RITE TË FRIKËS

Askush nuk e di si do të reagojë përballë katastrofës – çka i kthen katastrofat vetë në prova të së vërtetës. Frikën e pason një përjetim i përforcuar i ekzistencës, thuase vdekja e shmangur i shtohet, sipas një aritmetike absurde, jetës së kursyer. Tronditja ndaj humbjes përkthehet në dëshirë për të bërë diçka më tepër sesa thjesht të ikurit me vrap, ose të kthyerit e kokës në anën tjetër. Mendja ndërkohë lodhet së gjeturi arsye në një produkt të kulluar të rastësisë, sado fajtore.

Këto mendoja dhe mendoj, përballë fatkeqësisë së Gërdecit.

Të mirët heshtin dhe ofrohen për të ndihmuar, të ligjtë kapin ekranet. Ndër ta, veçanërisht irritojnë politikanët që përfitojnë nga rasti për të shprehur (edhe një herë) dhembshurinë, njerëzinë, mëshirën, forcën, besimin e patundur; ose për t’u shkrirë me dhimbjen kolektive. Në një kohë që kryeministri i vendit ose ministrat e deputetët përkatës janë njëfarësoj të detyruar, të paktën moralisht, për t’iu gjendur përkrah viktimave, të tjerët – fytyrat e opozitës dhe burrecët farfuritës i shpojnë ekranet tej për tej; me dëshirën e tyre pothuajse fëminore për të mos mbetur jashtë, të tërhequr pas kamerave si fluturat e natës pas fenerit; madje të frymëzuar nga ideja idiote se asnjë lajm nuk mund t’i përcillet publikut, pa u pagëzuar nga një koment prej tyre, shpesh jo më pak idiot e i sheshtë se ideja vetë: “në këto momente fatkeqësie të madhe… përfitoj nga rasti për t’ju siguruar se… asgjë nuk do të kursehet… fajtorët do të marrin ndëshkimin më të ashpër… nënat dhe motrat… solidariteti i mrekullueshëm…”

Edhe më të neveritshëm janë gazetarët që i ndjekin burrecët nga mbrapa, për t’ua fiksuar çdo fjalë e çdo gjest, për t’ua përjetësuar çdo deklaratë, psherëtimë e teshtimë; në pritje të ethshme të çastit kur nga goja e këtyre mediokriteteve do të dalë, dikur fjala e shpëtimit kolektiv, titulli në katër kolona i gazetës së nesërme, teksti për t’u afishuar me orë të tëra në teletekstin në ekran. Politikanët vërtiten, shtrëngojnë e lirojnë kravatat, dërdëllisin për përgjegjësi, për masa të menjëhershme, për situatën nën kontroll, për kujdesin ndaj viktimave… pastaj i kthehen NATO-s, Europës, integrimit dhe perëndive të tjera të sigurta. Sikur të ishte kjo pjesë teatrale, do të kishte falimentuar prej kohësh, me aktorët të shurdhuar prej fërshëllimave të publikut.

Farsa ngjitet një shkallë më lart, me kanalet televizive që futen në garë mes tyre, për t’u provuar shikuesve se cili pikërisht e pasqyroi më mirë katastrofën; cili e transmetoi i pari videon, ose pamjen e fëmijës së përgjakur, ose valën goditëse, ose këpucën e gruas të mbetur jetime mbi asfalt (vallë me gjithë këmbën brenda?), ose kërpudhën e tymit nëhava. Ky voyeurizëm obsesiv, kjo kënaqësi e papranueshme e të qenit atje, në kontakt të drejtpërdrejtë me fatalitetin e vdekjes nuk ka asgjë të përbashkët me shërbimin publik, dhe gjithçka të përbashkët me televizionin trash, estetikën e reality TV, spektakularizimin e frikës, artin e kameras së fshehur ose të shndërrimit të fatkeqësive masive në mbrëmje tematiko-dëfrimi.

Ekzekutivi, nga ana e vet, kapet gjithnjë në befasi prej realitetit; në vend që të veprojë, e sheh veten rregullisht duke reaguar. Në katastrofa qeveria gjithnjë e sheh veten prind të kapluar në ndjenja faji të natyrshme, pothuajse njerëzore. Megjithatë, ka gjithnjë diçka fshatarake në kulturën e përsosur kohët e fundit, për ta përjashtësuar fajin nëpërmjet deklarimit pompoz të shpenzimeve që “nuk do të kursehen” (thuase këta do t’i kërrejnë paratë nga xhepi, apo do të shesin xhevahiret e gruas), për të dërguar jashtë shtetit viktimat, të plagosurit, të gjymtuarit, të shkatërruarit; me shpresë se diku përtej do të mund të arrihet shelbimi, së paku shfajësimi, fundja mirëkuptimi. Një qytet metropol si Tirana, me dhjetëra spitale e klinika, shtetërore e private, nuk qenka në gjendje të trajtojë 200 të plagosur, të cilët u dashkan dërguar me avion në klinika të Greqisë e të Italisë? Si kështu? Çfarë do të thoshte Nënë Tereza, emri i së cilës iu dha spitalit civil të Tiranës me aq pompë e kremtueshmëri, vetëm pak vjet më parë? Nëse ministri i Mbrojtjes e pa të udhës të japë dorëheqjen, pse nuk e dha edhe ai i Shëndetësisë, meqë spitalet e tij falimentuan gjithashtu?

Nuk është vetëm ekzekutivi që kapet i papërgatitur prej katastrofave; por edhe vetë publiku, i cili fare lehtë i harron shprehitë qytetëruese, për t’u shndërruar në turmë primitive, pré instinktesh të vjetra, domethënëse, pagane. Tymi i vdekjes varej ende pezull mbi Gërdec, kur zërat nga poshtë filluan të kërkojnë “koka”, ose sakrificat përkatëse, për t’ua ofruar zotave të epërm. Ende nuk ishin numëruar të vdekurit, kur gjyqet popullore poshtë e lart shqiptonin verdiktet e tyre: ky të arrestohet, ky të japë dorëheqjen, ky të largohet, ky të shpallë zgjedhje të parakohshme. Edhe kur ekzekutivi kërkon të shlyejë fajin duke shpenzuar e shpërdoruar fonde marramendëse, edhe kur publiku i cytur nga mediat e i trembur frikërash primordiale kërkon kokat e zyrtarëve në tepsi, gjithnjë është fjala, në thelb, për sakrifica rituale, si ato të Aztekëve.

Përballë katastrofave, të gjithë reagojmë duke u sjellë në mënyrë rituale, pothuajse magjike; sepse katastrofat na kujtojnë se jetën dhe vdekjen nuk i kontrollojmë dot, përveçse duke u përpjekur të marrim me të mirë të përtejmit, orët e malit, Zeusin e rrfeve, Quetzacoatl-in, Kon Tikin.

Aq më e vërtetë është kjo në një botë si ajo e atjeshmja, ku rastësitë duken ta kenë dëbuar krejt logjikën nga ngjarjet e përditshme; dhe ku çdo ngjarje është njëkohësisht edhe incident: vrasje, helmime, vetëvrasje, inceste, aksidente rrugore të hatashme, përmbysje, mbytje varkash në pellgje, rrëzime, groposje, rrënime, shembje e vithisje; orës së rregullsive i është çoroditur krejt tik-taku; lavjerrësi i vallëzon i dehur. Njerëzit mësohen me rastësinë, deri në atë pikë sa pastaj vetëm të menduarit magjik i ndihmon për ta vënë disi në kontroll, për të parandaluar syrin e keq e për ta lexuar kronikën e së përditshmes si të ishte bytha hieroglifike e një filxhani kafeje.

 

27 Komente

  1. “Njerëzit mësohen me rastësinë, deri në atë pikë sa pastaj vetëm të menduarit magjik i ndihmon për ta vënë disi në kontroll, për të parandaluar syrin e keq e për ta lexuar kronikën e së përditshmes si të ishte bytha hieroglifike e një filxhani kafeje.”

    Xha Xha, per mendimin tim ke kapur thelbin e gjithe kesaj tragjedie. Rastesia komandon jeten ne Shqiperi. Nje shoqeri e tere i eshte doerzuar rastesise. Ata qe nuk i dorezohen kane vetem nje opsion; te braktisin shoqerine (ose perjashtohen). Gjithe teatri i madh politik e mediatik kete fsheh, ose me sak kesaj i kontribuon; mbajtjes gjalle te rastesise. Shoqeri bingosh me nje fjale, ku te gjithe i mbajne syte nga ekrani (goglat).

  2. Artikulli me beri te kuptoj qe ka akoma disa njerez qe mendojne me larg dhe nuk bien prè e shoqerise se spektaklit, e kesaj shoqerie kurvash ku gjithçka kerkon nje interpretim dhe ku gjaku perzihet me zoomin e kamerave per t’i percjelle ne shtepite e varfra, mbase pa drita dhe per t’i lene nje mesazh, nje kartoline tek dera se kush jane fajtoret: si gjithnje Demokratet.
    Duke lexuar tek peshkupauje, vura re qe ka shume simpatizim per ta permbysur Berishen, por nuk kuptoj se perse njerez te impenjuar seriozisht ne jeten politike, shoqerore, artisike, seksuale shqiptare, perçajne ne kete menyre. Situata eshte e rende, por rendimi behet me i madh kur i pervishet faji nje njeriu te vetem. Nuk mendoj se rrezimi i qeverise ndihmon zbardhjen apo dhe ngjalljen e te vdekurve. Sidoqofte, shpresoj qe opozita ta uli pak thiken dhe te pergatisin zgjedhjet e vitit te ardhshem me pjekuri dhe pa ndonje pulsion agresif qe do i rikthehej per te keq po nga ky popull qe po e sheh si nje shpetimtare ne kete moment te veshtire.
    Faleminderit per artikullin.

  3. Ky eveniment nuk u shpëtoi as primadonave të blogosferës që sakaq nxorën flamuj të zinj në penxheret e trishtimit. U ngushëlluan e i dhanë zemër njëra-tjetrës për fatkeqësinë që u ra në derë, pastaj u mbyllën në kullat e heshtjes per të pritur hidhërimin e radhës.

    Shyqyr që ra ky mort e u pamë – tha.

  4. @”Elegji për zinë”, flamujt e zinj të zisë nuk kishin të bënin me këtë rast, ideja e kësaj iniciative kishte nisur që më parë se të ndodhte fatkeqësia e Gërdecit ( http://neziperviktimat.wordpress.com/ ), prandaj mos e shfrytëzo këtë mort për tu parë edhe ti.

    @ Xha xha, përsa i përket jetës politike shqiptare, më shumë se 1000 fjalë, më shumë se 1000 analiza, më saktë, mjafton vetëm një shprehje:
    “Sikur të ishte kjo pjesë teatrale, do të kishte falimentuar prej kohësh, me aktorët të shurdhuar prej fërshëllimave të publikut.”

  5. Me friken po ndertohet nje monster shume dimensionale ne politike, duke vazhduar ne nje shtrat pothuaj te njejte qe nga krijimi i shtetit te pare Shqipetar. Frika te “ha”, dhe frika te “fal” me c’shohim e degjojme apo lexojme ne keto dite zie. Frika e bene te frikuarin te kete frike te mos kete frike. Edhe kur vlersone ne paq dikush, duket sikur frika s’vlereson thjeshte e drejt, por superlativa vlerson frikshem.
    Kjo mund te jete edhe nje nga arsyet qe egzistojme si komb, mes c’frenimit grabitqar te komshijve ne shekuj. Ne fitojme me fuqine e Frikes jo vetem mundimin, por edhe lirin.

  6. Edrus, ideja per flamujt e zi mund te kete ekzistuar vecas fatkeqsise te Gerdecit por s’me shpetoi fakti qe ai blog eshte ndertuar pikerisht ate dite qe ndodhi ngjarja ne fjale dhe sinkronizimi me blogistet e tjere ma konfirmon ate qe thashe me siper, duke vene ne dukje akoma me qarte rendesine qe i jepni vetes duke e deklaruar zine kolektivce. Eshte nje zi fiktive, infantile dhe mbi te gjitha infektive.

    S’po them gje pastaj per zevendesimin apo shoqerimin e flamujve me foton e Berishes. Prove par exemplar te asaj qe thote Xha Xhai edhe pse ndoshta ai nuk ju ka parasysh kur shkruan.

    Elegjia

  7. Xhaxha, të më falësh për replikën, megjithëse diskutimi nuk është se është dhe aq larg temës.

    @Elegji, nuk di nëse ke organizuar ndonjë festë me atë rast, thjesht për të qënë ndryshe nga të tjerët (dhe s’ma ha mëndja se do të më kishe ndër pjesëmarrësit e saj), por nëse shikon tek prezantimi, ajo iniciativë, të paktën në idenë e autores, kërkon që të përfshijë një milion blogje në gjithë botën… dhe mjaft blogje anglezë, francezë dhe italianë kanë filluar ta vendosin (se mos akuzosh edhe ata se e bënë për Gërdecin), sepse bëhet fjalë për viktimat e pafajshme në gjithë botën, qofshin viktimat e zonave të luftërave, por edhe ato viktima të pafajshme që vdesin në punë ose në aksidente rrugore, dmth thjesht viktima që vdesin prej pakujdesisë ose neglizhencës në krijimin e kushteve të sigurisë, ose si rrjedhojë e mosrespektimit të tyre.

    Për sa i përket fotografisë së Sali Berishës, vërtet që në blogjet e mija do të gjesh disa të tilla, sepse personalisht, si student i atij dhjetori të famshëm, Ai njeri ka shkelur me këmbë ëndërrat e të gjithë atyre si unë që ëndërronin një Shqipëri të lirë dhe demokratike.
    Dhe nëse për ju, Ai njeri ka bërë aq sa ju mjafton për ta bërë Shqipërinë model sipas standarteve tuaja, më vjen keq që niveli i demokracisë, lirisë dhe zhvillimit për ju qënka kaq shumë poshtë.

  8. bah!!!

    shkrim shume trondites!!!

    @ Elegji!!!

    Vetem kur mendoj se edhe ty te ka prekur ajo ngjarje,u jap te drejte te gjithe blogistave,se paku atyre qe e ndjene se vendosja e nje kordeleje eshte nje minut dhe homazh per nje popull qe nuk arriti ti mbylli plaget ne trup te vet.Mgjt ashtu si ka vend per te tille njerez,po ashtu ka vend edhe per largpames te tjere si ty per te thene mendimin e tyre.

    MOs je gje Prosalist?

  9. Po e le menjane aspektin politik (se nuk besoj fare se keto qe ndodhin nuk do ndodhnin me nje qeveri tjeter), edhe aspektin mediatik se e pershkroi Xhaxhai e nuk la vend te themi me gje ne te tjeret.

    Ajo qe me ben pershtypje eshte sa pak vlere ka jeta per ne, sa me papergjegjshmeri vendosim per jeten tone dhe te te tjereve, sa “sypatrembur” jemi te hyjme ne rreziqe te dukshme per cdo njeri normal. Qe nga ata qe pijne e dehen deri ne 3 te mengjesit dhe pastaj hipin 20 veta ne nje barke qe mban vetem 6; qe nga ata qe pranojne te punojne ne mes te predhave e barutit pa asnje siguri teknike; qe nga ata qe kujtojne se qeverisin duke genjyer e mashtruar veten dhe publikun pa ju dridhur qerpiku fare; qe nga ata qe perfshihen ne korrupsione te gjithllojshme jo vetem pa i vrare ndergjegja, por edhe pa frike fare: qe te gjithe duket sikur ecin ne jete nen parrullen “Hakuna Matata!”

    Eshte kaq tragjike dhe kaq e pashprese kjo gjendje. Me kaq shume vdekje e tmerre qe degjojme cdo dite, mua nganjehere me duket sikur u shojten, u mbaruan shqiptaret.

  10. Kjo tendence e medias e pershkruar ketu, ne fakt nuk ndryshon aspak as nga CNN e as nga nje media ne bote!
    MEDIA e sotme kudoqofte, eshte comercializuar e tille, qe te rende drejt bombastikes dhe efektit boom!

    Kshu qe mua me duket mese “obvious” si sjellje, e nuk ia vlen te humbasesh kohe te merresh me kete

    Ajo qe duhet te merremi seriozisht eshte ajo qe Fatos Lubonja e analizoi shume mire ne shkrimin e tij, se ne Shqiperi keto nuk jane rastesi, po jane rezultat i nje mosekzistence te shtetit, i nje shteti dhe qeverie absolutisht korruptive!
    Jane rezultat i mungeses deri ne cmenduri te profesionalizmit, dhe pergjegjesise ne absolutisht te gjitha aspketet e jetes dhe teknologjise!!

    Dhe me vjen keq, ti Elegji, por padroni yt SALI BERISHE duhet e pakta te jape doreheqjen, dhe mundesisht te cohet ne gjykaten e Hages per krime ndaj popullit te tij!!

    Eshte e kote te filloj te numeroj se sa viktima te pafajshme ka shkaktuar ky gjakatar komunsit, si gjate ’97 edhe tani!

  11. Edrus, meqense permende endrrat e studentve te dhjetorit, dhe meqense eshte nje legjende qe risillet vazhdimisht, nuk me rrihet pa thene dy fjale.

    Ju edhe elita qe qe erdhi pas jush fatkeqesisht as nuk ja kishte idene e asaj qe kerkonin! Ishte vetem enderr. U vertetua kjo aq here sa dikush prej atyre studenteve pati rastin te drejtonte shtetin duke nisur nga Meta, Majko, Hajdari, Gonxhe, Peshkepia, dhe per te mos folur per ata qe ju mbeshteten juve qe ishte edhe kryeministri i sotem, ministrat e sotem e te djeshem e me radhe, elita e sotme dhe e djeshme. Ajo qe dua te them eshte se endrrat tuaja i dashur kane qene vetem endrra sepse ju nuk moret asnjehere mundimin t’i artikulonit. Personalidht per te qene i drejte me veten, mendoj se ishit te paafte. Eshte thjeshte nje brez i humbur dhe i deshtuar, fatkeqsisht jo per faj te te tjereve, por per faj te vet. Kam frike se po terhiqni kemben zvarre edhe per ata qe vijne pas jush. Lereni kete brez larg merive dhe cic-miceve tuaja, t’i shohi gjerat me gjakftohtesi dhe pa zira e me the e te thash. Ka nje tragjedi thellesisht shoqerore ketu te tipit te asaj qe pershkruan LG, dhe sinqerisht nuk mendoj se emocionet e teperta ndihmojne ndonje gram.

  12. Ju edhe elita qe qe erdhi pas jush fatkeqesisht as nuk ja kishte idene e asaj qe kerkonin! Ishte vetem enderr.

    C’elite ishte S. Berisha apo I. Meta kur i zgjodhi vete R. Alia?

  13. Gerdeci eshte aq rastesi, sa c’eshte rastesi djegja kur loz me zjarrin. Mund te ndodhte, mund te mos ndodhte. Ka nje kapitalizim te kesaj rastesie, nje perfitim te rastit arritur me nje guxim prej te marri qe ka shfaqur shoqeria shqiptare keto 18 vjet tranzicion. Piramidat ishin shfaqja ekzemplare e ketij guximi, Gerdeci po ashtu, nje rikthim i simptomes. E gjitha kjo, per mendimin tim, eshte filozofia e tranzicionit. Cdo moment kohor mund te konsiderohet si moment tranzicioni mes te shkuares dhe te ardhmes, dhe gjithsecili perpiqet te luaje rolin e protagonistit, me idene se duke vepruar sikur ky rol na perket, neser do te jete legjitim pretendimi ne status apo ne pasuri. E ardhmja, rezultatet, nuk dihen, rrjedhimisht rreziku maksimalizohet, me qellim qe perfitimi te maksimalizohet. Ne nje rrafsh llogjik, problemit te induksionit, i jepet nje zgjidhje paskaliane: “vepro sikur te besoje”, “vepro sikur nuk do digjeshim”, “vepro sikur nuk do plasi”, “vepro sikur nuk do vdesim”. Kjo filozofi e gjen shprehjen me perfekte ne fjalen e atij qe e luan me mire rolin e protagonistit. Nuk kam degjuar askend deri me sot pervec protagonistit me protagonist te teatrit te tranzicionit te thote maksimin e kesaj filozofie: “rrofte vdekja”. Behet edhe me i qarte gjesti bosh i “veprimit sikur” kur ky maksim shprehet sikur te ishte imitim ndaj pretendenteve te tjere per protagonizem, pasi nderkohe qe protagonistet imitojne protagonizmin, protagonisti me protagonist imiton imitimin.

  14. Ujku, Xha Xhai ka thënë një fjalë, që për mendimin tim modest, është koncentrati i koncentratit të të gjitha analizave të mundëshme që mund ti bëhet periudhës 17vjeçare dhe protagonistëve kryesorë:“Sikur të ishte kjo pjesë teatrale, do të kishte falimentuar prej kohësh, me aktorët të shurdhuar prej fërshëllimave të publikut.”… fatkeqësisht nuk e pashë as aktin e parë, sepse isha dhe e njihja “dramën” që në provën gjenerale (Me Azemin njiheshim sepse i kishim dhomat afër, godina 15 dhoma nr1, ndërsa me Salën jam takuar edhe vetëm 2 ditë para se të “arratisesha”)… dukej që s’ishin deshër për të mbajtur këmborën, por ecëm me shpresën që qe e keqja më e vogël pas atyre që do zëvëndësonin… dhe në fakt, asnjë prej atyre të dorës tonë nuk ndenji më tepër se 6 muaj në Shqipërinë “demokratike”… sepse ishte e pamundur që të kërkoje të kontribuoje akoma më tepër kur në vënd të atyre që kishin mënd në kokë për të punuar e drejtuar, Saliu preferoi ata të hurit dhe litarit, të fortit e lagjes… dhe në fund të fundit, urtësia popullore e ka thënë me kohë: “Më thuaj me kë rri, të të them se si je”, dhe Saliu nuk preferoi inteligjencën, nuk preferoi kulturën, nuk preferoi as dhe një ideollogji çfarëdo, Ai preferoi njerëzit e hurit dhe të litarit 🙁 dhe është shumë e paarsyeshme të kërkosh që të diskutosh me njerëz të tillë.

  15. Kreshnik, njerzit ne pushtet emerohen. Sic u emerua Nano, sic u emeruar Rama, sic do emerohen ata qe do vijne pas tyre, po nga radhet e tyre. Le te mos shohim endrra me sy hapur, se jemi ne qe i zgjedhim ata.

    Nderkohe, le te fshihen elitat e postkomunizmit – te emeruara dhe te paemeruara – pas Saliut sa te duan (apo me keq pas Ramizit), dhe t’ia hedhin atij te gjitha fajet. Nuk kam asnje problem. Por per mua mbeten po njesoj te deshtuar.

    Ajo qe kam problem eshte se keto elita nuk kane artikuluar ne asnje moment si te nevojshem ndonje vizion kapitalist apo demokratik te shoqerise, dhe as e kane bere kete thelbin e ekzistences se tyre, por jane pre e rastesise, sic eshte edhe ky rasti me flagrant.

    Fershellej sa te duash elitat Edrus, ne emer te “endrrave” te parealizuara. Shoqeria nuk eshte vetem teater. Eshte pergjegjesi e gjithesecilit kundrejt kesaj shoqerie. Eshte kaq e thjeshte po edhe kaq e komplikuar. Fershellimat tuaja sa shtojne konfuzionin, ne debatin qe duhet bere per idete. Sepse jane idete dhe vizionet qe formulojne konceptet baze te nje shoqerie, dhe jo aktoret ne skene.

  16. Edrus/ Vlora Perle,
    Dikush qe kritikon apo ka nje mendim ndryshe nuk do te thote se 1. Ka bere feste per kete tragjedi dhe 2. Eshte nen patronazhin e Berishes. Nuk arrij ta kuptoj pse ajo qe thashe automatikisht duhet t’i perkase nje kundeshtari.

    Me c’logjike arritet ne keto perfundime?

  17. Elitat, pasja apo mospasja e tyre jane e keqja me e vogel qe ka ai vend.
    Edhe klasa politike po ashtu.
    Kjo sepse shteti as ka nevoje per ta, as i perdor ata, as i hedh e as i ngre. Sepse shteti nuk ekziston. Ai eshte si nje ritual gati fetar, mistik qe bejne njerezit, sepse realisht nuk ka asnje vlere praktike.
    Cfare u ofron shteti njerezve?
    Cfare i ofrojne njerezit shtetit?
    Pervec mungesit reciprok te respektit, te shprehur kudo qe te jete e mundur, pak gje tjeter ose aspak.

    Elitat dhe klasa politike jane aty diku midis, si ingranazhe te njejtes makine.

  18. “Ajo qe kam problem eshte se keto elita nuk kane artikuluar ne asnje moment si te nevojshem ndonje vizion kapitalist apo demokratik te shoqerise, dhe as e kane bere kete thelbin e ekzistences se tyre, por jane pre e rastesise, sic eshte edhe ky rasti me flagrant.”

    Aq e vertete kjo qe thua Ujk, sa nuk e luan as topi (no pun intended). Bej c’bej, i kthehem dialektikes forme vs permbajtje. Ajo qe nuk eshte artikuluar, si veren ti me te drejte, eshte gjestikuluar aq shume, sa qe e vetmja gje qe ka mbetur eshte nje memorie siperfaqesore formale. Besimi se demokracia eshte rruga e drejte, eshte nje besim siperfaqesor ne forme, por jo ne permbajtje. Aq sa demokracia ka perfunduar vecse nje ene balte athinase, dhurate nga Sali Berisha, te cilen e mbajme bosh per bukuri, per ekspozim. Njesoj si ne rastin e Marksizem-Leninizmit, ku forma humaniste e kesaj filozofie nuk u mbush kurre me pergjegjesi gjate 50 vjet komunizmi, edhe keto 18 vjet, vazhdon performanca ritualistike e baletit formal, “lip service” ndaj formes, nderkohe qe ena e baltes vazhdon te qendroje bosh.

  19. @ Ujku kur thua:”Fershellimat tuaja sa shtojne konfuzionin, ne debatin qe duhet bere per idete. “, harron një detaj të vockël i dashur: Fërshëllimat që përmëndja më sipër nuk ju drejtoheshin debatuesve të ideve, por aktorëve të politikës shqiptare në këto 17 vjet (pa dallim rrace feje dhe krahine), ndoshta ata politikanë ju kanë ofruar për debat ide interesante për shijet tuaja, por duke konstatuar aftësinë tuaj të gjykimit, e gjej të vështirë që të kini gjetur ide të tilla nga politikanët (natyrisht, përjashto pentium 4 dhe i euro 🙂 ).

    @ Elegjia, besoj se je i njëjti me Elegjinë që në komentin e tij shkruan:
    Eshte nje zi fiktive, infantile dhe mbi te gjitha infektive (nëse ke kaq alergji për zinë, sipas teje ç’duhet të mendoja?- indiferencë : JO, sepse një diskutim i tillë, duke parë komentet do të thotë se ju intereson, atëhere bëra dy llogari: Zi-JO, indiferent- Jo… ndoshta ja kam futur kot që thoja se ndoshta paske bërë festë ).

    S’po them gje pastaj per zevendesimin apo shoqerimin e flamujve me foton e Berishes. dhe këtu, nuk më duket se e futa unë në valle Berishën, por për një gjë jam i sigurtë: në asnjë moment nuk ju kam konsideruar as si kundërshtar dhe as ju kam etiketuar si i këtij apo atij, kujtoja se po bënim muhabet thjesht për të shprehur opinione dhe shkëmbyer informacione, por më vikërka keq që më paske keqkuptuar.

  20. Edrus, kam respekte per ty, por ajo puna e flamurit me le pak dyshime. Ai nlogu Berishaik…me dha nje shije te keqe. Nuk kam shume dashamires i politikes dhe i politikaneve sepse i konsderoj gjithnje si kriminele te lire, te mbrojtur nga ligji qe ata vete krijojne, por ama zgjidhen nga populli dhe duhet t’i pergjigjen. Tu e di qe keto histori jane tragjedi dhe ndodhin nga mospervoja, nga ritmi i trashe i disa bizneseve qe behen milionere me punen e grave apo te fshatareve qe sot nuk mbjellin me domate e tranguj por shkojne te çmontojne mina, predha etj… Para nje viti, tek Politeknikumi u rrezua nje mur, firma e ndertimit jo serioze! E pastaj? Vdiq nje djale i ri. Ketu problemi eshte i zingjirit qe jep leje dhe liçenca per kryerje detyre. Nuk e kuptoj kete tragjedine e Gerdecit per ta ngaterruar me meri politike qe disa kane me Salen. Ai nje dite do vdesi, natyrshem si te gjithe ne, dhe shpresoj qe historia do e prezantoje me denjesisht figuren e tij. Ndoshta brezat e ardhshem, femijet tane do te kene mundesine ta njohin historine e vendit te tyre. Keta politikanet e sotshem qe perfitojne, nuk mendoj se jane te denje per nje pergezim popullor. Ti merr rastin shembullor (?) te Prodit. AI doli para seputeteve dhe i kerkoi ndihme (?). Ato nuk e ndihmuan dhe ai doli nga dera ku kishte hyre. Dhe jemi ne Itali. Ne SHqiperi s’eshte e njejta muzike. Rama kerkon doreheqjene e Bersishes. Per çfare? Per te hapur edhe njehere merite? Prandaj mendoj se e majta duhet te punoje me dore ne zemer ne rradhe te pare. T’i japi ndihma dhe zemer atij popull dhe jo t’i pervishet disa manovrave te rrezikshme.

  21. Edrus, kritika ime kishte te bente me pozicionin moral qe “Dhjetoristet”, por edhe te tjere, marrin automatikisht, dhe references se vazhdueshme tek ai moment. Nuk eshte faji im qe ti identifikohesh me te sa here qe fershellen. Por sic e thashe edhe me siper, pervecse enderr, asgje nuk eshte reale ne te sepse nuk eshte artikuluar kurre. Eshte shume kollaj te thuash se e ka fajin politika, qe nuk mbeshtetet tek “intelektualet”, por tek “llumi” i shoqerise. Po e marre per te vertet, megjithese dyshoj ne te sepse ata intelektuale qe “u perjashtuan” e paten rastin me vone te tregonin kush ishin.
    Por dua te bej nje pyetje te thjeshte; a ka kapitalizem demokratik pa kapitalist qe njohin shume mire te dyja, demokracine dhe kapitalizmin? Intelektualet tane nuk e njihnin kapitalizmin, dhe nuk moren mundimin ta njihnin sic duhet – se mbase shume gjera mund te ishin me te lehta – por me duket se i rane shkurt ashtu sic thote Luliani.

    Ne kemi dale nga nje shoqeri feudalo-komuniste, fale edhe dhjetoristeve, por nuk jemi shkeputur nga ajo. Shqiptaret kane qene te detyruar te jetojne ne keto dy dekada ne nje bote me te cilen nuk kishin asgje te perbashket.
    Por elitat shqiptare u ofroi atyre modelin e kapitalistit Delijorgji, Kokedhima, Doshi e ku e di une se c’fare, dhe kurre se vrau mendjen. A thua se mjaftojne vetem parate dhe kodoshlleku per te qene i tille. Eshte ai model qe shkakton tragjedi te tilla. Edhe ka per te sjelle te tjera, sepse nuk eshte veprim koshient – eshte ne natyren e tij. Keto jane kambalecat qe mbajne ne kembe politikane te korruptuar.

    Dhe nese dike e genjen mendja se me fershellima mund ta shembi kete sistem feudal, sic rrezoi dekorin e skenes se tij dikur ne dhjetor, le te vazhdoje. S’jane as te paret e as te fundit adoleshente te perjetshem.

  22. Per çfare? pyet Arsye. Arsyeja eshte e thjeshte. Gerdeci po nxjerr ne shesh pislliqet korruptive te ministrise se mbrojtjes dhe Sali Berisha, i cili ka ardhur kryeminister i vendit me premtimin se do e pastroj Shqiperine nga korrupsioni, thote se nuk di, nuk njeh korrupsionin qe ka poshte hundes. Nuk te duket normale qe me kete deshtim te vije doreheqja? Pse qenka Rama qe i shton merite dhe jo Berisha duke mos dhene dorheqjen? Shume kollaj fajesohet opozita ne Shqiperi, nga te dyja palet. Eshte pikerisht shembulli protagonist i mungeses se pergjegjesise kjo. Per cdo gje e ka fajin “tjetri”.

  23. …Sot eshte ditelindja ime..ka dy ore qe mbusha 30vjeç

    Nuk kisha deshire te festoja..i kisha ngulur syte televizionit duke pare nje seance te turpshme plenare, nje seance qe zgjati disa ore, nje seance qe sincerisht ma preu oreksin, po shikoja dhe njehere se niveli i parlamentareve tane ben qe dhe ne momente te tilla nuk dine te mendojne perveçse per karrike..

    Pashe nje seance plenare ku opozita klithte per pushtet

    Pashe nje seance plenare ku opozita mohonte pergjegjesite

    Pashe nje seance plenare ku i vetmi qe me beri te mendoj se i kishte merituar votat ishte nje deputet shqiptar i kombesise greke..I vetmi qe tha se kjo politike duhet ti kerkoje falje popullit shqiptar

    Duhet medituar

    Po te tjeret ku jane …

    Kur do rriten politikanet tane ..

    Jam e trishtuar teksa e ndjej veten kaq te pafuqishme ndaj nje realiteti te tille

    nje gje eshte e sigurt se vota ime heren tjeter nuk do i perkase atyre qe pashe sonte
    Abstenim mbase kjo fjale e shkruar me te madhe ABSTENIM
    Duhet te themeloje OJQ e pare shqiptare ku te gjithe te solidarizohen dhe te denojne kete klase politike..ne nuk i meritojme keta njerez Te djathte e te majte qofshin

    Jane njesoj dhe Gjinushi ne qender me Ndoka e kompani u vene kapakun !!

    Keta njerez ecin ne karrieren e tyre politike duke mohuar te kaluaren, keta njerez me bejne te kem turp, keta njerez me bejne te mos kem deshire, keta njerez patetike me bejne te urrej, keta njerez ta paafte me bejne te kthehem ne “State of Nature” aty ku te pakten njerezit ishin te vetedijshem se ligjet nuk egzistojne dhe jetonin ndershmerisht nje liri shtazarake, te pakten atehere ata nuk pretendonin te ishin ndryshe..ndersa ketu ne jemi zhytur ne hipokrizi..jemi bere mutante gjenetik te nje lloji tjeter me duket
    Po ç ’emer te meritojme valle??

  24. arsye shkruan; “Prandaj mendoj se e majta duhet te punoje me dore ne zemer ne rradhe te pare. T’i japi ndihma dhe zemer atij popull dhe jo t’i pervishet disa manovrave te rrezikshme.”

    @arsye,
    Ne kete thenje me siper c’do gje nuk e gjene, por ajo ka me bollek frik me “arsye”

    Mendoj…, dhe del Luliani para, me:
    “Shume kollaj fajesohet opozita ne Shqiperi, nga te dyja palet. Eshte pikerisht shembulli protagonist i mungeses se pergjegjesise kjo. Per cdo gje e ka fajin “tjetri”

    Luliani ka c’do gje, me te “pa drejte” ka edhe frike nga mungesa e frikes tek njerzit kur flet per pergjegjesi nga sejcili.

  25. Ujku, nuk e di nëse më keni keqkuptuar apo vazhdoni të përdorni shëmbullin e dhjetoristëve për të pasuruar konceptin tuaj për apatinë e forcave intelektuale sot ashtu si atëhere (dhe për këtë jam dakort me ju), por unë i përmënda studentët e dhjetorit, thjesht për utopinë e tyre, gjë që u përgënjeshtrua dhe u shkel me këmbë nga faktet gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e forcave politike të konsideruara të reja, burrërore, të ndershme etjetj.
    Nëse vërtet mungonte eksperienca e aktorëve të politikës atëhere (bile, dhe tani), kjo s’do të thotë se duhet të ngelemi një 50 vjeçar tjetër të drejtuar prej kësaj klase politike… thjesht deri sa të bëhen të zotët në temat e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut.
    Nëse sot, kur kemi një demokraci që na ka dhënë të drejtën e fjalës tregoni që ka njerëz akoma më të zotë (dhe që ka të tillë, diskutimet virtuale, qoftë dhe këtu me ju, bëjnë që të njohësh njerëz që kanë shumë shumë më tepër se klasa egzistuese politike që në drejtimin e shtetit nuk ka vajtur për zotësi, por sepse është partizan i njërit apo tjetrit, sepse ka premtuar miliona në emër të afereve që do të ketë akoma më tepër, që… që etj etj

  26. Mbreme pashe nje seance te turpshme plenare

    Opozita kerkonte karrike

    Pozita mohonte pergjegjesite

    I vetmi qe kerkoi falje popullit shqiptar ne emer te politikes shqiptare

    Ishte nje deputet shqiptar me kombesi greke, Z DULE

    Te meditohet …jemi vertet per ta ardhur keq

  27. Rastësisht jam në Tiranë për arsye private dhe përpara një jave e dëgjova zhurmën e shpërthimit në guzhinën e apartamentit ku po qëndroj, i cili është afër liqenit artificial. nuk dua t’i humbas kohën kërkujt me lajmë që përmbajnë në thelb përvoja personale, pasi pa dashje mund të rrëshqas edhe unë në pozicionin e dikujt, i cili ofron informacion autentik sensacional nga vëndi i ngjarjes; po mbetem thjeshtë tek përshtypjet e përgjithshme, të cilat mund t’i kishte mbledhur dot kushdo.
    Në Shqipërinë e sotme jeta e njeriut nuk ka vlerë, ashtu sic nuk ka patur vlerë as dje në kohën e diktaturës komuniste, apo ashtu sic nuk ka patur vlerë asnjëherë në sisteme autoritare osmane apo staliniste. Me një fjalë shtetasi shqiptar mund të vdesë gjatë arritjes së interesave ekonomike të një pjesë të caktuar të elitës politike dhe nuk egziston një automatizëm, që dikush të duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë. Mungesa e vleftës së jetës së njeriut nuk vihet vetëm re në mënyrën si veprojnë pushtetarët me popullin por edhe si e tregëtojnë mediat ketë që ndodh me njerëzit dhe Xha Xhai e spjegon shumë mirë më lart, se sa e tepërt është gjithë kjo maskaradë.
    Se sa pak ka vleftë jeta e njeriut dua ta spjegoj me një eksperiencë personale të ditës së djeshme (sic duket nuk e shmangkam dot këtë). Dje në tiranë u krye një marshim proteste i dhjetra mijra qytetarëve të heshtur kundër predhave dhe pro barutit. Mendja ma tha se atje duhej vajtur dhe kështu i mbusha mëndjen edhe sime motre që jeton në Tiranë, qytetare relativisht e sqaruar, me ndërgjegje të lartë civile, e cila përpara dhjetë vjetësh kur hoqi dorë nga interesimi për politikë mori një qen dhe thotë se është një milion herë më e lumtur të flasë me qenin e vet, se t’i kushtojë qoftë edhe një sekondë të vetme politikës në Shqipëri. Motra për të mos më prishur qejfin tha se do të vinte me mua dhe kështu shkuam. E vërtetë, ishin disa dhjetra mijëra njerëz, të gjithë partiakë të së majtës dhe aktivistë apo simpatizantë të saj. Unë nuk njoh më njeri në Tiranë, por ajo që njihte i çuditi të gjithë ata që e panë, sepse ashtu e papolitizuar sic ishte në këto 10 / 15 vjet papritur u shfaq në një aktivitet, i cili do të duhej të ishte civil dhe i përgjithshëm, por në fakt ishte perceptuar vetvetiu si partiak. Se ku ishin studentët e atyre qindrave universiteteve të Tiranës, një zot e di. Interesi publik dje në Tiranë ishte kryesisht për të protestuar kundër Berishës dhe jo kundër armëve. Unë nuk pata përshtypjen këto ditë se ne Shqipëri dikush vertet u trishtua me ç’ndodhi.
    Kërkoj ndjesë për gabimet e shtypit, në Tiranë është e vështirë të gjehet një Internetkafe, ku gjërat funksionojnë normalisht.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: