BUKË, KRIPË, ZEMËR

Shumë gjëra na u thanë këto ditë për rritjen e çmimit të bukës. Na folën për uljen e kostos, lehtësirat fiskale, skemat e kompensimit, ndikimet e globalizimit, ngrirjen e çmimeve, importimin e grurit, kartelin e furrave, krizën ekonomike, e kështu me radhë. Ajo çka mbeti në hije është pesha simbolike e bukës në kulturën shqiptare.

Kultura shqiptare është e gatuar me bukë. Buka është futur aq thellë në jetën dhe gjuhën tonë saqë kjo histori mund të tregohet edhe kështu.

Neve na ngeci buka në fyt kur dëgjuam për rritjen e çmimit të bukës. Por duke parë situatën brenda dhe jashtë vendit kostoja do rritet si buka që hamë. Bukëpjekësit nga një anë duken si viktima, nga ana tjetër duket sikur po hanë bukën dhe po përmbysin kupën. Dikur e ngjyenim bukën me dhallë, varfëria ka qenë e përhapur, por edhe tani nuk është se ekonomia po ecën shumë mirë.

Qytetarët shqiptarë u prekën thellë nga ky ndryshim, sepse jetën nuk e kuptojnë pa bukën, meqë foljes ha, ia shtojnë gjithnjë fjalën bukë, edhe kur nuk nevojitet. Në këtë kuptim, vendimi për rritjen e çmimit të bukës, i ndau qytetarët nga shteti, pavarësisht se shqiptarët janë të qetë, ata me bukë kurse qeveria me gurë. Për fat, kryeministri shqiptar e kuptoi në kohë se liberalizmi i skajshëm nuk mund të funksionojë mirë, përveçse në xhungël dhe se duhet bërë kujdes se buka që thyhet nuk ngjitet më.

Nuk është e tepërt të thuhet se kjo ekonomi e tregut, e konceptuar kaq egërsisht, i është qepur Shqipërisë me bukë në trastë. Tani nuk është se shqiptarët duan bukë mbi pagaçe, duan vetëm që disa artikuj të vlefshëm për mbijetesën të mos preken shumë. Formulat e ekonomisë së ashpër kapitaliste tanimë i kanë bukë e djathë, i njohin në majë të gishtërinjve; edhe meritën pa dyshim ia pranojnë, nuk është se e shkelin bukën me këmbë.

Mirëpo shqiptarët në një farë mënyre pasqyrohen tek buka, te ajo e grurit, e misrit, e zezë, e bardhë… Është pikë referimi për identitetin e tyre, sepse bujarinë, karakteristikën e valëvitur tradicionalisht, e kanë quajtur ndryshe “bukë, kripë e zemër”. Nuk është thënie kulturorisht e pathemeltë. Njerëzit e mirë i kanë quajtur gjithnjë “buka e fukarasë”, miqtë mirëbesonin më shumë kur thyenin bukën bashkë, kurse bukëshkalët nuk i kanë duruar kurrë.

Ndoshta rritja e çmimit të bukës është e paevitueshme. Kjo do të na bëjë që ta shohim bukën disi më larg, e ndoshta më ftohtë, jo si dikur kur e hanim valë të ngrohtë si mafishe, edhe në/me shpirt. Ndoshta furrëpjekësit nuk do i shohim sikur na kanë ngrënë bukën dhe do hamë sërish me ndonjë bukë të vjetër, pra me shokë të dikurshëm, por diçka do të ndryshojë kur në menynë tonë do fillojnë të peshojnë artikuj të tjerë. Jo për gjë, por si t’ia bëjmë për të shprehur përçmimin tonë për dikë? Deri dje thuhej figurativisht: “Është maskara, duhet vrarë me bukë në gojë!”. Tani, jo vetëm që dënim me vdekje nuk ka (për fat të mirë), por edhe buka po shtrenjtohet. Të përdorim ndonjë shprehje me oriz? Apo ka rrezik të na ngatërrojnë me ndonjë popull tjetër?

7 Komente

  1. HA!

    – Mos i shiko buken, por shikoji supen.
    – Buken e sotme mos e ler per neser.
    – Buke buke behen 2 buke.
    – Ku hyn buka, nuk hyn Sala, por hyn dielli.

    PS: shkrim shume i mire. frazeologjia dhe problematika – si Bonnie & Clyde.

  2. Pishak, ndoshta duhet te perdorje edhe neologjizmin e ri ‘pabuks’ (djelmosha qe s’kane takat per te mbajtur femra)

    me seriozisht….

    Buka mund te merret edhe si eufemizem per peshen e rende qe ka ne shporten e ‘cmimeve’. Nuk eshte se eshte rritur vetem buka, por nje % pothuaj afrikane e buxhetit familjar shpenzohet per ushqim.

  3. Duke debatuar shpesh me time shoqe, ne kuptimin e mire te fjales, vras mendjen, madje e vrasim dyshe, se ku dreqin na shkojne gjithato rroga qe marrim (me kuptoni, ne marrim vec dy, por jane te konsiderueshme per kohen dhe vendin).
    Nga lartesite sociale qe ofron kati i nente i pallatit te ri, pyetja qe me lebetit fare eshte se, mire ne, po ata qe jane te papune si ia bejne?
    Kesaj pyetjeje kam nisur se fundi t’ja degjoj ca si shpesh pergjigjen; f.v. pardje, njeres i ishte djegur shtepia dhe, ndersa i qahej gazetares tv per kete, duke treguar dicka tjeter, i “shpetoi” edhe qe “mbreme i vura te flene pa buke femijet”…

    Shokeni…,
    anes drites i papare s’paska qene gje hic, po anes sofres i pangrene qenka, c’qenka!

    Vendi ka nevoje urgjente per qendra sociale.

  4. Shkrim shume i goditur, Pishak. Me pelqen shume sesi e paraqet rendesine e bukes ne kulturen tone.
    Me duket se pas fjales Zot eshte fjala me e permendur ne shprehjet tona. Kjo e ritregon dhe nje here rendesine e saj!

  5. “Vendi ka nevoje urgjente per qendra sociale.”

    PNH, A mund t’a shtjellosh me tej kete, te lutem?

  6. Pishak thote: “Ajo çka mbeti në hije është pesha simbolike e bukës në kulturën shqiptare.”

    Me duket se buka ka me teper se sa peshe simbolike kur mendon brumin me te cilin jemi gatuar.

  7. Lulian,
    pa shume ceremoni, pa programe afatgjata socio-ekonomike qe do te sigurojne punesim dhe ngritje te mireqenies ne zonat urbane, periferite e tyre dhe suburbane, etj. etj. etj mendoj se ne cdo qytet duhet te hapet te pakten 1 (ne TR minimumi 3) qender sociale ku te vobektet te kene mundesi te gjejne te pakten ushqim (minimumi dreken) dhe ku ne te tjeret te kemi mundesi te gjejme te vobektet, per tu dhuruar atyre placka e kepuce qe vete nuk na hyjne me ne pune per gjithfarlloj arsyesh.
    Nese keto qendra do te zgjeronin funksionet e tyre edhe me mesimdhenie apo edukim qytetar kjo eshte nje plus, por qe per hir te bisedes me duhet ta rivendos tek “programet afatgjate…”.
    Kur flas per urgjence, kisha parasysh urine per buke.

    Me sa di, eshte hapur nje ne Kombinat nga bashkia TR.
    Si ne Itali, ashtu edhe ne Greqi ku kam pas rastin te jetoj gjate, kam hasur ne qendra te tilla, te organizuara nga pushteti lokal apo institucionet fetare.

    Vend i varfer jemi, por nuk duhet ti leme qytetaret tane deri ne uri.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin