BEKJA I BOTNORIT

Kujtimi i parë që kam për Beckenbauer-in është nga gjysmëfinalja Itali-Gjermani e kampionatit botëror në Meksikë, në vitin 1970: kur i luajti minutat e fundit të lojës me krahun të fashuar në gjoks – trajneri Helmut Schön i kish përdorur ndërrimet e mundshme. Të luaje me krahun ashtu të lidhur, si ta kishe të thyer: ja vetëmohimi në futboll, në mos heroizmi; ja edhe prova se fusha e futbollit mund të shndërrohej në skenë teatri dramatik. Regjitë e sotme nuk do t’ia kishin ndarë kamerat dhe dronët…

Beckenbauer-i – ose “Bekja”, siç e quanim – kish popullaritet të madh në brezin tim, madje edhe mes atyre që nuk ishin tifozë të Gjermanisë. E admironim për elegancën e lojës, korrektesën, një lloj sqime në komunikim me kundërshtarin, si provë që edhe futbolli mund të shprehte fisnikëri të këtij lloji. Mes të mëdhenjve të brezit të vet, ishte atipik, pse mbrojtës, jo sulmues; por edhe sepse i mungonin ato tipare agresive, që pritej t’i kishte mbrojtësi – kujtoj një Claudio Gentile ose një Berti Vogts, mes shumëve. Na pëlqente që nuk rrëmbehej kurrë, nuk bënte budallallëqe në fushë, nuk zihej me arbitrin. Ishte i kujdesshëm, gati-gati i vëmendshëm. E luante futbollin “nga lart”, të thoje se ish destinuar për diçka tjetër. E quanin “Der Kaiser” – Perandori: dhe jo vetëm për regjinë e mbrojtjes.

E nderonim edhe për arsye të tjera – sepse “gjerman”, një kombësi prej nesh e respektuar; sepse e kish emrin të gjatë, Beckenbauer, që vetvetiu impononte edhe ai respekt; nuk e përfytyroj dot me një mbiemër tjetër, p.sh. Schopf Schulz Pfaff ose Strunz, që do të tingëllonte si goditje e thatë sëpate në heshtjen shekullore të Schwarzwald-it (sa do të ishim zhgënjyer, po të na shpjegonim atëherë se pjesa e dytë e emrit, Bauer, do të thotë në gjermanishte “fshatar”). Ndoshta për të njëjtën arsye kemi respektuar edhe Schwarzenegger-in – kaq shumë rrokje ke si t’i nënvlerësosh! Për ca nga ne, kjo Beckenbauer, e shqiptuar e plotë, do të ishte edhe eksperienca e parë me gjermanishten gjuhë e vështirë.

Futbollin e madh sot televizioni arrin ta përcjellë si dramë edhe personale – aq sa përjetimet t’i marrim të gatshme, në kohë reale, nga fytyrat e protagonistëve. Planet e afërta i kanë përshtatur ndeshjet për hapësira të vogla: shtëpi, bare, madje edhe ekrane telefoni dhe laptop-i. Përkundrazi, futbolli ndërkombëtar i viteve 1960-1970 na vinte bardhezi, me sinjal të keq me miza, me kamerë shpesh fikse; në vend të fytyrave, futbollistët i identifikonim me emrat. Për emocione tjetërlloj, do të na duhej të prisnim “filmin” – ka qenë filmi “Gol!”, për kampionatin botëror të 1966-ës; ka qenë edhe filmi “Bota në këmbët e tyre”, për kampionatin e 1970-ës. Ekrani i gjerë dhe me ngjyra i kinemasë sikur na kujtonte se çfarë kishim humbur ndërkohë. Të ndarë siç ishim midis fushës së gjelbër të stadiumeve Qemal Stafa dhe Dinamo, ku luhej futboll “prej lagjeje”, dhe pamjeve bardhezi të ndeshjeve të largëta, ku vepronin heronjtë, ishim mësuar të merrnim më të mirën nga të dy botët.

Franz Beckenbauer-i hyn tek ata që nuk mund të vdesin: sepse i përket mitologjisë. I madh në një periudhë të historisë së futbollit (dhe të botës) që nxirrte pak të mëdhenj; sportist që me qetësinë dhe hirin e tij në fushë rrezatonte sukses; nga të paktët që e sillte shkëlqimin me vete në stadium, edhe kur luante keq. Për brezin tim, edhe lojtari që na mësoi virtytin e futbollit, përtej fitores me çdo kusht dhe “rrekës”; për kaq e kaq vite kur e shihnim vetëm në ekrane të vogla, bardhezi, dhe kurrë në plane të para. Qarkullonte një thashethem për të, se ishte politikisht “i djathtë”; kjo e bënte edhe më interesant.

I përkiste – dhe ende i përket – një kohe tashmë përtej; kur gjërat ende mund të shijoheshin në distancë, dhe kur heronjtë nuk i ndynin duart me përditshmëri. Përballë këtij amshimi, lajmi se ka vdekur kërkon një farë mundimi intelektual, për t’u pranuar.

© 2024 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin