EKONOMIA E BAJGËS

U bë e po bëhet zhurmë shurdhuese për allish-verishet, matrapazllëqet dhe pisllëqet që çuan drejt katastrofës së Gërdecit; korrupsionin e qeveritarëve në Tiranë dhe të çakejve e lakejve të tyre në terren; gatishmërinë e pushtetarëve për të mashtruar publikun dhe alibinë e shëmtuar të interesave të “Amerikës”; kalbëzimin total të strukturës së normave dhe ligjeve që duhet të rregullojnë marrëdhëniet e institucioneve me botën e business-it në Shqipëri; përgjegjësinë e kryeministrit dhe të klikës së tij ndaj kësaj situate të patolerueshme.

Përkundrazi, shumë pak u fol, në mos asfare, për natyrën vetvetiu imorale të vetë veprimtarisë ekonomike të shitjes së armëve; sado të ligjshme e të autorizuar e në përputhje me standardet ndërkombëtare. Pakkush gjeti kohë dhe energji shpirtërore për t’u skandalizuar me faktin që të gjithë këta njerëz, duke filluar nga kryeministri Berisha, ishin të përfshirë në shitje armësh një vendi si Afganistani, ku njerëzit sot e kësaj dite vriten me fishekë shqiptarë, të çuar atje nga tregtarët shqiptarë.

Vetëm nëntë muaj më parë, në korrik të vitit 2007, firma MEIKO ishte ngatërruar në një incident shitjeje armësh Armenisë; me një dërgesë që u ndalua prej autoriteteve turke, dhe autoriteteve të Azerbaixhanit që protestuan zyrtarisht. Shitjet Afganistanit sot dhe Armenisë dje u bënë publike vetëm ngaqë shkaktuan incidente; por dy incidente brenda pak muajsh provojnë se tregtia e armëve është një sektor i lulëzuar i ekonomisë shqiptare, me një xhiro prej 8 milion dollarësh brenda dy vjetëve, siç krenohej gazeta “Shekulli” para dy muajsh.

Nga të gjitha tregtitë, nuk ka më të neveritshme e moralisht të përbuzshme se ajo e armatimeve; sepse regjimet që kanë nevojë për të tillë mall, kanë nevojë për të vrarë – zakonisht kundërshtarët e tyre politikë, por edhe më shpesh njerëz të pafajshëm e të kapur në zjarrin e kryqëzuar të konflikteve politike. Pikërisht në këtë farë tregtie ka zgjedhur të shkëlqejë Shqipëria.

Aq më e rëndë është kjo po të mendosh se armët e tregtuara, siç e tregoi edhe incidenti i fundit në Gërdec, nuk janë produkt i ekonomisë së sotme shqiptare, por mall i rekuperuar nga plehrat e cofëtirat madhështore të periudhës totalitare, kur regjimi paranojak i Hoxhës vinte mënjanë fishekë, predha, armë zjarri e të tjera mjete vrasëse për t’i pasur gati ditën e shumëpritur kur të sulmohej prej superfuqive. Shitësit e sotëm të armatimit totalitar ushqehen e pasurohen me kërma të ekonomisë e të historisë shqiptare.

Miliona ton armatime, të groposura në tunelet e paranojës së vdekur e të pakallur Hoxhës, ose në varret ende të hapura të totalitarizmit në Shqipëri; por gjithsesi të prodhuara, të blera e të siguruara me djersën e shqiptarëve, kanë përfunduar të shndërruar në miliona dollarë në xhepat e Delijorgjit & Co. Çfarë dallimi ka kjo shëmti, nga vepra e vandalëve që dje shkulnin shinat e hekurudhës e shtyllat e tensionit të lartë, për t’i shitur si skrap në Mal të Zi?

Shitja e armëve prej qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të saj qafëdhjamur nuk ka lidhje me ekonominë e tregut; por me ekonominë e rrëmihësve të plehrave; ose mizave që majmen duke thëthirë bajga të kaut. Si e tillë, i përket së njëjtës kategori me pasurimin nëpërmjet tarifave doganore, rryshfeteve administrative, tenderimeve me kompani fantazma, tregtimit me pakicë të barnave të skaduara, kontrabandës së skarciteteve, falsifikimit të markave tregtare, kulturës së lojërave të “fatit”, shitjes në treg të ndihmave ushqimore, trafikut të fëmijëve e të prostitutave e në përgjithësi të gjitha atyre business-eve që përndryshe i përkasin jo ekonomisë së tregut, por ekonomisë së plehut.

Në këtë kontekst, lajmi ironik se Shqipëria figuronte ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të hashashit vetëm sa e nxori edhe më mirë në pah hipokrizinë jo vetëm të institucioneve ndërkombëtare, por edhe të mediave vetë; sepse në dallim nga fishekët e predhat e mykura të Mediut e të Delijorgjit, hashashi nuk ka vrarë as masakruar kënd; madje shumëkush anembanë botës e përdor pikërisht ngaqë nuk pajtohet dot me detyrimin për të jetuar në të njëjtin planet me skotën e urryer të tregtarëve të armëve.

21 Komente

  1. Sa rende ja paske shkrepur. Sikur kjo e armeve eshte e keqja me e madhe qe i rastisi shqiperise. Fjale kaq te renda mbaji per ate diten e zeze fare. Kjo tregetia e armeve mu duk si loje femijesh mua ne krahasim me ate te fundit qe morra vesh. Prisni prisni se s’kemi cekur akoma ne fund. Paska goxha thellesi kjo nevojtore ku kemi rene…Keni per te degjuar.

  2. Kjo tregetia e armeve mu duk si loje femijesh mua ne krahasim me ate te fundit qe morra vesh. Prisni prisni se s’kemi cekur akoma ne fund.

    Sa me shpejt te shkohet ne fund aq me mire do jete. Te pakten do jemi ne gjendje te synojme per me lart.

  3. Askushi, gropa e hales si tre metra, si tremije metra e thelle, njelloj eshte. Po re, re.

  4. “askushi”, a mund te shpjegoheni diç me shume persa i perket asaj qe keni shkruajtur ? faleminderit.

  5. Askushi shkruan:

    Sa rende ja paske shkrepur. Sikur kjo e armeve eshte e keqja me e madhe qe i rastisi shqiperise. Fjale kaq te renda mbaji per ate diten e zeze fare.

    Askush, unë kam neveri të veçantë për tregtarët e armëve, të cilët më duken më vrasës sesa ata që e shkrepin alltinë në mejdan. Për nga dinjiteti profesional, këta nuk dallojnë nga pornografët, kodoshët e prostitutave, pronarët e kazinove dhe organizatorët e bixhozit, tregtarët e veshkave të transplantueshme, trafikantët e heroinës dhe të drogave të tjera të rënda. Prandaj më vjen turp sa herë që dëgjoj që në këto punë përfshihet shteti shqiptar nusërues i Liri-Demokracisë. Aq më keq akoma, kur është fjala për armë të mbetura nga një qytetërim tjetër, të destinuara për luftra të tjera, fantazmagorike, luftuar e fituar pa prerë në kokën apoplektike të diktatorit suprem. Në këtë rast, tregtarët shtetërorë të armëve shqiptare nuk i dallon gjë nga plaçkitësit e zonave të rrafshuara e të braktisura për shkak katastrofash natyrore; nga hijenat në qytetet e rrënuara nga tërmetet ose kusarët varrëmihës që u zhgrapin orët e dorës ose byzylykët kufomave në varrezat. Pa u futur akoma në NATO, po e meritojmë titullin honorifik të nevojtores së NATO-s.

  6. I nderuar xhaxha,

    Jashte kontekstit, por do kisha nje pyetje: si mund te jetohet e rrihet pa arme?
    Pervec ndonje shkrimi te si-fi, nuk me duket se njeriu ka ndenjur dot pa to qe ne erresire te kohes. O duhet te ishim te gjithe hemafrodite ose femra ( megjithese Napoleoni ka nje ide tjeter per keto te fundit, kur vjen puna tek dhuna)

  7. Nese shitja e armeve eshte nje e keqe e domosdoshme, atehere shteti duhet te kishte marre masa te barazpeshonte nje akt qe perceptohet si i demshem apo negativ me premtimin se fitimet do te perdoreshin per te ndikuar ne nje menyre pozitive ne arenen sociale, sidomos ne ato pika ku ka mangesi fondesh si edukimi, strehimi social, arti, infrastruktura, etj.

    Me duket se nje koncept i tille perdoret ne U.S.A ku taksat qe vilen nga shitja e duhanit dhe bixhozi perdoren per edukimin.

  8. I dashur idashur,
    Si vis pacem, para bellum – thoshte latini i mençur (“Nëse dëshiron paqe, përgatitu për luftë”). Kjo frazë do ta ketë frymëzuar edhe fabrikantin gjerman të armëve Deutsche Waffen und Munitionsfabriken, për të prodhuar të famshmen pistoletë Luger P08, të njohur ndryshe edhe si Parabellum.
    Ta kam fjalën që si latinët, si gjermanët, e kishin zakon t’i prodhonin vetë armët e tyre, jo t’ua blenin, me nder teje, skithëve ose estonezëve të rastit.

  9. Qafirarnaut – Arsyetimi qe projekton fundin e nevojtores si sinjal i momentit te ringritjes, per fat te keq nuk eshte absolutisht i vertete. Ka nga ato raste qe fillon e gerrmon fundin dhe shkon gjetiu me thelle. Diku ne esfel te gomarit- thoshte im ate, per te projektuar ne mendjen time dimensionet e nje lajthitjeje te pafund.

    Ago Samuili – Jam plotesisht dakort me mendimin tend.

    stalker dhe vetulluesja – Te shunen me date 15 mars ne oren 12 e 15 minuta ne Gerdec te Tiranes “na la shendene” Franz Kafka.

    XhaXha – Latinet e paten. Gjermanet me “parabellum” i kapen kryeqytetin rob dhe ja ndane dysh. Diku paten gabuar! S’kam qellim te jem polemik por per hir te se vertetes…

  10. Askushi,
    Nuke kisha fjalen per Gerdecin, por per ate qe doje te thoje kur shkruaje: “…Kjo tregetia e armeve mu duk si loje femijesh mua ne krahasim me ate te fundit qe morra vesh”. (-dhe jemi qe jemi : shkruhet “mora”, dhe jo “morra”, edhe pse folja eshte “marr”).

  11. stalker – Te falenderoj per zgjedhimin e foljes marr. Une jam tejet provincial dhe shpesh bej gabime te tilla.

  12. Askush, na e thuaj pra, cfare me keq do ndodhe, cfare eshte ajo gje qe e ke marre vesh se fundi?

    falemnderit

  13. Tani une u ngaterrova fare me kete diskutimin qe po behet. Nuk e kuptova mire:

    jemi kunder shitjes se armeve absolutisht?
    jemi kunder shitjes se armeve ne menyre te paligjshme?
    jemi kunder shitjes se armeve te vjetra?
    jemi kunder shitjes se armeve te blera gjetke jo te prodhuara vete?
    jemi kunder shitjes se armeve nga shteti?
    jemi kunder shitjes se armeve nga privatet?

  14. A mund te flasim per diskutimin e ngritur ketu para se te hutohemi me ate te madhen fare – when will shit hit the fan?

    Per mendimin tim, diskutimi Post-Gerdec ishte dhe vazhdon te jete teper i ceket. Flitet me mllef e pasion per politiken, korrupsionin, Berishen, NYT, e Delijorgjin – deri ne teoricka konspiracioni – por ka nje heshtje totale dhe mungese indinjate per ca shqetesime shoqerore qe zakonisht injorohen dhe nenvleftesohen ne media dhe ne politike, dhe qe per mendimin tim jane Gerdeca te perditshem. Roli i Mjaftit (nese na takon ta ngarkojme me detyra dhe meqe sherben si shembulli me i gatshem per shoqerine civile) ishte te fliste haptazi per punesimin e femijve (skllaverimi modern) ne keto depo, te shprehte indinjate qe qeveria shqiptare perfshihet ne trafikimin e armeve, te nxirrte ne pah dhe te nenvizonte shqetesimin moral e etik dhe t’i ofronte publikut zerin e qytetarit qe i dallon keto padrejtesi para se te plase guano ne kater anet. Keto jane gjera qe duhet te na shqetesojne vazhdimisht dhe nuk mund te kerkojme politika te administrates publike dhe reforma sociale vetem atehere kur nuk na mban me uje pilafi.

    A mund te flitet per Gerdecin social?

  15. LG

    Nuk me duket se kerkohet konsensus kolektiv per nje qendrim zyrtar te tipit “jemi kundra…” sidomos kur ky qendrim nuk merr parasysh aspak popullin por vepron ne emer te tij.

    Mjafton te kemi parasysh ndarjen (red and blue) e Amerikes per ceshtjen e kontrollit te armembajtjes (gun control). Nuk ka nje qendrim te perbashket, por ka nje dialog dhe shqetesim me vend nga te dyja palet qe e mban gjalle diskutimin. Me duket se kjo na mungon ne Shqiperi.

    Perndryshe qendrimi do te anoje andej nga fryn era duke u influencuar nga politikat e brendshme, ato te jashtme, evolucionin e shoqerise e me radhe. Ne, me sa duket, ende nuk kemi arritur ate zhvillim shoqeror (e kam veshtire ta shtroj ne kete vije problemin po nejse), nderkohe qe bota eshte e sensibilizuar fale Hiroshimes e shume e shume ndodhive te tjera.

    Vazhdoj te cuditem me mosperputhjen qe ve re kur krahasoj protesten qytetare kunder TEC-it ne Vlore (edhe pse ajo proteste u manipulua ne shume ane) dhe hazdisjen perpara cenimesh te ngjashme.

  16. PARRULLA thote (seriozisht) se:
    “Roli i Mjaftit … ishte te fliste haptazi per punesimin e femijve … ne keto depo, te shprehte indinjate … para se te plase ….”

    Une them (pothuajse seriozisht) se:

    E para, MJAFTI, duke qene i vetmjaftueshem, mjaftohet me perdorimin e atij informacioni qe edhe ai vete e merr si te gjithe ne te tjeret nga media jone, totalisht e pamjaftueshme…

    E dyta, ne traditen me te mire te nahise sone, ne traditen e “kismetit”, pako gje eshte impenjative derisa na plas ne surrat. Deri me ate dite te trishte, “kushedi c’kismet na ka pergatit i Modhi” (mendojme ne, ndersa nderrojme krah per te vazhduar gjumin e pertacise se mjerimit…).

  17. Parrulle, Shqiperia e ka tejkaluar ‘Mjaft’-vendosjen (OTPOR-izimi na ngec ne fyt)…tash eshte koha per Vetevendosje-n te funksionoje ne Shqiperi.

    sidoqofte mbetem pa fryme duke pritur pergjigjen e Askushit mbi ate qe ka degjuar.

  18. Parrulle,

    Nuk kerkova konsensus kolektiv, por nuk me pleqeu shperndarja e debatit neper elemente anesore.

    Nese them qe jam kunder tregetise se armeve ne parim, per argumentin tim nuk duhet te kete fare rendesi a jane arme te reja apo te vjetra, te riambalazhuara, te prodhuara ne Kine dhe jo ne Shqiperi.

    Nese jam per tregeti te kontrolluar te armeve, atehere me intereson shume te di se sa e ligjshme ka qene tregetia, cfare konventash, embargosh e ligjesh jane shkelur gjate tregetimit. Allish-verishet e korrupsionet midis hallkave te tregetise nuk duhet te me interesojne ne kuadrin e tregtetimit te armeve, sepse eventualisht mund te jene elemente te cdo tregetie, nuk jane specifike per armet.

    Komenti im nisej nga premisa e postimit te Xhaxhait, qe nuk ishte analiza e Gerdecit, por reagimi ndaj “natyrës vetvetiu imorale të vetë veprimtarisë ekonomike të shitjes së armëve.”

  19. A ka ndokush te dhena nese vendet e Evropes Veriore shesin arme, dhe nese po (qe me duket larg mendjes), c’vend zene ne tregtine boterore?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin