QASJE NDAJ ETIMONIT TË FJALËS SHQIPE (III)

nga Bardhyl Demiraj

Orientime të ndryshme në shkencën e etimologjisë

Hulumtimit etimologjik të gjuhës shqipe në periudhën e ashtuquajtur ‘shkencore’ i është dashur të ndjekë jo rrallë hulli e shtigje të reja e gjithherë shumë më të vështira prej sosh që orientojnë shkencat etimologjike të gjuhëve të sotme romane, sllave, gjermanike, etj. në Europë. Prashtu, gjuhë romane si italishtja, frëngjishtja, rumanishtja etj. kanë përgjithësisht si cak orientimi themelor, gjuhën e tyre mëmë, latinishten, e cila i gëzon një tradite shkrimore të pandërprerë qysh prej fazave të hershme të antikitetit. Andaj edhe një romanist etimolog ecën i sigurt e me këmbë në “tokë” gjuhësore latine, duke u përballur për shumësinë e leksikut historik-etimologjik të gjuhëve përkatëse romane me një hapësirë të kufizuar në kohë, e cila më së shumti nuk shkon më larg se 10 deri 15 shekuj. Bëjmë fjalë këtu për një periudhë, kur parabartësit e tyre flisnin ende ose edhe latinisht.

Rrethana akoma më të favorshme karakterizojnë përgjithësisht edhe studimet e natyrës etimologjike të leksikut të greqishtes së re, fazat e mëhershme të së cilës: greqishtja e mesme bizantine dhe ajo e vjetër deri në shek. XV p.e.s. (kultura minoase) dëshmojnë lëvrimin e një kulture të pandërprerë shkrimi. Përndryshe gjuhët gjermanike (gotishtja, anglishtja, gjermanishtja, etj.) mundësojnë të tjera rrugëtime në studimin etimologjik: falë përqasjes së materialit gjuhësor të përbashkët në gjuhë të ndryshme gjermanike, gjuhëtari historian dhe etimolog i secilës syresh arrin të rindërtojë me pak a shumë siguri për një numër shumë të madh njësish të fondit leksikor protoforma gjermanike, që shërbejnë si pikënisje, përkatësisht që shënjojnë fazën e përbashkët të zhvillimit në grupin e këtyre gjuhëve si degë e veçantë brenda familjes gjuhësore indoeuropiane. Rrethana të ngjashme karakterizojnë edhe studimet etimologjike të gjuhëve sllave, madje edhe të gjuhëve baltike në përgjithësi.

Parë nga kjo perspektivë studimi etimologjik i shqipes si degë e veçantë brenda familjes së gjuhëve indoeuropiane, si gjuhë me dokumentim shkrimor të brishtë, përkatësisht me tekste relativisht të gjata vetëm prej gjysmës së dytë të shekullit XVI e së fundi si gjuhë me shndërrime largvajtëse në të gjitha nivelet: në fonologji, morfologji, sintaksë e leksik, parakupton rrugëtime të ndryshme ndaj sosh të gjuhëve bashkëkohore fqinjë, si: greqishtja e re, rumanishtja me dialektet e saj arkaike në Ballkan (arumanisht, istro- dhe meglenorumanisht), serbishtja, maqedonishtja dhe italishtja, të cilat lejohemi t’i konsiderojmë njëherësh si gjuhe moderne sa europiane aq edhe indoeuropiane.

Kjo rrethanë ka kushtëzuar edhe zhvillime specifike të studimit etimologjik të gjuhës shqipe në periudhën e ashtuquajtur ‘shkencore’, të cilat po i përmbledhim thukët në vijim të kësaj pjese përmbyllëse në shkrimin tonë:

Ekskurs i hulumtimit etimologjik të shqipes përgjatë periudhës shkencore 

Më pak se 10 vjet pas botimit të veprës së Xylander-it, pikërisht në shkurt të vitit 1843 ishte bashkëthemeluesi i gjuhësisë së re historike-krahasue, Franz Bopp d.v., që pjesëmori në diskursin shkencor akademik (në Berlin) me një kumtesë mbi burimin indoeuropian të numërorëve themelorë të ulët në gjuhën shqipe. Dikur, pas një dekade, shi më 18 maj 1854 pasoi një referim i dytë dhe më i plotë i tij, i cili përjetoi një vit më vonë dritën e botimit e në të cilin Bopp-i provon dhe përsos me akribi shkencore përfundimin e tretë intuitiv të Xylanderit (sh. lart §2.2), duke mëtuar: “…që gjuha e përmendur [= shqipja – B.D.] në fakt i takon pa mëdyshje familjes indoeuropiane, por në përbërësit e vet themelorë nuk qëndron në lidhje të ngushta farefisnie me asnjë ndër gjuhët e tjera sanskrite [= indoeuropiane] të kontinentit tonë.”[1] Për të ardhur në këtë përfundim, Bopp-it sigurisht iu desh të shqyrtonte e të sillte argumente pozitive lidhur me burimin indoeuropian edhe të një numri të konsiderueshëm njësish që i takonin leksikut themelor të shqipes, sikurse edhe atë të disa morfemave (mbaresave) në strukturat e saj morfologjike të eptimit. Andaj nuk kemi përse gabojmë, në rast se mëtojmë tash që ishte pikërisht Bopp-i ndër të parët gjuhëtarë në mos i pari që jo vetëm leu shqipen me bagmin e gjuhës dhe të degës së veçantë brenda familjes gjuhësore indoeuropiane, por preu po ashtu i pari shiritin e fazës së re ‘shkencore’, ku hyri edhe hulumtimi etimologjik i leksikut të saj. Prashtu, pas një përllogaritje të thjeshtë rezulton që kjo fazë të ketë filluar për gjuhën shqipe jo më parë se vitet 40’-50’ të atij shekulli.

Asgjëmangut, vështirësitë e mëdha të natyrës metodike shkencore, të kushtëzuara këto edhe me dokumentimin relativisht të vonë të shqipes, sikurse edhe vetë natyra e shtresës indoeuropiane të leksikut të saj, ku janë fshirë në shumësinë e vet kufijtë morfematikë të strukturave burimore fjalë- dhe formëformuese, bëri që të mos përjetonim menjëherë një interesim në rritje të studimit historik dhe etimologjik të kësaj gjuhe në dy-tri dhjetëvjeçarët e mëvonshëm, kur, përpos ndonjë ndërhyrjeje sporadike[2], feksin sidomos studimet e sllavistit dhe ballkanologut të njohur slloven Franz Miklosich, i cili u përpoq të zhvillonte – në shumë raste me sukses (!!!) – një metodikë pune të sigurt lidhur me pikasjen dhe mbledhjen e sllavizmave, të romanizmave dhe turqizmave në këtë gjuhë[3].

Në fazën e fundit të shekullit XIX ishte studiuesi gjerman Gustav Meyer – i mirënjohur në kohën tonë, me të drejtë, si Babai i Albanologjisë Moderne – ai që arriti një pikë kulmore në studimin etimologjik të shqipes. Njohja e themeltë e shqipes dhe përkushtimi tërësor ndaj klasifikimit dhe përshkrimit të saj historik në fushat e gramatikës e të fonologjisë (AS I 1883, AS II 1884 dhe AS III 1892) ia lehtësuan atij punën sistematike në shqyrtimin ballor etimologjik të leksikut të shqipes, aq sa njihej dhe ashtu siç e pasuroi ai vetë atë kohë. Vendimtar në suksesin e hulumtimit etimologjik ishte pa dyshim edhe formimi i tij solid në fushën e gjuhësisë historike-krahasuese dhe indoeuropiane, sidomos përditësimi me paradigmën e re të drejtimit gjuhësor diakronik që ndërmori Shkolla e Gramatikanëve të Rinj, e cila bazohej në rregullsinë e shndërrimeve (= ligjeve) fonetike dhe rolin e analogjisë në zhvillimin (para)historik të gjuhëve indoeuropiane. Frut i kësaj pune është edhe “Etymologisches Wörterbuch des Albanesischen” (= Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe. Straßburg 1891), që ka përjetuar ndërkohë dy ribotime[4] dhe ruan sot e gjithë ditën vendin e parë në tavolinën e punës së çdo gjuhëtari historian dhe etimolog të shqipes.

Fati fanmirë erdhi dhe ndoqi studimin etimologjik të gjuhës shqipe edhe në fillimet e shekullit XX me albanologun hebre gjermano-austriak Norbert Jokl, prurjet e të cilit shërbyen si sinor orientues në diskursin shkencor që shoqëroi hulumtimin etimologjik e përgjithësisht studimet historike në fushë të shqipes, – cilësuar prej tij si fëmija e njerkës në indoeuropianistikë – përgjatë gjithë gjysmës së parë të këtij shekulli[5]. Fundi i tij makabër prej dhunës naziste bëri që Jokl-i të mos e përmbyllte dot punën e tij intensive mbi fjalorin etimologjik dhe gramatikën historike të shqipes.

Përpos prurjeve themelore në etimologjinë shqipe emri i Jokl-i mirënjihet edhe për rolin e tij si ligjërues specialist i gjuhës shqipe në programin universitar të shkollës gjuhësore të Vjenës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në formimin solid dhe mbarështimin e adeptëve të rinj, shi në atë qerthull problematik që rrokte studimi historik dhe etimologjik i kësaj gjuhe. Njëri ndër studentët që u ndikua më shumë dhe vijoi më tej punën e tij si etimolog i gjuhës shqipe është albanologu i mirënjohur Eqrem Çabej (6.8.1908 – 13.8.1980), i cili pas përfundimit të studimeve në Vjenë në vitet 30’ të atij shekulli erdhi, pa dhe përhapi në Shqipëri paradigmën shkencore të hulumtimit etimologjik. Çabej ishte dhe mbeti deri në fund të jetës figura aktive qendrore e shkollës albanologjike shqiptare, ndërkohë që vepra e tij madhore në 7 vëllime (kryesisht postume) “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (bl. I-VII, Tiranë 1976-2015) ruan dhe gëzon sot e gjithë ditën statusin e vademekumit shkencor të etimologjisë shqiptare.

Izolimi i plotë politik-ideologjik i Shqipërisë prej botës dhe qytetërimit perëndimor qysh në gjysmën e viteve 40’ deri në fillim të viteve 90’ të shekullit të shkuar solli me vete pasoja negative që ndihen sot e gjithë ditën edhe në studimet etimologjike shqiptare, sidomos kundrejt zhvillimit galopant që përjetoi dhe përjeton gjuhësia historike-krahasimtare dhe indoeuropianistika në Perëndim, lidhur me a) njohjen dhe përvetësimin qoftë të teorive të reja, si p.sh.: teoria e laringaleve, dukuria e ablautit indoeuropian, shndërrimet kategoriale në bashkëlidhjet dimensionale ‘aspekt’ >< ‘mënyrë veprimi’ me ato ‘kohë’ >< ‘mënyrë’ në sistemin foljor, variacioni funksional i theksit në paradigmat emërore dhe foljore etj.; ashtu edhe b) me përshtatjen dhe përdorimin e aparatit të ri metodik në rindërtimin e brendshëm dhe në atë të protoformave burimore të fondit leksikor indoeuropian në shqipe.

Kjo diskrepancë teorike dhe metodike në hulumtim vihet re me gjithë prurjet e tyre të rëndësishme edhe në aktivitetin e disa gjuhëtarëve historianë dhe etimologëve shqiptarë e ndonjë i huaj në kohën tonë si Vladimir Orel[6], David Luka[7], Kolec Topalli[8] e së fundi edhe Albert Riska[9], në veprat e punimet jo më pak të rëndësishme të të cilëve gjetën dhe gjejnë paraqitje disi modeste prurjet e gjuhëtarëve indoeuropianistë dhe albanologë perëndimorë të kësaj periudhe e deri në ditët tona. këta operuan dhe operojnë në tjetër nivel studimi gjuhësor-diakronik dhe etimologjik. Dallojmë këtu sidomos prurjet e studiuesve të ndryshëm indoeuropianistë dhe albanologë, si: Eric Hamp[10], Martin Huld[11], Frederik Kortlandt, Robert Beekes, Michiel de Vaan, Stefan Schumacher, Joachim Matzinger, Olav Hackstein, Sergio Neri, etj.[12]

Ky ngërç i përftuar dikur në Shqipëri e – falë mungesës së një tradite hulumtimesh kësodore – edhe në pjesën tjetër të hapësirës shqipfolëse dhe diasporë, është përkeqësuar dukshëm këtë shekull të ri, duke marrë përmasa vërtet rrëqethëse, që kanë të bëjnë kryesisht me arsye të natyrës sidomos administrative-organizative, të cilat kanë ndikuar negativisht deri në mënjanimin e plotë të lëndëve të gjuhësisë diakronike prej programeve universitare, përkatësisht në ndryshimin e funksionit të tyre si ‘lëndë me zgjedhje’, çka ka ndikuar sipas parimit të bumerangut në rrudhjen deri në mosnjohje të personelit mësimor specialist në fusha të kësaj natyre. Asgjëmangut, kjo dukuri u nxit, d.m.th. u përkeqësua në këto vise deri diku, sidomos në vitet 90’ të shekullit të kaluar, prej largimin masiv të trurit intelektual drejt Perëndimit, siç bëri p.sh. edhe shkruesi i këtyre radhëve.

Ky hendek nuk shfaqet patjetër me këto përmasa në dy pamje të tjera të studimit etimologjik të gjuhës shqipe, të cilat parakuptojnë tjetër bazë teorike dhe aparat metodik në hulumtim. Bëjmë fjalë këtu: a) për një pjesë të konsiderueshme të leksikut që i takon fondit të huazimeve gjithfarësh në gjuhën shqipe, sikurse b) për pjesën mbizotëruese në fondin leksikor të gjuhës shqipe që përbëhet prej fjalësh jo të parme, përkatësisht sosh të përftuara sipas gjedheve të larmishme fjalëformuese brenda strukturës morfologjike të gjuhës shqipe.

Asgjëmangut, edhe këto njësi leksikore gëzojnë të drejtën e interpretimit etimologjik, i cili në rastin e huazimeve ka për synim përcaktimin e burimit të huaj së bashku me atë qerthull problematik që rroket në të: fiksimi i burimit të huazimit për secilën fjalë në veçanti, lloji dhe kronologjia e tij, e mbështetur dhe përforcuar me vendosjen rregullsive sistematike sa i përket përshtatjes fonetike dhe gramatikore të huazimit prej gjuhës dhënëse në gjuhën shqipe, shndërrimi kuptimor që kanë përjetuar dhe përjetojnë këto huazime në shqipe, përkatësisht në dialektet e saj, konteksti gjuhësor dhe realiet kulturpre-historike që kanë favorizuar dukurinë e huazimit, etj. Përndryshe pjesa tjetër ka të bëjë kryesisht me zbërthimin e strukturës fjalëformuese të fjalëve jo të parme, me marrëdhëniet e saj me leksemën a morfemën bazë brenda çerdhes leksikore përkatëse si edhe me përcaktimin e motivacionit e të gjedhes fjalëformuese. Zgjerimi i hulumtimit etimologjik edhe në këto pjesë të leksikut shoqëron përgjithësisht të gjithë zërat e regjistruar në fjalorët shpjegues modernë të kohës sonë.

Asgjëmangut, në rast se përqasim tash sado përciptas këto dy pamje për nga tradita e studimit, vërejmë se marrëdhëniet e ndërsjella të shqipes me gjuhët fqinjë ose me gjuhë të ndryshme me prestigj kulturor-administrativ dëshmojnë një traditë të hershme në hulumtim, e cila na kthen rishtas në fillimet e shekullit XVIII, bash në kërkesën e Leibniz-it se “Do të ishte mirë të dallohej në shqipe çka është e vetja prej asaj që është huazuar…”, si edhe në fillimet e hulumtimeve të para kësodore në shekullin XIX prej Franc Miklosich-it. Prashtu, pa dashur të zgjerohemi këtu në detaj, çka do t’i shpërthente edhe kufijtë e këtij shkrimi, lejohemi të përmendim tash në mënyrë selektive emrat e një numri të konsiderueshëm specialistësh shqiptarë e të huaj që dallohen me prurjet e tyre në shekullin XIX deri në ditët tona, sa u përket huazimeve në gjuhën shqipe:

  • prej greqishtes (së vjetër, të mesme dhe të re), ndër të tjerë: Albert Thumb, Hermann Ölberg, Gerta Uhlisch dhe Δώρης Κυριαζής / Dhori Qirjazi[13];
  • prej gjuhëve sllave fqinjë (sllavishte e jugut, serbishte, bullgaro-maqedonishte), ndër të tjerë: Agnia Desnickaja, Gunnar Svane, Xhelal Ylli, Anila Omari[14];
  • prej latinishtes, ndër të tjerë: Harald Haarmann, Cătălina Vătăşescu, Guillaume Bonnet[15];
  • prej italishtes, ndër të tjerë: Robert Helbig, Kristina Jorgaqi, Genc Lafe[16];
  • për fjalë (substrati ballkanik) të përbashkëta ndërmjet shqipes dhe rumanishtes, ndër të tjerë: Eqrem Çabej, Grigore Brâncuş, Shaban Demiraj[17];
  • Për orientalizmat dhe turqizmat e shqipes, ndër të tjerë: Norbert Boretzky, Tahir Dizdari, Gjorgji Bufli e Luciano Rocchi[18].

Ndryshe nga studimet e shqipes me gjuhët në kontakt, studimet e derisotme mbi strukturën fjalëformuese dhe sistemin e fjalëformimit të gjuhës shqipe dallohen për natyrën e tyre gjithrrokëse, në kuptimin që ato përqendrohen kryesisht në mbledhjen dhe klasifikimin e gjedheve të fjalëformimit të shqipes dhe jo në hetimin dhe saktësimin e tipit fjalëformues për çdo njësi leksikore të pathjeshtë në veçanti. Kjo detyrë jet dhe mbetet një desideratum në leksikologjinë, më saktë në leksikografinë e gjuhës shqipe dhe pritet të përmbushet në një të ardhme sado të largët, meqë ka zënë ndërkohë vend të qëndrueshëm në hartimin e botimeve akademike të fjalorëve shpjegues të një gjuhe.

Një karakteristikë e dytë e studimeve në këtë fushë është që ato, me ndonjë përjashtim të rastit, janë dhe mbeten prurje të gjuhësisë shqiptare. Ndër përjashtimet e rastit përmendim këtu botime të studiuesve Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler si edhe ndonjë studim me vlerë i Joachim Matzinger-it[19]. Përndryshe numri i studimeve dhe i studiuesve vendas është i gjatë, tejet i gjatë, andaj lejohemi të veçojmë këtu sidomos pjesët përkatëse në botimet akademike të gramatikës së gjuhës shqipe[20], ndërsa për studiues të ndryshëm citojmë këtu, ndër të tjerë: Kostaq Cipo, Androkli Kostallari, Enver Hysa, Mehmet Halimi, Ludmilla Buxheli[21]. Last but not least lejohemi të përmendim edhe atë lule të parë, që pret sot e gjithë ditën simotrat e veta në leksikologjinë shqiptare e që e përcolli dikur në diskursin shkencor Jani Thomai me veprën e tij: “Prejardhja semantike në gjuhën shqipe” (Tiranë 1989), vepër, ku autori rreket t’u japë gjak e jetë listave të rëndomta dhe uniforme të gjedheve fjalëformuese në gjuhën shqipe.

Përfundim

Përfundojmë rrugëtimin tonë me shpresë se arritëm të realizonim atë synim modest që sinjalizuam qysh në hyrje, d.m.th. të përditësonim lexuesin me etimologjinë shqipe si disiplinë ase nëndisiplinë e veçantë që ngërthen spektri studimor i gjuhësisë diakronike, përkatësisht i leksikologjisë historike të gjuhës shqipe në tërësinë e vet së bashku me ato kritere të punës shkencore që i sigurojnë asaj këtë status në kohën tonë. Vijuam të ecim kështu në atë hulli të mirënjohur në historinë e albanologjisë, parë kjo si shkencë komplekse rajonale e që ravijëzon si e tillë natyrën empirike-zbatuese të kërkimit gjuhësor-diakronik, duke iu përshtatur herët a vonë gjithë atyre zhvillimeve që ka përjetuar dhe përjeton në vazhdimësi qoftë baza teorike ashtu edhe aparati i saj metodik.

Janë bash kjo bazë dhe ky aparat, ku u fokusuam më fort në këtë shkrim, gjë që na lejoi të shtjellonim natyrshëm gjithë ato ndryshime që janë përftuar me kohë dhe ndërkohë në hulumtimin etimologjik të gjuhës shqipe, çka parakupton njëherësh si njohjen dhe miratimin e nevojshëm e të gjithë atyre arritjeve, të cilat, sipas kutit të sotëm matës, rezultojnë të jenë bindëse, ashtu edhe praninë e ngërçeve të rastit, të cilat presin zgjidhje në një të ardhme sado e afërt apo e largët qoftë. Jemi të ndërgjegjshëm se jo në çdo rast mundëm të përcillnim në detaj gjithçka që mëton ndërmarrje të kësaj natyre për gjuhën shqipe me specifikat e saj si degë e veçantë e familjes indoeuropiane, me një histori të stuhishme ballkanike në një hapësirë të ndodhur gjithherë nën trysnitë e Lindjes e të Perëndimit e me një dokumentim shkrimor të trishtë qoftë për lindjen e vonuar ashtu edhe për fushat e lëvruara me tekste shqip.

Asgjëmangut u rrekëm t’i afrohemi sa më pranë realitetit gjuhësor-diakronik të protoshqipes, që vjen me thënë pa e vatërzuar atë në asnjë rast si realitet gjuhësor të idealizuar. Kush syzon idealen në gjuhë, i vidhet natyrshëm realitetit, duke i vendosur barrierë qoftë edhe të padukshme, por gjithherë të panevojshme zhvillimit, i cili qëndron në vigjilje të së ardhmes. Andaj as qasjet ndaj etimonit të fjalës shqipe nuk kanë cak e fund.

© 2024 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet riprodhimi pa leje.

(Pjesa e I, Pjesa e II)

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


[1] Ligjërata e dytë akademike: “Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen (gelesen in der Königl. Akad. der Wissenschaften am 18. Mai 1854), në: “Abhandlungen der preußischen Akademie der Wissenschaften; phil.-hist. Klasse, Jahrgang 1854” Berlin 1855.

[2] G. Stier: Die albanesischen thiernamen, në: KZ 11 [1862] 132-150, 206-253.

[3] Franz Miklosich: “Albanische Forschungen I. Die slawischen Elemente im Albanischen”; “Albanische Forschungen II. Die romanischen Elemente im Albanischen”; “Albanische Forschungen III. Die Form entlehnter Verba im Albanischen und in einigen anderen Sprachen”. Wien 1870. Shih edhe diskutimin e Hugo Schuchardt: Albanisches und Romanisches zu Miklosich’s albanischen Forschungen, KZ 20 [1872] 241-303.

[4] Përkthyer së fundi edhe në shqip prej Anila Omarit: “Gustav Meyer. Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe – 1981”. Tiranë 2007.

[5] Ndër prurjet e shumta të Norbert Jokl-it citojmë këtu dy veprat e tij: “Studien zur albanischen Etymologie und Wortforschung”. Wien 1911 dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen“. Berlin & Leipzig 1923. Për arsye vendi nuk mund të radhisim këtu atë numër të madh të artikujve të tij, të cilët jo rrallë kanë përmasa monografish.

[6] Vlaimir Orel: “Albanian Etymological Dictionary”, Leiden 1998.

[7] I njohur për radhojën e tij shumëvëllimëshe: „Studime gjuhësore“, në të cilën disa vëllime u përkushtohen sudimeve etimologjike.

[8] Vepra e tij e fundit në këtë fushë është: “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe“. Tiranë 2017.

[9] Shih p.sh. botimin e tij të fundit: “Gjurmë të apofonisë indoeuropiane në gjuhën shqipe“. Tiranë 2022.

[10] Albanolog dhe indoeuropianist i mirënjohur që ka botuar qindra artikuj të shkurtër mbi gjuhën shqipe, ku rroken studime etimologjike dhe rindërtime protoformash për një numër shumë të madh njësish leksikore që i takojnë fondit autokton të gjuhës shqipe.

[11] Martin E. Huld: “Basic Albanian Etymologies”. Columbus 1984.

[12] Regjistrimi i prurjeve të konsiderueshme të këtyre studiuesve në studimet gjuhësore-historike bashkëkohore në fushë të shqipes është i madh e nuk mund të rroket në kuadrin e këtij prezantimi modest.

[13] Albert Thumb: Altgriechische Elemente des Albanesischen. In: IF 26 [1909] 1-20; Hermann Ölberg: Griechisch-albanische Sprachbeziehungen, në: IBK 17 [1972] 33-64; sikurse Gerda Uhlisch: “Neugriechische Lehnwörter im Albanischen” (punim doktoranture i pabotuar). Berlin 1964 dhe Δώρης Κυριαζής: Ελληνικές επιδράσεις στην αλβανική: Ι. Φωνητική και μορφολογική προσαρμογή των ελληνικών δανείων: ΙΙ. Λεξικό των ελληνικών δανείων της αλβανικής. Θεσσαλονίκη 2001 (Punim doktoranture, botuar online në:  <https://www.didaktorika.gr/eadd/handle/10442/22897>.). Në këtë fushë ka punuar së fundi edhe Juliana Kume: “Elementet greke në gjuhën shqipe dhe statusi i tyre në shqipen standarde.” (punim doktoranture 2007-2011 – shih CV-në e saj, në: <http://asa.edu.al/site/images/cvgjuhesia/juljanakume.pdf>), etj.

[14] Shih Afanasij M. Seliščev: “Slavjanskoe naselennie v Albanii”. Sofija 1930; Agnia Desnickaja: “Slavjanskie zaimstovanija v albanskom jazyke. V Meždunarodnyj s’jezd slavistov”. Sofija, Moskva 1963; Slavjano-albanskie jazykove otnošenija i albanskaja dialektologija, në: “Slavjan­skoe jazykoznanie” 1968 f. 120-147; Gunnar Svane: “Slavische Lehnwörter im Albanischen”. Aarhus 1992; Xhelal Ylli: “Das slavische Lehngut im Albanischen, 1. Teil: Lehnwörter”. München 1997; Anila Omari: “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”. Tiranë 2012; Slawismen im Altalbanischen unter Berücksichtigung der neuen philologischen Editionen: “Dittionario italiano-albanese“ von Da Lecce (1702 – Ms.) – eine unerforschte Quelle; në: (B. Demiraj – ed.) Altalbanische Schriftkultur – aus der Perspektive der historischen Lexikographie und der Philologie der Gegenwart. Akten der 6. Deutsch-Albanischen Kulturwissenschaftlichen Tagung (27. September 2019, Buçimas bei Pogradec, Albanien), në: AF, bl. 44. Wiesbaden, f. 53-102, etj.

[15] Harald Haarmann: “Der lateinische Lehnwortschatz im Albanischen”. Hamburg 1972; Addolorata Landi & Patrizia del Puente: “Gli elementi latini nella lingua albanese”. Napoli 1989; “Lessico bibliografico degli elementi latini nella lingua albanese”, në: “Quaderni di Zjarri”, bl. 19. Cosenza 1990;  Cătălina Vătăşescu: “Vocabularul de origine latină din limba albaneză în comparaţie cu româna”. Bucureşti 1997; Guillaume Bonnet: “Les mots latins de l’albanais”. Paris 1998, etj.

[16] Robert Helbig: “Die italienischen Elemente im Albanesischen”. Leipzig 1903; Genz Lafe: Der italienische Einfluss auf das Albanische. Erster Teil: Allgemei­ne Erörterungen, në: “Ponto-Baltica” 8-9 [1998/9] 47-172; […] Zweiter Teil: Wörterbuch der Italianismen im Albanischen, në: “Ponto-Bal­tica” 10 [2000] f. 31-120; Kristina Jorgaqi: “Ndikimi i italishtes në letërsinë e vjetër shqipe (XVI-XVII)”. Tiranë 2001, etj.

[17] Grigore Brâncuş: “Vocabolarul autohton al limbi române”. Bucureşti 1983; Shaban Demiraj: “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (bot. i 2-të i zgjeruar: ed. Bardhyl Demiraj – bot i parë Tiranë 1988). Tiranë 2013, etj.

[18] Norbert Boretzky: “Der türkische Einfluß auf das Albanische”, vëll. I, në: AF (ed: Peter Bartl) bl 11. Wiesbaden 1975; vëll. II, në: AF (ed: Peter Bartl) bl 12. Wiesbaden 1976); Tahir Dizdari: “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe“. AIITC, ISESCO. Tiranë 2005; Lindita Latifi: “Turqizmat dhe semantika e tyre në fjalorët e shqipes”. Tiranë 2012; Gjorgji Bufli & Luciano Rocchi: “A Historical Dictionary of Turkism in Albanian”. Trieste 2021, etj.

[19] Oda Bucholz & Wilfried Fiedler: “Albanische Gramatik”. Leipzig 1987; Joachim Matzinger: “Die sekundären nominalen Wortbildungsmuster im Altalbanischen bei Gjon Bu­zuku. Ein Beitrag zur altalbanischen Lexikographie”, në: AF (ed.: Peter Bartl) bl. 38. Wiesbaden 2016; Das altalbanische Wortbildungsmuster auf -ës und malësií ʽBergbewohner; Gebirge’, në: (edd.: S. Neri & R. Schuhmann & S. Zeilfelder) “dat ih dir it nu bi huldi gibu. Linguistische, germanistische und indogermanistische Studien Rosemarie Lühr gewidmet”. Wiesbaden, f. 281-286, etj.

[20] Shaban Demiraj (ed.): “Gramatika e gjuhës shqipe”, bl. I (ASHSH). Tiranë 20023.

[21] Kostaq Cipo: Rreth disa kompozitave, në: “Studime mbi le­ksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe” (ed: A. Kostallari), bl. I. Tiranë 1972, f. 61-77; Kompozitat determinative, në: “Çështje të gramatikës së shqipes së sotme”, bl. II. Tiranë 1975, f. 201-205; Mehmet Halimi: “Çështje fjalëformimi në gjuhë shqipe”. Prishtinë 1996;  Ludmilla Buxheli: “Formimi i foljeve në gjuhën e sotme shqipe”. Tiranë 2008; “Fjalët e përngjitura në gjuhën shqipe”. Tiranë 2009, etj.

5 Komente

  1. Fillimisht përgëzoj autorin për këtë ekspoze autoritative, e për profesionalizmin e treguar.

    Po shtoj diçka që ka lidhje intrinsike me temën. Duke menduar atë çka po ndodh, e duke qenë ekspozuar disa xhepave të sferës shqiptare të mediave televizive, përfshirë edhe FB, si mjet kryesor komunikimi e komenti, më ka kuriozuar dinamika reaktive e një lloj bote të rremë, thelbësisht antishkencore. Kryesisht, si përpjekje e disa mëndjeve naive për të shpjeguar “lehtësisht”, nëpërmjet disa “rregullave uniforme” nën ombrellën e “embriomorfemave shqipe”, e kombinimeve të tyre, etimologjinë e pothuajse çdo fjale prej shqipes, pavarsisht se çfarë gjuhe i përkasin.

    Më ka intriguar përmendja nga ana e turbo-etimologëve e tabelës periodike të elementëve (të Mendelejevit). Në botën e shkencave fizike, në stadin që kanë arritur shkencat sot, duke marrë si shembull ligjin periodik fiziko-kimik, e përderisa tashmë njohim rregullat periodike, ne jemi në gjendje t’i paraqesim e t’i parashikojmë fenomenet kimike specifike të perceptueshme prej eksperiencës, shqisave tona.

    Teoria moderne fizike-kimike mund të sillet si një kontrast me evoluimin e gjuhëve, përfshirë edhe ato të vdekurat. Gjuhët e vdekura, të cilat i njohim në rastin më të mirë nëpërmjet mbishkrimeve të mbijetuara, ekzistojnë veçse ashtu, tashmë si kombinime shenjash të çuditëshme. Ndodh, që disa arrijmë t’i dëshifrojmë, e të zbulojmë kuptimin e simboleve, ku kombinimet e ndryshme të simboleve-gërma(një lloj alfabeti të vjetër) të marrin kuptime të caktuara në kontekstin e vet. Por në një kontekst tjetër të njëjtat gërma, nënkuptojnë gjëra krejt të ndryshme. Në një botë paralele të gjuhëve të gjalla, të folura apo të shkruara, pavarsisht, ndodh i njëjti fenomen, ndonëse tashmë është stabilizuar, pranuar, e përdoret një alfabet latin, cirilik, grek, arab, kinez, etj.

    Njësitë kuptimore të morfemave janë të ndryshme pavarsisht ndoshta inventarit (apo vendodhjes) të njëjtë të gërmave, dhe marrëdheniet mes tyre, i përgjigjen ligjeve e rregullave të ndryshme të gjuhëve respektive, që janë të panjohura, të pakonceptueshme ecsë fundmi të ndryshme, si sekuenca apo bashkime gërmash, kur kalohet nga një gjuhë në një tjetër.

    Ne mund t’i përshkruajmë ligjet e këtyre njësive kuptimore, rregullat e gramatikës, e gjithçka që mund të shprehet me to, vetëm duke kombinuar gërmat, morfemat, fjalët sipas ligjeve, rregullave specifike të një gjuhe të caktuar. Ne nuk na hyjnë fare në punë si referencë gërmat specifike, ose principi mbi të cilin janë kombinuar gërmat individuale për të dhënë kuptimin e fjalës, apo fjalëve, n’se qëllon të jetë jashtë kontekstit të gjuhës specifike.

    Gërmat shërbejnë si stimuj të jashtëm, dhe kombinimi i tyre fizik transmetohet në tru, ku nëpërmjet proçeseve nervore, reagohet e përgjigjet duke i dhënë kuptim gërmave e fjalëve, ashtu siç është treinuar e mesuar truri. E për individë të ndryshëm, stimujt që vinë nga jashtë si kombinime gërmash në rastin tonë, marrin kuptime të ndryshme në kontekste të ndryshme gjuhësh. Kuptohet, që ka përjashtime siç është rasti i fjalëve të huazuara, e ndërkombtare, etj.

    Gjuha është një konstrukt social, dhe jo një fenomen natyror, që i përgjigjet ligjeve apo “benchmark-ve” krahasuese universale të natyrës, siç është rast i ligjit periodik, apo tabelës periodike formuluar prej Mendelejevit.

    1. Aq sa mund të mohoet ekzistenca e roli elementëve kimikë në formimin e lëndës, po aq mund të mohoet ekzistenca dhe roli i embriomorfemave në krijimin e fjalës.
      Çdo gjë tjetër jasht këtij konteksti është shkencërizim bosh.
      Gjuhësia krahasuese është fantashkenca letrare rreth temës së etimologjisë.
      Etimologjia si shkencë e saktë fillon me embriomorfemën.

      1. Nëse tani gjuhësisë krahasuese do i duhet të pranojë ekzistencën e embriomorfemave dhe ndikimin e tyre në krijimin e fjalës, kjo gjuhësi do duhet të shpallë fundin e saj si dështim.
        Nëse gjuhësia krahasuese do mundohet të mohojë ekzistencën e embriomorfemave dhe rolin e tyre përcaktues në sendërtimin e fjalës, kjo gjuhësi bie në kundërshti me një realitet që provohet thjeshtësisht dhe këtu gjuhësia krahasuese bjerret në sytë e publikut dhe autoriteti fals i saj humb si flluskë sapuni. Kjo po ndodh.
        Nuk mund të luftohet e të mposhtet një shkencë e re me epitete përtallëse si “turboetimologji” etj., përsa nuk i kundërshtohet metoda e saj e etimologimit. Nuk mund të ndalohet rritja e një fidani që është duke u bërë pemë duke tallur fidanin.
        Në shkencën e gjuhësisë është krijuar një realitet i ri shkencor (metoda etimologjike me embriomorfema) e cila kërkon një oponencë serioze dhe jo sulme banale verbale, që nuk ndryshojnë dot asgjë në atë që po ndodh në albanologji.
        Shpejtësia me të cilën bëhet etimologimi i fjalës (n’daç turboetimologimi) buron nga metoda e drejtë etimologjike që çliron misterin e formimit të fjalës nëpërmjet zbatimit të parimeve të sakta etimologjike.
        Nëse një shkencë (e njohur si e tillë) i fshihet përballjes dhe tregohet agresive ndaj ideve të reja shkencore, vetëm sa tregon se nuk është shkencë e vërtetë dhe në mos është një mashtrim i madh, i bie të jetë një interes që gjeneron të ardhura e që nuk do që ato t’i humbasë bashkë me privilegjet rrjedhëse.
        Nëse doni të luftoni idetë e mia në etimologji, nuk mund ta bëni duke më sulmuar e denigruar mua si personmbajtës të ideve. Bëjeni duke hedhur poshtë me argument idetë e mia.
        Sipas meje, gjuha emërton funksionin e realies dhe këtë e provoj në disa mijëra motivime etimologjike e kjo është temë që duhet diskutuar, sepse hedh poshtë karakterin marrveshjësor të emërtimit të pranuar në gjuhësinë krahasuese. Le të debatojmë se a janë shkencore parimet që ndjek gjuhësia krahasuese dhe parimet që ndjek metoda e embriomorfemave.
        Askush në këtë blog nuk është interesuar të më pyesë për parimet që ndjek metoda ime dhe kjo është absurde kur nuk ndodh në një debat që pretendon të jetë shkencor.

        1. Agron, si botues i revistës, të them se metodës sate etimologjike i është kushtuar vëmendja e duhur në faqet tona.

          Nëse ti ke mendim tjetër, më lejo të të siguroj se kjo nuk na intereson.

          Në përgjithësi, jo vetëm ata që kuptojnë diçka nga gjuhësia historike-krahasuese dhe etimologjia, por edhe ata që e dinë se çfarë është metoda shkencore, mendojnë se qasja jote në etimologji nuk ka vlerë heuristike. Me fjalë të tjera, nuk ndihmon për të zbuluar asgjë.

          Prurjet e tua, nga shumë të interesuar – përfshi këtu edhe mua – gjykohen si absurde; sepse nuk përmbushin asnjë nga kriteret e nevojshme, për t’u marrë seriozisht.

          Ka shumë që nuk duan të të fyejnë, por nëse ti ngul këmbë, atëherë do të ta thonë që këto etimologjizime përmbajnë gabime logjike elementare – të tilla që as edhe një nxënës i shkollës së mesme nuk do t’i bënte.

          Nga ata që të mbështetin, të duartrokasin dhe të ndjekin pas, për të mos folur për ata që t’i blejnë librat dhe të ftojnë në evente të ndryshme, shumica nuk kuptojnë asgjë nga metoda jote – ose nuk duan të kuptojnë. Ata përgjithësisht entuziazmohen nga përfundimet që ti nxjerr për shqipen; me fjalë të tjera, ti u duhesh për të ushqyer deliret e tyre folk-patriotike. Të përdorin.

          Prandaj edhe ty aq nuk të mjafton dhe kërkon legjitimim profesional. Të cilin vështirë se do ta marrësh, dhe aq më pak do ta marrësh në faqet e kësaj reviste – dhe kjo me sa duket të shqetëson.

          Përndryshe, ti nuk mund ta propagandosh metodën tënde këtu dhe aq më pak arritjet e saj – ne si redaksi mendojmë se ajo metodë dhe punimet e tua metodologjike nuk i shtojnë ndonjë vlerë revistës dhe as e meritojnë që t’i jepen lexuesit tonë.

          Të kujtoj se ne jemi revistë private, e pavarur nga institucionet publike, dhe se nuk kemi ndonjë detyrim ndaj lexuesit, përveçse që ta trajtojmë me respekt dhe të mos ia fyejmë inteligjencën.

          Ta kanë thënë të tjerët dhe do të ta them edhe unë, se etimologjitë e tua janë lojëra fjalësh, me efekt ndoshta zbavitës për disa, por që nuk ka arsye të botohen krah për krah me punimet e profesionistëve. Nëse ndokush i gjykon si gjepura, nuk e bëj dot me faj.

          Që ti mendon ndryshe, kjo nuk ndikon në vendimet tona editoriale. Si revistë e pavarur dhe private që jemi, ne e vendosim vetë se kush do ta përdorë hapësirën tonë për të ushtruar të drejtën e fjalës dhe të mendimit të lirë – gjë që do të thotë se ti nuk ke ndonjë të drejtë a priori për t’u botuar te ne.

          Me dashamirësi por jo me detyrim, të kemi njohur të drejtën për t’iu përgjigjur kritikave të drejtpërdrejta që të janë bërë; por nëse ti fillon të mendosh, se çdo material me natyrë historike-gjuhësore që del te ne është edhe kritikë ndaj metodës sate dhe ashtu të përligj botimin e replikave, ky është problemi yt, për të cilin nuk gjen ndonjë mirëkuptim te ne.

          Përpjekjet e tua intelektuale nuk kanë lidhje me gjuhësinë, pavarësisht si i etiketon ti. Ato veç rrezikojnë kulturën gjuhësore të masës së lexuesve, të cilët joshen nga përfundimet e tua tejet të ekzagjeruara, për moshën dhe origjinën dhe statusin planetar të shqipes.

          Nëse jemi marrë me to, e kemi bërë sepse i gjykojmë si të dëmshme, si patologji të dijes që duan trajtuar; jo sepse i konsiderojmë si sfida të drejtpërdrejta ndaj metodave ekzistuese të kërkimit.

          Të lutem mos iu përgjigj këtij komenti, sepse e bëj në cilësinë e botuesit. Kur të kritikohesh në shkrime të tjera, do të kesh rast dhe mundësi dhe hapësirë për t’u përgjigjur.

  2. “Nëse jemi marrë me to, e kemi bërë sepse i gjykojmë si të dëmshme, si patologji të dijes që duan trajtuar; jo sepse i konsiderojmë si sfida të drejtpërdrejta ndaj metodave ekzistuese të kërkimit.” Pikerisht! Kjo eshte e vetmja asye pse nje tufe me njerez qe nuk do ishin marre kurre me cfare thote A. Dalipaj, e kane kundershtuar. Sado e painformuar, siperfaqesore dhe e kompleksuar qofte masa qe e mbeshtet, eshte detyre e kujt ka pergatitjen e duhur ne fushe te paraqese arsyen, logjiken dhe mashtrimin qe ben Dalipaj. Sic e kam thene edhe me pare, ky manipulues i tufes qe pret ushqim pa cilesi per njohjen e vet te ceket e te manget, nuk eshte naiv. Eshte nej dukuri qe s’ndodh vetem ne Shqiperi. Predikues qe mashtrojne per te krijuar nje profil qe i lejon te perfitojne, ka pasur kurdohere e kudo. Dhe ndodh edhe qe jane jetegjate, derisa perseritja e vetes i con drejt kanaleve jashteqitese te dijes, atje ku e kane vendin. Per mendimin tim, kjo reviste ka bere detyren e vet morale dhe shkencore ndaj lexuesit ne kuptimin e gjere. Personalisht nuk besoj se A. Dalipaj duhet te sillet me verdalle ketu. Eshte fyese nderhyrja e tij. Na ben pis te gjitheve. Jemi gjynah te merremi me dicka aq te shemtuar, te papaster dhe idiotike. Une e kuptoj kur e ftojne ne nje emision, dhe e tallin. Une mund te mendoj keq per drejtuesit e atyre emisioneve. Por ata nuk ka arsye pse te mendojne keq per veten e vet. Ata jane ne rregull me busullen e vet morale, si edhe me parimet qe kane ne baze te dijes se vet, sado mediokre. Sepse e kane thirrur qe ta tallin dhe qe te terheqin shikues sehirxhinj apo pseudopatriote. Por ne ketu nuk e kemi tallur. Njerezit edhe kur i kane folur rende, e kane trajtuar me respekt, sepse e kane marre seriozisht. Maximalja e “talljes” ketu ka qene qe kemi bere etimologji te ngjashme me cilimilleqet qesharake te teorise se tij. Por edhe kjo ka qene per t’i dhene te kuptoje komicitetin dhe ligeshtine e vet ideore. nuk kam pare as edhe nje santim ndryshim ne sjelljen e tij, ose te paret seriozisht te shpjegimeve qe duhet ta benin te mesonte. Perkundrazi: perserit ekzaktesisht te njejtat budallalleqe me embriomorfema si stilema pisanjose, sepse nuk ka per qellim as te mesoje, as te ndryshoje, as te marre kend seriozisht. Eshte nje pleher social, moral e sidomos shkencor qe na prish ajrin ketu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin