KUR TKURRET MIRËBESIMI

Dilema e të arrestuarve

Ka disa variante të dilemës së të arrestuarve (“the prisoners’ dilemma”), një nga më të studiuarat në teorinë e lojrave; në vijim po i përmbahem versionit të Robert Wright, në Non Zero, The Logic of Human Destiny, Pantheon Books, New York, 2000.

Dy shokë, Titi dhe Ladi, janë arrestuar për një vjedhje që në të vërtetë e kanë kryer, por hetuesia nuk ka prova të mjaftueshme për t’i nxjerrë fajtorë. Në këto rrethana hetuesi i propozon secilit prej tyre marrëveshjen e mëposhtme:

Në rast se njëri prej tyre e pranon vjedhjen, ndërsa tjetri jo, atëherë ai që e ka pranuar lirohet, ndërsa ai që nuk e ka pranuar dënohet me dhjetë vjet.

Në qoftë se të dy e mohojnë se kanë vjedhur, atëherë të dy dënohen lehtë, me vetëm një vit burg, meqë nuk ka prova të mjaftueshme.

Po ta pohojnë të dy vjedhjen, përkundrazi, do të dënohen me tre vjet burg secili.

I ftoj lexuesit të vihen në vendin e ndonjërit prej të dy të arrestuarve dhe të vrasin mendjen cila do të ishte strategjia më e volitshme për t’u ndjekur.

Titi mund të vendosë ta pohojë krimin, me shpresë se Ladi do ta mohojë, çka do të sillte lirimin e Titit dhe dënimin (e rëndë) të Ladit me dhjetë vjet; në rast se Ladi, përkundrazi, vendos edhe ai të pohojë, atëherë të dy të arrestuarit do të dënohen me tre vjet. Duke pranuar, Titi rrezikon midis lirimit dhe tre vjetëve burg.

Por ç’ndodh sikur Titi të vendosë ta mohojë vjedhjen? Ka të ngjarë në këtë rast që ai të mendojë se, në qoftë se Ladi, përkundrazi, pranon se ka vjedhur, atëherë Titi përfundon i dënuar me dhjetë vjet, ndërsa Ladi shpëton pa lagur. Pra, nga pikëpamja e Titit (që ka vendosur të mohojë), Ladi mund fare mirë ta pohojë vjedhjen, duke mos rrezikuar asgjë më tepër se midis tre vjetëve burg dhe lirimit, në një kohë që Titi, duke mohuar, rrezikon midis dhjetë vjetëve dhe një viti.

Që këtej rrjedh se, kur secili prej të dy “kolegëve” arsyeton duke u nisur vetëm nga interesi i ngushtë (vetjak), përfundimi është gjithnjë më i keq sesa po ta kishin mohuar vjedhjen të dy, secili me besimin e patundur se edhe tjetri do ta mohojë, çka do ta ulte dënimin në një vit për secilin. Është e vërtetë se duke mohuar, asnjëri prej të dyve nuk ka shans të lirohet; por nga ana tjetër pohimi i njërit sjell me vete dënimin e sigurt të tjetrit me tre ose dhjetë vjet.

Pasi janë njohur me kushtet e hetuesit, Titi dhe Ladi kalojnë kohë së bashku në qeli dhe diskutojnë gjerë e gjatë se ç’qëndrim duhet të mbajnë kur të vijë puna për ta pranuar apo jo akuzën. Të dy e kanë të qartë se vetëm duke e mohuar vjedhjen të dy bashkë mund të marrin dënimin më të lehtë (secili nga një vit), prandaj kështu edhe vendosin të veprojnë.

Po a do ta mbajnë besën që i dhanë njëri-tjetrit, kur të dalin para hetuesit? Çfarë do të ndodhte sikur njëri prej tyre, për shembull Titi, t’i qëndronte fjalës së dhënë dhe ta mohonte vjedhjen, ndërsa Ladi papritur ta pohonte? Besëshkelësi do të lirohej, ndërsa besëmbajtësi do të dënohej rëndë. Me fjalë të tjera, Ladi do të nxirrte përfitim vetjak maksimal nga situata jo thjesht duke gëzuar besimin e plotë të Titit, por edhe duke abuzuar me këtë besim.

Logjika e ftohtë çon kështu në një paradoks etik. Për të ruajtur integritetin moral, të arrestuarit duhet të sillen në mënyrë të paarsyeshme; përkundrazi, racionaliteti shpie në disfatë të plotë të mirëbesimit dhe të kohezionit ndërvetjak. Vallë nuk e modelon për bukuri një situatë e tillë krizën e sotme sociale në Shqipëri?

Xhungla dhe plantacione

Analizat që i kanë bërë paradoksit teoricienët e lojërave dhe ekonomistët kanë treguar se iterativiteti, ose rimarrja e situatës së “të arrestuarve” brenda së njëjtës bashkësi individësh të arsyeshëm, është një nga kushtet e nevojshme për përftimin e bashkëpunimit midis këtyre individëve (kjo është edhe simuluar në kompjuter). Rasti kur Titi dhe Ladi i japin besën paraprakisht njëri-tjetrit që ta mohojnë vjedhjen, por Ladi e pret shokun në besë, bie në marrëveshje me hetuesin, e pohon krimin dhe lirohet nga burgu ndërsa Titi përfundon i dënuar me dhjetë vjet, do të lërë gjithnjë pasoja afatgjata. Nëse, ta zemë, pas njëzet vjetësh, Ladi dhe Goni (një tjetër pjesëtar i bashkësisë, që ka dijeni për incidentin midis Titit dhe Ladit) do të ndodhen në një situatë të ngjashme, kur mirëbesimi i ndërsjelltë të jetë kusht për sukses, kuptohet se Goni nuk do të jetë më i gatshëm të hyjë në marrëveshje mirëbesuese me shokun e vet dhe do ta vështrojë këtë me dyshim.

Në një bashkësi shqiptare tradicionale, të rregulluar nëpërmjet rregullash të pashkruara (p.sh. Kanuni), sjellja e Ladit virtualisht do të kishte pasoja edhe më të rënda; pse të prerët në besë ose mosmbajtja e fjalës do të konsideroheshin si shkelje të rënda të etikës së bashkësisë dhe do të ndëshkoheshin me përbuzje kolektive, në rastin më të mirë, ose deri edhe me dëbim nga bashkësia ose gjobë, në rastin më të keq. Duke mashtruar Titin dhe duke fituar lirinë, Ladi do të humbte “nderin” ose “burrninë”; një vlerë ndoshta po aq e vyer sa edhe liria vetë. Në këtë kuptim, duke mos bashkëpunuar, Ladi do të humbiste privilegjin për të qenë pjesëtar me të drejta të plota i bashkësisë së vet të dikurshme.

Vëzhgues të ndryshëm të sociales në Shqipëri janë të një mendjeje se në vend kohët e fundit është shtuar tej mase numri i “Ladëve”, domethënë i atyre që kërkojnë të arrijnë përfitime vetjake duke mashtruar të tjerët, qoftë edhe miqtë e ngushtë, partnerët, kushërinjtë, farefisin. Mirëbesimi reciprok është në krizë, fjala e dhënë pothuajse është zhvlerësuar, paranoja është shndërruar në një sistem të pranuar mbrojtjeje ndaj abuzimit prej të tjerëve.

Meqë mirëbesimi është kusht themelor për ekzistencën dhe riprodhimin e të ashtuquajturit kapital social, ose e aftësisë së pjesëtarëve të një bashkësie për të bashkëpunuar drejt arritjes së një qëllimi të caktuar, tkurrja e tij do mbajtur për patologji shqetësuese, e cila nuk do të mund të kalojë pa u kuptuar se qëndrueshmëria sociale nuk u shërben vetëm politikanëve dhe sipërmarrësve, por krejt shoqërisë në tërësi.

Me fjalë të tjera, rilindja morale e shoqërisë shqiptare të cilën kudo e urojnë dhe e kërkojnë me të madhe, nuk do të kryhet nëpërmjet ndonjë ungjillëzimi etik të popullatës (të cilin në fakt nuk ka kush ta kryejë), por vetëm në rrethanat e restaurimit të arsyeshëm e të durueshëm të bashkësive qytetare e fshatare.

Nuk ka asgjë tipikisht “shqiptare” në shëmtimin moral nëpër të cilin po kalon ekonomia dhe politika në Shqipërinë e sotme; as janë korrupsioni dhe mjerimi fatalisht të skalitur në kodin gjenetik të “bijve të shqipes”. Ajo çka Shqipëria dhimbshëm i provon Evropës dhe botës sot, është se demokracia, të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut mund të funksionojnë si duhet vetëm në një humus të pasur me kapital social; përndryshe reformat së larti përçudnohen sakaq në mjete në duar të qelepirxhinjve dhe të delinkuentëve të gjithfarshëm, për të grabitur shtetin, publiken, sipërmarrësit seriozë, donatorët e ndryshëm dhe sidomos bashkëqytetarët.

Dilema e të arrestuarve, sado skematike dhe e thjeshtuar në variantet e veta, na kujton kështu se alternativa e inxhinierimit social totalitar nuk është aspak xhungla e “të gjithëve kundër të gjithëve”, por ajo shoqëri ku sjellja etike është edhe ekonomikisht më e frytshmja dhe ndershmëria perceptohet jo vetëm si virtyt i individit, por edhe i bashkësisë vetë.

34 Komente

  1. Me fjalë të tjera, rilindja morale e shoqërisë shqiptare të cilën kudo e urojnë dhe e kërkojnë me të madhe, nuk do të kryhet nëpërmjet ndonjë ungjillëzimi etik të popullatës (të cilin në fakt nuk ka kush ta kryejë)

    Ka sa te duash…konservative qe nuk lejohen te ‘ungjillizojne’ nga revanshiste liberale

  2. Po nëse do ndërroheshin variablat e dënimit??
    Dmth që njëri të pranojë se është fajtor dhe tjetri të vazhdojë të mohojë, dhe në këtë rast, dënimi të ishte shumë më i rëndë (kapital).
    E di që kjo që thashë është jashtë asaj që diskutohej më sipër, por e solla vetëm si shembull për të parë se nëse do vazhdonim të ishim po aq “liberalë” nëse do të rrezikonim shumë më tepër se sa do të përfitonim?

  3. Rruga me racionale e te dyve(meqe jane te dy bashkefajtore!)eshte ajo qe te bejne nga nje vit burg;ndryshe… cdo allishverish tjeter,sidomos me keta sojsese,eshte me pasoja.
    10 shkurt 2008

  4. Nuk më ҫudit fakti që vetëm shtatëmbëdhjetë vjet “demokraci” kanë mjaftuar për të zhvlerësuar vlera të tilla si mirëbesimin a fjalën e dhënë të cilat populli shqiptar i ka kultivuar në shekuj.
    Nuk më ҫudit sepse janë po ato fenomenë si “demokracia”, “të drejtat e njeriut” e mbi te gjitha “ekonomia e tregut” që një pjesë e mire e popujve “të pazhvilluar” po përpiqet të vër në jetë, që kanë bërë të mundur, edhe pse pjeserisht, zhverësimin e vlerava etike shekullore.
    Një numër i konsiderueshëm mendimtarësh të njohur të fushës së zhvillimit (si Amartya Sen o Joseph Stiglitz) tashmë kanë arritur në perfundimin se me mënyrën se si “të drejtat e njeriut” dhe mbi të gjitha “ekonomia e tregut” janë shitur nga Banka Boterore ose Fondi Monetar Ndërkombëtar si teori ose modele zhvillimi nëpër vëndet më pak të zhvilluara, kanë krijuar dëme të mëdha në jetën e popujve të këtyre vëndeve duke vënë në krizë sistemin a vlerave të shoqërive të tyre. Dhe, për fat të keq, një ndër këto vënde është edhe Shqipëria.

    Me fjalë të tjera, përvoja e vëndeve perëndimore ka treguar se ekonomia e tregut funksionon vetëm në ato vende ku ka një sistem ligjor efiҫent dhe një qeveri të fortë që shërben si garante për vënien në zbatim të ligjeve. Në Shqipëri ekonomia e tregut u adoptua si model zhvillimi në 1991, në një kohë kur nuk kishte as qeveri dhe as ligje.
    Edhe vetë Kanuni, a nuk mbijetoi në shekuj sepse venia e tij në jetë ishte e garantuar.
    Prandaj nuk do të më ҫudiste më fakti që numri i “Ladëve” në Shqipëri, edhe pse nuk është e lehtë të pranohet se përfitimi vetjak po shndërrohet në një ndër zotërat më të fuqishëm të sotëm, do të rritej gjithnjë e më shumë në të ardhmen!!!

  5. Per sa kohe qe do kete nje sistem qe te merret me c’bejne njerzit ne mes tyre si shoqeri, si p.sh. gjykata institucionale, atehere “Ladet” dhe “Titet” do kene mundesi te ndajne te mirat dhe te keqiat si pas mundesive.

    Xha Xhai zgjedh, vlereson faktorin ekonomik per “Lad-ra” dhe “Tit-ra” te permiresuar, por jo zhdukjen e tyre, se s’ndodh, per derisa sistemi i vleresimit te njerut eshte; i mire-keq, di-s’di, afte-paafte, pasur-varfer, bardhe-zi, madhe-vogel.

    Te forcosh sistemin, cilido qofte ai, nga te siperpermendurit, do te funksionoje, e keqja me e vogel do te jete qe te dy te behen “Lada” dhe kjo me duket se ndodhe tani ne ate bote qe ne e quajme te “zhvilluar” Pertej ketij pragu shkon vetem Utopisti, dhe s’kane munguar edhe keta deri dhe ne ditet e sotme, pra pa “Lada dhe Tita” dhe pa gjyqtare.

  6. Është e vërtetë që hileqarë e besëshkelës ka edhe në vendet më të qytetëruara. Njerëz që janë gati të shesin edhe të jëmën në pazar, qelbësira që vjedhin ortakët e tyre, mashtrues ordinerë, të pafytyrë që hanë fjalën. Dallimi me Shqipërinë është në atdheun tonë maskarenjtë i adhurojnë si të ishin heronj, legjendat e tyre i tregojnë në gazeta e në TV, të dashurat ua nxjerrin në kopertinat e revistave të modës. Më shqetësues është imoraliteti i opinionit publik, se sa i idhujve të këtij opinioni.

  7. Ai Ladi i shembullit te shkrimit te me siperm, me veprimin qe beri, nuk u denua se genjeu por e kunderta ndodhi, e bene “hero” (liruan). Hitlerin gjithashtu e bene hero, qe beri ate qe beri, e shume te tjere si keta keshtu do te vazhdoj, se s’eshte aq skeme e thjeshte sa te beshe me faj njerin dhe jo tjetrin. Eshte njelloje te thuash; tani qe erdhi prokuror i ri do t’a rregulloje korrupsionin, po, ate qe eshte ne fuqi i jep jete si i dha Ladit te shembullit te mesiperm autori i shkrimit, dhe jo korrupsionin qe po shkaterrone shume mirqenjen e popullit dhe vendit.

    Ideja duhet te jete e lire per t’u shprehur, ka rendesi se c’fare ideje eshte ajo. Mund qe ideja me funksionale te jet jo popullore, por koha eshte ne kurrizin e aktoreve te jetes. Nuk ka zgjidhje absolute, por ka patur dhe ka zgjidhje te pjeseshme,
    si; 1- denim me vdekje, burg, disiplinore nga me i forti-drejti.
    1- frenim i zhvillimit nga me i dobti-spekuluesi.
    Te dyja keto grupe krijojne mite dhe opinione, varet cili eshte forcuar me shume per te dominuar njerin apo tjetrin.
    Ne duhet te kemi mundesi te jemi ne keto grupe dhe pertej tyre ne emer te zhvillimit, dhe jo fanatikisht me njerin apo tjetrin grup.

  8. Hemmmmmmmmm, si dreqin supozohet se funksionon, nga poshte lart, apo nga lart poshte?
    Pedagogu im i nderuar Philippe Shmitter shpesh perifrazonte nje thenie te Lincoln:
    “ne nuk duhet te presim te bejme shtet derisa te gjithe qytetaret [Lad-et dhe Tan-et] te behen te moralshem dhe te devotshem, pasi kur keta te jene bere te tille, shteti nuk do te jete me i nevojshem, por ne duhet te ndertojme institucione te tilla, qe ti detyrojne njerezit te sillen si qytetare!”.

  9. PNH, nga lart-poshtë do të ishte rruga më e mirë, sikur të mos ishin ata lart produkt i shijeve dhe i iluzioneve të atyre poshtë – meqë ashtu funksionon demokracia.
    Është për të ardhur keq që politikanë dhe përfaqësues të cilët mund të bënin diçka më tepër, janë të detyruar t’u bëjnë qejfin gjithfarë plehrave dhe të fortëve, nëse duan të mbeten në pushtet.
    Një nga arsyet që elitat nuk veprojnë dot në kundërshtim me vullnetin e “popullit” (i cili shpesh nuk është veçse vullneti i manipulatorëve, i përkthyer në instinkte të turmës), ka të bëjë me pasigurinë e pozitës së vetë elitave.
    Një diktator mund të veprojë siç e sheh të arsyeshme, pa pasur frikë se do ta rrëzojnë me vota. Një pushtetar i cili varet nga humoret e zgjedhësve, duhet të mendohet mirë para se të propozojë diçka që “popullit” nuk i pëlqen: rritje të taksave, ngrirje të rrogave e kështu me radhë.
    Në Shqipëri këtë situatë e ndërlikon edhe më tej adhurimi i vesit prej masave – shenjë e mëtejshme e degradimit të tyre në turma. Prandaj zgjedhës e të zgjedhur atje janë kapur në një përqafim vdekjeje, nga ku nuk dalin dot më.
    Zgjidhja? S’mund të jetë veçse anësore, nga shoqëria civile – të paktën në teori. Problemi më i madh i institucioneve të shoqërisë civile sot në Shqipëri është me çfarë t’ua zëvendësojë frikën shqiptarëve, si instrument vetëkontrolli.
    Pa përmendur pellgëzimin e institucioneve fetare, të cilat duket sikur veç mendojnë për të ngritur tempuj – se edhe atyre duket sikur u ka dalë frika (nga Perëndia, e kam fjalën).

  10. Xhaxhai:
    “… nga lart-poshtë do të ishte rruga më e mirë, sikur të mos ishin ata lart produkt i shijeve dhe i iluzioneve të atyre poshtë – meqë ashtu funksionon demokracia.”

    Une – Kjo e gjitha me ngjan me nje paradoks, apo me mire (se me vjen edhe me figure) me ate rrefenjen antike te Mbretit Sizif te denuar ne Ferr te ngjiste te njejtin gur per cdo here ne majen e thepisur te nje mali, prej nga ku ai do te rrezohej tatapjete ne anen tjeter prej gravitetit dhe paqendrueshmerise se majes, duke e munduar ne pafundesi ngritesin e vet, ne ndoshta perpjekjen me te pavlere e te pashprese te imagjinuar ndonjehere…

    Pra, ata lart, qe sikur te ishin elite, do te silleshin si te tille, jane te ketille sepse zgjidhen prej atyre poshte. Nga ana tjeter, jo gjithmone cdo popull ka qeverine qe meriton. Apo me sakte, jo gjithmone e meriton ate qeveri qe ka. Nuk ka nevoje per asnje sondazh (packa se edhe na ndodhen ca) qe te marrim vesh se populli – kete radhe si nje i tere – nuk eshte i kenaqur me kete klase politike. Ne kuptimin tim, kesaj ere po ia shpalos velat e veta edhe anija e Rames e quajtur “Per nje politike te re”.

    Por meqe s’na intereson per momentin, le ta leme Ramen dhe te kthehemi tek paradoksi yne.

    Xhaxhai:
    “Në Shqipëri këtë situatë e ndërlikon edhe më tej adhurimi i vesit prej masave – shenjë e mëtejshme e degradimit të tyre në turma. Prandaj zgjedhës e të zgjedhur atje janë kapur në një përqafim vdekjeje, nga ku nuk dalin dot më.”

    Une – Pra, demokracia qenka denuar te ngrihet nga poshte larte (meqe ashtu funksionokerkesh), ndaj ata poshte, tanime turma e te manipulueshem, nuk bejne gje tjeter vecse cojne lart produkte te te njejtes balte.

    Nese paragrafet e mesiperm do tu mbivendoseshin (ne kuptim te logjikes dhe vijes se mendimit) ketij te sapothene, mund te shtyhemi me tej me nje paragraf te ri, ku te themi se nese vazhdon keshtu se pari, perparimi do te kerkoje kohe, shume kohe (gjithmone nese ia leme bazes promovimin e tij) dhe se dyti, i vetmi variant i shpejte i ndryshimit (po nga poshte) eshte permes mjetesh dhe metodash revolucionare ose quasi (f.v. 1997), te cilat jane pergjithesisht veshtire te menaxhueshme dhe nga pervoja te dhimbshme apo edhe rrenuese.

    Atehere, per te mos pritur nje jete, apo per te mos rrezikuar ndoshta vete jeten, shpresa e vetme qendron serish tek ata lart. Por ata lart vijne nga ata poshte – keshtu thame, apo jo? Nga ana tjeter, pranuam se ata poshte jane te manipulueshem. Nga nje tjeter ane (sa ane na dolen mo?) ata poshte nuk jane te kenaqur me ata lart. Pra, afermendsh, derisa lart vijne njerez jo fort te pelqyer nga poshte dhe ata poshte manipulohen, rrjedh qe ata lart e manipulokerkeshin popullin qe te vijne ne pushtet.
    Atehere, pyes une dhe ketu ndaloj me kete silogjizem te sterzgjatur timin, pse dreqin keta lart nuk i manipulojne per mire keta poshte, e bejne qe e bejne kete gje?

    PS – ideja eshte qe nga ferra del edhe trendafili. Epo … doli qe doli ky trendafillua, i fut nje te manipuluar atyre qe ua ka enda dhe, njehere e mire ne pushtet, ndermer reforma qe vertet mund ta bejne ate veshtire te zgjedhshem ne nje periudhe afat shkurter, por qe do ti sigurojne zhvillim vendit per vitet qe vijne me pas.
    Se, si i thone nje llafi, Republika e Platonit nuku ka hic lidhje me dashurine platonike. Elementet e te pares mund te jene deri diku te rrezikshem (po vecse deri diku ama – ne kushtet e monitorimit ne te cilat ndodhet Shqiperia), por elementet e te dytes te lene ne dite te hallit…

  11. P.N.Halli shkruan;
    …..”Atehere, pyes une dhe ketu ndaloj me kete silogjizem te sterzgjatur timin, pse dreqin keta lart nuk i manipulojne per mire keta poshte, e bejne qe e bejne kete gje?”

    Sepse s’ka ne kuptimin e plote te fjales as ‘poshte’ as ‘larte’, ose ajo qe quan ‘poshte’ s’eshte poshte dhe ajo qe quan larte s’eshte larte. Pra duke qene ato qe jane ato bejne ate qe bejne, pa i ngelur njeres apo tjetres pale si privilegj te beje dicka vecanerishte te atribuar dhe sidomos per merit personale.
    Ambicja (sidomos e individit) duhet te ket edhe ‘dedikim’ edhe ‘vetmohim’ qe te funksionoje per te ‘teren’, ndryshe prodhon produktin e radhes. Duke pare te perseritet shume here ky rast i fundit (ate qe sygjeron dhe ti p.n.h.) ne s’bejme tjeter po zgjedhim njeriun e radhes qe duam te deshtoje.
    Ne proces ne zgjedhim ate qe zgjedh te zgjidhet, per te bere ate qe ka radhen.

  12. “Por ata lart vijne nga ata poshte – keshtu thame, apo jo?”

    Kjo nuk eshte e vertete. Me jep nje shembull te vetem te dikujt qe ka ardhur nga poshte lart. Ata lart zgjidhen nga ata lart, per te ruajtur interesat e atyre lart. Nderkohe, e vetmja gje qe behet nga poshte eshte legjitimizimi i zgjedhjes te atyre lart me ane te votes, e cila nuk mund te shkoje pervecse ndaj atyre qe jane zgjedhur nga lart.

    Une do t’a shtroja keshtu ceshtjen. Duke qene se nuk eshte tamam nje dileme te arrestuarish ne Shqiperi, pasi ata lart e kane shkelur mirebesimin dukshem, c’duhet te bejne ata poshte qe te mos vazhdoje ky abuzim ndaj mirebesimit? Te presin rradhen per te votuar serisht? Ca garancie ka qe edhe te rinjte qe do votohen, te rinj qe vijne po nga lart gjithashtu, nuk do t’a shkelin edhe ata mirebesimin? Te tundin e te shkundin voten ne forme shantazhi kater vjet te tjera, kur dihet qe balanca prishet vetem me nje akt jashte mirebesimit, le me me kater vjet shkelje mirebesimi?

    Nga lart-poshte do te ishte rruga me e mire, thote xhaxhai, sikur te mos ishin ata lart produkt i shijeve dhe iluzioneve te atyre poshte. Nuk me duket e sakte. Shijet dhe iluzionet e atyre poshte i kane ushqyer ata lart duke shkelur hap pas hapi mirebesimin e atyre poshte. Nga lart poshte do ishte rruga me e mire sikur mos shkelej mirebesimi. Meqe mirebesimi shkelet, rruga me e mire eshte nga poshte lart. C’duhet te bejne pra, ata poshte, kur u shkelet mirebesimi? Njeriu i nendheshem, apo te permbahen, sic keshillon nga lart Kadareja? Jo jo, te permbahen ata lart para se te shkelin mirbesimin e atyre poshte, perndryshe mospermbajtja do filloje ushqeje jo me iluzione por mospermbajtje.

  13. Me duket se Xha Xhai e ka perdorur metaforen e “dilemes se te arrestuareve” per te pershkruar nje fenomen shoqeror, dhe jo per te pershkruar ndikimin qe kane elitat ne shoqeri apo anasjelltas. Kjo lloj “dileme” rregullon mardhenie te tilla vitale sic jane mardheiniet e biznesit, te punes, te familjes, pra u referohet plageve te tilla si korrupsioni ne shoqeri, i cili nuk mund te jete teresisht pergjegjesi e elitave. Shteti eshte nocion abstrakt dhe nuk perceptohet nga shoqeria aq lehte nese nuk perkthehet ne interesa konkrete, dhe shembulli apo metafora e perdorur nga Xha Xhai m’u duk shume e gjetur. Besimi i ndersjellte eshte nje nga komponentet me te rendesishem qe mban nje shoqeri te bashkuar, dhe qe lejon implementimin e koncepteve abstrakte sic jane ato shteterore, ndonjehere pavaresisht nga elitat.
    P.sh. pertej demit qe mund t’i kete shkaktuar demokracise Amerikane Xh.W.Bush, thuhet qe drejtimi i tij provoi se demokracia Amerikane eshte ne nje faze qe edhe nje “idiot” mund ta drejtoje, dhe kjo me shume flet, per mendimin tim, per shendetin e shoqerise amerikane ne pergjithesi sesa thjeshte per aftesine e elitave te saj.

  14. Meqë diskutimi nisi me dilemën e të arrestuarve, ndoshta ka vend të sjell këtu një pasazh nga një intervistë e Fatos Lubonjës me Blendi Fevziun, në emisionin “Opinion”, kur i intervistuari flet për momentin e lirimit nga burgu, në mars të vitit 1991:

    E di çfarë ka qenë gjëja më e rëndë që kam jetuar unë ditën e lirimit? Që e mora si ogur të keq se çfarë do të më ndodhte prapa. Unë në atë kohë isha më i vjetri në burg, se ishte liruar një pjesë e atyre që kishin bërë më shumë se unë. Dita e lirimit është dita që njeriu e pret, e ëndërron që nga dita e parë që bie në burg. Prej 17 vitesh ëndërroja ditën e lirimit që të shkoja të takohesha e përqafohesha me familjen. Tani çfarë ndodhi? Meqenëse këta e morën vesh që nuk lirohen, këta shqiptarët e tjerë, bashkëvuajtësit tanë që po i mbanin për krimet ordinere, menduan si t’i bëjmë ne që të vijnë këtu dhe të të kujtohen edhe për ne. Ata, kur dolën në ajrosjen e mëngjesit, se ishin të ndarë nga ne, në vend që të bëhen burra dhe të marrin ndonjë polic peng, ia morën policit çelësat, na mbyllën neve dhe nxorën policin jashtë, se ishte krijuar liri e madhe, siç thashë, dhe u thanë atyre të komandës: “po nuk na erdhën këtu ne nga të drejtat e njeriut, (se ishte krijuar ndërkaq Forumi i të drejtave të njeriut), po nuk erdhën prokurorë ne nuk i lirojmë këta”.

  15. Ujku i Zi shkruan:

    Shteti eshte nocion abstrakt dhe nuk perceptohet nga shoqeria aq lehte nese nuk perkthehet ne interesa konkrete, dhe shembulli apo metafora e perdorur nga Xha Xhai m’u duk shume e gjetur. Besimi i ndersjellte eshte nje nga komponentet me te rendesishem qe mban nje shoqeri te bashkuar, dhe qe lejon implementimin e koncepteve abstrakte sic jane ato shteterore, ndonjehere pavaresisht nga elitat.

    Pikërisht. Çështja është nëse këta njerëz që e dinë veten shqiptarë duan të jetojnë së bashku apo jo. Nuk dua të shtyhem edhe më, e të them se çështja është nëse shqiptarët mund të jetojnë së bashku apo jo. Historia, për fat të keq, nuk na provon asgjë, edhe sikur të kishin vlerë provat historike. E sotmja dëshmon se shqiptarët ekzistojnë, por jo shqiptaria si tërësi shqiptarësh. Një shoqëri ku njëra palë kërkon t’ia futë tjetrës nuk mund të ketë qëndrueshmëri; është edhe më e paqëndrueshme sesa skemat klasike të shoqërive me klasa, shfrytëzues dhe të shfrytëzuar, borgjezë dhe proletarë. Kam lexuar, më duket te Fukuyama, që kur një korean hap një dyqan në një lagje koreanësh, të gjithë koreanët shkojnë të bëjnë pazarin atje; ndërsa kur një zezak hap një dyqan në Harlem, asnjë zezak nuk vete t’i blejë gjëkafshë, përveç ndonjë gjynahqari nga Republika Dominikane; sepse zezakët janë të bindur se i tyri do t’ua hedhë. Ja kështu. Mirëbesimi është forcë kohezive, i mban njerëzit të lidhur pas njëri-tjetrit, e shndërron turmën në shoqëri (komunitet).

  16. Xha Xha, ai shembulli i Lubonjes eshte i persosur per te shpjeguar keqkuptimin qe kemi ne me nocionin e shtetit dhe te individit apo komunitetit. Ndersa bashkevuajtesi (i ndryshem) behet pre e dhunimit, qe ne fakt duhej t’i drejtohej shtetit dhunues, por qe ne syte e tyre ishte siperan dhe i paprekshem, krijohet nje keqkuptim i madh ne te dy krahet, dhe qe rrjedhimisht reflekton nje moral te percudnuar te shoqerise. Pra sa e nevojshme eshte nje kthim tek disa vlera morale te pashkruara te shoqerise, per te cilat kurre nuk mund te themi dot aq sa duhet.

  17. Ne (njerzit) “kerkojme” me dhe pa ligj.
    Ligji detyron, qytetari zbaton, po ka edhe qytetar qe s’zbaton ligjin, dhe s’eshte e thene cili qytetari s’zbaton te jete gabim, se qytetaret jane po ata qe i vjeterojne ligjet. Kjo marre-dhenje ligj-qytetar fute ne kerkim te gjitha shtresat e qytetareve dhe jo te gjithe kane te njejtin imunitet perball ligjit, dikush e njeh e dikush s’e njeh, kush e do e kush s’e do. Ai qe e njeh ligjin ka mundesine te mos plagoset aq sa ai qe s’enjeh, por prap do jetoj ne ate bashkesi.
    Realiteti eshte nji per te gjith, si per ligjin edhe per qytetarin, qytetaret vendosin mekanizmin e radhes per funksionimin e llojit te ligjit. Ky eshte nje laborator i madhe social, qe jetone vazhdimisht edhe kur dikush fle dhe kur zgjohet e gjen te ndryshuar.
    Rreziku i madhe i tufezimit te mendimit perballet me jo te “kerkuaren”, dhune, mashtrim, zhgenjim, sukses, gezim, dhe te gjitha keto jane te perkohshme, jane si pauza te frymarrjes thithe-nxierr duke mos qene as njera as tjetra me e rendesishme por te dyja, funksionojne per t’i dhene jete nje trupi te jetoj.

    Keshtu e shoh une ‘lart’ ‘posht’ Njelloj si te thuash qe fryma qe nxierrim eshte me me pak oksigjen se ajo qe marrim(fusim ne mushkri) duke mos shtuar me kete zbulim vlere paresore si per njeren dhe per tjetren.
    Po te duam ne shohim edhe brenda vetes tone edhe ate ‘larte’ edhe ate ‘poshte’ C’do njeri ka ‘lartesine’ dhe ‘ultesine’ e llojit te tij.

  18. Duke qene se perseritja e lojes se roberve (po e letrarizoj pak) do te conte ne bashkepunim, si shpjegohet qe kjo nuk ndodh ne shoqeri si e jona, me histori te gjate nderveprimi e mejdane lojrash plot? Ka te pakten tre shpjegime te mundshme qe me vijne ne mend tani: shoqeria shqiptare nuk karakterizohet nga racionaliteti; ose lojrat shqiptare luhen ne rrathe relativisht te vegjel, pra bashkepunimi dhe brenda tij mirebesimi, ndodhin ne nivele lokale po jo ne nivele mbareshoqerore; ose keto 17 vjet nuk kane qene mjaftueshem per te mesuar lojen e re me rregulla te reja, duke qene se renia e diktatures shkaterroi mejdanin e vjeter.

    Mbreme duke kerkuar dicka pa lidhje me kete teme me doli nje shkrim i shkurter i Fukujames i vitit 2001 mbi kapitalin shoqeror. Si XhaXhai, Fukujama favorizon fene (me ne krye protestantizmin) si mbrujtese te ketij kapitali, pastaj historine e traditat e ne fund fare shtetin. Gjerat qe mu duken me me interes per debatin ketu ishin termat radius of trust dhe radius of distrust; nje shoqeri mund te kete shume grupime me besim ndermjet tyre, por nese keto grupime jane shume te vogla, psh ne nivel familjeje apo shoqerie te ngushte, apo agresive ndaj grupimeve te tjera, rezultantja nuk del pozitive per shoqerine. Ne rastin e Shqiperise terheqja nga kolektivizimi tek individualizmi familjar solli nje tkurrje te rratheve te besimit, nderkohe qe pasiguria fizike dhe ekonomike, mungesa e ligjit dhe institucioneve shteterore mbrojtese, shtuan mosbesimin ndaj grupeve te tjera. S’do te ishte fort gabim te thoje edhe qe periudha komuniste kishte hedhur farat e ketij mosbesimi, ne mos me shtetin sigurims me pakicen qe stiste pasiguri dhe instikt mbijetese. Madje sipas Fukujames (dhe afermendsh sipas shume prej nesh) varesia ndaj shtetit totalitar per te gjitha lidhjet shoqerore pertej atyre te aferta fare e dobesoi aftesine e njerezve per te ardhur ne grupime spontane dhe autonome.

    Fukuyama sugjeron qe shteti te mos nderhyje shume ne keto pune (surprise surprise!) por te siguroje rend, qetesi e te drejte prone (vazhdon surpriza) dhe shkolla te mira, ne menyre qe mirebesimi te rezultoje nga lojrat e perseritura. OJQ-te me fonde te huaja nuk i sheh me sy fort te mire per arsye te ngjashme me ato te rastit te shtetit totalitar: grupimi nuk eshte spontan dhe autonom por klientelist. I vyeri Fukujame nuk harron te na permende mundesite qe paraqet globalizimi (teknologjia, komunikimi, rrjetet nderkombetare, etj.) me paralajmerimin qe te kemi kujdes te mos shkaterrojme rrjetet e vjetra pa pasur gje ne vije per te rejat.

    S’thashe ndonje gje nga ana ime, po me qe e lexova artikullin dhe meqe ju po e debatoni mendova te sillja c’kish thene zoteria.

  19. Ujku i Zi në ndërhyrjen e tij Nr 13 thotë:

    “P.sh. pertej demit qe mund t’i kete shkaktuar demokracise Amerikane Xh.W.Bush, thuhet qe drejtimi i tij provoi se demokracia Amerikane eshte ne nje faze qe edhe nje “idiot” mund ta drejtoje, dhe kjo me shume flet, per mendimin tim, per shendetin e shoqerise amerikane ne pergjithesi sesa thjeshte per aftesine e elitave te saj”.

    Doja të pyesja nëse ti o Ujk i Zi e sheh të shëndetshme apo të sëmurë demokracinë Amerikane. Nëse e sheh të shëndetshme provo të heqësh Gardën Kombëtare nga New Orleans dhe me siguri do pëlqesh demokracinë shqiptare më shumë.

    Ambulant Vender

  20. Demokracia si rruge per ne pushtet apo si qellim i pushtetit? kjo eshte meseleja mejtoj u.

    Po pse flitet shqip akoma ne Itali dhe Greqi edhe mbas 500 vjetesh? Dilemat dhe rruget e zgjidhjeve te tyre nuk duhet ta kishin lejuar.
    …quod, quo bono

  21. Pse flitet akoma shqip në Itali dhe në Greqi? Pse i pjell macja këlyshët në pullaz? Pse gjejmë fatura të dimrit që shkoi në xhepat e palltos në tetor? Pse është adezivi i check-in të aeroportit të Barcelonës akoma i ngjitur në dorezën e valixhes sime pas tre vjetësh? Pse rriten qimet në mjekër kur nuk ka brisqe në pazar? Pse nuk ha populli biskota kur ngrihet çmimi i bukës? Pse rrimë me brekë në shtëpi kur jemi vetëm? Vrite mendjen, i dashur, vrite.

  22. O Ujk i Zi.

    Nuk e kuptoj se ç’farë nuk njeh? Shitësinshëtitës apo demokracinë shqiptare? Me sa kuptoj nuk njeh demokracinë shqiptare se mua nuk ke përse të me njohësh.

    As unë nuk e njoh demokracinë shqiptare se kam ikur shumë i vogël por njoh pak më mire atë amerikane. Provo dhe hiqi një gjysëm ore dritat në një lagje të NYC dhe do dëgjosh se sa mirë do të meret vesh shoqëria demokratike virtuale me norma morale dhe kode që shqiptarit i mungojnë. Sa për në Tiranë, dritat ikin cdo natë dhe nuk kam degjuar të këtë ndodhur ndonjë hata me pëjashtim të ndonjë të pa vëmëndshmi që mund të këtë rënë në ndonjë pucetë. A thua që shqiptarët, të paktën në këtë pike, të kenë bërë ndonjë marveshje që ne na ka shpëtuar pa lexuar?

    Ambulant Vender

  23. ah jo, i nderuar mik. me duhet te mos pajtohem dot me kazualitetin e rastesishem tuajin. as injoranca ime nuk me jep dot ndihmen e zakonshme ketu.
    e si mund te pranosh dot se rritja e qimeve ne pjese te trupit, prania e targes identifikuese, tre vjet e vjeter, ne valixhen tuaj, qe nga koha e udhetimit te fundit tuajin ne Barcelone, apo dhe narcicismi latent ne dhomen e gjumit te shetitur me ushkur ne duar mund te ndihmoje ne spjegimin se pse shqipetaret jashte kufinjve per 500 vjet kane ngulur kembe te flasin shqip? per kete popull qe e vetmja gje qe u del nga goja sa here qe perdorin random access memory-ne e tyre, fjala e pare dhe e vetme qe u del ne goje eshte “dua”? te cileve po te lindete nevoja qe tu vihesh nje epitaf, aty do te mjaftonte vetem te shkruhesh fjala “mora”?

  24. I dashur, kam frikë se më ke keqkuptuar.
    Nuk kisha për qëllim të argalisesha, doja vetëm të argumentoja diçka me figura, në vend që të flisja thatë, me arsye abstrakte.
    Ideja ime është se shqipja është ruajtur në Jug të Italisë e në Greqi te arvanitët si relikt, ose mbijetojë. Është ruajtur sepse komunitetet që e kanë folur kanë qenë, si të thuash, në xhepa të rrjedhës së lumit.
    Shqipja është ruajtur atje sa kohë që shqiptarët u janë ruajtur zhvillimeve sociale.
    Jo më kot shekulli XX ua ka dëmtuar identitetin komuniteteve më shumë se të gjithë shekujt e tjerë të mëparshëm.
    Televizioni, shkolla shtetërore, dobësimi i kishës, lëvizjet e popullatës.
    Të lutem ktheju shembujve të mi: në të gjitha rastet bëj fjalë për dukuri që ndodhin sepse dukuri të tjera nuk ndodhin.
    Nuk është ndonjë meritë kushedi çfarë e faturës së vjetshme që ka mbijetuar në xhep të palltos – sepse ia detyron mbijetesën faktit që unë pallton s’e kam veshur gjatë verës.
    Adezivi i aeroportit të Barcelonës ka mbetur në dorezë të valixhes sepse unë s’kam udhëtuar më që atëherë.
    E kështu me radhë… deri te brekët në shtëpi, të cilat ia lejojmë vetes sepse nuk ka kush të na shohë.
    Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këmbënguljen për të folur shqip. Gjithkush ngul këmbë për të bërë atë çka e konsideron të rëndësishme për jetën e vet. Mirë arbëreshët e Jugut të Italisë e ruajtën gjuhën, po pse arbëreshët e tjerë, që emigruan në Veneto dhe në Marche, e humbën?
    Mos ishin këta më të ligj se të parët?
    Jo. Këto punë nuk arsyetohen me argumente sentimentale.
    Në fusha të kulturës, ruajtja dhe izolimi shkojnë krah për krah. Tani, disa duan të shkruajnë poezi për këtë punë – por heroizmin po ua lë librave të këndimit.
    Më në fund, kjo temë sikur s’e ka shumë vendin këtu. Nëse mendon se e ka, të lutem sqarohu e na thuaj pse shqipja ua ka ndihmuar mbijetesën atyre njerëzve… si njerëz, jo si lojëtarë skuadrash futbolli etnike.

  25. Ambulant Vender, sigurisht qe nuk kisha asgje personale! E kisha fjalen per demokracine, sikuse ke hamendesuar me te drejte.
    E besoj ate qe thua per shoqerine Amerikane, sidomos kur kujtoj qe eshte shoqeri konsumi. C’do gje te falin amerikanet, por jo te drejten per te konsumuar dhe per tu sherbyer per ate qe paguajne. Kam qene ne NY edhe vjet kur gjithe Astoria dhe gjysma e Queens ishte pa drita per jave te tera pa nderprerje, ne pike te vapes se veres. Asnje hata nuk ndodhi, pervecse njerzit kerkonin me ngulm qe situata te rregullohej sa me shpejt. Kurse per fatkeqsi si ato te New Orleansit nuk di c’te them sepse duket sikur gjerat i kapercejne dukurite shoqerore dhe perngjasojne me dukuri apokaliptike, ku edhe natyra njerzore u bindet vullneteve qiellore.
    Kurse per ne shqiptaret te lutem mos e thuaj me ze te larte sa te respektueshem dhe te disiplinushem jemi, se kur kujtoj 97-en ato zezaket qe permend Xha Xhai ne Harlem me duken si nga tjeter planet. Kam qene ne Amerike kur jane perjetuar disa kriza financiare, qe nga Enroni dhe deri tek kjo e sotmja, por nuk kam pare turma qe kerkonin parate e tyre nga shteti qe nuk ua ka detyrim ato. Nuk pashe as politikan te opozites t’i cirreshin kundershtarit per te tilla gjera. Dhe e di pse? Sepse, ashtu si e mendoj une, njerzit i njohin detyrimet qe kane ne shoqeri shume mire. Dhe e dine se ajo qe mund te jete ne favorin e tyre per momentin, nuk eshte ne favorin e shoqerise, pikerisht ashtu sic e shpjegon shume mire metafora e Xha Xhait.
    Por le te them edhe dicka tjeter, qe mbase nuk ka te beje shume me ate qe flitet ketu, por me demokracine Shqiptare. Nuk te duket domethenes fakti qe demokracia shqiptare (gjithmone nese mund te flasim per nje te tille) eshte aq e mire sa c’eshte edhe lideri/liderat qe e drejtojne? Fakti qe i kemi varur shpresat tek liderat (Berisha, Rama, Nano) flet shume per kete. Kjo eshte shume e veshtire te thuhet per demokracite perendimore ku lideret jane me shume funksion i sistemit sesa pasqyrim i vetvetes. Perseri, edhe sikur kjo e fundit te ishte e vertet per ne gjithashtu, nuk te duket se percudnimi i liderve shqiptar reflekton nje sistem jofunksional? Ndoshta shpjegimi i ketij fenomeni gjendet me shume tek ajo qe thote Tropizma, gjatesite e valeve te besimit dhe mosbesimit (radius of trust/distrust), qe ne me sa duket i kemi te shkurtra dhe besimi tek komuniteti nuk shtrihet deri ne qeverisje dhe anasjelltas. Dhe perseri faji per kete, fatkeqesisht, mund te kerkohet tek te gjithe (te qeverisur dhe qeverises). Dhe si c’do proces gjykimi mbarvajtja e tij kerkon me shume arsye dhe me pak emocione.

  26. O Ujk i Zi,

    Kam bindjen se kemi hapur një temë për të cilën nuk kam aspak shpresë se do biem dakord pa përmendur që po lëmë mënjanë Tkurrjen. Megjithatë, do të thoshja dy gjëra.

    Unë nuk kam jetuar në NYC dhe nuk di të them me saktësi se si do të shkonte puna nëse aty do të mungonte rryma për dy-tre orë por kam dëgjuar që dëmi ishte shumë i madh kur diku nga vitet ’70 ajo mungoj për disa orë. Kur rryma mungon ne banesa është shumë ndryshe me rastin kur ajo mungon në ndriçimin rrugor. Apo jo?

    Krahasimi i 97-ës me situatat ekonomike në Amerikë më duket si një fshehje pas lapsit dhe po të them se nuk do të biem asnjëherë në një mëndje. Sudja dhe Xhaferri nuk kishin Gardën Kombëtare të Bushit që të mos linin shqiptarët të bënin katrahurën. Bushi nuk del si Sali idioti dhe të thotë se “paratë e shqiptarëve janë të pastra” dhe të nesërmen tu dorzoj çelsat e depove dhe anijet e flotës. Nuk e gjej dot se kush është më shume idiot. Jo Amerika, por as edhe një shtet tjetër nuk luan me ato shkrepse që luajtën shqiptarët po më mirë ta lëmë këtë mesele se nuk do dalim më. Me këtë nuk kuptoj tërheqje. Njerzit, kudo në botë nuk njohin detyrime ndaj shoqërisë por vetëm frikën nga ligji dhe hapsanja. Pikë. Meqë e prure vetë Enronin, po të kujtoj se ai që tha se “do ti them të gjitha se c’farë di” të nesërmen e vdiqën me infarkt ne hotel dhe Keneth Lay-in nja pesëmbëdhjet vjet burg. Mos prit të shohësh në Amerikë “97”. Pastaj amerikanet i dinë në majë të gishtave rregullat e investimit dhe risqet që mbartin ato. Të lutem, për gjëndjen në New Orleans mos u përpiq që ta anash kalosh kur thua që edhe natyra njerzore u bindet vullneteve qiellore. N.O. është qyteti më i rëndësishëm i Lousiana-s dhe LA është shtet i SHBA-së.

    Unë jam i bindur se ti vetë, nëse jeton në SHBA, nuk i ke varur shpresat tek Obama, McCain e ku di unë por miliona amerikanë po. Unë as që bëj përpjekje që të shoh se c’fare pasqyrojnë politikanët e vëndeve të ndryshme dhe shumë më pak ti var shpresat tek ata.

    Sidoqoftë, ashtu si ndodh rëndom edhe në blogje të tjera, ne biem gjithnjë në grackën e krahasimit të Shqipërisë me vëndet e demokracive perëndimore. Unë, personalisht do të doja që dikush të bënte krahasime të tipit Qyqar-Qyqar në vënd të Pasunar-Qyqar.

    Ambulant Vender

  27. Ambulant Vender, une mendoj se ligjet e nje shteti reflektojne ndergjegjen e shoqerise, sepse ne momentin qe do reflektojne friken kam pershtypjen se shteti nderron karakter dhe behet opresiv. Pra mendoj se ka nje konsesus shoqeror se si ndertohen keto ligje. Megjithate jam dakort me ty per dicka, sic thone edhe Amerikanet, “we should agree to disagree”

  28. Qafir Arnaut,

    Si katundaret edhe qytetaret respektojne dhe respektohen me aq kulture dhe njohje qe kane per jetesen ne komunitet. Vete fjala detyrim eshte nje shtrengese qe i vihet katundarit/qytetarit por qe detyrimisht duhet ta zbatoje. Ne te kunderten perballet me ligjin. Po. Jam dakord qe kjo e fundit shqipos i mungon dhe do ti mungoje per vite qe do vijne. Perballja me ligjin e kam fjalen.

    O Ujk i Zi,

    Shteti reflekton ndergjegjen e vetem nje pakice dhe pikerisht te asaj pjese qe e kupton qe ai; shteti eshte ne sherbim te tij. Pra ne kete grup kemi nje pakt te pa nenshkruar por te nenkuptuar. Ndersa per pjesen dermuese ai eshte opresiv jo detyrimisht ne kuptimin e keq te fjales. Thjesht, ajo qe ata qe nuk jane dakord me te e quajne shtypes. Le te jete edhe ashtu per sa ka ben punen.

    Ambulant Vender

    P.S. Vender me pelqen me shume se tingellon me afer me prejardhjen qe ka vete fjala. Pra shites i vertete.

  29. Vender, une nuk e kuptoj dot se si ne nje demokraci ku supozohet se fituesin e zgjedh shumica, shteti reflektoka ndergjegjen e nje pakice?

  30. “Njerzit, kudo në botë nuk njohin detyrime ndaj shoqërisë por vetëm frikën nga ligji dhe hapsanja. Pikë.”

    Mos ia ver piken aq shpejt. Njeriu eshte qenie shoqerore, dhe te thuash se nuk ka detyrime ndaj shoqerise eshte njesoj si te thuash se nuk detyrime ndaj vetes. Ligji nuk ngjall frike, por perkundrazi, siguri. Vetem duke pasur nje siguri te mbeshtetur nga nje ligj i njetrajtshem per te gjithe mund te realizohen disa qellime ne jete, qofshin keto qellime ekonomike, apo cfaredoqofte. Nese nuk ka nje ligj qe ruan bie fjala pronen private, atehere njerezit do t’a kishin te veshtire te nderrmernin aktivitetet e tyre. Keshtu qe njerezit nuk njohin friken nga ligji, por friken nga mungesa e ligjit, i cili eshte pikerisht rregullatori i mirebesimit. Dhe detyrimi ndaj shoqerise eshte pikerisht ushqimi i ketij mirebesimi. I scratch your back you scratch mine. Ose ne shqip, njera dore lan tjetren. Keshtu shkelja e ligjit dhe shkelja e mirebesimit bien ne zonen e njera tjetres, por, edhe pse mund te shkelet ligji ne qofte se kihet parasysh nje ligj me i drejte, me i perkryer ndaj mirebesimit, shkelja e mirebesimit eshte shkelje e te gjithe ligjeve. Mirebesimi eshte kontrata me primare e shoqerise, dhe detyrimi ndaj shoqerise zbatohet pikerisht nepermjet kesaj kontrate. Keshtu psh, une te zgjedh udheheqes te vendit me kusht qe te shtrosh rruget, te sjellesh ujin dhe dritat, dhe te sigurosh, ne mos treg, te pakten konkurrence te barabarte.

    Ujk, e kuptoj cdo te thuash per marredheniet horizontale ne shoqeri te diktuara nga mirebesimi. Por mirebesimi eshte ne rradhe te pare vertikal. Une te mirebesoj ty pushtetin mbi mua, me kusht qe ky pushtet te mos abuzohet dhe ti te besh pikerisht ate gje me te cilen ke fituar mirebesimin, t’i besh pra gjerat me te lehta per mua. Mirebesimi abuzohet ne rradhe te pare nga ata te cilet vishen me pushtet. Kjo vlen edhe per popullin e thjeshte i cili mund te abuzohet nga matrapazet e rruges. Ne qofte se une blej nje kile domate tek ty, atehere e bej ne mirebesim se ti do me japesh nje kile domate, dhe jo 800 gram. Mirepo nje udheheqes qe abuzon me mirebesimin eshte i pari qe jep shembullin e abuzimit dhe qe krijon atmosferen ku abuzimi lulezon. Ne nje atmosfere te tille, eshte me fitimprurese, te pakte per momentin, qe te abuzosh. Ne kete rast, ligji e humbet natyren siguruese, dhe behet instrument i cili siguron vetem ata qe e kane ne dore. Pyetja ime mbetet. Cfare duhet te bejne njerezit kur iu abuzohet mirebesimi? Kercenimi me vote ne cdo kater vjet vetem sa do te rriste nevojen e abuzuesve per te abuzuar me shume, per te perfituar sa me shpejt.

  31. Ujk i Zi. Pikerisht ketu qendron tradhetia e madhe. Tiranit (vetem per efekt rime), sovrani i duhet gjate fushates deri diten e votimit. Te nesermen e votimeve sovrani eshte perfundimisht i tradhetuar nga ajo per te cilen votoj. Ku me shume e ku me pak premitimet e fushates nuk mbahen. Taksat, cmimet, shkollat nuk e ulin ritmin e ritjes nderkohe qe e kunderta ndodhe me te ardhurat, shendetin, sherbimet dhe asistencen shoqerore. Prandaj ne vendet me demokraci te konsoliduar si Gjermani, Danimarke, Norvegji etj., grupimet politike dalin me programe te percakuara dhe puna, me ardhjen ne pushtet, matet me ralizimet e ketyre premtimeve dhe jo te vazhdoj te mbaj ne krye nje president qe po capalon vendin dhe njerzit per tete vjet ose ne nje rast tjeter kur pa pike turpi kredh vendin ne terr kur premtoj se ne 07 do te kete drita 24 ore. Kjo mendoj une eshte pika ku prishtet kontrata. Por qe te dy, me kokefortesi dhe paturpesi, vazhdojne termin deri ne diten e fundit.

    Lulian. Me pelqen me nderhyrjen tende. Per te hequr fjalen “frike” se duket shume a ashper do te thoja se ligji garanton sigurine dhe funksionimin normal te shtetit dhe shoqerise. Mirpo nga ana tjeter shoqeria, vertet, ka edhe mardhenie te tjera qe nuk jane te shkruajtura por te kodifikuara. Edhe pse nuk jane te shkruara gjekund ato meren me mend dhe respektohen nga ata qe duan dhe nuk respektohen nga ata qe nuk duan. Pikerisht kjo eshte, nese mund ta quajme, njesia matese e emancipimit te nje shoqerie ne nje vend. Ne nuk i prekim hundet me dore ne ambiente publike sepse e dime se nuk eshte e hijeshme por kete gje nuk mund t’ja kerkojme te mos e beje nje tjeteri qofte (larg qofte) kjo edhe ne nje restorant. Pse? Sepse nuk ke te drejte.

    Dhe perpara se ta mbyll nderhyrjen time, do te doja qe ta lidh pak me aktualitetin (keshtu na thoshte mesuesja e historise kur ne flisnim per skllavopronarine). Kjo eshte arsyeja qe Ladin dhe Titin nuk i lejojne qe te rine bashke se ndryshe do te mereshin vesh dhe do dilinin nga burgu.

    Ambulant Vender

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: