- Napoleoni i shqiptarëve
Një mik më dërgoi një artikull ku rimerrej legjenda e origjinës “shqiptare” të Napoleon Bonaparte-it – legjendë që, ç’është e vërteta, prej kohësh lëvrin në periferitë e mendimit tonë patriotik. Tani, duke qenë se Napoleoni vetë e mbante veten për “më shumë italian a toskan se korsikan,” dhe se prejardhja e tij prej një familjeje fisnike nga San Miniato e Toscana-s të ardhur në Korsikë nga Sarzana e Liguria-s në shekullin e 16-të, gjasat për origjinën shqiptare vijnë e zvogëlohen, siç edhe mund të pritej; dhe në fakt, ky grupim i Napoleonit me të tjerë burra shteti dhe komandantë ushtarakë të shquar, si Aleksandri i Madh, Pirroja e ndonjë tjetër flet më shumë për natyrën e fantazmagorive tona kombëtariste, se për gjenetikën e personazheve në fjalë; dhe është në vetvete banal. Përkundrazi, më tërheqëse do të ishte të ndiqje arsyet e kësaj “teorie”, që nuk më duken pa lidhje me të ashtuquajturin régiment albanais, të ushtrisë së Napoleonit dhe që u përfshi në fushatën joniane të këtij; dhe që, për nga natyra dhe emri vetvetiu do t’i referohet edhe regjimentit real macedone, mercenarë që u shërbyen shumë monarkëve në Europë gjatë shekujve XV-XVIII, dhe që njiheshin ndryshe si stratiotë (stratioti), mes të cilëve edhe një numër i madh shqiptarësh; dhe që gëzonin respekt të madh në Francë, për aftësitë e tyre ushtarake. Më në fund, edhe vetë emri Napoleon do të ketë dhënë ndonjë kontribut te legjenda e Bonapartit shqiptar: ky emër i rrallë në kalendarin e krishterë, ndonjëherë është shpjeguar, me etimologji popullore, si “Leone di Napoli”, por edhe shpjegimet e tjera, më “shkencore,” nuk është se bindin shumë; çfarë dihet me siguri, është se emri përmendet në Italinë qendrore që në shekullin XII dhe se, nga të gjitha propozimet etimologjike, lidhja me emrin e Napolit bind më shumë. Edhe një herë, Napoli dhe lidhjet e njohura të kësaj mbretërie me Skënderbeun, stratiotët shqiptarë, regjimenti “albanais” në shërbim të Napoleonit – të gjitha këto sikur i hapin rrugë vetvetiu dëshirimit për një origjinë shqiptare të kondotierit të madh nga Korsika.
- Hundët e statujave
Çdo fëmije që viziton për herë të parë një muze arkeologjik, do t’i tërheqin vëmendjen hundët e thyera të shumë statujave: mua, kur kam pyetur, më kanë shpjeguar – mbase me të drejtë – se hunda, duke qenë e dalë përpara, është edhe më e ekspozuar ndaj dëmtimeve, njëlloj si krahët, vetë koka, dhe ndonjë shtesë tjetër formidabël, si flatrat. Një shfytyrim si të thuash aksidental, i krahasueshëm për nga efektet me bardhësinë e mermerit të skulpturave antike, që shpjegohet, edhe ajo, me veprimin e kohës – që i ka shpëlarë ngjyrat. Por hundë të thyera nuk kanë vetëm statujat e artit klasik; sepse të tilla i gjen me shumicë në artin e lashtë egjiptian. Deri edhe Sfinksit në Giza ia kanë shkatërruar hundën; madje, sipas një legjende, këtë e ka urdhëruar Bonaparti, i cili e goditi hundën me artileri; madje sipas një shpjegimi afrocentrik (Louis Farrakhan por jo vetëm), kjo ngaqë gjeneralit nga Europa nuk i pëlqeu që hunda e Sfinksit ishte “afrikane” dhe dëshmonte për origjinën “zezake” të qytetërimit egjiptian. Gjithsekujt legjendën e vet. E megjithatë, për shumë statuja egjiptiane teoria e hundës së shkatërruar në rrjedhë të shekujve për shkaqe natyrore nuk qëndron; meqë ca prej tyre, edhe pse pa hundë, nuk kishin luajtur nga vendi, kur i zbuluan në kohët moderne. Prandaj më e besueshme tingëllon hipoteza që statujave në Egjipt ua shkatërruan hundët plaçkitësit e varreve, të cilët besonin se këto statuja ende banoheshin nga shpirtrat e të vdekurve; dhe se, duke ua hequr hundët, shpirtrat nuk do të merrnin dot më frymë dhe ashtu do të zhdukeshin (humbisnin, mbase vdisnin?); dhe ashtu, edhe plaçkitësit do të shpëtonin nga hakmarrja për përdhosjen. Me një fjalë, shkatërrimi i hundës si një lloj ekzekutimi simbolik i frymës që ende fshihej brenda statujës. Arkeologët që e mbështetin këtë hipotezë, përmendin edhe faktin që hundët janë shkatërruar edhe në bareliefe ose në piktura. Edhe ikonoklastët, që Egjiptit nuk i kanë munguar, do ta kenë përligjur vandalizmin njëlloj; duke parë në këto vepra arti thjesht imazhe njerëzish të vdekur.
- Maska maska maska
Dhe meqë flasim për frymëmarrjen: këto ditë mediat veç përcjellin pamje njerëzish me fytyrat të mbuluara me maska, në përpjekje për t’u mbrojtur nga koronavirus-i; por rasti e solli ta shihja një nga këto fotografi kinezësh të maskuar përbri një fotoje tjetër, ku të maskuarit ishin jelek-verdhët e Francës; të cilët i mbulojnë fytyrat jo ngaqë i druhen ndonjë virusi a infeksioni, por për të mos u identifikuar nga kamerat e policisë (çfarë nuk përjashton shkaqe të tjera, p.sh. nevojën për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës, ose edhe simbolizmin politik të maskave tip Guy Fawkes ose Joker). E megjithatë, maskë për maskë, ngjashmëria nuk mbetet në sipërfaqe. Në të dy herët, bëhet fjalë për t’u izoluar nga “ajri” i hapësirës publike – që shërben si vektor edhe i virusit, edhe i vështrimit identifikues të pushtetit; duke qenë, edhe virusi edhe kamera, një çarje, në mos një tradhti e paktit që kemi të gjithë me “ajrin”, ose me hapësirën që na bashkon; dhe ku gjithnjë shpresojmë, madje pretendojmë, liri për të qenë vetvetja, ose “paprekshmëri” nga kalimtaria e dhunës. Në fakt, edhe virusi, duke e përcjellë nga i sëmuri tek i shëndetshmi dhe duke i shpërthyer mbrojtjet imunologjike të këtij të fundit, aktualizon kalimtarinë (tranzitivitetin), të cilën e ka aq të domosdoshme për të mbijetuar; njëlloj edhe vështrimi i kamerës, duke i shpërthyer mbrojtjet anonimizuese që individi shpreson t’i gjejë te rruga, i duhet me doemos pushtetit të tanishëm survejues, për të mbijetuar; dhe i “prekuri” nga kamera, duke u bërë i njohur për pushtetin, merr një status jo të pangjashëm me atë të një të infektuari me koronavirus, të cilin herët a vonë do ta shoqërojnë në “karantinë”. Maska në fytyrë është edhe muri që ngrihet mes frymëmarrjes sime dhe tëndes; duke shënjuar simbolikisht izolimin nga bota, ose vetëgjymtimin si një lloj vdekjeje të pjesshme, për Tjetrin; çfarë vjen dhe i ngjan shkatërrimit të hundës, në artin e lashtë të Egjiptit. Siç do ta thoshte edhe vetë Napoleoni, ose jelekverdhët e tanishëm, plus ça change…
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Nuk jam shumë i sigurt për statujat egjyptiane, por ato klasike në Athinë janë shpërfytyruar në mesjetë për shkak të katakterit të tyre pagan.