PARADOKSI I TEJPAMJES

Lajmet e këtyre ditëve të fundit për eksperimentin që do të kryhet së shpejti në Zvicër në një përshpejtues të nëndheshëm grimcash subatomike (Large Hadron Collider), më kujtuan rolin e rivlerësuar të vrojtuesit ose të eksperimentuesit në shkencën moderne.

Nuk jam ekspert në fizikë, as pretendoj ta marr vesh në hollësi interpretimin modern të vrojtimit, por jam në gjendje të kuptoj se ndërveprimet në nivelin e grimcave subatomike është e pamundur të maten e të përshkruhen duke shmangur plotësisht efektin që ka vetë akti i vrojtimit ose i matjeve në çka është duke ndodhur.

Një shembull nga biologjia mund të ndihmojë për ta sqaruar menjëherë konceptin që më nevojitet këtu: nëse duam të ftillojmë si e kalon kohën urithi, atëherë na duhet ta vrojtojmë njëfarësoj; mirëpo për ta vrojtuar, duhet ta shohim me sy ose ta filmojmë; dhe sytë ose kamerat, për të parë objekte, kanë nevojë për dritë. Meqenëse urithi është gjallesë nokturne që i druhet dritës, atëherë duke ia ndriçuar strofkullën dhe tunelet ku lëvrin, ia prishim mjedisin dhe rehatin, prandaj rezultati i vrojtimeve tona nuk ka të bëjë aq me jetën e përditshme të urithit e cila na mbetet enigmatike, por me reagimin e urithit ndaj dritës (ose vrojtuesit).

Po kështu, në qoftë se një etolog vendos të vrojtojë pulat duke u shtruar këmbëkryq në mes të kotecit, atëherë vetë prania e tij do të ndikojë dramatikisht në sjelljen e pulave, aq sa të thuhet se, çfarë ka vrojtuar ky njeri, është në të vërtetë si sillen shpesët shtëpiakë kur u zë derën studiuesi kaba.

Dukuria njihet mirë në antropologji kulturore; sepse njerëzit janë shumë më të ndjeshëm sesa shpesët shtëpiakë ose urithët, kur është fjala për të komunikuar me një të huaj të pranishëm. “Shkencëtari” që shkon të studiojë një dasmë rustike, duke çuar atje kamera, mikrofonë, magnetofonë, teleobjektivë, drita dhe pajisje të tjera regjistruese, në të vërtetë do ta prishë dasmën. Eksploratorja e dokeve seksuale të fiseve të Papuas duhet të kujtohet të pijë çdo mëngjes pilulën kontraceptive.

Unë vetë mbaj mend, nga koha kur merrja pjesë në ekspedita gjuhësore në terren, se vendasit zakonisht nervozoheshin nga intervistimi dhe se përgjigjet gjithnjë do të falsifikoheshin prej natyrës artificiale të raporteve të krijuara. Tek e fundit, gjuha ekziston për të komunikuar; dhe komunikimi gjithnjë parakupton një farë përpjekjeje për ta kapërcyer barrierën ndërpersonale; sa më e lartë kjo barrierë, aq më e fortë përpjekja, aq më i theksuar çnatyrimi.

Kur ti si intervistues e pyet informantin se si i thonë, në të folmen e vendit, p.sh. shuplakës, bashkëbiseduesi yt si rregull do të orvatet të gjejë një fjalë “të pranueshme”, të tillë si shpullë, ose pëllëmbë; të cilën mund ta ketë dëgjuar në televizion, ose ta ketë lexuar gjëkundi. Në qoftë se intervista kryhet, bie fjala, në Gjirokastër, përgjigjja do të jetë rregullisht “pëllëmbë”, edhe pse në të folmen e qytetit ekziston edhe fjala cfëngë, më e specializuar në kuptim.

Natyrisht, në fizikë vështirësitë e matjes dhe të vrojtimit kanë të bëjnë me ndërveprime në nivel elementar; ndërsa në situata sociale produkti i vrojtimit është gjithnjë rezultat i një kompromisi midis palëve, meqë syri shndërrohet ai vetë në faktor ndikues të realitetit.

Teknologjia e sotme e komunikimit, sa e fuqishme aq edhe me kosto të lirë, e ka shndërruar vrojtimin në art masiv, deri aty sa ta tundojë publikun drejt voyeurizmit. Vërtetësinë e regjistrimeve “të drejtpërdrejta” të mediave zakonisht nuk e vëmë në dyshim: një fotografi, një videoklip, një regjistrim të një bisede me celular. Njëlloj nuk vrasim mendjen për efektin e syrit regjistrues ndaj vetë ngjarjeve të regjistruara – thuase objekti i interesimit është po aq indiferent ndaj matjeve tona sa edhe mjegullnaja e Andromedës, prej së cilës drita kërkon 2.5 milion vjet dritë për të na mbërritur në retinat.

Problemi vjen e bëhet veçanërisht i mprehtë për protagonistët e jetës publike: politikanët, celebrities, artistët – sa ua ndikojnë sjelljen kamerat dhe mikrofonët që i ndjekin nga pas?

Në totalitarizëm, jeta politike publike s’ishte veçse një ritual i kalcifikuar që riprodhonte hierarkitë e pushtetit dhe sundimin absolut të regjimit: vizitat e udhëheqësve në bazë, paradat e 1 majit, mitingjet, fjalimet përshëndetëse programatike. Procesi politik i mirëfilltë zhvillohej i tëri në fshehtësi, larg vëmendjes së publikut; e drejta për informim nuk konsiderohej asfare si e drejtë njerëzore.

Nuk është rastësi që vetë procesi i shkërmoqjes së sistemit lindor nisi me të famshmen glasnost të Gorbaçovit, ose përpjekjen patetike për t’i dhënë tejdukshmëri të procesit; meqë burokracitë e kalbura sovjetike nuk e përballuan dot ngritjen e grilave, heqjen e perdeve, larjen e xhamave; dhe vetë mileti nuk është se po digjej nga kureshtja për të marrë vesh se ç’kish për t’i kumtuar Ramizi Pérez de Cuéllar-it, ose Nexhmija Gonxhes.

Zbythja e karakatinës komuniste në Lindje dhe mediatizimi i skajshëm i procesit politik në Perëndim mund të mos kenë pasur lidhje shkakësore mes tyre; por politikanët e viteve 1990, anembanë botës, treguan se e kishin kuptuar tashmë që fytyra e tyre publike nuk mund të ishte më veçse televizive, e mediatizuar, e ndërmjetësuar nga teknologjia e komunikimit masiv; në kuptimin që maska u ishte ngjitur përfundimisht në lëkurë.

Po ç’ndikim të ketë ky mediatizim në vetë procesin politik? A është gabim të mendohet se thjesht vetëdija e të qenit para kameras vjen duke u shndërruar ajo vetë në faktor të jetës politike, sa kohë që politikanët e një vendi e përjetojnë veprimtarinë e tyre njëkohësisht edhe si skenike?

Me fjalë të tjera, deri në ç’shkallë e turbullon mediatizimi kotecin e pulave të politikës, e në përgjithësi të veprimtarisë publike?

Thuhet se demokracia kërkon tejdukshmëri; dhe se publiku është i titulluar që të ndjekë, drejtpërdrejt, proceset prodhuese dhe riprodhuese të pushtetit dhe të administrimit publik. Mirëpo pushtetarët të cilët janë të vetëdijshëm se krejt veprimtaria e tyre i komunikohet në masë publikut me pretekstin e kësaj nevoje për tejpamje (por në të vërtetë për ta dëfryer publikun e për ta bindur të blejë shampo kundër zbokthit, deodorante qilimash dhe udhëtime turistike në Bosfor), nuk mund t’i shmangen dot auto-teatrizimit, ose shndërrimit të tyre në aktorë të vetvetes.

Nëse është kështu, atëherë transparenca shkatërrohet vetvetiu, në momentin kur krijohen kushtet materiale përkatëse; njëlloj sikurse trembet urithi nga prozhektorët e zoologëve, ose sugjestionohen dasmorët nga mikrofonët e etnografëve.

Mbijeton vetëm iluzioni i kësaj transparence, në trajtat e një performance teatrale kinse për hir të publikut, por në thelb për hir të mediave vetë; aq sa krejt jeta politike vjen e i ngjan një psikodrame e cila ngul këmbë të vazhdojë edhe pse psikoanalisti është larguar nga skena prej kohësh, është zhdukur pa lënë gjurmë, ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë.

E vetmja përligjje e kësaj farse do të ishte – nëse më lejohet ta them – nevoja për ta përftuar publikun çdo mëngjes; ose kafshën sa madhështore, aq edhe ripërtypëse të forazhit të mediave.

18 Komente

  1. Qe kur e pata lexuar kete post tek blogu Projekt 5.6 , kam bluar ne mendje ç’do te thote te protestosh ne Shqiperi, kur e gjitha behet per te terhequr vemendjen e mediave te cilat do ta percjellin tek politikanet dhe ndoshta tek pjesa tjeter e popullit . d.m.th… protesta nuk ndodh me direkt ndaj pushtetareve por u drejtohet mediave si ndermjetes …. ne fakt ua kerkon ate rol si te domosdoshem, se perndryshe me duket se nuk po dime si t’u drejtohemi institucioneve.

  2. Xha Xha, ne lidhje me politikanet, me duket se arsyetimi yt ka brenda supozimin se politikanet nuk jane qenie mediatike, ose thene ndryshe ato mund te mbijetojne pa median, gje qe me duket jo shume e vertete. Perkundrazi te qenit aktor i vetvetes e pershkruan shume mire nje politikan te cdo kohe qofte. Une do thosha te kunderten; te pambrojtura jane turmat (aka populli) ndaj medias, dicka ne natyren e asaj qe pershkruan Parrulla. Si rrjedhoje, duke kujtuar (genjyer veten) se po manipulojne me median, turmat jane te manipuluarit e medhenj. Eshte ne interesin e politikanit aktrimi, dhe ne interesin e turmes te dije se c’ben politikani kur nuk aktron. Ndoshta ketu vlen dallimi midis medias investiguese dhe medias qe “pasqyron realitetin”. Dhe ndoshta kjo shpjegon cjerrjen e politikaneve neper TV dhe media qe i kerkojne kesaj t’i permbahen “realitetit”, qe ne fakt eshte nje rol tashme i konsumuar i medias, kur mendon se si eshte diskredituar ai se fundi me zhanrin me te ri ne media “reality show”.

  3. Në fakt, Ujk, unë politikanët i solla vetëm si shembull të një shtrese që është objekt i vëmendjes së pandërprerë të mediave; por pa dashur të paragjykoj dukuri të ngjashme, me shtresa të tjera. Prandaj edhe e bëra parantezën, relativisht të gjatë, për ndikimin e vrojtuesit në objektin e vrojtuar, ose të eksperimentuesit në eksperiment, ose të aparatit e të instrumentit matës në dukurinë që po matet – sepse më intereson shumë modifikimi i sjelljes për shkak të proliferimit të mjeteve të komunikimit masiv; si dhe të teknologjisë së regjistrimit dhe të riprodhimit të figurës dhe të zërit. Në një kuptim, shtresa e politikanëve ishte vetëm objekt i vrojtimit tim (shpresoj të mos e kem “modifikuar” deri në denatyrim); por teknologjia kufizohet vetëm e vetëm nga shpejtësia e progresit teknik dhe ulja e kostos, prandaj së shpejti rrezikohemi të gjithë nga kamerat, mikrofonët, satelitët, regjistruesit, analizuesit e kështu me radhë. Natyrisht, përgjimi s’është veçse ana e pasme e protagonizmit mediatik; të dyja u binden të njëjtave ligjësi e u përshtaten të njëjtave rregullsi. Thjesht vetëdija bezdisëse që çdo bisedë telefonike imja me familjen në Shqipëri regjistrohet automatikisht diku në një kompjuter të Homeland Security, të pajisur me programe të posaçme që vjelin e numërojnë fjalëkyçet, më turbullon; edhe pse bisedat e mia janë krejtësisht irrelevante për politikat e superfuqisë së vetme planetare; në një kohë që paranoja ime, dhe e dhjetëra milionave të tjerë në kushtet e mia, ndoshta nuk është dhe aq irrelevante. Përgjimi, edhe pse i pandërmjetësuar nga njeriu, por i kryer fund e krye me mjete elektronike, përfton paranojë; paranoja përfton feedback pozitiv për ta nxitur përgjimin edhe më tej, në nivel federal, lokal dhe privat. Së shpejti do të fillojmë të përdorim mikrofonë që përgjojnë mikrofonët, kamera që përgjojnë kamerat. Jam i sigurt që politikanët, të paktën në Shqipëri, kanë filluar të përdorin detektorë celularësh regjistrues fshehur xhepave e sqetullave të bashkëbiseduesve të tyre të rastit; sikurse jam i sigurt se së shpejti elektronika dhe kompjuterizimi do të jenë në gjendje ta dyzojnë subjektin pa qenë nevoja për suport të reales, në kuptimin që do t’i falsifikojnë videot dhe regjistrimet zanore deri aty sa t’i zhvlerësojnë krejt. Nga ana tjetër, ka një kontradiktë midis mediave si medium të politikës, dhe mediave si shqisa për publikun; sepse bashkëjetesa e këtyre dy funksioneve të shpie në një solipsizëm absurd, ose në përfundimin që jeta publike fillon dhe mbaron në mediat. Jam i sigurt se jo vetëm George Berkeley, por edhe disa fizikanë modernë do ta kishin nënshkruar këtë përfundim menjëherë.

  4. Sic e ve re Xha Xha, edhe tek ilustrimi qe i ben Krypa fenomenit, teknologjia eshte me shume nje zgjatim i shqisave tona sesa ka ndonje kuptim te vertet ne kontrollin qe i behet jetes private. Si te thuash eshte nje lloj vazhdimesie ne traditen e spiunimit. Pershembull, ne ndryshim nga nje shoqeri feudale patriarkale, intrigat e oborrit jane zevendesuar me pergjimet qe mund t’i bej media politikaneve ose njeri-tjetrit. Kurse vet opinioni represiv patrialkal eshte zevendesuar me kontrollin qe i ben media “liberale” turmave. Ajo qe dua te them eshte se shoqeria ka gjithmone nevoje te kontrolloje pjestaret e vet. A kam une ndonje paranoje per kete? Sigurisht! Por ndonjehere me pelqen te pergjohem, dhe filloj e permend fjalen “terrorist” ashtu pa lidhje fare ne telefon, ose permend Bushin sikur ta kem shok. Mbase edhe kur shkruajme ketu na jep nje kenaqesi djallezore qe dikush atje ne zyrat qe jane caktuar per te na pergjuar, po i lexon ato qe shkruajme, dhe deshperohemi kur mesojme se ne te vertet shteti yne nuk ka aq spiune sa duhet. Njerzit jane natyre ekspansioniste dhe sado eficente te jete teknologjia, “we can not have enough of it”. Ne fakt mezi pres diten qe dikush do shpiki teknologjine qe lexon mendimet, sepse te them te drejten jam dembel, dhe pak i lodhur nga fakti qe me duhet te shprehem vazhdimisht per tu sqaruar me njerezit.

  5. ne rastin e mesiperm te dasmes dhe studjuesve qe filmojne/studiojne dasmen do te ishte shume interesante nese studjuesit nuk do te kishin ardhur diten e dasmes ne fshat por nja nje muaj perpara. A do te perbente me prania a kameramaneve ne dasem ndonje problem dhe a do ta deformonin ata dasmen ne menyre te atille qe te nxirrnin konkluzione shkencore te deformuara/gabuara? Nuk mendoj keshtu pasi prania e tyre nuk do te perbente me ndonje eveniment dhe jeta ne fshat do te vazhdonte normalisht. Per te mos thene pastaj qe studjuesit do te fillonin te integrohen ne fshat 🙂 pra te behen pjese e atij sistemi lokal.

    Nese do te bejme nje analogji te rastit te dasmes se fshatit me teorine abstarakte te sistemeve mund te thuhet qe ardhja e elementeve te reja ne nje sistem shkakton ne fillim crregullime, si te thuash nje periudhe tranzicioni ku sistemi i pershtatet kushteve te reja. Ky crregullim vazhdon deri ne momentin qe sistemi gjen nje balance te re qe lejon integrimin e elementit te ri brenda tij. Sa me i fuqishem te jete elementi i ri krahasuar me sistemin aq me larg jane me njera tjetren gjendjet e balances/stabilitetit te sistemit te para te ardhjes se elementit me ate te pas ardhjes se elementit.

    Pra, a)nese grupi i studjuesve perbehet prej 4-5 vetesh dhe fshati ka le te themi 1200 banore b) studjuesit i bejne studimet e tyre pas arritjes se balances se re te sistemit ne fjale (dmth. fshatit) atehere efekti i tyre eshte praktikisht 0. Konkluzioni eshte qe studjuesit mund te flene te qete sepse rezultatet e tyre do te jene te sakta :).

  6. kjo teoria e sistemeve qe thoni ju eshte shume interesante dhe ka te beje shume me teorine e vete-organizimit. Me ckuptoj une vitet e fundit studimi i sistemeve dhe sidomos teorite e vete-organizimit kane filluar te marrin rendesi te madhe ne shume shkenca pasi i gjithe procesi i evolucionit (ai biologjik dhe jo biologjik) te materies qe nga niveli i kuanteve e deri tek shoqerite komplekse te specieve te ndryshme biologjike si njeriu psh. po kuptohet gjithnje e me shume si nje produkt i proceseve vete-organizuese. Nejse se shkova shume larg 🙂 .

    Per te plotesuar pak ato qe thote xhaxhai tek artikulli mendoj se shoqeria i pershtatet kushteve/teknologjive te reja ne menyren me te volitshme te mundshme. Teknologjia e informacionit eshte teknologji relativisht e re. Dhe shoqerite sapo kane filluar pershtatjen ndaj tyre. Pra jemi akoma ne fazen e tranzicionit. Teknologjite e reja kane qene gjithnje shperberese/dizruptive per shoqerite. Dhe te pakten deri me tani teknologjite e reja kane patur bilanc pozitiv. Megjithate, sado te dobishme te kene qene teknologjite e reja ne pothuaj te gjitha rastet ato mund te perdoreshin dhe per te shkaterruar. Psh zjarri, makina me avull, energjia atomike etj. jane perdorur qe ne fillimet e tyre dhe si mjete lufte dhe shkaterrimi masiv. Kjo ama nuk do te thote qe komplet teknologjia te damkoset si shkaterruese apo akoma me keq te ndalohet fare vetem sepse ajo mund te perdoret potencialisht per te shkaterruar.

    Ne momentin qe po diskutojme ketu reaksioni ndaj tendences se shteteve te ndryshme per te pergjuar/kontrolluar me teper fale teknologjive te reja nuk eshte per tu shperfillur e po rritet. Ne momentin qe lufta ndaj terrorit nuk do te jete me ne plan te pare te politikes nderkombetare ky reaksion ka shume gjasa te behet me i fuqishem sesa deshira e shteteve per pergjim/kontroll. Pra une jam me xhaxhain per sa kohe paranoja e tij ndaj pergjimit nuk kalon tek vete teknologjia qe e mundeson pergjimin por drejtohet kryesisht tek institucionet njerezore qe e kryejne kete pergjim.

  7. Eni, me duket se nuk e ke kuptuar mire idene. Nuk behet fjale per nje media me te cilen njerezit mesohen, nje media qe eshte e dukshme, si ata studiuesit po te kishin ardhur nje muaj me pare ne fshat. Behet fjale per nje media qe eshte kudo dhe askund. Banoret e Gerdecit e dinin qe me pare qe media ishte kudo, e kishin pare ne televizor, por nuk ishte askund ne fshatin e tyre perpara tragjedise. Pas tragjedise, raporti kudo dhe askund, nuk ndryshoi. Media ishte kudo ne Gerdec dhe askund tjeter.

    Ketu edhe eshte ndryshimi midis shembullit qe sjell Xhaxhai te politikaneve, dhe shembullit qe sjell Parrulla te popullit. Per politikanet kamera eshte kudo, gjithmone ne surrat, ata jane aktore te vetvetes si thote Xhaxhai, apo imitues te imitimit, plot gjeste bosh, pikerisht sepse e kane kameren gjithmone para surratit, dhe kamera eshte gjithashtu askund, sepse nuk penetron dot tek nje veprim i kulluar, aq sa te krijohet pershtypja se veprimi i kulluar, nuk ekziston. Me veprim te kulluar kam parasysh nje veprim qe rezulton ne vdekje. E vetmja menyre qe veprimi i kulluar te penetrohet nga media eshte prej Copoles, Oliver Stone, Sopranove, hej pse jo, Shakespearit. Veprimi i kulluar pra, eshte i rindertuar, teatral.

    Ndersa per popullin, media pretendon te jete informuese, kudo ne bote, dhe askund tek ty, deri atehere kur tragjedia ndodh ne fshatin tend. Atehere e kupton qe i ka pasur syte gjithmone nga ty, supersensitive, vezhguese por e padukshme, ne kontroll, si panoptikoni i Foucault. Ose, supersensacionale, BUM BUM BUM, me nje mungese te llahtarshme sensitiviteti, nje si tip shurdherie apo verberie e lehte, ku vetem shperthimet apo flashet te terheqin vemendjen. Bum, eshte kudo, Bum, ua sjellim me prane, Bum, sa i madh qe dukem ne televizor. Aq sa edhe kur Bumi eshte real, imituesit e imitimit do thone, “pse e beni kaq dramatike, pse e beni kaq teatrale, po perpiqeni te rikonstruktoni nje veprim te kulluar, vdekjen, por ju jeni media, ne televizor nuk vdes njeri me verte”.

  8. Nuk duhet te jesh ekspert ne fizike per t’i ardhur perqark problemit te vezhgimit subatomik, sepse ndodhet ne librin e fizikes se klases se matures. Njohuria e nje maturanti ne kete fushe mjafton e tepron per te lexuar libra shkencore te vulgarizuar qe tregojne se disa fizikane e interpretojne sjelljen e mikrobotes si paradoksale ose ambige (vale apo thermije, parimi i papercaktueshmerise: i percaktueshem ose pozicioni ose shpejtesija e thermijes, kurre te dyja bashke si ne makrobote), ndersa per disa te tjere duket e tille vetem nga pikpamja e subjektit vezhgues (banorit te makrobotes), bile midis tyre ka qe mendojne sjellja e materies ne keto nivele nuk aspak paradoksale, por shume logjike. Dhe keta nuk jane capacule dosido por fizikante kalibri si Wolfgang Pauli qe bashkepunoi me Jungun per te bashkerenditur zbulimet e fizikes sub-atomike me ato te “psikologjise se thellesise” (disipline qe rrek te shpjegoje iracionalitetin e sub-koshiences nepermjet racionalitetit te koshiences). Ka fizikante edhe me te kuturisur qe tek efekti i vrojtimit ose i matjeve në cka ndodh ne nivele subatomike shohin mundesi kontakti midis magjise dhe shkences ose ndikimit te shpirtit mbi materien (dukurive paranormale).
    Nuk duhet qene biolog per te ditur qe vrojtimi biologjik ne erresire behet per bukuri me rreze infra te kuqe (paisje e reparteve te zbulimit ne cdo ushtri moderne), dhe as etolog per te ditur qe ati i etologjise Lorenz shtrohet kembe kryq ne qymez te patave te cilat e konsiderojne aq te tyren sa u duhet te perdorin pilulen kontraceptive per te mos bere veze me permasa qe do t’u caplonte prapanicen. Me fjale te tjera saktesia e vezhgimit shkencor presupozon nje simpati te ndersjellte midis subjektit vezhgues dhe objektit te vezhguar (rasti i Lorenzit me patat), madje saktesise se vezhgimit, pa shqetsuar objektin e vezhguar, mund t’i gjendet ana edhe nepermjet nje shpikje te re teknologjike – zakonisht te diabolizuara prej banalizimit te modes hajdegeriane – qe e kryen vezhgimin ne nje tjeter nivel paradigmatik (rasti i urithit te vezhguar me rreze infra te kuqe). Ne kete rast te fundit nje rruge e dy pune sepse atehere nuk mund te akuzohet zhvillimi teknologjik si shkaktar i paranojes se pergjimit, e cila ka qene e pranishme njesoj edhe ne shoqeri te pazhvilluara obskurantiste si pergjim prej “botes tjeter”. “Ndjenja e fajit” nuk eshte problem teknologjik, madje as psikologjik, sepse eshte riciklim modern i termit te dikurshem fetar “mekat origjinal”, pra eshte problem teologjik, dhe prandaj sipas vendit kuvendi. Teknologjia nxjerr ne sheh te palara te vjetra teologjike, progresi shkencor ne menyre ironike pohon vazhdimisht me fakte konkrete ate qe mohon ne menyre aksiomatike, e madje ka zene fill si pasoje e ketij mohimi. Pra “xhaxhi”, pervec paranojes, mbaje me shendet edhe skizofrenine e progresit.
    Ne shkrimin e komentuar deshtimi ne komunikim pershkruhet si fatal, dhe per me teper nepermjet nje saltoje mortale nga shkenca ne politike, te cilat komunikojne midis tyre vetem brengen e deshtimit. Ne fakt deshtimi ose triumfi shkencor dhe politik reduktohen si deshtim ose triumf komunikimi, dmth pavarsisht realitetit te hidhur te qymezit mbareboteror, nuk eshte e thene qe politikane, teleshikues dhe teledegjues jane fatalisht istrumente dhe robote te perdorur nga kamera, mikrofone, prozhektore etj, te cilat gjallojne duke sunduar boten si materie paranormale qe ka fituar shpirt prej harbimit teknologjik. Vete fakti qe njeri prej roboteve rebelohet dhe shkruan kunder gjendjes katastrofike, duke komunikuar brengen dhe paranojen e tij roboteve te tjere, qofte edhe kutrum, thote shume.

  9. Po cna the o agjent! Qe te vazhdoj ne retoriken tende, nuk duhet qene as historian dhe as filozof qe te kuptosh se “xhaxhi” i perket disiplines se historise materiale duke pritur qe “ne fund te historise te na presi Hegeli me krahe te hapur.”(1) Kusuri nuk eshte vecse “krahasim i efektit te edukimit dhe te mungeses se tij ne natyren tone, me nje eksperience” virtuale te maskuar si shkelqimi i vellezerve Wachovski.(2)

    (1) Diskursi mbi Gjuhen, Foucault
    (2) Republika VII, Plato

  10. Sidoqofte, ceshtja e “dhunes se kulluar” mbetet ende per t’u diskutuar.(3)

    (3) Dhuna e kulluar, Benjamin

  11. Agjent, ç’ishte kjo surprizë kaq e këndshme, për më tepër të premten mbrëma?
    Natyrisht, nuk do të të ketë shpëtuar që shkrimi im ishte për tejdukshmërinë dhe problemet që e shoqërojnë; prandaj edhe të gjitha shembujt nga fizika, biologjia, antropologjia i kisha zgjedhur të tillë që t’i përshtateshin argumentit.
    Kur unë shkruaj se, po të hidhesh nga kati i pesëmbëdhjetë i hotelit mund të lësh kokën, kjo nuk do të thotë që nuk kam dijeni për shkallët dhe ashensorët e ndërtesës.
    Prandaj, kur flas për urithin dhe dritën, e bëj për të ilustruar sesi drita që neve na duhet për të parë, në të vërtetë e deformon krejt vrojtimin; meqë urithi dritën nuk e duron dot.
    Ti më përmend vrojtimin me infra të kuqe, i cili urithin nuk e bezdis fare.
    Me fjalë të tjera, problemin që ngre unë, të ndikimit të syrit mbi objektin, ti i jep zgjidhje duke e bërë syrin të padukshëm.
    Mua më shqetëson tejdukshmëria, ti më ofron një zgjidhje të mbështetur në padukshmërinë.
    Pikërisht tani, ka mundësi që njerëzimi të jetë duke u vrojtuar nga një qytetërim jashtëtokësor; por ne nuk dimë gjë, prandaj ky lloj vrojtimi pas gjase nuk ka ndikim ndaj sjelljes dhe në përgjithësi historisë.
    Mirëpo kjo çështje, edhe pse jo pa merita në vetvete, i përket një diskutimi tjetër.
    Në shkrimin tim – kryesorin – përmendja edhe mediat, dhe jo rastësisht, as si shembull; sepse mediat, sikurse e vërejti Lulian Kodra, priren ta shndërrojnë tejdukshmërinë në gjithdukshmëri (ose në famëkeqin panoptikon).
    Ti mund të flasësh gjerë e gjatë për padukshmërinë, por shoqëritë moderne vuajnë nga gjithdukshmëria, ose arroganca e papërballueshme e shqisave.
    Nëse prapa këtij karnevali mediash e riprodhimesh, fshihet edhe një metodë “me infra të kuqe”, të cilën me përkufizim ne urithët nuk e perceptojmë dot, për këtë nuk di ç’të them.
    Kam dëgjuar për njerëz të cilët, pas përmbysjes së komunizmit, kanë parë dosjet e tyre dhe janë habitur me shkallën e frikshme të përgjimit që u është bërë; meqë kanë gjetur në ato dosje hollësi shpesh të papërfillshme të një jete të cilën përndryshe e kishin harruar.
    Ndonjë ditë njerëzit do të shkojnë të rrëmojnë nëpër arkivat elektronike të “Echelon”-it, për të gjetur zërat e gjyshërve.
    Megjithatë, tani për tani, pushtetet nuk lodhen shumë për të shpikur metoda përgjimi e vrojtimi të padukshme; aq sa, edhe në TV, vendin e candid cameras po e zënë gjithnjë e më tepër reality shows.
    Para pak kohësh lexoja për një lagje të Londrës, ku ishin instaluar kamera në çdo cep, dhe imazhet e filmuara shfaqeshin pastaj në mbrëmje, me sukses të pashembullt, në një TV lokal. Pikërisht për këtë e kam fjalën, ose për një specie urithësh që u lutet eksperimentuesve të ndezin dritat.
    Sa për raportet e përgjimit me mëkatin, më kujtove një pasazh nga një letër e Papës Benedikt drejtuar Marcello Pera-s, ku i thotë, ndër të tjera (citoj nga kujtesa), që me intelektualët laikë duhet bërë një kompromis i tillë, ku të gjithë të pranojnë të sillen sikur Zoti të ekzistonte – edhe atëherë kur nuk e besojnë këtë. Kjo thënie tani po më lexohet si ftesë për ta pranuar rolin total të mbikqyrësit, vrojtuesit – ose edhe të Syrit në Piramidë, nëse dëshirojmë – në organizimin e kësaj bote.

  12. Nuk duhet te jesh i zanatit ne gjuhesi per te ditur qe fjalet jane llastik, i hap si dhe sa te duash. Shtuar mbi samar qe ne kulturen shqiptare qe ne zanafille te saj e deri me sot sundon PA FJALE imperializmi i letrave, e folura kodra mbas bregu eshte bere nje dukuri natyrore si feshferitja e gjetheve te pemeve prej puhise se eres qe livadhit ne kodrat dhe brigjet e atdheut tone. Kur ndesh rastesisht ne nje shkrim zanataliu te fjales qe merr mbi samar edhe probleme te shkencave te sakta i’a vlen te ndalesh dhe t’i besh nje surprize te kendeshme, qe sado keq te merret dhe sido keq te jepet, ne vetvete perben nje kompliment, sepse te kapesh me letrare qe kane zgjedhur degen histori-letersi meqe “nuk ka matematike” eshte e kote dhe pune pa bereqet. Deri me sot nuk jemi bere zengjine prej avazit “fry moj ere (Normale) e Elbasanit” qe nga majat Bjeshkeve te Nemura indoevropiane e deri tek maja e Tomorrit te Dodones pellasgjike.
    Ne shkencat njerzore eshte deri diku e lejueshme të zgjidhen shembujt pa kriter te sakta duke livadhisur sa andej kendej sipas kokrres se qefit, por ne shkencat e sakta “ndalu beg se ka henek” – ç’ka perben edhe dallimin midis tyre -, dhe neqoftese begu nuk e ndal hovin tek bregu mbas kodres se Lulianit, aty ku po na pret Hegeli krahehapur qe te te na e fuse edhe nje here tjeter me keq se na e futi – kesaj here deri ne rreze siç ja rrasi Foucault-it qe ngriti potkojte nga dielli prej SIDEs -, ne rastin me te mire rezulton se po ben hartime interesante si i pari i klases, dhe ne rastin me te keq: spekulim, i cili nuk eshte me akuze por nder, sidomos mbasi u gjet platforma ideologjike kur u lexua Poperi edhe nga anet tona. Meqe fjala hapet si llastik, sipas Poperit nuk ka ndonje te keqe te jesh spekulator ne shkence, ndersa nxenes i tij Sorosi e terheq me tej spekulimin deri ne leme te ekonomise, ose me sakte deri tek portofoli i tij te fryre nga zbrazja e portofolit te nje kombi te tere nepermjet spekulimesh monetare.
    Duke folur me konkretisht referuar frazes ne pergjigjen tende: “mua me shqeteson tejdukshmeria, ti me ofron nje zgjidhje te mbeshtetur ne padukshmerine”, nuk e ve aspak ne dyshim qe te shqetson tejdukshmeria (e hallateve te Gorbaçovit dhe Bushit), por nuk eshte aspak e vertete qe te ofroja nje zgjidhje te mbeshtetur ne padukshmerine, sepse nuk po te ofroja mer po asnje lloj zgjidhje, sepse nuk mund t’i ofrohet zgjidhje atij qe nuk kerkon zgjidhje, dhe aq me teper kur e konsideron çdo lloj zgjidhje si fashiste, komuniste, papiste, piramidiste dhe budallalleqe te tjera te ketij lloji me iste. Thjeshte po te tregoja me disa shembuj – te marre pikerisht aty ku i kishe marre dhe ti, ne te njejtat leme te shkences dhe teknologjise – qe situata bashkohore nuk eshte fatale sa duket dhe sa e ke paraqitur ti me shembuj te zgjedhur gabim, te cilet, sipas pergjigjes tende nuk jane gabim, por te zgjedhur me qellim, “qe t’i pershtateshin argumentit”. Pra jo gabim, por daha me keq: spekullim. Gjithashtu desha te sugjeroj se kur kalohet me salto mortale e lodra fjalesh me tejdukshmeri, padukshmeri e gjithdukshmëri, nga leme e shkences e drejt e ne leme te politikes, pa marre parasysh koeficente konvertimi, shkrimi del i bukur per cirk, ndersa per çdo istitucion tjeter rezulton “hane shan hane Bagdat”.
    Qe te mos zgjatem me teper me nje shkrim me te gjate se postimi yt, ndryshe do te ishte “cou prift te ulet hoxha” tek kolltuku i “pejsazhe jo aq te qeta te fjales”, po i’a pres shkurt me nje salto mortale – c’ti besh cirku intelektual eshte bèrè semundje ngjitese mè keq se SIDA – pa i treguar koefiçentet e konvertimit: dallimi midis shkences dhe politikes eshte si dallimi midis neurozes dhe psikozes, njera e sherueshme prej shkences frojdiste dhe tjetra e pasherueshme (prej shkences politike). Prandaj dhe shkrimi yt fillon me shembuj neurotike shkencore dhe mbaron me shembuj psikotike politike dhe shoqerore, duke ndalur vrapin tek cmendina e Vatikanit, aty ku ndalen me llapen jashte tere intelektualet evropiane, pak rendesi ka prej sevdase, apo prej urrejtjes, me sakte te dyja bashke. Fjala vjen linguisti laik histerik Umberto Eko dhe filozofi parlamentarist me shume prapashtesa -iste dhe -aste nga mbrapa Giovanni Vattimo, i cili e ka ndalur hovin tek kodra mbas bregut te fundit te historise ne formen e gazetarise hegeliane dhe niçeane – perkatesisht krahehapur dhe shaleshternguar -, ne te ri te tyre ishin sekretari dhe nen sekretari i Aksionit Katolik per zonen e Milanos. E sheh qe vlejne per diçka dosjet dhe agjentet, packa se eshte ne mode perbuzja e tyre, psh me 333 agjenta, cpluhuros dosje pas dosje (qe ushtojne nga kushtimi i te pareve), e dokument pas dokumenti, mund te zbulohet deri edhe misteri i prejardhje se gjuhes shqipe. Por nuk e bejme kurre, se ne agjentet qelbanike jemi sa te duash, por jo deri aty sa te mos respektojme dallimet midis disiplinave.
    P.S.
    Me qe ra fjala tek Vatikani po ma pe Papen Benedikt dhe Mareello Pera-n neper hapsirat virtuale te internetit, ose po u duken nga blogu juaj, u thuaj nga ana e Agjentit 333, qe sipas Lajmit te Mire te Ardhjes se Dyte, mbasi t’ia bejne me sy Syrit në Piramide, he per he duhet te lene rehat intelektualet laike qe vazhdojne t’i bien me dore, ne rastin me te mire, e ne rastin me te keq t’ia rrasin sa krahu vetes dhe atyre qe kane afer (siç kane bere per nje shekull te tere). Puna ka ngec keq tek intelektualet fetare qe nuk i’a mban te sillen sikur Zoti të mos ekzistonte, dhe nuk duan te dine se ndergjegja jone eshte Zoti nr. 2, se Zoti ka vete nevoje te shpetohet, se njeriu potencialisht qendron me lart se Zoti, sepse dashuria e vertete e vendos natyrshem objektin e dashuruar ne nje pozite me te larte se vetja etj. Me teper nuk mund te vazhdoj, sepse nuk mund te hidhen gure te cmuar ne korite te derrave.

  13. me lejohet nje fershellime?…per kete pjesen e fundit te 12-s kaq padurueshem iluministe, ri-rilindase, oh ROMANTIKE, po jo po intensivisht, intesivisht luminoze…dhe per optimizmin delirant, por ndoshta nota e fundi e fershellimes sime prej magjepsjes dhe pagojesise do jete per bujarine e pashoqe dhe te pakontrolluar, per zemergjeresine e pafund. Mire dakort, vetem shpreha deshiren se e di qe nuk behet.

  14. Agjent, prej komentit tënd më tërhoqi vëmendjen paragrafi i mëposhtëm:

    Ne shkencat njerzore eshte deri diku e lejueshme të zgjidhen shembujt pa kriter te sakta duke livadhisur sa andej kendej sipas kokrres se qefit, por ne shkencat e sakta “ndalu beg se ka henek” – ç’ka perben edhe dallimin midis tyre -, dhe neqoftese begu nuk e ndal hovin tek bregu mbas kodres se Lulianit, aty ku po na pret Hegeli krahehapur qe te te na e fuse edhe nje here tjeter me keq se na e futi – kesaj here deri ne rreze siç ja rrasi Foucault-it qe ngriti potkojte nga dielli prej SIDEs -, ne rastin me te mire rezulton se po ben hartime interesante si i pari i klases, dhe ne rastin me te keq: spekulim, i cili nuk eshte me akuze por nder, sidomos mbasi u gjet platforma ideologjike kur u lexua Poperi edhe nga anet tona. Meqe fjala hapet si llastik, sipas Poperit nuk ka ndonje te keqe te jesh spekulator ne shkence, ndersa nxenes i tij Sorosi e terheq me tej spekulimin deri ne leme te ekonomise, ose me sakte deri tek portofoli i tij te fryre nga zbrazja e portofolit te nje kombi te tere nepermjet spekulimesh monetare.

    E gjithë kjo, ngaqë unë, për të shpjeguar një koncept që e gjej problematik, marr disa shembuj krejt të pafajshëm nga shkencat “e sakta”; dhe i përdor për të ilustruar, madje metaforikisht, një ide timen për ndikimin e mediave në sjelljen e objektit të mesazhit të përcjellë. Këtë ti e quan “duke livadhisur sa andej-këndej sipas kokrrës së qejfit”, edhe pse në këtë rast livadhisja madje hazdisja është jotja jo imja. Gabimi yt është se ti ngatërron, në mënyrë foshnjore, të praktikuarit e një shkence të saktë, me përdorimin e rezultateve ose praktikave përndryshe banale të kësaj shkence për të ilustruar një koncept nga lëmi i komunikimit, ose marrëdhënieve sociale. Në shkencë, siç e vërejte edhe ti vetë në ndërhyrjen e parë, ndikimi i vrojtuesit në objektin e vrojtuar, ose i eksperimentuesit në eksperiment, janë gjëra që njihen, të paktën në nivelin e shkollës së mesme, që përmende. Jo vetëm njihen, por edhe njihen shumë më mirë sesa dukuri të ngjashme në lëmin social. Meqë mua më pëlqen që, kur shtjelloj një koncept, të lëviz nga e njohura drejt së panjohurës, atëherë më duket me vend që të marr një nocion të njohur dhe ta përdor për të ilustruar një nocion më të diskutueshëm, ose më pak të njohur. Nuk më intereson fare jeta sociale e urithit, as dilemat e urithologëve ose virtuoziteti i tyre në përdorimin e kamerave me infra të kuqe; por më intereson marrëdhënia e syrit me imazhin. Më intereson dyshimi i hedhur – bie fjala – që rrezet X të mamografive për të diagnostikuar kancerin e gjirit mund të shkaktojnë ato vetë kancer të gjirit. Nëse arroganca jote e këtushme buron nga ndonjë bindje për superioritetin e shkencave të sakta, të kujtoj se lista e hajvanllëqeve që i detyrohen këtij superioriteti në shekuj është pa fund, dhe mjafton të lexosh “Guliverin” e Swift-it për t’u bindur; por nëse nuk të premton koha për t’u marrë me Swift-in, mjafton të shëtisësh pak në diskutimet e sotme rreth Big Bang-ut, pikës Omega, singularitetit ose teorisë së superfijeve në fizikë, për të parë se këto, për nga absurditeti, ua kalojnë ku e ku diskutimeve skolastike në Mesjetë, të cilat të paktën e pranonin superioritetin e padepërtueshëm të Hyjit. Prandaj unë u referohem shkencave të sakta jo sepse i marr si model të dijes, por sepse – në nivelin e njohurive të shkollës së mesme – më japin disa metafora të thjeshta, të pafajshme e naive, të cilat më ndihmojnë thjesht si instrumente didaktike; por përndryshe sot e kësaj dite deri edhe fjalët e Papës më tingëllojnë më të arsyeshme sesa alkimitë e super-fijetarëve.

  15. Eshte rrezikshmerisht i perdorshem dhe demagogjik per syrin dhe per reprezantimin – si te konceptit nga shenja, dhe te popullit nga perfaqesuesit – ai paskalizmi i pafajshem i papes, xhaxha. Mund te arrijme deri aty sa me aq premise te sillemi jo vetem sikur zoti ekziston, por sikur qeverisja prej vatikanit, apo fundja cdo qeveresje laike e cdo shteti qe ka toka te jete qeverisja me e mira e mundshme. Me e keqja, dhe me e tmerrshmja, ngjizur thelle ne retoriken e Paskalit, eshte ajo qe kam thene me lart, te sillemi sikur vdekja nuk ekziston, sikur ne fund te historise, jo vetem Hegeli apo ushtrimi i elenkosit ndaj Sokratit, por edhe me keq, te sillemi sikur 70 virgjereshat, bie llafi, na presin krahehapur, apo sikur jemi “with God on our side” (Bod Dylan).

  16. Agjenti komenton se “…ne shkencat njerzore eshte deri diku e lejueshme të zgjidhen shembujt pa kriter te sakta duke livadhisur sa andej kendej sipas kokrres se qefit, por ne shkencat e sakta “ndalu beg se ka henek” – ç’ka perben edhe dallimin midis tyre…”

    Tashti kjo thjesht sa per muhabet.
    Ainshtaini, nje fizikant i shkeqyer por nje matematicien mesatar, i cil i binte jo keq violines, nuk ia mbushi e nuk ia mbushi dot mendjen mikut te tij Godel, qe ti “nenshtrohesh” torturese se degjimi te Bethovenit apo Moxartit te luajtur prej tij. Nga ana tjeter Goedel, nje matematicien i shkelqyer, qe po aq i sukseshem ne perpjekjen e tij per ta bindur Ainshatinin qe te shkonin se bashku e te shihnin filmin e tij te preferuar ” Borebardha dhe 7 xhuxhat”.
    “Vetem perrallat,- i thoshte ai fizikantit te famshem, e paraqesin boten ashtu sic duhet te jete, dhe sikur ajo ka ndonje kuptim”.

    Godel ka nje teori fort interesante, ate te paplotesueshmerise , ku ,ne vija te trasha , ai arrin ne perfundimint se te vertetat e pranuar jane te pavertetueshme. Jane te pavertetueshme sepse simbas Godel, rruget per te shkuar nga propzicioni ne evidence dhe anasjelltas, jane praktikisht te pafundme, e mund ti ndryshohs sa here qe te te shkrepe ne koke ( me kusht qe ta kesh ate te mjafueshmerisht te madhe)

  17. Prap me Vatikanin e mbylle o derebardhe, nuk te ndahet shpirti prej andej, avazi i vjeter i don Pepones qe nuk i ndahet shpirti prej s’don Kamilos, konflikti skicofrenik tipik qe mban ne gji cdo intelektual perendimor. Ne pergjigjen e pare je antipape e citimin nga letra e Papës Benedikt drejtuar Marcello Pera-s, ne te dyten propape ose protopape (pse jo edhe Sali Protopape) krahason mosarsyen, paradoksalitetin dhe absurditetin e fizikes moderne me tingellimin e arsyetimit papnor. Dihet kjo pune kur armiku duket ne horizontin e hapsirave virtuale te internetit, per t’a shkaterruar eshte e mire cdo gje, deri edhe edhe cfare zakonisht perbuzim ose shperfillim. Per te shkaterruar armikun nuk ke lene pa perdorur deri edhe metoden e agjitpropit, shkeputjen e nje citimi nga kontesti dhe paraqitjen publikut si shenje per bjer e fut, dmth vrasjen e nje gjallese dhe rivrasjen e coftires. Kisha mjaft te tjera per te thene, por shoh qe eshte e kote, tashme diskutimi ka hyre ne qorrsokakun e grave napoletane ne penxhere (“me ke dale e me ben sehir”) qe, midis valvitjes se levereve te ndera ne litare qe kryqohen mbi sokak si shenja te pagabushme te komunikimit njerzor, komunikojne midis tyre duke hedhur e pritur midis tyre te njejtat akuza. Duket tej qe je ekspert komunikimi, zaten dihet mire kjo pune, zanatet zgjidhen sipas hallit personal, kush ka probleme komunikimi merret me teori komunikimi, kush ka probleme mendore studjon per psikologji. Dhe kush ka problemin e komunikimit te teorise se komunikimit shqetsohet per apokalipsin e kamerave qe filmojne kamera, mjekimin qe shkakton semundjen qe mjekon, berberin e rruar te katundit te parruar etj, sepse thelle thelle e di mire qe eshte vete semundja qe kerkon te sheroje.

  18. Me perdorimin e Gjuhes zbulohen opinionet,ndjenjat e te tjereve mbi diçka,kendveshtrimet e tyre.
    Fjalet e mia u shkaktojne degjuesve ose lexuesve formimin e nje opinion reth dickaje.Ky opinion bazohet ne informacionin qe une kam pervetesuar,menduar dhe konkluduar.
    Gjuha ve ne dukje hirarkine dhe kontrollin duke lejuar krahasueshmerine mendimore te njerezve te ndryshem dhe gjykimin. Gjykimi eshte aftesiat per te kuptuar situaten dhe per te nxjere nje vemdim te drejte.Tendenca per te gjykuar krijon hirarkine.Kushdo qe dominon ne hirarkine shoqerore ka fuqine te formoje perceptimet e te tjereve nepremjet gjuhes.
    Aftesite e mira praktike gjuhesore mund te permiresojne perdorimin tone te gjuhes ne maredheniet me te tjeret.
    Mendimet e mia ne perdorimin e gjuhes:
    1.Zgjidh perdorimin e gjuhes specifike.Fjalet specifike qartesojne ambigjuhetine.Fjale konkrete veprojne ne senset tona.Fjala e pergjithshme qe pershkruan vellane tuaj pershembll eshte “i ri”.Me specifike se “i ri” eshte “19 vjeç.Fjalet preçize ngushtojne gjeresine e kotegorive te medha dhe me te pergjithshme simbolizimi ne kategori me te vogla dhe me specifike simbolizimi.Jep detaje gjithmone dhe shembuj kur thua dicka.
    Ndonjere lind nevoja te behesh ambigjuhetik ne menyre te qellimshme,duke qene me dashje i paqarte ose jo te shprehesh ne menyre te plote.Kjo eshte e pershtatshme per situata te vecanta kur do te mbrosh veten tende ose lidhjen tende shoqerore.
    2.Pershtat gjuhen me bashkebiseduesin.
    Perdor fjale qe bashkebiseduesi I kupton.Perdor gjuhen “zhargon”.Zhargoni kuptohet nga nje grup I zgjedhur njerezesh qe I perkasin nje zone,,nje qyteti ose nje shteti.Çdo periudhe kohore krijon zhargonet.Duhet te kuptohet mire se çfare ajo fjale “zhargon” kupton nese do te thuash ose nese e degjon dhe duhete te japesh mendim.
    3.Jep inormacion duke specifikuar kohen ose periudhen kohore ne te cilen fakti ishte I vertete ose qe dihej dhe njihej si I vertete.Me mire sesa shprehja “Ju gjithmone me beni ta ndjej veten I trashe” eshte shprehja tjeter “Dje kur ju qeshet me mua kur une ju thashe se nuk e mora dot provimin e Psikologjise,mu duk sikur me thate qe une isha i trashe”.
    4.Kurre mos perdorni ne menyre te gabuar ose me qellim te keq pergjithesimin e gjerave.Perdorimi I pergjithesimit sjell perceptimin e pasaktesise.Pervec kesaj ai nuk merr parasysh ndryshimet individuale.
    Ku rune kam cituar ketu “armiqesine greke” kete e lidh me qarqe te caktura ne greqi te cilat jane fakte te vertetuara si “qeveria e Vorio Epirit”,organizata te tjera si “MavI” si dhe me shtetin grek I cili nuk u jep te drejtat elemntare si popullsise came,arvanitsave ashtu si dhe emigranteve shqiptare qe punojne ne greqi.”Armiqesine greke” une nuk e lidh me popullin grek.Veprimet antishqiptare ne drejtim te ekonomise shqiptare duke pasur parasysh qellimin e qarqeve te sipermendura une i e lidh me ta duke menduar se ata kan nje rol kryesor.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin