Dy korriku i këtij viti, përveçse përvjetor i datës kur zuri fill e ashtuquajtura “krizë e ambasadave” në Tiranën e 1990-ës, është edhe the day after e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Për fat të keq, një gënjeshtër bashkëlidhur kësaj date – nëmos edhe një dizinformim a shpifje e përhapur dhe e mbajtur gjallë me këmbëngulje, nga agjencitë manipuluese të opinionit publik – e helmoi jo pak Kadarenë gjatë dekadave që pasuan dhe sot e kësaj dite nuk është fashitur, siç lexoj edhe tani, në përçartjet që nuk reshtin së zhgarravituri, në nevojtoret e rrjeteve sociale. Për këtë arsye, po e marr në sy të ribotoj një esenë time të para disa vjetëve (2020), ku përpiqem të skicoj një histori të këtij paraziti informacional dhe të qëmtoj vezët e tij në ofiçinat e farkëtimit të opinionit totalitar.
Më 2 korrik 2020, Gazeta Dita botonte pjesë nga libri i Servet Pëllumbit Përmbysja e komunizmit, në përkujtim të së ashtuquajturës “ngjarje të ambasadave” të 30 vjetëve më parë, kur mijëra qytetarë shqiptarë hynë me forcë në trojet e ambasadave në Tiranë, në kërkim të ikjes nga vendi. Ajo ngjarje aq komplekse ende mbetet për t’u analizuar në hollësi, por Pëllumbi, te fragmentet e nxjerra në Dita, ndalet veçanërisht në origjinën e shprehjes “jashtëqitje e kombit”, që u përdor për të ikurit më pas.
Thotë Pëllumbi:
Ndërkaq, më 13 korrik 1990, në mitingun më të madh të organizuar ndonjëherë në sheshin “Skënderbej”, “të ikurit” u quajtën me shprehjen qarkulluese të R. Alisë, “jashtëqitje e kombit”.
Paradoksale është që R. Alia, pas mitingut, këtë shprehje donte ta vinte në gojën e Kadaresë, që ishte në tribunën e mitingut dhe mori fjalën, por që nuk ka pranuar asnjëherë të ketë përdorur një shprehje të tillë.
Pra, sipas këtij autori, shprehja është e Ramiz Alisë, aso kohe në krye të regjimit totalitar në Shqipëri, por ky u orvat t’ia linte autorësinë Ismail Kadaresë, që – si poet – kish më shumë autoritet në lëmin e metaforave. Madje Xhelil Gjoni dëshmon se Alia i paskësh kërkuar Kadaresë edhe që të shkruante një poezi me këtë subjekt dhe titull:
[N]ë një moment, Ramiz Alia, unë në atë kohë isha ndihmës i tij, më ka thënë: “Ore më kanë thënë që Kadare paska thënë për këta të ambasadave se janë jashtëqitje e kombit. Nuk i thua që të bëjë një poezi për këta?” Duket se Ramizit i pëlqeu kjo figurë. Unë e gjej Kadarenë në sallën e Kuvendit Popullor dhe i them se shoku Ramiz ka dëgjuar se ti ke thënë që qytetarët e ambasadave që ikën janë jashtëqitje e kombit. Ramizi më porositi të them se ai sugjeron të bësh një poezi për këtë çështje. Ismaili më tha se këto fjalë nuk i kishte thënë. Kjo është e vërteta. Se nga e dinte Ramizi, është punë e tij”.[1]
Për ta përmbledhur: këtë cilësim për të ikurit, “jashtëqitje e kombit”, që u kalua gojë më gojë pas 2 korrikut 1990, ia kanë atribuar Kadaresë dhe pikërisht në fjalën e tij në mitingun e 13 korrikut 1990 në Tiranë; por në fakt Kadareja këtë nuk e ka thënë (dhe në mitingun e 13 korrikut nuk ka qenë fare i pranishëm).
Tani, nëse e ka thënë apo jo Kadareja këtë gjë, kjo nuk është se ndryshon gjë në statusin e shprehjes dhe përdorimin e saj si shibboleth: ata që e përdornin, rreshtoheshin automatikisht me Ramiz Alinë, Xhelil Gjonin dhe grupin e “xhonturqve” që po kërkonin ta mbronin shtetin totalitar dhe pushtetin e kupolës përmes reformave gjysmake, në ato muaj përmbysjesh të mëdha kontinentale.
Alia aso kohe kish nevojë të madhe për përkrahjen publike nga Kadareja, por ky i fundit po bënte plane të tjera, të cilat i realizoi pak javë më pas, duke kërkuar strehim politik në Paris.
Meqë Kadareja nuk e ka thënë këtë, gjasat janë që kjo metaforë, jashtëqitje e kombit, të jetë shpërndarë si pjesë e një psy-op-i, duke u huazuar nga manuali politik i Fidel Kastros dhe teknika e tij për ta pastruar Kubën nga disidenca dhe kundërshtarët e vet, duke i lejuar këta të ikin nga ishulli.
Sërish Servet Pëllumbi:
Alia u kishte thënë të vetëve se duhet të veprojmë si Fidel Kastro që u hapi kufirin kundërshtarëve dhe atyre që donin të emigronin në SHBA dhe ata që ikën nga Kuba na qenkeshin “jashtëqitje e kombit”.
Këtu bëhet fjalë për çfarë njihet si éxodo de Mariel (anglisht Mariel boatlift)[2], kur më shumë se 125 mijë kubanë u lejuan të largohen, drejt SHBA-ve dhe që zuri fill kur gati 10 mijë vetë u futën, brenda pak orëve, në territorin e ambasadës së Perusë në Havanë, për të kërkuar largimin nga Kuba. Ato ditë shtypi zyrtar i Havanës filloi t’i quajë të ikurit escoria (“skorie”, angl. dregs): për herë të parë fjala shfaqet në 7 prill 1980, në një editorial në Granma, organin zyrtar të Partisë Komuniste të Kubës – fiks një javë pas shpërthimit të parë të ambasadave në atë vend. Ideja ishte që refugjatët të paraqiteshin si antisocialë (shumica madje si “homoseksualë” dhe “përdorues drogash”).
Një tjetër fjalë e përdorur me përçmim ato ditë ishte gusanos “krimba”; epitet që Fidel Castroja e kish përdorur për të denigruar pronarët e pasur të tokave që u larguan nga Kuba në fillim të viteve 1960, pas rrëzimit të diktaturës së Fulgencio Batista-s. Ky term i përdorur prej jefe-s komunist të Kubës për herë të parë në 2 janar 1961, synonte ta përshkruajë rezistencën e brendshme ndaj regjimit të ri jo si produkt të pakënaqësisë popullore, por si mbetje (resago) të një së kaluare të kalbur. Thoshte Castroja atëherë:
“Los gusanos no pueden vivir sino de la pudrición […] no podían vivir ni hacer de instrumentos del imperialismo, como no fuese en el mundo y en el medio corrompido en que vivía nuestro pueblo antes del día luminoso del 1ro de enero de 1959.”[3]
Por njëzet vjet më vonë, ishte fjala escoria që do të shndërrohej në epitetin zyrtar të regjimit. Me kuptimin zgjyrë, “mbeturinë e ngurtë, që del gjatë shkrirjes së metaleve a kur punohen metalet e nxehura,” kjo fjalë, që në shqipe dëgjohet edhe si skorie, ka marrë edhe kuptimin “pjesa më e pavlefshme e diçkaje, mbeturinë, fundërrinë”. Madje Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, në versionin e vitit 1980, jep për skorie edhe kuptimin figurativ “mbeturina të huaja për shoqërinë socialiste, të trashëguara në ndërgjegje nga bota e vjetër ose elemente të huaja që e prishin pastërtinë e ndërgjegjes.”
Le të themi pra se kjo skorie, në gojën e Fidel Castro-s, vinte si term standard i totalitarishtes; dhe referimi ndaj shkrirjes së metaleve nuk duhet marrë për rastësi: skoriet janë rezultat i procesit të “farkëtimit” të njeriut të ri, duke hyrë kështu epiteti në një sistem kryemetaforik të punimit të metaleve (mjaft të përmend këtu shembuj si farkë, farkëtoj, farkëtohet, kudhër, farkëtar, çelik, hekur, hekuri rrihet sa është i nxehtë, etj., të gjitha fjalë të atij sistemi – të cilat lidheshin, me rrugë semantike, sa me eksperiencën proletare, kovaçhanet fonderitë dhe furrnaltat, aq edhe me virtytet e metaleve dhe rolin e “farkëtimit” në edukim).
Ai editorial në Granma, i prillit 1980, përcaktonte edhe parullat që do të shoqëronin indinjatën popullore, në Kubë, ndaj ekzodit:
Nuestro pueblo trabajador piensa unánimemente: “¡Que se vayan los vagos! ¡Que se vayan los antisociales! ¡Que se vayan los lumpens! ¡Que se vayan los delincuentes! ¡Que se vaya la escoria!”[4]
Skoriet kështu vihen në një rrafsh, të paktën konotativ, me parazitët, antisocialët, lumpenët dhe delinkuentët; dhe këtu është për t’u vënë re se regjimi, me gojën e organit të vet zyrtar, nuk i cilëson këta as si armiq të pushtetit, as si armiq të popullit, as si agjentë të imperializmit amerikan – por thjesht si nënprodukte toksike të metabolizmit socialist. E njëjta gjë do të vlejë, në analizë të fundit, edhe dhjetë vjet më pas, për ekzodin e ambasadave – kur regjimi Alia u kujdes që t’i paraqiste këta si të gënjyer, ose të papjekur; shpesh edhe si njerëz me të kaluar kriminale ose njerëz me vese sociale (parazitë, prostituta, ish-të dënuar, kumarxhinj, “huliganë”, “vagabondë”, etj.), por jo si armiq.
***
Arkeologjia e kësaj metafore, escoria, në spanjishte, na ndihmon ndoshta të zbulojmë prejardhjen dhe ndoshta forcën e saj: ajo përdoret në disa përkthime spanjishte të letrës së parë të Shën Palit Korintasve (I, 4:13), mes të cilëve edhe te Biblia de las Americas:
cuando nos difaman, tratamos de reconciliar; hemos llegado a ser, hasta ahora, la escoria del mundo, el desecho de todo.
Dhe te Biblia Reina Valera, edicioni i vitit 1960:
Nos difaman, y rogamos; hemos venido a ser hasta ahora como la escoria del mundo, el desecho de todos.
Përkthim që në versione të teksteve të shenjta shqip e kam gjetur kështu:
Kur na shajnë, përgjigjemi me mirësi. Jemi bërë si plehrat e botës dhe ende jemi si fundërrinat e njerëzve.
Ose
Kur na përgojojnë, përgjërohemi. Deri tani jemi bërë si plehrat e botës, fundërrinat e çdo gjëje.
E njëjta shprehje, në ndonjë version anglisht të Biblës, del si the scum of the earth:
When we are slandered, we answer kindly. We have become the scum of the earth, the garbage of the world – right up to this moment.
Krahas me këtë, shprehjen e gjen të përkthyer si world’s garbage, the scum of the world, the filth of the world, the trash of this world, the world’s garbage, the world’s dirt, the trash of all things, the refuse of this world, etj.
Shprehja latinisht, në Vulgata është:
blasphemamur, et obsecramus: tamquam purgamenta hujus mundi facti sumus, omnium peripsema usque adhuc.
Ku latinishtja purgamenta ka kuptimin “bëzhdile, gjëra që mbledhim me fshesë për t’i hedhur”.
Metafora e Shën Palit është komentuar gjerë e gjatë, teksa edhe ka hyrë në përdorim në ligjërimin e përditshëm të shumë kulturave ku ndiqet feja e krishterë. Por mua më çoi atje, në të vërtetë, titulli i një libri të Arthur Koestler-it, The Scum of the Earth, shprehje që ai e përdor për të arratisurit nga burgjet, të ikurit nga kampet e përqendrimit, njerëzit pa atdhe (apatridët) që ishin mbledhur në Francën e paraluftës (1940): kish mes tyre hebrenj që i kishin shpëtuar përndjekjes naziste, antifashistë, komunistë, intelektualë, njerëz që nuk i dëshironte asnjë autoritet. Për ta thënë me fjalët e Koestler-it vetë: të syrgjynosurit, të përndjekurit, njerëzit e kërkuar nga policia anembanë Europës, mijërat dhe milionat që, për arsye të kombësisë ose besimeve, janë bërë the scum of the earth. Shumë prej tyre nuk do t’i mbijetonin Luftës II Botërore: Koestler-i ishte nga të paktët që i bishtnoi vdekjes.
Imazhi që të sjellin në sy përshkrimet e Koestler-it në atë libër nuk janë, tek e fundit, aq të ndryshme nga ato të dykorriksave, në pritje për të kaluar “andej” – të kapur si në çark në kloakën e Europës. Duke kapërcyer muret rrethuese të ambasadave, këta kaluan në një hapësirë transitore, duke u zhveshur nga identiteti formal, duke u bërë “të panevojshëm” për shtetin. Që këtej, edhe nguti i regjimit Alia për t’i pajisur këta sans papiers me pasaporta.
* * *
Ja si e përshkruante gazeta “Zëri i Popullit” e atyre ditëve incidentin e 2 korrikut 1990 (cituar sipas një studimi të botuar në blogun Studime Politike të Luljeta Prognit[5]; nënvizimet janë të miat):
Në mbrëmje të datës 2 korrik në Tiranë, rreth orës 22:00, një grup vagabondësh, ish të burgosur për faje të vogla, ordinere si vjedhje, llotarira klandestine, kumar, si dhe disa adoleshentë të mashtruar, kërkuan të hyjnë forcërisht në një ambasadë të huaj, duke goditur me gurë, tulla e mjete të tjera forcat e rendit. Në mbështetje të kësaj mase prej rreth 300 -400 vetash u grumbulluan edhe familjarët e tyre, që krijuan një gjendje alarmuese, duke ndërprerë trafikun e kalimit të lirë të qytetarëve, duke hedhur gurë mbi personat zyrtarë e popullin që kishte dalë për të mbrojtur rendin, duke thyer xhamat e disa dyqaneve e duke bërë zhurmë.
Që këtej, edhe epiteti jashtëqitje, që i referohet një kryemetafore tjetër të totalitarishtes, asaj të shoqërisë si organizëm i gjallë; në kuptimin që jashtëqitja është sa e pashmangshme aq edhe e dobishme për trupin biologjik, dhe eliminimi i entropisë (i “vdekjes”) – nëpërmjet “qitjes jashtë” – vjen natyrshëm në mendje, meqë jetës, për të vazhduar, i duhet ta largojë aktivisht vdekjen prej vetes.
Prandaj edhe metafora zuri vend mirë, në ligjërimin e atyre muajve; sepse pak gjë e ndante, semantikisht, ikjen jashtë nga qitja jashtë; me përjashtim që kjo e dyta bëhej me pëlqimin e pushtetit, i cili një akt të paprecedent rebelimi, si ai i dy korrikut, u përpoq ta ri-kornizojë si efekt të vullnetit të pushtetit, për ta mbajtur vendin “të pastër”. Çfarë ishte disfatë fatale e regjimit, do të duhej riparaqitur si “fitore”, meqë Shqipëria “hoqi qafe” elementët e padëshiruar, turbullues, “llumin” (një cilësim tjetër i parapëlqyer nga propaganda dhe psy-op-et e Sigurimit), duke ia “bërë dalje” Perëndimit. Merrini këto plehra, meqë i paskeni kaq merak!
Cilësimi orientohet kështu sipas dy akseve kuptimore: BRENDA <-> JASHTË dhe PASTËR <-> PIS; meqë ata që u futën në ambasadat kërkonin të kalonin nga “brenda” Shqipërisë (së mbyllur) “jashtë”[6], ndërsa regjimi u mundua që largimin e tyre ta paraqiste si një lloj “pastrimi” a higjienizimi, nëpërmjet nxjerrjes së papastërtive nga brenda jashtë, ose jashtëqitjes. Natyra tejet librore e kësaj fjale, jashtëqitje, sikur e vinte në gojën e një specialisti diagnostikues të së keqes shqiptare – që druhej ndërkohë për ta quajtur fenomenin me emrin e vet popullor. Erimarrë nga një dikush “i rrugës”, sikurse edhe ndodhi, ajo do të tingëllonte gjithnjë si citim – meqë përndryshe nuk i përkiste ligjërimit bisedor; e paskësh thënë, pra, një tjetër, një i letrave, një i hollë; dhe e ruante copyright-in libror edhe kur kalonte dorë më dorë. Ai “i rrugës” nuk do të thoshte kurrë jashtëqitja, sepse nuk do t’i mungonin sinonimet bisedore dhe thjeshtligjërimore. Rimarrja e kësaj jashtëqitja e kombit në shkallë masive konfirmonte edhe një çarje mes “popullit” dhe “intelektualëve” që për popullin nuk pyesnin.
***
Kur analizohet kjo shprehje, jashtëqitja e kombit, pak vëmendje i kushtohet pjesës së dytë, ose përmendjes së “kombit”. Një pjesë e dytë që shfaqet në togfjalësha të shqipes publicistike zakonisht të stilit të lartë, si dëshmorët e kombit, tradhtarët e kombit, visaret e kombit, baballarët e kombit, themelet e kombit, krenaria e kombit, sfidat e kombit, ose poet i kombit, nderi i kombit (dekoratë), gjeniu i kombit, ambasador i kombit (titull, çmim), babai i kombit, dëshmor (martir) i kombit, hero i kombit, shenjtor i kombit, Balli i Kombit, burri më i madh i kombit, shpëtimtari i kombit, etj. Në kontekste më neutrale, përdoruesit preferojnë mbiemrin kombëtar. Shembujt më lart dëshmojnë edhe se ky përcaktor, i/e kombit, i përket më shumë ligjërimit kombëtarist me nota të forta patetike, duke qenë kombi termi përgjegjës i një sivëllai, populli, tashmë retorikisht të konsumuar nga ligjërimi totalitar. Kombi është esenca kolektive e shqiptarisë e materializuar në një grup njerëzish në kohë, që i bashkon gjuha, gjaku, kultura dhe jeta sociale; prandaj edhe jashtëqitja e kombit e vendos stigmatizimin e të ikurve në një rrafsh gati transhendental – ku bëhet fjalë për mbrothësinë, rrezikimin dhe mbijetesën jo aq të një regjimi (shteti totalitar në Shqipëri) sa të një kombi “të tërë”; duke e paraqitur krizën e refugjatëve si dramë kombëtare.
Për ta rrokur këtë manipulim më mirë, le të kemi parasysh se 2 korriku 1990, datë e regjistruar në kalendar si e fillimit të ngjarjes së ambasadave në Tiranë, ishte edhe data kur deputetët e Kosovës shpallën “pavarësinë e Kosovës”, nëpërmjet një deklarate kushtetuese. Këtë përkim Ramiz Alia, në një intervistë dhënë Gjek Marinajt, e pat komentuar kështu:
Në fakt, sa herë që në Kosovë kishte lëvizje të shqiptarëve dhe sa herë serbët janë gjendur përpara problemesh serioze atje, aq herë janë bërë presione të ndryshme ndaj Shqipërisë. Qëllimi i këtyre presioneve, nga njëra anë ka qenë të neutralizohej Shqipëria, pra, që ajo e zënë me “telashet” e veta të mos e mbështeste luftën e vëllezërve kosovarë dhe nga ana tjetër, kosovarët të shkurajoheshin në përpjekjet për të drejtat kombëtare e qytetare.
Diskursi kombëtarist, në mediat e Tiranës në 1990, po përjetonte një gjallëri të pazakonshme – si pasojë edhe e lëvizjes për pavarësi në Kosovë, por me synimin jo dhe aq të fshehtë për ta paraqitur pakënaqësinë në rritje ndaj regjimit Alia si në kundërshtim me vetë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve; në mitingun e 13 korrikut, tonet kombëtariste të folësve në shesh i çuan turmat peshë, duke u dhënë këtyre një alibi për të brohoritur me shpirt, sa herë që përmendej “Kosova” (kujtim personal). Kësisoj, gjesti masiv dhe të paktën pjesërisht spontan i hyrjes me forcë në oborret e ambasadave u pikturua si atentat i rëndë ndaj çështjes kombëtare dhe përpjekjeve të shqiptarëve në Kosovë për t’u çliruar prej sundimit serb; teksa për organizimin e atij ekzodi u fajësuan shërbimet sekrete jugosllave krahas atyre perëndimore në përgjithësi (këto të fundit me gjasë u kujdesën për mobilizimin, ndërsa ato jugosllave për kalendarin). Ashtu revolta anti-totalitare e qytetarëve në Shqipëri u ri-kornizua si anti-kombëtare, çfarë do të gjente jehonë dhe mbështetje te shprehja jashtëqitja e kombit. Një problem politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë totalitare – varfëria e madhe, stanjacioni në reforma dhe mbyllja hermetike e kufijve përballë valës së përmbysjeve në Lindje – u përshkrua dhe u dënua me termat dhe retorikën konspiraciste kombëtariste, si problem (ekzistencial) i “kombit” shqiptar, njëfarësoj i pandashëm nga çfarë po ndodhte me shqiptarët në Kosovë, sipas marifetit retorik të shndërruar tashmë në klishé: “si shpjegohet që… sa herë që në Kosovë…” etj.
***
Më pas, me kalimin e viteve, kjo shprehje e gurëzuar, jashtëqitja e kombit, do të shkëputej disi nga konteksti i 2 korrikut 1990, për t’u specializuar si epitet përçmues për shqiptarët e diasporës, sidomos ata me qëndrime anti-komuniste. P.sh. akademiku Artan Fuga rezulton t’u jetë drejtuar kështu[7], në vitin 2015, atyre qytetarëve të RSH që kërkonin azil në vendet europiane:
Askush nuk ju do, miq që ikni! Bëjnë me hipokrizi sikur mërziten që e ju ikët në Gjermani miq të nderuar. Mos u besoni. Është hipokrizi e pastër. Mendojnë se ju jeni jashtëqitja e kombit.
Duke hequr një paralele midis propagandës aktuale, kundër “ekzodit” të azilantëve, dhe propagandës së regjimit Alia, kundër dykorriksave. Ka edhe nga ata, kryesisht komentues anonimë por jo gjithnjë, që e përdorin këtë jashtëqitja e kombit drejtpërdrejt, për të përçmuar të gjithë ata që perceptohen si anti-shqiptarë, mes të emigruarve; ndonjëherë edhe pa i kuptuar lidhjet që kjo shprehje i ruan me origjinën e saj specifike.
Ose edhe më gjerë, për ata që nuk i duam. Citoj nga një blog[8]:
Tashmë e dini se serbët në krye të qeverisë e vendosën nje lezbijke dhe këtë ata e quajnë vlerë. Mos u çuditni se edhe jashtëqitjet e tona të kombit mund të kërkojnë që ne në krye të shtetit të vemë ndonjë peder apo lezbijke.
Dhe Ilir Dardani[9]:
Siç thashë më lart, shqiptari është më shumë e zeza e vetes se e tjetrit dhe përgjatë historisë ne nuk kemi pushtuar as dhe një fshat […]. Kemi edhe ne rolin tonë negativ në perandorinë pushtuese osmano-islamike, por në këtë ushtri bënte pjesë vetëm jashtëqitja e kombit tonë dhe nuk përfaqësonin shqiptarët.
***
Siç e kemi parë shpesh, cilësimi jashtëqitja e kombit, për dykorriksat i është atribuar me këmbëngulje Ismail Kadaresë, edhe pse ky e ka refuzuar shkoqur, më shumë se një herë, si në këtë intervistë[10], ku citohet të thotë:
U bë një shpifje që ju duhet ta keni dëgjuar, që Ismail Kadare ka thënë që “jashtëqitje e kombit për refugjatët shqiptarë”. Shpifja është e rëndë, se shkrimtari më i njohur i vendit, i quan mijëra të rinj që tronditën diktaturën, jashtëqitje e kombit. Dhe kjo shpifje u tha në një miting në Tiranë. Tani unë arsyetova në mënyrë naive dhe të gabuar, që kjo hidhet poshtë nga koha. Nuk është ashtu. Shpifja zuri vend, e para se sigurimi kishte rrjetin e tij kudo, dhe e dyta se ju duk zbavitëse njerëzve. Unë e kisha të lehtë ta hidhja poshtë, ngulja këmbë në një emision [në] televizion, që u tha kjo shpifje, u pranua që u tha kështu për refugjatët shqiptarë. Në mitingun në Tiranë ku u tha kjo, kishte 100 mijë veta. Në tribunë nja 20 vetë, dhe shpifja u bë nga njëri prej tyre që u tha se ishte Ismail Kadare. Po unë nuk kam qenë fare në atë miting dhe kështu mendoja se me videon do hidhej poshtë shpifja dhe qeshja e njerëzve.
Pra, jo vetëm që Kadareja nuk e pranon ta ketë thënë këtë, por edhe shpjegon se nuk ka qenë fare në mitingun e 13 korrikut. Që nuk ka qenë dhe, ergo, nuk ka folur në atë miting, kjo mund të verifikohet lehtë, nga shtypi i kohës; që nuk e ka thënë, mund gjithashtu të verifikohet tërthorazi – sa kohë që nuk ka asnjë dokument të botuar, ku shkrimtari të citohet se ka folur ashtu. Prandaj, çështja për t’u sqaruar nuk është nëse “e ka thënë/nuk e ka thënë”, por pse ka mbijetuar për kaq gjatë një e pavërtetë e tillë, edhe pa pasur asnjë provë në favor të saj.[11]
Të habit këtu edhe Servet Pëllumbi, në ekstraktin e lartcituar nga Dita, kur thotë:
Paradoksale është që R. Alia, pas mitingut, këtë shprehje [“jashtëqitja e kombit”] donte ta vinte në gojën e Kadaresë, që ishte në tribunën e mitingut dhe mori fjalën, por që nuk ka pranuar asnjëherë të ketë përdorur një shprehje të tillë.
Ishte atje, thotë Pëllumbi për Kadarenë, dhe “mori fjalën”; në një libër ku ka pasur mundësinë të verifikojë gjithçka. E megjithatë, praninë e shkrimtarit në miting dhe fjalën e mbajtur prej tij e merr për të mirëqenë. Sërish pyes: pse të ndodhë kjo?
Në një intervistë dhënë Blendi Fevziut[12], Kadareja e rrëfen kështu “mospjesëmarrjen” e tij në miting:
U ftuam të merrnim pjesë disa shkrimtarë, por asnjë nuk mori pjesë, nuk shkoi. Ajo tribunë, ende sot, asnjëherë nuk është afruar për të parë se kush ka qenë vërtet atje. Siç duket, dikush është i interesuar që të mos dalin ata, në mënyrë që shpifje të tilla të vazhdojnë të qarkullojnë. Përhapja e kësaj shpifjeje kaq masive [për “jashtëqitjet” AV], tregonte se sa shumë agjentë kishte Sigurimi, kudo. […] Është bërë dhjetë[ra] herë ky përgënjeshtrim dhe këto shpifje vazhdojnë të qarkullojnë. Kjo tregon se sa të forta janë rrënjët e të keqes në Shqipëri, shpifja e fabrikuar nga sistemi.
Tani, po të kërkosh poshtë e lart në Internet, do të gjesh konfirmime pa fund, nga njerëz që “kanë qenë aty”, për të kundërtën; madje edhe nga ata që e kanë përgjithësuar kategorinë, duke quajtur jashtëqitja e kombit të gjithë ata “shqipfolës” që, për këtë apo atë arsye, nuk i plotësojnë kriteret për të qenë shqiptarë por kanë ngecur në limbin midis shqiptarisë dhe joshqiptarisë.
Ja Blerti Delija, kryeredaktor i kanalit TV Rozafa, Shkodër[13]:
[D]iku aty nga viti 1990, Kadare, në mënyrë fare të papritur, largohet në drejtim të Francës, por këtë herë duke kërcënuar se nuk do të kthehet më. Shumë e mirëkuptuan Kadarenë, i cili ndjehej i pasigurtë në fillimin e erës së demokracisë në Shqipëri. Ndër ta edhe unë, edhe pse diku ishte shprehur me rastin e hyrjes në ambasada të mijëra shqiptarëve në verën e vitit 1990, se ata ishin “jashteqitja e kombit”.
Edhe te komentet pas shkrimit të lart-cituar të Servet Pëllumbit, botuar në Dita:
[Beci] Kam qenë në sheshin Skënderbej dhe e kam dëgjuar direkt shprehjen e spiunit Ismail Kadare: Si çdo organizëm edhe Shqipëria ka jashtëqitjet e saj, ata që po futen në ambasada janë jashqitja e kombit, por partia është e fortë dhe do të mbetet e fortë. Pyetja është kjo: Pse është zhdukur nga arkiva e TVSH kronika kur Ismail Spiun Nexhmija foli në mitingun komunist përpara Pallatit të Kulturës? [Fernando] Shprehjen “Jashtëqitja e kombit” e kam dëgjuar direkt që e tha Ismail Kadarea! Edhe gjoja arratisjen e Ismail Kadaresë e organizoi po Ramiz Alia! [Balashi] Ne mitingun e madh të Tiranës, për ngjarjen e ambasadave, e kemi ndjekur direkt. Ne tërë njerëzit, populli, atje i kishim sytë. […] Ismaili ka qenë në tribunë. Ka folur e madje për të treguar zgj[u]arësinë e tij, për të tërhequr vëmendjen si njeri i parë i letrave shqip, tha atë shprehjen :”Jashtëqitje e kombit!”. Ai e mohon shumë me force sa herë i jepet rasti, por ne nuk na ka lënë kujtesa, fatmirësisht. Kinse për t’ u treguar si më i zgjuari i panelit, para Pallatit të Kulturës, ai shpiku e shpifi atë thënie per njerëz te ndershëm e hallexhinj, ndonëse pas 2-3 muaj (në tetor 1990) u be vetë një jashtëqitje. [Metro]: Kadareja në TV francez në kanalin Fr3 e ka thënë shprehjen e famshme dhe kur drejtuesi i emisionit e pyeti: Po ju çfarë jeni, monsieur? Edhe ju keni ardhur në Francë comme réfugié politique, n’est-ce pas? Dhe në këtë moment Kadareja filloi të belbëzonte dhe të pinte gotën me jus d’orange që ishte mbi tavolinë në mënyrë robotike dhe duke u munduar të thoshte se: shiko unë nuk doja të thoja këtë, por duhet të më kuptoni që shiko po dmth në fakt por…me një frëngjishte të çalë.
E kështu me radhë.
Nuk besoj që jetëgjatësia e kësaj shpifjeje/gënjeshtre/pasaktësie t’i detyrohet thjesht forcës mbetëse të Sigurimit të Shtetit; një pjesë e atyre që janë të bindur se Kadareja “e kanë thënë”, kujtojnë edhe “fjalën e tij në miting” që përndryshe nuk ka ndodhur. Ndoshta kjo do të ishte më shumë instancë e një psy-op-i i cili, me kalimin e viteve, ka kaluar nga rrafshi i realitetit në atë të kujtesës kolektive – nëpërmjet një procesi të së menduarit magjik-mitologjik.
Disa prej nesh këtu do të mendojnë edhe për Efektin Mandela, i cili ndodh atëherë kur i njëjti kujtim i rremë shfaqet në një masë njerëzish dhe që, me gjasë, ka lidhje me përshtatjen – e pavetëdijshme – që ia bën kolektiviteti narrativave historike reale, për t’i “normalizuar”. Në kuptimin që atë thënie, jashtëqitja e kombit, duhej ta kish thënë Kadareja, edhe sikur të mos e kish thënë: e vërteta e këtij lloj normalizimi e tejkalon forcën e fakteve. Pikërisht këtë dobësi të kujtesës kolektive e shfrytëzojnë edhe psy-op-et të shërbimeve të dizinformacionit.
***
Që të kishte suksesin që pati, keq-atribuimi i jashtëqitjeve të kombit kish nevojë edhe për përmasën orale, sipas së cilës ende shtjellohet komunikimi në shoqërinë shqiptare bashkëkohore. Në kuptimin që shumë prej nesh nuk i japim rëndësi procesit të verifikimit të bindjeve dhe të dijeve që kemi (verifikim që zakonisht kryhet sipas përmasës së shkruar: teksteve, formulave, kalendarëve, fotove, videove), por e konsiderojmë si provë vërtetësie vetë faktin që e mbajmë mend diçka. Oraliteti paravendon besim të plotë te kujtesa individuale: “unë isha atje”, të thonë, duke e anuluar si me magji distancën midis çfarë (kujtojnë se) kanë parë a dëgjuar, dhe çfarë ka ndodhur vërtet. Dhe kjo sepse oraliteti, me përkufizim, nuk mund ta vërë në pikëpyetje kujtesën, sikurse nuk mund ta pranojë mundësinë e një kujtese të deformuar ose të rreme. E shumta mund të pranojë harresën: “ti s’e mbake mend mirë,” të thonë, në rast konflikti raportesh për të njëjtën ngjarje.
Që kjo histori, e Kadaresë si autor të shprehjes jashtëqitja e kombit për dykorriksat, vazhdon të qarkullojë lirisht edhe sot, nuk më duket, pra, aq efekt i një përpjekjeje të organizuar të Sigurimit të Shtetit (dhe vazhduesve të tij) për ta përbaltur shkrimtarin, sa provë e implantimit të një narrative të rremë në kujtesën kolektive, nëpërmjet rrëshqitjes (drift) nga rrafshi i historisë në rrafshin e mitit. Dhe miti nuk ka nevojë për verifikim: është i vërtetë thjesht sepse është.
Të marrim edhe vetë personazhin e “Ismailit” në vetëdijen dhe imagjinatën kolektive, figurë antonomazike të poetit rapsodik (vate). Historia që tregon Xhelil Gjoni (shih më lart), se Ramiz Alisë i paskësh pëlqyer formula e “jashtëqitja e kombit” kinse e sajuar prej Kadaresë aq sa ta kish porositur Xhelilin t’i thoshte Kadaresë që Ramizi dëshiron që ti të bësh një vjershë për këtë është kaq groteske… jo vetëm ngaqë Kadareja atë kohë nuk shkruante më poezi dhe, aq më pak me porosi (on demand); por edhe ngaqë në atë periudhë Alia e kishte frikë Kadarenë dhe nuk mund të guxonte që të tallej kështu. Prandaj edhe narrativa e shkrimtarit rapsod, që merr porosi nga “i madhi fare” që të kërrejë një këngë të re me lahutë për dykorriksat, i përket universit mitik të oralitetit – ku historia shkruhet nëpërmjet vjershërimit gojor. Dhe sa për frikën e Alisë dhe e gjithë “progresivëve” të Alisë në udhëheqje, këtë e provon edhe vetëm reagimi i këtyre aq i flashkët, pas arratisjes nga Shqipëria të shkrimtarit, mu kur në Tiranë po zhvillohej – në mos qofsha edhe unë viktimë e efektit Mandela – një konferencë e shumëpritur e ministrave të jashtëm të Ballkanit.
(c) 2020-2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Kjo, në një intervistë dhënë gazetës Panorama; cituar nga ky burim (https://lapsi.al/2015/01/12/ballafaqimi-a-ka-thene-kadare-refugjatet-jane-jashteqitja-e-kombit/).
[2] Këtu dhe më poshtë i referohem një artikulli nga Enrique Del Risco, të ri-botuar në blogun Academia de la Historia de Cuba en el Exilio, me titull “Gusanos, mercenarios, bandidos, escorias: Historia de las falsificaciones contada por sus palabras” (http://academiahistoriacubaexilio.blogspot.com/2019/02/historia-de-las-falsificaciones-contada.html). Ngjashëm me termin dykorriks, edhe pjesëmarrësit në ekzodin kuban do të njiheshin më pas me termin marielitos.
[3] Gusanos nuk mund të jetojnë veçse në kalbësi […] Nuk mund të jetonin, as të bëheshin vegla të imperializmit, përveçse në botën dhe mjedisin e korruptuar, ku gjendej populli ynë para datës së ndritur të 1 janarit 1959.”
[4] Populli ynë punonjës mendon unanimisht: “Të shporren përtacët! Të shporren antisocialët! Të shporret lumpeni! Të shporren kriminelët! Të shporren skorjet!”
[5] https://studimepolitike.wordpress.com/2012/01/30/194/
[6] Shqipja vernakulare, në mënyrë karakteristike, përdor shprehjen jashtë shtetit për të përcjellë një koncept që në anglishte del si abroad (overseas), në italishte all’estero, në frëngjishte à’létranger, në gjermanishte im Ausland, në rusishte за рубежом (рубеж “kufi, prag”), në greqishte στο εξωτερικο, në serbishte иностранство; në turqishte yurt dışın(da). Nuk kam të dhëna historike se kur ka filluar të përdoret kjo jashtë shtetit në shqipe, por intuita më thotë se jo më herët se mbyllja rigoroze e kufijve shtetërorë, ose vendosja e regjimit totalitar në Tiranë, kur pushteti erdhi dhe u identifikua me shtrirjen territoriale të shtetit.
[7] https://www.newsbomb.al/artan-fuga-politikanet-i-konsiderojne-azilantet-si-jashteqitja-e-kombit-10176
[8] http://ramadanopinione.blogspot.com/2017/06/biseda-pas-perdeve-vazhdim_30.html
[9] http://www.zemrashqiptare.net/news/10546/ilir-dardani-shqiptaret-keta-armiq-te-kombit-shqiptar.html?skeyword=a
[10] http://gazetashqiptare.al/2017/09/15/ismail-kadare-eshte-shpifje-nuk-i-kam-quajtur-refugjatet-jashteqitje-e-kombit/
[11] Dikur më patën akuzuar edhe mua, pa të drejtë, si “përhapës të kësaj shpifjeje.” Akuza erdhi nga një amator, M. Aleksi, që bëri pak zhurmë në tabloidët, por e gjitha kjo ndodhi për faj të revistës italiane me një farë emri, Lettera internazionale, ku kish dalë përkthimi i një esesë sime të botuar më parë shqip, por ku dikush pat futur duart në tekstin e përkthyer kushedi pse. Revista i kërkoi pastaj falje botërisht autorit (mua) dhe lexuesve të vet, dhe unë shpresoj ta kem mbyllur atë çështje, prandaj nuk po i kthehem muhabetit: është pa interes për temën.
[12] https://www.albdreams.net/te-pathenat-e-kadarese-asnjehere-nuk-kam-thene-jashteqitja-e-kombit/
[13] https://shkoder.net/fjala/2004/bdelia.htm