VLERA TË NGATËRRUARA

Duke lexuar disa shënime kolegësh për Koncertin e Vjenës të Vitit të Ri,

si për natyrën e tij “kyltyrore”, ashtu edhe për historinë e tij jo edhe aq të virtytshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, kujtova tufat e shqiptarëve që, edhe kur të lodhur nga “orgjia kulinare” e natës më parë (krejt e panatyrshme për stomakët tanë të mësuar të flinin lehtshëm), rendnin të rraseshin të parët tek ai komshi që kishte televizor me ngjyra, që të ndiqnin Koncertin që ishte mëkat të shihej pa ngjyra.

Shumë garues nuk do shkonin në një koncert simfonik live, as edhe falas. Po ashtu m’u kujtua një mikeshë që ishte aq e lidhur me Koncertin, sa më duket se u bë mike me një vjeneze, vetëm e vetëm që të siguronte bazë që të shihte një herë në jetën e vet Koncertin, që, po e pe, vdis pastaj! Me sa di, ia doli ta ndiqte në sallë, veshur me një kostum të kuq dhururar apostafat, të cilit, kur e vishte më pas, i referohej si “kostumi i Koncertit të Vjenës”. Kjo gocë e ëmbël që nuk kuptonte asnjë lloj muzike, kish një rregull të rreptë për sa herë në vit duhet të kish kontakt me një orkestër simfonike live; përndryshe plani i kultivimit për atë vit i ngelej i parealizuar.

Gjithnjë kam menduar se ka pasur një kult të veçantë që klasa e mesme i kish rezervuar gjatë socializmit kulturës së lartë, ku hynin pak a shumë leximi i klasikëve të letërsisë, njohja e muzikës klasike, e historisë së pikturës, njohuri të vockla e sipërfaqësore enciklopedike, një çikë Hegel sa për të thënë, ca histori e ca mitologji, si dhe të mësuarit e gjuhëve të huaja, sido që ishin të rrallë ata që i njihnin vërtet mirë a që i mësonin për t’i përdorur diku. Këto tipare të trendit tonë të rreptë, sado provincial, mund të shkonin krah ose jo me të qenët “i shkëlqyeshëm” ose “i pari i klasës” në shkollë.  Them kult, sepse në fakt, s’kish modele reale veç ndonjë të rralli që ia kishin kyçur gojën: edhe më të kulturuarit mes nesh ishin të mangët se s’kishin ku të gjenin as materialet e nevojshme dhe, sidomos, nuk kish struktura didaktike analize e interpretimi, auditorë diskutimi real, dhe përgjithësisht mungonte  makineria intelektuale e teorike e nevojshme për të lejuar të kuptuarit analitik e të thelluar të asaj çka ne quanim kulturë të madhe. Pra marrëdhënia me këtë kulturë në kushte lirish të mangëta e që reduktoheshin papushim, ishte e rremë dhe sipërfaqësore. Gjithashtu them kult, sepse shumica jonë që notonte kundër rrymës në këtë det të ashpër por ëmbëlsues të “kultivimit”, nuk e dinte pse e bënte e as si e bënte. Se merrte kënaqësi nga arti e letërsia? Se ishte në modë? Se jepte mundësi shoqërimesh më të rafinuara? Se ndihmonte në zhvillime praktiko-jetike? Ka që ndiheshin rrebelë që kryenin akte të tilla “subversive” (se po të dije shumë, të këpusnin kryet), dhe kapërcenin në fusha të palejuara zyrtarisht; ka që ndiheshin të partishëm e qytetarë të nderuar të emulacionit socialist po për të njëjtat akte, dhe që kujdeseshin që kulturës “jorevolucionare” që hasnin, t’i bënin kritikën e nevojshme pastruese.

Nuk besoj se tek ne prirja e çuditshme ndaj dukjes së kultivuar përpunohej qëllimisht nga sistemi dhe as se ishte ndërtuar kundër tij. Besoj se ideologjikisht ne kishim një pari komuniste në masë mediokre, shpesh të dalë nga Shkolla e Partisë, me pak persona që kishin kryer shkolla të plota a të pjesshme në Lindje, që filozofikisht qe e papërgatitur dhe që ndiqte pas dekretesh e pas nuhatjeje normat kulturore estetike të Enver Hoxhës. Në thelb dhe historikisht sistemi shprehte neveri dhe nënvlerësim për dijen intelektuale, ideologji e trupëzuar me fatin që patën fushatë pas fushate intelektualët e përcjellë nga e kaluara. Enveri vetë ofronte një lloj çorbe stalinisto-borgjeze e moskovito-pariziane. Nuk besoj as se ishte tërësisht një trend krijuar nga Enver Hoxha si për të imituar “shijet” e tij. Kjo prirje për të qenë formalisht në loop të kulturës klasike e të lartë, zbriste deri poshtë gati-gati në një model perfekt hegjemonik gramscian, por që në fakt nuk u shërbente interesave të sistemit dhe as ia përjetësonte vlera kulturore dominante.

Në fakt, shumica pak kuptonte. Endeshim në një si tymnajë vetëmashtrimi, alibi e së cilës ishin aq e aq tituj romanesh e emra karakteresh, rryma pikture e muzike, thelbin dhe lidhjen mes të cilave rrallë i njihnim tamam. Çdo vend pjell këtë ndarjen kulturë e lartë-kulturë e ulët ose e masave. Vetë koncepti i Kulturës së lartë është perëndimor në origjinë, por flamujt modernë iu valëvitën veçanërisht në Evropën Lindore. Tek ne, për arsye që i them më lart, ishin vërtet të rrallë njerëz të mirëformuar, shumë më të rrallë se në Perëndim. Por ishin aq të shumtë njerëz që “synonin” obsesivisht Kulturën, atë të emrave të mëdha dhe njohjeve të vogla, të hapjes së gjithë dyerve sa për të futur pak kokën, pa hyrë vërtet në asnjërën prej dhomave ku çonin, pa një shkak të qartë. Këta ishin shumë më shumë se në Perëndim. Ishin shpesh njerëz që vetë nuk e kishin e as ëndërronin ta kishin, por duhet t’ua jepnin të bijve me forcë e me shumë sakrifica. Sepse duhej! Në botë gjeta infermierë që kryejnë me saktësi hyjnore ekzaminimin fizik të pacientit dhe diagnostikimin e tij, ose sekretare që shtypnin, hartonin tabela, e shkruanin letra zyrtare me perfeksion makinash inteligjente, por nuk e kishin haberin kush ishte Monet, Albinoni e as Jung. Tek ne këto lidhje ishin lëmsh si për ata që konsideroheshin pjesë e inteligjencës qytetare, si për shumicën e thjeshtë. Bëheshin edhe shkak dëmesh funksionale për mënyrën si punonte sistemi. Punonjësi i sportelit të postës tek ne e bënte pa kujdes punën dhe sillej keq me klientin, por ama ndihej mbi detyrën e vet, sepse kish lexuar “Zonjën me kamelie” kur ishte i ri.

Edhe sot vazhdon ky avaz në Tiranë; dhe jo vetëm aty. Ndodhi që u ula në një kafene me një gazetar, që pas veç dy-tre minutash muhabeti hyrjeje (ishte hera e parë që takoheshim), më pyeti pa lidhje: çfarë mendon për Charles Swann të Proustit? Proust në vetvete këtu përbënte një legjitimues niveli të lartë kulturor dhe kredencial për bisedë intelektuale apo mbushësi prestigjioz të pauzës më të gjatë se duhej, pavarësisht se s’kish asnjë funksion në muhabet. Pastaj folëm për çmimet e larta në merkaton e frutave të Sheshit Avni Rustemi, dhe unë shtova se hurmat farzi atje, ia vlen t’i blesh, sado ta kenë çmimin. Si për t’i kujtuar vetes se isha pjesë e ish-grupit elitar që i gjëmonte Kulturës, bëra unë vetë një lapsus dëftyes para pak kohësh. Flisja me një mikeshën time hungareze që në fakt është shkolluar e ka jetuar më shumë në Francë se në Hungari. E pyesja nëse ndihej më mirë me frengjishten apo me hungarishten. Më tha se s’dinte të më përgjigjej tamam. Atëherë unë shtova: p.sh., në çfarë gjuhe të vjen më mirë të shkruash poezi? Ajo më pa duke buzëqeshur dhe më tha “unë s’kam shkruar kurrë poezi!” Çfarë?! Një mikesha ime, për më tepër lindore, nuk ka nxirë kurrë kartë me mjaltën e saj intelektuale e sublime?! Në fakt, pas largimit nga Shqipëria në 1990, kam takuar njerëz të ngjashëm me ne në kuptimin e nevojës së kulturimit të lartë me çdo kusht e pa qëllim, sidomos mes lindorësh, rusësh, polakësh, rumunësh, kroatësh, letonësh, shumë më shumë sesa mes perëndimorësh. Gjen situata të krahasueshme edhe në perëndim mes akademikëve, sidomos të një subkategorie akademikësh, ose edhe në zona të mbyllura me natyrë të fortë provinciale dhe kujtesë kolektive të kompleksuar. Por fenomeni është i kufizuar. Nuk më ka kënaqur asnjëherë një përgjigje e psesë së këtij fenomeni në vendet si i yni. Gjithmonë ngecem tek instinkti vetëmbrojtës njerëzor për të krijuar sublimim me çdo kusht, sado rrenacak, në një ambient shoqëror ku qenia artificializohej dhe shtyhej të humbiste dinjitetin e vet. Shpjegim pak si i sheqerosur, ky! Të ishte reagim instinktiv për të mbrojtur qenien nga vdekja e plotë intelektuale që bënte kërdinë në Shqipëri, reagim që ngatërrohej nga sistemi herë si pozitiv e herë si negativ? Të ishte rikrijimi i dogmës kulturore, nga që ajri ishte aq i ngarkuar me dogmatizëm, sa edhe vetë vlera poetike nuk mund të kapërdihej në asnjë kanal praktik individual, nëse nuk shndërrohej paraprakisht në të vetmin ushqim që njihnim, pra në dogmë? Apo ishte reagim kompensues ndaj forcës së përjashtimit, mjet ky që përdorej nga rrethi i mbyllur i komunistëve në majë ndaj kujtdo poshtë tij, përfshirë anëtarët e vet, reagim që rikrijonte për njerëzit një “shtëpi të bukur” vlerash kulturore e ideale, një hapësirë të munguar së cilës dëshironin t’i përkisnin pasi ishin të përjashtuar nga maja politike e paarritshme?

Apo të ketë pasur gjësend në ujët socialist?! Para disa muajsh një specialiste e shkencave politike që studion Evropën Lindore, Carol Skalnik Leff, kumtonte se ajo vetë nuk e kish menduar kurrë se 25 vjet pas rënies së murit dhe përdorimit të mekanizmave politikë të njëjtë me Perëndimin, Evropa Lindore do vazhdonte të kish kuptim si entitet më vete. Ajo nuk përqendrohej në ndryshimet mes Evropës Lindore dhe Perëndimit në zhvillimet politike dhe as në ato ekonomike, që dihet janë ende të shumëta. Por vëzhgonte një zonë delikate: atë të dallimeve kulturore mes dy grupimeve. A ka në fakt Evropa Lindore (ish-kampi komunist) një mendësi e kulturë ndryshe sot? Vlera e të qenit pjesë e elitës intelektuale sipas saj vazhdonte ende sot të ish një ndër vlerat me prestigj publik, dhe faktor i rëndësishëm për zgjedhjen në postet më të larta politike. Ajo sillte mjaft shembuj ku presidentë e kryeministra lindorë shaheshin a lëvdoheshin prej shtypit apo prej të tjerësh politikanë, pikërisht për nga sa gjuhë dinin e sa të lëçitur ishin. Ndodh edhe në rastin e Shqipërisë kjo. Jepte edhe shumë shembuj të një tendence të Evropës Lindore për të zgjedhur në poste ministrash akademikët, sido që njerëz pa përvojë politike ose praktike në fushë, element gjithashtu i lidhur me prestigjin e pavënshëm në dyshim të kulturës së lartë në këto vende. Nga ana tjetër, tipar i gjithëgjendshëm në të gjitha fushatat zgjedhore lindore, është matja e afërsisë apo largësisë së kandidatit me regjimin komunist dhe përdorimi i kësaj afërsie/largësie si instrument pro ose kundër kandidatit. Edhe këtu rishfaqet një sjellje konfuze mes mbajtjes së të njëtave vlera konfirmuar gjatë socializmit, por nga ana tjetër, mohimit me urrejtje të periudhës si e tërë. Pa zënë me gojë këtu një tjetër ngatërresë tradicionale ideologjike të të majtave (përgjithësisht, më të kulturuara se të djathtat) mes promovimit të barazisë dhe afrimit shoqëror si parim bazë, dhe krijimit, nga ana tjetër, të kastave të mbylluara e sipërore të krijuara nga përkrahësit dhe ushqyesit e elitave kulturëlarta.

Leff, nga ana tjetër, sjell statistika që paqëndrueshmëria e zgjedhjeve në gjithë zonën ish-komuniste evropiane është së paku dy herë më e lartë se në atë perëndimore, dhe një shkak për këtë është i ashtuquajturi “turizëm partiak” me grupime e parti që kalojnë pa problem nga e majta në të djathtë ose anasjelltas, tipar tipik ky i gjithë sistemeve të Lindjes. Qartësisht, ky tipar dëshmon mungesë vlerash ideale dhe ideologjish e bindjesh konsistente brenda grupimeve politike si edhe mes popullsive zgjedhëse që hartakanë verbëri kritike ndaj këtij turizmi. Po ashtu Leff sjell një adaptim evropian të hartës botërore të vlerave kulturore (Inglehart e Welzel. 2010), ku vendos si vendet e Evropës Lindore (përfshirë Shqipërinë), ashtu edhe ato të Perëndimores. Në hartë të gjitha vendet lindore shënojnë fort në krahun e “vlerave të mbijetesës” (boshti horizontal), përkundër atyre me demokraci të stabilizuara të vendeve perëndimore që i takojnë fuqishëm në bosht krahut të vetë-shprehjes. Vlerat kulturore të mbijetesës synojnë kryesisht sigurinë ekonomike dhe fizike, dhe identifikohen me nivel të ulët besimi dhe tolerance ndaj tjetrit dhe mungesë gjykimi e veprimi. Ato të vetë-shprehjes të Evropës së zhvilluar (sidomos Evropa e Veriut) janë vlera që identifikohen me mbrojtjen e ambientit dhe të së ardhmes, tolerancë ndaj tjetrit të çfarëdo lloji, nevojë për pjesëmarrje të edukuar në vendim-marrjen politike dhe ekonomike, dhe mirë-besim e komunikim ndërshoqëror.

Nuk mund të gjykoj drejtësinë dhe saktësinë e këtij studimi (boshti i tij vertikal ku Shqipëria rezulton si larg vlerave kulturore tradicionale, më bën të dyshoj, por nuk merrem me këtë çështje në këtë shkrim), por e marr si të mirëqenë saktësinë e tij në gjetjet themelore. Dhe, për qëllimet e shkrimit, ajo që thuhet më lart për vlerat e mbijetesës përkon fare mirë me gjendjen reale në rastin e Shqipërisë.

Ajo që është domethënëse është se vlerat e fushës së humaniteteve (filozofi, letërsi, arte të bukura, histori e të tjera disiplina të ndërmjetme, pra njohje që pak a shumë përkon me “kulturën e lartë”), ndryshe prej atyre të shkencave dhe inxhinjerive, konsiderohen në akademinë moderne perëndimore si themelore për formimin e një njeriu që synon paqen, me mendje të lirë e të aftë të thellohet, me sens të ndjeshëm ndaj drejtësisë sociale, aktiv për zhvillim shoqëror progresiv, që kupton dhe interpreton lehtësisht situatat komplekse shoqërore dhe ka aftësinë që t’u japë atyre zgjidhje paqësore dhe të përgjegjshme për të ardhmen e planetit. Pra, edhe rendja masive pas “kulturës së lartë” në Shqipëri, po të kish funksionuar, do duhej të prodhonte këtë qenien me vlera vetë-shprehëse, pra të kundërtën e asaj që ka prodhuar. Kuptohet që mund të ketë pasur plot faktorë shkatërrues të vlerave të vetë-shprehjes që kanë vepruar në komunizëm. Çka mund të them me bindje, është se afëria relative me “kulturën e lartë”, jo vetëm që nuk prodhoi dot vlera kulturore vetë-shprehëse, por as neutralizoi dot efektin e çfarëdolloj faktorësh anti-demokratikë që bllokonin shtërzimin e këtyre vlerave në komunizëm. Për mua ky është një argument që më ridëshmon bindjen se rendja jonë shumë-dekadëshe ndaj kultivimit me çdo kusht, nuk kish as kokë e as funksion, dhe ishte sipërfaqësore. Mbetem e bindur se një shoqëri ku mungesa e lirisë gërryen dinjitetin njerëzor, pa busull morale dhe pa një mision progresiv të kuptuar dhe të mbështetur me dëshirë nga pjesa dërrmuese, nuk mund të bëjë një përdorim të sinqertë dhe të kuptimshëm të kulturës, qoftë kjo e lartë ose jo, dhe s’mund të prodhojë vlera kulturore që t’ua lerë si mbrojtës njerëzillëku brezave që vijnë. Socializmit tonë jo veç i mungonte ajo busull, por edhe atë orientim minimal që historia jonë e thyer kish stabilizuar, ai e prishi. Pa lidhje direkte me vlerën etike dhe pa liri zgjedhjeje e veprimi, nuk mund të kishte kulturim si mënyrë jetese, si pasurim jete dhe shpirtit, por kish kulturim si xhevahir i rremë. Këto kushte mbeten realë sot që “mania” jonë drejt kulturës së lartë të bëhet dëshirë për të ditur e mësuar më shumë dhe për t’u afruar me botë të tjera. Kështu ajo do përmirësojë në fakt individin dhe do i rrisë vlerat komunitetit dhe komunikimit ku ekzistojmë.

 

Nuk ka komente

  1. Shumë e mirë kjo ese.

    Kur e lexoja, më shkoi mendja se masivizimi i kulturës “së lartë”, në Europën Lindore, lidhet edhe me ndikimin sovjetik, të përhapur pas Luftës II Botërore dhe pikërisht:

    – ideja se kultura është diçka që mësohet në shkollë, para se të shndërrohet në përmasë të së jetuarit; dhe pastaj masivizimi i shkollës, krahas me idenë se në shkollë mund dhe duhen studiuar vetëm vlerat e konfirmuara (se përndryshe nuk ia vlen).

    – kultura e lartë ishte e para që u përcoll nga mjetet e komunikimit masiv, si radioja – p.sh. muzika klasike, ose dramaturgjia. Deri vonë në vitet 1970 radioja ishte instrument edukativ, dhe jo vetëm në Lindje.

    – ndikimi i teknologjisë; sërish, shumica e atyre që sollën gramafonë nga Bashkimi Sovjetik, sollën edhe pllaka me muzikë operistike – jo sepse mungonin pllaka me muzikë të lehtë, por se vetëm operistikja meritonte të mbahej në shtëpi dhe t’u tregohej mysafirëve. E njëjta gjë do të vlejë edhe për librat.

    – koncepti i autoritetit në kulturë; i kristalizuar mirë në Bashkimin Sovjetik pas Luftës II Botërore.

    – shpërfillja e aspekteve komerciale të kulturës; meqë modeli lindor parakuptonte subvencionimin e plotë të formave “të larta” të kulturës, atëherë shitja e produkteve përkatëse nuk ngrinte shumë peshë. Po ashtu, disa forma kulturore të ulëta iu bashkëlidhën hedonizmit borgjez ose dekadencës.

    – politikat kulturore në Lindje synuan, duke ndjekur modelin sovjetik, të ndanin konsumin e kulturës së lartë nga hedonizmi. Nuk mund të bëje qejf me Brahms-in ose Çajkovskin ose Tolstoj-in. Konsumi i kulturës së lartë erdhi e u shndërrua në një lloj liturgjie që aftësonte dhe sanksiononte shtresëzimin social.

    – po ashtu, meqë sistemi nuk lejonte pasurimin material të individit dhe të entiteteve private, atëherë pasurimi kulturor, ose më mirë “konsumi i spikatur” i kulturës së lartë do të ndihmonte për t’u shquar prej së tjerëve, ose do të shërbente si trampolin për statusin. Të pëlqeje Liliana Kondakçiun ishte çështje shijesh, por të pëlqeje Maria Callas të jepte sqimë dhe fisnikëri në sytë e të tjerëve.

    1. Tamam!… pra ishte edhe mjeti me i mire i mbetur “i lire” per shtresezim social dhe mbyllje elitash gjate socializmit. Edhe kjo nje vlere e ngaterruar e te majtes. Eshte interesant te shihet se revolucioni kulturor me prirjet kunder kesaj lloj kulture, nuk na ndikoi fort, sido qe ne gjithe lindjen ka pasur nje lloj efekti. Tek ne pak me shume ne periudha te caktuara. Gjithashtu vlerat mixe te Enverit tone, ishin po ashtu edhe vlerat e ruajtura si “ideale” ne rusine sovjetike pas-aristokratike. Ne te dyja kishte nje enderr perendimore borgjeze te thyer e te kthyer kunder vetes.

  2. Relativizimi nuk po na çon gjithashtu gjëkundi.
    Këtij çunit p.sh. ndoshta do t’i kish bërë mirë, në vend të, citoj 2Xhain: disa forma(ve) kulturore të ulëta që iu bashkëlidhën hedonizmit borgjez ose dekadencës… (kupto, përkthyer në shqip: tallava dhe qerre(a)tizëm) ca Dostojevsk e operistikë.

    http://www.mapo.al/2015/01/djali-vret-babane-ne-pogradec/

    Personalisht e pa dashur të hyj në debat me njerëz që i dinë më mirë këto gjëra, jam skandalizuar kur kolegët e mi të zyrës, të dy akademikë, më pohuan duke buzëqeshur se nuk kishin lexuar ndonjëherë ndonjë libër e qysh atëherë e më tutje i kam përçmuar fshehurazi.

    Na duhet të marrim shembull shembullin që duhet të marrë Perëndimi e jo Perëndimin vetë…

    1. Paskal,
      Une e kuptoj menyren si ndihesh per koleget, dhe mendoj si ti. Nuk shkruaj kunder kultures, por kunder moskuptimit te funksioneve te saj, afrimit te kompleksuar drejt saj, kunder marredhenies siperfaqesore me kulturen, kunder trajtimit te saj si mjet dukjeje dhe ndarjeje.

    2. E kam të qartë këtë presja. Mendoj që, për kohën që po kalojmë (por ti nuk po flisje për të, por për kohën e shkuar) çka ish dikur e tepërt, ndoshta është ajo çka po na mungon tani.
      Problemi, më ngjan, është se kemi rrëshqitur prej absolutizmit tek relativizmi ekstrem, në mos amullia, e as një ra e as tjetra nuk po na bëjnë mirë.
      Këtë po nënkuptoja në komentin më sipër.
      Shkrim shumë i mirë; është i dyti radhaz që po më pëlqen fort. Përgëzime!

  3. Kjo ceshtja e kyltyres shtrihet edhe tek kultivimi nepermjet arsimit formal, shkollave dhe universiteteve. Kultura e pergjithshme vleresohej ne ate sistem arsimor (gjimnazi rriste probabilitetin per ne arsimin e larte) dhe perkonte me ideologjine e arsimimit (fuqizimit intelektual) te proletariatit. kjo ne nivel sistemik (kujtoni leximin e ZP-es cdo mengjes). Ne nivelin individual motivet ishit te tjera.

    po lexoja mbi pervojen amerikane gjate luftes se ftohte ne projektet e asistences teknike nga universitetet e nebraskes dhe te pensilvanias ne Iran dhe Turqi. dhe pernjimend mu kujtua arsimi i larte ne shqiperi. Dukuria e perbashket ishte se arsimi dhe kultivimi sherbenin si instrument per mobilitetin social ne kuptimin e zaptimit te ndonje vendi te sigurte ne administrate, ne Shqiperi perfshinte edhe ndermarrjet shteterore. Arsimi, per habi te amerikaneve te atyre viteve e te pandotur nga utilitarizmi neoliberal i pas-viteve 70, shihej thjeshte si nje trampoline per nje vend pune te rehatshme (kujtoni keshillen e prinderve tana – te pret kazma!), dhe jo si nje pervoja e rritjes personale, kureshtjes, dijes etj. kokecarje per kedo qe donte te shpejtonte ne zyren me te pare.

    Sic veren Presja me dezhurnin qe nen banak, afer bukes me qepe e djathe te mbeshtjelle me gazete dhe copeza fletash librash per tu fshire ne banjon ku mungon uji, ka edhe librin “Iluzione te Humbura”. Nuk mund ti gjeje keta tipa tjeterkund pervec se ne administrate. Por studiues perendimor, E. Gellner p.sh., verenin me endje se ne metrot e Moskes e tramet e Budapestit gjeje proletar me libra te Cehovit, Tolstoit etj. neper duar.

    Ka nje shkolle te tere qe merret me ceshtjet e kultures se larte dhe ate popullore, Stuart Hall me shkon ndermend (https://en.wikipedia.org/wiki/Stuart_Hall_(cultural_theorist) ) . Prandaj une e kritikoj kete qasjen cinike ndaj perpjekjeve te cilindo per tu dukur – kultura eshte dukje. Merr kuptim vetem kur reflektohet tek tjetri, ne marredhenie me te. Pakkujt do ti hynte ne pune erudicioni nese nuk vleresohet per te nga te tjere, me pak te ditur.

    Dmth. ka nje premise te nje kulture “aristokratike” te vertetete (genuine/sahi) nen kritikat ndaj konsumit te spikatur (thorstein veblen faktikisht e hodhi kete ide per arsimin e larte ne SHBA, Tocqueville e veshtroi tek masivizimi i produkteve te artit ne SHBA, Benjamin tek riprodhimi i artit etj.) qe nuk i qendron realitetit – dallimit ndermjet kultures se larte dhe te ulet. njerezit gjithmone jane “bere”, kultivuar, askush nuk ka lindur i ditur. te pretendosh se jemi siperfaqesor – kush na e mati thellesine. Nen kete prizem une shoh gjithmone nje grup reaksionaresh qe nuk ndihen mire kur pozitat u rrezikohen nga ‘te ardhurit’ (arrivistet).

    ndersa sa i perket kultures politike e vlerave te saj (ingelhart etc.), jane thjeshte konstrukte teorike e jo empirike, edhe pse mbuluar me nje database me sondazhe. Kultura politike eshte shprehje e pervojes me institucionet, sidomos ne raport me institucionet e shtetit dhe ato ekonomike (qasja e Ingelhart eshte politike-ekonomike). Pergjithesime te kombeve ne harta vlerash, parochiale e moderne, s’kane lidhje me realitetin kulturor te masave.

    1. Nuk është e hijshme të komentosh rreth shembujve, por po i lejoj vetes të ndalem një çast te romani “Iluzione të humbura”, që përmendi Durimpaku më lart.

      Kam përshtypjen se vepra të kësaj kategorie qarkullonin në Shqipëri jo si të kulturës së lartë, por si të kulturës masive, ose të paktën, të masivizuar.

      Nuk kishte alternativë reale ndaj Balzakut dhe Hygoit. Nuk kishte fast food në konsumin letrar. Madje autorët shqiptarë konsumoheshin më elitarisht se autorët e huaj të shekullit XIX dhe të fillimshekullit XX. Faslli Haliti ishte më high-cult se Pushkini.

      Më tej, disa nga këto vepra as nuk janë krijuar si kulturë e lartë – p.sh. romanet e Dickens-it ose të Balzac-ut. Kanë qenë vepra të destinuara për lexuesin e alfabetizuar masiv. Nëse kanë fituar sot, në Perëndim, statusin e kulturës së lartë, kjo ka ndodhur ngaqë janë vjetruar dhe janë bërë më pak të “aksesueshme” nga masa.

      Kjo ndodh edhe me muzikën. Opera në Europë praktikisht gjithnjë destinohej për t’u konsumuar nga masa – ndërsa statusin e kulturës së lartë e fitoi vetëm kur masat pushuan së shkuari në opera. Ndryshe qëndron puna, bie fjala, me një kuartet harqesh ose një sonatë për piano dhe violinë; ose edhe për një simfoni.

      Nëse Lindja ua ruajti dhe mirëmbajti disa prej këtyre produkteve statusin e kulturës për masat, e bëri këtë ngaqë institucionet e censurës nuk i vinin dot në shërbim të “kauzës” produktet më moderne. Ishte më lehtë të miratoje për përkthim një roman nga Anatole France-i, sesa një roman nga Albert Camus-ja.

      Më tej akoma, vendet socialiste u bënë të tilla në një kohë kur Bashkimit Sovjetik nuk i kish mbetur më asgjë revolucionare: krejt kultura sovjetike në vitet 1940-1950 synonte ruajtjen e hierarkive dhe të strukturave të pushtetit; asgjë revolucionare nuk do të pranohej.

      Për këtë arsye, avangarda sovjetike e viteve 1920 depërtoi në Lindje me pikatore; në Shqipëri, bie fjala, shenjat e futurizmit rus në poezi i gjen vetëm në poetët e vargut të lirë të fillimviteve 1960 – madje edhe këta në fillim u luftuan, pastaj u pa se po i shërbenin njëlloj me zell vijës së Partisë; madje ikonoklazma e tyre, me rrënjë estetike, u shfrytëzua për bukuri në vitet e “revolucionarizimit” (kundër fesë, zakoneve prapanike, konservatorizmit, etj.).

      Nga ky prizëm, vepra si “Iluzionet e humbura” pritej të luanin në formimin kulturor të masës një rol propedeutik, ose t’i jepnin individit instrumentet kulturore të nevojshme, që do t’i hapnin pastaj rrugë indoktrinimit.

  4. Presja, më ka vënë në mendim ky shkrim, të falenderoj. Një koment rreth një pike të diskutueshme të argumentit tënd kur shkruan:

    “se vlerat e fushës së humaniteteve (filozofi, letërsi, arte të bukura, histori e të tjera disiplina të ndërmjetme, pra njohje që pak a shumë përkon me “kulturën e lartë”), ndryshe prej atyre të shkencave dhe inxhinjerive, konsiderohen në akademinë moderne perëndimore si themelore për formimin e një njeriu që synon paqen, me mendje të lirë e të aftë të thellohet, me sens të ndjeshëm ndaj drejtësisë sociale, aktiv për zhvillim shoqëror progresiv, që kupton dhe interpreton lehtësisht situatat komplekse shoqërore dhe ka aftësinë që t’u japë atyre zgjidhje paqësore dhe të përgjegjshme për të ardhmen e planetit. […] Pra, edhe rendja masive pas “kulturës së lartë” në Shqipëri, po të kish funksionuar, do duhej të prodhonte këtë qenien me vlera vetë-shprehëse, pra të kundërtën e asaj që ka prodhuar. ”

    “The humanities,” që paraqiten këtu si paketë e konsoliduar, zëdhënese dhe prodhuese të vlerave të lartpërmendura, kanë histori të gjatë, të dhimbshme e me dështime, që lidhen kryesisht me kulturën e shtypit (print culture). Nuk ka se si të presësh të njëjtat rezultate për një periudhë pesëdhjetëvjeçare. Doemos ka cungim. Por ajo që është më urgjente, është se në krahasime të tilla ne–ata, Lindje–Perëndim, të dy anët e ekuacionit kërkojnë perqasje historike (historicizing), përndryshe përsëritet paradigma që Perëndimi shpesh ka ndjekur me Orientin, dhe në këtë rast përfundojmë në “Occidentalizing”, ku Perëndimi del si i epërmi ahistorik.

    Një koment në drejtim të historicitetit e solli Xha Xhai me shembullin e Dickensit si fillimisht jo kulturë e lartë. Kështu e di edhe unë, Dickens publikonte në revista popullore (periodicals) dhe bëri lekë të madh pa patronazhe aristokratike. Por ky është veç një shembull, ndërkohë që duhet patur parasysh se vetë romani si xhanër arrin statusin e letërsisë së denjë, dmth partnere e denjë e epikut në vargje, veç nga fundi i shekullit të XIX.

    Ajo që do shtoja unë në lidhje me historinë dhe përkufizimin e letërsisë angleze (kjo përfshinte në shek e XIX disiplina të quajtuara sot “the humanities”) është se fillimet e konsolidimit kanë rrënjë në politika koloniale. Thomas Babington, andej nga 1835, pati përshtypjen se Britanikët i kishin toleruar indianët së tepërmi (në shtëpinë e tyre!) dhe se Indianët duhet të civilizoheshin, dhe për t’i civilizuar, duhej të edukoheshin fillimisht oficerat e East India Company me ushqimin e një kanoni veprash të seleksionuara sipas interesave dhe politikës imperiale të ditës. Kishte pak humanizëm, pak shqetësim për planetin në këtë praktikë, e cila rezultoi në përbuzjen dhe denigrimin e kulturës indiane. Gauri Visnavathan e ka lëvruar këtë temë në “Masks of Conquests (Columbia UP, 1989). Një mangësi e madhe e njohjes sonë të Dickensit apo Hegelit vinte sepse na mungonte (dhe na mungon) historia kulturore që këto vepra detyrimisht kishin absorbuar. Detyrimisht që Dickensi notonte në vend që të hidhte rrënjë.

    1. Per humanitetet qe diskuton Militchi dhe per disa ide te tjera interesante te komentuesve te tjere mbi natyren e kultures se larte:

      Ne fakt, as e perktheja dot tamam ate qe e lashe pastaj si “humanitete”. E lashe me termin qe perdoret ende sot ne akademi. Por nuk ka nje perkufizim te kenaqshem per to, cilat disiplina hyjne e cilat jo, e plot disiplina qe ne disa prej nen-fushave hyjne e ne te tjera jo. Ceshtja eshte se sa me shume dobesohet fuqia financiare e humaniteteve ne akademi (cfaredo qofshin H-et) ne raport me pjeset e tjera te dijes akademike si dhe te business-it akademik, aq me shume i meshohet vlerave te humaniteteve per njeriun progresist dhe te hapur. Ideja se cdo student duhet te kete nje tufe me “gen-eds” per formim te pergjithshem bazohet pikerisht ne kete besim. Kuptohet qe ne akademi keto teori i gjen me te perhapura mes filozofesh, teologesh, retoricienesh e teoricienesh te letersise e te “cultural studies”. Po te levizesh drejt kolegjeve te business apo inxhinjerive, do degjosh qe kjo tendence vjen se humanitetet po perpiqen me mish e me shpirt te mbajne veten gjalle se s’kane fuqi konkurruese ndaj edhe sajojne teori mbi superioritetin e asaj qe i japin ato njeriut.

      Them se “mania” jone ndaj diturise se larte do kish dhene ca rezultate pas 50 vjetesh, po te kish qene organike dhe e lire. Dhe jo se ka nje corelacion te vertetuar shkencerisht mes kulturimit me humanitete dhe njeriut progresiv. Por sepse une vete nga sa di dhe nga eksperiencat e mia e besoj ate lidhje, nese kulturimi nuk ka qene kallb. Ajo qe ka ndryshuar mes lindjes e perendimit s’ka qene fort vetefryrja e individit/grupit me kulture te larte siperfaqesore, sepse ne gjithe boten eshte krijuar nje lloj ndarjeje mes kultures se larte dhe asaj te ulet, si dhe plot grupimeve brenda tyre. Ndryshimi eshte ne faktin qe afrimi ndaj saj ne perendim ka qene me i lire, me i mencur dhe me pak manipulues. Dhe kjo jo per hir te vlerave gjenetike te perendimit, por per hir te nje tradite demokratike me te gjate, tradite me te mire shkollimi. As une nuk jam per ndarje te kesaj natyre… ne fund te fundit “perendimi” vete eshte aq i copetuar, aq variabel, aq i ndryshueshem sa s’mund te flasesh as per entitet te qendrueshem dhe as te konsoliduar. Po ashtu edhe lindja. Termat jane me shume orientues sesa pershkrues.

      Ceshtja e kultures se larte dhe asaj tjetres “se uletes” ose “pop” eshte nje tjeter “bitch” me vete. Sic e thoni ne shembuj te ndryshem nga opera apo letersia, vepra te caktuara nuk kane qene high culture e pastaj jane perfshire ne te e jane kthyer ne klasike sepse influencuan nje epoke letrare ose artistike, ose sepse u bene sh te njohura, ose sepse u vjeteruan, gje qe i beri me te fisme. Tamam stuart Hall diskuton per lidhjet e hapura mes pop dhe high culture. Nuk jane as kategori te pandryshueshme dhe as te mbyllura, pa dyshim. Ajo qe thote xhaxhai per Balzacun ne Shqiperi qe nuk ishte high culture lidhet pikerisht me kete, besoj. Ishin aq pak dhe i takonin nje liste te mbyllur ata te shkrete autore qe duheshin studiuar. Balzac studiohej ne cfaredo shkolle te mesme, ne Tirane apo ne fshatin me te humbur. (Por ne ShBA sot eshte kulture e larte se shumica e njerezve as nuk e kane degjuar). Por shumica e shqiptareve qe njihnin Balzacun, nuk kishin degjuar kurre per Danten dhe Boccaccion. Po ashtu, disa prej veprave te nje shkrimtari mund te benin pjese ne kulture te larte e te tjera jo. Sa me te rralla e sa me te panjohura, aq me shume shanse per t’i takuar kultures se larte. Gjithashtu, te qenet e ndaluar mund te konsiderohet si tjeter kriter. Marksin nuk e konsideroje dot kulture te larte, sido qe ta njihje e ta kuptoje mire do ishte nje arritje kolosale, por Crocen, po; Verdin (diku ne mes, do thoja), por Wagnerin po; Mjeden, jo, por Fishten po. Bethoven jo dhe aq (se emrin ia dinin te gjithe), por Sibelius apo Musorgsky, po; de Amicis. jo, por Buzzatin, po. Dhe, po ashtu, keto vlera leviznin ne kohe. Sot ka te tjera kritere dhe njesi matese.

      Pavaresisht nese nje veper ishte apo jo pjese e kultures se larte te momentit ose per nje grup i takonte kultures se larte ndersa per tjetrin asaj te ulet, rendja qorre ndaj kultures dhe pajisja me nje lloj kulture siperfaqesore, thellimi ne te cilen dhe analiza e plote e se ciles nuk qe as e mundur, as e keshillueshme e as e lejuar, ishte trendi ne sistem qe doja te nenvizoja me shume ne shkrim. Ky, tek ne dhe vende me sisteme te ngjashme politiko-kulturore, zbriste nga elitat deri fare poshte me nje perfeksion komunikimi dhe shperndarjeje qe mua me trullos fort akoma sot.

      Nuk besoj hic se ka gje te keqe qe teksilisti lexon Cehovin apo qe roja lexon Balzakun. Perkundrazi. Por qe aftesia analizuese dhe interpretuese e cdo veopre si edhe prania e shumellojshmerise se tyre ishte aq e cunguar dhe shpesh e deformuar, saqe mbetet pikerisht ajo qe thote xhaxhai: qe keto vepra ishin nje lloj materiali qe kryente vajisjen e kanaleve ku me pas do derdhej propaganda. Ne fakt shumica e studiuesve te propagandes mendojne se, qe ajo te funksionoje si duhet, nevojitet nje fare edukimi i njerezve… por jo me shume sesa nevojitet. Tek ne per fat te keq, lidhja mekanike e librit me te perkiturit lart, e bente shpesh ate qe mendonte se dinte apo kish lexuar dicka, te ndihej mbi punen e vet dhe te mos i kushtonte vemendje e respekt funksionit te vet, sic them ne shkrim per sportelistin fjala vjen. Por paaftesia ne pune ne sisteme gjysme te thyera si i yni, nuk krijohej nga te njohurit e nje autori apo libri. Nga ana tjeter, nje mashtrim i vazhdueshem dhe masiv i tjetrit dhe vetes qe ishin pjese e sjelljes se cdo njeriu ne socializem, pro ose kunder regjimit, nuk mund te mos konsiderohet si premise epistemike edhe kur analizojme konceptin tone per kulturen e larte dhe nevojen e pajisjes me te. Them “edhe”, sepse shtirja ishte ne baze te shpjegimit te shume dukurive kulturore te grupit ku jetonim, jo vetem te asaj qe diskutohet ne kete shkrim.

    2. Ka nje perpjekje te behet nje dallim midis kulturave: te larte dhe te ulet. Une nuk po mund te sqarohem, pavarsisht shpjegimeve qe po jepen.

      A jane Dickens-i apo Balzac-u shembuj te pershtatshem per te arritur tek definicioni, apo kuptimi dhe sqarimi i dallimeve midis te dy llojeve te kulturave. Kam shume rezerva, sepse keto dy klasike nuk mund te na ndihmojne shume.

      Po t’i shohim ata te dy si prototipe per te dalluar kulturat, me duket se i relativizojme shume gjerat dhe nuk ka kuptim te flitet me per hierarki kulturash.

      Te marrim shembullin e Dickens-it. Ne kohen e tij ai ishte ne kategorine e “bestseller-ve” te sotem, nje lloj “celebrity” letrar; ne kete logjike, ai ndiqej sic ndiqen superyjet apo shkrimtaret e bestseller-ve sot, ne kuadrin e celebrity culture.

      Dickens-i e njihte tregun dhe nuhaste mire se cfare donte publiku. Dinte te ndiqte parane qe e bente me grushta. Bile aq shume ishte ai njohes i publikut te tij, saqe ndryshonte edhe drejtimin e narratives apo karakteristikat e personazheve qe te beheshin sa me te terheqshem per publikun, apo cfare ishte per momentin pritshmeria e publikut. Ne nje fare menyre i pergjigjej diktatit te moralit te kohes dhe kjo ishte motoja e tij.

      Ne romanet e tij, perzihej groteskja, komikja, sentimentalja, melodramatikja, etj. Tragjikja dhe vuajtja behej teper e kaperdisshme nga masat. Prandaj ne romanet e tij nuk ka asgje “revolucionare”, qe do te ishte pasoje e nje dhimbjeje te thelle te drames njerezore. Ndaj edhe pelqehej kaq shume edhe nga masat, por edhe nga pallati mbreteror dhe aristokracia angleze. 🙂 Nuk conte njerezit ne revolte, nuk trazonte ujrat.

      Besoj se per ata qe kane lexuar romanin A tale of two cities, jane ne gjendje te bejne dallimin midis ketij romani ku eshte tronditur vete ndergjegja e Dickens-it me romane si Oliver Twist apo Great Expectations, ku molodramatikja, groteskja, komikja, behet qe te kalohen pa dhimbje dramat e kohes, shfrytezimi klasor, diferencat dhe problemet sociale. Me kete roman, Dickens-i ndjeu se pavarsisht se ai po zbulonte realitetin, lexuesi nuk e donte kaq lakuriq dhe dramatik. Romani nuk pati suksesin e te tjereve. Pasi e provoi nje here keshtu, vepra tjeter e tij Great Expectations, shkoi perseri ne tradite.

      Pra tek Disckens-i nuk ka asgje heroike, thirrje per permbysje. Pritshmerite jane te paqme, pavarsisht drames njerezore qe paradoksalisht kaperdihej pa shume dhimbje nga aspektet komike e groteske te ngjarjeve dhe karaktereve.

      Nga ana tjeter, te marrim Dostojevskin ta zeme, megjithese ai ishte nje admirues i thekur i Dickens-it dhe shume i influencuar nga ai, drama njerezore, thellesia e zhbirilimit te psiqikes dhe natyres njerezore tek Dostojevski. nuk premton asgje te mire as dje as sot, vecse zhvetnim njerezor, mizori te shpirtit dhe fizikut, dhimbje te pafund qe te tremb nga thellesia dhe te revolton. Komikja, melodramatikja, groteskja mungon. Jo te gjithe kane nevoje per ndjesine deri ne dhimbje dhe pameshiren Dostojevskit per t’i shkuar deri ne fund natyres njerezore, edhe atje ku dhemb shume, por shume ama.

      Nderkaq, menyra se si eshte pare apo shihet Dostojevski sot nuk ka ndryshuar shume, pra fati, reputacioni letrar te pakten ne perendim ka qene i njejte, konstant, fati letrar e Dickens-it ka pasur oshilacione.

      Statura e tij letrare pas vdekjes u zbeh, dhe vecse ne gjysmen e dyte te shekullit te njezete filloj te promovohej serisht nga shkrimtare te majte si Orwell-i ose me prirje te majta si Edmund Wilson, amerikan qe ishte nje eseist i arrire apo Edgar Johnson, biografi i Dickens-it qe tek Dickens-i, ai zbulon, dallon tipare te nje radikali, revolucionari qe demaskon plaget e kohes. Ne fakt ndryshimi midis Dickens-it ta zeme dhe Dostojevskit, mendoj une, ka te beje me psiqiken e nacioneve qe perfaqesojne, njeri anglezet, shpirtin britanik, tjetri ate rus, me dinamika sociale kaq te ndryshme. Edhe ne per te ilustruar dicka themi: Ka dicka dikensiane, apo ka dicka dostojevskiane ne kete pjese… ta zeme. 🙂

      Dhe nje ndryshim tjeter, menyra se si i botonin vazhdimet e priteshme(pjeset) te romaneve te tyre ne periodiket e kohes ata te dy. Dickens-i nuk ishte nen presionin financiar per te shkruar; kishte kohe te degjonte komentet dhe te merrej me thashethemet dhe pritshmerine e lexuesve. Njelloj si prodhuesit e bestseller-ve sot. Keshtu qe, kishte mundesi te reflektonte “mood-en” e lexuesve per te kenaqur shijen e publikut. Pervecse sherbeu edhe si nxites i literacise, njerezit filluan te mesonin te lexonin pertej te qenurit alfabete funksionale, nga deshira per te lexuar Dickens-in, qe shkruante per jeten e tyre, por teper te pertypshme.

      Kurse Dostojevski nga na tjeter, se kishte kete fat. Gjithmone nen trusnine financiare, ai krijonte jo ne presionin e statusit si celebrity, por si njeri ne pike te hallit, qe tek dera e tij ia behnin perdite kreditoret, sarafet te cileve u kishte borxhe deri sa vdiq.

      Te vime tek e sotmja, te dy i gjen neper librarite si dy klasike ne edicione te ndryshme. Nuk jam i sigurte se nje lexues i zakonshem i sotem, i shkon ndermend t’i lexoje si njerin apo tjetrin, thjesht si percuese te kultures se larte apo te ulet. Terheqja karshi njerit apo tjetrit, ka te beje me llojin e letersise qe eshte i predispozuar, mesuar lexuesi te shijoje dhe lexoje, bazuar ne nje prirje individuale, nje histori personale edukimi ne familje apo akademike.

      Tani nese flitet per kulture apo kyltyre nuk jam fort i sigurte. 🙂 Per nje gje jam i sigurte, qe duhet te flitet per teksturen(texture) e kultures. vecse keshtu merr vesh se prej cfare materiali eshte e perbere kultura.

      Nje ndihme, te pakten per njerezit si Xhaxhai dhe Presja, si punonjes te kultures, duhet te jete teoria e semiotikes (te kultures) te Yuri Lotman-it. Ai shkoqit mire mendoj une, diferencat semiotike midis kultures dhe kyltyres. : )

      Reference e mire por e jo fort e lire eshte libri “slim”, por jo i lehte i Aleksei Semenenko-s: The Texture of Culture.

    3. (“Ne romanet e tij, perzihej groteskja, komikja, sentimentalja, melodramatikja, etj. Tragjikja dhe vuajtja behej teper e kaperdisshme nga masat. Prandaj ne romanet e tij nuk ka asgje “revolucionare”, qe do te ishte pasoje e nje dhimbjeje te thelle te drames njerezore. Ndaj edhe pelqehej kaq shume edhe nga masat, por edhe nga pallati mbreteror dhe aristokracia angleze. 🙂 Nuk conte njerezit ne revolte, nuk trazonte ujrat.” — Read Me

      Çfarë flet? Kush të siguron ty e cili kritik ka arritur të vërtetoj se “the social novel”, Dickens’ bread and butter, me rrënjë në romanin Jacobin të fundshekulli të XVIII (me në krye Charlotte Smith, Godwin, Holcroft, Wollstonecraft), pra rrënjë revolucionare, nuk ishte forcë lëvizëse për reformat e shumta që parlamenti u detyrua të lëshonte nga dora në shek XIX. Po për jetën e Dickens-it vetë që e jetonte reformën netëve kur dilte nëpër Londër për të “recover the fallen women” e për t’i drejtuar tek Madgalen Asylum, strehë për prostituta, kur punoi si vullnetare dhe Christina Rossetti, e cila po ashtu sipas teorisë tënde i bie të mos ketë trazuar ujra. Ç’të thuash për “Little Dorrit” dhe burgun e debitorit që dënon dhe “Circumlocution Office” që e bën copë-copë, për skenat rrëqethëse të “Oliver Twist” që e shkundën klasën e mesme, apo denoncimin e sistemit ligjor tek “Bleak House”, i frymëzuar nga rasti legal i përvuajtur prej Charlotte Smith (shih më lart). Po këto do thuash ti janë interpretime. Atëherë para se të shkruash atë që shkruan se “nuk ka asgje “revolucionare”, vërteto që “the social novel” nuk luajti rol në ndryshimet politike radikale të epokës Viktoriane. Të kundërtën e kanë argumentuar me dhjetra kritikë.)

      E lë në kllapa këtë koment, sepse jam koshient që është degëzim fort i largët i temës.

    4. Qe te mos i biem nga Kina, shkrimtaret si Dickens ta zeme, kontribojne ne emancipimin e shoqerise, jo ne revolucionarizmin e saj. Prandaj pelqehen nga aristikracia dhe proletariati, se i emancipon te dyja “facets” te shoqerise.

      Nuk te kane bindur keto dy shekujt e fundit te pakten, se sa ndryshe jane zhvilluar shoqerite perendimore me ato lindoret(ku njera eshte emancipuar tjetra eshte revolucionarizuar)?! 🙂

    5. Read Me me këtë përgjigje që dhe “Nuk te kane bindur keto dy shekujt e fundit te pakten, se sa ndryshe jane zhvilluar shoqerite perendimore me ato lindoret(ku njera eshte emancipuar tjetra eshte revolucionarizuar)?!” e vetmja bindje që më krijon është se ti e trajton këtë blog si biçim Facebooku, pa u thelluar e pa respektuar ata që i bëjnë detyrat e shtëpisë para se të prononcohen.

      Mund të jetë formimi me gropa që të bën të mos i quash revolucione ato të perëndimit: atë ku i iku koka Karlit I (1649), francezin ku guillotina ia këputi Luigjit XVI (1793), mes këtyre atë Amerikan që ishte revolucion emancipimi prej qeverisjes së një fuqie imperialiste, e të hidhemi tek Revolucioni Industrial. Apo të të kujtoj retorikën e teksteve të këtyre shekujve që e lidhte fjalën revolucion me formulimin e të drejtave të njeriut shih Thomas Paine, “The Rights of Man,” dhe Mary Wollstonecraft, “The Right of Man”, apo edhe “The Rights of Woman.”

      Edhe këtë diskutim e lëmë me kaq, sepse jemi jashtë teme, veç doja t’i jepja lexuesit të blogut një kundërargument për këtë sajesë emancipim-revolucion, jo të të bind ty.

    6. Read Me, uroj që komenti më lart të të ketë bindur se në blog komunikon me specialistë të mirëfilltë, ndonjëherë edhe të fushave për të cilat flet. Ka njerëz, në blog, që në fakt i lexojnë me kujdes ato që ti thua, sikurse ndodhi me Militschin më lart.

      Në një koment tek një temë tjetër na sugjeroje Presjes dhe mua të thellonim njohuritë në fushën e semiotikës duke lexuar Juri Lotmanin. Më tingëllove si ata oficerët pedantë të ushtrisë austro-hungareze te Shvejku. Pash zotin, o njeri!

      Ndoshta e bën pa e kuptuar, por ky lloj pedantizmi është irritues dhe nuk i shërben debatit. Erudicioni jo gjithnjë është argument, aq më pak kur qëmtohet ad hoc; dhe gafa që sapo bëre tani me Dickens-in kushedi të ndihmon edhe në këtë drejtim. Të lutem mos iu përgjigj këtij komenti.

  5. Ne vijim te shkrimit te Presjes, perceptimi im eshte se ka nje prirje universale ne cdo shoqeri drejt asaj qe quhet “Kulture e Larte”. Menyra sesi shfaqet pastaj, mund te jete e ndryshme. Nje ilustrim i vogel qe me vjen ndermend; ne Britani, femijet e shtresave te mesme supozohen te jene kompetent ne nje vegel muzikore ndersa ne Shqiperi vazhdon te jete i forte zakoni i mesimit te gjuheve te huaja jo vetem si mjet utilitar por edhe si tregues i kulturimit.

    Gjithashtu, mendoj se po aq universal eshte edhe prirja per ta trajtuar kulturen e larte si nje forme elitizmi ose rrethi te mbyllur. Kjo prirje eshte po aq e fuqishme sa ajo e trajtimit te kultures si nje forme perndritjeje e kthim tek njerezimi.

    Ndersa ne vijim te komenteve te Xhaxhait, mendoj se cdo sistem qe eshte sadopak autoritar e ka me te lehte t’i “falet” klasikes e tradicionales sesa se rese. E reja shkakton shqetesim (ose panik) dhe kerkon te mbash nje qendrim ndaj saj ndersa klasikja vjen e filtruar nga koha ose e zbehur prej saj, prandaj sistemet komuniste ne kohen e konsolidimit te tyre prommovonin klasiken e i ruheshin fort te rese. Natyrisht qe kjo eshte paradoksale per nje regjim qe pretendonte se ishte komunist dhe ky rregull kishte edhe perjashtimet e tij si psh lufta ndaj tradicionales qe vinte ne formen e kultures fetare.

  6. Një nga kanalet televizive transmetonte sonte, si çdo javë kohët e fundit, konkursin maratonë të kuzhinës – një format perëndimor i sjellë edhe në Shqipëri. Meqë është një nga të paktat gjëra që ndryshon nga të tjera transmetime me të cilat janë të mbushura ding tv-të, e shoh ndonjëherë, copa-copa, më tepër për shpirtin dhe formën e garës sesa nga interesi për kuzhinën. (Përkundrazi, nga kjo e fundit s’marr vesh kurrgjë. Ndërsa nëse një të huaji do t’i duhej t’i përgjigjej pyetjes se ç’lloj populli jeton këtu nisur nga ato çka sheh në transmetimet televizive shqiptare, me siguri do të përgjigjej se këtu jeton një popull që përbëhet nga politikanë, nga kriminelë dhe nga një lloj i përzier këngëtare-balerinash, ca baletare apo ca këngërina, quajini si të doni. Sepse këto tre kategori shfaqen me shumicë tërë kohës në tv.)
    Këtë herë konkursi kishte diçka krejt të veçantë: gara zhvillohej në Dardhë të Korçës dhe dy grupet konkuruese duhej të gatuanin secili dy gjëra karakteristike, petat në saç dhe derrin e mbushur. Dhe, si për ta theksuar edhe më të veçantën, fituesi do të shpallej nga banorët e zonës që ishin të ftuar të provonin gatimet. Që t’i bie shkurt, dy grupet gatuan, i shtruan, erdhën banorët (maksimumi nja 30 vetë, përgjithësisht në moshë) dhe i provuan gatimet. Shprehën mendimet e tyre publikisht, pak a shumë njësoj për të dy grupet. Në fund duhej të zgjidhnin fituesin. Dhe nisën të votonin, duke tërhequr një kokërr (nuk merrej vesh ç’ishin, arra, ullinj apo zare a ndonjë gjë tjetër) nga një shportë e mbuluar me cohë të errët, për ta hedhur pastaj në njërën nga dy shportat anash, njëra e shtruar e tëra me cohë blu e tjetra shtruar me cohë të kuqe. Tek pashë ngurrimin tek tre-katër votuesit e parë, u ngrita nga vendi, “fiton e kuqja” u thashë njerëzve të shtëpisë e ika në dhomën tjetër të hap kompjuterin, pasi e humba interesin për përfundimin e garës. Aty nuk po votohej më për skuadrën me përparëse të kuqe apo për skuadrën me përparëse blu, për gatimet e tyre, por po votonte pavetëdija e banorëve për gjëra krejt të tjera.
    Kështu edhe argumentimi juaj. Vërtet keni paraqitur tërë këto mendime për kulturën dhe kyltyrën, por “votimin” për to, thënë ndryshe mekanizmin që keni zgjedhur për t’i gjetur shpjegim këtij fenomeni edhe shqiptar, edhe evropiano-lindor, e keni zgjedhur gabim. Dhe prandaj pasojat e atij fenomeni pak a shumë ju rezultojnë, në fund të arsyetimit tuaj, sikur të ishin shkaqet.

    1. Nuk te kuptoj e.p.: do te thuash qe mungesa e lirise se leximit, analizes, shprehjes etj (ose krijimi i nje sistemi joetik qe synonte projektimin e genjeshtres) ne Shqiperi ishin pasoje e “kyltyres”? Kjo qe thua ose eshte sh e thelle, dhe kerkon te tregosh qe ne, po te kishim qene ca me te ditur, nuk do kishim perfunduar nen komunizem por do kishim bere zgjedhje te tjera me te mira (por kete ti s’e thua), ose as ti nuk e ke kuptuar cfare them.

    2. Para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, do t’i kthehem edhe njëherë parashtrimit tim më sipër, pasi e shoh se nevojiten ca shpjegime të mëtejshme. Kur e lashë përgjysmë programin me fjalët “fiton e kuqja”, nuk e bëra ngaqë dija rezultatin. Por thjesht, në kohën që po e shihja atë, mendja ime – si e çdo njeriu tjetër – përpunonte në prapaskenë, në prapavijë, në thellësi a në pavetëdije, merreni si të doni, një mori informacionesh që gjendeshin tanimë aty, të lidhura me skenën e programit, të aktivizuara prej saj. P.sh. mënyrën e votimit “me zare” (a “me detka”, si i thonë andej), një formë votimi që banorët pjesëmarrës në program duhet ta njohin mirë; (ishin në moshë pothuaj të gjithë, po jo aq të moshuar sa të kenë marrë pjesë vetë në votimet e para pas çlirimit, kur edhe votohej ashtu. Por me siguri ua kanë treguar prindërit, jo edhe aq për vlerën informuese a praktike të asaj mënyre votimi, sesa për gjëmën që sillte me vete më pas votimi i gabuar, zhurma e “zarit” a “detkës” në kutinë e gabuar ndër dy të mundshmet.) Apo për traditën e kulturës politike të banorëve të një fshati ortodoks – traditë e të qenit i afërt, i përzier me pushtetin, cilido qoftë ky, traditë e rrënjosur prej Kishës së Stambollit prej rënies së Kostandinopojës dhe e përcjellë nga kisha ortodokse në shekujt pasues, e që në termat konkretë përkthehet në traditë për të qenë të afërt me pushtetin e regjimit të kaluar, për të mos lënë kështu shumë hapësira për t’i gjetur gjëma nga ai regjim, një traditë e votimit të “të kuqes” në përgjithësi (mënyrë votimi ndarë në linja tradite që ndeshet sot gjithandej në Shqipëri, pavarësisht ç’bëjnë a ç’thonë partitë politike). Këtë traditë nuk e ka dobësuar as fakti që fshati në fjalë ka njohur, më shumë se ndoshta shumë të tjerë, emigracionin e hershëm në Amerikë, dhe është ndeshur e ka njohur edhe kulturë tjetër – kjo e dyta ka qenë shumë e shkurtër në kohë, disadekadëshe, për të mundur një kulturë e mënyrë jetese disashekullore. Tërë këto mendime, të pavetëdijshme, dolën në sipërfaqe me dy fjalë, kur pashë ngurrimin e banorëve tek “votonin” skuadrat. Sepse ata s’po votonin për dy skuadrat që kishin gatuar pothuaj njësoj – ato e kishin përgatitur mirë derrin e mbushur, sepse është lehtësisht i gjetshëm e i njohur në manuale e gjithandej si gatim, por s’kishin qullosur gjë me saçin, me lakrorin tradicional të zonës, i cili jo vetëm njihet pak (edhe pse është shumë i thjeshtë në gatim) ngaqë mungon informacioni për të, por edhe se gatimi i tij është më tepër çështje përvoje se vështirësie. Banorët e Dardhës, në atë rast, s’po votonin për gatimet e dy skuadrave, po votonin për historinë e tyre, për kulturën e tyre, për çka ishin ata vetë, për si ishin mësuar të jetonin, të silleshin në situata të ngjashme kur u duhej të zgjidhnin. Mendim për gatimet aty kish shumë pak, edhe pse edhe gatimet ishin tipiket e zonës së tyre. U kishin vënë një kosh me cohë të kuqe e një tjetër me cohë blu, e në mendjen e tyre vërtiteshin gjëra të tjera kur shkonin të votonin skuadrat, krejt tjetër nga si kishin gatuar dy grupet konkuruese. Vërtitje që binin në sy tek ngurrimi i tyre përpara votimit. Dhe jam i bindur se numrat e votimit do të kishin qenë krejt të tjera, sikur vendimin të ishin inskenuar ta merrnin për, ta zëmë, skuadrën me përparëse jeshile dhe të verdhë, sikur në vend të votimit me detka të ishte zgjedhur një formë tjetër votimi, me dy kuti që në vend të ngjyrave të kishin të shkuar vetëm emrat e skuadrave përsipër, me një fije letre në vend të zareve. Ky ishte mekanizmi i gabuar që ishte zgjedhur për të dhënë gjykimin për një garë gatimi, mekanizëm që e shtrembëronte thellësisht atë gjykim. Dhe këtu është pika e lidhjes me atë çka keni shkruar ju për kulturën, që jua përmenda edhe më sipër.
      Çdo gjë që prodhohet në një periudhë të caktuar, fare mirë mund të konsiderohet kyltyrë në atë kohë, qoftë ajo me ndikim në një rreth të ngushtë a të gjerë njerëzish, qoftë ajo me njohje në një lokalitet të vogël apo me shtrirje globale, qoftë ajo e shijuar nga pak shtresa të privilegjuara apo nga masa të gjera a të dyja bashkë. Çdo gjë, njëfarësoj, është kyltyrë, në ma kuptoni drejt konceptin. Sepse është e kohës kur krijohet, është për konsumin e ditës, për argëtimin e ditës, për informimin e ditës, për mësimin e ditës, për shijimin e ditës, për kritikën e ditës – dhe për njohjen e ditës. Ajo çka i ngelet dhe i reziston kohës nga tërë kjo kyltyrë, pastaj, është ajo që unë e quaj kulturë. Është tharmi i mendimit dhe i artit që tregon njeriun e pakohë, njeriun e të gjitha kohërave, njeriun në të gjitha kohërat. (Shpresoj që kjo që shkruaj, të kuptohet nga kush lexon, ashtu që të mos më sulet ndokush me kritika duke m’i përmendur këto rreshta verbatim. E meqë jemi te kritika, puna e saj në këtë mes është pikërisht të dallojë ato grimca kulture në atë det pa fund kyltyre, e t’i nxjerrë e t’i tundë përpara syve të njerëzve.) Në shkallët e amfiteatrove të lashtësisë mund të jenë ulur bashkë plebej e patricë e t’i kenë shijuar njësoj dhjetëra e qindra dramat e shkruara a të shkarravitura nga autorë të pafund, por kohës i mbetën vetëm ato ku ishte gdhendur fytyra njerëzore. Shekspiri njësoj i zbaviste a i trishtonte me rreshtat e tij si varfanjakët, si tregtarët e si aristokratët e kohës. Por koha ruajti atë dhe jo ndonjë bashkëkohës tjetër, që njësoj i zbaviste a i trishtonte bashkëkohësit me shfaqjet e veta në teatër, sepse Shekspiri diti, me art, ta nxjerrë shpirtin e njeriut, lakuriq, në sytë e publikut. Kur shikon fotot e “Të uriturit” të Odhise Paskalit (meqë vetëm fotot na kanë ngelur t’i shohim, veprën s’e shohim dot), e kupton agoninë e një njeriu që po vdes urie. Nuk ka rëndësi në jeton sot, në ka jetuar përpara një qind a një mijë vjetësh, a në është paraqitja futuriste e dikujt që do të jetojë një mijë vjet më pas – ajo është marka realiste e urisë në një fytyrë njeriu. (Meqë m’u kujtua kjo vepër, di gjë njeri se ku ndodhet aktualisht?) Diku thoni pastaj se shkencat humanistike qenkan ato që formojnë njeriun e kulturuar, të lartë, të denjë për kohërat moderne e demokratike që jetojmë, por harroni se asgjë në Perëndim s’e tronditi mendimin dhe kulturën e kohës – dhe të kohërave që do të vinin paskëtaj – sesa sistemi heliocentrik i Njutonit, apo që asgjë nuk e ka ndryshuar më shumë botën e dekadave të fundit, as mbarimi i shumëtrumbetuar i Luftës së Ftohtë madje, sa shpikja e internetit. Kultura është diçka shumë më e gjerë se letërsia a artet e bukura.
      Dhe për ta parë atë kulturë-kyltyrë për të cilën flisni në raport me emancipimin dhe produktivitetin e shoqërisë shqiptare, keni zgjedhur mekanizmin e gabuar, siç në historinë që rrëfeja qe zgjedhur mekanizmi i gabuar për të gjykuar më të mirin. (Në atë histori unë ende s’e di cila ishte vërtet skuadra më e mirë, paçka se televizioni më vonë transmetoi, siç mësova nga njerëzit e mi, se fituese u shpall skuadra me përparëse të kuqe.) Në parashtrimin tuaj, ju e shihni kulturën nga pozita e pasojave, nga përjetimet, interpretimet dhe përdorimet individuale e të njerëzve që njihni, nga aty hidheni në përgjithësime dhe këto i paraqisni si argumente shkakësore në analizimin e saj. Por pasojat nuk janë shkaqe. Fakti që ju keni hyrë në një dhomë të kulturës e ia keni mësuar të gjitha skutat, ndërsa dikush tjetër sa ia ka bërë “xa!” duke zgjatur kokën te dera e më pas është larguar, nuk e bën atë dhomë as më të mirë, as më të keqe.
      Kultura së pari është produkt, pastaj mjet. Kjo punë ngjan ca me atë të kovaçit, që rreh hekurin për të nxjerrë një kazmë a një lopatë. Në pastë material të mirë, por e punon keq, ajo s’do t’i hyjë gjatë në punë kujt do ta përdorë – pas ca kohe do të përfundojë tek hekurishtet. Në punoftë mirë, por lënda është e dobët, kush do ta përdorë, do ta përdorë gjer të thyhet e prapë ka për ta hedhur. Në punoftë keq e me lëndë të dobët, kjo s’do shumë imagjinatë ta gjesh si do i vejë puna produktit. Në punoftë mirë e me lëndë të mirë, atë do ta përdorë kush ta blejë, pas tij do ta përdorin fëmijët e tij, më pas të tjerët me radhë gjer ndonjë ditë të humbasë në ndonjë qoshe e të mos gjendet më. Dhe vetëm kur, pas shumë kohësh, ta zbulojë ndonjë tjetër rastësisht e, në rast se mund ta përdorë, do ta shtjerë përsëri në punë – në të kundërtën, do t’i shërbejë të paktën si dëshmi se me ç’vegla punonin kohë e kohë më parë njerëzit. Kjo është kultura si produkt. E sa për kulturën si mjet, po ec prapë me historinë e kazmës a lopatës. Njerëzve u duhen këto mjete, ndaj dhe venë e i porositin tek kovaçi. Në qofshin të pamundur, mund të bëhen dy bashkë e porositin një vegël e me të hapin kanalet e bllokuara për të çuar ujin në të mbjellat. Në janë të mundur, ble secili të vetën. Njësoj edhe në qofshin të pamundur e budallenj. Dhe me to mirëmbajnë kanalet e ujit. Dhe kur pastaj qëllon që atë që njëri e hap ditën, vete tjetri ia prish natën, apo më keq akoma këtë e bën një i tretë të duket sikur e ka bërë i dyti, atëherë i pari merr veglën dhe këtë herë nuk hap kanalin, por i hap kokën, siç ndodh shpesh edhe sot e kësaj dite në Shqipëri me kazmat a lopatat moderne që kanë njerëzit nëpër duar. Kazmën e përdor, madje edhe kovaçi vetë. Mbaron punën me hekura e vete englediset ca në kopshtin e shtëpisë, madje ndonjëherë e merr në dorë e ia hakërren fytyrës ndonjërit që i bie në qafë apo tjetrit që s’i ka shlyer ende paratë. Ajo që po them është se, si e përdorin njerëzit kulturën që kanë në dispozicion, është punë e tyre, jo dhe aq merita apo faji i mjetit-kulturë. Dhe për atë vështrohen.
      Thoni se një sportelist ndihej superior se lexonte një roman klasik, e kështu neglizhonte punën që duhej të bënte. Bah, kjo më duket tepër e stisur për të qenë e vërtetë. Përkundrazi, është mëse e vërtetë që sa më pak i lexuar, sa më pak i kulturuar të jetë njeriu, aq më verbërisht i kushtohet punës që bën, sepse ajo është jeta e tij. Por kjo e vërtetë nuk është dëshmi pohuese a mbështetëse edhe për të kundërtën e saj, që sa më shumë të lexosh, aq më pak i kushton vëmendje punës. Njerëzit lexojnë për një mijë arsye. Sado e çuditshme të duket, ndër shtresat më të lexuara në komunizëm ishin ushtarakët. Dikush lexonte për të shtyrë kohën, dikush për ta shfrytëzuar kohën e stërgjatë pa angazhim të shërbimit për të nxënë, e dikush se donte të bënte karrierë. E dikush tjetër vetëm se donte t’i bënte përshtypje të dashurës. Por lexonin, tepër, edhe pse puna e tyre mund të duket krejt pa lidhje me kulturën. Njësoj edhe mjekët.
      Thoni që përpjekjet kulturuese s’kishin funksion. Në qoftë e vërtetë, e keni pyetur ndonjëherë veten përse lexonin me tepri një pjesë e mirë njerëzish asokohe, apo pse i përpinin si ujët e pakët shfaqjet e rralla të asaj kohe? Le pastaj, thoni që këto rrekje s’kishin kokë. Këtu lind pyetja: me ç’merrej partia udhëheqëse, atëherë, me çfarë e harxhonte kohën gjithë ai aparat gjigand politik që informohej, ndërhynte e drejtonte apo fuste hundët në çdo qelizë jete në vend? E përse parullat për partinë apo fotot e E. Hoxhës, të futura a të varura për kujtesë gjithandej, i qëndronin shpatë Damokleu mbi kokë çdo njeriu, ngado të kthehej a të rrotullohej?
      Ja, këto e ca të tjera, që s’po i shkruaj tani se edhe kaq më lodhi kjo përgjigje e gjatë, janë mekanizmat e gabuar që keni zgjedhur ta interpretoni e analizoni atë që keni marrë përsipër.

    3. Ndoshta nuk ka shume vlere pergjigja ime per ty, e.p., sepse je shume i bindur dhe nuk me duket se me pyet per gjesend. Per te respektuar mesazhin tend te gjate po te shkruaj shkurt. Ka vetem pak gjera ne mesazhin tend qe lidhen me shkrimin tim, dhe do flas vec per to. Thua qe ngaterroj shkaqet me pasojat por shembujt qe jep nuk e bejne te qarte se si e bej kete e cilat jane shkaqet e pasojat. Kryesorja eshte se ajo per te cilen flet ti ne pjesen me te madhe te mesazhit, eshte nje tjeter kuptim i fjales kulture si teresi e gjithe kuptimeve per boten, jeten, njerezit e qe transmetohet ne kohe. Une s’merrem fare me kete kuptim. Pastaj kur i rikthehesh ne fund kuptimit te kultures per te cilin diskuton shkrimi, pikepamjet e tua jane ato te njeriut qe mendon se brezi i vet ishte me i miri e me i dituri… dhe se komunizmi shqiptar ishte sistem qe u dha kulture njerezve. ti flet per njerez qe lexonin “me teperi” “qe i perpinin si ujet shfaqjet” “per ushtarake te kulturuar” etj sikur po flet per kohen me te ndritshme nga e cila duhet te marre shembull kushdo. Por nuk dua te paragjykoj se perse mendon keshtu dhe perse je fyer nga shkrimi. Sepse shkrimi te ka fyer personalisht, dhe per kete ti ke arsyet e tua qe une s’dua t’i zhbiriloj ketu. Ne fund fare ngaterron kulturen per te cilen flisja une me propaganden. Kur them se ai lloj kulturimi ishte pa koke e pa funksion, s’e kam fjalen per asnje lloj lidhjeje me partine, por ne lidhjen qe kish me te kuptuarit e vertete te botes dhe me mundesimin e nje te ardhmeje me te mire. Se fundmi, une si kushdo tjeter atehere, endesha me shume mes mungesave kulturore, sesa dijes. Nuk kam thene gjekundi qe kultura ime ishte me e mire se e te tjereve. Me duket se, pasi shkrimi s’te ka pelqyer (dhe s’ka asnje problem ketu), je perpjekur te shohesh cfare doja te thoja qe te ma kundershtoje, por ne fakt ke pare ato qe ke ti ne koken tende. Do kish qene me mire qe te gjeje gjera te kundershtueshme e pastaj te ishe prekur personalisht.

    4. Çdo përgjigje ka vlerë – edhe në qoftë se nuk të jep atë që pret, të jep diçka tjetër, varet sa je në gjendje ta shtiesh në punë. E mendova ca më gjatë këtë përgjigjen time për çka thoni ju më sipër, në diskutim e në shkrim, që t’i jap mundësi vetes t’i shtroj më thjesht idetë, meqë e shoh që pakgjë po kuptoni nga çfarë po ju shkruaj. Dhe për ta parë edhe veten me sy kritik, pse ndoshta edhe unë mund të jem në gabim. Dhe ja si më rezulton puna.
      Në fillim, që t’i thjeshtojmë sa më shumë të mundemi gjërat, le ta përjashtojmë që në krye personalen apo fyerjen individuale, pasi ky është thjesht interpretimi juaj mbështetur në eter, në pamundësi të bëni lidhjen mes vërejtjeve të mia dhe tezës suaj e mënyrës si e argumentoni atë tezë. Nuk jeni i vetmi person që reagon në këtë mënyrë – sa herë dikush humbet fillin në vazhdën e diskutimit, priret të shohë apo të ndërfusë në atë diskutim personalen, o të vetes, o të tjetrit. Ka një fill që është personal në debat – dhe që është personal në çdo diskutim që bëhet, kudoqoftë, e që vlen për çdo person: njerëzit që shkruajnë diçka apo që përfshihen në debatet rreth asaj të shkruare, parashtrojnë aty mendime personale, bindje personale, informacione të përpunuara personalisht, sipas filtrave personalë. japin këndvështrimin personal. Përtej këtij komponenti të personales, që është i gjithëvlershëm për çdokënd e në çfarëdo debati, kudo e kurdo që ai të zhvillohet, në diskutimin në fjalë që po zhvillohet këtu s’ka ndonjë gjë tjetër “personale”. Në shihni ju diçka që unë s’arrij ta shoh, thojeni.
      Unë shkruaj që po ngatërroni pasojat dhe po i paraqisni si shkaqe, ju më thoni po fyhem personalisht. Rendja pas “Kulturës së lartë”, siç ju pëlqen juve ta konsideroni – paçka se nuk jepni ndonjë kornizë se çfarë është kjo “Kulturë e lartë” që ta orientoni parashtrimin tuaj – e masave dhe shtresave të mesme, pa dhënë “rezultate emancipuese” reflektimi individual a shoqëror, pa arritur të prodhojë atë efekt “revolucionar” apo “evolucionar” që ju kërkoni prej saj, është pasojë, prandaj në fund nuk jep rezultatet që ju prisni prej saj nga pozitat e “shkakut që vepron dhe jep efekte”. Njerëzit u adresohen produkteve kulturore, në radhë të parë e në masë të gjerë, për argëtim. Kultura, e lartë apo e ulët qoftë, apo të dyja të përziera së bashku, s’është veçse një banak ku shërbehet ushqim. Në një shoqëri demokratike, njeriu merr pjatën në dorë, shkon tek banaku mbushur me ushqime të lloj-llojshme, hap xhamin dhe merr prej andej, nga ato që janë servirur aty, atë çfarë i pëlqen, apo çfarë i kanë mësuar të quhet e pëlqyeshme, me çfarë shijesh e kanë edukuar dhe drejt çfarë shijesh e kanë orientuar, dhe çfarë shijesh ka përpunuar vetë me kalimin e kohës. Në një shoqëri diktatoriale të tipit shqiptar apo lindor të pas-luftës së dytë, njeriu shkon tek banaku me pjatë në dorë dhe dikush tjetër i hedh në të, nga kazani, atë ç’është gatuar apostafat. Në këtë shoqëri, në vija të trasha, s’ke të drejtë zgjedhjeje, do hash atë që kanë vendosur të tjerët të hash. Shpesh edhe pjata që mban në dorë ka formën e gavetës.
      Arsyeja kryesore që i shtyn njerëzit drejt këtij banaku është gjetja e argëtimit, vrasja e mërzisë, e monotonisë. Në një shoqëri totalitare, ku format e argëtimit janë të varfra e të mangëta, aq më shumë njerëz do shtyhen drejt atyre pak formave të arritshme që ekzistojnë, në rastin konkret drejt leximit, apo ndonjë shfaqjeje. Edhe një shembull që unë ju jap në këtë drejtim, atë të shtresës së ushtarakëve që lexonin në masë, në përgjithësi shumë më tepër nga ç’pritet nga ajo shtresë shoqërore në krahasim me të tjera shtresa, ju e keqkuptoni dhe e ktheni në shtresën e “ushtarakëve të kulturuar”, madje dilni e në ca konkluzione të tjera që s’është nevoja të merrem me to këtu. (Do të doja të flisja më gjatë rreth kulturës së keqkuptimit e të keqleximit që e shoh të shfaqet me tepri në faqet e diskutimeve gjithandej nëpër internet, por ky diskutim do zgjatej shumë pastaj.)
      Në këtë pikë të diskutimit, harroni edhe një zhvillim tjetër, i cili në shumicën e rasteve që diskutohet, keqparaqitet prej mungesës së informacionit. Bota e pasluftës njohu, ndërmjet viteve ’50 dhe ’70, me valë të ndryshme e me intensitet të ndryshëm, dy fenomene: shtrirjen e arsimit, sidomos të nivelit të ulët e të mesëm, në nivel horizontal në shumë shtresa që s’e arrinin më parë, si dhe shtrirjen e shërbimit mjekësor, sidomos parësor, po ashtu në nivel horizontal në shtresa shoqërore që s’e njihnin më parë atë. (Është një zhvillim global, që preku si Evropën, edhe Azinë, Amerikat e një pjesë të Afrikës. Ka plot njerëz në Shqipëri, por besoj edhe në vendet ish-komuniste të Lindjes, që ia atribuojnë sistemit diktatorial që u vendos pas luftës në ato vende arritjen e përhapjes së arsimit dhe shërbimit mjekësor në masë në këto vende. Por fenomeni ishte global e kishte realisht shumë më pak lidhje me sistemet politike nga ç’u atribuohet atyre. Të dhënat për këtë, për atë që do, gjenden lehtë në internet.) Po t’i bashkosh elementit të përhapjes së arsimit edhe zhvendosjen masive të popullsisë në Shqipëri (apo edhe në vende të tjera lindore komuniste) nga fshati në qytet, krijimin e shtresave të reja shoqërore në funksion të modelit të shtetit që u ngrit në këto vende, si dhe faktin që njerëzit kishin tani më shumë kohë në dispozicion (si rrjedhojë e punës 8-orëshe që zbatohej për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë), e ke të lehtë ta kuptosh se numri i njerëzve që kishin shumë më tepër kohë në dispozicion për argëtim, por s’kishin me se të argëtoheshin, u shtua. Këtyre njerëzve u mbeti gaveta në dorë, për ta mbushur me menynë e varfër që lejonte ideologjia sunduese.
      Edhe “sportelisti” që përmendni ju në shkrim, është thjesht shembulli i një njeriu që po përpiqet të vrasë mërzinë. Nuk ka synime të larta “t’u hyjë me themel dhomave të Kulturës” apo të zhbilirojë dilemat e Dymasë; duket si një njeri që kërkon të shtyjë kohën e s’ka me ç’tjetër. Por ju e paragjykoni, ndaj dhe nuk merrni mundimin ta pyesni në i pëlqen ai libër, çfarë i duket me interes e çfarë jo. Në mos për gjë tjetër, historia juaj këtu do të ishte shumë interesante me këtë informacion dytësor, në vend të gjykimeve apriori. Provojeni, kur të mundeni herën tjetër që shihni një njeri pas një sporteli, apo në tren, në autobus a në metro me një libër “të Kulturës së lartë” në dorë, provojeni ta pyesni ç’po lexon, përse e lexon, a i pëlqen a jo, e fundja edhe ç’kupton e ç’mëson nga ajo që po lexon. Do ta shihni se do merrni përgjigje fort interesante e do të rrëzoni një pjesë të paragjykimeve që keni për “shtresat e mesme” që i sulen “Kulturës së lartë” e që, prapëseprapë, “nuk ngrihen dot lart intelektualisht” edhe pas këtyre leximeve.
      Akoma më i keqkuptuar prej jush është fenomeni i “fustanit të Koncertit”. Intuita ndoshta ju thotë diçka për këtë punë, por ju ngatërron arsyetimi; dhe ajo çka është vetëm një pjesë, ju në fund të shkrimit tuaj ia vishni shoqërisë si e tërë. Duket se ju revolton kjo cekje shkarazi e “Kulturës së lartë”, në vend që t’ju kthjellojnë arsyet e këtij fenomeni. “Koncerti për fustan” është thjesht një varëse në qafë, një grusht bizhush, një orë e shtrenjtë, një makinë apo ku di unë ç’tjetër në kohët e sotme. Njerëzit, si çdo qenie e gjallë, bëhen bashkë, bëhen tufë kur vihet në diskutim mbijetesa e tyre. Është ligji i parë i natyrës. Dhe ashtu siç i bashkon ligji i parë, i dyti i ndan. Ligji i shumimit i bën njerëzit, si shumë qenie të tjera të gjalla, të shkëputen nga të tjerët, të bëjnë përpjekje të dallohen nga tufa. Këto janë dy ligjet bazë, të cilat janë shndërruar, transformuar a sublimuar pastaj – në botën njerëzore – në një pafundësi shfaqjesh, aktivitetesh e sjelljesh. Dhe në shoqërinë totalitare mundësitë për t’u dalluar nga të tjerët individualisht ishin të pakta. (Njësoj ndodhi pastaj edhe në shoqërinë e lirë që erdhi pas shoqërisë totalitare, por që nuk e zëvendësonte dot mentalitetin e jetës së mëparshme, siç ndodhte rëndon në Shqipërinë e viteve të para paskomuniste e që ndoshta vazhdon edhe sot.) Prandaj t’i adresoheshe “Kulturës së lartë” si mënyrë për të bërë diferencën në një shoqëri pothuaj të uniformizuar, ishte fenomen mëse i zakonshëm, që s’ka shumë lidhje me aspiratat e kulturimit, siç ishte rasti i “fustanit të Koncertit” që ju përmendni, por që nuk arrini ta kuptoni tipologjikisht, pavarësisht kohës kur shfaqet.
      E pra, rendja pas “Kulturës së lartë” në shoqërinë totalitare shqiptare ka funksionuar për bukuri, madje edhe i ka kryer “funksionet” e veta në bazë të pritshmërive personale. Kjo rendje pas kulturës, ama, nuk ka funksionuar ashtu siç e donit ju të funksiononte. Ky pretendim juaji është po aq produkt i të menduarit totalitarist, sa edhe epoka që merrni përsipër të analizoni. Prandaj dhe unë ju them që keni zgjedhur mekanizmat e gabuar për ta ndërtuar dhe paraqitur mendimin tuaj – mekanizmat që keni zgjedhur janë paragjykimet dhe pritshmëritë personale, të aplikuara në masën e gjerë të njerëzve. Ato mund të vlejnë ndoshta të përdoren në një vepër letrare, në fiksion, por jo në një analizë tipologjike.
      Dhe e fundit lidhet me konkluzionet tuaja, për “shterpësinë” pa fuqi transformuese të rendjes masive pas kulturës, rendjes (sipas jush) “pa kokë” e “pa funksion”. Krejt pa dashje, duket se harroni që Shqipëria e Hoxhës ishte si ajo anija e Odisesë rrugës së kthimit për në shtëpi. Jo tërë udhëtimi i kthimit, jo – përndryshe do ngatërroheshim shumë e do më hapeshin shumë avaze nga pafundësia e interpretimeve. Por vetëm e një pjese të atij udhëtimi, pjesës që lidhet me kalimin pranë ishullit të sirenave. Masa e madhe e njerëzve që jetonin në Shqipërinë e asaj kohe dhe, për një arsye apo një tjetër, cilatdo qofshin ato, i kthehej kulturës për të mbushur jetën e vet, për ta bërë më të durueshme, për ta bërë më pak gri, për arsyet e veta, për qëllimet e veta, i ngjante grupit të marinarëve që u jepnin rremave me veshët mbyllur me dyllë teksa kalonin pranë ishullit. Mund edhe t’ia merrnin ndonjë kënge vetë aty poshtë në dhomat e errëta të anijes, e kështu e bënin më të durueshëm udhëtimin. Por këngët e tjera, ato të sirenave s’i dëgjonin dot. Të vetmit që mund t’i dëgjonin këngët e sirenave ishin odisejtë e vetëlidhur pas direkut të Partisë. Këtyre të fundit, ndoshta, keni të drejtë t’u kërkoni llogari për “shterpësinë” e ideve çliruese të shoqërisë. Jo marinarëve që u jepnin rremave poshtë në bodrume, me veshë të dyllosur e me errësirën në sy. Këtyre, po të përpiqeshin të zgjateshin mbi kuvertë e t’u merrnin erë luleve të anës tjetër, ua prisnin hundën.
      Ja kështu e shoh unë punën, ndaj dhe jua solla ato shembuj. E nuk e kam zakon të sjell shembuj apo argumente thjesht se ato më vijnë ndërmend, pa lidhje me atë çfarë diskutohet. Pastaj ato thëniet ja “brezi më i mirë”, ja “njeri me bindjet top” e të tjera si këto, nuk janë argumente e s’do t’ju ndihmojnë të arrini gjëkund.

  7. Tema është mjaft e bukur, sepse ka një veçori shqiptare, atë të mungesës së mundësive të barabarta për të gjithë. Kjo bën që unë të kem vështirësi të kem një qëndrim të caktuar ndaj atyre, për të cilët kyltyra (ajo e « larta » fare pra) qe një shqetësim fort i largët (pa llogaritur se duhet të flinin herët që të zgjoheshin në katër të mëngjesit për kilen e qumështit).
    E lehtë nuk qe as për ata që kërkonin diçka tjetër. Në një vend ku nuk propozohej asgjë, këta të fundit, në fakt, kërkonin diçka që nuk e dinin se ekzistonte.
    Në kushtet e Shqipërisë, problemi shtrohej gjithnjë ca ndryshe, edhe më ndryshe nga vendet e tjera komuniste. A duhet cilësuar kulturë e « lartë » (më bezdiska fort ky term) ajo kulturë që ndalohej ? Kam frikë se jo. E pra, të gërmoje për të gjetur të ndaluarën, një farë kulture underground qe një ushtrim i vazhdueshëm për shumë vetë. Qe një mënyrë për të kërkuar markën tënde personale, në një shoqëri individësh të rrafshuar.
    Në një kënd jo më pak interesant problemi paraqitet po qe se shtrohet pyetja, a është informacioni kulturë ? Fjala vjen, një dikush që respektonte pasionin e vet poetik, duhej të kishte njohuri bazë për natyrën e poezisë japoneze. Dhe shumë kishin, por mundësia për të gjetur një libër me poezi të tillë ishte inekzistuese. A ishte faji i tyre? Më duket se jo. E megjithatë informacion për ekzistencën e kësaj poezie ishte për ta një “fond” i çmuar kulturor, gjë që nuk është fort e drejtë. Në rastin më të mirë ishte fjala për një kulturë kopertinash. Por disa e tepronin dhe pordhët e tyre snobiste nuk duroheshin pa vënë në provë të rëndë qetësinë tënde.
    Kjo mungese qe burim frustracionesh të vërteta, në një vështrim tjetër. Kur kinematë buçisnin nga ulërimat entuziaste të fansave të Kartushit, shumë vetë kishin informacion të për Nouvelle vague, po ku t’i gjeje, f.v.j. filmat e Godarg, Chabrol-it etj. Njihej mirë “përroi i ndërgjegjes, po ku të gjeje një roman alternativ të N. Sarrot apo A.R. Grillet? Po megjithatë, a qe fjala për kyltyrë te larte? Nuk besoj.
    Një vështrim tjetër ishte sa sa përbën kyltyre (gjithnje të lartë), kultura transgresive. P.sh a kishte të drejtë të buzëqeshte pak ironikisht ai që dëgjonte muzikën e baletit Halili e Hajria, tek ëndërronte të dëgjonte pak nga sistemi dodekafonik i Shënbergut? Kam frikë se jo.
    Që pas L2B qe bërë e qartë se kultura e “lartë” nuk ishte e plotë po qe se nuk kishte njohuri të mira në disa shkenca bashkëkohore dhe kryesisht në atë që atëhere quhej “kibernetike”. Sot më rezulton se vendet e tjera të lindjes u propozonin të rinjve të tyre shumë më tepër botime se vendet perëndimore. Vendet e tjera, por jo Shqipëria. Ne kenaqeshim me ndonje përkthim nga rusishtja.

    Në kushte të tilla admirimi im i vërtetë shkonte te ata që kishin një asimilim organit të asaj së “lartës” në fushën e tyre dhe e rikrijonin atë në mënyrë krijuese në terrenin shqiptar. Kam parasysh P. Kolevicën. Shpesh në Korçë, ulesha të pija një kafe pranë Teatrit, ku qe një bar i vogël, nga ku mund të shihja bibliotekën e qytetit.
    E admiroja së largu për linjat e saj të pastra, aq larg prej banalitetit të parafabrikateve, që dominonte llogjikën e utilitarizmit proletar të arkitekturës komuniste.
    Qe materializimi i i një formimi krijues bashkëkohor, i një kulture vërtet të lartë dhe finese artistike, të panjohur më parë në një sistem feudokomunist. Përballë tij, kyltyra (e marrë si gjësendi në vetvete) më ngjante nuse e ngarkuar si një pemë e vitit të ri, meqë jemi aty.
    Dhe me kete rast, nje vit te mbare per te gjithe!

    1. Falemnderit, Lyss. Une do respektoja ata qe kulturen marre ne fusha te dijes qe permendim nuk e deftejne por e jetojne. Vetem ne ate rast kultura do permiresonte marredheniet njerezore ne vend qe te krijonte barriera te reja mes tyre qe te zevendesonin ose te shoqeronin ato ekonomiket dhe politiket. Ceshtja eshte qe ne ato vite problemi themelor ishte mangesia si e materialit kulturor si e aparateve analitike e interpretative, dhe ketu fus jo vetem njeriun fakir qe s’i binte dot asgje ne dore, por edhe njerez qe fjalavjen punonin ne biblioteka. Dhe, pa dyshim, une nuk flas per faje personash. Jam dakord me ty, qe mundesia per t’u dituruar (aq sa ishte) ishte nje privilegj, por nje privilegj cope-cope ama.

  8. Shkrim disi i kokolepsur dhe jo koherent. Por më duket se të majtët në përgjithsësi, si më të “kulturuar” nuk kanë aspak ndërmend të jenë koherentë, apo të krijojnë një vizion koherent mbi botën, dhe kulturën, që edhe do të mbijetonte në përballje me realitetin e ftohtë që mundohemi ta shikojmë me obiektivitet.
    M’u duk në fillim se shkrimi nisi me premisa të mira, por mëpastaj ia humba fillin. Megjithatë kam prirje të besoj se i detyrohet pjesërisht moskuptimit nga ana ime të disa elementëve, kushedi, zhargoni.

    Premisa nga e cila nisem për të thënë këtd o dy llafe, është se një kulturë e mirë i shërben njerzve, civilizmit dhe ruajtjes së lirisë dhe të drejtave të tyre natyrore. Ky përkufizim, që jam i sigurt, indirekt ndahet nga shumë njerëz, më bën që të përjashtoj si jo-kulturë apo pseudokulturë (sikundër thotë presja forma manierizmi të njerzve që cilët thjeshtë përpiqen të imitojnë çka të tjerët kanë bërë pa ia kuptuar thelpin asaj që bëjnë: shembulli i asaj femrës që ndjek koncertin, apo një tjetri që lexon, akoma?, Hegelin apo Kantin, apo nga anët tona gjëra përgjithësisht ish komuniste) disa forma sjellje apo mendimi që i sjellin apo kanë sjellë dëme civilizmit, individëve dhe pronës dhe personit të Tjetrit.

    Psh, jo-kulturë apo kulturë meskine, për të marrë shembujt e Karl Popperit dhe botës së mirë që jetojmë sot ne perëndimorët (krahasuar me modele të tjera të shkuara dhe aktuale), do të duhej të quhej ajo që ngrihet mbi principe të Platonizmit, Hegelizmit, Marksizmit, kolektivizmit dhe elitizmit. Por jo, ky i shprehur nga unë, apo nga Popperi, nuk është një gjykim që ndahet nga pjesa më e madhe e njerzve apo elitave që jetojnë sot në këtë planet.
    Dhe kjo, duke parë se pjesa e globit që këto të mësipërmet i mban akoma si vlera – duke i tërrhequr zvarrë nëpër një tymnajë propagande dhe indoktrinimi – , është në një gjendje të mjerueshme, të bën të qeshësh, të qash dhe të vuash nga jo-perfeksioni i qenies njerëzore,e më tej, të mahnitesh nga ky fakt dhe mpleksjet që sjell.
    E kjo na thotë se, vet fakti që njerzit kinse të kulturuar, anëtarë të elitave, nuk mësojnë dot nga një formë elementare prove dhe gabimi, që është përballja me realititein, flet për një rrenë të madhe që qëndron në themel të spekulimeve të tyre, aktuale apo të shkuara.

    Njeriu nuk është perfekt. Arsyeja njerëzore nuk është perfekte. E kjo është edhe elementi më bazik përse tradita anglosaksone fillimisht, dhe ajo e amerikane mëpastaj janë ato që i kanë dhënë botës prosperitet – e thotë realiteti. E kështu, sipas meje, janë format më të larta të kulturës që ky Planet ka njohur sa kohë mbizotëron kjo natyrë njerzore.

    Kushedi, nëse një ditë arrijmë të shfarosim “kancerin” njeri me ndonjë politikë ambientaliste të aplikuar me synimin e mirë për të mbrojtur planetin, atëherë socializmi mund të triumfojë dhe elitat të qëndrojnë ngadhnjimtare mbi kockat e të ngjashmëve të vet. Aktualisht mund të kënaqen me piramidat dhe gjëra të ngjashme; ato po që thuhet se janë kulturë e gjallë planifikimi socialist, të ndërtuara nga populli për t’i shërbyer popullit – ashtu thoshin asokohe, kështu thonë edhe sot.

    1. Ne fakt, nuk e kam shkruar nga nje pozite e majte ose e djathte shkrimin. Nuk do ta quaja kurre veten te djathte, por shkrimi ka qene nje reflektim kritik i nje periudhe qe une e konsideroj me krisa te medha morale dhe kulturore ne shoqerine qe ndertoi, ate komuniste/socialiste.

  9. Ne esene e saj, Presja, meton te shpjegoje dy fenomene te shoqerise totalitare:
    se pari, prirja e njeriut mesatar per t’u zbukuruar me xhevairet e “kultures se larte”, prej nga prodhohej njeriu me kulture siperfaqsore, nje prirje te cilen ajo e gjen shume me te pranishme edhe ne shoqerine aktuale shqiptare, karahasuar me shoqerite perendimore.
    se dyti analizohet problemi se perse kontakti gjere me artin, filozofine, letersine,historine (humanitetet) nuk u kthen ne filozofi jete , ne veteshprehje ,ne subkultura si artikulime te antikonformizmit me sistemin antidemokratik.

    Mendoj se qasje te tilla antropologjiko-sociologjike, per te kuptuar funksionimin e mekanizmave te shoqerise totalitare , jane nje ndihmese e mire per ndricimin e te kaluares, perkunder qasjeve reduksioniste te cilat totalitarizmin e prezantojne thjesht si mekanizma represioni dhe dhune : tela me gjemba, bunkere, kampe interrnimi, pushkatime etj. Nese sistemi komunist do te ishte vetem dhune e paster, represion i paster, si zor te mbijetonte gjysem shekulli.
    Mendoj se perirja e njeriut mesatar ne shoqerine totalitare drejt elementeve te kultures elitare eshte nje dukuri e natyrshme e cila verifikohet edhe ne shoqerite perendimore, te lira dhe me mundesi zgjedhjeje. Prirja e njeriut mesatar drejt kultures se larte eshte dicka e natyrshme ne kushtet e ndarjes se profesioneve dhe e paqortueshme, perderisa ajo kulture eksziston, perderisa ajo kundrohet si simbol statusi dhe perderisa ne kushtet e shoqerise se industrializuar, te masmedias dhe asaj dixhitale,aksesi me kulturen elitare eshte zgjeruar dhe , per pasoje, rritet ndjeshem mundesia e njerzave te shtresave te ulta e te mesme per te qene ne kontakt , qofte dhe siperfaqsor me kete kulture.
    Eshte absurde te presesh qe te gjithe ata qe kane sadopak kontakt me kulturen e larte, te behen eksperte. Njohes te thelle te Hegelit, Nices, Frojdit apo Sartre jane studiuesit dhe profesoret qe merren me keto pune.Te tjeret i lexojne per kersheri , orientim dhe zgjerim kulturor. Nga te paret dalin specialistet, ata qe jetojne me kete pune. Nga kategoria e dyte dalin ata qe quhen “gjithologe”, ata qe njohin pak nga te gjitha. fushat, tip Lubonje.
    Ne shoqerine totalitare letersia e huaj, edhe pse kufizohej me Xhek London, ishte pjese e kurikules ne shkollat e mesme dhe e leximi saj ishte e vetmja alternative perkundrejt letersise vendase, skematike dhe te ideologjizuar. Leximi letersise se ndaluar (Gjeniu, Ura e psheteritmave,Tre shoket bie llafi) ishte njelloj arratisje nga realiteti brutal dhe “pa pike intimiteti” .Ata qe lexonin ndonje liber te fondit te rezervuar, qe degjonin muzike te huaj apo ndiqnin kanalet e televizive italiane dhe jugosllave, vertet nuk krijuan nje subkulture (si Beat Geberation, Hippie etj) osedisidence kulturore me platforma, qofte dhe klandestine, por ndoshta , duke aplikuar dubel standarin ne jete, e paten me te lehte te zbrisnin ne sheshe ne Levizjen e Dhjetorit. Eshte fatmiresi qe politika zyrtare ne komunizem, edhe pse kontrollonte gjithcka dhe nga letersia boterore lejonte ate qe ishte, sipas kritereve te kohes, demokratike, revolucianare, kritike e sistemit borgjez, nuk e zbatoi ne ekstrem platformen e Proletkultit. Sot duket e habitshme sesi sistemi i ngritur mbi dhunen dhe likuidimin e kundershtarit politik , lejonte leximin e Makbethit, Hamletit apo Dantes.

    Cdo lexim sporadik ose kontak me te ashtuquajturen kulture e larte, pertej snobizmit dhe dukjes, edhe kur nuk brendesohet dhe mbet thjesht stoli e jashtme, besoj e ben njeriun me te mire nga sa do ishte pa keto kontakte. E c’te keqe paska patur se sportelisti lexonte Stendalin apo Balzakun? Eshte e vertete se thellimi ne nje fushe te dijes dhe sidomos ne profesion, le pak hapsire per te gjezdisur lule me lule e per te marre pak nga pjalmi kultures se humaniteteve, por , kushedi, leximi letersise sportelistin e ka bere me te ndjeshem, me human, me pak brutal.
    Une besoj se krijimi i nje shoqerie te themeluar mbi kulturen e njerzores dhe humanes, ku kultura nuk mbetet nje zbukurim i jashtem por brendesohet ne kulture komunikimi, kulture jetese, kulture konkurence e vlerave dhe meritave, kulture e respektimit te tjetrit dhe mjedisit, pra ajo lloj kulture qe manifestohet sot ne civilizimin perendimor , eshte produkt jo thjesht i kultures se leximit josiperfaqsor por produkt i nje zhvillimi historik, social, ekonomik, institucional, etik dhe shpirteror.

  10. Shpend, sic them edhe ne disa nga pergjigjet, as une s’mendoj se vjen gje e keqe nga leximi i cfaredolloj letersie nga te gjitha shtresat. Une respektoj njerezit qe lexojne kutine e cerealeve ne mengjes. 🙂

    1. Presja, edhe informacioni qe merr ne mengjes per kushtet e motit, eshte shyme me i dobishem se informacioni per organizimin social te bleteve, bie llafi 🙂
      Jam plotesisht dakort me ato konstatimet qe perbejne thelbin e shkrimit tuaj , pra me marredhenien e cunguar , siperfaqsore dhe vetemashtruese me kulturen , kur mungonte aksesi ne te gjitha burimet, kur mungonte liria e zgjedhjes, kur mungonte mjedisi analitik , didaktik dhe interpretativ, kur letersia, arti ne pergjithsi ishin instrumenta ne sherbim te ideologjizimit, formimit/manipulimit te njeriut te ri dhe kur ky i fundit shikohej jo si qenie individuale por si instrument i utopise komuniste.Te gjitha keto ishin pasoje e shoqerise se mbyllur, e censures , manipulimit te dijes dhe nderprejse se kontakteve me rrjedhat e kultures bashkekohore.
      Por ajo qe shikoj me rezerve, jane disa interpretime , te ngritura ne rangun e pergjithsimeve, mbeshtetur ne pervoja empirike te kufizuara ose jo aq domethenese ne konteksin e shkrimit. Psh une nuk ndaj te njetin mendim, lidhur me motivet e qasjes se shteresave te ulta, te njerzve me arsim te mesem por edhe atyre me shkolle te larte , ndaj kultures elitare.Ne kushtet e nje shoqerie te mbyllur, zbukurimi me pak kulture te larte, me teper se qasje obsesive dhe per snobizem, ishte edhe nje nevoje e brendshme, nje shtyse per te dale nga kafazi ngushte profesional ose jeta njedimensionale., per tu lartesuar kulturalisht si qenie humane.Diploma e shkolles se larte, po, ishte obsesion, parakusht per nje jete te mire, per nje status me te larte ne hierarkine sociale. Por kariera e nje ekonomisti, inxhinieri, gjeologu, profesioniste te mire ne zanatet e tyre, nuk e kushtezohej , pothuaj aspak, nga fakti se sa kishin lexuar pertej profesionit.
      Pertej kufizimeve, manipulimit, njohjes siperfaqsore, shtysa e sportelistes, infermieres, laborantes, gjeometrit ose zyrtarit per te lexuar letersi, per te shkuar ne opera, per vizituar nje ekspozite pikture, ishte ku e ku me fisnike sesa mbyllja brenda kafazit te ngushte profesional dhe burokratik..Dhe shume here me pozitive nga ngecja sot ne llumin e tallavase, telenovelave, kitschit dhe ushqimit me simitet e Daniel Still.A nuk po ankohen te gjithe se sot ka rene leximi letersise? Sot pra, kur ekziston nje shoqeri e hapur, liria e zgjedhjes, mjedisi interpretativ dhe nje begati botimesh dhe burimesh per te pervetsuar organikisht dhe jo qorrazi kulturen ?

    2. Ka mbetur pa u përmendur, më duket, një kategori e rëndësishme e atyre që tërhiqeshin pas kulturës së lartë: snobët. Snobë ka gjithkund, por në Shqipëri snobi mund të ishte i rrezikshëm – dëshira për t’u shkëputur nga kufijtë e shtresës së vet dhe për karrierë me çdo kusht ndonjëherë nuk mund të plotësohej pa komprometim politik total. Kur kam bërë stazhin një-vjeçar, pas gjimnazit, në Fabrikën e Tullave, Vorë, personi më kërcënues për ne stazhierët ishte një kandidat partie, mekanik i kategorisë së shtatë, gjithnjë i qethur dhe i rruar taze, që lexonte Stendhal-in dhe shkonte në koncertet e Majit. I rrezikshëm dhe kërcënues në kuptimin që ai përgjonte bisedat e tua dhe sjelljen tënde, kërkonte të afrohej me ty sepse ti i përkisje një shtrese tjetër për atë më të lartë dhe të lakmueshme, i pëlqente shoqëria jote dhe njëkohësisht të urrente për vdekje dhe sidomos, të denonconte atje ku duhej. Snob i përzier me arrivistin. Kultura e lartë ishte për të ashensor drejt lartësive ku e përfytyronte veten.

    3. Kjo, Xha, do shkonte shume mire edhe tek shkrimi im i meparshem per konformistin dhe arrivistin. Ne fakt, ne koken time dy shkrimet kane qene te lidhura. Dhe bashke me ta edhe nje tjeter qe po e shkruaj tani.

    4. xhaxha, thuaj c’te duash, por ajo praktika tek NISH Tulla apo njohja me kete te rruajturin prej rruli, ndoshta i ka dhene brezit tuaj te inteligjences nje lloj perulje dhe modestie qe nuk e gjen ne kete brezin tone – ndoshta kategorite e “dukjes” nepermjet kultures dallojne pikerisht ne kete element me sojin e dukjes se brezit tone: dukja si perpjekje per te mberritur (ne nje pozicion, apo gjendje te caktuar mendore/vete-njohjeje) dhe dukja per “facebook”.

  11. Presje,

    Shume me pelqejne shkrimet tuaja, ndofta pse prekin tema qe, ne nje menyre a ne nje tjeter, u kalojne neper mend te gjithe atyre qe u rriten nen komunizem.

    Ky shkrimi i fundit, me ngeci disi. dhe pikerisht konkluzioni ne te cilin dilni:

    “Për mua ky është një argument që më ridëshmon bindjen se rendja jonë shumë-dekadëshe ndaj kultivimit me çdo kusht, nuk kish as kokë e as funksion, dhe ishte sipërfaqësore.”

    Mbase duke llogaritur ato kategori qe analizoni, apo edhe duke shtuar “snobet” sic sugjeroi xhaxhai, ky konkluzion edhe qendron. Por, ju keni harruar nje grup tjeter njerzish, grup mbase jo shume i madh, por gjithsesi i rendesishem: grupin e njerzve qe i qaseshin kultures se cdo forme me qellimin e vetem per te mesuar, per te njohur, per tu vete-formuar njefaresoj. Keta as nuk aspironin te quheshin “elite” as kishin kujt t’ia shisnin “kulturen” e tyre, se ne ate kohe, kishe frike edhe nga kusheriri, po te qellonte pak si komunist, pale me tutje.

    Keta njerez ndjenin shume shpejt boshllekun qe krijohej sapo influenca e familjeve perkatese i ndergjegjesonte se cdo gje qe shkruhej e luhej ishte pjese e demagogjise/propagandes se pushtetit, me vlera jashtezakonisht te dyshimta etike dhe estetike. Ne kete moment, atyre ju lind pyetja “atehere ku do bazohem une qe te krijoj jo vetem nje ide per boten, njerzit, historine, artet, letersine, por edhe te mund te influencoj ne formimin tim si njeri, pavarsisht rrethanave ku ndodhem aktualisht.”

    Dhe pergjigja e vetme ishte turrja drejt letersise, arteve, muzikes klasike qe lejonte shteti, dhe me tej mesimi i gjuheve te huaja, jo per ti numeruar e per te shitur mend, por per te lexuar bibliotekat e disa shkrimtareve, kritikeve, diplomateve etj. qe kishin akses ne libra te botuar rishtas.

    Jam dakord qe, pare me syrin e atyre qe shkollohen jashte dhe ulen neper klasa e degjojne se si analizohet aksh liber apo simfoni, patjeter qe ka nje ndryshim te madh ne kuptimin ne thellesi te asaj qe serviret. Por grupi per te cilin flas, as nuk kishte as nuk ka aspirata per te bere studime e per te mbajtur fjalime per ato qe di apo nuk di. Cdo gje qe eshte perthithur prej kontakteve me letersine dhe artet ne ate kohe, eshte pjese e vetedijes sone sot, na ben keta qe jemi. Mbase jo fort revolucionare e aktiviste te zjarrte, dhe sigurisht jo elitare te kulturave te arta, por njerez te mire, me empathine e nevojshme, me etiken dhe busullen morale qe i duhet cdo njeriu qe te quhet “Njeri.”

    Nga ana tjeter, ky grup i ka shpetuar shokut kultural qe pesojne shumica e emigranteve, per shembull. Njoh shume njerez te ketij grupi qe jane integruar e kane perparuar suksesshem aty ku jetojne, edhe pa avantazhin e shkollimit jashte. Them se duhet te kete vlejtur disi ajo “kultura” e marre atehere.

    Shkurt, per kete grup, rendja shume-dekadeshe ndaj kultivimit me cdo kusht, ishte jo vetem me koke e kembe, dhe jo siperfaqesore, por ishte jetike, e nevojshme dhe e dobishme si ajri qe thith.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: