nga Walter Benjamin
Shumë pak njerëz, kur marrin trenin, lexojnë libra të shkëputur nga raftet e shtëpive të tyre. Më të shumtët, përkundër, parapëlqejnë t’i blejnë ata pak çaste para se të nisen. Ata s’para i besojnë shumë thirrjes që ushton prej romaneve të paracaktuar për lexim. Dhe mirë bëjnë. Në këtë kuptim, i tërheq më shumë mundësia e të psonisurit në ndonjë prej karrocave tërë zbukurime shumëngjyrëshe që gjenden në platformat e stacioneve. Fundja, kushdo e di se cilës bestytni i përkasin ato. Secilit prej nesh i ka ndodhur që t’u qaset për t’i hedhur një sy vëllimeve të grumbulluar; jo dhe aq për shkak të joshjes së leximit, sa për t’iu bindur ndjesisë së mugët që kemi kur duam të veprojmë në përputhje me çka u bën nder hyjnive të hekurudhës. Cilido që blen në të tilla faltore e di fare mirë se monedha e blatuar në kutizat e tyre të ofertës është një lutje për mbrojtje drejtuar hyjit zjarrmues që vezullon përgjatë natës, Najadave tymake që harbohen lart e poshtë nëpër tren, si dhe xhindit që është zot i gjithë ninullave. Ai i di tërë këto ngase i ka parë në ëndërr, ashtu siç di dhe gjithë aradhën e gjyqeve mitike dhe rreziqeve që nxjerrin krye ballë zeitgeist-it teksa “treni shkon”, si dhe vajtje-ardhjet e paparashikueshme të pragjeve kohore-hapësinore ku kalon: që nga e mirënjohura “vajti vonë” të kujt ka lënë pas – prototipi i gjithë ç’ka humbur – deri tek vetmia e kabinës, frika e humbjes së trenit dhe llahtaria e shkaktuar nga salla e panjohur në të cilën është futur. Krejt si në terr, ai ndjen se ka rënë në grackës e viganërisë dhe pranon se gjendet në pozitat e dëshmitarit buzëkyçur të përpjekjes mes hyjnive të hekurudhës dhe atyre të stacionit.
Similia similibus[1]. Mpirja e njërës frikë nëpërmjet një tjetre është shpëtimi i tij. Mes faqeve të sapoçelura të romaneve policorë, ai hulumton për angështitë bjerraditëse, po aq sa dhe të dëlira, që mund ta ndihin atë në përdhosjen e maktheve të moçme të udhëtimit. Në kët’ mënyrë ai mund t’i qaset cektësisë duke pasur shokë rruge Sven Elvestad-in dhe mikun e tij Asbjörn Krag[2], Frank Heller-in dhe z. Collins[3]. Megjithëkëtë, një shoqëri e tillë mendjendritur s’është e thënë t’i vejë kujtdo pas filli. Në varësi të kohës që ka, ndokush mund t’ia ketë ënda për shokë me vështrim më të hollë, si fjala bie Leo Perutz-i[4], rrëfyes ndodhish tërë nerv dhe marramendje, ndalesat e të cilave përshkohen – me orë në dorë – si moçalet që hasen shtigjeve mes katundesh. Mund të ketë gjasa që dikujt t’i pëlqejë diçka që merr përsipër të shpjegojë më shumë gjëra mbi paqartësitë e së ardhmes – drejt të cilës dhe po shkon – si dhe gjithë qerthullin e pazgjidhur që ka lënë pas krahëve. Për një rast të tillë, do të ishte e këshillueshme që udhëtimi të shoqërohej me Gaston Leroux-në[5]; ndërkaq që rri përkulur mbi “Hijen e operas” apo “Parfumin e zonjës në të zeza”, lexuesit mund t’i krijohet përshtypja se i ka hipur “Trenit të hijeve”[6] që brodhi nëpër teatrot gjermanë gjithë vitin që lamë pas. Përndryshe, dikujt mund t’i vejë mendja tek Sherlock Holmes-i dhe miku i tij Watson, për mënyrën si ata ia dalin të mbajnë mbi vete afritë e pazakonta që krijohen në një kabinë treni me çmim mesatar – kur dy pasagjerë të heshtur janë zhytur në lexime, njëri pas faqeve të gazetës, ndërsa tjetri pas një perdeje shtëllungash duhani. Dikush mundet madje të mendojë se gjithë këto trajta hijesh lebetitëse që përmendëm do të fashiteshin para shëmbëlltyrës së vrasësit që zbulohet në librat e jashtëzakonshëm policorë të A.K. Green-it[7]. Kur flasim për të, duhet ta përfytyrojmë si një zonjë e moshuar me shami në kokë, që ndodhet në të njëjtat kushte të koklavitura si heroinat e saj, po aq sa dhe dollapi gjigant kërcitës brenda të cilit – siç thotë dhe një shprehje angleze – çdo familje struk skeletin e vet[8]. Tregimet e saj zgjasin po aq sa tuneli Gotthard[9], teksa romanet e saj të shquar, si “Behind Closed Doors” apo “That Affair Next Door”, shpërthejnë si manushaqe ndajnate nën ndriçimin ngjyrë vjollcë të kabinës.
Sa shumë që përfton një udhëtar prej leximit! Por çfarë nuk përfton një lexuesi prej udhëtimit? Kur tjetër mund të jetë ai kaq i përfshirë në lexim sa ta ndiejë veten krejt të pleksur me heroin e librit që ka në dorë? A nuk është trupi i tij mjet që, duke u turrur porsi treni, përshkon i palodhur kabllon e bregëzimit – pra, librin fatndjellës të heroit. Ka nga ata që nuk lexojnë dot në karrocë, siç ka dhe nga ata që nuk lexojnë dot në veturë. Leximi është aq i lidhur me udhëtimin në tren sa ç’është dhe ndalesa në një stacioni hekurudhor. Siç dhe dihet, shumë stacione u ngjasojnë katedraleve. Përpos, ne të tërë do të donim veç t’u faleshim atyre altarucëve të lëvizshëm dhe të qelbur që i ndjek nga pas një psaltës kureshtie, hutimi dhe ndjeshmërie kur trenat kalojnë duke sokëllirë – kur ndoca orë, shtrirë peizazheve fshatarake, si të ishim mbështjellë nga një shall gurrues, ndjejmë se na përshkojnë drithmat e pezullta dhe fuga e rrotave teksa ngjiten mbi shpinë tonë.
Botuar në Frankfurter Zeitung, në vitin 1930
Përkthimi dhe shënimet: Edon Qesari
[1] Nga shprehja latine Similia similibus curantur: e atilla shërohet me të atillë. Në kuptimin që një sëmundje mund të shërohet nëpërmjet një ilaçi që shkakton të njëjtat simptoma.
[2] Sven Elvestad – shkrimtar dhe gazetar norvegjez, i njohur për romanet e tij policorë (të botuar nën nom de plume Stein Riverton), në disa prej të cilëve spikat figura e detektivit të dalë në pension Asbjörn Krag.
[3] Frank Heller – nom de plume i shkrimtarit suedez Gunnar Serner, i njohur si krijues i figurës letrare të Philip Collin-it, njëkohësisht detektiv dhe hajdut.
[4] Leo Perutz – matematikan dhe shkrimtar austriak i gjysmës së parë të shek. XX, romanet horror (shpesh të përfshirë dhe në gjininë fantasy) të të cilit i dhanë famë mbarëbotërore ndër bashkëkohësit.
[5] Gaston Louis Alfred Leroux – gazetar dhe shkrimtar francez, botërisht i njohur për romanin me tipare mistery “Hija e operas” (Le Fantôme de l’Opéra), më vonë i përshtatur për teatër, musical dhe filma të shumtë.
[6] “The Ghost Train” – pjesë teatrale e shkruar nga aktori dhe dramaturgu britanik Arnold Ridley në vitin 1923, i cili I hapi rrugën një nëngjinie thriller që do të frymëzonte shumë filma dhe dramatizime të njohura në periudhën e artë të kinemasë evropiane (mes tyre The Lady Vanishes, i vitit 1938, nga Alfred Hitchcock).
[7] Anna Katherine Green – poete dhe shkrimtare amerikane, e para grua ndër autorët e shumtë të këtij zhanri letrar.
[8] Every family has a skeleton in the cupboard (Çdo familje ka nga një skelet në dollap), e cila dikton të fshehtat e pakëndshme që çdo familje kërkon t’i fshehë botës së jashtme.
[9] Tuneli Gotthard përshkron një gjatësi prej 15 kilometrash në pjesën jugore të Republikës helvetike.