DHUNTI DHE MODESTI

nga Antoine Lami

Enit Karafili Steiner është shkrimtare, shqiptaro-zvicerane, e pasionuar pas letërsisë. Ajo na jep të lexojmë tekstet e saj më të bukura letrare dedikuar dashurisë, vetmisë, e mbi të gjitha, kultit të njeriut. Edhe pse jeton prej më shumë se njëzetë vitesh në Zvicër, dhe zotëron një doktoratë në anglistikë, zemra e shkrimit të saj rreh veçse në shqip: tregon për vendin e origjinës, jetën e njerëzve të përditshëm të endur me heroizëm, mallkimet e dashurisë, tema që përshkruajnë historitë e lindura në emigracion. Për Enit Steiner, letërsia është t’i thurësh një odë Shqipërisë dhe jetës; migrimi, barra e saj, e dashuria, bashkudhëtarja besnike. Të tillë vijnë dhe dy librat e parë e saj, Tokëmjalta dhe Dhunë e dhunti. Tokëmjalta – jehona e fëmijërisë, mërgimit dhe pajimit të dy botëve që kanë latuar karakterin, Shqipëria e rrënjëve dhe Zvicra e jetës sot. Dhunë e dhunti, i njëjti mërgim, e më pas pajtim, ndoshta i shprehur në formë tjetër, por me esencën e njëjtë: të gjithë largohemi, të detyruar të shkëputemi një ditë ose një tjetër, nga ajo që duam.

Tokëmjalta shtron në epigraf pyetjen e Milan Kunderës nga romani i tij Lehtësia e padurueshme e qenies nëse njeriu duhet të zgjedhë një jetesë të moralshme apo çlirimin nga çdo përgjegjësi morale, dhe nëse ky çlirim nga përgjegjësitë morale do të nënkuptonte një lehtësi të mrekullueshme e jeta e moralshme një peshë vërtet të tmerrshme. Kundera i vihet kundra besimit se morali është një peshë me të vërtetë e tmerrshme, një barrë për qenien njerëzore. Përkundrazi, gjëja më e rëndësishme në jetë – plotësimi më i madh i jetës tokësore – arrihet vetëm nëpërmjet barrëve më të rënda, dhe për Kunderën, një e tillë është dhe dashuria. Pesha, pra morali, i jep vërtetësi dhe kuptim jetës, dhe si rrjedhojë jeta bëhet më e plotë dhe domethënëse. Në të njëjtat hapa ecën dhe Enit Steiner te Tokëmjalta me dyshen e çifteve Skënder dhe Sibora e Anisa dhe Rubin. Historia e Anisës dhe Rubinit është një histori e madhe dashurie dhe sakrificash, letrash të marra mbrapsht pa përgjigje, mishërimi i virtytit të faljes te njëri, dhe përgjegjësia morale, ndërgjegjja te tjetri. E tillë është dhe historia e dashurisë midis Skënderit dhe Siborës, një dashuri e madhe, por e sapo çelur. Ndërsa Tomasi i Kunderës mënjanon së qeni i dashuruar dhe i përkushtuar në një lidhje në dëshirën e tij për lehtësinë jo-aq-të mrekullueshme, fataliteti i dashurisë së Skënderit vjen jo më shumë prej karakterit pragmatik të tij sesa prej realitetit të konstatuar “ti s’e njeh Tiranën. Të gjithë ndërroj[m]ë, është riciklim, e kemi për psikohigjienë” (Steiner 134). Sipas vendit dhe kuvendi? Autori i këtij shkrimi do të thoshte se po. Tokëmjalta përveçse historia e dashurisë midis Anisës dhe Rubinit, apo Skënderit dhe Siborës, është dashuria për vendin, për tokën, dhe rrjedhimisht dhe për mjaltën dhe për baltën. Çajupi kësaj pyetjeje se “ku [njeriut] i duket balta më e ëmbël se mjalta” i kishte dhënë përgjigje në poezinë e tij – të njëjtën përgjigje Enit Steiner gjen në romanin e saj duke e cilësuar qytetin e lindjes, Tiranën, njëherazi si Tiranamehelm dhe Tiranamelhem. Si ndodh kjo? “Tirona […] ? Më i madhi paradoks!” (West Side Family). Enit Steiner është gjenerata e parë e shkrimtarëve pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri – lexuesi para 90’ evokon plagët e një regjimi ku alkooli dhe fasha s’para sjellin shërim dhe lexuesi pas 90’ gjen produktin defektoz të një metamorfoze jo të suksesshme në mendësinë shqiptare. Gjithsesi, Tokëmjalta mbetet çfarë do të cilësonim si bildungsromani bashkëkohor shqiptar.

Dhunë e dhunti, dy vjet pas publikimit të parë, e vendos këtë herë historinë në Los Anxheles, Amerikë. Zgjedhja për zhvillimin e historisë në Los Anxheles nuk është rastësore: Los Anxhelesi është Tirana amerikane. “Tirona është pikënisja ku fillon mundësia … mundësi me njëmijë rrugë është […] Tirona, ku bashkë me zhgënjimet realizohen [dhe] ëndrrat tona” (West Side Family); Los Anxhelesi, qyteti i ëndrrave por dhe i zhgënjimeve, qyteti i engjëjve, toka e mesit, ku vetëm zgjedhjet e bëra nga vullneti i lirë i njerëzve vendosin mbi fatin përfundimtar të shpirtrave të tyre. Disa poetë e quajnë hyrjen për në botën e nëndheshme, por në disa netë vere, qyteti është vetë Parajsa, Parajsa e humbur. Dhe pikërisht në këtë qytet, destinacioni përfundimtar i sipërmarrjes mërgimtare, Enit Steiner bën bashkë tre personazhe – vëllezërit binjakë nga Tirana, Maksi dhe Toska, dhe Tesa, vajza nga Durrësi – secili në kërkim të lumturisë dhe realizimit të ëndrrave. Fati do që Tesa të bie në dashuri me të dy vëllezërit – ndjenja që Tesa nuk i ndrydh dot dhe pas martesës me njërin prej tyre – dhe i njëjti fat, fatalist, i gjen personazhet të largët nga njëri-tjetri: aksidenti tragjik i Maksit gjatë muajit të mjaltit dhe që e shtyn atë në vetëvrasje më pas; mos marrja pjesë në varrimin e të vëllait nga Toska, dhe Tesa që në fund e gjen veten të dënuar nga jeta, nga Maksi, dhe Toska. “Sikur të mos qe shfaqur ajo? […] Që i përkiste Maksit, vetes binjake. Si e thirrur nga një matematikë hyjnore…” (Steiner 15). Lind pyetja tjetër: Po sikur Maksi mos të kishte pësuar atë aksident tragjik? Ose, po sikur Tesa mos të kishte rënë në dashuri me të dy në radhë të parë? Milan Kundera te Lehtësia e padurueshme e qenies vë në dukje teorinë e tij që jeta ndodh veçse njëherë. Ai vazhdon dhe vë në dukje se pasiguria është më se normale pasi nuk ka rrugë tjetër për të provuar cili skenar alternativ, ose në këtë rast pyetjet e shtruara, do të ngjasi dhe cili nga këta skenarë alternativë do të ishte më i mirë në jetën e një individi. Apo, dhe pavendosmëria nëse do të kishim të bënim me marrjen e vendimeve të reja në rastin e skenarit alternativ dhe jo atij aktual. Duke qenë se jeta ndodh veçse njëherë, dhe jeta nuk fillon të marrë formë veçse kur njeriu lind, është i pamundur krahasimi i zgjedhjeve dhe i vendimeve – në këtë rast nuk mund të krahasojmë zgjedhjen e Tesës për martesë midis Maksit dhe Toskës apo vendimet që ajo do të marri më vonë në jetën e saj nëse Maksi nuk do të kishte pësuar atë aksident tragjik. Për Kunderën, jeta dhe njerëzit në të janë si aktorët në një shfaqje që nuk i kanë lexuar më parë rreshtat e tyre dhe nuk kanë bërë asnjëherë prova. Dhunë e dhunti është romani në miniaturë ku bën bashkë luftën për identitet, Toska nuk do të shikohet si një kopje e vëllait të tij; trekëndëshin e dashurisë e vendosjen e figurës femërore në kulmin e tij; pyetjet filozofike të jetës e dashurisë; metamorfozën fizike e shpirtërore pas tragjedive; normalizimin e traumës dhe depresionit – gjithçka e vënë në sfondin mërgimtar si një fenomen universal njerëzor dhe kritikës së jetës kapitaliste amerikane. Nëntitulli mirësia vjen në muzg eviton njëherazi aktet finale të tre personazheve ose njërit prej tyre: vetëvrasja e Maksit që Tesa mos të mbetej e lidhur përjetë pas një invalidi, heshtja e Tesës dhe mos bërja publike e dhimbjes, gati në dhunë, shpirtërore e fizike si te Maksi dhe te Toska, apo dhe pajtimi i Toskës me gjërat që kanë ndodhur duke i sjellë kështu paqe vetes, Tesës, apo dhe Maksit. Përse në muzg? Filozofitë, të menduarit tej mase në kemi bërë mirë a keq në ketë jetë, zakonisht mbërrijnë në muzg, por duke qenë se muzgu është dhe orari i pasigurive të mëdha, përgjigja i lihet lexuesit.

Dhe është pikërisht liria e interpretimit apo mos mbajtja anë e gjërave që e bën veprën e Enit Steiner kaq modeste dhe efikase në të njëjtën kohë. Në fakt janë tri gjëra. E para do të ishte ajo që Henry James bën të ditur në esenë e tij kritike Arti i fabulës, ku sipas James, fabula nuk ka një qëllim të vetëdijshëm moral, por që në vetvete mban përgjegjësinë për të paraqitur jetën, dhe si rrjedhojë historinë, me gjithë dritëhijet e saj. Të njëjtën gjë Steiner bën të mundur te Tokëmjalta dhe Dhunë e dhunti: një paraqitje sa më reale të jetës në Shqipëri apo asaj në Amerikë. E dyta do të ishte ajo që Joyce Carol-Oates thotë në lidhje me shkrimtarët, ku sipas saj shkrimtarët janë si kuzhinierët, ata mbajnë gjithçka në frigorifer dhe kur gatuajnë fusin gjithçka në tenxhere, por ajo që nuk serviret për drekë ose darkë atë ditë do të shërbehet një ditë tjetër – ose në terma teknikë, trajtimi jo linear i fabulës. E njëjta recetë përdoret si te Tokëmjalta dhe Dhunë e dhunti: lexuesi shikon pikturën e plotë të historisë së dashurisë midis Anisës dhe Rubinit veçse në fund të librit pasi ajo i është servirur pjesë-pjesë; apo fatalitetin e aksidentit të Maksit dhe pasojat që ai aksident pati në lidhjen e tij me Tesën nga njëra anë dhe me Toskën nga ana tjetër. E treta por jo më pak e rëndësishmja është ajo që Diderot bën të ditur në romanin e tij Zhak fatalisti dhe i zoti i tij: nuk ka asgjë absolute dhe se besimi në absolutizëm çon drejt fatalitetit. E vërteta dhe morali janë kontradiktore duke qenë se njëra është objektive dhe tjetri subjektiv dhe i nënshtrohet gjykimit të njerëzve të cilët ndikohen nga një numër faktorësh, përfshirë rrethanat në të cilat ata jetojnë, interpretimi i dogmës fetare, si dhe periudhës kohore në të cilën ata jetojnë. Si rrjedhojë, duke marrë parasysh gabueshmërinë e qenies njerëzore dhe heterogjenitetin e shoqërisë, kush mund të jetë gjykues i asaj çfarë konsiderohet morale apo imorale, e vërtetë apo e gabuar, racionale apo irracionale? Enit Steiner e merr këtë mësim për zemër duke mos marrë asnjë pozicion absolut mbi mesazhin apo kritikën që përcjell fabula sesa ia lë këtë në dorë lexuesit, dhe gjithashtu, e fton atë, të rishikojë limitet e aftësisë së tij në njohjen dhe gjykimin e së vërtetës, moralit, dhe vullnetit të lirë. A mund t’i gjykojmë personazhet e Tokëmjaltës dhe Dhunë dhe dhunti, njërin të moralshëm dhe tjetrin të pamoralshëm, apo kritikën e njërës të vërtetë dhe tjetrës së pavërtetë? Këto janë pyetje të cilave nuk mund t’u jepet një përgjigje e plotë, dhe ndoshta nuk duhet. E rëndësishme për t’u mbajtur mend është ajo që Kundera vë re se, jeta e një individi të vetëm ndoshta mund të vlejë pak në skemën e madhe të gjërave, edhe pse tragjike, duhet jetuar pasi jeta vjen veçse njëherë.

(c) 2023 Antoine Lami. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin