KOMENT I GJATË RRETH NJË LETRE TË SHKURTËR

Edon Qesari më dërgon një dokument të vitit 1936: një letër nga Drejtoria e Shtypit e Mbretnisë Shqiptare, drejtuar një studiuesi me gjasë danez, i cili duket se ka kërkuar zyrtarisht të dhëna e shpjegime për “gjuhën letrare shqipe” (klikoni te miniatura djathtas për ta parë të plotë).

Letra ka interes jo se përmban gjësendi të panjohur më parë, por ngaqë e lejon lexuesin e sotëm të krijojë një ide për çfarë merrej si e mirëqenë dhe u jepej të huajve si informacion elementar, lidhur me gjuhën “letrare” dhe vetë gjuhën shqipe, në qarqet zyrtare të Mbretërisë në ato vite.

Aty merret si premisë pohimi se, duke qenë minimale diferenca mes dialekteve kryesore të shqipes – atij të veriut dhe atij të jugut – të dyja këto dialekte përfaqësohen në letërsinë shqipe të ditës; gjithashtu shprehet kalimthi qëndrimi zyrtar se prirja për formimin e një gjuhe letrare unike, për shqipen, favorizon “dialektin” e Shqipërisë qëndrore, i cili do të ndërmjetësojë mes karakteristikave të dy dialekteve rivale.

Ky pohim – vetvetiu i thjeshtuar – mishëron një tezë që ndihej shpesh ato kohë dhe që vazhdon të ndihet sot e kësaj dite, sipas së cilës dy kryedialektet e shqipes nuk dallojnë shumë mes tyre; të cilën shpesh e gjen të shoqëruar me tezën se këto dallime mes dialekteve kanë qenë edhe më të vogla në kohën kur filloi të shkruhej shqipja. Të dyja këto teza i ka mbështetur, në mos formuluar Çabej.

Përkundrazi, ideja se shqipja e njësuar duhej të mbështetej në dialektin e Elbasanit, që shërbente si çernierë mes Veriut dhe Jugut në shqipe, është shfaqur herët (Kongresi i Elbasanit, 1909, sipas T. Plangaricës), në bazë të një parimi logjik për të zgjedhur variantin letrar më të kuptueshëm për masën e folësve anembanë trevave të shqipes; sanksionimin asaj ideje ia dhanë vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës[1], e cila pat shpallur, që në vitin 1916, se “themel i ortografís do të mirret djalekti i Elbasanit me disa ndryshime”, me vullnetin e mirë për të dalë nga “rajonalizmi”; këto vendime i miratoi edhe Kongresi Arsimor i Lushnjës në 1920 dhe pastaj edhe nga qeveria shqiptare në janar të vitit 1923. Në bazë të njësimit drejtshkrimor, këto vendime implikonin një synim minimal: orientimin drejt “nji gjuhe të përbashkme të administratës”; dhe një synim maksimal: orientimin drejt “gjuhës së përbashkme”.

I jap të drejtë Xhevat Lloshit kur shkruan se “Merita e parë e Komisisë Letrare është se ajo e nxori në pah, që gjuha standarde është në krye të radhës gjuhë për shtetin, gjuha zyrtare.”

Sipas Rexhep Ismailit (Gjuhë Standarde dhe Histori Identitetesh, Tiranë 2005), mjaft shkrimtarë gegë, sidomos nga Shkodra (mes të cilëve spikatin Fishta dhe Mjedja), nuk i morën parasysh vendimet e Komisisë Letrare në lëmin e produksionit letrar, duke vazhduar të lëvrojnë dhe sidomos të mbështetin variantin e tyre letrar lokal[2]. Më pas, me pushtimin italian, një nga përkrahësit më autoritarë të elbasanishtes letrare rezultoi Mustafa Kruja – i cili ndërkohë argumentonte se baza dialektore e shqipes së njësuar duhej të ishte gegnishtja.

Përkundrazi, sipas Namik Ressulit, i cili u pat angazhuar me të njëjtat çështje në ato vite, toskërishtja do ta kish fituar me kohë të drejtën për t’u ngritur në nivelin e shqipes së përbashkët, po të mos kish qenë për veprimtarinë e shënuar kulturore dhe botuese të katolikëve të Shkodrës, e cila e pat shpëtuar trevën kulturore gege nga irrelevanca.

Të vërehet këtu paradoksi: në vazhdën e vendimeve të Komisisë Letrare, edhe qeveria e kohës pat caktuar që shqipja “zyrtare” të mbështetej tek elbasanishtja letrare, që ishte një variant i gegnishtes; por këtë formë të shqipes e kontestonte lëvrimi i hovshëm i toskërishtes letrare, që – nga ana e vet – do të kish pasur sukses, po të mos kish qenë për gegnishten letrare të kulturës katolike në Shkodër, paçka se përfaqësuesit kryesorë të kësaj kulture nuk ishin aq të bindur për shtrirjen e dëshiruar të elbasanishtes, sa ta adoptonin ata vetë në tekstet e tyre.

Nga pikëpamja mirëfilli gjuhësore, elbasanishtja do të kish ofruar një bazë të logjikshme, ngaqë kuptohej më mirë se të folmet e tjera të gegnishtes edhe në viset ku flitej toskërishtja; por handikapi i saj i madh ishte që nuk ish përdorur sa duhet për prodhime letrare të shënueshme: i mungonte një traditë shkrimore.

Nëse do të arrihej një konsensus për njësimin e shqipes, kjo varej edhe nga dallimet gjuhësore mes varianteve letrare (në literaturën e kohës variantet letrare shpesh njësohen me “dialektet” mbi të cilat ngrihen). Në vitet 1930 mendohej rëndom se gegnishtja dhe toskërishtja nuk dallonin dhe aq mes tyre – por këtë nuk e kish matur as peshuar kush.[3] Nga ana tjetër, në atë kohë dialektologjia themelohej mbi një vështrim historik (diakronik) të formave – dhe gjuhëtari nisej gjithnjë nga premisa se vetë ekzistenca e dialekteve të një gjuhe dëshmonte se këto e kishin burimin nga një fazë pak a shumë homogjene e kësaj gjuhe në të shkuarën.

Në mbështetje të kësaj premise, Çabej argumentonte se edhe dokumentet e shkruara që kemi për shqipen dëshmojnë se diferencat dialektore kanë qenë më të vogla pak shekuj më parë – p.sh. shqipja e Buzukut është më afër toskërishtes se shqipja e sotme dialektore e zonës nga mendohet të jetë me origjinë Buzuku.

Vetë shtjellimet dialektologjike-historike, të cilat shpjegojnë si dallimi ua/ue i detyrohet zhvillimit të diferencuar i një grupi më të hershëm uo (i cili del te Buzuku), ose analizojnë arsyet e rotacizmit në toskërishte, etj., nënkuptojnë gjithnjë se dialektet janë diferencuar duke u zhvilluar me rrugë të ndryshme, nga faza të mëparshme ku kanë qenë mjaft më të afërta mes tyre.

Sa më shumë që të skematizohet ky parim, aq më shumë rrezikon të kthehet në aksiomë (arbitrare). Për më tepër, ideja që gjendja e sotme gjuhësore e shqipes, me diferencat dialektore të tanishme, është rezultat i një procesi diferencimesh të shumëfishta mbi një bazë fillestare pak a shumë homogjene, nuk është veçse replikim i modelit historik-krahasues, për mua artificial dhe mekanik, të krijimit të familjes indo-europiane të gjuhëve.

Me fjalë të tjera, sipas këtij imponimi teorik, nëse dialektet e shqipes sot vërtet nuk dallojnë shumë mes tyre, atëherë shqipja e sotme – në gjithë panoramën e vet gjuhësore – logjikisht do të rezultonte produkt i ekspansionit të një grupi të vogël folësish, dikur mes shekujve V-IX; që është edhe hipoteza e njohur e bombës demografike, e Stadtmüller-it, të cilën albanologjia në Tiranë e ka kundërshtuar me të madhe.

Unë besoj se ky pozicion sot nuk mund të mbahet më të paktën si teorik; meqë është produkt i një modeli mirëfilli abstrakt dhe statik, që nuk merr parasysh realitetin dinamik të gjuhëve – dhe në rastin tonë të dialekteve – në kontakt mes tyre. Vështirësia që kanë dialektologët, dhe historianët e shqipes, për të qëmtuar gjurmë ndarjesh dialektore të hershme në gjuhë ka të bëjë me efektin rrafshues të oralitetit – siç ka të bëjë edhe me pasojat, për ne fare pak të njohura, të lëvizjeve të brendshme të popullsive shqipfolëse, të periudhës para-osmane. Përndryshe, studiuesi e ka të vështirë të shpjegojë disa karakteristika të toskërishtes, pa marrë parasysh se ai dialekt i shqipes do të ketë qenë dikur në kontakt të ngushtë me një ose disa dialekte të rumanishtes – sepse nuk është e qartë ku pikërisht mund të ketë ndodhur ky kontakt. Sikurse mbetet enigmatike përhapja në zonën e Labërisë e një onomastike të lidhur ngushtë me disa troje sot të Veriut, që për disa studiues dëshmon zhvendosje të rëndëshme të popullsisë. Mund të sillja shembuj të tjerë. Për enigma të tilla, studiuesit i duhet të mbajë parasysh se dialekte si gegnishtja dhe toskërishtja vijnë me koordinata gjeografike specifike – por as këto nuk mund të merren si të dhëna absolute në perspektivën kohore.

Po ashtu, nëse trojet ku flitet shqipja sot përfaqësojnë një “trevë restriksioni”, për ta thënë me Çabejn, atëherë pikërisht kjo trevë restriksioni do të duhej të ngërthente në vete një diversitet dialektor shumë më dramatik, se ai që i ka rezultuar Çabejt dhe ndjekësve të tij në ato vite.

Mes gjuhëtarëve të atyre viteve që merreshin me studimin e variacioneve dialektore gëzonte ndikim dhe respekt të madh neolinguistika e Matteo Bartoli-t, që i kundërvihej në shumë pika neogramatikanëve dhe metodave të tyre të studimit. Çabej i zbaton rregullisht kriteret areale të Bartolit (madje zakonisht pa i vënë fare në diskutim), në analizat e veta për historinë e shqipes, për zonat qendrore dhe zonat periferike, zonat e izoluara e kështu me radhë. Ka një lidhje – sidomos teorike – mes vendimit për ta mbështetur shqipen e njësuar tek elbasanishtja dhe konceptimit areal të dialektologjisë shqipe, sa kohë që zona e Shqipërisë së mesme rezultonte si zonë më dinamike dhe inovuese dhe sa kohë që edhe krijimi i një shqipeje artificiale, siç do të ishte ajo e njësuara, është në thelb inovim. Nga kjo pikëpamje, edhe vetë vendimi për ta bërë Tiranën kryeqytet të shtetit të ri të Shqipërisë pjesërisht u bazua në një argument formal të ngjashëm – të privilegjit të qendrës në raport ne zonat anësore.

Megjithatë, fakti që Tirana i përkiste dialekt-gjeografikisht gegnishtes dhe që qeveria i dha mbështetje sërish një varianti letrar të gegnishtes si formë zyrtare të shqipes nuk u tregua i mjaftueshëm, për të garantuar përparësinë e këtij varianti. Kjo lidhet, besoj unë, me faktin tjetër që shtetit shqiptar, edhe pse formalisht i njësuar, i mungonte njësia kulturore dhe Tirana nuk i kishte institucionet e duhura, për t’ia siguruar këtë njësi – siç mund të ishin një universitet ose një media qendrore me influencë dhe përhapje të madhe. Edhe ata lëvrues prestigjiozë të shqipes, që jetonin në Tiranë, mbeteshin përgjithësisht të integruar në arealet lokale përkatëse – duke filluar nga ai i Shkodrës katolike, që ishte kulturorisht përpara të tjerëve. Për arsye të ngjashme, që Shkodra katolike nuk arriti t’ia impononte kulturën e vet pjesës tjetër, kjo nuk ka të bëjë thjesht me dallimet fetare dhe as me pozicionin gjeografik “anësor” të Shkodrës, por edhe me vetë natyrën jo-ekspansive të kulturës katolike (në thelb, pasive-agresive), e cila kërkonte prej të tjerëve respekt (dhe përgjithësisht e merrte), por pa ua zënë vendin dhe pa iu imponuar.

Që në vitet 1930 përpjekjet institucionale për njësimin e shqipes dhe për instalimin e elbasanishtes letrare si gjuhë të shtetit mbetën të mekura dhe nuk patën as përkrahjen politike, as financimin e duhur, kjo nuk e pengoi gjë lulëzimin e letrave shqipe – nga ajo kohë na vjen një letërsi të cilën sot e kësaj dite e admirojmë, madje edhe kur nuk e lexojmë dot fare lehtë. Por pluralizmi kulturor dhe letrar në Shqipëri nuk e pati jetën të gjatë, pas vitit 1945, kur regjimi i Hoxhës imponoi politika homogjenizuese, teksa likuidoi deri edhe fizikisht elitat e viteve 1930; të cilat politika e shkatërruan shpejt ekuilibrin mes dy kryedialekteve të shqipes teksa e arkivuan elbasanishten letrare pa ceremoni. Atyre që nguten të përmendin Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 si vitin kur u sanksionua gjuhë letrare toskërishtja, do t’u kujtoja vetëm që, sipas Jup Kastratit (e citoj nga R. Ismaili, Gjuhë Standarde dhe Histori Identitetesh, 2005) gegnishtja filloi të hiqej nga tekstet për klasën e dytë e të tretë të shkollave fillore në Veri duke filluar nga viti 1950[4] – deri atëherë, shkolla publike në Shqipëri kish pasur tekste veç për toskërishten dhe veç për gegnishten.

 

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Sipas Tomor Osmanit, në mbledhjen e parë themeluese të KLSH-së morën pjesë Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Mati Logoreci dhe Ambroz Marlaskaj; më pas këtyre iu shtuan Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Luigj Naraçi, Anton (Ndue) Paluca, Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberc, Rajko Nahtigal, Vinçenc Prendushi, Sali Nivica, Josif Haxhimina. Shtjefën Gjeçovi ka qenë anëtar korrespondent. Megjithë qëllimet e mira dhe autoritetin e anëtarëve, shumica e tyre ishin nga Shkodra dhe nuk flisnin dot në emër të trevave të tjera shqiptare, sidomos Jugut; e megjithatë, Komisia u shpreh, me nxitjen kryesisht të Luigj Gurakuqit, për t’i dhënë përparësi “dialektit“ të Elbasanit, si dialekt kompromisi, duke dalë kështu nga kornizat lokaliste. Me interes do të ishte edhe të qëmtohej se cili personalitet kulturor shqiptar i kohës nuk mori (dot) pjesë në punimet e Komisisë (p.sh. Konica, i cili do të duhej pyetur nga të parët, për drejtshkrimin dhe njësimin e shqipes së shkruar), por këtë nuk mund ta vijojmë këtu. Mjaft të mbajmë parasysh që ish kohë lufte dhe Shqipëria politike ishte zbërthyer.

[2] Edhe pse nuk më rezulton që Komisia Letrare e Shkodrës ta kish vënë këtë si kusht a nevojë për letërsinë artistike a për publicistikën, shkrimtarët gegë përfshi edhe ata me prestigj dhe autoritet të madh, nuk kishin ku t’i zbatonin vendimet e Komisisë, përveçse në fushën e botimeve – meqë nuk ishin pjesë e ndonjë “administrate.” Ja si shprehet Xhevat Lloshi: “puna e Komisisë kishte të bënte me gjuhën zyrtare, me shkollën dhe me fenë, por jo me letërsinë.”

[3] Nga përvoja personale, them se dy shqipfolës të pashkollë, nga treva të largëta mes tyre, nuk do të merreshin dot vesh mes tyre (kam qenë vetë i pranishëm në situata të tilla, në vitet 1970, kur stërgjyshja ime nga Gjirokastra, analfabete, nuk merrej dot fare vesh me një fqinjën tonë, malësore nga Veriu: por kjo nuk i pengonte që ta donin njëra-tjetrën si të ishin nënë e bijë!). Nëse kjo sot nuk ndodh, shkaku do kërkuar te shkolla dhe ndikimi i televizionit. Kam përshtypjen se variantet letrare përkatëse – ose tekstet e shkruara – janë më afër mes tyre, se dialektet (dhe të folmet) përkatëse; dhe se të kuptuarit e teksteve të shkruara ndihmohet edhe kultura që kanë mes tyre të përbashkët autorët, pavarësisht nga origjina e tyre dialektore dhe gjeografike. Por kjo temë nuk mund të trajtohet këtu.

[4] Te Bahri Beci, Historia e standardizimit të shqipes, lexoj se Ministria e Arsimit pat vendosur, në vitin 1951, që mësimi në klasat e para të shkollave fillore në Veri do të bëhej toskërisht.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin