SAMITI YNË I DIASPORËS DHE « KOMVOS » – LIDHJA GLOBALE E HELENIZMIT

nga Ilir Yzeiri

Para disa ditësh u mbajt në Tiranë Samiti III i Diasporës, i cili, ashtu si Samiti i Vendeve të BE-së që u mbajt para disa kohësh në Tiranë, u përpoq të krijojë më shumë atmosferën folklorike të Stadiumit « Air Albania » kur aty luan Përfaqësuesja Shqiptare, sepse edhe aty zotëroi panairi i emfazës kuq e zi dhe ekspozimi i produkteve nacional romantike. Për ta bërë të ngjashme atmosferën, edhe në Pallatin e Kongreseve, ashtu si në stadiumin « Air Albania », në fund, u këndua kënga « Mora Fjalë ». Po të shohësh dokumentet e publikuara për këtë ngjarje, do të vëresh një pamje të madhe të Kryeministrit shqiptar në faqen e Qeverisë dhe fjalën e tij përshëndetëse, ndërsa një informacion më të plotë e gjen në adresën ambasadat.gov.al. Kjo ngjarje kaloi pa u vënë re dhe nuk mori vëmendjen e duhur, madje u kritikua nga pjesa më e madhe e medieve, sepse ishte një manifestim i lodhshëm me shumë protagonizëm dhe me shumë entuziazëm patriotik dhe qëllimi për të bërë lidhjen e diasporës me Shqipërinë për të rritur ndikimin e ndërsjellë në fushat e shkencës, arsimit, ekonomisë, etj., jo vetëm që nuk u arrit, por përsëriti të njëjtën stereotipi si tre vjet më parë.

Askush nuk mund të na tregojë se çfarë ka ndodhur në këta tre vjet, pra nga Samiti i parë deri sot.  Pjesëmarrja e krerëve të lartë të shtetit shqiptar dhe atyre të Kosovës apo Malit të Zi, synonte të krijonte një vitrinë si ato të panairit ku do të shfaqeshin produktet e shqiptarizmit. Ideja për këtë Samit duket se mbështetet në një emfazë të vjetër që vjen nga koha e Rilindjes dhe që është ngutja për të afirmuar në botë identitetin shqiptar, a thua se ai po na rrezikohet, në rastin më të keq, ose të tjerët po e harrojnë se çfarë janë dhe çfarë kanë qenë shqiptarët. Në disa raste pastaj, qasja ndaj arbëreshëve dhe arbërishtes, është vërtet jo serioze sidomos kur sheh që Samiti kërkon nxitjen e mësimit të arbërishtes!!! Për këtë, të paktën, të ishin konsultuar ekspertët e fushës që, në « Peizazhet e Fjalës », më se njëherë kanë debatuar dhe kanë diskutuar për arbërishten, për gjendjen dhe shfaqjen e saj si formë arkaike apo e vjetër e shqipes apo e një varianti të saj. Gjuhët evoluojnë dhe trajtat arkaike ruhen më së shumti pastaj në tekste. Arbërishtja nuk është një gjuhë tjetër, por është gjuha shqipe në një fazë të hershme. Si do të mësohet arbërishtja kur për të nuk ka një version të standardizuar? Kush do ta mësojë? Pse? Gjuha është një mjet komunikimi për të plotësuar nevojat e një komuniteti. Arbëreshët në komunikimin e tyre përdorin italishten. Neve po na humbet shqipja standarde këtu brenda, ashtu sikundër e kanë humbur atë mijëra e mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët nuk arrijnë t’ua mësojnë fëmijëve të tyre shqipen. Po ky është një fenomen i globalizmit. Mendoni se çfarë duhet të kishte bërë Italia me ata miliona italianë që kanë emigruar në vende të ndryshme dhe sot e kanë harruar italishten.

Nëse e sheh me vëmendje edhe programin e Samitit, të krijohet përshtypja se dikush mendon që Diaspora është një entitet i ngrirë, pa angazhime të tjera veç atyre që duhet të ketë me Shqipërinë. Harrohet në këtë rast se emigrantët shqiptarë në botë, në radhë të parë, punojnë dhe jetojnë, shpesh edhe në kushte të rënda, në ato vende dhe ne duhet të jemi të lumtur kur ata integrohen aty si qytetarë të dalluar të atyre vendeve. Kjo na bën krenarë edhe ne. Së dyti, shoqatat apo personalitetet me emër nga të gjitha fushat duhen përzgjedhur me kujdes sepse pikërisht këtu fillon keqkuptimi dhe mungesa e vizionit. Sa për të sjellë një shembull : para disa kohësh, në Prishtinë zhvilloi punimet Instituti Alb-Shkenca me titullin « Inteligjenca Artificiale dhe sfidat në mjekësi » me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe dijetarëve shqiptarë nga Diaspora ; një event për të cilin mund të gjeni informacion këtu. Për çudi, kjo organizatë e konsoliduar mungonte në këtë eveniment të Diasporës, edhe pse atje bëjnë pjesë mbi 100 pedagogë e shkencëtarë shqiptarë nga e gjithë bota. Në këtë Institut bën pjesë edhe Niko Qafoku shkencëtar shqiptar nga më të njohurit, i cili në 2019 ka rezultuar mes 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë (https://www.elsevier.com/icsr/icsrlab); apo prof. Gentjan Zyberi që aktualisht e drejton këtë Institut. Por ka edhe shumë e shumë të tjerë personalitete të dalluara në shkencë, sidomos, por edhe në kulturë. Prania e prof. Arben Merkoçit ishte një shenjë e mirë, por përvoja e tij u gëlltit nga goja e madhe e ahengut folklorik që krijoi Samiti në ato dy ditë, sepse ai dukej si një mish i huaj në atë ambient. Për të qenë korrekt, më duhet të them se nuk ka ndonjë gjë të keqe që të ndërtohen edhe manifestime të tilla për të paraqitur si në vitrinë shqiptarinë apo ngjyrën kuq e zi. Pra, nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse stereotipinë e stadiumit apo të folkut e mbajmë të ndezur edhe me aktivitete të tilla, ose i shtojmë këtij spektakli edhe paradën kuq e zi që do të mbahet më 28 nëntor. Por, nëse duam që të shfrytëzojmë potencialet e ekselencës së Diasporës për të përmirësuar cilësinë e jetës politike, ekonomike, arsimore, shkencore e më gjerë, kjo nuk është rruga e duhur. Nëse duam ta mbajmë Diasporën si një vitrinë ku të ekspozojmë patosin tonë patriotik më duart si shqiponjë, me këngët e stadiumit dhe me produktet e panaireve, ky është një folklor që mund të vijojë, por na ngjyros pak si arkaikë.

Ratësisht pashë një njoftim në gazetën greke Ekathimerini për një veprimtari të ngjashme si kjo e jona të cilën po e sjell edhe këtu. Krahasimet bëhen lehtësisht.

“Komvos – Rrjetet e Helenizmit Global do të mbajë konferencën e parë të shtunën, të titulluar “Greqia dhe Perspektiva Ndërkombëtare – Propozime për Veprim”, e cila do të bashkojë figurat kryesore për të diskutuar të ardhmen e vendit dhe për të forcuar lidhjet midis Greqisë dhe emigrantëve të saj si dhe do të ndihmojë për të siguruar një perspektivë të përforcuar ndërkombëtare për vendin. Konferenca do të mbahet në Megaron Karatza në qendër të Athinës (82 Aiolou) nga ora 5 deri në 20:15 dhe ata që nuk mund të marrin pjesë do të mund ta shikojnë ngjarjen në internet. Konferenca do t’i ofrojë gjithashtu presidentit të Komvos, profesor Angelos Chaniotis, një mundësi për të prezantuar rrjetin, qëllimet dhe arritjet e tij. Folësit përfshijnë rektoren e Universitetit Panteion të Shkencave Sociale dhe Politike, Christina Koulouri, drejtoresha e programeve dhe mbledhjes së fondeve institucionale në ActionAid Hellas, Makis Drakopoulos, profesor i makroekonomisë dhe financave në Universitetin Goethe Frankfurt Michael Haliassos, drejtor menaxhues dhe drejtues i strategjisë dhe konsulencës. në Accenture Greece, Fotis Panagiotopoulos, dhe Redaktor Ekzekutiv i Kathimerini, Alexis Papachelas. Konferenca do të ndahet në tre panele kryesore, ku i pari do të fokusohet në shkencë dhe në rrjetin global të akademikëve dhe profesionistëve kryesorë të Greqisë. Paneli i dytë do të fokusohet në mënyrat për të fuqizuar familjet greke për të marrë vendime të shëndosha ekonomike, ndërsa i treti do të fokusohet në të kaluarën dhe të ardhmen e kuadrit të sektorëve të shëndetësisë dhe bioteknologjisë në Greqi. Gjithashtu, do të ketë edhe një prezantim mbi iniciativat e ardhshme të organizatës në lidhje me industrinë greke të anijeve. Qëllimi i Komvos është të krijojë rrjete ad hoc të helenizmit global dhe të nxisë bashkëpunimin e tyre me rrjetet kombëtare, evropiane dhe rajonale me qëllim promovimin e pozitës dhe ndikimit ndërkombëtar të helenizmit. Grupi u themelua nga 108 shkencëtarë, akademikë, biznesmenë, bankierë dhe drejtues grekë nga e gjithë bota me qëllim paraqitjen e propozimeve novatore për projekte specifike në sektorë kritikë për vendin, duke përfshirë transportin detar, kulturën, arsimin, shëndetin, mjedisin dhe të tjerë.

Që këtu shihet qartë diferenca e thellë. Në rastin grek, nisma për të organizuar lidhjen mes Diasporës dhe vendit amë u është lënë në dorë dijetarëve dhe ata i kanë të qarta idetë, qëllimet dhe veprimet që do të kryejnë. Organizimi është rigorozisht shkencor dhe i përgjegjshëm, pa shpenzimet marramendëse të Samitit tonë. E palejueshme, që refuzojmë të përthithim ndihmesën e dijetarëve tanë të shquar që punojnë në botë, teksa lektisemi pas qelesheve.

© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

2 Komente

  1. Bravo Ilir, ajo qe me vjen keq eshte qe shumica e shqiptareve as nuk e kuptojne cfare po shkruan ti, jo me te marrin masa per te ndryshuar vetveten. Megjithate shumica e ketij populli e ka fare te lehte te te shaje ty me te gjitha epitetet tona folklorike. Puna nuk eshte ketu a ka Iliri te drejte po pse Iliri nuk kendon kengen e atij tipit qe vdiq ne mal per hall. Shikoni ketu dhe komentetet e “elites” sone, tek shkembimi i dyte mes tyre fillojne zihen me “kush je ti kush jam une”… 111 vjet me vone shqiptaret gezohen siç duhet te gezoheshin serbet ose greket ne 1911 ose ne 1811. Po kujdes kur themi keto ne jemi tradhetare dhe “ata” patriote! Fitore!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin