KRONIKË NË FJALË

nga Blerina Kanxha

Mendova se duhet të marr dikë me vete në ceremoni sepse nuk mund të shkosh lirisht vetëm në një ceremoni mortore që as të përket e njëkohësisht të përket: është diçka që nuk të përafron në ngushëllim. Nuk je i pangushëllueshëm, por as ngushëllon dot.

Ndaj mora një taksi dhe më çoi deri pas Operas ku e gjithë rruga ishte e trazuar dhe e bllokuar, gati e papërgatitur për çfarë po ndodhte e që po vijonte të ndodhte. Mora një paketë cigaresh duke ditur traditën jo aq të vjetër të ndarjes së duhanit me njerëzit që vijnë e ngushëllojnë e duke ditur shumë mirë që asgjë nuk ma justifikonte praninë, madje ndihesha krejt pa vend në atë ceremoni.

Dhe ende ndihem pa vend kur shkruaj, por koha duhet tjerrë me fjalë. Me dijeni të plotë për patetizmin dhe kërshërinë që rrethon këto ngjarje nuk mund të dukem si një njeri me tre të paudhë në kërkim të një udhëheqësi të cilin më duhet ta riformuloj vetë, të cilit do të mund t’i “nënshtrohem” sipas rregullave të mia.

Ndanë Operas gjendej një tufë me gardianë të cilët ishin mbledhur si për të kryer një adet duke pritur radhën e tyre për të performuar. Televizionet, bashkë me furgonët e tyre ishin renditur pa kiamet brenda perimetrit të kortezhit. Në televizorët e vegjël brenda makinave riprodhohej po i njëjti kumt viziv, i lodhshëm, një mori njerëzish në radhë për të nderuar a përshëndetur apo për të bërë një udhë te një i vdekur që me siguri diçka të mbrapshtë e therëse do ta kishte menduar për këtë koreografi.

Nuk nxitoj sepse këmbët kanë dyshimet e veta e më nëpërmendet gjithë turbullima e ironisë mbi qelqet e plasura në derë, në fakt Kadare ka patur një humor krejt të thatë, saqë habia dhe dramaticiteti i lashtë i plasjes së qelqeve me verë në portë ndoshta e ka bërë të mendojë se sa thjesht mund t’ia shpikim metaforat jetës që jeta të ketë kuptim për ne të tjerët.

Ngjitem në radhë dhe shoh një poet të vjetër, të hutuar të cilin vapa dhe xixëllima e diellit nuk ja jep më asnjë hir, asnjë grimë elegance porse atë të mjerimit të plakjes. Diçka që nuk do duhej të kishte ndodhur. Gazetarët në të djathtë, të veshur sak në të zezë sapo dëgjojnë dikë të thërrasë “merre poetin”, marrin përgjigjen e thatë dhe të prerë se nuk ka asnjë prononcim.

Pranë meje janë: një ministër, një ish-ministre, një funksionar i klerit katolik, një i huaj që bëhet me dije se është i huaj, një armatë deputetësh, një regjisor dhe dy shkrimtarë të rinj që fati i tyre, që ia kanë mbjellë vetes është të plaken të vajosur në rini pa thënë asgjë me kumt të vetin në jetën e tyre.

Njëjtë si në fjalitë e romaneve të tyre të dobëta rrokulliset edhe turma si për t’ia vënë armën kallëzuesit të mbajë fjalinë më këmbë, pa ditur në fakt se ne jemi mbledhur për të marrë vesh se ç’do të bëhet me kryefjalën.

Teksa ngjis shkallët e Operas dëgjoj klerikun që flet për një takim të anuluar për shkak se studiuesja nuk ishte e nivelit të duhur për të përcaktuar një çështje; dëgjoj një deputet që mbllaçit pozitën e një kolegeje të tijën duke nënçmuar aftësitë e saj sikur një djalë që picërron fjalët me inat; dëgjoj një shkrimtar që thotë se ka harruar si vendoset kollarja; dëgjoj një grua që merret vesh me dikë se letrat e firmosura (s’di për çfarë) ajo i ka me vete dhe se personi duhet të vinte deri pranë radhës nëse donte t’i merrte ato dokumente; dëgjoj regjisorin që po kërkon gruan në telefon duke i thënë se sa mirë do ishte të shkonin bashkë në ceremoni; dëgjoj gazetarët që e kanë tëhollur dhimbjen dhe e kanë kthyer në petë të thërrmuar pune; dëgjoj marshet funebër që jehojnë nga brenda sallës; dëgjoj poezitë e shkëputura duke e ditur qartë nga cili artikull në internet i kanë marrë, pasi ua njoh dhe gabimet në tekst; dëgjoj zëra të qashtër dhe pa emocion që nuk dinë ku t’i drejtojnë ngushëllimet. Prej hijes kalojmë në sallë dhe nuk më përzhiten sytë me ekranet që shfaqin imazhin e tij.

Teksa gjithë aradha e njerëzve shtypin majat e thembrave në tokë për të bërë paradën e nderimeve, mua nuk ma bën zemra të shkoj pranë arkivolit. Më priten gjymtyrët nëse afrohem afër një trupi të vdekur. Kujtoj natën që lexova “Në koloninë ndëshkimore” të Kafkës që sot (3 korrik) ka ditëlindjen, e fill pas saj Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur dhe nga i gjithë turbullimi, ndieja që kisha dhé të gjallë nën këmbë dhe të vjellat ishin pasojë shumë e vogël e atij leximi.

Leximet janë krejtësisht personale, aq sa nëse dikush do nuhaste diçka mbi të cilën mund të ndërtojë një mori kundërshtimesh, leximi do strukej si lule e egër, duke mbyllur me vendosmëri kthetrat e petaleve. Jo keq, si mendim. Disa javë më parë dëgjova dikë t’u referohej shkrimeve të Kadaresë si një mori lënde të arkivuar në një pallat shumë të bukur ëndrrash: pak të thuash që nuk e ka lexuar librin, e mu këtu doja ta rëndoja mendimin se si një autor kaq i përfolur, është pak i lexuar. Ose ata që e kanë lexuar nuk duan ta diskutojnë dhe përdorin titujt e librave të tij si alibi për të përligjur ndonjë subjekt.

——–

Kur hyra brenda para meje kisha poetin e vjetër, krejt pa veri në ulëse. Në radhën e parë shoh shkrimtarë të rinj të letrave shqipe të rreshtuar si për t’u shërbyer kafetë kur hapen dyert e shtëpisë për të vdekurin. Presim kortezhin paraprak të ndalë. Shtyjnë një tufë delegacionesh për t’u ulur në një radhë të largët dhe të respektueshme mjaftueshëm. Unë vendos syzet dhe dëgjoj kryeministrin që tenton të nderojë duke njëjtësuar ironinë dhe sarkazmin e shkrimtarit të vdekur sikur ai vetë të ishte në funeralin e tij. Çfarë ëndrre, të jesh në funeralin tënd! Çfarë imagjinate që me siguri një komedi amerikane e kishte kopsitur deri në detaj, do të jetë prodhuar dhe shumëfishuar në të gjitha rimarrjet moderne të vetë librave që shkrimtari i pat mbajtur në nënkresën e tij.

Në nderim të një shkrimtari mendoj zërat e butë dhe të regjur në mençuri të shkrimtarëve nga bota të cilat i ndjek me endje dhe gjithë çfarë doja të dëgjoja për shkrimtarin që ka shënjuar rininë time si pakkush, që vjen nga vendi im dhe me të cilin, në mënyrë të pashmangshme, lidhet gjithkush që jeton jashtë dhe merret me belatë e kulturës: prisja të dëgjoja një reflektim mbi çfarë letërsia dhe shkrimtari mund të bëjnë nëse përmasa e tyre njerëzore tejkalohet. Përtej gjithë konflikteve dhe qëndrimeve jo fort të rehatshme në të cilat mund të gjendemi shpesh në biseda sa herë përmendet Kadare, fijet e tij me praktikën që e ka mbajtur në emër u fanit në përkujtimin e tij.

Si do të mund t’ia shpjegosh dikujt që një shkrimtari (pavarësisht qëndrimeve të cilat i mbivihen) që ka shkruar gjithë jetën e tij e përmes të cilit lidhet e qepet një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e letërsisë shqiptare, të përkujtohet me një përkthim të një poeti që vetë shkrimtari ka përkthyer, si një sprovë. Shkrimtarët si përkthyes, jo doemos i bien me sëpatë paaftësisë për të riprodhuar vetë kumte, porse janë komunikime të përbrendshme, intime, që palosin të gjithë enciklopedinë kulturore brenda një shprehie; por kësaj radhe, e gjithë kjo rrugë drejt shpalosjes së kësaj marrëdhënieje, me dashje apo pa dashje, u mor prej një tjetër shkrimtari. Në këtë kulturë që fryhet dhe ngihet prej skandaleve që zgjasin disa sekonda, legjenda mbetet thua i prerë keq, plaga e të cilit, nuk është më as damkosje, as turp, as nerv, vetëm nam.

Kjo është sepse personi i cili e adresoi homazhin, jo doemos e kuptoi detyrën se, shkrimtari, në fakt, edhe në më të keqen e tij, ka shkruar vetë, për jetën dhe vdekjen.

Ngjan si një përcjellje e “legjendës dhe së vërtetës të minimit të Tiranës”. I gjithë fjalimi dërgonte mina (nuk e dimë se ku), e vijonte e rriste përqendrimin për të deshifruar si jeta e një shkrimtari që e pranonte vdekjen si pjesë gati të papërfillshme të jetës, derisa gjithë ky urdhërim për vëmendje, për sqarim se humori dhe sarkazma janë ato mjete që do e kishin nxjerrë nga belaja dhe sikleti këdo që donte të thoshte dy fjalë më shumë, e gjithë kjo farfurimë e potere sepse-sh: u zhduk.

“Ç’u bënë vallë, humbën rrugën, u rroposën nën dhé, ranë në hon, u shfarosën nga minjtë, mbytën njëri-tjetrin, u çmendën? E gjitha kjo mbeti nën tokë. Mbi tokë mbeti vetëm gojëdhëna.”

Asnjë fjalë për shkrimtarin. Të gjitha fjalët për poetin.

Duke folur me sikur dhe me ose po, edhe pse, ah more, si more, mbeti shenja e fundit e shkrimtarit që iu palit me atë të përkthyesit. Një shaka që edhe vetë Kadare do ta kishte trilluar, por që të gjithë e dimë që askujt nuk do t’i kishte sëmbuar në zemër. Marshi funebër vijon dhe shpërhapet në ajër, por gjithmonë kam menduar që Kadare duhet ta ketë pëlqyer rock-un e butë. Paçka se nëse e lexon, e kupton që muzika nuk është sport i tij. Mjaft të lexosh dy poezi. 

Pas mbarimit të nderimeve dalim për të pritur arkivolin të vendoset brenda makinës së fundit. Për një njeri të fiksuar me mjetet ushtarake dhe lëvizëse, makina ishte krejt e rëndomtë njëjtë si disa subjekte që përndriten me heshtjen e karaktereve: me disa kurora lulesh te mpleksura njëra-mbi-tjetrën. Shoh targën: AB 465 DC. Therra e fundit, as targat nuk e renditen saktë alfabetikisht. Secili nga grupet e njerëzve vendoset nën hijen e ndonjë peme që sërish s’bën punë. Familja e shkrimtarit ecën nanuritshëm. Duan ta varrosin më vete.

Këmbët nisin të ecin duke menduar se kujt dreqin do ja tregoj këtë që pashë.

© 2024 Blerina Kanxha. Të gjitha të drejtat janë të autores.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin