QASJE NDAJ ETIMONIT TË FJALËS SHQIPE (II)

nga Bardhyl Demiraj

3 Periudha ‘shkencore’ e hulumtimit etimologjik: parime dhe kritere të studimit

Siç cekëm shkarazi në pjesën e parë të këtij shkrimi, lindja e gjuhësisë historike-krahasuese indoeuropiane në shekullin XIX dhe hapat galoponte të zhvillimit të saj në vijimësi deri në ditët tona kanë mundësuar plotësinë dhe sigurinë e hulumtimit etimologjik në mënyrë sistematike e me kritere metodike që orientojnë suksesshëm hulumtimin shkencor bashkëkohor për njohjen dhe studimin diakronik të secilës gjuhë në veçanti. Këto janë, ndër të tjera:

  1. rindërtimi i brendshëm i fazave të ndryshme që ka përshkuar secila gjuhë e çdo fjalë në veçanti në kohë dhe hapësirë,
  2. rregullsitë ndërgjuhësore në zhvillimet e inventarit të tingujve me funksion kuptimdallues (fonemave),
  3. numri i përbashkët njësive të leksikut themelor apo elementar,
  4. fondi i përbashkët i morfemave gramatikore (mbaresa e formante gramatikore etj. si njësitë më të vogla gjuhësore me funksion kuptimbartës), si edhe
  5. qëmtimi i realieve historike-gjuhësore ku është familjarizuar çdo fjalë e parme me çerdhen leksikore përkatëse.

Është pikërisht hulumtimi diakronik brenda sistemit gjuhësor që përcjell familja gjuhësore indoeuropiane së bashku me atë dorë kriteresh metodike që sendërtojnë edhe ndryshimin e paradigmës në studimin gjuhësor-historik dhe etimologjik në përqasje me periudhën e ashtuquajtur ‘parashkencore’, duke bërë si e tillë distancim të qartë e të plotë ndaj shkencave gjuhësore historike në motet e të Xylander-it, të Leibniz-it e më thellë deri në fillimet e dokumentuara të mendimit albanologjik.

Le të ndalemi thukët në secilin syresh, duke u përqendruar kryesisht në studimet e derisotme të leksikut autokton të shqipes.

Parimi themelor metodik: sistemi gjuhësor

Parimi i sistemit gjëllin në ndërvarësi me qenësinë e vetë metodës historike-krahasuese. Ky parim parakupton që çdo studiues që gjeneron bashkëlidhje etimologjike (= gjenetike) ndërmjet fjalëve burimore, nuk duhet të braktisë në asnjë rast kornizën e sistemit të një gjuhe ose të një grupi gjuhësh, që janë në marrëdhënie farefisnore me njëra-tjetrën. Vetëm brenda kësaj kornize – sigurisht kur nuk bëhet fjalë për huazime – mund të shqyrtohen me besueshmëri shkencore prania e marrëdhënieve etimologjike për një masë të konsiderueshme njësish të fondit leksikor burimor të gjuhës përkatëse, në rastin tonë të shqipes. Fuqia bindëse ndaj marrëdhënieve të kësaj natyre bëhet gjithnjë e më e ndjeshme, sa më shumë e me rreptësi i përmbahemi kornizës së sistemit, që vjen me thënë mbajmë parasysh sistemin e një gjuhe, përkatësisht të një grupi gjuhësh farefisnore. Prashtu, në rastin e shqipes krahasimi i fjalëve, që u takojnë gjuhëve sistemesh të ndryshme ose nuk ka ndonjë vlerë të veçantë, ose nxit më fort dyshimin ndaj ndikimit gjuhësor, sigurisht, ndërmjet gjuhësh fqinjë. Me fjalë të tjera: etimologjia i përmbahet së pari klasifikimit gjenealogjik të gjuhëve dhe konceptit të trashëgimisë gjuhësore.

Shembuj:

  • Bashkëpërkimet leksikore mes shqipes dhe turqishtes, si gjuhë sistemesh të ndryshme por në fqinjësi dhe në marrëdhënie prestigji kulturor-administrativ, jemi të detyruar t’i kundrojmë vetëm në kuadrin e ndikimeve të ndërsjella mes sish dhe jo si njësi leksikore me burim të përbashkët gjuhësor, p.sh.: shq. besë, (nj.shq.) besa > turq. besa “fjalëdhënie, ujdi”; shq. xham < turq. cam “id.”; shq. xhep < turq. cep “id.”,
  • Bashkëpërkime leksikore mes gjuhësh sistemesh të ndryshme e pa marrëdhënie të njohura (para)historike duhen mënjanuar plotësisht edhe prej fokusit të huazimit të ndërsjellë, khs.: bask. surra “hundë” : shq. surrat “fytyrë” (< turq. surat), shq. vëllá : finland. veli “id.” etc.

Kritere metodike të hulumtimit etimologjik bashkëkohor

Përcaktimi i marrëdhënieve gjenetike ndërmjet fjalëve burimore në kuadrin e sistemit realizohet falë zbatimit rigoroz të një numri kriteresh metodike, ndër të cilat fitojnë përparësi kriteri fonetik, kriteri morfologjik dhe ai semantik.

1. Kriteri fonologjik

Kriteri fonologjik ose fonetik funksional parakupton që përqasjet e dukshme etimologjike së bashku me sqarimet përkatëse të mbështeten pandërmjetshëm në barazimet ndërmjet segmenteve të veçanta të strukturës tingullore, që janë vërtetuar bindshëm si të tilla, d.m.th. njihen dhe pranohen mirëfilli si fonetikisht të ligjshme, përkatësisht të rregullta.

Kështu p.sh. bashkëlidhja etimologjike ase afria gjenetike ndërmjet shq. atë “baba” dhe lat. atta “id.”, gr.vj. ἄττα (: /átta/) “id.”, të cilat pranohen në indoeuropianistikë si fjalë bëlbëzuese të gjuhës foshnjore, mbështetet jo vetëm në identitetin e tyre semantik, por edhe në faktin që secila gjuhë e marrë për krahasim karakterizohet prej ruajtjes së timbrit të zanores burimore *a si të tillë, madje në çdo pozicion. Një situatë të ngjashme konstatojmë përgjithësisht edhe në fondin autokton të shqipes, së paku sa herë që kjo zanore është ndodhur e ndodhet në rrokje të theksuar dhe historikisht nuk i është nënshtruar shndërrimit në e para një zanoreje të hershme *i në rrokjen pas, khs. shq. (nj.) atë vs. (sh.) etër. Përndryshe timbri i saj është errësuar, përkatësisht dobësuar në (Schwa) /ǝ/ = shq. <ë>, kur është ndodhur në rrokje të patheksuar, ashtu siç na e dëshmon edhe zanorja fundore e temës së emrit në shqyrtim: atë; ose në njësi leksikore në marrëdhënie fjalëformimi me njëra-tjetrën, khs. shq. gaz pranë gëz-ó-j dhe gëz-ím me zhvendosje theksi mbi zanoren e ndajshtesës fjalëformuese. Së fundi shtojmë që edhe bashkëtingëllorja burimore –t- në trup të fjalës është  ruajtur përgjithësisht në leksikun burimor të të tria gjuhëve.

Shembuj të tjerë:

  • arë “tokë bujqësore, e mbjellë ose e punuar me plug” : lat. arvum “arë e mbjellë”.

Sqarim: Ky barazim leksikor i takon fondit burimor indoeuropian të dy gjuhëve. Ndërsa struk­tura rrënjore e gjegjëses latine arv– < *ar– dëshmon një fazë më të hershme të zhvillimit të përbashkët gjuhësor, në shqipe, në fondin e saj burimor indoeuropian gjysmëzanorja *-është bjerrë rregullisht pas bashkëtingëllores –r-. Nuk mund të përsiasim në këtë rast mundësinë e një huazimi latin në shqipe, sa kohë që në fondin e saj leksikor latin bashkëtingëllorja dybuzore lat. –v– në këtë pozicion pritej të shndërrohej në shq. –b, khs.: shq. korb < lat. corvus “id.”[i].

2. Kriteri morfologjik

Kriteri morfologjik kërkon që hulumtimi etimologjik të mos mjaftohet vetëm me bashkëpërkimin e rrënjëve dhe temave të fjalëve, por edhe me përbashkësinë dhe gjegjëset e rregullta e përgjithësisht me historinë morfologjike të fjalëve. Kështu p.sh. kemi një bashkëlidhje etimologjike ndërmjet shq. i gjashtë dhe lat. sextus “id.” jo vetëm falë bazës së njëjtë numërore, khs.: shq. gjash- = lat. sex-, sex < pie. *sek’s “6”, por edhe në faktin që të dyja gjuhët përfaqësojnë një strukturë të përbashkët fjalëformuese të mbiemrit rreshtor me anën e ndajshtesës mbiemërore *{-to-}, që i pranëvihet kësaj baze, khs.: pie. *sek’s-to- “i gjashtë”.

Shembull tjetër:

–    shq. gjumë “Schlaf” : gr.vj. ὕπνος (: /hýpnos/) “id.” < pie. *sup-no-

Sqarim: Kemi të bëjmë këtu me një ndërtim emëror të prejardhur me ndajshtesën *{-no-} prej rrënjës foljore pie. *su̯ep– “fle” në shkallën ablautive zero *sup-. Falë vendosjes së lidhjes etimologjike edhe formale ndërmjet dy njësive leksikore të gjuhëve në fjalë, jemi sot në gjendje të gjenerojmë të njëjtën strukturë burimore fjalëformuese edhe për gjegjësen shqipe, e cila i ka bjerrë kufijtë e dikurshëm morfematikë në trup të fjalës, falë kolizionit në kontakt të dy bashkëtingëlloreve, çka nxiti natyrshëm asimilimin e plotë reciprok, khs: protoie. *{-p+n-} > protoshq. *{-m+n-} > shq.vj. {-m+m-} > {-m-}. Që këto dy njësi qëndrojnë në marrëdhënie afrie gjenetike dhe jo huazimi, këtë e dëshmon më së miri zhvillimi i rregullt i bashkëtingëllores nistore pie. *s– që në shqipe është shndërruar në gj- në këtë pozicion, sa herë që është ndodhur në rrokje të theksuar, khs.: shq. (tosk.) gjarpër, (geg.) gjarpën : lat. serpēns “id.” < pie. *sérp-en- si formim emëror prej rrënjës foljore pie. *serp– “rrëshqas”. Në greqishte kjo bashkëtingëllore në pozicion nistor i është nënshtruar rrëgjimit të saj të plotë, përpos gjurmës së aspirimit (spiritus asper) që shoqëron zanoren nistore në njësitë leksikore të kësaj gjuhe.

3. Kriteri semantik

Në rast se kriteri fonologjik dhe ai morfologjik merren kryesisht me anën formale ase kornizën e jashtme të fjalëve të sjella për krahasim gjuhësor, kriteri semantik kërkon prej etimologut t’i kushtojë vëmendje anës përmbajtësore. Rrugët e shndërrimit (= zhvillimit) semantik të fjalëve janë në shumësinë e rasteve të ndryshme, në kuptimin që fiksimi i ligjeve ase i rregullave gjuhësore është në këtë drejtim i pamundur. Megjithatë kjo rrethanë nuk parakupton që etimologu i jep vetes të drejtën të mos i përmbahet kurrfarë kornizeje e kufizimi në këtë fushë.

Kështu p.sh. nuk kemi përse vëmë sot në dyshim një bashkëlidhje gjenetike ndërmjet shq. i blerë, i blertë “jeshil” dhe lat. flōrus “blu, i verdhë”, edhe pse këto fjalë në gjuhët në fjalë shënjojnë ngjyra të ndryshme. E për këtë nuk ndihmon patjetër vetëm struktura tingullore dhe ajo morfologjike tematike që përkojnë në çdo detaj ndërmjet dy gjuhëve. Prashtu të dyja gjuhët dëshmojnë një ndërtim të përbashkët mbiemëror: pie. *bhlōr-o-, në të cilin ngjërojmë rregullsitë e reflekseve të fonemave, ndër të tjera: pie. *bh– > shq. b-, lat. f– (khs. pie. *bher-o- : shq. bie, lat. ferō “id.”) dhe *-ō– > shq. e, lat. ō (khs. lat. pōmum “pemë frutore; frut” > alb. pemë “dru (frutor); frut”). Sa i përket anës semantike, na ndihmojnë në përqasjen tonë etimologjike fakte gjuhësore të sigurta prej së njëjtës fushë. Mjafton të marrim p.sh. parasysh ndryshimet në përmbajtje te huazimi latin shq. (i) verdhë < lat. vonë / it. verde “i blertë” < lat. klas. viridis “id.”.

Po ashtu, në rast se shq. bërryl, bërul, e shpjegojmë sot si një kompozitë e hershme, e përbërë prej ber m. “hark” me një emër ndërkohë të rrëgjuar pshq. *-ul diçka si (?) “llërë; krah” (khs. lat. ulna “bëryl; krah”), këtë përsiatje nuk e tumirim thjesht dhe vetëm duke iu referuar faktit që një shpjegim i tillë nuk bie në kundërshti me rregullat e fonologjisë historike dhe të fjalëformimit të gjuhës shqipe,  khs. ylber = {yll}+{ber}. Këtë shpjegim etimologjik jemi tash në gjendje ta përforcojmë edhe me ndërtime paralele në gjuhë të tjera indoeuropiane, ku p.sh. edhe nocioni i ‘bërrylit’ është përftuar gjuhësisht në të njëjtën mënyrë, khs. gjerm. Ellenbogen < Elle “kockë e parakrahut” + Bogen “hark”.

4. Njohja e realieve ose e kontekstit historik

Kusht për shpjegimin e mirëfilltë shkencor etimologjik është zbatimi i një kriteri tjetër të rëndësishëm që erdhi dhe u zbatua me sukses në hulumtimin etimologjik sidomos në kapërcyell të shekujve XIX-XX. Bëjmë fjalë këtu për njohjen e detajuar të kontekstit historik, siç quhet ndryshe kërkesa e njohjes së realieve. Me ‘realie’ në fushën e etimologjisë kuptojmë “rrokjen dhe mbajtjen parasysh të të gjitha kushteve dhe rrethanave konkrete-historike, materiale, sociale dhe kulturore, në të cilat përftohen fjalët” (Abaev 19802 35) Rëndësinë e këtij kriteri e pikasi ndër të parët Jakob Grimm, bash kur shkruan se: “tek etimologjitë është e dobishme njohja e sendeve” ose “nga fjalët të kalohet tek sendet”. Ky kriter nxiti po ashtu në fillimet e shekullit XX lindjen e një rryme të re në shkencën etimologjike bashkëkohore që u emërtua ‘Fjalët dhe sendet’ (= gjerm. ‘Wörter und Sachen’), e themeluar më 1913 prej gjuhëtarit austriak Rudolf Meringer. Kësaj rryme iu bashkua njëherësh duke i mbetur besnik deri në fund të aktivitetit të tij shkencor-intelektual albanologu dhe indoeuropianisti i njohur Norbert Jokl, njëri ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të etimologjisë së gjuhës shqipe në gjysmën e parë të atij shekulli dhe mësuesi i Eqrem Çabejt.

5. Kriteri i fundit

Asgjëmangut do të ishte një gjykim tejet i shpejtuar, sikur të mëtonim tash që etimologut i mjafton të mbajë parasysh këto kritere të rrokura përmbledhtas më lart me zbërthyer atë puzzle gjuhësor-historik që parakupton zgjidhja e etimonit të çdo njësie leksikore (të trashëguar) në një gjuhë a grup gjuhësh farefisnore mes sish. Vetë gjuhëtarit etimolog i ndodh jo rrallë me qenë vetë i pari ai që ka mëdyshje e dyshime lidhur me etimonin e qëmtuar dhe propozuar po prej tij; e kjo për shumë e shumë fjalë, sidomos për sosh që sillen si fjalë të parme, d.m.th. me strukturë të pazbërthyeshme fjalëformuese në ndërgjegjen gjuhësore bashkëkohore, e që gjëllijnë si të tilla të izoluara në gjuhë. Më shpesh ndodh të ngjërojmë po prej tij më shumë se një mundësi zgjidhjesh etimologjike, pra ai përcjell në debatin shkencor më shumë se një etimon potencial të asaj fjale që hulumton, madje edhe pa qenë ende në gjendje të parapëlqejë së paku njërën syresh. Për këtë mjafton të shfletojmë opusin e Eqrem Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (bl. I-VII, Tiranë 1976-2015), ku nuk janë të rralla lemat me deri 7-8 zgjidhje etimologjike, të bëra në studime kësodore në historinë e Albanologjisë, pa qenë edhe vetë ai në gjendje me parapëlqyer njërin apo tjetrin propozim. Jo rrallë i shton Çabej këtij numri edhe një deri tri rrugëzgjidhje shtesë, madje mëngon të mëtojë në përfundim se ende nuk është thënë fjala e fundit për të.

Një numër i konsiderueshëm fjalësh, sidomos sosh të trashëguara (ose huazime të periudhës së antikitetit), mbetet si gjithnjë i pashpjeguar nga pikëpamja etimologjike e kjo situatë nuk është se rëndon vetëm etimologjinë e gjuhës shqipe. Me probleme të mëdha përballen edhe etimologë që janë gjithherë të fokusuar në gjuhët me dokumentim të hershëm si greqishtja e vjetër e latinishtja, indishtja e persishtja e vjetër, gjuhët anatolike, etj. Dhe arsyeja është fare e thjeshtë, në mos triviale: gjuhët janë shumë më të lashta në historinë e tyre se variantet me të hershme të fiksuara në shkrim në secilën syresh. Në rrjedhë të kohës ato kanë përjetuar gjithashtu ndryshim dhe shndërrim (= zhvillim) të vazhdueshëm, njëlloj si ndryshimi dhe zhvillimi në vazhdimësi i marrëdhënieve shoqërore. Po ashtu, të njëjtën hulli ka përshkuar përgjatë historisë dhe parahistorisë edhe shqipja me bartësit e saj: një pjesë jo e vogël fjalësh të trashëguara janë zëvendësuar me huazime, të tjera kanë dalë jashtë përdorimit e shumë më shumë syresh u janë përshtatur marrëdhënieve të reja jetësore që përjetuan bartësit e saj, duke zgjeruar ose ngushtuar shpesh po prej tyre edhe kuptimin dhe spektrin semantik. Risi janë përftuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet e gjuhës, ndërkohë që trashëgimia u është nënshtruar ndryshimeve nga më të ndryshmet, ku feksin sidomos rrafshimet gjuhësore analogjike dhe rrymat e ndryshme të shndërrimeve dialektore me orientim nga periferia në qendër dhe e përkundërta.

Për shkak të mungesës së materialit gjuhësor përqasës shpjegimi etimologjik për shumë fjalë të shqipes mbetet në shumë raste krejt i paqartë e deri enigmatik. Prashtu në studimet etimologjike të shqipes nuk kanë mundur t’u japin dum deri sot pyetjeve në dukje naive se si dhe përse nuk janë ruajtur në këtë gjuhë fjalë burimore që i takojnë fondit themelor të një gjuhe, si p.sh. fjalët e burimit pie. për ‘baba’, ‘vëlla’, ‘motër’ etj., njëlloj siç përjetojmë ndërkohë të njëjtin fat me emërtimin dikur fëminor-hipokoristik atë “baba” që vjen duke u zëvendësuar thuajse gjithkund me turqizmin baba. Të njëjtat rrethana përjetojmë edhe për pjesë të tjera të trupit, si: faqe, grusht, gojë, që dëshmohen po ashtu si huazime shtresash të ndryshme nga lat. faciēs, sl. *gъrstь dhe it. gola.

Nga ana tjetër për shumë njësi të vjetra të pjesëve të trupit dhe organeve, si hundë, zemër  nuk disponojmë material të sigurt përqasës me gjuhë të tjera indoeuropiane, i cili do të mundësonte një shpjegim etimologjik të pranueshëm. Kështu p.sh. Meyer (EWA 153v.) vëren tek hundë një derivat të brendshëm prej shq. hu, ndërsa Çabej (SE IV 382) gjen te rum. hudă “vrimë e hundës” një bashkëpërkim formal, gjë që e lejon të përsiasë më tej marrëdhënie etimologjike me gjegjëse gjuhësh të tjera dhe rindërtime burimore indoeuropiane me kuptime themelore: *“vrimë”, *“gropë”, *“shpellë” etj. Ndryshe mendon, ndër të tjerë, edhe Huld (BAE 76) që qëmton këtu një shfytyrim të emrit rrënjor pie. *nas– “hundë”,  çka vetëm na dëshmon sot se sa vështirë është të hulumtosh për këtë fjalë etimonin bindës, që vjen me thënë kuptimin ‘e vërtetë’ e të mirëfilltë të saj.

Gjithë sa i përcollëm lexuesit në këtë paragraf tumir mendimin që, etimologu duhet të jetë i ndërgjegjshëm se edhe kriteret metodike të rrokura më lart – sidomos ai fonologjik, morfologjik dhe semantik – nuk mëtojnë saktësi dhe rregullsi absolute në hulumtimin etimologjik për një fjalë a një tjetër shqipe, edhe pse nuk bjerrin në asnjë rast vlerën dhe rëndësinë e vet. Vijmë kështu natyrshëm në kriterin e fundit metodik që shtrohet këso rasash gjithherë në formë kërkese: në qoftë se njëri prej këtyre kritereve metodike të hulumtimit etimologjik të një fjale përballet me vështirësi të ndjeshme, atëherë duan zbatuar akoma më rreptë kriteret e tjera. Gjithsesi, nëse njëra apo tjetra etimologji nuk i përgjigjet sa e siç duhet zbatimit të dy kritereve, nëmos mbi to rëndon një dyshim i motivuar, atëherë lejohemi të zbatojmë kriterin e fundit që ndërmjetëson zgjidhje optimale: Etimoni i fjalës do kumtuar si ‘i paqartë’, duke u lënë kështu portën hapur kolegëve të fushës ose brezave të rinj të studiuesve, të cilëve u takon e ardhmja.

Shembull:

–    shq. djep m., (dial.) djepe, djebë f. : gr.vj. δέπας (: /dépas/) as. “gotë, kupë”.

Sqarim: Në studimet e tij etimologjike Çabej (SE III 264v.) rreshton me akribinë shkencore që e karakterizon gjithherë një numër zgjidhjesh etimologjike që ka përjetuar kjo fjalë deri më atë mot, ndër të tjera përqasjet që bën së pari Meyer (AS III 18) me sll.vj.kish. zybati “përkund në shilarës”, dhe më pas Camarda (II 191) me gr.vj.  δέπας (: /dépas/) “kupë, enë për të pirë ujë”, duke gjeneruar këtu një kuptim të përbashkët *“(diçka) e zgavëruar”. Pas kritikës që u bën këtyre interpretimeve, çabej i bashkohet qëndrimit të një numri studiesish etimologë të mëparshëm (Pedersen KZ 36, 333; Vasmer REW I 464 etj.), duke ardhur së fundi në përfundimin “Edhe djep mbetet një fjalë me burim të pasqaruar, kryesisht për arsye të formës.”

Ndër etimologët e mëvonshëm është Orel (AED 68v.) që i rikthehet përqasjes së Camarda-s, veçse mëton këtu – pa shpjegime të rastit – një huazim në shqipe prej greqishtes së vjetër. Huazimin prej greqishtes së vjetër e mbështet së fundi edhe Topalli (FEGJSH 394) duke i shtuar përqasjes formale edhe kontekstin historik (të Camarda-s) se “djepat primitivë janë bërë prej një trungu të gërryer përbrenda, që i ngjan një kupe.”

Sa të drejtë mund t’i japim sot kumtit të Orel-it, të mbështetur edhe nga Topalli? Analiza e morfologjike e fjalës: shq. djep m., (dial.) djepe, djebë f. nuk përjashton në asnjë rast përqasjen formale me gr.vj. δέπας (: /dépas/), madje lejohemi të përsiasim edhe për fazën e protoshqipes një emër gramatikor asnjanës *djepǝ, i cili përjetoi në kohë dhe hapësirë një variacion tematik-gramatikor pas shthurrjes së gjinisë asnjanëse në gjuhën shqipe[ii]. Gjithsesi, edhepse analiza fonologjike dhe ajo morfologjike mund të kumtohen si të patëmeta, përqasja e mëtejshme ndërmjet kytëre dy fjalëve vjen e çalon kur marrim në analizë kriterin semantik, i cili nuk dëshmon patjetër barazi në kuptim e aq më tepër një kontekst kulturor-historik të përbashkët (realie), që do të mundësonte rrugëtimin e fjalës nga greqishtja e vjetër në shqipe apo e kundërta. Gjithashtu, në shqyrtimin e mëtejshëm të përqasjes në fjalë nuk mund të lemë jashtë vëmendjes as hulumtimin etimologjik të gr.vj. δέπας në grecistikë dhe indoeuropianistikë, ku kjo njësi leksikore konsiderohet krejt e izoluar në gjuhë e si e tillë nuk lejon kurrfarë përsiatjeje etimologjike, që të sigurojë përkatësinë e saj në fondin e trashëguar indoeuropian të kësaj gjuhe[iii].

Vijmë kështu natyrshëm në përfundimin pa përfundim, të cituar më lart: “Edhe djep mbetet një fjalë me burim të pasqaruar…” (Çabej SE III 265) që sendërton më së miri edhe kriterin e fundit metodik: heqjen dorë, qoftë edhe përkohësisht prej etimonit të falës shqipe, sa kohë që zbatimi i kritereve metodikë dhe njohja e kontekstit historik krijojnë vështirësi në hulumtim.

Në qoftë se u fokusuam më lart edhe në raste të tilla të vështira, kjo do të thotë thjesht dhe vetëm, që etimologjia si shkencë gjuhësore e mirëfilltë nuk do parë e kuptuar patjetër si shkencë ekzakte, e aq më pak e njësuar në synime e detyra për çdo gjuhë. Zbatimi në hulumtim e me rreptësi të akribtë i paketës së parimeve dhe kritereve metodike, të rrokura më lart, mundëson padyshim zgjidhje etimologjike të suksesshme për një numër shumë të madh njësish të fondit leksikor të një gjuhe, në rastin tonë të shqipes. Por diçka mbetet jo rrallë e paqartë, e pazbërthyer, që vjen me thënë se zgjidhjet etimologjike shpesh duan riparë e rishqyrtuar. Gjithsesi kjo rrethanë relativizohet në ndërvarësi me natyrën e vështirësive në hulumtim që variojnë nga gjuha në gjuhë e nga një shtresë leksiku në tjetrën (brenda një gjuhe), çka parakupton edhe perfeksionimin në vazhdimësi të metodave dhe të aparatit shkencor sidomos për gjuhë disi “të serta”, siç është edhe rasti i gjuhës shqipe. Këtë rrethanë do ta konsultojmë në pjesën e tretë dhe të fundit të këtij shkrimi.

(Pjesa e I, Pjesa e III)

© 2024 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet riprodhimi pa leje.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


[i] Bardhyl Demiraj: Albanische Etymologien, Amsterdam – Atlanta 1997, 80v.

[ii] Shih Shaban Demiraj: Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Tiranë 1985.

[iii] Shih Frisk EWG I 367; Beekes EDG I 317.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin