Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Gjuhësi

LLAFE ME BOJË

Debatet e gjuhëtarëve për standardin, reformën drejtshkrimore dhe rrugët e “zhvillimit” të shqipes duket sikur i bashkon i njëjti supozim i nënvendosur: që shqipja e folur është dinamike, ndërsa ajo e shkruar statike; që shqipja e folur është e natyrshme, ndërsa ajo e shkruar artificiale; që shqipja e folur duhet pra të shërbejë si model për atë të shkruarën, teksa kjo e fundit të kujdeset që t’i qëndrojë pranë së parës, mundësisht edhe duke ia ndjekur “zhvillimet” hap pas hapi, nëpërmjet reformash, ndreqjesh dhe hapjesh gjithfarësh.

Ky parim i përparësisë së gjuhës së folur ndaj asaj të shkruar i ka rrënjët në fillimet e gjuhësisë moderne, që nga Saussure-i e këtej; dhe i ka shërbyer gjuhësisë jo pak, për t’iu qasur dukurive të shumëllojshme të ligjërimit në rrafshin sinkronik, edhe si reaksion ndaj qasjeve thjesht filologjike, ose historiko-krahasuese të gjuhësisë së mëparshme. Sa i përket gjuhësisë shqiptare dhe veçanërisht politikave gjuhësore, ai ka gjetur mbështetje edhe në faktin (zakonisht të keqkuptuar) se drejtshkrimi i shqipes ndjek parimin “fonetik”, ose që fjalët shkruhen “ashtu siç shqiptohen”; sikurse ka gjetur mbështetjen në idenë populiste se gjuhën e folur e flet “populli”, ndërsa të shkruarën e shkruajnë “elitat.”

Edhe debatet tani së fundi, për reformën e drejtshkrimit, e përligjën këtë reformë me nevojën që shqipja e shkruar t’i rrijë “afër” së folurës, të mos largohet shumë prej saj, veçanërisht në rrethanat kur shqipja e folur ka ndryshuar me ritme të përshpejtuara, për shkak të përmbysjeve sociale që kanë ndodhur në trevat shqiptare, gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit.

Në thelb, teza se gjuha e shkruar ka përparësi ndaj gjuhës së folur mbështetet, nga ana e vet, në premisën se shkrimi është një orvatje për të “fiksuar” atë çfarë thuhet; ose që teksti i shkruar nuk është veçse transkriptimi, ose regjistrimi pak a shumë besnik i një teksti të folur, real ose imagjinar.

Kjo premisë është e gabuar, ose rrejshmëri (fallacy). Nuk ka asnjë provë, as në sinkroni as në diakroni, se shkrimi si teknologji ka evoluar për të regjistruar ose transkriptuar gjuhën e folur, ose si të ishte ndonjë lloj stenografie. Përkundrazi, historia e shkrimit, anembanë botës, tregon se si teknikë dhe si praktikë, ai ka lindur në bazë të riprodhimit vizual të imazheve, kryesisht si ndihmë për të mbajtur mend, ose për të arkivuar të dhëna (record keeping).

Historia e marrëdhënieve të shkrimit me gjuhën e folur është histori e një afrimi të shkallëshkallshëm, sikurse është edhe një histori ndikimesh të ndërsjellta. Kjo do të thotë se nuk ka arsye të flitet për epërsi absolute të gjuhës së folur ndaj gjuhës së shkruar, qoftë edhe thjesht ngaqë, në rrethana të caktuara, është e dyta që ka epërsi ndaj të parës.

Në kulturat që përdorin shkrime alfabetike, si jona, tekstet e shkruara janë të lidhura ngushtë me gjuhën e folur, por kjo nuk vlen për gjuhë të tjera – p.sh. kinezishtja e shkruar, që përdor një sistem tjetër, kuptohet mirë anembanë Kinës, pavarësisht nga gjuha e folur që lexuesit do të bashkëlidhin me tekstet.

Megjithatë, po të shihet si transkriptim i gjuhës së folur, madje edhe në gjuhë që përdorin drejtshkrim fonologjik si shqipja, teksti i shkruar nuk arrin dot të përcjellë efektet e tekstit të folur; meqë nuk i ka mundësitë të riprodhojë intonacionin, theksin, kontekstin jashtëgjuhësor (p.sh. shprehjen e fytyrës, gjestet, ose edhe thjesht praninë e folësit për sqarime të llojit metagjuhësor), përveçse në mënyrë shumë të kufizuar – p.sh. nëpërmjet shenjave të pikësimit.

Studiuesit kanë vënë re edhe se gjuha e shkruar nuk e ka të lehtë të përcjellë atë që quhet “forcë ilokutive” e aktit gjuhësor e cila lidhet, në vija të trasha, edhe me synimet e folësit. Kështu, një urdhër si “Hape dritaren!” eksplicitohet nga mënyra urdhërore e foljes dhe nga pikëçuditësja, të cilat ruhen edhe në shkrim; por e njëjta dëshirë, e shprehur në kontekst me shprehjen “Plasëm vape!” të shoqëruar nga folësi me një lëvizje sysh drejt dritares nuk do të merret, në nivelin e shkruar, doemos si urdhër, por më tepër si shprehje e një ndjesie nga ana e folësit (funksioni shprehës i ligjërimit).

Gjuhëtari David Olson, që i ka kushtuar vëmendje të veçantë gjuhës së shkruar si sistem i mëvetësishëm, vëren mes të tjerash se një nga vështirësitë me të cilat është ndeshur shkrimi, dhe është detyruar të gjejë mjete për t’i kapërcyer, ka të bëjë me shprehjen e synimeve të folësit, ose, në përgjithësi, me eksplicitimin e çfarë i paraprin aktit gjuhësor, në mendjen e subjektit.

Olson vëren edhe se, nga kjo pikëpamje, të shkruash dramë është më e thjeshtë se të shkruash prozë; sepse në dramë eksplicitimi i lihet në dorë aktorit, ndërsa në prozë këtë duhet ta bëjë autori. Që këtej edhe rëndësia e romanit, për kapërcimin kulturor drejt modernitetit; meqë romani e udhëzon lexuesin si t’u qaset personazheve edhe së brendshmi.

Kështu, së paku për gjuhë të dokumentuara mirë, është e mundur të ndiqet, në kohë, përdorimi i foljeve që shënjojnë akte gjuhësore dhe gjendje mendore, të tilla si pohoj, supozoj, pretendoj, pranoj, konfirmoj, kundërshtoj, kritikoj, deklaroj, shpall, përkufizoj, mohoj, dyshoj, shpjegoj, përsiat, nënkuptoj, deduktoj, interpretoj, vërej, parashikoj, provoj, kujtoj, sugjeroj e shumë të tjera; të cilat kanë hyrë në gjuhë nëpërmjet shkrimit, në përgjigje të nevojës që ka gjuha e shkruar për të eksplicituar aktet gjuhësore dhe ato mendore që shoqërojnë të folurit.

Por kjo do të thotë, atëherë, se gjuha e shkruar ndjek një trajektore të vetën të zhvillimit, të ndikuar jo aq nga nevoja për të ndjekur hap pas hapi gjuhën e folur, sesa për të kompensuar çfarë ka mangut në raport me të.

Sikurse do të thotë edhe që, nëse duam ta kultivojmë gjuhën e shkruar, atëherë duhet të kujdesemi që ta lëmë të zhvillohet ashtu siç ka nevojë, dhe jo në përputhje me ideologjitë tona populiste, herë-herë demagogjike.

Si gjuhë e shkruar relativisht vonë, dhe sidomos si gjuhë e mësuar në shkolla relativisht vonë, shqipja është ende e pazhvilluar mirë në aksin shkrimor; çka do të thotë se, në shumë herë, shkrimi nuk arrin të shkëputet nga niveli i folur, as të përftohet si sistem i mëvetësishëm.

Shembulli i mëposhtëm, i nxjerrë nga një forum komentesh online, do të mjaftonte për ta ilustruar dukurinë:

Maskarallek me te madh se ti besh fresk nje Vrasesi te faktuar,nuk mund te kete z.XX.Ti je nje maskara i faktuar.Intelektual qe i ben fresk Banditeve me Kollaro dhe kostum,nuk mund te kete ne asnje vend te Botes,pervecse ne Shqiperi.Nje i tille eshte XX.Turp turp dhe vetem turp.Nje pyetje e thjeshte??C’fare shembulli jeni ju per te rinjte z.XX??Shembulli me i keq i mundshem.Servilosje ndaj gjithkujt pavaresisht nese eshte vrases,apo c’faredo gjeje tjeter.Edhe njhere.TURP DHE VETEM TURP.Turpi te mbulofte per 7 breza.Ty dhe sojin tend.Na thuaj dicka per jetimet e 21 Janarit z.Intelektual cipe-plasur?!!!

Në dukje, teksti i mësipërm do të ishte një lloj transkriptimi i mënyrës si flet autori; por, disa dukuri specifike, si kalimi nga veta e dytë njëjës (ti) në atë të dytën shumës (ju); dhe pastaj në vetën e tretë (ai) tradhtojnë polenizim nga rrafshi i shkruar i gjuhës, sikurse edhe disa shprehje të tilit “maskara i faktuar”, “shembulli më i keq i mundshëm,” etj.

Përshtypja që të krijojnë tekste të tilla, është ajo e një këmishe, së cilës janë duke i shpërthyer kopsat nga trysnia e mishit poshtë – për shkak të një inflacioni të shenjash paralinguistike, të tilla si shkronjat e mëdha, pikëpyetëset dhe pikëçuditëset e përsëritura, trepikëshat dhe shumëpikëshat, etj., krahas mungesës së shenjave të pikësimit, çka tregon se autori nuk i zotëron mjetet për t’i shprehur proceset e veta psikologjike dhe synimet me mjetet karakteristike të gjuhës së shkruar.

Tani, për këtë nuk pengojnë gjë rregullat drejtshkrimore, as distanca “e tepruar” mes shqipes së shkruar dhe asaj të folur; por zotërimi i pamjaftueshëm i shqipes së shkruar nga dikush që zgjedh ta përdorë shkrimin si instrument komunikimi.

Praktikisht, sikurse kujdeset ta vërë në dukje edhe Olson, zotërimi i të shkruarit si teknikë dhe praktikë është, para së gjithash, përvetësim i aftësisë për të leksikalizuar ato tipare të gjuhës së folur, të cilat shprehen me mënyra jo-gjuhësore: p.sh. intonacioni, gjestet, ose karakteristikat e subjektit folës (p.sh. fakti që kush flet, ka autoritetin për diçka, p.sh. gjykatësi për të shpallur një dënim, ose prifti për të lidhur martesën në kishë), ose të kontekstit (p.sh. fjalët e shqiptuara nga një aktor në skenë, ose një orakull në tempull, etj.).

Ky leksikalizim, që shoqëron kristalizimin e nivelit të shkruar të gjuhës, ende nuk ka zënë vend mirë në shqipe, ngaqë shqipja është shkruar pak dhe keq; por edhe për faj të një fryme populiste, intelektuale, që ka shoqëruar si rregull mësimdhënien e shkrimit shqip. Shumë prej atyre prej nesh që ulen të shkruajnë mund të dinë shkrim e këndim, ose – në vija të trasha – si të hedhin në letër një version rudimentar të zinxhirit të folur; por nuk zotërojnë karakteristikat themelore që e bëjnë shkrimin sistem të pavarur, duke e shkëputur nga rrafshi i folur.

Shenjë e kësaj mungese kristalizimi është edhe polenizimi i pakontrolluar, prej një modeli tek tjetri; ose përdorimi pa kriter, shpesh parazitar, i shprehjeve të tilla si “mendoj se…”, “u bëj thirrje…”, “më thoni, zotërinj…”, në ligjërimin e folur, ku atyre u del shpejt kallaji i retorikës dhe nuk mund veçse të tradhtojnë pasigurinë e folësit, ose ndonjëherë edhe faktin që ky e merr veten tepër seriozisht.

Përndryshe, shqipes nuk është se i mungojnë mjetet leksikore të nevojshme për t’ia dhënë mëvetësinë nivelit të shkruar; sepse shumë prej tyre, sidomos folje abstrakte dhe mbiemra, tashmë kanë hyrë në mënyra të ndryshme, sidomos përmes përkthimeve. Mjetet ekzistojnë pra, sikurse ekzistojnë edhe rrugët për t’i shumëfishuar e pasuruar; por mungon teknika e nevojshme për t’i vënë ato në gatishmëri të “shkruesve”, ose mësimdhënia e shqipes në një nivel më të lartë se ai thjesht alfabetik; ku shkrimi, si teknikë por sidomos si praktikë, të ndihmojë drejtpërdrejt jo vetëm në komunikim, por edhe në organizimin e personalitetit, duke na lejuar që t’u vëmë emra proceseve abstrakte mendore dhe akteve sërish abstrakte ligjërimore, të cilat na përftojnë dhe na riprodhojnë në marrëdhënie me të tjerët dhe me veten.

Bibliografi minimale:

David R. Olson, The World on Paper, Cambridge University Press, 1994.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin