DIKTATURA E BERBERËVE

Po e nis përsëri me një gjëzë logjike – të ashtuquajturën “Paradoks të berberit”:

Berberi i fshatit ka urdhër të rruajë vetëm ata që nuk rruhen vetë. A duhet të rruhet vetë berberi?

Natyrisht, nëse berberi rruhet vetë, atëherë nuk duhet të rruhet nga berberi, që këtej edhe paradoksi, të cilit i është dhënë edhe një formulim rigoroz teorik nga Russell.

Paradoksi i berberit më kujtohet sa herë që pyes veten se kush duhet t’i qeverisë shqiptarët: përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, një dinasti, apo një agjenci e jashtme (p.sh. Sulltani, NATO-ja, ose FMN-ja)?

Në totalitarizëm, çështja e autoritetit politik zgjidhej vetvetiu, në figurën e udhëheqësit Enver Hoxha – i cili e kontrollonte sistemin totalitar por nuk ishte pjesë e atij sistemi. Për ta banalizuar idenë, mjaft të kujtoj absurditetin e idesë që Enveri të merrte rrogë, bënte pazar, paguante qeranë e shtëpisë, mbante para në bankë, shkonte në zbor, udhëtonte jashtë shtetit, ose gjobitej nga polici për kundërvajtje, sepse kishte kapërcyer rrugën jo në vijat e bardha.

Këtu nuk e kam fjalën te privilegjet, por te vetë statusi përjashtimor; meqë kam përshtypjen se ishte pikërisht ky status që mundësonte autoritetin absolut të Hoxhës ndaj shqiptarëve.

Statusi në fjalë shtrihej edhe në çështje delikate ideologjike, politike, ose ekonomike; vetëm Hoxha mund të merrte iniciativën për t’u takuar, bie fjala, me një eksponent të së djathtës gjermane si Strauss-i, ose iniciativën tjetër, për të sfiduar Bashkimin Sovjetik. Udhëheqësi totalitar i përkiste një sfere tjetër, ku vepronin ligjësi të tjera.

Situata ka disa analogji me lojëra që kërkojnë arbitër, p.sh. futbolli. Arbitri në fushë nuk luan, por vetëm sigurohet që rregullat e lojës zbatohen në mënyrë të paanshme. Nuk është e mundshme që rolin e arbitrit ta mbulojë ndonjë prej lojëtarëve. Nga ana tjetër, rregullat e lojës nuk zbatohen ndaj arbitrit, por vetëm ndaj atyre që luajnë – çka nuk ka lidhje me ekzistencën e rregullave të tjera, që përcaktojnë rolin dhe detyrat e arbitrit.

Arbitri në fushë të lojës i ka disa tipare të përbashkëta me berberin e paradoksit, meqë i kërkohet të arbitrojë vetëm e vetëm sjelljen dhe konfliktet midis atyre personave në fushë të cilët nuk janë arbitra.

Historikisht, shqiptarët janë mësuar me arbitrim; dhe jo vetëm në lojëra. Tradicionalisht, arbitrimi u është besuar figurave të tilla si prifti, hoxha, plaku, beu për komunitetet fshatare; ose sulltani, Mussolini, Titoja, Stalini, Maoja e kështu me radhë, për probleme të qeverisjes shtetërore në përgjithësi; e deri te ambasadori i Bashkimit Europian sot.

Arbitri është gjithnjë i nevojshëm, pavarësisht nga sistemi politik. Identiteti i arbitrit, përkundrazi, duket më problematik; sa kohë që shqiptarët priren të pranojnë për arbitër dikë që nuk është pjesë e sistemit.

Që këtej edhe suksesi i Hoxhës për t’u imponuar si autoritet; meqë adhurimi i udhëheqësit suprem në kohët totalitare nuk kishte të bënte vetëm me frikën, ose dhunën e verbër autoritare. Që këtej edhe pamundësia e shoqërisë shqiptare për të respektuar autoritetin e figurave që i konsideron ende si të vetat, ose të brendshme; ose personaliteteve politike të përzgjedhur me rrugë demokratike.

Kjo është njëlloj si të thuash se lojëtarët në fushë nuk ia njohin autoritetin një arbitri të cilin kanë pasur rastin ose privilegjin ta zgjedhin vetë.

Çka më kujton edhe një batutë të komikut të famshëm amerikan Groucho Marx: “unë s’do të pranoja të bëhesha anëtar i atij klubi që do të më pranonte mua si anëtar.”

Dukuria ka edhe një anë tjetër: arbitrat që zgjedhim për të na monitoruar lojërat, e kanë të pamundur të mos sillen më si lojëtarë, ose të mos bëjnë gol, kur i jepet rasti i volitshëm.

Një pasojë e papritur madje e pamirëpritur e demokracisë në Shqipëri është pikërisht ky përqafim vdekjeje midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve; ose pamundësia e sistemit për të prodhuar autoritet; e cila pamundësi interpretohet pastaj, gabimisht, si tipar i demokracisë vetë. Në të vërtetë, kjo ka të bëjë me atë dukuri që, dikur, e pata quajtur sindromë të Perandorisë Zero në shqiptarët, ose nevoja infantile për t’iu bindur një autoriteti të jashtëm.

Sa për paradoksin e berberit, këtë zakonisht e kanë zgjidhur duke argumentuar se ai farë berberi nuk ekziston. Natyrisht, Enver Hoxha nuk do të pajtohej me një zgjidhje të tillë prej frikacakësh.

 

12 Comments

  1. Sa për berberin, unë them të lejojnë vetëm gratë të bëhen berbere dhe u zgjidh paradoksi (të paktën nëse janë nga ato gratë që s’kanë nevojë të rruhen :).

  2. Ne futboll ka edhe nje element tjeter qe quhet “fair play”, sic eshte p.sh. rasti kur nderpitet loja si pasoj demtimi, dhe arbitri nuk mund ta nderpresi lojen me pare se vete lojtare ta bejne ate duke nxjerre topin qellimisht jashte fushe. Ne kete rast kuptohet se autoriteti i albitrit behet i pamundur nese lojtaret nuk i besojne vete rregullave te pashkruara. Por roli arbitrit lehtesohet nese lojtaret aplikojne nje kujdes te vazhdueshem per zbatimin e rregullave dhe te “fair play-it”. Pra ne nje lloj kuptimi mungesa e besimit tek arbitri reflekton shpesh nje lloj mungese besimi midis lojtareve ne fushe.
    Nderkohe nje fenomen tjeter i rendesishem jane edhe proceset e ankimimit dhe te kontrollit te gjyqtareve qe behet nga vete lojtaret apo organizmat perkatese. Pra ne kete histori te gjithe marrin nga pak rolin e arbitrit. C’fare do te thote kjo? Do te thote se tashme te gjithe individet e grupit kane atributet e arbitrit, duke eleminuar paradoksin. Eshte si te thuash se ne fshat te gjithe jane berbere qe qethin berberin tjeter pervec vetes, dhe paradoksi i berberit nuk ka me kuptim.

  3. Gjykatesi suprem i nje loje futbolli nuk eshte arbitri, por publiku. Ne 86en Argjentina fitoi kampionatin boteror fale golit me dore te Maradones. Theksi eshte tek “fale golit me dore te Maradones”. Kriteri me te cilin gjykon publiku eshte ai i LAVDISE. Keshtu psh, publiku anglez gjykoi se, pavaresisht golit me dore, lavdia i perket Maradones per shkak te golit tjeter qe shenoi ndaj anglezeve. Lavdia i perket fituesit, por ndonjehere nje humbje e lavdishme vleresohet me teper se sa nje fitore standart 2-0 nga publiku. Lavdia ishte ajo qe ushqente Enveri, packa se lavdi e rreme. Lavdia mund te vidhet perkohesisht, por ne pergjthesi publiku, apo historia ia cakton atij qe eshte me te vertete i lavdishem.

    Them une, se ku i dihet.

  4. “Berbere” femra sposton kufizimin e perceptimit te funksionit te shoqerise se paradoksit ne fjale, pra, stimulon mendimin po aq sa dhe vet paradoksi.

    Me fjaline e fundit Ujku i zi; (qe cdo fshatar (mashkull) eshte berbere perderisa s’rruhet vete) merr drite paradoksi dhe “s’egziston” (eshte por zhdukur nga ndricimi i madh)

    xha xhai thote “….sa kohë që shqiptarët priren të pranojnë për arbitër dikë që nuk është pjesë e sistemit…” dhe e peshone kete fakt ne ngarkesen qe ngaterrone here pas here historikisht prirjen si e “gabuar” per shqiptaret, dhe kjo me duket vezhgim i fragmentarizuar, se te gjithe pamvaresishte nga rroli dhe atributi jane ne te njejten loje, keshtu qe s’ka gjykates dhe gjykues, aq me pak te ngel vend edhe per ndonje Enver t’i veri emer dikujt.

    Ligji eshte e keqja me e vogel ne kompromis, dhe s’perjashton njerin ne favor te tjetrit, pamvaresishte se subjektet perparojne dhe trubullojne edhe ligjet ne proces deri sa i rinovojne ato e keshtu ne pa mbarim.

  5. Xhaxha, për mendimin tim, varet se për ç’lojë bëhet fjalë; nëse bëhet fjalë për një lojë ku mbizotëron Forca (boks, lojërat me top etj etj) ose … Inteligjenca (më vjen ndërmënd shahu).
    Pra, kur loja (dhe lojtarët) është e Fortë …. të Fortit duhet të arbitrojnë , dhe s’ka të bëjë me “quando il giocco si fa duro, i duri cominciano a giocare”.

    E keqja sot, me gjithë përpjekjet e mira të “lojtarëve” për të vendosur “rregullore” bashkëkohore demokratike/amerikane/europiane/panarabe etj etj, loja “bllokohet” sepse s’ka asnjë autoritet që ti Fiksojë ato rregulla (mjafton që një nen i rregullores të mos i shkoj për shtat ndonjërit, dhe që të nesërmen parlamenti nxjerr një ligj tjetër që t’ja justifikojë atë që deri dje ishte e Paligjshme).

  6. Edrus, unë kam frikë se arbitrimi në politikë është i domosdoshëm. Çështja është nëse jemi në gjendje ne, si shoqëri e pjekur (adult), t’i zgjedhim arbitrat nga gjiri ynë dhe pastaj t’ua respektojmë vendimet.
    Solle si shembull shahun. Natyrisht, dy vetë mund të luajnë një lojë shahu qetësisht, pa pasur kurrfarë nevojë për arbitër, sepse shahu i ka rregullat të kthjellëta. Megjithatë, një lojë shahu për titullin botëror praktikisht nuk mund të luhet pa arbitër. Po të sjell shembujt e disa matçeve të fundit: Fischer-Spaski, Karpov-Korçnoj, Karpov-Kasparov (i pari), dhe tani së fundi, Kramnik-Topalov. Sa më e lartë të jetë posta in gioco, aq më i nevojshëm është arbitri.
    Meqë ra fjala, në Shqipëri deri edhe arbitrat e ndeshjeve të futbollit nuk po i pranojnë më – gjithnjë lexoj për skandale ose rrahje, për shkak gabimesh ose “gabimesh” arbitrore. Edhe në këtë rast, loja simulon çfarë ndodh realisht në shoqëri: ndeshjet e futbollit shiten njëlloj si tenderat ose emërimet në poste kyçe, dhe të parët që korruptohen janë institucionet mbikëqyrëse, të cilat duhet të prodhojnë paanshmëri.
    Ja edhe një mënyrë tjetër për ta përkufizuar krizën në Shqipëri: ne kemi humbur besimin se, si shoqëri e pjekur, mund të prodhojmë paanshmëri dhe të përftojmë njerëz të një kalibri etik të tillë, sa t’u besojmë arbitrimin. Në këto rrethana, dinamika politike gjithnjë zhvillohet sipas skemës “nga qorrsokaku në qorrsokak”: për çdo çështje që shtrohet në tryezë të bisedimeve forcat politike polarizohen, akuzohen ndërsjelltas, arbitrin e përcaktuar me ligj nuk e pyet askush sepse vetvetiu konsiderohet si i i shitur (përkatësisht i blerë) te kjo apo ajo forcë politike, dhe në fund fare kërkohet arbitrimi i të huajve. Vetëm Princ Wied-i mungon!
    Ky muhabet po më kujton tani ca ndeshje futbolli të dielave, te fusha e Aviacionit në Tiranë, me pare; gjithnjë përfundonin në grusht, me gjithë dëshirën e pamohueshme të palëve për të luajtur.

  7. Xhaxha, të sjell përvojën e konviktit me katër shokët e dhomës: Kur luhej murlan, ishin pothuajse të “lejuara” të gjitha hilet (me kusht që të mos të arrihej që të kapej hilja nga kundërshtarët)… ndërsa kur kalohej në poker, megjithëse “posta” në lojë mund të ishte më e vogël se sa shifra që luhej në murlan… mbizotëronte një seriozitet më i theksuar (asnjëri prej nesh nuk ja lejonte vehtes të manipulonte letrat ose ti ndërronte ato.
    E solla këtë shëmbull, për të treguar se, në të dy rastet, prania e një arbitri ose vëzhguesi të jashtëm nuk ishte e pranueshme/e preferuar, dhe kjo për shkak të “fair play”-t që mbizotëronte ndër “kundërshtarë” që edhe pse mund të nxeheshin me “shancin e keq” dhe ti fluturonin letrat nëpër dhomë… në fund të fundit, pranonin rezultatin.

    Në mungesën e “fair play”-t ndërmjet kundërshtarëve, gjëja më e mirë është që rregullat të jenë të fiksuara. Sa më shumë ato të lejojnë interpretime, aq më shumë “lejojnë” dhe keqinterpretime si nga ana e arbitrit,kundërshtarëve, por, dhe nga ana e Tifozëve… gjë që i bën ata (tifozët) o të apasionuar pas “ndershmërisë” së njërit apo pas “dinakërisë” së tjetrës palë, por që kur zgjatet shumë peridha e keqinterpretimeve… pasi shuhen dhe pasionet e “dashurive” të para, dhe tifozët ftohen nga pasioni për të ndekur ndeshjet.

    Pasi akoma në parlament shkojnë shumë nga ata që janë zgjedhur vetëm se janë “më të fortit e lagjes”, natyrisht që nuk mund të pretendohet një “fair play” ndërmjet tyre dhe atyre që kanë zgjedhur të përdorin trurin/kulturën/edukatën për të realizuar politikën e tyre.

    Unë uroj dhe shpresoj që dhe populli një ditë të mërzitet nga “forca” në parlament dhe të hapë sytë mirë për të zgjedhur njerëz që Dinë të Bëjnë atë që është më mirë për vëndin dhe popullin, larg interesave të ngushta partiake, o aq më keq… personale.

  8. Mungesa e vetgjyqesise ne shoqerine shqiptare eshte me te vertete per te ardhur keq. Xhaxha, ti ben nje pune shume te mire ne venien ne dukje te mangesive qe ka shoqeria shqiptare. Je kritik, i detajuar, i arsyeshem, dhe nje lexues qe te ndjek rregullisht do te gjej te implikuar ndermjet fenomeneve qe shtron nje fill llogjik, te qendrueshem dhe te perbashket mendimi.

    Fatkeqesisht nuk mjafton. Duhen shembuj pozitive qe te funksionojne si tip ilaci popullor. Por te mos vihen ne piedestalin formal dhe bosh te demagogjise, (si bie llafi perkujtimi fodull i holokoaustit) por te jene shembuj modeste, te ndjekur po me aq modesti. Diku kam permendur shembullin e gjykateses kroate per nje nga kriminelet kroat te luftes, por nuk me kujtohet se nga c’tekst ia kam lexuar Zizek. Jane shembuj te tille qe na mungojne, shembuj qe nuk jane marre peng nga politika. Jane keta lloj shembujsh mbi te cilen duhet krijuar tradita, por duke qene se kjo kerkon kohe, une kerkoj ndjese, se ndoshta dhe jam i nxituar kur them se puna jote nuk mjafton.

    Jashte teme.

    “Po të sjell shembujt e disa matçeve të fundit”.

    Xhaxha, nuk para vuaj nga puritanizmi, po pse jo “ndeshje” por “matçe”? Mund t’a kete ndonje rrenje te perbashket me “mat”, (mat forcen, mat aftesine, mat zotesine, mat durimin, mat shpejtesine me kundershtarin) por ne qofte keshtu, atehere pse jo thjesht matje, por “matçe”?

  9. Duke vënë në dukje një pabarazpeshë midis kritikës dhe emulacionit të pozitives në këtë blog, Lulian Kodra shkruan:

    Duhen shembuj pozitive qe te funksionojne si tip ilaci popullor. Por te mos vihen ne piedestalin formal dhe bosh te demagogjise, (si bie llafi perkujtimi fodull i holokaustit) por te jene shembuj modeste, te ndjekur po me aq modesti.

    Lulian, unë besoj që një shembull pozitiv po e japim ne vetë këtu – ose pikërisht se si mund të diskutohet pa u groposur në llogore palësh dhe interesash të kundërta. Nga ana tjetër, vetë kritika i shërben, tërthorazi, qartësimit të gjërave, sepse kur bëhet mirë i ndihmon njerëzit të shohin më kthjellët edhe negativen edhe pozitiven në shoqëri.
    Gjithashtu LK shkruan:

    Xhaxha, nuk para vuaj nga puritanizmi, po pse jo “ndeshje” por “matçe”? Mund t’a kete ndonje rrenje te perbashket me “mat”, (mat forcen, mat aftesine, mat zotesine, mat durimin, mat shpejtesine me kundershtarin) por ne qofte keshtu, atehere pse jo thjesht matje, por “matçe”?

    Në të vërtetë unë nuk di fjalë shqipe që ta zëvendësojë anglicizmin match, sepse në shah tjetër është ndeshja tjetër matçi. Matçi për titullin kampion të botës në shah zhvillohet detyrimisht me disa ndeshje – dikur 24, ndërsa sot vetëm 12. Mund ta përkufizosh si një varg ndeshjesh midis dy lojtarëve, brenda një kohe të shkurtër (zakonisht një ndeshje në ditë, me ndonjë ditë pushimi në mes). Rrallë e për mall, titulli kampion i botës është përcaktuar nëpërmjet një turneu, ku lojëtarët pjesëmarrës janë gjithnjë më shumë se dy, dhe mund të ndeshen mes tyre disa herë (zakonisht jo më shumë se katër).

  10. Xhaxhai:
    “…unë besoj që një shembull pozitiv po e japim ne vetë këtu – ose pikërisht se si mund të diskutohet pa u groposur në llogore palësh dhe interesash të kundërta”.

    Jo tamam keshtu miku im. Syresh nga ne, me ty ne krye:), vijme tek “Peisazhe te fjales” nga Albclub-i; ndoshta shumica…
    Ne ate meidan – te dashur per mua, – ehehehe:), ndrronte llafi…

    Kthehu pak ne arkivin e listes dhe do gjesh jo istikamet, por edhe trupat e te reneve ende te pakallur, me pushket e gjata e bajonetat e hapura shtrenguar for, a thua se edhe ashtu martire, jane te gatshem te ngrihen e te luftojne serish, sapo MC’ Cool tu leshoje thirrjen “Bini ju djema, bini…”.

    Atehere, si i behet qe, te njejtet individe adaptojne sjellje te ndryshme?

    Pergjigja sipas meje eshte:
    1) Nuk jane ekzaktesisht te njejtet, qe duhet kuptuar qe nuk jane (jemi) posacerisht me katundaret e atij forumi qe gjallojne tek ky blog (packa se edhe ne, nen koracen tone qytetare fshehim plage te vjetra a te reja, si dhe koburen ende tyte ngrohte te shqiptarit), ose qe, edhe sikur te jemi, dicka kemi nxene nga ato beteja…; dhe

    2) Cka eshte me kryesorja dhe pikerisht ajo qe dua te theksoj e qe e lidh kete nderhyrje time me postimin “Diktatura e berbereve”, ndryshe nga Albclub, prania e arbitrit ne kete blog eshte kaq e dukshme, nderkohe qe cilesia e fushes eshte kaq e larte, saqe na detyron ne lojtareve te bejme perpjekje maksimale (me ose pa koshience te plote) per tu shfaqur lojtare klasi, e jo ata cunat e rrugices qe thyenin kembet e njeri tjetrit per te bere nje gol te porta me dy gure…:)

    PS – sa here jemi zene se ajo dreq “porte”, per vete ndertimin e saj (pa rrjete) na bente rregullisht hasha kaq e kaq gola…

    PS – a doli i qarte roli i lidereve (arbitrit) dhe i institucioneve (fushes ku luhet loja) apo u qorrollepsa qorrsokakeve te fjales:)?

  11. Karikatura e berbereve eshte:
    Te ‘zgjuarit’ duan te arrijne dicka me mend, kurse ‘budallenjte’ pa shume mend. Te dy palet duan te njejten gje, por, si pas llojit te tyre.
    Qellimi s’eshte i bukur, e bukur eshte se si procesi ka lidhje me bukurine, ne c’lloj bukurie ai (procesi) eshte.
    Po te shohim shoqeria si e tere eshte e mundur te funksionoj shkelqyeshem, por kur vendos mbingarkese ne nje faktor, i kujte do pjese ai eshte, do prish funksionin e saj.

    Kosova ka qene e lire, por jo si tani, ajo mendohet te jete ashtu si ne mendojme, dhe ne s’mendojme te gjithe njelloj.
    Une mendoj per Kosoven duke shkruar keshtu per te, dikush ne tjeter forme dhe format jane te pa fundme. Ne jemi autore te nje vepre te pafundeme. Te aplikosh me sukses llojshmerine e pa fund t’tonen duhet Arbiter (Ligj), dhe ai kushtezon lirine dhe periorizimin e lojes.

Comments are closed.