentives).
    A do te na kundershtojne banoret e Tiranes apo nderkombetaret? Po, por, ne mund tu themi se 1% rritje takse per zonen e pare sjell aq te ardhura sa 50% (ketu ja futa kot) e rritjes ne zonen e dyte. Banoreve do t’u permendim te mirat e lagjeve jo te mbipopulluara me te papune e njerez ne asistence; nderkombetaret, kaq e dine, se buxheti me keto ndryshime te rendesishme ne planin shoqeror ne ate financiar do te jete po ai, ne te do te hyjne po aq te ardhura.
    Taksa e sheshte eshte qesharake kur ate do ta zbatosh ndaj zeros, ashtu sic eshte paturpesi qe te paguaje njelloj Saliu me Edin ne Tirane me ate shqiptarin ne maje te malit qe komshiun me te afert ka ariun.
    Shembuj? Po ja, Nju Jork-Nju Xhersi qe te mos shkoj me larg.

    Po kush me pyet mua?
    A prita une qe te me pyesnin?

  2. Çfarë lypet në Shqipëri, është ndërhyrja rregullatore e shtetit; .

    Halli eshte se misionaret e BB/FMN jane ngulur mire ne arterjet e Tiranes e nuk te lene ti besh bisht politikave neoliberale te cilat i paketojne e i shesin.

  3. Kush nga emigrantet e pranishem eshte gati te perveshe menget te shkoje te populloje fshatin shqiptar?

  4. Ta kesh fshatin, qytetin dhe kryeqytetin ne gjendje qe s’do qen te rroje, eshte nisme e madhe t’u a kerkosh emigranteve te pranishem popullimin e fshatit shqiptar.
    E, puna nuk eshte vetem tek popullimi, eshte tek biznesmimi, puna nuk eshte te besh rruge e te shohesh si ato zbrazin fshatin e as te shkosh atje me ture si sot e as me aksione si dje, puna eshte ta besh fshatin (dhe qytetin e kryeqytetin) nje vend te deshiruar per te jetuar; per ate qe lind atje, per ate qe deshiron te rroje atje, per ate qe do te vdese atje.

  5. Nuku është problemi vetëm tek BB/FMN-ja, jo. Problemi është se ai që do përpiqet të vërë rregulla (një rregull psh. mund të ishte flakja BB/FMN-së), do humbë votat (ato të jashtmet e kam llafin), dhe ne nuk kemi nga ata kokrra që janë gati të humbin votat jo, tek e fundit dhe ata barinj të të njëjtës kullotë janë.

    Një rrugëzgjidhje (përveç një diktature të re) është aplikimi i incentivave, por ato të shkretat kushtojnë shumë kur i bën dhe rezultatin e japin kur qeverinë e ka opozita.

    Megjithatë, personalisht kam besim të plotë se me ndihmën e BB/FMN/BE/US/NATO dhe mbi të gjitha KE-së ne do ta gjejmë rrugëzgjidhjen e duhur, pasi të kemi shteruar të gjitha alternativat e tjera natyrisht.

  6. Xhaxha, po me pelqen ne keto dergesat, paske shume deshire ti meshosh alternativave konkrete dhe jo llafeve. Jam dakord me ty. Taksimi eshte nje instrument shume efikas, edhe per zhvillimin ekonomik, por qe kushtezohet nga informacioni. Por le ta shohim kete perspektive me mire ne parim, se eshte e veshtire te thurresh politika konkrete, sidomos keshtu nga large, jashte punes administrative.

    Problemi ne Shqiperi eshte informacioni, statistikat, te dhenat e sakta. Kam idene se qeveria e Sales ka ndjekur nje politike pozitive per te marre keto informacione. Fillimisht kjo realizohet duke i shtyre njerzit te kalojne nga ekonomia e zeze ne ate formale. Pra duke u ofruar atyre me pak kosto dhe me shume privilegje nese futen ne sistemin e monitoruar dhe te kontrolluar. Pasi te realizohet ky rrjet informativ eshte e mundur te ngushtosh ose mbledhesh kete rrjet, dhe te kapesh peshqit e medhenj (taksa progresiste). Ndonje edhe mund te shpetoj, te perfitoj nga sistemi. Por ndertimi i rrjetit ka prioritet (paresi) mbi cdo gje. Pastaj sic thashe mund ta krehim ate zone “peshkimi” dhe ta shnderrojme ne nje “rezervuar” (kullote), ku te gezojne dhe te vegjetojne jo vetem peshkaqenet, sic eshte bere deri tani ne “gjirin” shqiptar, por edhe peshqit e vegjel te ndihen te sigurte. Fundja shoqeria shqiptare eshte nje qyteterim, nje kulture, toke e kultivuar , dhe jo nje rezervat ose xhungel, ku jetojne kafshet e egra.

    Shkurt, cdo sistem regullativ ka si prioritet realizmin e nje rrjeti informativ. Informacioni eshte baza e shoqerise moderne. Monitorimi, ndertimi i digave (kontrolli i masave), eshte pastaj instrumenti per te kontrolluar “lumin” e njerzve (peshqve).

    Monitorimi realizohet si nepermjet vete-monitorimit (vete-vezhgimit) nga njerzit vete, edhe nga sistemi, nepermjet sensoreve (mediat, studimeve empirike statistikore, instituteve shteterore dhe private, shoqerise civile etj.). Vete-monitorimi funksionon ne rrafshin individual, ne micro-level. Monitorimi nga shoqeria civile ne rrafshin shoqeror (meso-level). Dhe monitorimi nga institucionet shteterore (macro-level). E gjitha e ndertuar mbi platformen e nje ideologjie te aparatit shteteror, ne meta-level. Por gjithe ky sistem monitorimi kushtezohet nga informacioni.

    Vertet shteti duhet te nderhyj te rregulloj disa marredhenie ekonomike, por shteti nuk mund te nderhyj gjithandej. Pse? Sepse shteti rregullon me ligj dhe kontrollon me byrokrate. Sistemi rregullativ pastaj shnderrohet nga nje sistem tubash qe rregullon qarkullimin, ne nje sistem te dendur dhe te trashe qe asfikson veten, si nje lemsh thurret ai rreth qafes dhe mbyt inisiativen private, individualitetin. Prandaj duhet qe detyrat te ndahen, nepermjet individit, shoqerise (shoqerise civile) dhe shtetit. Kush deshiron te dorezoj dokumenta ne ambasadat e huaja e di se cdo te thote te jetosh ne nje sistem burokratik si i Shqiperise, ku cdo vule kerkon tre vula te tjera qe vertetojne vertetesine e asaj vule, dhe ato tre vula duan nga tre te tjera per te vertetuar vertetesine e tyre (sisteme dhe subsysteme kontrolli ne pambarim.)

    Shoqeria civile ka pergjegjsine me te madhe. Ne Shqiperi me korruptimin e elementeve te shoqerise civile, shume njerez i hedhin ende syte nga shteti, nga politikanet. Porse a duhet ta leme me kaq? Atje ku nuk mund te nderhyj shteti, atje mund te nderhyj nje inisiative qytetaresh, nje grup ose individ, i mbeshtetur nga ligji dhe institucione te ndryshme. Pra nese nje inisiative qytetare psh. pengon te ndertohet diku nje pallat, atehere shteti duhet ta mbeshtese kete, duke u bazuar ne ligjet mbi “cilesine e jetes”, zhurmen, demtimin e ambjentit etj. Pra kjo kerkon bashkepunimin e shtetit me keto segmente te shoqerise civile.

    Xhaxha, ne ate artikullin e meparshem kishe marre si premise ekzistencen e meparshme te “kapitalit shoqeror” (social capital) ne Shqiperi. Nuk e di. Ti mbase ke nje pervoje tjeter. Tani shqiptaret vertet nuk lozin me veten shah (ose “Bowling” ne R. Putnam) porse per ti organizuar neper shoqata dhe nisma qytetare eshte shume e veshtire, nese nuk behet fjale per interesa shume te ngushta personale (para).

    Shkurt une do ti meshoja me shume sesa nderhyrjes se shtetit, angazhimit dhe mobilizimit te shoqerise civile. Dhe kjo behet vetem nepermjet nje ideologjie totalitare, a common cause, ose common will (allgemeine Wille).

  7. Pa dashur t’i heq asnje presje atyre qe thote Xha Xhai do theksoja dicka per rolin e shtetit. Nuk eshte ndonje sekret qe shteti eshte rregullator ne nje shoqeri kapitaliste. Problemi eshte se sa eshte planifikues? Zakonisht rolin planifikues me te madh ne nje demokraci proto kapitaliste e merr pushteti lokal.
    Nderkohe dihet niveli i pushtetit lokal ne Shqiperi! Kjo jo per te thene se ai qendror eshte kushedi se c’nivel, porse duke pasur nje tradite planifikimi qendror nga e kaluara administrata jone eshte me e prirur drejt ketij planifikimi (qendror). Kontradikta qendron ne faktin se ndersa ne komunitet eshte zhvelresuar teresisht respekti per te perbashketen, duke i dhene atij nje pamje “proto-kapitaliste”, administrata jone eshte e formuluar psikologjikisht ne menyre te tille qe presupozon komunitete solide qe mund te planifiohe/kontrollohen nga lart.
    Me te drejte diferencimi ne ne taksa, apo nxitja e bisneseve ne lokalitete jane drejtimi i duhur, por ato kerkojne edhe menaxhimin e burimeve lokale te cilat asnjehere nuk mund te behen ne menyre eficente nga administrata qendrore. Por nderkohe qe individi shqiptar u shnderrua brenda nates ne “kapitalist” administrata as qe ia ka idene sistemit.
    Per shembull nese do t’u referoheshim problemeve te mjedisit ne Amerkie, (nje vendi protokapitalist ne menyren e planifikimit) strategjia qe ndjek pushteti eshte ajo e “carrots and stick”, qe do te thote: ndersa u jep ulje taksash atyre qe ulin ndotjet ambientale apo realizojne shpikje per t’i ulur ato, i rrit per ato qe nuk e bejne nje gje te tille duke i cuar deri edhe ne falimentim. Per nje shtet si Amerika eshte e pamundur te thuash pershembull se sa do jete perqindja e uljeve ne leshimet e CO2 pas nje afati kohor, sepse varet teresisht nga menyra qe reagon tregu nga shtrengimet ne taksa qe ben pushteti federal apo ai lokal, perkunder pershembull Gjermanise qe mund ta thote me me siguri se sa do ta kete kete ulje duke qene se planifikimi qendror eshte norme e detyrueshme.
    Nese vijme perseri tek Shqiperia, sistemi i planifikimit eshte ne kaos. Per shembull pushteti qendror propozon nje takse te sheshte, te padiferencuar, nderkohe qe nuk eshte ne gjendje te planifikoj dhe kontrolloj bizneset, te cilat ne shume raste jane edhe vdekjeprurese per qytetaret, duke braktisur teresisht rolin e vet rregullator dhe duke i lene qytetaret e vet ne meshire te fatit. Nderkohe ne pushtetin lokal ndertimet pershembull miratohen teresisht bazuar ne vullnetin e biznesit privat, dhe miratimi i komunitetit eshte inekzistent. Dhe e gjitha kjo behet ne emer te planifikimit qe gjoja ben ky pushtet. Per shembull per ndertimet ne kompleksin e pishinave ne Tirane, per parkinget ne Parkun Rinia, apo per planet ne qender, komuniteti ka qene thjesht nje spektator ne spektaklin qe organizon biznesi me ndihmen e Kryetarit te Bashkise, porse cfare ligjesh rregulloresh dhe normash jane perdorur per te udhehequr keto planifikime, apo cfare interesash perfaqsojne ato askush nuk e di. Pra rolin e diferencuesit dhe rregullatorit nuk e ben as ligji dhe as komuniteti, por kryetari apo “Bashkia”.
    Pra ceshtja shtrohet se si mund te koordinohet sistemi i planifikimit me sistemin e taksave dhe llogjiken e qeverisjes per t’i sherbyer komunitetit, me shume se sa per te dhene ide specifike se si rregullohet nje c’eshtje apo nje tjeter gjithmone pa nenvleresuar rendesine e ketyre te fundit. Sado te mira te jene idete, kur aplikohen sisteme kontardiktore perbrenda nje sistemi ato tentojne te fshijne rezultatet e njeri tjetrit. Pra mendoj se problemi shtrohet ne ate se ne Shqiperi ende nuk e ka nje qartesi te sistemit te qeverisjes/planifikimit pavaresisht nga ngjyra, qofte kjo edhe boje kafe.

  8. Ne radhe te pare mendoj se duhet kuptuar mire e perbashketa dhe e pervecmja (apo privatja).

    E perbashketa ne stadin e saj natyror i takon nje ambjenti te shpopulluar, hapesirave te gjera, te cilat mund te administrohen e mbrohen me mire nga bashkesia.
    E perbashketa ne stadin jonatyror i takon nje amjenti te mbipopulluar ,hapesirave te ngushta.
    E pervecmja i takon ketij intervali,midis shpopullimit e mbipopullimit.

    Kjo vihet re kudo. Amerika psh ka ende hapesira te gjera bujqesore prandaj mund te mos i kete te domosdoshme kooperativat e bujqesine intensive,por Italia,Belgjika apo Gjermania kane nevoje per bujqesine intensive kooperativiste ,perndryshe plas kriza.

    Per kete ka nevoje edhe Shqiperia per shkak te mbipopullimit.

    Ne qytet situata ndryshon pak, pasi domosdoshmerisht per shkak te mbipopullimit ka nevoje per te perbashketen, apo S.P.A-te,shoqerite aksioniere.
    Pastaj prej ketej buron edhe Oligarikia financiare apo ne fshat nje Aristokraci e re por mjaft e dobet per shkak te rendesise se vogel te ekonomise bujqesore ne ekonomine e pergjithshme.

    Ceshtja eshte se si i qendron shteti kesaj oligarkie financiare,si me i vogel apo me i madh.

    Ne Shqiperi tashme i qendron si me i vogel ashtu si kudo ne perendim,prandaj une nuk kam pike besimi se ndonje reforme nga te propozuarat ketu si prej xha xhait ashtu edhe te tjereve do mund te vihet ne zbatim.

    Perderisa Oligarkia financiare e cila njefaresoj eshte pjelle e shoqerive aksionere, perfaqeson interesa te gjera te bashkesise, vete shteti eshte i pafuqishem te beje dicka qe mund ti demtoje,pra eshte vete struktura ekonomike qe e ben shtetin (strukturen e pushtetit) te pafuqishem.

    Ne kushte mbipopullimi kemi detyrimisht forcimin e nje sistemi totalitar, kesaj radhe nga oligarkia financiare e cila vendos praktikisht per cdo gje e ne fakt diktatura apo tirania eshte produkt ekskluziv i Qytetit.

    Tani ndodhemi nen ‘diktaturen e tregut’ ku diskutimet etike apo ato mbi komoditetin apo banueshmerine e qytetit nuk kane pike rendesie.

    Vertet Tirana ka probleme te medha banueshmerie por ne nivele te ngjashme gjenden ne cdo metropol te vendeve ne zhvillim, pra eshte produkt i diktatures se tregut. Vendet me zhvillim nen 3% e me popullsi qytetare 80-90%,dmth ato perendimore nuk kane pse te kene kesi problemesh.

    Une i qendroj mendimit tim se vetem brenda nje sistemi autoritar qeverisjeje por qe udhehiqet nga nje ideologji qe mbart moralitet te forte, mund te arrihet ndalimi i shthurjes se pergjithshme e kthimi i vete Tiranes nga nje ‘vrime e zeze’ qe zhduk cdo gje shqiptare ne nje kryeqytet te shqiptareve (perfshi ata jashte kufijve) si dhe normalizimi i jetes se saj e krijimi i njefare homogjeniteti qytetar qe eshte edhe baza e krijimit te tradites se nje qyteti.

    Per momentin Tirana eshte nje bordello, Sodoma apo Gomorra e shqiptareve e kjo gje duhet ndaluar sa me shpejt , pa marre me qafe gjithe Shqiperine.

    Tirana duhet te krijoje nje tradite qytetare si e kerkon pozita e saj gjeografike, mbledhja e energjise se shqiptareve dhe perpunimi e kanalizimi i kesaj energjie e cila u rikthehet shqiptareve.

    Per sa kohe qe Tirana energjine shqiptare e perpunon e modelon si nje model degjenerimi te marre nga halete perendimore si dhe pislleku e anarkie si pasoje e diktatures se tregut, atehere eshte mire per cdo shqiptar te gjeje pika te tjera referimi ne do te mbetet i tille.

  9. Sa do te shkund koken dikush, vetem pluhuri i qytetit apo mizat e plehrave do shkunden. Koka, mendohet qe ka zgjidhjet ne te ne forem mendimesh pa fund, nuk ka pse vendos gjendje paniku. Panik i dyshimt; na mbyti dyndja e fshatit qytetin. Mendoj se pjesa me e gjalle-aktive e banoreve te Tiranes eshte ajo e ardhura jo domosdoshmerishte e privilegjuar por as jo aq teorike-artificialisht sa ajo pjese e banoreve qe quhen vendas.

    Kullotat e qytetit jane per ate pjese te energjise njerzore qe nuk eshte direkt e lidhur me energjine me te pasur dhe te paster te njeriut, por kudo mund te gjesh kullota njerzore. Ato te qytetit jane te pa parashikueshme krahasuar me ato kullota te periferive.

    Rregullatori me i mire eshte ai natyral dhe jo ai i aplikuar me force.
    Natyra ndonjihere eshte violente, aq sa, sa do te investosh per te devijuar/ndryshuar rrjedhen e saj rrezultati mund te jete zero. Rruga e vetme eshte te kuptohet natyra e qytetrimit tone, si rrjedhoj e vendbanimit te qytetareve.

  10. Dakord jam une qe situata eshte shume e renduar, edhe qe duhet bere dicka, prape dakord jam; madje edhe qe duhet nderhyrja e terthorte e shtetit.

    POR, sistemi i diferencuar i taksimit presupozon qe popullsia eshte e regjistruar, qe pronat jane te regjistruara, qe aktiviteti tregetar/sipermarres/investues eshte gjithashtu i regjistruar (eshte formal dhe jo informal) dhe paguan detyrimet, etj. etj. etj.

    Nuk ka kembana, me nje llaf.

  11. Ne oren gjashte, ketu prane, degjoj perdite kembanat e nje kishe. Dje isha jashte, e kur ato rane, asaj pyetjes se zakonshme ju shtua nje bisht e u be: per ke bien keto kembana sintezatori? Besoj e merrni me mend se kembanores prej nga dalin, perdite te ndryshme, pjese nga me te bukurat, nuk i tundet asnje kembane.
    Kembane/hatane dhe kembore/percore.
    Duke u a lene atyre qe i kane kembanat, ne bejme mire te flasim per kembore (jo per ti tundur ne parlament) e per ndonje percor/reformator qe as e kemi pasur, as e kemi, e nuk dihet si do ta kemi kur shikon si zgjidhen deshinjte qe i prijne kopese. Dashit me te mire zakonisht i behen zorret kukurec.
    Thene ndryshe, le te hedhim si nje pike uje ne pusin e ideve mendimin tone, e le te presim koven e perfitimeve politike ta nxjerre prej saj. Por kujdes, sa me konkrete idete aq me pak shanse kane te dalin ne drite. Politikane e gazetare pelqejne me anonime se Anonimi i Elbasanit, per ti pagezuar idete si te vetat, shume-shume, mode analistesh kjo, fillohet me “duke ndjekur diskutimet e shqiptareve ne internet…”

    FMN ka gjasa te largohet, ajo ishte e thirrur per ndihme; por dhe kur ishte qeverite tona ka pasur raste qe i kane vene supin. Kur ju duhet nxirret pengese FMN, kur nuk ju duhet i futet nje e rrezuar, FMN etj jane preteks, jane shmangie prej debatit.
    Nxitesit jane perdorur ne Shqiperi. Eshte dhene karburant per traktore (bile dhe vete keta jane dhene kesisoj) e motobarka peshkimi; para te nje granti. Ideja se duke ndihmuar traktoristet indirekt ndihmohen mbjellesit e qepes ka bere vend.
    Ndersa cdo fushate degjohet premtimi i parealizueshem per zona te lira.
    Qeverise i duhen kujtuar keto, e i duhet kerkuar te mendoje per buxhetin e 2010 ne eshte vone per 2009.
    Koha dhe kafja mbaroi.
    Ne kohen e sotme nje zile ne veshin e duhur ben me shume pune se gjithe kembanat.

  12. CD, jam dakord. Po nuk duhet te mbareshtojme deshe per mish, porse per mbarsje. Si te gjejme elemente qe te mbarsin popullin me idete e tyre. Pra nuk duhet ti meshojme ndrrimit te shijeve te mishngrenesit, fundja luanin nuk do ta bejme barengrenes (gomar), porse te mbajme nje ose dy hamshore per kopene, te tjeret le te shkojne per therrtore. Mbase disa vajza (filozofe dogmatike) per te ushqyer (mikluar) popullin, dhe ideologet (mbarsit e ideve) te merren me mbarsjen. Ndarja e Punes sjell eficienc.

  13. CD shkruante:

    Nxitesit jane perdorur ne Shqiperi. Eshte dhene karburant per traktore (bile dhe vete keta jane dhene kesisoj) e motobarka peshkimi; para te nje granti. Ideja se duke ndihmuar traktoristet indirekt ndihmohen mbjellesit e qepes ka bere vend.

    Kiço Blushi sot te “Gazeta Shqiptare“:

    janë të shumta rastet kur fshatarë shesin tokën që të blejnë një veturë të shtrenjtë, paçka se prindërit e tyre flenë akoma me kërcu nën kokë në vend të jastëkut…Para shumë kasolleve tani nuk sheh traktorë, po benza të shtrenjtë.

  14. Për fat të keq, është nekrologjia që na kujton për kronologjinë. Ndërsa na bën mirë që na kujton, se mund edhe të mos kujtoheshim fare, na bën keq se na kujton nën peshën e emocioneve të rënda, nën të cilat ne dhe veprojmë.
    Të tilla janë pjesa e shkrimit të Blushit, për një bir që vret prindërit; të një kolegut të tij tek Shekulli, për pasojat tek fëmijët e një nënë që ju vret të jatin; apo, për ta mbyllur, dhe ndarja nga kjo jetë e Kosta Trebickës. Ne kujtohemi për orën kur ajo ka ngelur dhe shkundim dorën. Nuk e di pse nuk kanë shkruar: Blushi më parë për traktorë e benza, ai tek Shekulli për torturat psiqike që ju bëhen të intervistuarve të mitur në raste fatkeqsie, dhe gjithë të tjerët për rrëmbimet, vrasjet, vdekjet, zhdukjet e panumurta të tregtarëve shqiptarë; të kenë shkruar për ti dalë të keqes përpara, e jo për të shfryrë dufin, gjetur çlirim vetiak me protagonizëm mediatik.
    Të falenderoj Xha Xhai, për veçimin e kujdesshëm të paragrafit, të cilin do më duhet ta krasit edhe më nga ato që Kiço Blushi i ka shkruar për të mbushur faqen dhe ato që i ka shkruar në territoret e padijes.
    Dega e parë: …janë të shumta rastet kur fshatarët shesin tokën… – fshatarët e shesin fshatarët e blejnë, këta që e blenë ja dinë kimenë; shumësia e rasteve kërkon tre pikpyetje bashkë; dhe fjalia ndërtuar me atë ton të zymtë sikur fshatarët po vjedhin. Për benzat që blihen me këto para- mandej.
    Dega e dytë: paçka se prindërit e tyre flenë akoma me kërcu nën kokë në vend të jastëkut – ata që blejnë vetura janë njëzet-tridhjet vjeçarët, moshë e cila i çon prindërit e tyre tek pesëdhjet vjeçarët, moshë aktive për punë, e kur këtij rioshit i ka mjaftuar pak kohë për të bër aq para sa për një makinë, Kiço Blushi duhet t’u lërë aq sa u takon fëmijëve dhe ta kërkojë më tepër përgjegjsi tek prindërit – të vetëkujdesen, tek shteti – të përkujdeset, tek shoqëria etj. Ashtu siç e shkruan ai projekton një shoqëri me kokë poshtë, ku fëmijët kujdesen për prindërit (për pleqërinë është tjetër gjë). Jetojnë në varfëri – thuhet me tre fjalë ajo që Kiço Blushi e thotë me dhjetë, e si e thotë: hyn në intimitetin e shtratit, në mënyrën e jetesës; edhe sikur të mos e ekzagjerojë, një kërcu është një nënkresë po aq sa një kllëf i mbushur me kashtë, pupla, lesh, pambuk, vatinë apo sfungjer, nga të cilat qytetari vetëm për dy mund ti thotë ndonjë gjë bujkut.
    Dega e tretë: Kjo është dega më e shëndetëshme, por po i pres fjalën “shumë”, sepse me aq tokë bujqësore sa ka vendi nuk kemi për të parë ndonjëherë traktorë para shumë kasolleve, dhe “të shtrenjtë” sepse dihet që po the benza ke thënë dhe të shtrenjtë, por fjalisë i duhet ballancuar krahasimi midis traktorëve dhe benzave. O do kemi traktorë dhe benza, o do kemi traktorë të shtrenjtë dhe benza të shtrenjtë.
    Traktorë të shtrenjtë?
    Ju e keni lexuar drejt dhe unë nuk kam bërë lapsus. Një Xhondir 6230 sot kushton 55 mijë USD, kurse një Benz Luxury Sedan C300 kushton 34 mijë usd. Pse e krahasoj Benzin me Xhondirin dhe jo me Bjellorusin? Mirë, një Bjellorus 6345 kushton 20 mijë USD, krahasimin bëjeni ju.
    Apo, më mirë, bëni një përpjekje e hyni në trurin e një rioshi që ka bërë aq para sa të blejë një bjellorus ose një benz farfuritës (edhe me të shtrenjtë se C-të- kuptohet me seri shasie e motori të ndruar); me punë, punë të pistë, apo i ka trashëgim (ka shitur tokë) përket gjetiu.
    Ka dy mundësi: të blejë një bjellorus, të punojë tokën e vet, s’mjafton, do punojë dhe tokat e fshatit, fshati ka Nevruzin, Nuçin dhe Nuriun me traktorë, bëhen katër, jo, vjen dhe nipi i Nexhmijes nga fshati fqinjë, bëhen pesë, bëhen gjashtë po të quash ata që e kanë lënë tokën kullotë. Marrim sikur këtij fshatari, fut filtra e vaj, pjesë e naftë, taksa etj i del hesapi e mendja i lëron më tej. Me paratë e fituara do rregullojë shtëpinë, do gjejë një çupë të mirë pe fshati, do martohet, do zoti ajo i bën një djalë që ta ketë krah, ti mësojë traktorin; po do rrojë traktori? Rron. Ja Nuçi me MTZ e koprativës mbahet. Si mbahet thuaj. Vetëm me lesime.
    E mendja e tij shkon tek mundësia e dytë. Të blejë një Mercedes-Benz. Ti futë një të prishur kotecit në oborr. Ç’mund të bëjë me Mercdezin? Kurrën e kurrës të punojë taksi. Mbase për ndonjë nuse. Nuse? Po me një Mercedes zë të dashur çupën më të bukur të fshatit, ç’fshat bre derdimen, zë të dashur në qytet, në ç’qytet o i humbur, në kryeqytet, mu në blloku.
    Unë kështu them me sa e njoh fshatarin, Kiço Blushi thotë se ai e bëri për protagonizëm. Shtoj se dëshira për të patur benz, veturë, automobil, nuk është vetëm fenomen shqiptar, e as i këtyre kohëve. Automobilat që kur dolën në rrugë, tok me të mirat dhe të këqiat, kanë qënë dhe janë dëshirë e tundim i përbotëshëm, e për gjithë këto, sikur unë e Xha Xhai, Kiçoja me të birin të mblidhemi tok nuk zhgrapim dot gjë që ti afrohet “Një tragjedi amerikane” të Drajzerit përveç titullit, nëse bëjmë ujdi dhe e ndrojmë. Ne rrojmë në varësinë e makinave.
    Po t’ju kthehem sërish traktorëve. Thuajse të gjithë traktorët dhe kombajnat që kanë hyrë me ndërmjetës qeverinë në Shqipëri, kanë hyrë në kohën e Berishës (me sa mbaj mend). Historia e financimit dhe shlyerjes së kredive të traktorëve nuk ka qënë aq optimiste, e mbase kjo ka bërë që socialistët ndenjën dorëjashtë vetëm për të konstatuar gjendjen sot. Çdo të bëhet? Si do të bëhet? Në këto djerina ta plugojë penën Kiço Blushi e të tjerë. Sali Berisha është toka më e pluguar. Nëse nuk dinë nga çdo fushë, mos kërkojnë ti mbrojë FMN-ja, specialistët i kanë në Tiranë. Ja ç’u shkruan një prej tyre: http://www.panorama.com.al/index.php?id=19444 .
    Pastaj, kur njeriu mendon se akshcila është rruga e drejtë, por në këtë sistem shumica vendosi të ecim rrugës së shtrembër, pse nuk i qepet të drejtës. Pa moral dhe mbyllje goje (reciproke): kur do ta shohim një traktor para kasolles së Blushit në mal?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin