VARIACIONE RRETH TEMËS

Sot dola për shëtitjen e zakonshme në park dhe, teksa po kthehesha, pyeta veten se çfarë kisha vënë re gjatë kësaj shëtitjeje, që ta dallonte nga të tjerat që kam bërë javën që shkoi, sipas të njëjtit itinerar, dhe praktikisht në të njëjtën orë të ditës. Nuk kujtova dot gjë, përveçse kisha parë për një copë herë një pulëbardhë që rrinte mbi një bovë bojë portokalli, afër bregut të liqenit, dhe që me siguri nuk arrinte dot të ftillonte pse po i sillej bota me ngadalë përreth bashkë me vendin ku kish qëndruar, edhe pse me siguri nuk ndihej dhe aq e kërcënuar dhe mbase tashmë kish bërë paqe me këtë efekt anësor të privilegjit që ia jepte vendi. Në fakt kjo pulëbardhë, me gjithë bovën bojë portokalli dhe marifetin e rrotullimit pa shkak, m’u kujtuan sepse para nja një muaji, kur kisha dalë shëtitje tek ai park me shoqen time, kishim parë në thelb të njëjtën skenë, edhe pse me siguri pulëbardha do të ketë qenë tjetër – por bova ishte po ajo, dhe efekti i rrotullimit të ngadalshëm po ai, dhe hutesa e pulëbardhës po ajo: nuk kam arsye të mendoj që dy pulëbardha të kenë aq individualitet, sa të mos hutohen njëlloj. E kishim parë, pra, atë skenë, me pulëbardhën që dukej edhe më e shtangët, më statike ashtu në rrotullim, dhe kishim qeshur;  prandaj edhe e kisha vënë re pulëbardhën herën e dytë, sepse më ish kujtuar hera e parë; paçka se hera e parë nuk do të më kujtohej më, sikur të mos ish përsëritur skena. Por gjë tjetër nuk mbaja mend nga shëtitja, sepse parku mbetej i pandryshuar, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, madje me pak licencë poetike mund të përfytyroj edhe se nuk kanë ndryshuar as ata pak njerëz që më qëllon të shoh atje dhe që, pa u munduar, mund t’i marr si personazhe të llojit NPC (non-player characters) në një video-game, prani që vendosen aty nga softueri i lojës, për t’i dhënë eksperiencës sime një farë vërtetësie minimale, jo dhe aq të dallueshme nga ngjyra e ujit në liqen, që më duket gjithnjë (fatmirësisht) e rifreskuar; sepse, madje tani që e mendoj, një grua e thinjur por dinamike, me të cilën më kryqëzohet shpesh rruga, dhe në të njëjtin cep të parkut; një grua që mbase paguhet për të shëtitur një lukuni të ndërlidhur qensh të qetë, disa prej të cilëve me pamje deleje ose gjithsesi prej bagëtish të imëta; kjo grua, pra, që bie në sy edhe për një masë të ekzagjeruar dhëmbësh që nuk i kontrollon dot aq mirë sa kolektivin e qenve dhe mezi arrin të mos i lërë t’i bien përdhé, sa herë që ua tregon të tjerëve në buzëqeshje; kjo grua nuk mund të jetë veçse edhe ajo NPC, e skriptuar që të thotë disa pak gjëra të sheshta, kur kuvendon me NPC të tjerë, dhe që pastaj të zhduket, sapo të dalë nga fushëpamja ime; softuerit dhe video-kartës u kushton kohë dhe energji, që t’i mbajnë të gjalla këto gjëra në ekran – si me thënë, “në ekran”. Shëtitja ime kaq e shpeshtë, madje e rregullt, në park është e tillë që t’i ngjajë edhe ajo, si event, një gjëje të skriptuar, të paktën në vija të trasha, duke lejuar vetëm pak variacione të parëndësishme, të cilat softueri i vendos atje falas, edhe sikur unë të mos i vë re aspak; dhe në këtë rast mbase ia vlen të pyes se kush do t’i vërë re, kur unë, “lojtari” që lëviz fijet nuk e bëj; pyetje që nuk mund të marrë si përgjigje veçse këtë që variacioni kushton më pak – në elektrone, në kohë kompjuterike dhe kushedi ç’tjetër – se përsëritja mekanike, disiplina e hekurt sekuenciale; çfarë shpjegon edhe pse shëtitjet e mia në park përsëriten vërtet, por në mënyrë ekzakte vetëm e vetëm kur unë nuk i krahasoj; dhe me variacione, me të filluar unë të alarmohem nga identiteti. Sepse, përndryshe, zemerekut që e rregullon eksperiencën time të përditshme, përfshi edhe shëtitjet, rimarrjen aq besnike të itinerarëve, dhe përshëndetjet me NPC-të që popullojnë parkun, do t’i interesonte që variacionin ta klasifikonte si mënyrë manifestimi të identitetit dhe ta përdorte për të më ndihmuar mua, subjektin e vetëdijshëm, cogito-n, ça pense-in, që të gënjej veten dhe të besoj se kaloi edhe një ditë, dhe se universi – me gjithë kupën e qiellit, Diellin, Hënën, planetët dhe yllësitë, madje edhe satelitët e Elon Musk-ut, u rrotulluan nga pak rreth meje, siç i rrotullohet bregu pulëbardhës; asaj pulëbardhe mbi bovë që, sa kohë që unë nuk bëhem mbarë t’i përvesh pantallonat dhe të shkoj ta verifikoj që është atje vërtet, mund të jetë edhe strumbullari i kësaj bote.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet janë krijuar me MidJourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin