RITE TË IKJES

Në qoftë se në demokraci pushteti i përket popullit, do të preferoja një regjim të mbështetur në Ligjin.

Mbi sovranitetin e ligjit do të themelohej dallimi midis popullit dhe turmës, logjikës dhe emocionit, autoritetit dhe abuzimit, disiplinës dhe linçimit.

Në shprehjen “Berisha ik!”, prapa zemëratës të të gjithë atyre që u është neveritur korrupsioni dhe inkompetenca e administratës së PD-së, gjej gjithnjë diçka nga entuziazmi i rrugaçit që e realizon vetveten në shembjen, shkallmimin, përmbysjen dhe valëvitjen e një lecke ekstreme çfarëdo mbi gërmadhat tymuese.

Një shpërthim jo më pak dëmtues se Gërdeci vetë.

Sikurse gjej edhe besimin, jashtëzakonisht optimist, se fatet e kombeve i përcaktojnë njerëzit që u dalin zot, për t’i udhëhequr drejt majave ose humnerave, sipas rastit.

Në shprehjen “Berisha ik!” gjej ngushëllimin që ofron një formulë praktike, së cilës mund t’ia ndryshosh vetëm elementin e parë, si të ishte shifër në një kombinacion primitiv dryni: dje Nano, sot Berisha, nesër me siguri Rama.

Sikurse ndiej besimin e dëshpëruar të kujt i sheh politikanët si të parashutuar në krye të Shqipërisë nga ndonjë fuqi jashtëtokësore; si njerëz që i përkasin gjithnjë atij grupit “tjetër”, i cili nuk e meriton ekzistencën krahpërkrah tonit.

Të kujt harron, për një çast, që demokracia i ka dhënë privilegjin t’i votojë udhëheqësit e vet; sikurse të drejtën për t’ua çmuar autoritetin atyre që ka votuar.

Të kujt është mësuar, prej shekujsh, t’i bindet një fuqie absolute, të papërballueshme, pingule, me çizme plumbi; e që ka aq pak respekt për veten, sa nuk i nderon dot ata që e përfaqësojnë.

Të kujt demokracia i ka mbetur në dorë.

Në shprehjen “Berisha ik!” gjej orvatjen patetike të ekzorcizmit, ose shpresën se e keqja mund të dëbohet tutje nëpërmjet një formule yshtëse sa të shkurtër aq edhe të qëlluar.

Forcimi i shtetit ligjor, pavarësia e gjyqësorit, kultivimi i institucioneve, nderimi i dinjitetit, ambientimi me pabarazinë – të gjitha këto lypin kohë, mund dhe virtyt qytetar; përkundrazi, “Berisha ik!” kërkon veç gurin, dorën dhe dritaren.

Pa përmendur pastaj që Berisha vetë, sikurse Nano para tij, është produkt besnik i sistemit; dhe që sistemi i dorëzimit, mirëmbajtjes dhe ushtrimit të pushtetit në Shqipërinë e sotme është i tillë, që veçse përfton figura politike të cilat pastaj nuk i shmangen dot dështimit.

Në shprehjen “Berisha ik!” gjej manovrën e hardhucës për të shpëtuar kokën duke këputur bishtin; ose ballastin që të gjithë duam ta hedhim tutje, për ta lehtësuar sado pak aerostatin e shpuar të shtetit.

Prej vitesh jemi mësuar me idenë se demokraci do të thotë që drama e politikës totalitare të shndërrohet në farsë telenovelash; frika e djeshme në autorizim për t’u shprehur publikisht me pështyma; lakuriqësia e djeshme në karnaval të pandalshëm.

Mos vallë më pas do të na duhet të mësohemi me idenë tjetër, se demokraci do të thotë që, kur maskarenjtë nuk druhen më prej teje, je ti që duhet t’u druhesh maskarenjve?

Prej vitesh mediat na kanë mësuar me idenë se gjithçka në politikë është politikë kuadri; prandaj bëjmë sikur nuk e kuptojmë se lojën e kujt luajmë, kur presim në radhë, me stilolapsin gati, të nënshkruajmë peticionet për ikje e për mjaft, thirrjet për shporrje, apelimet për heqje qafe, ftesat për zhdukje.

Vetëm sikur, vetëm sikur Berisha i maleve të mund ta riprodhonte Gërdecin së prapthi, ta mblidhte tymin në thes, e të kthehej në shpellën e vet në Tropojë, për t’i groposur tym e thes ritualisht…

Si të mos gjesh, pastaj, në shprehjen “Berisha ik!” dëshirën sekrete të shqiptarit për t’i ikur të sotmes, mundësisht strukur e rrasur në të njëjtin thes?

 

14 Komente

  1. “…“Berisha ik!” dëshirën sekrete të shqiptarit për t’i ikur të sotmes, mundësisht strukur e rrasur në të njëjtin thes?”

    Jo! Them; ik nga vetja, nga qeverria, pushteti i jetes sime te ligjeshme. Je i pa ligjshem, me ato ligje, perfshi edhe ato te pa shkrua. Eshte tjeter pune se sa e ligjeshme eshte jeta ime.
    Lexoj…dhe shume nga mendimet e shkrimit me siper ilustrojne ngjarjen rreth nje boshti te quajtur “Ligji” qe me duket se trajtohet ne shkrim si edhe ne realitet ne sferat imagjinare. Imagjinata s’i mungon edhe atij qe nderton ligjin, per ironi e di ligjin “ai”, shumicen e rasteve vetem ai qe shkruan ate. Ndersa dikujt i mungone njohja e ligjit te shkruar, dikujt tjetri i mungone mundesia e ndalimit te aplikimit te ligjit te pa shkruar. Dhe grusht bashkuar goditen mes tyre, duke lene gjurme tek njeri tjetri nga ato qe bejne shume te “tjere” te maten kur kane te bejne me “Ne”

    Pyet Xha Xhai:
    “Mos vallë më pas do të na duhet të mësohemi me idenë tjetër, se demokraci do të thotë që, kur maskarenjtë nuk druhen më prej teje, je ti që duhet t’u druhesh maskarenjve?”

    Pergjigjen ta jep thirrja: Berisha ik!

  2. Po çfarë do propozonit ju Xha Xha? Të rrijë Berisha dhe mos t’i dridhet qerpiku?

    Lexoj dhe unë pas asaj thirrjeje shumëçka lexoni dhe ju, por kjo s’më pengon të ndihem brënda çdo standarti demokratik e njerëzor nëse kërkoj që Berisha të lëshojë karriken dhe imunitetin.
    Sepse unë besoj se vlerat në Shqipëri duhet të ndryshojnë. Duhet të jetë “mirë” të jesh i ndershëm dhe i përgjegjshëm, dhe “keq” të jesh i korruptuar. Dhe që të ndryshojnë ato vlera duhet të ndryshojë herdokur mënyra sesi trajtohen përgjegjësit.

    Është trishtues fakti si Rama dhe shokët e tij gëzojnë heshtazi për tragjedinë që vuri Berishën në buzë të rrëpirës. Kjo s’më pengon të dua të iki ai dhe ti lëri vëndin dikujt tjetër.
    Sepse unë besoj se ka njerëz që mund ta bëjnë punën e Kryeministrit, nëse kjo vërtetë është punë dhe jo titull.
    Një politikan duhet të dijë që s’ka të drejtë gabimesh të tilla. Ndryshe, çdo tragjedi do të kthehet në telenovelë, ku secili ka të drejtë për një shanc të dhjetë.

  3. Forcimi i shtetit ligjor, pavarësia e gjyqësorit, kultivimi i institucioneve, nderimi i dinjitetit, ambientimi me pabarazinë – të gjitha këto lypin kohë, mund dhe virtyt qytetar; përkundrazi, “Berisha ik!” kërkon veç gurin, dorën dhe dritaren.

    Forcimi i shtetit ligjor do edhe kohe edhe KOLONI xhaxha. Teza ime eshte Schumpeter-iane. Shqiperia ka nevoje per nje shkaterrim krijues. I duhet vene flaka. Me mire prej nesh se prej Grekerve si Deli-jorgos

    P.S. ‘deli’ dikur ne Osmanllik ishte nje ushtar i parregullt qe i bashkangjitej ushtrise vetem per placke

  4. Alegorite, krahasimet dhe metaforat jane aq te shumta, aq te larmishme, dhe aq te qelluara te gjitha, sa qe e kupton qe kjo puna e ekzorcizmit, apo e demonizimit te Berishes, eshte “larger than life”. Berisha, demon a vampir i pavdekshem qe e kemi ftuar vete ne shtepi, apo jo, Ai eshte me i madh se vete jeta. Eshte kudo ne perurime, kudo ne ankesat e popullit per korrupsion, e merr vete persiper t’i pergjigjet popullit ne linjen direkte me kryeministrin, kudo ne televizor, ne cdo ministri eshte ai qe eshte i pari, ministrat nderrohen nga kater pese here, Ai mbetet aty, Ai cakton detyrat, Ai cakton pergjegjesite, Ai pret garat me makina, 50 cent, Pitkinin, Ai eshte kudo, kurdo, ubik, Ate marrim fryme dhe ate nxjerrim fryme, Ai eshte me shume se demon, Ai eshte Zot, i pergjegjshem per gjithcka, por edhe kjo nuk eshte sfera e tij e vetme, Ai eshte i papergjegjshem per gjithcka, Ai i di te gjitha dhe nje kohesisht nuk di asgje, Ai eshte universi.

    Ik? Nuk mjafton. E si mund te mjaftoje, si mund te iki universi nga universi?

    Ritet e ekzorcizmit jane performanca e demokracise perfaqesuese. Prifterinjte e vetem qe kane sekretin dhe pushtetin per te performuar nje ekzorcizem jane vete demona te nje lloji tjeter, edhe me te rrezikshem, jane kryetaret e opozites. As ata nuk do te ikin kur Tirana te digjet se nuk mund te hyje zjarrfiksja. Edhe ata jane me te medhenj se vete jeta. E ke thene shume mire Xhaxha, eshte dopjo gjashte demokracia perfaqesuese.

    Me 3 milion qe ka Shqiperia, nuk do ishte shume e kushtueshme, perkundrazi, do kishte avantazhe shume te medha, ne qofte se do eksperimentohej dhe te funksiononte demokracia direkte. Eshte folur shpesh referendumi ketu, dhe besoj se me pese deri ne dhjete referendume ne vit, do funksiononte me se miri, ky sistem qeverisjeje. Eh, perralla utopike!

  5. “Forcimi i shtetit ligjor, pavarësia e gjyqësorit, kultivimi i institucioneve, nderimi i dinjitetit, ambientimi me pabarazinë – të gjitha këto lypin kohë, mund dhe virtyt qytetar;”

    Xha Xha, vërtet që lypet kohë, por nuk besoj se “manovrat” politike shqipëtare të këtyre viteve të fundit mund t’ju kenë lënë shijen se diçka po lëviz në atë drejtim… bile, Gërdeci nxori nga krateri i tij shumë gjëra që bijen ndesh me atë që ne vërtet prisnim nga një shtet.
    Përse në ndonjë rast terapia e shock-ut (shkatërrim) është e nevojshme për tu shkëputur nga errësira, ndërsa në raste e “ftesës” IK është rrugaçëri?

    Gërdeci, sidomos sot pas një jave, është provë e fallimentimit të politikës dhe politikanëve shqiptarë (nënvizoj sërish: pa dallim rrace feje dhe krahine)… TË IKIN !

  6. ORE TE IKIN. Shkurt e shqip. O do mesojne te behen ata politikane ose ne do mesojme te behemi popull.
    Nuk ben edhe tjetri qe do vije, TE IKE edhe tjetri.
    Ketu nuk mban me e nuk behet. U vume ne gjume letargjik gjithe kete kohe. Rrugace ata, rrugace ne. Vjedhin ata, me dhune do i perzeme ne. Kjo fatkeqesi na ka zene deren. Nuk kemi c’te bejme. Per filozofi ska vend.

  7. Shqetësimi që kam unë është se ne vazhdojmë të kujtojmë se mund t’u japim zgjidhje krizave të njëpasnjëshme duke ndërruar njerëzit në krye; edhe pse ky ndërrim marramendës kuadri nuk i prek asgjë sistemit, meqenëse kryhet brenda sistemit vetë. Katastrofa në Gërdec ose do të trajtohet nga drejtësia, për të kuptuar se çfarë ndodhi pikërisht dhe për të gjetur fajtorët e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë; ose do të shndërrohet në katastrofë për krejt shtetin shqiptar, dhe këtu nuk e kam fjalën për PD-në, Berishën dhe Ramën. Problemet e administratës Berisha janë pak a shumë të njëjtat me ato të adminstratës Nano që i parapriu, megjithë disa nuanca dytësore (p.sh. Nano perceptohej si më i korruptuar, Berisha si më autoritar). E keqja, në të vërtetë, siç e tha edhe Ujku i Zi në një koment për “Ritet e frikës”, është se ne kemi instauruar një sistem i cili jo vetëm prodhon kriza, por edhe nëpërmjet krizave riprodhohet; dhe ku besimi i njerëzve në politikanët ka rënë praktikisht zero, madje aq fare zero sa askush nuk habitet që ky apo ai qeveritar po vjedh me të dy duart, ose e ka shndërruar ministrinë ose drejtorinë e vet në një fabrikë nepotizmi ose bordello ose bordello për nipat e vet. Korrupsioni, me fjalë të tjera, ka zënë vend në kulturën e publikut për demokracinë. Askush nga mediat, politikanët lokalë, deputetët e zonës, shoqëria civile, OJQ-të, Mjafti, mediat, mediat alternative, sindikatat, vëzhguesit ndërkombëtarë, Europa nuk u kujtua të ngrejë zërin e të thotë diçka për pisllëqet që i bashkëlidheshin tregtisë së armëve dhe dekomisionimit të municioneve të vjetra; as për kushtet e papranueshme të punës; as për punëtorët që nuk kishin marrë kurrfarë trajnimi profesional – sa kohë që Gërdeci nuk kishte shpërthyer akoma. Ishte dështimi i të korruptuarve, jo korrupsioni vetë, që i nxori turmat shesheve; thuase revolta i kërkon sistemit të nxjerrë në krye të korruptuar më eficientë.

  8. kembengul xha xhai duke shkruar:
    “Ishte dështimi i të korruptuarve, jo korrupsioni vetë, që i nxori turmat shesheve; thuase revolta i kërkon sistemit të nxjerrë në krye të korruptuar më eficientë.”

    Dhe mendoj se ashtu ndodh, por c’do variant qe trajtone ceshtjen ndryshe nga dinamikat qe po e mbajne gjalle ate i shtone vlera, teori interpretuese ketij fenomeni korruptive, qe do lene pa fryme, atje ku eshte, me gishtin, doren apo gjith trupin zbuluar. Gerdeci ben “Mu”. Shife si te duash teorikisht, llogjikisht, nuk mbane me. N.q.s. ka akoma ne ndershmerine e kujtedo do te kerkoje te investohet ne raport me vendimet qe merren nga te dy palet (popull-zyrtare dhe ligj)
    Ne demokracite e Evropes, nuk zhduket korrupsioni, por sofistikohet, bashke me jeten dhe ligjet e gjithe jetes se drejtesise.
    Ajo (korrupsioni) qe ka radhen te reabilitohet nuk duhet te jete ne nje front me ate (drejtesi) qe reabiliton.
    Iluzioni shoqeron c’do faze dhe fenomen te korrupsionit dhe drejtesise, duke mos e bere te lehte te thuash se kush eshte c’fare, duke i lene rruge nje varianti qe s’bene ndryshe, por vetem me helem nga vetja e tij te sherohet e keqja.
    Anarkia eshte ne c’do hap te shoqerise, ne dozen e saj. Jo gjithnji ajo ka rastin te aplikpohet me forc, si kete rast.

    Jane konsumuar mundesite klasike te paleve protagoniste kundershtare ne skenen politike, ka ardh kohe te aplikohet ligji i pa shkruar; Te ulerish, e nxierresh dhimbjen, te prishesh sistemin e referimit qe ka formen e te ndenjurave te pushtetareve, duke mos u mbeshtetur ne asnje menyre ne ligjet e shkruara, perkundrazi ne ato te pa shkruara, dhe kjo nga natyra vete anarkiste s’eshte burokrate, qe te kete frik dikushe se do zevendesoje burokratikishte sistemin e ligjit. Jo!
    Njeriu (shoqeria) nuk duhet te perdori ulerimen si nje mjet te mesuar, por si nje forem instiktive qe flete me zerin e asaj ne kohen e saj, qe tani ka prekur atje ku s’mbane me (ligj), sepse ligji eshte i vetmi shteg qe bene korrupsionin te vazhdoje.

    Me keq ardhje , por pa komplekse, njerzit duhet te ulerijne dhimbjen, duke e nxierr nga sistemi, per zgjim te vetes se tyre, qe bejne pjese te gjithe(me te akuzuar dhe akuzues dhe ligje e drejtesi)

  9. Xha Xha, arsyeja ndoshta ta do t’i thuash ato qe thoni ju ne shkrim – permbajtja pas ligjit dhe civilizimit. Por edhe legjitimiteti i ndjenjave dhe realiteti i liderit, qe e pershkruan aq bukur Luliani, ta do te thuash IK. Por kuptohet ne keto momente ndjenja eshte ku e ku me e forte se arsyeja, dhe per kete duheni ju.
    Nderkohe ne debatin tek tema tjeter, shkrimi “Ritet e frikes”, megjithese u tregova i padrejte me Edrus, dhe per kete i kerkoj falje, e perdora ate qe ai konsideronte si nje vlere morale te levizjes se Dhjetorit per te ilistruar nje moment qe mendoj se eshte i rendesishem, dhe qe e preket dhe ju ne komentin 7. Po e them edhe njehere se levizja Dhjetoriste megjithese levizje e respektueshme qytetare dhe intelektuale, e ndryshme p.sh. nga 97-ta, nuk arriti ,ose u provua se nuk formuloi ide koherente per demokracine, tregun, apo sistemin ne teresi. I kemi diskutuar edhe me pare disa nga keto probleme, sidomos ato qe kane lidhje me elitat ne temat per Kosoven. Pra ndryshimin nga nje sistem ne tjetrin e bejne elitat, po t’i referohesha perseri Habermasit.
    Ajo qe shoh une si mundesi eshte qe nje ngjarje aspak e rastesishme sic eshte ajo e “Gerdecit” te kerkoje si domosdoshmeri nje ndryshim elitash. Elita qe do duhet te ridimensiononin konceptet morale, politike, qytetare, ekonomike dhe me radhe. Sepse nese nuk kane keto lloj ambiciesh as qe diskutohet se kane per te deshtuar.
    Ceshtja e elitave eshte shtruar nga Lubonja ne mos gaboj dicka para dy vjetesh. Problemi eshte se Lubonja dhe te tjera elita qe kane kapur dimensionin shoqeror qe pershkrova me lart (moral, politik e qytetar) jane jashte sistemi. Tregtaret e ndershem jane te mundur para Dlijorgjeve. Edukimi dhe trajnimi dhe te tjera vlera, jane thjeshte pa vlere.
    Nderkohe keto elita as qe mund te pretendohet te bien nga qielli, por nje veshtrim i vemendshem te tregon se ka dy grupime kryesore, nese do perjashtoja ato elita qe Xha Xhai me te drejte i konsideron “politike kuadri”. Nga e majta sic thashe eshte Lubonja dhe nje grup intelektualesh qe ai perfaqson, por qe ende rri jashte politikes zyrtare e cila ne absurditet ka marre Qemal Stafen si model dhe krijo fondacion me te njejtin emer, qe nuk ka asnje lloj lidhje me realitetin. Kurse ne te djathte jane te ashtequajturit liberal-demokratet te perfaqsuar nga njerez po ashtu jashte politikes zyrtare te qeverisjes se sotme, ose me sakte qe u percollen ashtu sic u ftuan ne dasmen e pushtetit. Te kuptohemi ketu nuk flas per individe qe marrin pushtet por per grupime qe perfaqsojne platforma, pavaresisht se kush i zbaton ato, apo ndonje here edhe pikerisht se kush i zbaton ato

    Ajo qe shoh une problematike eshte se sistemi per momentin eshte teresisht i mbyllur ndaj ideve, si majtas dhe djathtas. Zhurma per voten e lire gjate ketyre viteve e ka demtuar shume politiken shqiptare, dhe ka zhvendosur vemendjen nga nevoja per ide drejt “politikes se kuadrit”. Ajo qe pyes une eshte: A mund te sherbej Gerdeci per te krijuar nje sistem te hapur ndaj ideve? A mund te dali politika por edhe shoqeria nga izolimi ku e ka futur veten? Nese jo, kam pershtypjen se gjthcka bejme eshte si nje “blow in the face” e radhes per shoqerine tone.
    Pra a kemi energji te perserisim nje levizje Dhjetoriste, por kasaj radhe me ide te qarta, qe do bashkonte nje levizje qytetare te majte dhe te djathte per ndryshim?

  10. “Ishte dështimi i të korruptuarve, jo korrupsioni vetë, që i nxori turmat shesheve; thuase revolta i kërkon sistemit të nxjerrë në krye të korruptuar më eficientë.”

    I ke rënë në kokë Xhaxha,
    në manifestime populli thërret poshtë trafikantët e armëve e të drogës e të zuskave etj…, por thellë në vetvete është i ndërgjegjshëm që këta janë biznesmenët më të suksesëshëm të ekonomisë sonë, dhe që pa ata niveli i jetesës do te ishte të paktën nja 50% më i ulët.

  11. Vertet na ka mbetur demokracia ne dore! Ajo e shkrete eshte nje aparat i nderlikuar, qe s’mjafton t’ja lexosh manualin, bile as t’ja mesosh permendesh, dhe qe do shume kohe ta praktikosh, pa te arrish ta besh zap e t’ja shijosh te mirat. Po sa kohe tamam? Nuk e di, por them se gjatesia e kohes varet nga lloji i miletit qe e perdor. Te gjitha keto deshtime te shoqerise e te politikes shqiptare me shpien tek ai perfundim qe eshte vene re prej kohesh, por mbahet ne surdine se duket shume ofendues: ndjenja jone kombetare eshte ende ne fazen foshnjore. Dhe ketu e kam fjalen jo per ate sa krenare ndihemi cdo mengjes per pellazget, Thotin shqipfoles, Skenderbeun, Nene Terezen, Ferid Muratin, Karl Gegen, Stan Dragotin, Belushet, Eric Margolisin, apo Regis Philbinin, por per ate se sa te afte jemi te jetojme me njeri tjetrin si popull i pjekur. Pikerisht per kete e kishte fjalen Mehdi Frasheri kur, me 1928, shpjegonte dobesine e ndjenjes kombetare tek shqiptaret me mungesen e shtypjes nga pushtuesi turk. Per kete e kishte fjalen edhe revista Leka kur shtronte me 1936 pyetjen aq te veshtire egzistenciale “A jena shqiptare apo do bahena?”
    Medet! Qysh atehere vicendat tona kombetare s’kane shkuar vecse mbrapsht, prandaj kemi mbetur ne Gerdec me dopiogjashten demokraci ne dore.
    Rrofte diktatura e ndritur, tha.

  12. Ashtu sic thote xhaxhai te gjitha fenomenet qe cuan tek Gerdeci jane te mirenjohura prej vitesh dhe fatkeqesisht gjysem te pranuara qofte nga rrethet mediatike ashtu dhe nga vete qytetaret shqiptare.

    Megjithate Gerdeci eshte nje ngjarje qe po sherben per te kaluar piken kritike, nga indiferenca dhe pranimi i heshtur i krimit e korrupsionit tek aksioni dhe lufta qytetare. Eshte nje ngjarje qe tregoi ne menyren me te hapur e te kobshme te mundshme se ku perfundon nje sistem i tere i ngritur mbi logjiken e korrupsionit dhe krimit e jo mbi logjiken e sherbimit qytetar. Gerdeci eshte paralajmerim per te gjitha ato pallate te ngritura krejtesisht jashte kushteve teknike apo kush e di sesa konstrukteve te tjera materiale apo jomateriale te ngritura nga e njejta logjike kriminale.

    BERISHA IK!! eshte nje thirrje e ligjshme per mendimin tim. Kjo, jo shume per faktin se nese iken Berisha do te shohim permiresime pasi sistemi i ngritur ketu e 17 vjet do te jete me jetegjate se Berisha, Nano etj. Por si nje simbol i luftes ndaj korrupsionit dhe nisjes se nje procesi te gjere katharzisi. Une shpresoj se thirrjet “Berisha Ik” pavaresisht nese Berisha iken apo jo te ndiqen se shpejti nga thirrjet “LIGJI HAJDE”. Gerdeci eshte detyrim dhe shans i drejtesise shqiptare per te bere ndryshime shume me te rendesishme sesa ikja e Berishes, Rames apo ndokujt tjeter.

    To be continued….

  13. I nderuar Xha Xha,
    Faleminderit për mendimet e tua të shprehuara në këtë shkrim dhe për problematikën që ato ngrehin në lidhje me shoqërinë tonë, marrëdhënien me demokracinë e shtetin etj.

    Më ngacmoi mendimet fillimi i shkrimit tuaj ku thoni:

    “Në qoftë se në demokraci pushteti i përket popullit, do të preferoja një regjim të mbështetur në Ligjin.

    Mbi sovranitetin e ligjit do të themelohej dallimi midis popullit dhe turmës, logjikës dhe emocionit, autoritetit dhe abuzimit, disiplinës dhe linçimit.”

    Duket sikur Ligji është një forcë disi e personifikuar, ndoshta si një gjysëm hyjni, që zbret si deus ex machina në realitetin e përditshëm duke e ndryshuar atë. Në një farë mënyre formula magjike “Berisha ik” zëvendësohet me një tjetër të ngjashme me “Ligj eja dhe vepro”.

    Gjithashtu një pyetje tjetër që do të na duhej të shtronim është se kush do të vendoste për këtë Ligj. A do të jetë ky Ligj një dhuratë nga jashtë apo një krijim nga brenda komunitetit? Me fjalë të tjera është ligji reflektim i vlerave të komunitetit apo një forcë e jashtme që krijon vlera në një komunitet?

    Nuk mund të them në asnjë mënyrë se jam njohës i ligjëratës publike në Shqipëri por shumë pak dëgjoj të flitet për vlera etike, morale apo fetare, për mekanizmat që një shoqëri ndërton për të krijuar dhe transformuar vlera etj. si këto. Zakonisht një pjesë e diskutimeve përqëndrohen në gjetjen e fajit të të tjerëve dhe dënimit të tyre, në ndërtimin e vazhdueshëm të barrierave të tipet ne – ata, të mirë – të liq e kështu me rradhë.

    Më duket mua se si individë e kemi shumë më të vështirë të shikojmë Gërdecët e vegjël në jetën tonë – thyerjen e ligjit në trafik, mos-mirëmbajtjen e ambjentit, mos-mbajtjen e fjalës, mos-kujdesin për fqinjin dhe të huajin, e shumë të tjera si këto që mbidhen ngadalë – ngadalë në infrastrukturën morale të një komuniteti derisa arrijnë një masë kritike që pastaj shpërthen.

    Ndoshta një hap i vogël përpara do të jetë të fillojmë të merremi sadopak me këta Gërdecë të vegjël në jetën tonë, të ndihmojmë njeri – tjetrin, fëmijët, të rinjtë tanë, të mësojmë të kemi kurajo për të parë brenda vetes për të marrë përgjegjësi për jetën tonë, për të pranuar se edhe ne jemi pjesë e problemit në mënyrë që të kemi mundësi kështu të bëhemi edhe pjesë e zgjidhjes.

    Edhe një herë faleminderit për vendimin tënd për të qënë një pjestar aktiv i kësaj shoqërie dhe për të mos qëndruar në heshtje.

    IM

  14. Demokracia shqiptare eshte nje variacion i shemtuar dhe i shtrember i etalonit perendimor.
    Askush ne vend nuk shet ide sepse askush nuk i ble ato.
    Nuk ka oferte sepse nuk ka kerkese.
    Levizje sporadike per te iniciuar edukimin e sforcuar te masave me nocione dhe elemente mbi teorine e demokracise dhe lenden politike kane mbetur ne tentative (nuk jam i sigurte te shprehem se kane deshtuar) kryesisht pasi “nxenesit” nuk kane ende interesin dhe kapacitetet baze per te pervetesuar natyrshem.
    Sikunder thoshte Marksi: “Nuk behet politike me barkun bosh”.
    Berisha i “di te gjitha dhe nje kohesisht nuk di asgje” – thote Luljan Kodra…

    Marrim Gerdecin…
    A dinte ai mbi punishten e shkaterrimit te predhave aty?
    Gjasat jane te forta qe ai nuk dinte gje.
    Deduksione:
    – Gerdeci, ne gjithcka perfaqeson (papergjegjeshmeri, mungese profesionalizmi, korrupsion, mafie, trafik) eshte produkt i nje Vendimi te Keshillit te Ministrave. Nje VKM qe me kujton ne perfeksion zgjidhjen qe i dha ceshtjes dikur Pons Pilati…
    Atehere si ka mundesi qe Kryeministri nuk dinte gje?
    Gerdeci ishte plantacioni i skllvereve/miniera e arit (quajeni si te doni) e Fatmirit.
    Dicka tjeter, diku tjeter, e ligjeruar po me VKM, eshte sulltanati i X (me ndjeni por nuk mund ta them, sidoqofte ju siguroj se eshte dicka totalisht e pakrahasueshme me Gerdecin, i bashkon vetem korrupsioni). Berisha nuk di as per kete (e mesoi para dy muajsh kur ia referuan dhe premtoi qe dicka do te bente per te ndryshuar situaten monopol te krijuar ne favor te Y biznesi).
    Pra Berisha nuk di asgje per shumecka.
    Shumecka e ligjeruar me akte normative. Ndryshe quhet “kapje e shtetit”.
    Si ka mundesi kjo “padije” tek personi qe do dhe duhet te dije?
    Kjo do te thote, as me shume e as me pak, qe Berisha nuk do te dije, nuk do t’ja dije me!
    Ai di ato qe i interesojne atij te dije.
    Ai dhe ata prane tij po nxitojne te fitojne kohen e humbur 1997-2005…
    2009 eshte te pragu.
    Historia elektorale e kombit pellazgjik ka provuar cdo zgjedhje e me teper qe nuk fiton ai qe promovon ide dhe programe, por ai qe organizon koncerte e shtron ca km cakull.
    Populli ka akoma uri per shale…
    Dhe shalet kostojne dreqi e mori.
    Vijne ne pushtet per te zhvatur dhe zhvatin per te qendruar ne pushtet!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin