Po i kthehem Kulturës së Komanit, për të vënë në dukje një kontradiktë në raportet e dijes me ideologjinë kombëtariste në Shqipëri.
Çfarë është Kultura e Komanit? Shpejt e pa pretenduar plotësi, po shtoj se është fjala për kulturën materiale të një numri vendbanimesh të zbuluara në trojet shqiptare – por jo vetëm aty – e cila është datuar si e Mesjetës së Hershme. Këtu e më poshtë po u përmbahem parashtrimeve të Neritan Cekës në librin Ilirët (Migjeni, 2005).
Quhet e Komanit, për shkak se kjo kulturë u zbulua për herë të parë afër fshatit Koman të Pukës, në vitin 1892, nga konsulli francez në Shkodër, Degrand; dhe pikërisht në një varrezë në vendin e quajtur Kalaja e Dalmacës.
Degrand gjeti në varrezë një numër të madh sendesh zbukurimi dhe armësh; dhe gabimisht kujtoi se kishte ndeshur në një vendbanim pellazgësh.
Më pas, arkeologë dhe studiues të tjerë, si P. Treger dhe konsulli austriak në Shkodër T. Ippen i cilësuan varret si ilire dhe vunë në dukje ngjashmërinë e objekteve me gjetje në varreza të tjera në Bosnjë, por edhe me sende zbukurimi të malësorëve të zonës.
Italiani Ugolini i bëri një analizë më të imtë materialit dhe dalloi aty objekte me origjinë kelte, me origjinë bizantine dhe origjinë romake; por edhe të tjera me origjinë “barbare”.
Më pas, arkeologu gjerman H. Bulle gjeti objekte të ngjashme në një varrezë në Afjona të Korfuzit.
Pas Luftës II Botërore, arkeologu shqiptar Hasan Ceka mbrojti tezën se varreza e Komanit i përkiste mesjetës, dhe bartësit e asaj kulture nuk ishin ilirë, por arbër. Më pas, kjo tezë u çua përpara nga Skënder Anamali dhe të tjerë arkeologë shqiptarë.
U konstatua se në varrezat mungonin objekte avaro-sllave, por ndesheshin, mes të tjerash, objekte kelte dhe ostrogote.
Më pas elemente të ngjashme me ato të kulturës së Komanit u gjetën edhe në Shurdhah, në Lezhë, në Bukël e në Prosek të Mirditës, në Krujë, në Radolisht afër Strugës (Maqedoni) dhe gjetiu. Në përgjithësi, është konstatuar se në këto varreza nuk ka pasur sllavë, as gjurmë të kulturës sllave; ndërsa nuk mungojnë elemente kelte dhe ostrogote.
Deri këtu Ceka.
Interesi i madh i arkeologjisë shqiptare për Kulturën e Komanit vetëkuptohet – meqë ajo kulturë do të përbënte hallkën lidhëse midis ilirëve të lashtësisë dhe arbërve mesjetarë (të pas shekullit XI); duke provuar jo vetëm vijueshmërinë iliro-shqiptare, por edhe autoktoninë e shqiptarëve.
Në komentet e temës tjetër, pyeta kolegët më të informuar nëse tezat e arkeologëve shqiptarë, për natyrën arbërore të Kulturës së Komanit, kishin gjetur ndonjë mbështetje nga arkeologë ose historianë të huaj, autoritete në fushat përkatëse. Mbështetja nga kolegët e huaj në këto fusha të dijes si albanologjia, është e ngjashme me riprodhueshmërinë e eksperimenteve, në fushat e shkencave ekzakte; veçanërisht kur kjo mbështetje vjen nga palë të treta, relativisht të çinteresuara dhe të papërziera në meskinitetet kombëtariste të Ballkanit.
Kisha dëgjuar, ndërkohë, se disa arkeologë dhe historianë jugosllavë, nën ndikimin e Vladimir Popoviç-it, e kishin kundërshtuar natyrën arbërore të varrezës në Koman dhe në përgjithësi të kulturës së Komanit; kundërshtim që nuk më habiti në vetvete, duke pasur parasysh natyrën ballafaquese të dijes historike në Ballkan, veçanërisht kur vjen puna për çështje të autoktonisë.
Pas shkëmbimeve që pata me njërin prej kolegëve, i cili shkoi deri aty sa të më thoshte se “Serbët i përmende se s’ke tjeter, po të kishe do i kishe përmendur”, gjeta një pasazh nga Noel Malkolm (Kosovo, a Short History, Chapter II, i lexueshëm këtu), i cili thotë:
Disa arkeologë shqiptarë janë përpjekur shumë që të provojnë se kultura e qytezës së fortifikuar të Komanit, në shekujt VII dhe VIII, përbën provë thelbësore të vijueshmërisë iliro-shqiptare; por gjetjet materiale nuk na thonë se ç’gjuhë flisnin njerëzit që banonin aty […], dhe afëritë kulturore kryesore, në këtë rast, duket të kenë qenë me qytetet romake-bizantine, latinisht-folëse, të shekujve të mëparshëm.
Malkolm citon edhe Popoviçin këtu, sipas të cilit zbulimet në varrezat e Komanit dhe të Krujës ngjajnë me ato qyteteve të tjera romake-bizantine gjysmë të izoluara të asaj periudhe, në Korfuz dhe në Dalmaci.
Lexova edhe çfarë kishte thënë për Kulturën e Komanit John Wilkes, në librin e vet Illyrians [f. 286-289 në botimin shqip; por unë e kam redaktuar përkthimin në bazë të origjinalit anglisht, sepse teksti i A. Myftiut është plot gabime, shumë prej tyre të pafalshme; kam frikë se përkthyesi ka shkuar deri aty sa ta censurojë origjinalin, duke hequr që andej fjalinë e shënuar më poshtë me shkronja kursive]:
Teza e [arkeologëve shqiptarë] se varrezat e trevës Koman Krujë përfaqësojnë një vazhdimësi të ilirëve mbështetet me një sërë argumentesh, sidomos me karakterin ilir të ornamenteve dhe trajtave të disa objekteve të varreve, kopsave hemisferike, rruazave dykonike, byzylykëve, thekave të varura prej bronzi që të kujtojnë stolitë ilire të luginës së Matit. Këto krahasime pa dyshim kanë vlerë, por teza e mësipërme dobësohet nga një rindërtim tepër i pagjasë i historisë së Ilirisë në këtë periudhë. Ky rindërtim i bën ilirët të kenë rifituar pavarësinë e humbur gjatë shembjes së Perandorisë Romake të vonë dhe të kenë riafirmuar identitetin e tyre etnik nëpërmjet çlirimit nga mbizotërimi greko-romak në kulturën materiale. Kjo pikëpamje i sheh fortifikimet e reja në këtë trevë si masa kundër ilirëve të pavarur. Nga kjo popullsi erdhën arbërit e shekujve X-XI, të përfaqësuar nga një kulturë e hershme tumulare në Shqipërinë jugore. Dobësia e këtyre argumenteve për një zonë ku burimet historike nuk ekzistojnë duket e padiskutueshme. Pa tjetër, nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi se varrezat e trevës Koman-Krujë flasin për mbijetesën e një popullsie josllave gjatë shekujve VI-IX dhe me më shumë gjasa është identifikimi i tyre me një popullsi të romanizuar me origjinë ilire, të dëbuar prej ngulimeve sllave e të shtyrë më në veri, “romanoit” që përmenden nga Konstantin Porfirogjeniti [c. 32]. Ky interpretim mbështetet nga përqendrimi i emrave të vendeve latinisht rreth Liqenit të Shkodrës, në luginat e Drinit e të Fanit dhe përgjatë rrugës nga Lisi deri në Ulpianë, në Kosovë, me disa në luginat e Drinit të Zi dhe të Matit, shpërndarje kjo që kufizohet nga jugu me Via Egnatia-n.
Natyrisht, unë nuk jam në gjendje të gjykoj për këto pozicione, përveçe të vërej një konsolidim llogoresh; nga njëra anë arkeologë dhe historianë shqiptarë dhe teza e tyre e vijueshmërisë, nga ana tjetër arkeologë dhe historianë të tjerë, të cilët anojnë ta shohin Kulturën e Komanit si shprehje të një popullsie me prejardhje ilire, por të romanizuar.
A shërben Kultura e Komanit si provë e vijueshmërisë iliro-shqiptare? Mund të shërbejë; por paradoksalisht, rreshtimi aq i disiplinuar i arkeologjisë dhe historiografisë shqiptare pas kësaj teze e vë tezën në pikëpyetje, sepse e zhvesh nga karakteri shkencor, duke e shndërruar në dogmë. Për fat të keq, dogmatizmin dhe kokëfortësinë pasive-agresive dija historike shqiptare e ka trashëguar nga periudha totalitare, siç e vërejti edhe Tannhäuser në një koment të vetin pak më parë, kur tha se:
[K]jo ka qenë nja nga të metat e historiografisë shqiptare, të paktën e periudhës së totalitarizmit. Mbi argumentat që silleshin në të mirë të vazhdimësisë iliro-arbërore apo autoktonisë etj, rrallëherë bëhej diskutim, dhe akoma më rrallë (ose kurrë) dëgjoheshin argumenta të kundërta. Kështu që çdo punim, f.v. në histori, mbështetej në arritjet që kishte përfunduar punimi para tij pa i diskutuar edhe shumë rezultatet, gjë që të kujton lojën karakteristike jenga, ku shtohen një mbi një copa druri duke ndërtuar pirgje.
Asnjë e mirë nuk i vjen albanologjisë nga barrikadimi dhe paranoja; përkundrazi, vetëm përfitime i kanë ardhur dhe do t’i vijnë nga hapja, gatishmëria për debat, mosparagjykimi i tjetrit, fryma kritike, marrja në pyetje e ideologjive dhe këmbëngulja për liri të mendimit.
Lexova kalimthi se nekropoli në Koman po rivizitohet, këtë herë nga një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-frënge; shpresoj që me këtë rast objektet e atjeshme, të vjetrat dhe ç’do të zbulohet rishtas, të studiohen në pavarësi të plotë nga shqetësimet dhe imponimet kombëtariste, duke i lënë madje nxitur arkeologët të shprehin mendimet e tyre të pavarura. Ideale do të ishte të mbahej së shpejti edhe një konferencë shkencore për Kulturën e Komanit, duke ftuar aty autoritete të fushës nga mbarë bota, duke përfshirë edhe historianë dhe autorë nga ish-Jugosllavia, të cilët kanë eksperiencë të vyer me arkeologjinë ilire.
Nuk shoh te kete ndonje prove per te folmet romane ne ate zone, po njesoj sic nuk ka per te folme arberore. Keshtu qe llogoret edhe pse te kunderta, kam pershtypjen qe perdorin argumenta evazive sa i perket gjuhes se atij populli.
Argumenti i historianeve qe i mveshin etnine (gjuhen arberore) kultures se Komanit eshte deduktiv. Se pari kultura materiale deshmon qe ne koherat e erreta nuk ka patur nderprerje ne banimin e krahinave nga Iliret apo pasardhesit e tyre (dhe kete e pohojne dhe nga ana tjeter e llogores). Se dyti, keta nuk ishin sllavizuar ne kete zone, edhe pse dyndjet tashme kishin ndodhur (serish flet kultura materiale – dmth nese nuk kane pranuar kulture materiale nga sllavet, veshtire se u kane pranuar gjuhen). Se treti a) ne zone nuk provohet te kete patur dyndje te tjera b) duhet shpjeguar se nga erdhen shqipfolesit, kur, dhe pse s’ka gjurme materiale (nese nuk jane keto te kultures se Komanit).
Me nje fjale, vertet qe nuk kemi nga ta dime se c’gjuhe flitej ne kulturat qe s’kane lene asnje dokument, po argumenti deduktiv perdoret shpesh ne kesi rastesh, dhe jo gjithnje per dogme.
Të dyja palët kanë sjellë prova të shumta të natyrës historike dhe arkeologjike, por unë s’mund t’i përmend as t’i analizoj provat këtu – sepse nuk është vendi dhe më mungon ekspertiza e nevojshme. Gjithsesi, çështja e diskutueshme, në këtë mes, është nëse bartësit e kulturës së Komanit ishin të romanizuar apo jo.
Kultura e Komanit lidhet edhe me një histori tjetër interesante, atë të mbishkrimit të unazës së gjetur në një nga varret (ΑΝΑ | ΟΗΘΗ | CEB) që ngjalli shpresa në çfarëdolloj shkencëtarësh se kishin përpara mbishkrimin e parë të ilirishtes. U orvatën ta lexojnë Th. Ippen, Nopcsa, Uggolini, u publikua edhe nga Krahe, propozoi madje edhe lexim E. Çabej.
Edhe pastaj u provua se ka qenë një lutje në greqishte bizantine.
Te Ceka lexoj edhe se konsulli francez Degrand, ai që i “zbuloi” varret, hapi brenda ditës “një numër të konsiderueshëm” syresh – çka don të thotë, me sa di unë, se ky i ka shkatërruar varret.
Po ashtu, fshatarët (malësorët) e zonës, sapo dëgjuan që të huajt interesoheshin për kësi punësh, filluan të ndërmarrin vetë gërmime, meqë objektet e gjetura i shitnin me përfitime të mëdha.
As që dua të përfytyroj se ç’kanë shkatërruar këta arkeologë vullnetarë… në kërkim të thesareve.
Qe ka nje vije politike ne shkence kjo nuk ka nevoje te rikonstatohet. (Ketu ju po akuzoni, me hipoteza, keshtu qe here tjeter lejoni lirine e interpretimit). Minimalisht perfundimi historik i pranuar prodhon ne menyre te pavarur qendrim politik. Dhe kjo ndodh edhe me sprovat tuaja perderisa nuk sjellin argument shterues. Pra ato jane nje kontribut, por nuk pse debati te shihet si ekses dhe ti referohet paleontologjise politike.
Ne fund te fundit ju shkruani per nje gje shume te rendesishme si Identiteti Historik.
Lidhur me artikullin tuaj per Kulturen e Komanit dhe sidomos premisen e tij arkeologjike mendoj se ai ka nje “defekt” ne reference. Libri “Iliret” qe ju permendni edhe sipas vete Cekes, eshte me shume nje monografi me karakter patriotiko – shkencor, i botuar fillimisht ne kohen e luftes se Kosoves. Pra eshte nje punim per lexues te gjere, i pergjithshem qe nuk mund te pretendoje qe te merret ne konsiderate per analiza kaq te detajuara. Lidhur me kete gje po riprodhoj ate se cfare deklaroi Ceka vete ne nje emision televiziv, vetem pak jave me pare.
Perkundrazi, pika kritike e ketij libri per mendimin tim eshte formulimi i Cekes, sipas te cilit Iliret arriten te krijojne nje qyteterim te vetin, i cili kontribuoi ne qyteterimin mesdhetar. Kjo perben nje pike ku duhet ndaluar, sepse indirekt e justifikon teorikisht vijimesine iliro – arberore, per shkak se vete premisa kulturore origjinale ilire, sipas Cekes, sherben si paradgime baze e garancise per vijimesi te ndryshme nga romaket dhe greket. Prandaj cuditem qe vigjilenca juaj ka marre nje argument qe me perhapjen qe ka ne historiografine shqiptare nuk e ben pergjegjes per sharlatanizem Ceken, per te cilin duhet thene se u dhane vleresime maksimale edhe nga nje profesor i njohur i Universitetit te Cikagos, qe mberriti ne Shqiperi dy vjet me pare. (Kjo sa per nje antipaste provinciale).
Sesa problematike eshte Kultura e Komanit, ne kuptim te interpretimit qe i jepet asaj kete nuk ka nevoje qe ta rithemi kaq shume here. Edhe nje autor aktual, si Peter Bartl (ka te “meten” se pelqehet shume dhe eshte prezantuar ne lexuesin shqiptar nga Ardian Klosi), ne parathenien e tij te librit “Shqiptaret” thekson se “rindertimi i Historise shqiptare nga shkenca shqiptare ngjan si i sajuar pse nuk pranon shikimin kritik”. Por kur vjen puna per formulimin e nje teze ndryshe, Bartl vete pranon tezen e Stadmueller, pra ate te eksplodimit demografik te shqiptareve me baze krahinen e Matit. Ketu vete Bartl – kritik i shkences shqiptare rimerr teorine e Cabejit se kjo pikenisje eshte shume e ngushte. Pra si te thuash ketu themi qe shkenca shqiptare me kokefortesine e saj dhe dogmatizmin eshte bere monotone ne formulime dhe nga ana tjeter nuk e skualifikojme ate si antishkencore. Aq me shume qe tezat e Stadmuellerit vete merren si teori ende te pavertetuara.
E theksoj kete – pa kembenglur, sepse jam poshte moshes 32 vjec dhe nuk e kam jetuar ate kohe – sepse lexoj ate cfare thote Tannhauser per sa i perket ilirofilise se shkences shqiptare. Kjo eshte relative gjithesesi, perderisa p.sh nje autor si Cabej ne librat e vet perdor gjuhesine krahasuese dhe merr ne reference prezantuese te pakten nje shumesi autoresh, pro dhe kunder. E rendesishme eshte se ne keto formulime, shkenca serioze shqiptare nuk eshte udhehequr dhe aq nga partizanizmi. Per te mos thene pastaj se Stadmueler vete hap nje paranteze justifikuese per karakterin edhe arberor te Kultures se Komanit.
Sqarim: librin e Cekës e përdora si burim të besuar për përshkrimin e Kulturës së Komanit, jo si shembull të qëndrimit që arkeologjia shqiptare mban ndaj asaj kulture. Me sa di unë, Neritan Ceka vetë nuk është marrë shumë me atë kulturë.
Ajo që dua të them unë kuriozi, është se diktatura komuniste bëri që shkenca (historike në këtë rast) të përfaqësohet nga një shkollë mendimi; ajo kombëtariste me disa tone marksizmi (ose nacional-komuniste mund ta quash). Dhe këtu nuk e kam fjalën për vepra minore të tipit Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar apo Demaskimi dhe shpartallimi i organizatave tradhëtare gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (titujt janë aktualë, jo fiktivë) që nga natyra e tyre do ishin të politizuara sepse lidheshin direkt me klasën në fuqi, por me ato vepra që lidhen me ndërgjegjien kolektive dhe jehona e tyre do kapërcente rendin politik.
Ata pak shkencëtarë që mund të pasqyronin shkolla të ndryshme mendimi , sepse kishin studiuar jashtë Shqipërisë (kryesisht Austri, Itali) apo sepse ishin rritur e kishin formuar karakterin e tyre në demokraci, u detyruan ose të vetëçensurohen ose të përshtaten në mjedisin e krijuar. Është diskutuar edhe këtu në blog nga XhaXhai rasti i E. Çabejt edhe fletërrufetë që i ngjiteshin të firmosura nga kolegët e tij të Institutit të Arkeologjisë vetëm se ky i fundit “citonte literaturë të huaj” e nuk merrte parasysh arritjet e “shkencës shqiptare”.
E keqja është se kanë kaluar rreth 20 vjet nga rrënia e diktaturës (afërsisht gjysma e perjudhës totalitare, gjë që tregon se nuk kemi të bëjmë thjesht me inerci) dhe nuk po duken shënja të krijimit të shkollave të ndryshme të mendimit në histori. Ato duket se vijnë vetëm nga të huajt të cilët na ofrojnë alternativa leximi të historisë shqiptare por rasti i O. J. Schmitt-it na bën të mendojmë se me çfarë do të përballet një përpjekje e tillë. Një shpresë janë shkencëtarët e rinj që studiojnë jashtë vendit por duke lexuar “qortimet” e K. Frashërit bërë D. Egros (në librin e K.F. Skënderbeu i Shpërfytyruar, Dudaj, Tiranë 2009, sidomos f. 162-163) besoj se edhe këta keq e kanë.
Meqe po flasim per standarte akademike te vleresimit te ceshtjes (peer reviewed), po sikur arkaeloget e Shqipersie te jene “peerless”?
””U konstatua se në varrezat mungonin objekte avaro-sllave, por ndesheshin, mes të tjerash, objekte kelte dhe ostrogote.””’
E nga kjo mos valle nxirret ndonje perfundim ? Keltet nuk mbijetuan dot ne France, si paskan mbijetuar ne Puke, ku s’kane qene asnjehere ?
Rathet kelte mund te jene fare mire huazim qe i mbijetoi kohes.
Ndersa Ostrogotet kane pasur ne kontroll Panonine e Dalmacine per gati 100 vjet, por dihet qe ne vitin 490 u hodhen ne Itali e me Teodorikun krijuan nje shtet te madh, qe perfshinte Italine, Panonine e Dalmacine.
Vendodhja e tyre ne Ballkan ishte Panonia.
Objektet ostrogote ashtu si ato bizantine , patjeter qe jane frut i shkembimeve, meqe si Ostrogotet ashtu edhe Bizantinet ishin 2 fuqite e rajonit deri ne shkaterrimin e Ostrogoteve prej Bizantit.
Objekte ostrogote hasen ne gjithe territorin e pushtuar apo sunduar prej ostrogoteve.
Perkundrazi mungesa e objekteve avaro-sllave qe ishin realitet shekullor, deshmon per mungesen e tregtise, qe pothuaj perhere vjen si pasoje e luftes se vazhdueshme mes popujve.
Ja te shikojme kete hijenen Wilkes:
”’Ky rindërtim i bën ilirët të kenë rifituar pavarësinë e humbur gjatë shembjes së Perandorisë Romake të vonë dhe të kenë riafirmuar identitetin e tyre etnik nëpërmjet çlirimit nga mbizotërimi greko-romak në kulturën materiale.””
Qe ska asgje te cuditshme, meqe kultura greko-romake, nuk arriti dot kurre te mbisundonte ne etnografi, apo ne pergjithesi ne kulturen materiale te rajoneve malore, meqe ishte kulture qytetare dhe nuk pershtatej dot me nevojat malore. Gje qe shihet ne gjithe rajonet malore Dinarike, jo vetem ne Shqiperi.
Po ja te shohim se cmendon perkundrazi Wilkes, qe ska prekur as kazme me dore dhe as ka bere studim specifik mbi Komanin:
”””me më shumë gjasa është identifikimi i tyre me një popullsi të romanizuar me origjinë ilire, të dëbuar prej ngulimeve sllave e të shtyrë më në veri, “romanoit” që përmenden nga Konstantin Porfirogjeniti [c. 32]””’
Romanioi quheshin te gjithe banoret e Perandorise Bizantine deri me 1453, keshtu qe nuk na tha ndonje gje mbi natyren etnike te banoreve.
Po ja te shohim pse keta romanioi na qenkeshin ‘latine’:
”””Ky interpretim mbështetet nga përqendrimi i emrave të vendeve latinisht rreth Liqenit të Shkodrës, në luginat e Drinit e të Fanit dhe përgjatë rrugës nga Lisi deri në Ulpianë, në Kosovë, me disa në luginat e Drinit të Zi dhe të Matit, shpërndarje kjo që kufizohet nga jugu me Via Egnatia-n.”””’
Rreth Liqenit te Shkodres eshte pa interes.
Ne luginat e Drinit, te Fanit/Matit, ka tek tuk ndonje toponim latin, qe eshte e pakrahasueshme ne absolut me materialin iliro-shqiptar te ngelur, biles ky skarsitet i toponimeve latine eshte argument i forte per moslatinizimin e zones.
Por kush flet ne ‘pergjithesi’, domosdo eshte ‘i pagabueshem’.
Persa i perket stacioneve anes rrugeve, edhe ne Egjypt kishin emra latine.
Nderkaq ajo cka harron ky zoteria eshte se vllehet/barinjte latine ndodhen ne Jug e jo ne veri, do ishte shume me logjike sikur te fliste per Jugun sesa per Veriun.
Pra perfundimet e ketij sharlatani amerikan, qe jane te tilla pergjate gjithe librit, dmth me logjike elefanti dhe per kete mund te hapet edhe nje teme, ku mund te sjell gjithe argumentet, vijne si pasoje e TOPONIMISE romake ne rajon, qe eshte e nje inferioriteti te llahtarshem ne krahasim jo vetem me ate shqip por edhe me ate Ilir, biles ne zona te Drinit edhe ndaj atij sllav.
Ceshtja do ta shikoja keshtu:
Kultura e Komanit, e zbuluar për herë të parë afër fshatit Koman të Pukës, në vitin 1892
elemente të ngjashme te se ciles u gjetën edhe në Shurdhah, në Lezhë, në Bukël e në Prosek të Mirditës, në Krujë, në Radolisht afër Strugës (Maqedoni) dhe gjetiu – pra ne nje pjese te madhe te territorit ku banojne edhe sot Shqiptaret- eshte nje kulture JO sllavë, por ku nuk mungojnë elemente kelte dhe ostrogote.
Interesi i madh i arkeologjisë shqiptare për Kulturën e Komanit …eshte te provuarit jo vetëm te vijueshmërise iliro-shqiptare, por edhe te autoktonisë se shqiptarëve.
A eshte LEGJITIM dhe llogjik nje interes i tille? A eshte legjitime, dinjitoze dhe e ndershme qe nje shkencetar shqiptar te punojne ne dobi te nje interesi te tille? Nuk e di a eshte kjo kombetariste apo jo ???? por mendoj se nuk ka rendesi fare persa kohe eshte e arsyeshme.
Une NUK jam dakort me mendimin se “mendimi i kolegëve e huaj në këto fusha të dijes si albanologjia, është e ngjashme me riprodhueshmërinë e eksperimenteve, në fushat e shkencave ekzakte”, per faktin se ne shkencat ekzakte, shkencetari ofron vetem elementet qe do te eksperimentoje dhe kushtet e eksperimentit (qe per nje riprodhim duhet te jene apsolutisht te njejta). Procesi i transformimit dhe perfundimet qe rrjedhin nga ky eksperiment jane objektive, percaktohen VETEM nga ligjet e natyres dhe nuk influencohen nga arsyetimi ose gjykimi i eksperimentuesit.
Ne arkeologji eshte e kundera. Faktet jane per te gjithe njesoj (jane ato zbulime qe jane bere) por jane te pamjaftueshme per te sjelle automatikisht nje rezultat ose konkluzion te caktuar dhe prandaj eshte ne kete rast percaktues interpretimi llogjik i fakteve dhe percaktimi i sakte i relacionit te tyre me njeri-tjetrin dhe ne konteksin e pergjithshem, i cili pastaj te con ne nje konkluzion te caktuar. Kjo eshte pra analize subjektive.
Njekohesisht une nuk besoj qe te huajt, pra kjo pala e trete, te jene relativisht të çinteresuara dhe të papërziera ne ceshtjet e Ballkanit apo me kompetent se studiuesit shqiptare. Ky mendim, por edhe mendimi psh. Se te huajt gjykojne me objektivisht ose thellesisht se studiuesit shqiptare jane vetem paragjykime.
Thellesia e gjykimit dhe aftesia e tij bindese buron vetem nga llogjika e tij e brendshme. Prandaj nuk kam pse te jem i prirur te besoj me shume nje shkenctar te huaj se nje shqiptar kur palet argumentojne ndryshe.
Edhe mbeshtetja e nje teze ne lidhje me kulturen e Komanit eshte nje proces i analizes se fakteve qe con ne formimin e nje bindje te caktuar te cilen pastaj autori perpiqet ta paraqese sa me plausibel per te tjeret.
Mbrojtja e nje teze te caktuar nga te gjithe arkeologet ose historiografet shqiptar mundet qe NE PAMJE TE PARE te krijoje pershtypjen se e shnderron kete teze ne dogme, por persa kohe sejcili prej tyre sjell argumente te arsyeshme mbetet kjo vetem pershtypje por jo prove. Se edhe detyrimi moral i nje kunderstimi, vetem per hir te „demokracise“, ja heq thelbin e vertete vete demokracise.
Shkruan Shikxhiu:
…”Faktet jane per te gjithe njesoj …”
…”Njekohesisht une nuk besoj qe te huajt, pra kjo pala e trete, te jene … me kompetent se studiuesit shqiptare…”
S`do mend qe dikush i edukuar jashte eshte i formuar ne menyre me te plote se sa dikush i edukuar ne Shqiperi, kjo per arsye te cilat jane disa km to gjata. Eshte e veshtire te vihet ne dyshim se edukimi ne shkollat me tradite eshte me i mire se sa edukimi ne sistemin akademik shqiptar.
Shif psh se cfare kursesh ofrohen ne degen e antropologjise ne Universitetin e Pennsilvania (fakultet qe ekziston qe ne 1886):
http://www.sas.upenn.edu/anthro/courses/ANTH/2009C
Kerkova te gjej kurset qe ofrohen ne Fakultetin e historise ne Universitetin e Tiranes, si me i aferti (por jo njesoj) ne fushe, por pa sukses – asgje on line (po qe se mund ti gjeni, do te mund t`i krahasoni).
Pastaj te mos flasim per specializimet pasuniversitere.
Me duket se ka nje lloj perpjestimi te drejte midis ekonomise se nje vendi dhe sistemit te tij edukativ.
idashur : Eshte e veshtire te vihet ne dyshim se edukimi ne shkollat me tradite eshte me i mire se sa edukimi ne sistemin akademik shqiptar.
ketu jam i nje mendje me ty, ne nje pike, qe shkollat me tradite TE OFROJNE nje mundesi studimi dhe formimi profesional shume me te larte se te tjerat, ska dyshim per kete. Po ashtu sic eshte e vertete se familjet e ngritura dhe te fuqishme ekonomikisht, ju ofrojne femijeve te tyre mundesi shume me te medha, pra optimale per te arritur formimin e tyre shume te larte shkollor dhe profesional.
Por kjo nuk do te thote automatikisht se femijet e te pasurve jane me te shkolluar dhe me te afte nga ana profesionale se ata te te tjereve.
idashur : ….“S`do mend qe dikush i edukuar jashte eshte i formuar ne menyre me te plote se sa dikush i edukuar ne Shqiperi….“
mos do te thuash me kete se ne duhet ti mbivleresojme mendimet e te huajve dhe ti nenvleftesojme ato te studiuesve tane?!!!! se une ketu e kisha fjalen…….
nuk jam i nje mendimi me ty….
se pari une fola per kompetence shkencore, jo per formim. Por edhe formimi jasht shtetit nuk te jep automatikisht edhe statusin e nje me te „formuari“ se te tjeret. Ky lloj paushalizimi eshte vetem paragjykim dhe asgje tjeter. Edhe ne universitetet e huaja nuk ka vetem studente qe dalim me dhjeta por nje spektrum nga pesa e deri te dhjeta pra nuk jane te gjithe aq te formuar.
se dyti, me sa di une edhe studiuesit shqiptar, kane studiuar jasht shtetit.
se treti, meqe jo te gjithe ata qe perfundojne me nota te shkelqyera ne universitet arrijne sukses dhe behen personalitete, tregon se nuk eshte vetem formimi ne shkolle por edhe pervoja praktike dhe aftesite personale ato qe e bejne nje studiues kompetent dhe personalitet ne nje fushe.
se katerti, ne kohen e sotme fale internetit eshte e mundur ta marresh dijen bashkekohore kudo qe te jesh.
dhe se fundi sic e kam thene, thellesia e gjykimit dhe aftesia e tij bindese buron VETEM nga llogjika e tij e brendshme.
PRANDAJ llogjikisht nuk ka arsye perse te shihen me perparesi, pra nga nje pozite inferiore studiuesit e huaj.
Shkruan L. Ugolini për datimin e Kulturës së Komanit:
Epoka. duke mbledhur së bashku të gjitha elementet që vijnë nga studimi objektiv i materialit (forma e fibulave të mëdha; tipat e vathëve; sëpatat prej hekuri; doreza e shpatës së madhe prej hekuro; përdorim i gjerë i këtij materiali për armët dhe veglat, ndërsa bronzi është shfrytëzuar vetëm bër objekte stolisëse; përdorimi i njëkohshëm i bronzit dhe i hekurit në prodhimet e stolive vetjake; monedhat e fillimit të shek. IV m. Kr.) dhe nga të gjitha vlerësimet e paraqitura në lidhje me shenjën e kryqit dhe përhapjen e krishtërimit në Shqipëri, besoj se duhet të gjykohet që materiali i Komanit nuk është as i epokës parahistorike e as protohistorike dhe as i përket prodhimeve të qytetërimit klasik grek apo romak. Megjithatë, nuk është e lehtë të përcaktohet kjo në vite, për shkak të mungesës së materialeve me datim të sigurt dhe të ngushtë kohor. Sipas gjitha gjasave nekropoli ka mundësi të ketë vijuar për një kohë të gjatë dhe prandaj varret nuk janë të gjithë të njëkohshëm. Gjithashtu, unë kam arritur të shoh pajisje të ndryshme mortore të mbledhura rastësisht dhe pa të dhënën më të vogël statigrafike. Megjithatë, shpreh pikëpamjen time që besoj se nuk shkon larg të vërtetës: unë mendoj se mund të vihet si shekull bazë i datimit, shek. V m. Kr. Koha arkeologjike do t’i përkiste periudhës së rënies së Perandorisë Romake, por si qytetërim nuk ka pika takimi me këtë.
Nga libri Ugolini L. M., Shqipëria e Lashtë, Migjeni, Tiranë 2009, f. 80.