NË MOS KENI ARMIK, GJENI!

Julius

Një situatë disi e çuditshme u përvijua këto ditët e fundit në të dy anët e kufirit mediatik mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një varg shkëmbimesh, përgjigjesh dhe kundërpërgjigjesh mes dy formacioneve politike si Agimi i Artë në Greqi, dhe AKZ në Shqipëri, gjeti vendin e mjaftueshëm të pasqyrohej si në mediat shqiptare dhe ato greke.
Rendi mediatiko-kronologjik, është pak a shumë si më poshtë.

Aleanca Kuq e Zi, kërkon t’i hiqet Janullatosit urdhëri i Skënderbeut.

Agimi i Artë përgjigjet duke thënë se “shqiptarët janë komb kaçakësh”.

Aleanca Kuq e Zi reagon përsëri nëpërmjet Lisen Bashkurtit

dhe sot, përsëri, një komunikatë e AiA, është sjellë sërish në dritën e mediave shqiptare.

Të mos ishte kakofoni e gjitha kjo, do të ngjante me rromuzet e pjesëmarrësve nëpër evente sociale ku përdoren shpesh këngët polifonike labe, ndërsa i hedhin kunja sho-shoqit. Arti i gjetjes së armikut, u kthye në një trajtë banale shkëmbimi, apo dialogimi kuazi-diplomatik – por të sinqertë, mund të shtonte dikush prapa kuintave.

Të mos kishte përgjegjësi në mes, akoma dhe pasoja të mundshme të pakëndshme; ky shkëmbim midis një pjese jo dhe aq të pëlqyeshme përfaqësuese të elektoratit grek, dhe pretenduesve të ardhshëm në zgjedhje se përfaqësojnë diçka prej elektoratit shqiptar, do të ishte diçka thjesht banale dhe komike.

Superpatriotët respektivë, si grekë ashtu dhe shqiptarë, na e vërtetuan edhe një herë se “kanë zot këto vende”, se “qeveritë [respektive] janë të shitura”, dhe se Tjetri përtej kufirit, qëndron i gozhduar nga ana e stereotipeve fort, në mendjet margjinale. Por gjithsesi, si AKZ ashtu dhe Agimi i Artë, e mohuan kategorikisht se janë dy organizata të ngjashme. Nuk ka, thotë AiA ndonjë simotër ideologjike në asnjë vend organizata jonë, nuk jemi thotë AKZ të ngjashëm me fashistët grekë. Megjithëse deklaratat e të dyve çuditërisht ngjajnë – mbase pa dashur, bën vaki – si dy pika uji.

Interesantja e kësaj situate, të gjithës, është se arketipi i personit virtual, komentuesi i zellshëm margjinal, i parë nëpër tema e tematika nga më ngacmueset intelektualisht si komentet e videove në jutub me tituj “fuck Greece” apo “fuck Albania”, tani është rikthyer me kravatë dhe kostum, e është bërë zëdhënës i secilës palë.

Apo, ta them më mirë me fjalët e dikujt që çmoj, si Lakis Lazopoulos kur ai flet për grekët:

“[…] dhe Agimi i Artë, investoi që të devijohet protesta – nuk i mëshojmë sistemit, por pakistanezit. E dinim që greku dufin dhe komplekset që ka, ia nxjerr kamarierit. Tani kompleksi ynë u kthye në grupim parlamentar”

Mos vallë sjellja e ditëve të fundit e AKZ-së, i përgjigjet të njëjtit kontekst? Apo konformizmi i “patriotizmit” nuk e lejon dot publikun që këtë gjë ta vërë re? Çfarë kuptimi të mundshëm mund të ketë, ky investim mediatik dhe në këtë situatë kritike, insistimi për të acaruar marrëdhëniet me fqinjët?

Mediat respektive nga ana tjetër, pasi e kanë grishur, e kanë cytur, e kanë nxitur madje dhe shumë herë e kanë radikalizuar këtë arketip të njeriut tonë, tani nuk u ngelet veç t’i binden atij si qenie politike me vullnet të vetin, në një farë mënyre t’i nënshtrohen injorancës së tij. Dhe kjo gjithnjë nëse nuk ka qënë i qëllimshëm krijimi i një situate të tillë.

Me fjalët e poetit tonë kombëtar, kjo gjendje mund të  shprehej dhe kështu:

do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
o vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ndërsa AiA nga njëra anë, është i njohur në Greqi për qëndrimet e veta fashiste dhe denigruese e përgjithësuese, qoftë drejtuar emigrantëve, qoftë ndaj klikës politike greke si asaj të sotme dhe të djeshmes (karakteristike është, që edhe Jorgo Papandreun e kanë akuzuar për shkak të origjinës së vet kombëtare); për AKZ, kjo është e para herë që nëpërmjet Sekretarit të saj, zotit Lisen Bashkurti, përdor emërtime stereotipike për grekët.

Nga deklarata e fundit e tij veçoj:

“Përpara deklaratave të Agimit të Artë, kemi dëgjuar dhe këngë që me zorrët e ushtarëve shqiptarë do të bënin lidhëse këpucësh dhe shumë deklarate të tjera raciste, por unë do të thosha se ajo që e dallon Agimin e Artë me deklaratat e tjera është se Agimi i Artë i shpalos haptas pikëpamjet e saj raciste”.

gjithashtu, me pretekstin se po i drejtohet Agimit të Artë, Bashkurti udhëzon:

“Të kryeni detyrat tuaja se jeni një shtet që ka falimentuar ekonomikisht dhe një popull që ka falimentuar moralisht dhe psikologjikisht”.

Duket kështu, se parodia më lart e përftuar nëpërmjet shkëmbimit banal mes dy organizatave politike, përligj qëndrimet si të njërës ashtu dhe tjetrës palë. E madje legjitimon këtë qëndrim të fundit të Bashkurtit – me pretekstin gjithnjë, se po i drejtohet një organizate fashiste.  Kështu pra, armikun e duam, prandaj e mbajmë gjallë.

Ose ndryshe, me një modifikim të shprehjes së njohur popullore: në mos keni armik, gjeni! Ia rrëmbeni atij qeni.

No Comments

  1. Konsolidimi i një partie me karakteristikat e AKZ-së ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte hapësirës politike sot në Shqipëri.

    Dhe ja pse. Kushtet ishin pjekur tashmë, për krijimin e një force politike kombëtariste, me mesazh pozitiv; ose të tillë që të mbronte vlerat kombëtare në ekonomi, kulturë dhe gjetiu.

    Kjo forcë do t’u kundërvihej oligarkëve që kanë sot pushtetin në Shqipëri dhe bashkëpunimit të tyre shumëfijesh me ndërkombëtarët – të cilët janë bashkëfajtorë të maskarallëkut, edhe në rrethanat kur programi i PD-së për afrimin e Shqipërisë me BE-në tashmë ka dështuar në mënyrën më spektakulare të mundshme (për mua injorimi që ia bëri Europa 100-vjetorit të Pavarësisë ishte shuplaka më e ndezur hundëve për Berishën & Co.).

    Përkundrazi, çfarë shohim të kristalizohet dita-ditës, është një “armata Brancaleone”, ose një koleksion budallallëqesh të hatashme, të frymëzuara nga populizmi ekstrem dhe instinktet e turmës.

    AKZ-ja po mobilizon llumin e shqiptarisë, dhe po e bën këtë me qëllim; teksa debatit politik ia kanë zënë vendin stadiumet, ikonat kombëtariste, kërcënimet, flamurët dhe koreografitë infantile.

    Këtë ma konfirmon edhe bashkërendimi – ironik – i dinamikave politike të kësaj force politike me ato të ekstremistëve të tjerë në rajon, si Agimi i artë në Greqi.

    Si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, duket sikur qëllimi i këtyre radikalëve është të ekstremizojnë diskursin politik (mjafton të dëgjoni Berishën sot), sepse vetëm ashtu do të krijohet atmosfera e përshtatshme, reptiliane, që këtyre t’u çelin pastaj vezët.

    1. Dhe unë dikur, kur mendoja se ishte e nevojshme një lëvizje nacionaliste, e përfytyroja të llojit të Vetëvendosjes, së paku. Rëndom thuhet për Kosovën se është në nivel paksa më të prapambetur se Shqipëria, po nëse krahason kush analogjikisht lëvizjet kombëtariste, Kosova e ka më të artikuluar, më civile dhe më me baza ideologjike të vetën. Kjo e AKZ-së po shndërrohet dita ditës në aleancë injorantësh.

      1. Unë e pyes veten ndonjëherë: të jetë vallë e mundur që i gjithë ky budallallëk të jetë i vetvetishëm, jo i paguar?

        1. Ajo që u bën përshtypje shumë njerëzve, është tolerimi i agresivitetit që ka shprehur shpesh Kreshnik Spahiu, ndaj pushtetit të Berishës. E ka kërcënuar direkt me burgosje. Nga ana tjetër, dyshime për financat ka shprehur dhe Lubonja në shtyp. Ajo tema që trajton ai aty, e meriton të trajtohet veç, mendoj. Dilema integrim apo bashkim.

          Shpjegimi më “normal” duket se është ai i marrjes së liçencës prej ambasadorëve në vend, ftesa për Myslim Pashën në parlament mund të jetë një indicje. Mbase i është dhënë free pass për t’i bërë shqiptarët të ndihen nacionalistë, por pa marrë parasysh pasojat anësore.

  2. Po ata fashistet greke, coc e japin ndonje luge supe per fukarenjte greke.
    Keta halldupet tane, vetem llap llap kane. Edhe kur duhet te shkruajne dicka, e shkruajne me gabime: fushata per emra shqiptar-lexova para ca ditesh ne nje banderole te tyren tek lajmet.

  3. AKZ-ja mund te kete shume mekate por ta barazosh me nje organizate fashiste duhet o kuraje e madhe o papergjegjshmeri.

    Dhe thenie si kjo :”AKZ-ja po mobilizon llumin e shqiptarisë..” nese nuk eshte nje lajthitje ,do te duhej te mbrohej me nja dy argumenta, te pakten per hir te respektit per lexuesin.

    Gjithe ky yrysh nuk eshte shenje e mire…

    1. Fatma, mjaft të kesh kohë dhe të hedhësh një sy nëpër forumet online dhe komentet e panumërta – barasvlera e asaj që mediat amerikane e quajnë ‘chatter.’ (Në qoftë se nuk ke shumë kohë, hidhu një sy vetëm komenteve që ndjekin këtë video sot te Tema; që ta kuptosh se çfarë kam parasysh kur them “po mobilizon llumin e shqiptarisë”; dhe fakti që kësi llumi e gjen edhe në Greqi nuk përbën ndonjë kundërargument). Meqë flasim për shenja, mua bash kjo më duket shenjë shumë e keqe… me mijëra e mijëra bashkatdhetarë tanët, që duket se kanë interes për çështjen publike (dhe kjo është më e dhimbshme), po e përdorin deklarimin patriotik (nuk di sa kokëlopë duhet të jetë njeriu, që ta barazojë këtë deklarim me patriotizmin ose virtytin patriotik) si alibi ose indulgjencë për gjithçka të urrejtshme, meskine, hakmarrëse, zemërvogël, burracake, të neveritshme që gjejnë brenda vetes. AKZ-ja nuk është fashiste (shpresoj të mos bëhet kurrë e tillë), por unë kam frikë se nuk është fashiste vetëm e vetëm ngaqë nuk është asgjë më tepër, sesa një makinë për të gjeneruar vota nëpërmjet gjenerimit të pseudoproblemeve së bashku me zgjidhjet përkatëse. Më duket e papranueshme që një forcë politike të pretendojë të vijë në pushtet, në Tiranë, duke u marrë ditë e natë me problemet e shqiptarëve jashtë territorit shtetëror dhe me Janullatosin – të thuash se janë pikërisht këto probleme që nuk po i lënë qytetarët e Shqipërisë të ngrenë kokë! AKZ-ja vërtet kërkon të rrëzojë Berishën, por duke e zhvendosur vëmendjen e opinionit publik tutje nga keqqeverisja e Berishës këto vite dhe dështimet spektakulare praktikisht në të gjitha fushat, po i bëjnë këtij shërbimin suprem.

    2. Konteksti politik në Greqi, është i ndryshëm me atë në Shqipëri. Ka mjaft arsye pse është kështu, që nga ato historike e deri të strukturës sociale, pavarësisë, nivelit të popullatës etj, nuk shterohen dot me një koment.

      Brenda ndryshueshmërisë, kanë mjaft ngjashmëri AKZ me AiA.

      – Që të dy organizatat bazohen në një retorikë të egër nacionaliste. Që të dyja thonë se elitat respektive janë “tradhëtare të kombit”.

      – Që të dyja mbështeten, nëpërmjet artikulimit politik, tek ndëshkimi. Kreshnik Spahiu, është i vetmi politikan (me aq sa di) që është zotuar publikisht se Berishën do e çojë në burg. Kjo ka shumë rëndësi, dhe për një jurist (forma mentis mund të më ndihmojë këtu), më duket faull i rëndë. Nuk mund të bëhet politikani personifikim i ligjit. Nuk mund të thuash “do të të çoj në burg”, duhet të thotë dikush se “do e përball me drejtësinë”.

      – Nëse vërejmë deklaratat e përbashkëta, për të dy shihet insistimi dhe vullneti për të pasur marrëdhënie, të krijuara me baza historike armiqësie. Nuk angazhohet kush të thotë – me ju kemi bërë luftë atëherë, dhe ju kemi mundur. Se realisht ajo që po thotë është: ne dikur kemi vrarë shqiptarë/grekë (analogjikisht), dhe kjo është baza e ndërtimit të marrëdhënieve.

      – Të dyja organizatat përdorin stereotipizma: komb kaçakësh thotë AiA, të falimentuar psikologjikisht dhe moralisht – thotë AKZ. E madje të dyja, përdorin njëra tjetrën për të legjitimuar secila pikërisht një qëndrim të tillë.

      Për mua, gjithë kjo është një mizaskenë idiote.

      1. Shumë e drejtë. Kjo do ishte qasja normale dhe e pritshme: pushteti politik i ndarë dhe i balancuar nga pushteti gjyqësor. Aq më shumë nëse ky është artikulimi i ish-nënkryetarit të KLD-së.

  4. ”’ AKZ-ja vërtet kërkon të rrëzojë Berishën, por duke e zhvendosur vëmendjen e opinionit publik tutje nga keqqeverisja e Berishës këto vite dhe dështimet spektakulare praktikisht në të gjitha fushat, po i bëjnë këtij shërbimin suprem.”’

    Nga kjo, ti deshmon se nuk e ke ndjekur fare aktivitetin e AK-se, sepse AK-ja mund te jete ndoshta e vetmja parti qe ka bere proteste deri edhe per te drejtat e njerezve me aftesi te kufizuara, te cilet jane te harruar nga politika.

    Ne ndryshim nga partite e tjera, ka nje propension te natyrshem per projektimin e politikes edhe drejt shqiptareve jashte kufijve.

    Frymemarrja me e gjere e AK-se eshte garanci per nje vizion teresor te gjendjes se shqiptareve, pra se ajo sheh edhe pyllin jo vetem pemet.

    Ti kerkohet Presidentit heqja e nje medaljeje qe ne menyre absurde i eshte dhene Janulles e pastaj te thuash se me kete gjest po kerkon armik ne Greqi, do te thote qe po pranohet si normale lidhja Janulle-Greqi, konkretisht Agimi i Arte.

    Perndryshe, logjika thote se jane Agimsat qe po kerkojne armiq.

    Kjo tredhje e logjikes ose paaftesi logjikimi, nuk deshmon ndonje gje pozitive.

    Po ashtu, qe te pretendosh se pas reagimit absurd te Agimit per nje çeshtje te bredshme te Shqiperise, ku thote edhe se do hape zyra ne Jug, te mos kete kunder-reagim, do te thote se pretenduesi s’ia ka haberin fare se ç’eshte nje parti nacionaliste.

    Me pak fjale, po behet nje zhurme e kote dhe e pakuptimte, qe ngjan me llomotitjet e nje njeriu ne qejf nga pija.

      1. Ne vitin 1198 , Papa Innocenti II, nxori nje bul te vetin, “Post Miserabile”, ku hodhi per se pari kerkesen per organizimin e nje kryqezate te re, asaj te 4-s per ne vendet e shenjta. Organizimi filloi qe heret dhe vazhdoi disa vjet.
        Kur erdhi puna tek transportimi i njerezve dhe mallit, papati iu ofrua republikes se Genoves, per tiu bashkuar sipermarrjes, dhe keta e refuzuan kerkesen. Ne 1201, nje delegacion shkon ne Venedik, per te siguruar mbeshtetjen e Serenissimas.
        Ne krye te republikes se San Markos ishte Enriko Dandolo i famshem, doxhi qorr, i cili mbas degjoj te gjithe retoriken e delegacionit mbi krishterimini, atletet e Krishtit, moralin kristian, vuajtjet e pasuesve te fese kristiane ne token e shenjta, ameshimin e kesaj bote dhe asaj bote, etj etj,u pergjigj me ate pyetjen e famshem: “mire, mire; por me cfare kushtesh?” Dhe cmimi qe i vuri Venediku kryqezates per transportimin e ushtrise ishte aq i madh sa beri dhe solli si pasoje qe Konstantinopoja te shkonte per dreq.

        Keshtu edhe e majta, qofte ajo greke apo kushdo tjeter. Premtojne parajsen mbi toke. Por pergjigja do te ishte “mire, mire; por me cfare kushtesh?”. Nga do dalin ato para qe nevoiten per planet e dala nga programet e tyre. Se s`kane ngelur me Konstantinopojera per tu grabitur.

        Greqia, por jo vetem, akoma se kane kuptuar qe nje cunam i stermadh po u vjen, me epiqender ne Azi. Qendra e industrise boterore te financave , bashke me gjithshka qe e shoqeron, ajo “dora e fshehte” e ekonomise, qe ironizon autori i ketij shkrimi qe te ka entuziazmuar kaq shume, po zhvendoset drejt lindjes. Kurse ne Perendim vazhdohet me perralla me mbret.

        Ne industrine ku une punoj, produktiviteti ne Azi eshte gati 100% me i larte se ne Amerike te Veriut apo edhe ne pjese te tjera te Perendimit.
        Une kam nje lloj pershtypje se te majtet shumer ralle kane punuar apo vijne nga radhet e sektorit privat.
        Ne sektorin privat, ti je si ai gjahtari. Do hash ate qe do vrasesh. E po s`vrave gje per diten, do ngelet e gjithe familja pa ngrene. Pavaresisht nga titujt e librave ne biblioteke.

      2. Greket merren me punet e tyre, shqiptaret me punet e tyre, ti me punet e kujt merresh ?

          1. Na fshi edhe kete koment, se keta te Syrizes na dalin komuniste ne Greqi dhe naziskine ndaj shqiptareve.

            http://shekulli.com.al/web/p.php?id=12765&kat=100

            S’e besoj qe keto pika te jene motivimi i bashkimit tend si doganier idesh me Syrizen, po si i thone kurre mos thuaj kurre.

            1.Vlerësimi dhe dënimi i deklaratave irredentiste të Kryeministrit të të Shqipërisë ku deklaroi se, “territoret historike shqiptare janë deri në Prevezë”.

            2.Mospranimin dhe vlerësimin si absurde të pretendimeve pronësore nga çamët bashkëpunëtorë të Boshtit Fashist të cilët u larguan nga Greqia në vitin 1944.

            3.Rivlerësimin nga ana e Shqipërisë të refuzimit që i bëhet minoritetit grek në Shqipëri për identitetin kombëtar dhe kulturor për pjesë të mëdha të këtyre zonave.

            4.Shqipëria të mos shmangë dhe nënvleftësojë çështjen e pronës private të minoritarëve grekë në Shqipëri.

            5.Rivlerësimin nga ana e Shqipërisë të marrëveshjes së ‘Shelfit Continental’, kufijve detarë mes dy vendeve (AOZ), marrëveshje e cila u shpall tre vjet më parë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, Kryetari i së cilës është pjesë e lobit çam dhe me lidhje të forta në Ankara, Turqi.

            Në një situatë të tillë dhe më problemet e radhitura më lart Bashkimi Evropian nuk mund të shpërblejë Shqipërinë me hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.