METAFIZIKA E PAQENË SHQIPTARE

nga Paskal Stafa

Vënia në jetë e ideve marksiste, në mund të quhet kështu eksperimenti i dështuar në ish-bllokun lindor e që vazhdon ende në vende të tilla ekzotike si Koreja e Veriut, pamvarësisht se mbështillej me velin filozofik të materializmit dialektik, kërkon nga „besimtarët“ të jenë idealistë, jo në kuptimin që ka në filozofi ky term, por në atë që përdoret rëndom. „Shenjtorët“ e tyre janë heronj – të sajuar, kokëkrisur, tiranë, gjysmakë, xhelatë a të ligj: kjo pak rëndësi ka – që zakonisht bien „theror“, „flijojnë“ deri edhe jetën për një utopi të paZot.

Pas rënies së komunizmit në vendet në fjalë, në amullinë e tranzicionit kaotik, gjithsekush vendosi e vendos n‘altarin e mbetur bosh simbolet e botëkuptimit të tij: dikush ikonat e vjetra e të fshehura të feve tradicionale, dikush vazhdon për inerci a pamundje ta shohë botën e historinë si përleshje klasash, dikush ka përqafuar, ndoshta pa e ditur se ç‘është, darvinizmin social, që shfaqet më së shumti në formën e tij cinike kur përball rrugëve të mëmëdheut Benz-in e serisë së fundit me lypësat e panumërt ndanë trotuareve e kështu me radhë. E veç pakkush ka luksin e të mëtuarit mbi këtë, për të medituar mbi ç‘kërkon e ç‘do në jetë, pakkush ka pra luksin e metafizikës, kësaj  parashkence me ligjësi të pavërtetuara dot.

Në dallim nga hyrja e „Kapitali“ të Marksit, ku si fillesë e çdo marrëdhënie shoqërore merret materia, dmth. nevojat e domosdoshme dhe elementare të individit si të ngrënit e të pirët, të veshurit e çatia mbi kokë etj., kjo aksiomë fare mirë mund, në mos të jetë kryekëput e ndryshme, të vihet në pikëpyetje, duke qenë se më së shumti kemi të bëjmë me individë „të ngrënë, të pirë e të veshur e që banojnë gjëkundi“, pamvarësisht se sa e si. Nëse do të kishim disa ditë pa ngrënë, atëherë nuk do na duhej as të filozofonim mbi këtë, natyrisht, nëse do të ishim akoma në gjendje për ta bërë dot këtë. Duhet shtuar këtu, se shtysat që lëvizin individin e, për pasojë, shoqërinë janë jo medoemos racionale. Objekti i metafizikës mund të përkufizohej edhe kështu: vënia në dyshim, relativizimi i aksiomave filozofike, jetike a qofshin ato edhe fetare, duke i mëshuar kështu më fort jo asaj që dimë, por asaj që nuk dimë.

U morëm me Marksin, për arsye të së kaluarës së afërt që kuptohen lehtë, por mund të kishim nisur edhe Lao Tse-në dhe Dao-n e tij, Platonin dhe botën e tij të ideve, Jezusin dhe t‘Atin e tij e Frymën e shenjtë, Muhamedin dhe Allah-un, Shopenhauerin dhe vullnetin, Frojdin dhe nënndërgjegjen, e kështu me radhë, pasi, nëse shkencat e sakta mbi aksioma ndërtojnë sisteme teorike, fetë dhe filozofitë, e kështu edhe metafizika, nuk bëjnë dot pa to.

Çfarë e lëviz njeriun shqiptar sot? Ç‘qëllim kërkon të arrijë ai në këtë jetë të shkurtër, çka do ai dhe, më e rëndësishmja, a mëton ai pikërisht mbi këtë?

Më së shumti jo. Më të shumtët e bashkëkombësve tanë, në mos luftojnë thjesht për të mbijetuar, janë të ngërthyer në iluzionet vulgare të një kapitalizmi të egër: veshjet, makinat, ngrehinat, jahtet, udhëtimet e të tjera si këto merren të dhëna si simbolet e mirëqenies, duke harruar, a duke mos e vrarë fare mendjen për këtë, se mirëqenia (siç e thotë edhe ontologjia e fjalës) nuk gjendet me patjetër në sendet dhe jashtë vetes, ose, më së paku, nuk shkon në përpjestim të drejtë me to. Shprehje të tilla klishe si: vetëm paraja nuk të bën të lumtur, mbartin sidoqoftë një të vërtetë proverbiale, pasi, nga njëra anë, jo çdo gjë mund të blihet me të, dhe nga ana tjetër edhe konsumi i të mirave materiale i ka kufijtë varfanjakë: një njeri nuk mund të hajë më shumë se, ta zemë, dy pjata në ditë, të vishet me njëzet palë rroba, apo të banojë njëkohësisht tridhjetë dhoma.

Fundja, çdokush përpiqet për të mirën e tij, çfarëdo semantike të ketë kjo e mirë për gjithësecilin. Kjo e mirë përkthehet në realitetin bashkëkohor, përveç të zakonshmeve dhe tradicionaleve „shëndet“ e „fat“, në mos më drejtpërdrejt me të ngrënën e të pirën mirë si njëherë e një kohë, me epikureizëm dhe hedonizëm sot – në kuptimin më të rëndomtë të këtyre fjalëve.

Ne po nxitojmë të bëhemi si shoqëritë perëndimore, duke mësuar së pari veset e tyre e duke ua anashkaluar virtytet, teksa përballemi ende me pasojat traumatike të diktaturës: aspak vendi ky dhe koha e duhur kjo për metafizikë. Liria na erdh‘ në formën e rrënimit që degjeneroi në amulli dhe kaos, ndërsa njerëzit mbetën, pak a shumë, po ato, por njëkohësisht më të tromaksur përbrenda.

Liria përmban vërtet edhe lirinë për të bërë para, seks e çfarë do zemra; por e kundërta nuk është e vërtetë. Paraja, qejfi, seksi, apo sehiri nuk të bëjnë automatikisht të lirë, përkundrazi. Pasi liria nuk ndodh vetëm jashtë njeriut, por më së shumti brenda tij e burgjet e vërtetë e më të vështirë për t‘u ikur janë brenda. Pasi të paturit dhe të qenit, ndonëse nuk duhen vënë medoemos përkundër, siç sugjerojnë budistët e asketët (apo edhe E. Fromm), pasi liria nuk është e barazvlefshme me përmbushjen e dëshirave, por ndoshta me zbrazjen prej tyre.

Mirëpo thellimi në të tilla tema nënkupton edhe njerëz që e kanë tejparë iluzionin material të botës, atë që quhet në hinduizëm e budizëm „maja“. E njerëz të tillë i mungojnë vrazhdësisht ende shoqërisë shqiptare. Mungojnë deri edhe aty ku mund të paramëtohej se mund të gjendeshin: nëpër besimet e shumta fetare që janë rimëkëmbur sërish nëpër shqiptari.

Qetësia, meditimi, heshtja, paqja e të tjera si këto janë simptomat e munguara të një metafizike të paqenë. Por ajo nuk mund t‘u ngucet assesi të stresuarve që popullojnë kafenetë e atdheut. Ajo shkon krahpërkrah me funksionimin e sistemit e të shoqërisë e deri më tani veçse ka patur më shumë zhurmë e tym se punë, nga ajo që që u fal njerëzve bukën e përditshme. Nga ana tjetër sistemet bëhen nga njerëzit, të cilët lindin në to, e marrëdhënia mes tyre është e dyfishtë. Çdo ndryshim nga lart duhej të shoqërohej me të tilla nga poshtë, që janë fundja brenda, ndaj qeverisë së re i duhet sugjeruar, përkrah këshilltarëve të shumtë kulturorë, punësimi i psikologëve dhe psikanalistëve e, pse jo, edhe i ndonjë lame nga Tibeti.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: