POETI QË ECI MAJAVE TË MURIT PËRFUNDI SHQIPEVE

 

nga Bekim Ramadani

Muaji që lamë pas shënoi mes tjerash edhe ca aktivitete në përkujtim të jetës dhe veprës së poetit të njohur Azem Shkreli me rastin e 22 vjetorit të ikjes së tij në amshim. Këto manifestime që iu dedikuan intelektualit të fundit shqiptar të shekullit XX, njeriut me optimizëm të matur, poetit të madh me prejardhje nga Rugova, sikur i dëshmuan kohës sonë se ai duke krijuar me maturinë e fjalës së shkruar dhe pedanterinë e gjuhës e të mendimit arriti të bëhet i pavdekshëm. Pavdekësia buron nga vepra e tij, nga dy simbolet kryesore, nga zogjtë dhe guri, nga dy metaforat e qëndresës dhe të ëndrrës, pastaj nga bukuria, besimi, magjia, ideali, … nga vetë jeta e tij.

Unë nuk synoj që të shtjelloj as jetën dhe as veprën e tij, por thjesht dua të ndaj një emocion me ju të dashur lexues që më lindi kohë më parë nga shfletimi i një libri me format të vogël. Në kërkim të një materiali në bibliotekën time personale rastisa në veprën “Muri përfundi shqipeve”, një përmbledhje shkrimesh nga Azem Shkreli të botuara paraprakisht nëpër ca gazeta gjatë vitit 1991 dhe 1992 ku autori sikur e kishte nuhatur rrjedhën e ngjarjeve që kishin pasuar.

Azem Shkreli thotë se “nuk duhet mençuri e madhe për të kuptuar se çdo të ndodhë”, ai thjesht bën thirrje “për të shpëtuar nga të pavërtetat, nga dhuna e poshtërimi, nga urrejtja çnjerëzore nga e cila jemi të rrethuar që moti”. Duke i qëndruar besnik thënies: “fol pak dhe thuaj shumë” përpiqet të na bindë se “ardhmëria megjithatë ka filluar” sepse apoteoza e punës është shpërfaqur që në kohën e Naimit përmes vargjeve “Punë, punë natë e ditë / që të shohim pakëz dritë”. Ata që nuk punojnë do të kapen në flagrancë, ndërkaq këta të punës duhet t’i përveshin krahët dhe t’ia fillojnë nga poshtë. “Gur mbi gur ta ndërtojnë piramidën, të arrijnë në maje. Piramida ka një maje dhe maja ka një gur. Mbi atë gur është qielli, por pikërisht ai gur është problemi. Koha shpesh na gurëzoi fatin historik tek ai gur dhe për shkak të atij guri, gurit të mcajës,” ne kemi pësuar duke u rrudhur e duke u ngushtuar, duke u sulmuar e duke u pushtuar, duke u keqtrajtuar dhe duke u trazuar. Ndodhi fenomeni i mbrapshtë e i paparë, zbrazja e parzmës së kombit. Lumenj mërgimtarësh në të gjitha anët, në Kalabri e Sicili, në Stamboll, Izmir e Anadolli, në Evropë, Amerikë e Australi. Karvanë të gjatë të mërgimit shqiptar lëvizin brigjeve të botës… Eh sa e vlefshme do të ishte një akademi që do ta ndalonte këtë shtegtim, një akademi e mirëfilltë ku do të konkurronin puna, veprat dhe vlerat, një pen-qendër që do të luftonte mediokritetin, atë hapësirë ku promovohet anarkia e mendimit dhe e gjykimit kritik,  atë ndarje që i ra përgjysmë trupit të një populli dhe tokave të tij duke ngritur një mur Berlini, një mur përfundi shqipeve. Andaj uniteti është preokupim i moçëm i shqiptarëve. Koha dhe historia nuk bëjnë gjë prej gjëje po nuk i lëvizi njeriu dhe çdo lëvizje e ka kohën e vet të saktë. Koha, sado e dendur nga ngjarje e ndryshime dramatike, do të mbajë patjetër krahun tonë. Është ky shkaku për dinjitet, apo për një brengosje të posaçme me emrin “Pronarët e popullit”. Rrëqethet e trandet sinqerisht njeriu nga përfytyrimi i ndjenjës së një prone e pronësimi të tillë, të madh, të rëndë, të papeshueshëm dhe, së fundi, të paposedueshëm. Vallë, a nuk e dëgjoi populli orën e zgjimit? Po s’e dëgjove orën e zgjimit së pari, do ta dëgjosh së dyti. Po s’e dëgjove as së dyti, shih mos je bërë i pazgjueshëm!… Ndërrimi i inercionit të lëvizjes na ka gjetur ca të ngathtë dhe të papërgatitur. Një nuk e mësuam: Të dalim njëherë, përfundimisht të dalim, nga rrethi i monologut, nga ai mozaik me të zezë që mbyllë me ngjyrën e vet edhe të bardhët e dritës. Kjo është mjaft e qartë sa të mos jetë shkak i shpërderdhjes shpërbërëse të vullnetit e të energjisë sonë, sa të mos e fillosh këngën e turpshme, të turpërohesh jo për vajin, por për atë që s’ke mundur të bësh aq sa duhet për tokën tënde…

Azem Shkreli arriti ta ruajë energjinë e vet prej artisti deri në frymën e fundit, deri atëherë kur edhe qau në heshtje. Jetoi shpejt, por krijoi ngadalë duke u bërë “mjeshtër i vargut”, “fanatik i ritmit, i muzikalitetit të fjalës”, “poet idesh dhe gjykimesh të thella”, “kushtrim jehues ndër breza”.

(c) 2019, Bekim Ramadani, Tetovë

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin