Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion / Letërsi

Kadare / Κανταρέ

nga Elson Zguri

Kam shkruar, kam folur – dhe vazhdoj ta bëj – për sa e vështirë ishte të rriteshe si fëmijë i emigrantëve shqiptarë në Greqi në vitet ’90 dhe 2000. Fjala “shqiptar” ishte kthyer në një fyerje në shoqërinë greke dhe gjithçka shqiptare trajtohej në rastin më të mirë me mospërfillje. Kur isha dhjetë vjeç, më kujtohet një fqinj grek që i thoshte babait tim se kishte lexuar të gjitha librat e Ismail Kadaresë dhe babai im komenton se ndoshta ai duhet të kishte patur shumë kohë të lirë pasi Kadareja ka shkruar shumë libra! Që atëherë e dija mirë që Ismail Kadare ishte një shkrimtar shqiptar nga Gjirokastra dhe librat e tij ishin përkthyer edhe në greqisht. Jordani, fqinji grek, nuk kishte idenë se sa shumë më ndihmoi kjo frazë e tij në vitet që pasuan, ku shumë shpesh do të dëgjoja komente tallëse dhe përbuzëse për Shqipërinë, e cila nuk kishte absolutisht asgjë për t’u krenuar, në kundërshtim me ato të lavdishmet e Greqisë. Pra, gjithmonë e përdorja Kadarenë si asin tim nën mëngë. Kjo shkurajonte mjaft nga bashkëbiseduesit e mi në biseda të tilla që ndodhnin shpesh në adoleshencën time. Paradoksi këtu është se unë personalisht nuk kisha lexuar kurrë Kadarenë deri atëherë! Kisha dëgjuar për disa nga librat e tij, për disa fragmente që kujtonin prindërit e mi. Në vizitat e mia në Shqipëri, përveç CD-ve me hip hop dhe Elita 5, blija dhe disa libra të Ismail Kadaresë, të cilat gjendeshin në çdo treg apo librari. Zgjidhja librat me më pak faqe, duke rezultuar në disa shkrime politike të tij që nuk i kuptoja plotësisht, dhe kjo më jepte përshtypjen se nuk pajtohesha plotësisht me të si shkrimtar. Kështu, disi e kisha hedhur poshtë, por vazhdoja të dëgjoja për të në Greqi, si një nga anët pozitive të Shqipërisë, si produktin më të mirë të eksportueshëm të saj.

Vite më vonë, në kohë kur kriza e identitetit ishte intensive dhe akoma ishte e vështirë të dëgjoje diçka pozitive për Shqipërinë në Greqi, fillova të blej librat e tij tashmë në greqisht. Aty ishte hera e parë që u ndjeva keq për sa pak libra kisha lexuar në jetën time. Aty fillova të gjej kuptim në leximin me ose pa qëllim. Dhe atëherë e detyroja veten të lexoja Kadarenë, kisha pra një qëllim të cilin e harroja pasi lija veten të lirë në natyrshmërinë me të cilën Kadareja i referohej Shqipërisë, njerëzve, identitetit dhe traditave të saj, grekëve dhe përgjithësisht ballkanasve, zakoneve tona të përbashkëta dhe historisë sonë të përbashkët. Në një kohë kur shumë njerëz përpiqeshin të fshehnin prejardhjen e tyre shqiptare për të shmangur situatat apo komentet e pakëndshme, unë lexoja për Kadarenë që lartësonte me penën e tij traditat shqiptare për të cilat ndieja një mospërfillje dhe për të cilat nuk flisja pothuajse me askënd. Nuk më mori shumë kohë të kuptoja se nuk kisha nevojë të lexoja librat e Ismail Kadaresë për asnjë arsye tjetër përveçse për veten time, vetëm sepse më pëlqente të lexoja, sidomos në greqisht, toponime shqiptare dhe emra heronjsh shqiptarë. Në përgjithësi më pëlqente të lexoja për Shqipërinë, për kohët dhe situatat që dija shumë pak! Më pëlqente shumë të lexoja për Shqipërinë pa qenë domosdoshmërisht i turpëruar për diçka ose pa fryrë kraharorin nga krenaria. Ishte thjesht fillimi i një ri-identifikimi të marrëdhënies me vendin e lindjes sime, ishte diçka që deri sa ndodhi nuk e kisha kuptuar sa shumë më duhej.

Shumë gjëra mund t’i atribuohen Kadaresë si shkrimtar por edhe si njeri, si natyrisht me këdo tjetër, por nuk mund të mohojmë, veçanërisht ne që kemi jetuar tërë jetën tonë jashtë Shqipërisë, se ai mbetet reklama më e qëndrueshme e vendit jashtë. Kjo konfirmohet nga fakti që vdekja e tij u komentua dhe u publikua nga të gjitha mediat ndërkombëtare, u komentua nga një mori njerëzish në rrjetet sociale. Sidomos atje, gjenerata e parë e emigrantëve kishte shumë për të thënë për “shkrimtarin kombëtar të shqiptarëve” siç e quajnë me krenari të madhe. Lexoja shumë komente nën lajmin e vdekjes së shkrimtarit. Më bëri përshtypje përsëri ndikimi që ka Kadareja në lexuesit grekë. Nuk mund të mos ndiej zhgënjim kur shoh se një pjesë e brezit tim, brezi i dytë emigrantëve shqiptarë në Greqi, që ndërkohë nuk kanë lexuar librat e tij, komentojnë negativisht, qoftë veprat e tij qoftë atë vetë. Një koment e quajti shkrimtar të madh por njeri të vogël, dikush tjetër shprehej i lodhur nga referencat e shumta për Kadarenë, ndërsa një tjetër postim shkruante se kishte filluar librin e parë të tij në të njëjtën ditë kur ai ndërroi jetë dhe qëndronte në këtë për koincidencë të fatit. Natyrisht askush nuk është i detyruar të lexojë veprën e Kadaresë dhe edhe nëse e bën, nuk është i detyruar ta pëlqejë. Megjithatë, kur lexoj të tilla komente, sidomos kur janë shkruar në gjuhën greke, më vijnë gjithmonë në mendje kohët e adoleshencës sime në Greqi, kur gjithçka shqiptare trajtohej me përçmim dhe mospërfillje. Por jo Kadareja. Mendoj se është e bukur dhe e mençur të kemi një mendim për veprat e dikujt vetëm kur i kemi studiuar ato.

Nuk më pëlqen në përgjithësi të mburrem, sidomos me veprat dhe arritjet e njerëzve të tjerë, por në rastin e Kadaresë e bëra, fillimisht për t’u “mbrojtur”, dhe shpeshherë e gjej veten duke e bërë sepse vërtet besoj se ai ishte dritarja që bota e jashtme të shihte Shqipërinë e izoluar dhe mbetet gjithmonë ambasadori më i madh i vendit jashtë, reklama më e mirë edhe pas vdekjes së tij.

Faleminderit për udhëtimet e bukura në vendin tim të lindjes, Shqipërinë tonë, z. Kadare. Dhe faleminderit që në momente të vështira mbetesh asi im nën mëngë!

(c) 2024 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

1 Koment

  1. Me c’po shoh ne median shqiptare diskutimi nese Silvinjo do te vazhdoje si trainer i kombetares se futbollit po ze me shume vend se vdekja e Kadarese e cila po te kishte ndodhur njehere e nje kohe do te ishte konsideruar nje tragjedi kombetare e barasvlefshme me vdekjen e Skenderbeut.Ne ato vit te erreta ai ishte kandili qe na ndriconte ,tani qe u ndezen dritat kandili s’te duhet me apo te duhet vetem ne raste emergjence .Po ashtu doli dhe ne pah fuqia reale e tij , ai ishte shkrimtar, nje kandil qe u mundua te na ndriconte me sa mundi dhe rrethanat jashte letrare mbi te cilat dashakeqesit e dashamiret e tij jane kacafytur per dekada me rradhe kane per t’u harruar e ai ka per t’u mbajtur mend apo vleresuar thjesht nga vlerat artistike te vepres se tij.
    Matthew 5:16
    “Let your light so shine before men, that they may see your good works, and glorify your Father which is in heaven.”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin