SHQIPJA TOTALITARE (X)

Vizita në galeritë e kryemetaforave të ligjërimit zyrtar në Shqipërinë totalitare është edhe një mënyrë, sado alternative dhe e tërthortë, për të kuptuar si riprodhohej regjimi nëpërmjet riprodhimit të ideologjisë sunduese. Kjo e fundit, edhe pse kërkonte të ishte marksiste, në të vërtetë shpesh modelohej sipas formave trashamane dhe primitive të një ligjërate manipulative në thelb fetare, e gjithnjë me synimin për të mbajtur në kontroll “shpirtrat” e njerëzve.

Si në çdo mitologji të respektueshme, edhe totalitarizmi e shtjellonte dramën e vet të zhvillimit si luftë midis së mirës dhe së keqes, por nga një optikë krejtësisht manikeiste ose bardhezi. Nëse nga njëra anë shndërrimi social revolucionar dhe i pandërprerë ishte e vetmja mënyrë ekzistence për një shoqëri tërësisht të projektuar drejt së ardhmes, nga ana tjetër ky shndërrim shpesh konsistonte, madje qëllimisht zbatohej, si të ishte një lloj higjiene sociale, në dy aspektet e veta themelore: pastërtinë dhe pastrimin.

Përpjekjet për ta “ruajtur Partinë të pastër”, “klasën punëtore të pastër”, “rininë të pastër”, “Shqipërinë të pastër” nyjëtoheshin si trajta paralele të kryemetaforës tjetër të betejës; vetëm se tani lufta e klasave, ose përleshja primordiale midis së mirës dhe së keqes, dritës dhe errësirës, transferohej njëfarësoj në rrafshin biologjik, duke u natyralizuar. Pastërtia merrte vetvetiu atributet e një virtyti absolut, real ose të synuar; në një kohë që armiku ose kundërshtari metaforizohej si agjent biologjikisht dëmtues, ose sjellës i kaosit (entropisë) në sistem. Populli, rinia, klasa punëtore, fëmijët ishin vetvetiu të pastër; por kjo pastërti duhej ruajtur e riprodhuar, nëpërmjet një veprimtarie higjienizuese ose sterilizuese të pandërprerë – e cila nuk ishte veçse dhuna revolucionare – e biologjizuar.

Pastërtia përfytyrohej kështu edhe si arsye ose justifikim, edhe si pasojë ose rezultat i (s)pastrimit.

E natyralizuar si higjienë, dhuna vjen e bëhet shoqërisht më e pranueshme; sepse higjiena i bën thirrje instinktit të vetëmbrojtjes, për gjithësecilin.

Kur udhëheqësi na kujtonte që:

Duhet ta mbajmë Partinë të pastër si ujët e kulluar

Të gjithë e kuptonim se kishte ardhur koha për spastrime, ose për mënjanim të papastërtive me fshesë të hekurt, edhe pse në përmasën intime kjo përkthehej si dramë e pashembullt për të gjitha viktimat përkatëse.

Po a nuk është larja e duarve dramë për florën bakteriale që kish ngritur folenë në lëkurë?

Si edhe në raste të tjera, ligjërimi totalitar e sendërtonte metaforën duke zënë fill nga frazeologjia popullore, e cila në thelb ofron material për gjithçka:

Të ndajmë shapin nga sheqeri

Të ndajmë grurin nga egjri

Këto janë vetëm dy nga shprehjet që përdoren rëndom, për të shenjuar situata të leximit sa manikeist aq edhe të padëmshëm të realitetit, ku e mira shpresohet të arrihet duke larguar (dëbuar, asgjësuar, degdisur, shkatërruar, vrarë, djegur në turrë të druve) të keqen.

Kryemetafora e pastrimit tematizohej më tej duke i huajtur shembujt nga bujqësia, çka u përshtatej edhe instinkteve përfytyruese të një popullsie si ajo e Shqipërisë, e cila jetonte ose kishte jetuar kryesisht në fshat. Ligjërimi publicistik fliste rëndom për barëra të këqia, ose nevojën për të prashitur e krasitur e qëruar; duke e paraqitur konfliktin si një përplasje midis çka na përkiste dhe ishte e jona, dhe çka vinte nga përtej. Armiku paraqitej në ligjërim në trajta groteske kandrrash thumbuese ose gjakpirëse, shushunja e grerëza e arëza e këpusha e pleshta e morra të cilëve u duhej “shtypur koka”; shtazësh veçanërisht të fëlliqura si derri e dosa; ose gjallesash edhe më simbolizuese të së keqes, si vemjet, minjtë, gjarpri e akrepi, me të cilët i vetmi lloj kontakti ose marrëdhënieje ishte shfarosja, madje që në vezë e që në embrion.

Kështu nuk ishte vetëm dhuna që përligjej nëpërmjet nevojës për vetëmbrojtje, por edhe vetë brutaliteti i dhunës.

E përthyer në praktikë, higjiena politike shfaqej si proces i pandërprerë shkarkimesh, transferimesh, përjashtimesh, riedukimesh, internimesh, arrestimesh dhe burgosjesh; objekt i këtyre ndërhyrjeve të dhunshme në jetën shoqërore bëheshin individët dhe familjet e tyre, të cilët publikisht do të cilësoheshin gjithnjë si plehra, mbeturina, bëzhdile, llum, zgjyrë, blozë, ndryshk, byk, myk, fëlliqësira, bajga, lëtyra, cofëtina, kërma, kufoma, gjirize

E frikshmja luftë e klasave luhej në skenën e teatrit publik si konflikt midis jetës dhe vdekjes, rregullit dhe kaosit, harmonisë dhe entropisë.

Në zyrat e kuadrit dhe në dosjet përkatëse flitej rëndom për njolla në biografi; ose hije, si ato që shfaqeshin në lastrat e radiografive të të prekurve nga tuberkulozi; vetë termi i prekur, si eufemizëm për njerëz me probleme biografike, kishte prejardhje mjekësore gjithashtu.

Nga ana tjetër, i njëjti proces konceptual që do ta paraqiste dhunën politike si higjienë, do të kujdesej edhe që e keqja sociale të metaforizohej në trajta të sëmundjes infektive, të flamës, të molepsjes, të çibanit me qelb, të dhëmballës së krimbur, të infeksionit që “nuk duhej lejuar të përhapej”; me ç’rast edhe politikat sociale të regjimit merrnin një përmasë, aq të mirëpritur, terapeutike – meqë ishte fjala për të mjekuar e shëruar, e për ta mbajtur shoqërinë “të shëndetshme”, Partinë “të shëndetshme”, rininë “të shëndetshme”, e kështu me radhë.

Lufta e klasave zhvillohej jo vetëm në shoqëri, por edhe në mendjet e njerëzve; një palë prej nesh dihej që kishin lakra në kokë, por të tjerët, më të rrezikshmit, kishin pikëpamje të sëmura, ose gjithsesi mendime të mykura – që këtej edhe nevoja për çrrënjosje, qilizëm, piazza pulita, pastrim nga ferrat/drizat/gjembaçët, shkulje nga rrënjët, ose për ta prerë të keqen në rrënjë e për t’i futur bulldozerin a për ta marrë me traktor.

Mendimi “tjetërlloj” duhej gjithsesi sterilizuar, për të mos u përhapur.

Në raste të skajshme pastrimi i thjeshtë nuk mjaftonte – duhej kaluar në “spastrim”.

Në kulturë e në komunikim dhuna higjienizuese manifestohej si censurë, ose dërgim në karton i veprave që e nxinin realitetin ose që hidhnin baltë mbi arritjet tona; edhe pse bibliotekat kryesore, njëlloj si laboratorët strategjikë të luftës biologjike, ruanin specimenë agjentësh vdekjeprurës, në rezervate me katër dryna ku vetëm pak të privilegjiuar mund t’i konsultonin.

Përndryshe pastrimit nuk mund t’i shmangeshe dot: kur duheshin hequr antenat nga çatitë e ballkonet, e kur u jepej urdhri qafëleshëve për t’u qethur; pa përmendur gjahtarët e posaçëm që paguante bashkia për të vrarë natën qentë e rrugëve; pa përmendur as kamionët e lodhur që u dërgoheshin te dera prostitutave, mamive të aborteve klandestine, bixhosçinjve kronikë dhe parazitëve, ose të papunëve profesionistë.

Ndërkohë, armiku nuk i reshtte kurrë përpjekjet për të na molepsur e infektuar, qoftë edhe nëpërmjet pilulave të sheqerosura, ose helmit që depërtonte në mendjet nëpërmjet muzikës së huaj, shfaqjeve të huaja, mendësisë së huaj.

Dordoleci i së keqes që vinte nga përtej horizontit, ose nga jashtë, shërbente edhe si arsye supreme për të përligjur mbylljen e Shqipërisë ndaj osmozës me botën përreth, hermetizimin e jetës brenda vendit ose vetizolimin; si procedurë antiseptike, për t’u mbrojtur nga infeksioni. Në këtë kontekst, manifestimi i së keqes si ndotje do ta mbizotëronte ligjërimin totalitar publik, pikërisht teksa regjimi do të fillonte fushatat e njëpasnjëshme të spastrimeve në kulturë, në ushtri, në ekonomi, në sigurim e kudo tjetër.

Që nga vitet shtatëdhjetë, kur regjimit totalitar nisi t’i shterrojë disi entuziazmi revolucionar internacionalist, kombëtarizmi erdhi duke u ëmbëlsuar si ideologji alternative rezervë, dhe bashkë me kombëtarizmin, edhe kundërvënia elementare midis shqiptares si “e mirë” dhe së huajës si “e keqe”.

Tani, kombëtarizmi – në përgjithësi – gjithnjë ka flirtuar me idenë e pastërtisë së racës, të gjakut, të gjuhës, të zakoneve, të institucioneve…; madje në format e veta më agresive, ka predikuar edhe nevojën për “pastrim” në emër të arritjes, ose rekuperimit të kësaj pastërtie.

Në të vërtetë, vetë kryemetafora për dhunën politike si higjienë i ka rrënjët, në thelb, në ideologjinë romantike të shekullit XIX, e cila i dha njerëzimit jo vetëm Byron-in, Chateaubriand-in dhe Heine-n, por edhe kontin De Gobineau, eugjenikën dhe ligjet racialiste të Nurembergut; ose, për të mbetur në politikat kulturore në Shqipëri, siç duket mirë e bukur në trajtat, në dukje aq të pafajshme, të purizmit gjuhësor gjatë shekullit XX.

Purizmi ishte një nga kolonat ku mbështetej politika gjuhësore dhe kulturore e Rilindjes kombëtare, por në mënyra të ndryshme mbijetoi dhe ndeshet edhe sot e kësaj dite në folklorin intelektual të elitave të Tiranës e të Prishtinës; dhe nga pikëpamja formale, nuk ka ndonjë dallim midis dëbimit të orientalizmave nga shqipja e shkruar gjatë shekullit XX dhe përndjekjes së “shfaqjeve të huaja” ose terrorizimit të rinisë qytetare nga komisarët e kuq të regjimit të Hoxhës, gjatë viteve 1970.

Spastrimi i shqipes së shkruar nga fjalët me burim oriental – turqizma, arabizma e persizma, të huazuara kulturorisht gjatë sundimit osman – kërkon studim më vete; por mua këtu më intereson vetëm për nga egërsia me të cilën u krye dhe për nga ngjashmëritë me spastrimet raciale dhe etnike, ku viktimat identifikohen, en masse¸ në bazë të prejardhjes biologjike.

Që orientalizmat u dëbuan nga ligjërimi zyrtar, kjo u mundësua edhe nga lehtësia me të cilat mund të identifikoheshin prej përdoruesve (arsye fonetike, të cilat janë analoge me kriterin e ngjyrës së lëkurës, për të identifikuar zezakët; ose të hundës për hebrenjtë). E vërteta është që disa orientalizma si zarf, xhep, xham, raki, kukull, kuti e të tjera si këto mbijetuan, ngaqë arritën të kamuflohen mirë, mes fjalëve jo-orientale.

Purizmi gjuhësor më vlen edhe si shembull i ndërhyrjes brutale të ideologjisë në proceset sociale, për t’i vënë nën zgjedhë e për t’i detyruar të tërheqin qerret e ideologëve vetë; sepse pas 1912-ës de-osmanizimi i Shqipërisë nuk mund të shmangej gjithsesi, dhe shumë orientalizma vetvetiu do të birreshin nga gjuha; prandaj purizmi i zbatuar në praktikë nuk i shërbeu dhe aq de-osmanizimit, sesa forcimit të kontrollit social, kulturor dhe politik të spastruesve, mbi institucionet dhe mjetet e komunikimit ndërshqiptar.

Sipas të njëjtit mekanizëm, higjiena sociale, politike dhe kulturore e zbatuar nga regjimi totalitar nuk do t’u shërbente aq synimeve të shpallura nga regjimi, sesa mbijetesës së regjimit vetë, nëpërmjet riprodhimit të kastës së spastruesve, terapeutëve socialë, dezinfektuesve, ose të gjithë atyre institucioneve të dhunës që kërkonin të maskoheshin duke u paraqitur si sistem imunitar i shoqërisë shqiptare.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin