NËPËR SHTATOR

nga Elsa Demo

Në të dalë të Lezhës po merret vesh që, sa më e afërt distanca, aq më e pamundur pika e mbërritjes. Autobusi Tiranë-Shkodër hap krahun në një stacion të rastit, një xhep i rrugës nacionale. Polici rrugor vjen rrotull dhe kur automjeti niset, fotografon vjedhurazi targën. Nuk kapet gjesti i një gjobe skuthe në këtë vapë. Pak minuta më vonë, shoferi pyet në hava: “Pse na kapi në foto ai ne?”. Asnjë nuk i përgjigjet. Atëherë ai ndalet, ecën indietro drejt xhepit të mëparshëm. Pasagjerët zbresin, futen nën hijen e autobusit, ndezin cigare, blejnë ujë në barin më të afërt. Sqarimi me fytyrën e shtetit rrugor merr kohë.

Në pikën gjeografike ku Drini i Lezhës bëhet moçal, kujtoj tri momente nga 6 dhjetori i vitit 2007. Ishte festa e Shën Kollit, shenjtit me ikonografinë më të pasur në kishat tona. Katedralja e sapondërtuar që mori emrin e tij, kishte filluar shërbesat. Rrugës në furgon, një nënë e re, në prehërin e të cilës kishin vënë kokën dy çiliminj, më kishte folur për Shna Kollin, që rrënon të pasurin dhe pasuron të varfërin. Lmosh e vorfni më vinin nga goja e saj në plan të afërt me rakurs nga lart. Gruaja me të zeza thoshte se, natën e Shna Kollit, duhet me e lan portën çil se ka me ndodh qi të dashtunit e vdekun bajnë vizita.

Katedralja – luksoze për një shenjt të vorfnish – m’u shfaq plastike, e parafabrikuar, sadoqë për lëndë të parë ndërtimi ishte përdorur guri vendës. Bënte ftohtë dhe në mesdreke, fra Mikeli e donte një gotë verë të kuqe Kallmeti. Kisha ndier tek ai diçka prej hirit të pater Zefit, që nuk ishte më prej shtatorit. Pater Zefit mund t’i besoje pikëllimin gërryes që ia heq gurin e fundit murit të njeriut. I tregova fra Mikelit zakonin e një të njohurës së përbashkët që mbante me vete, të mbështjellë në çantën e përditshme, një dorë dhé nga varri i të motrës, e vetëvrarë atë pranverë. Në restorantin buzë rruge, ku shoferi po i shpjegohet policit gjobvënës, fra Mikeli më kishte thënë, midis dy gllënjkave verë, se nuk ka gjë matanë, nuk ka udhtim t’amshuem. E besonte dhe padri, me korpin mbarojnë të gjitha.

Në pikën moçalore të Drinit ku kemi ngecur, po të heqësh një linjë diagonale në të djathtë, merr për në Kodër Marlekaj, në kishën e Zonjës Nunciatë, e shek.XII. Pasditen e 6 dhjetorit të atij viti, shkova të takoj fra Flavio Cavallinin, që, ndër të tjera, kishte përkthyer italisht vëllimin e parë “Rrno vetëm për me tregue”. Nga dritarja e bibliotekës dukej Troshani, fshati i lindjes së Fishtës. Fishta kapërcente Troshanin dhe të dielave mbante meshë te Zoja Nunciate. Në një nga dhomat e sipërme u pati dhënë dorën e fundit disa këngëve të “Lahutës së Malcis”. Vargje prej saj Fra Flavio i kishte mbishkruar në memorialin që kishte ngritur në kopsht për nder të pater Gjergjit. Aty në buzë, qëndruam duke parë poshtë Dioqezën e Lezhës të ndizte dritat. Era frynte e hidhur. Edhe për Shna Kollin po të ishte, qetësuesin e erërave të egra, nuk do t’ia kishte dalë me njerin e atij dhjetori, që ndihet si dita në të rënë, si dheu në të rrëshkitur.

Shoferi ynë nuk e lëshon veten. Gjoba i rëndon më pak se dinjiteti prej burri të ndëshkuar. Ai e fut faturën në kroskot, pa ia ndarë sytë rrugës drejt.

Mbase më mbetet kohë për të shkuar në hotel, para se të fillojë takimi i orës gjashtë. Raportet burokratishte për festivalomaninë dhe punë të tjera kulture në publik do doja t’i përcillja të pashkëputura nga shëndeti social, të pazhveshura nga konteksti jo drejtpërdrejt i lidhur me to, si ky varg makinash 10 kilometër, ku kemi ngecur për herë të dytë rrugës për Shkodër. Një aksident i trefishtë ka ndodhur në Beltojë. Drejtuesit e mjeteve nuk janë më shumë se 30 vjeç, autoambulanca është në vendngjarje me sirenën fikur. Nuk ka viktima. Tri familje që kishin qenë brenda makinave të reja e kërcënuese pak më parë, tani turiprishura, presin buzë rruge t’i transportojnë në shtëpi.

Fatorinos s’i pushon telefoni, një Samsung sa gishti. Gjithëkujt ia hap dhe i thotë të presë, or shoq, nuk e di deri kur. Linja interurbane është prurëse porosish, ilaçesh, parash, pakosh. Në Perash autobusi ecën ngadalë dhe mund të matësh metrat distancë midis dy xhamive dhe një medreseje.

Era shtyn retë mbi zonën ku kërkoj hotel. Të gjithë të zënë, derisa diku thonë:

-Jena ful, po nji dhomë për ty e kena.

M’u kujtua rubrika në radio “Një këngë për ty”, se si mbrapa shprehjes së përkushtimit personal, zhduket paralajmërimi për gjënë e re që hyn në jetën e përdoruesve dhe i gëlltit ata. Çdo ditë të njëjtat këngë, derisa në bursën globale muzikore konsumohej dhe dilte nga qarkullimi emri i një artisti apo zhanri, që kishte lindur diku në Perëndimin përtej oqeanit dhe një kurs i ri propozohej, alternativë e të parit, që e zbrazte jetën në këtë cep Ballkani nga tingulli i thellë dhe i plotë.

Në fushatat tregtare, përkushtimi personal është turiela që biron dhe shkartis sloganet e festave religjioze me ato profane, e aksioneve për ndryshime politike e sociale me ato për shëndetin e gjirit, mitrës apo për pranimin e një orientimi seksual që dikush ka mall ta arrijë. Trazohen Shën Valentini, 8 Marsi, Pride Parade dhe Tetori rozë. Inxhinieria e shërbimeve estetike ofron devotshmëri “vetëm për ty”, që ta tregosh se e çmon jetën, kur ka gra që luftojnë me kancerin dhe vijnë në vehte të dërrmuara dhe ka të tjera që nuk ia dalin. Insinuohet me rrethana ku është e lartë pritja për të marrë dashuri pa kusht, pa interes, dashuri që i duron, i beson dhe i shpreson të gjitha, që nuk ankohet, nuk krekoset, nuk ligështohet dhe nuk lyp gjë në këmbim (dëgjoja njëherë një nuse që e recitonte “Korintasve” për dasmorët).

Sipas stampës “Një kinema për ty”, Bashkia e Tiranës njoftonte ofertën e biletave “dy në një” për kinematë Cineplexx në qendrat tregtare, të cilat pësojnë rënie të lehtë blerësish/spektatorësh gjatë muajve të verës.

Por nuk është e pataktë editoria të përdorë eminencën “një kandidat Nobel për ty”, “një Ben Blushi për ty”, “Një Lea Ypi për ty”, “Një Kundera për ty” (mund të shkruhej një tezë pse Kundera vazhdon të jetë në modë leximi tek ne, pse lexues e jolexues e përdorin lokucionin “lehtësia e padurueshme e qenies” si konservantin për ushqimet e ndenjura!). Nuk duhet paralajmërim për të marrë vesh se kultura mobilizuese e zvogëlon personin brenda grupit, e ndan shoqërinë në kongregacione në bazë të pushtetit, sërës shoqërore, shijes që sëra imponon dhe të cilat i bashkon adhurimi i llogaritur për t’i dhënë dikujt a diçkaje një gradë brenda një sistemi vlerësimi.

Reputacioni i përkushtimit personal është krimb mëndafshi që përkëdhel sedrën e blerësit, publikut, lexuesit, i cili nuk është dikush që mund ta distancosh e t’i tregosh plagën me gisht moral, sepse ai është babai, nëna, familja, rrethi shoqëror, dashuror, profesional. Të nesërmen e natës kur jeni shkrifëruar në bisedë për libra, filma dhe muzikë, që nuk i gjen në ndonjë burim masiv informacioni, miqtë shkojnë për të blerë fshehurazi teje, pikërisht librin eminent që kalëron hipodromin mediatik. “Konsumatorja nuk është hajvane, ajo është gruaja juaj.” Sentencën që ia atribuojnë David Ogilvy-t, Salman Rushdie-u e përmend te “Joseph Anton”, kur flet për periudhën që pati si shkrues reklamash pranë agjencisë së madhe “Ogilvy & Mather”.

E pranoj propozimin “Nji dhomë për ty”. Dhoma imiton stilin imperial në piacën neoklasike të Idromenos. Pas dukjes luksoze dhe rehatisë është dera që fut jehonat, çatmaja që transmeton zhurmën e çezmave në dhomat ngjitur, janë moblat me llak dhe shtrembërimi në to i rozetave e hardhive, janë mjelmat, kuajt e detit, nudot dhe peizazhet me të korra në tablo, është ngjyra e florinjtë surrogat i të praruarës në pasqyra.

Rrebeshi godet në dritaren e papafingos, projektuar nga Idromenoja më shumë se një shekull para, e që ka mbetur përvijimi i vetëm, i pacenuar nga manikyrosja. Brenda rekuizitës jeta kalimtare bëhet kujtim. Sapo është bërë kujtim. Po e shkruaj në të tashmen.

Takimi i sotëm me Lodi Lukën mbyll aktivitetet e vitit 2022 në Art House-in e Adrian Pacit. Emrin e kompozitorit e dëgjova këtë verë. Këtej e tutje do ta kujtoj për “Visions per due pianoforti” (2015).

Para se të flasë për veten, Lodi prezanton një shekull radikal në muzikën klasike që nis me zhvillimet e muzikës atonale. Arnold Schönberg-u, në njërën anë, ishte radikalisti që kompozonte “Pierrot Lunaire” (1912), në anë tjetër ishte konservatori që shkruante “Teorinë e harmonisë”, një libër që u mësonte studentëve të njihin si duhet tonalitetin.

Në vitet ’50, Shkolla gjermane e Darmstadt-it, me rolin e kompozitorëve Pierre Boulez e Karlheinz Stockhausen, bëhet laboratori i muzikës moderne, e përfshirë në teknologjinë e re të tingullit, me ndikim në përhapjen e minimalizmit.

Kur lexon esenë “Documenta e parë, 1955” e Ian Wallace-it (Seria “Bulëzat”, botuar nga Art House, Shkodër 2022) merr deri-diku përgjigjen pse Gjermania e pas Luftës së Dytë dhe pse arti abstrakt gjerman, kanë një rol në përgatitjen e klimës për zhvillime radikale në fushat e tjera të artit dhe të dizajnit, si art i përditshmërisë. Wallace-i tregon se Gjermania Perëndimore kishte arritur suksesin e “mrekullisë ekonomike” të Konrad Adenauer-it, i cili kishte vizionin për një Europë të bashkuar, ose për një federatë botërore që mund ta krijonte gjuha e përbashkët e artit. Po ashtu, e vërteta e fatit kombëtar duhej gjetur në thellësinë e arritjeve kulturore, jo në iluzionet e tregut politik apo komercial. Edhe modeli për ideologjinë e re të konsumatorit po krijohej në saje të ndikimit të artit abstraksionist. “Arti abstraksionist”, shkruan Wallace-i, “u bashkua me dizajnin e produktit, për të krijuar stilin dallues të viteve ‘50-të, i cili e identifikonte modernizmin me synimet materialiste që garantonin lumturinë e masës.”

I kësaj kohe është debati midis modernistëve dhe realistëve tradicionalistë, esenca e të cilit shprehet në “Dialogu i Darmstadtit”, një simpozium i organizuar me rastin e një ekspozite tematike mbi “imazhin e njeriut në kohën tonë”. Wallace-i kujton se, mbrojtja që Adornoja i bën modernizmit, mbështetej “në fuqitë kritike të disonancës që ndesheshin kryesisht në artin e muzikës; ai i nxiste modernistët të refuzonin të ktheheshin në objekt të mjeteve të komunikimit masiv manipulues ose, siç e quajti ai, të industrisë së kulturës. Perceptimi i Adorno-s për vlerat e negativitetit të krijuar nga efekti i disonancës në veprat e artit ishte disi më radikal, si politikisht ashtu edhe estetikisht”.

Kështu disonanca, një mënyrë e re e dizajnit të tingullit po përcaktonte një raport tjetër midis kompozitorit dhe publikut, se si ky do duhej ta dëgjonte muzikën.

Lodi vë buzën në gaz kur vjen radha e John Cage-it, shembullit ekstrem për thjeshtimin dhe të befasishmen në një performancë muzikore. “Cage è rimasto, ma la sua musica se n’è andata.”; pagliaccio, arlecchino, komente të kritikëve italianë këto. Ndërsa për Schönberg-un ai nuk ishte muzikant, por shpikës gjenial. Pas Cage-it, muzikantët amerikanë të një brezi, Terry Riley, Steve Reich dhe Philip Glass e bëjnë minimalizmin një fenomen i përhapur ndërkombëtarisht, i përzier me zhanret pop dhe jazz, me gjini si kinemaja dhe teatri (e gjen në teatrin shqiptar një rast kur përdoret muzika e sotme minimaliste).

Lodi kalon gradualisht nga historia në aktualitet, nga rrymat, shkollat dhe katedrat te personalja. Muzika e tij ruan densitetin, kompleksitetin dhe vështirësinë e muzikës klasike moderne, siç e ndjen në “letrën” për orkestër harqesh drejtuar Beethovenit, “Writing to Ludwig” (2020): https://www.youtube.com/watch?v=OOoRWtV7-PE.

Ai ka shkruar opera lirike, muzikë për orkestër, solistë dhe orkestër, muzikë dhome, muzikë për instrumente solo, të cilat janë interpretuar në stinë koncertore dhe akademi muzikore në Europë e më gjerë. Në vitin 2017 fitoi çmimin e parë në Konkursin e Kompozimeve Muzikore në traditën hebraike, me pjesën “Shirah” për violë dhe kuartet harqesh, e cila u transmetua në Rai Due dhe u interpretua drejtpërdrejt në Rai Radio Tre, gjatë programit “Piazza Verdi”. Në vitin 2022, shtëpia diskografike “Accademia 2008” publikoi albumet monografike “Visions Chamber Music” dhe “Chamber Concerts”, CD të cilat i kam në duar.

Duke patur parasysh “Vizione për dy piano” e pyes nëse ka shkruar ndonjëherë muzikë filmi. Te ky link: https://www.youtube.com/watch?v=QqefBx4Je-Q&list=PLA5BhJ1HE-6c3c1FyHFKh8uA_18vXcHX5&index=29 mund të dëgjohet pjesa që ka shkruar për një skenë nga “Nosferatu” i Murnau-së (1922), realizuar gjatë punës me mjeshtrin argjentinas Luis Bakalov. Gjatë këtij kursi kompozoi për skena nga filmat “Microcosmos i Pérennou & Nuridsany-t (2012), “Caos Calmo” i Grimald-it (2012), “L’ora di religione” i Bellocchio-s (2012), “Les Invasions Barbares” i Arcand-it (2003).

Në një nga shembujt muzikorë që dëgjojmë në takim, nis të dallohet frymëzimi nga kënga “Midis t’ballit ma ke një pikë” (siç do ta këndonte Marie Kraja, jo ndonjë nga të sotshmit). Lodi ka rastin të tregojë për ndikimin që ka tek ai muzika tradicionale klasike dhe muzika popullore shqiptare.

Ai shfaq në ekran dhe një anë të lidhjes që ka muzika e tij me vizualen, skicën dhe linjën. Janë gjurmë në partiturat e tij si shënimet përanësh faqes gjatë leximit. Shkodra, ku u lind më 1980-ën, del këtu për së dyti, si prekje e fshehtë dhe e butë për një stilistikë individuale. Lodi studioi piano prej moshës 6-vjeçare derisa u diplomua në liceun “Prenkë Jakova”. Pjesa tjetër e formimit të tij i takon tërësisht Perëndimit, në Konservatorin “Verdi” të Milanos, në Paris e Napoli më pas. Skicat dhe linjat në partitura tregojnë se banesa shkodrane është një shpirt, i gjallë akoma, nga e kaluara e tij në këtë qytet. Është gjuha virtuoze e daltimeve në gur dhe dru, në kolonat dhe shkallët e banesave të shekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, në punimet e hajatit, çardakut, trapazanëve, sergjenëve. Nuk është arabeska në to, por është diçkaja që i shfaqet dikujt kur, në gjendje ndjeshmërie pa intensitet, pa delir, nis të shohë qartë.

Pyetja “kur do të vish për koncert në Tiranë?” duket pa kuptim. Lodi u ka shkruar personave përgjegjës për disa skena, orkestra dhe institucione kombëtare në Shqipëri dhe nuk ka marrë përgjigje.

Në Art House gjej serinë “Bulëzat”. Janë dhjetë ese të ciklit “100 thoughts, 100 notes” botuar për Documenta-n e 13-të. Lexoj “Greenberg dhe Tronti: vërtet jashtë?”. Autorin Francesco Matarrese e shqetëson përkulja ndaj shijes së masave, qytetërimi i argëtimit, arratisja nga realiteti për të rënë në krahët e virtuales, braktisja e shpirtërores në art. Për t’i bërë ballë gjithë kësaj do duhej një formë e re shprehjeje, ashtu siç lindi abstraksionizmi nga një gjuhë refuzimi. E nëse “Lenini thoshte se e vërteta është revolucionare”, shkruan autori, “sot mund të themi fare mirë: e kaluara është revolucionare. Sepse e kaluara është e vërteta. Ndërsa e tashmja është e rreme: një prodhim i tepërt i artificiales, e cila jo rastësisht ka përfunduar duke futur në krizë vetë prodhimin e mallrave.”

Ka ese (në shqip i ka përkthyer Jola Llogori) ku nuk diskutohet vetëm roli i përvojës ekzistenciale të artit bashkëkohor. Në një pasazh, ku trajton temën “Iluzioni dhe nafta”, Jimmie Durham shënon: “Tashmë çamçakëzi përftohet nga nafta. Ashtu si gjithçka tjetër. Shumica e rrobave tona janë prej nafte – prej klorurit polivinil, i cili përbëhet nga nafta e përzier me ujë deti. Nëse themi se jetojmë në epokën e plastikës, duhet të kujtojmë se ajo e ka bazën te nafta… Plastika e parë në përdorim ishte celuloza e cila gjendet në natyrë, por jo në një formë shumë të përdorshme. Llumi i hollë apo lyra që shohim në sipërfaqen e një shishe uthulle ose mbi lëngun në të cilin zhysim kastravecat ose ullinjtë turshi, është acid acetik dhe celulozë.” Në këto kushte, një autore tjetër, Etel Adnan, mendon se bashkëkohësit nuk janë në gjendje për të paguar një çmim që do ta shpëtonte Tokën. Ajo thërret një herë Niçen dhe El-Hallaxhin, heq paralele mes pikëpamjeve të tyre për dashurinë dhe lirinë. Mistiku arab i shekullit të dhjetë e mirëpriti vdekjen, nëpërmjet torturës dhe kryqëzimit, si një çmim të natyrshëm për pasionin që ndjente; filozofi gjerman, si çmim për lirinë, zgjodhi vetminë e plotë që e çoi drejt çmendurisë. Pastaj Adnan-i del në përfundimin se, po të jetë për të gjetur zgjidhje, u duhet kërkuar bashkëkohësve të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e jetesës, të heqin dorë nga shumë komoditete, lodra, vegla dhe, mbi të gjitha, nga mitologjitë politike dhe fetare. “Do të na duhej të krijonim një botë të re”, thotë ajo. “Ne nuk jemi të gatshëm t’i bëjmë të gjitha këto. Pra, jemi, për ta thënë thjesht, të dënuar.”

Ka ese që i bashkon si perlat e zeza një fill fatthënës, i cili e ka burimin në fëlliqësinë e njeriut dhe modifikimin që ai i bën lëndës. A nuk është dhe kjo mënyrë e të parit të botës një stratagjemë, një rezervuar idesh që përfaqëson konsorciumin e një gjeneze?

Ese të tjera ndihmojnë për të reflektuar për artin bashkëkohor shqiptar që shihet ose si produkt i ngurtë ideologjik i një epoke, ose si biografizëm. Gjithë mendimi mbi zhvillimet e sotme të artit tek ne, përbëhet nga dy gisht tekstesh kuratoriale që shoqërojnë ekspozitat disaditore. Nuk ka kërkim konstant për artistë të veçantë dhe praktika artistike.

Në krahun tjetër të piacës ndodh Shkodra Jazz Festival, i themeluar në vitin 2005 për të mbajtur gjallë kujtimin për violinistin Rrok Jakaj. Festivali më kujton çdo shtator momentin e dhënies së lajmit për vdekjen e Rrokut në autostradë, në Itali. Çelisti Pjetër Guralumi hyri si i ndërkryer në redaksinë e “Shekullit” dhe solli nekrologjinë për mikun e tij.

Festivali ka një hapësirë për edukimin, “Rrok Academy Classic”. Nxënës të shkollës artistike punojnë nën drejtimin e një mentori dhe në fund mbajnë një mbrëmje klasike. Mbrëmja fillon me gjysmë ore vonesë. Në hyrje të bashkisë është ngritur një skenë e larë me drita, me sfond një ekran që projekton soje zogjsh dhe bimësish të largëta. Rruga është bllokuar me një seri stolash e tavolinash popullore dhe në trotuar një radhë më e zgjedhur ku shërbehet verë. Qytetarët sup më sup, me një gotë birrë përpara, ndjekin ç’bëhet rrotull.

Natë populiste “me muzikë skandinave” nga një orkestër harqesh. Tekniku i aparaturave të amplifikimit të tingullit nuk po e bën punën. Muzika vjen e mbytur dhe e rëndë. Por është verë, fresk, pushimet nuk kanë mbaruar, përgjegjësia për punën nuk ka filluar. Të gjithë e ndiejnë veten të përfshirë në tablonë e një qyteti perëndimor.

Në Shkodër janë mbajtur në pak muaj dy festivale për kinemanë dhe artin bashkëkohor. “Idromeno”, një festival i ri i ndërmarrë nga një grup të rinjsh, u organizua kryesisht në kinemanë e qytetit. Bashkia po kërkon një shteg të ligjshëm për ta hequr nga qafa “Milleniumin”, këtë gur kulture fals. Pjesë e projektit që ndërmori si ministër kulture Edi Rama, në fund të mijëvjeçarit të kaluar, për administrim privat të pronës shtetërore, sot “Millenium” nuk ka standardet e ndriçimit dhe zërit për projeksionin e një filmi. Pa llogaritur vrugun që e përfshin jashtë e brenda objektin-kafehane.

Festivali “Ekrani i Artit” me fokus video-artin dhe filmin eksperimental, pasi e provoi skarcitetin e “Milleniumit”, ndërmori shfaqjen e filmave në oborret e banesave të vjetra shkodrane. Parë në perspektivë, kjo nuk është zgjidhje. As Teatri “Migjeni” nuk bëhet kinema. Nga shfaqja e fundit e një filmi në teatër kujtoj dyert dhe poltronat kërcitëse, mjerimin e sallës ku nuk është vënë dorë prej dekadash. Objekti në këtë gjendje është mohim i historisë së “Migjenit”. Premtimi i “Rilindjes” për rikonstruksion total u reduktua në “ndërhyrje në rrjetin elektrik”. Drejtoresha e teatrit tha njëherë se, ndërhyrja në rrjet ishte “sa për të na shpëtuar nga vdekja”.

 

***

Zhytemi në detin e shtatorit. Jemi larg asaj gjeografie të Shqipërisë, e cila e demonstron veten njëlloj në bukuri dhe shkatërrim.

Marrim paratë, telefonat, bidonat me ujë dhe bëjmë disa kilometër bregut. Shoqja ime ma merr nga dora çantën dhe në kthim, po ashtu, refuzon të ma kalojë peshën. Shikoj gjurmën e saj në rërë, pa zë si bujaria e saj. Ndiej se çdo dhimbje që do të vijë në të ardhmen, ka për të rënë mbi ditët dhe vitet e shkuara e lehtë dhe pa lëndim.

Flasim për Salman Rushdie-un. Para dy javësh u godit në skenë, me thikë në qafë. Te “Joseph Anton” ai tregon se laureati egjiptian i çmimit Nobel Naguib Mahfouzi, i akuzuar se romani “Fëmijët e Gebelawit” blasfemonte kundër Muhamedit, u godit me thikë në qafë në vitin 1994. Shkrimtari i moshuar shpëtoi nga vdekja, ashtu si Rushdie-u sot. Në lajmet e këtyre ditëve nuk përmendet ky precedent, e as nëse ekziston një ritual ndëshkimi me “thikë në qafë” për ata që cilësohen ofendues të Islamit. Megjithatë, dashuria e babait për të birin është më e fortë se fatwa. Salmani kërkoi ta ndërtojë vetë imazhin e vetes në sytë e Zafarit dhe jo të tjerët për të. Them se kjo është në thelb të autobiografisë “Joseph Anton”, përtej ligjërimit politik të veprës për lirinë e shprehjes dhe krijimit.

Nata vjen e qetë. Nga dritarja e papafingos dëgjohen mbytur zhurmat e fundit. Nga rruga rrëshqasin në tavan fasha drite dhe hije.

Në mëngjes burri i “nji dhomë për ty” thotë:

-Ka problem mos me ta dhan njat faturë? E kena kalu normën për kët sezon. Nji herë tjetër, nga nandori noshta, mundesh me fjet nji nat pa pare.

-Nuk besoj se do kthehem tani afër.

-Si ta nish!

Asaj dite më vjen një video ku një trio luan “Libertangon” e Piazzollas në skenën e Shkodra Jazz Festival. Mesazhi thotë: “Sonte ishte vërtet jazz!”

 

***

Në Korçë është “KoKofest”, edicioni i nëntë i Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë. Për 45 minuta mund ta përshkosh qytetin më këmbë nga stacioni i autobusëve në skajin tjetër, te varrezat publike. Korça ka për të të ofruar në rrugë, objekte e parqe si asnjë qytet tjetër në Shqipëri dhe aq sa pjesën social-komuniste mundet mos t’ia llogaritësh, po edhe një farë veli plastmasi që e vesh në pezhishkë pazarin e vjetër dhe disa banesa mirëfilli qytetare të borgjezisë korçare të shekullit të kaluar, përgjatë Bulevardit “Republika”, në dorë ke t’i shmangësh.

Nga librari shëtitës në Bulevardin e “Shën Gjergjit” zgjedh “Vishnjat e egra” të Arsinoi Binos. Ajo përmendet si e para dramaturge që u ngjit në skenën e teatrit profesionist “Çajupi” me dy drama në vitet ’50-‘60. “Vishnjat” e përfundoi në vitet ’80 dhe u botua më 1996 pas vdekjes së autores. I besoj parathënies së Eglantina Mandisë, fjalëve të Gjergj Zhejit për Arsinoin, portretit të saj bardhë e zi dhe e blej romanin. Pastaj shoh “Nga robëria në robëri” (2022), kujtimet e Rahman Mohammadianit. Në kopertinën pas ka një logo me ngjyrat e flamurit të Iranit dhe shqiponjën e zezë. Brenda saj shkruhet: “A.S.I.L.A – Association for the support of iranians living in Albania. Albania-2021-Tirana”. Lexoj përmbajtjen: lindja më 1959 dhe vitet e para të shkollimit në Khorramabad; në frontin e luftës kundër sulmit të përgjithshëm të Irakut; transferimi në Bagdad dhe marrja në pyetje; udhëtim kafshësh; transferimi në kampin “Ramadije”; bashkimi me muxhahidinët; kontradikta e parë dhe mospërputhjet; lufta e parë e Gjirit Persik; revolucioni ideologjik bëhet universal; lufta e dytë e Gjirit Persik; transferimi i mbrojtjes së kampit Ashraf te forcat irakiane; kampi “Liberty”; çlirimi; vendimi për t’u shkëputur nga organizata.

Rahman Mohammadiani jeton në Shqipëri prej gjashtë vitesh. E vetmja dëshirë e tija është të takohet me familjen. E blej librin.

Sonte shfaqet tragjikomedia “Jashtë bie borë” (1995) e autorit italian Vincenzo Salemme. Biletaria ndodhet në një zgëq, midis teatrit dhe një objekti banimi. Në holl gjej katalogun e festivalit. Emrat e komediografëve injorohen aty. “Jashtë bie borë” nuk ka autor; “A flasim për burrat” po ashtu; “Të prezantoj babain” e ka të palexueshëm emrin e autorit. Nuk kanë ç’i bëjnë Molierit dhe Shekspirit, përndryshe kulti i aktorit tek ne do t’i kishte zhbërë edhe ata. Diktatura e aktorit, e kësaj figure ekzekutuese, e këtij instrumenti për prodhim kulturor për konsum, e përçmon autorin, autoritetin dhe pavarësinë e tij.

Juria e “KoKoFest”-it përbëhet nga aktorë. Nuk ka autor, regjisor, kostumograf, studiues, njohës të teatrit. Është aktore drejtoresha e festivalit. Ajo zgjedh pjesët, juritë, të ftuarit, çmimet e karrierës. Ajo është drejtoresha shumëvjeçare e “Çajupit” që po prezanton jurinë: “Aktorja O., më e talentuara e brezit të vet! Aktorja Y., më e mira e të gjitha kohërave! Aktorja L., e shikon që e gjithë Korça ty të do? Aktori Ç., më i madhi i të mëdhenjve!… Kritiku J., e çfarë do të ishim ne pa fjalën tënde!”

Kritiku J. ka ardhur nga Tirana si spektator nderi i festivalit.

Në fund, thirrje publikut t’ia vënë veshin shfaqjes: “Keni çfarë të mësoni, o njerëz!”.

“Jashtë bie borë” konkurron në festival si produksion i Teatrit “Skampa” të Elbasanit. Vepra e Salemme-s është ngjitur në skenë rreth njëzet vjet më parë nën regjinë e Çulit, i cili luante dhe vazhdon të luajë Çiçon. Kam parë rivënien në vitin 2007 me Çulin, Trebickën, Selën (mos gaboj) në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. Regjia, skenografia, muzika, kostumi i Çiços dhe loja e Çulit, janë po ato. Hyrje e re janë Helidon Fino, i trupës së Teatrit Kombëtar dhe Hysen Mullajonuzi e Mario Elezit, të trupës së Elbasanit. Atëherë, përse paraqitet si produksion i “Skampës” dhe përse konkurron mes produksioneve të reja në festival?

“Teatri mbaroi. Ne po ikim!”, thotë Çiçone në fund. Në gojën e Çulit do ishte më e saktë të thuhej: “Ne mbesim, teatri zhduket.” Ky është interesi që i bën ballë çdo konflikti. “Borgjezi fisnik” i Molierit, vënë në skenë nga Kushtrim Bekteshi me Teatrin e Tetovës, provon se “KoKoFest” nuk zgjedh, por grumbullon ç’të sjellë përroi. Një produksion shkollor do ishte më lart.

Një shëtitje në varrezat e qytetit është material më shpirtëror se kultura që e mbajmë për shpirtërore, teatri apo kinemaja. Varret janë më shqiptare se historitë që flasin shqip në skenë. Bari është kositur, parcelat janë shpërvjelë, bordurat e betonit janë lyer me gëlqere, edhe trugjet e pemëve, muri rrethues është i mirëmbajtur. Leximi përmes  emrave dhe datave është çlodhës. Dedikimet janë të vërteta: “Nëse do dish të më kujtosh, do jem gjithmonë me ty “Naçka ime”.” Bamirësit që e bënë Korçën me shkolla, bibliotekë e spital janë këtu, edhe adhuronjësit e kombit janë këtu. Varrin e Pandeli Cales (1878-1923) dikush e ka pastruar së voni. Sokrat Mio (1902-1992) prehet me të atin. Varri i regjisorit hijezon më me nur se çdo vegim skenografik në teatër.

Nuk di që “Çajupi” të jetë kujtuar këtë vit për përvjetorët e Mios. Më mirë kështu! Dëshira për nderim nuk i bën fisnikë pasardhësit që e kanë të zorshme të ngrihen në nivelin e punëve që i ndjeri ka bërë për shoqërinë.

“Ky nuk është festival ku artistët vijnë për një pjatë supë”, thotë regjisori bashkëkohor Hervin Çuli në “KoKoFest”. Gjithnjë me të ngrënën e krahasojnë punën këta. Shkatërrohet teatri, kujtojnë litarin e bukës; u vjen mundësia të ngrenë zërin, kujtojnë bukën e kalamajve. Dhe pse duhet t’u kërkohet sinqeritet kur japin çmime? 12 çmime për 6 shfaqje? Aktori më i mirë, Hervin Çuli. Shfaqja më e mirë, “Jashtë bie borë” e Hervin Çulit, drejtor i Teatrit Kombëtar pas 8 vitesh në detyrë dhe regjisor i lirë në “Skampa” apo “Çajupi”, ku t’i dalë.

Regjia më e mirë, Altin Basha me “Gjâja” e Joe Ortonit, vënë në skenë me Teatrin “Migjeni”. Altin Basha, prej dy vitesh drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe teatri nuk ka një kalendar. Ai vetë është regjisor në sezonet e Teatrit Kombëtar dhe e teatrit të Shkodrës.

Nuk ka kuptim të përmendim çmimet e tjera të “KoKoFestit”, sepse arroganca dominon në emër të një komuniteti më të gjerë, në emër të të rinjve sidomos, edhe në emër të atyre që u varin një çmim.

***

Pas shfaqjes së trupës nga Tetova, takohem me kolegen e Televizionit Shqiptar në Korçë. Ajo është nënë e re dhe më flet për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe pornografia në internet. Prindët mund të mos e kuptojnë përse dhuna është për fëmijët një aksion vizual i pëlqyeshëm. Nga ana tjetër, prindët nuk e dinë që kanë në dorë t’i mbrojnë nga ofertat e dhunës dhe pornos, ndërkohë që të vegjlit nisen të lundrojnë virtualisht për të parë “Sirenën e vogël”.

Dua t’i ndaj dhe unë hallin tim, faktin që nuk arrij të bëj bashkë tre njerëz të kulturës për të diskutuar për veprën e Salman Rushdie-ut. Refuzimin e fundit me një nga përkthyeset e veprës së tij në shqip, e mora në telefon në ndalesën e autobusëve përgjatë rrugës Korçë-Tiranë. “Më vjen keq, nuk vij dot. E dua Rushdie-un, nuk e përkthej kot. Më pëlqen gjuha e tij, kultura e tij, guximi i tij, por nuk mund të dal të mbroj në publik mendimet e tij. Mendimet e tij janë të tijat. Nuk mund të mbaj barrën e tij.” Tema e emisionit është letërsia e tij, dua t’i them, bota e tij me librat dhe këngët e një brezi, adhurimi për letërsinë shkencore, rrëfenjat e të atit, pështjellimi i tij si rrënjëshkulur nga Bombei.

Pas sulmit fizik mbi shkrimtarin, mbetet reale frika te botuesit dhe përkthyesit. Megjithatë, Rushdie-u, kur jetonte në fshehtësi, mbështetësve të vet u thoshte: nëse doni të më mbroni, mbroni tekstin, mbroni letërsinë.

Në një nga pasazhet tek “Joseph Anton” ai reflekton kështu për librin “Vargje satanike”: “Historia e lindjes së islamit ishte ngashënjyese për shkak se ishte një ngjarje që kishte ndodhur brenda historisë… dhe se njeriu mund ta pranonte Muhamedin si një mistik të vërtetë – sikundër mund të pranohen si të vërtetë zërat e dëgjuar nga Zhan D’Arka apo zbulimet e Shën Gjon Hyjnorit, si përvoja “të vërteta” të atij shpirti të trazuar – pa pasur nevojë të pranohet gjithashtu se, sikur dikush të kishte qenë atë ditë në krah të Profetit të Islamit në malin Hira, edhe ai do ta kishte parë Kryeengjëllin. Shfaqja e perëndisë duhej kuptuar si një ngjarje e brendshme, subjektive, jo si një realitet objektiv, ndërsa teksti i një zbulese duhej studiuar me kujdes sikundër çdo tekst tjetër, duke përdorur të gjitha mjetet e kritikës: letrare, historike, psikologjike, gjuhësore dhe sociologjike. Shkurt, teksti duhej parë si një artefakt njerëzor dhe kështu, si të gjitha artefaktet, mund të ishte pre e gabimeve dhe e të metave njerëzore.”

Telefonata refuzuese ka mbaruar. “Merci d’exister”, them dhe më vjen të qesh që më kujtohet pikërisht një përkushtim personal. Një radio e krishterë ma dërgonte përditë një kohë në postën elektronike. Pastaj dëgjoja lart e poshtë nëpër Tiranë njerëz t’ia thoshin njëri-tjetrit: Falemnderit që ekziston.

Në Qafë Thanë zbret një pasagjer. Ai i ankohet shoferit për rritjen e çmimit të biletës. Shoh qafën e tij skuqur dhe ngurtësuar nga zemërimi.

Sot që shkruaj, dëgjoj se Rushdie-u e ka humbur njërin sy dhe njërën dorë nuk mund ta lëvizë më.

***

Festivalet kulturore duhet t’i njohësh nga afër për të parë sa i ngjajnë modelit stok të apartamenteve, atyre që nuk shiten dhe atyre që blihen nga gangsterët e parajsës. Këta lënë ndezur një dritë, për të thënë se ka frymë njeriu brenda.

Tirana po shënon një vit historik festivalesh. Në kuadër të “Kryeqytetit Europian të Rinisë 2022” (European Youth Capital) lindën brenda pak muajsh festivale zhanri që iu mbivendosën atyre me traditë apo duke sfiduar ato pa një identitet të formuar. Rol në këtë përplasje axhendash, pa llogaritur javët kulturore të ambasadave, ka Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar që ka financuar projekte rishtare. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në varësi të Bashkisë së Tiranës, u përfshi në organizimin e Festivalit të Filmit Ekologjik dhe Festivalit të Filmit për Fëmijë. Vetëm gjatëm shtatorit u organizuan në Tiranë:

Festivali Ndërkombëtar “Jazz in Albania”, Tirana Photo Festival, Festivali Ndërkombëtar i VideoArtit “Gjon Mili”, Tirana Rocks – edicioni i parë i festivalit të muzikës rock, Tirana Digital Nomad Festival, Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, Tirana International Film Festival. Këta dy të fundit, bashkë me Dea Film Festival dhe Festivali i Filmit dhe Ushqimit në Pogradec, kanë mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Kaq shumë festivale filmi në një vend me prodhim të varfër filmik dhe jo konkurrent në skenën ndërkombëtare; festivale mbi imazhin dhe videon në një vend me kulturë vizuale të prapambetur. Shembuj aktualë: ikona e “Ivanovit” të Hervin Çulit apo imazhi që Nikolin Gurakuqi i kishte dhënë operës “Cavalleria Rusticana”.

Analizat në mbyllje të vitit mund të marrin në konsideratë statistikat për numrin e plotë të aktiviteteve, buxhetet dhe pjesëmarrjen e publikut gjatë kësaj histerie në emër të kulturës. Por nuk kemi pengesë t’i referohemi pa shifra TIFF-it që këtë vit bëri 20 vjet. TIFF ose si modifikohet një model nën peshën e obezitetit festivalor.

Kritikët e filmit në botë mbajnë qëndrim kritik për komercializimin e festivaleve, humbjen e identitetit të tyre, për publikun pa kulturë filmike. Në mungesë të një audience të mprehtë, festivalet e filmit shfaqin “kinemanë botërore”, që fokusohet në politikën personale dhe historitë ekzotike. Kontributi i festivalit në skenën e gjallë është i papërfillshëm, madje është dëmprurës, sepse divulgon shijen për kinemanë. Kam parasysh mënyrën se si i prezanojnë filmat, si diskutojnë për to drejtuesit e festivaleve, të cilët nuk i lë protagonizmi të thërrasin njerëz që e njohin gjuhën e filmit.

Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë nuk u bën përshtypje që prej 10 vjetësh nuk ka festival të filmit shqiptar, nuk ka shqetësim dhe analizë për produktin kulturor kombëtar.

QKK-ja kur financon një festival ndërkombëtar kërkon të dijë:

-audiencën e pritshme, e shprehur në shifra

-numrin e filmave të huaj/shqiptarë që parashikohet të aplikojnë

-numrin e filmave të huaj/shqiptarë që parashikohet të seleksionohen në konkurrim

-kineastë dhe personalitete të huaja që do të marrin pjesë në festival

-ativitete që organizohen në kuadrin e Festivalit (workshop, trajnime, promovime, etj.)

Nëse QKK-ja do ta merrte seriozisht punën që i ngarkohet, do t’i shtonte festivalit të tjera kërkesa për rritjen e cilësisë:

Kanë ndikuar festivalet në kinemanë vendase?

Janë bërë ndonjëherë iniciatorë të një projekti filmik?

Kanë nxitur mendimin kritik për kulturën filmike?

Përgjigjja për secilën pyetje është “JO”.

Më tej:

Është festivali joshje turistike për qytetin?

Si ndikon ai në imazhin e qytetit?

Si ndikon në zhvillimin kulturor të qytetit?

Si ndikon në zhvillimin ekonomik të qytetit?

Në ç’nivel është promocioni, publiciteti, shpërndarja e informacionit, infrastruktura, kultura dhe performanca e gjithë aktivitetit?

QKK-së, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë nuk u bën përshtypje që festivalet e filmit nuk kanë struktura të ndara, drejtues, programues, staf, bord i përbërë me kineastë, përfaqësues të festivalit në botë, me anëtarë parlamentarë, këshilltarë bashkiakë. Festivalet janë pronë e një grupi njerëzish që janë burrë e grua, ose babë e bir, shokë që kur ndahen, krijon secili festivalin e vet. Asnjë festival nuk ka për t’u bërë pasuri publike. Do të vazhdojnë të përfaqësojnë shijen e sëmurë të personit që e organizon.

Mbrëmjen e hapjes së TIFF-it “Milleniumi” ishte plot. Vinin rrotull një Merilin e shkurtër e gjoksmadhe, me fustanin e bardhë ikonik, paruke e vetulla tatuazh; Gazmend Paja si Al Paçino në “Parfum gruaje”; një tjetër si Monika Beluçi te “Malena”. Një vandak buratinësh dalë nga dollapi i “Portokallisë” hapi festivalin e filmit. Top Channel, partner mediatik i festivalit dhe ky që nënshtrohet: i bën reklamë sezonit të ri të “Portokallisë” para filmit premierë “Ennio” të Tornatores.

 

***

Në Skelë marr furgonin për në Radhimë. Nga Uji i Ftohtë në hyrje të Radhimës, ka disa muaj që e kanë gërryer asfaltin. “Shiko ç’bëhet… hotele, rezorte, pallate”… Zëri i shoferit dridhet nga tronditja e furgonit në rrugën e dhëmbëzuar. “Njerëzit nuk japin para për të blerë tokën, por shesin votën. Investitor i tokës është sekseri i votës që në këmbim, pushteti i jep leje ndërtimi.” Midis dhëmbëzimeve ndërhyn zëri mëndafsh i një zonje, e cila në një emision fëmijësh, u mban të rriturve një monolog për mirënjohjen. “Njerëzit do t’i jenë mirënjohës Edit, do t’i jenë mirënjohës për Lungo Maren, Velierën, për hijen që lëshojnë kumbullat e egra te Xhomlliku, për bulevardin e ri te Treni. Do t’i jenë mirënjohës kur ata ta kuptojnë bamirësinë dhe largpamësinë e tij. Do të jetë vonë ndoshta, por Edi i duron, i beson dhe i shpreson të gjitha. Edi nuk ankohet, nuk krekoset, nuk ligështohet dhe nuk lyp gjë në këmbim.”

Zërat bashkohen në polifoni:

rezortetjanëvotateditshiturmirënjohësdhuruarlungopushtet.

-Për këtë erdhe deri këtu?

-T’i mbyll sytë thua ti?

-Jo. Më thuaj, çfarë sheh?

-Ujë transparent, pa ngjyrë, pastaj në gurëkali, i murrmë, gurëkali, i murrmë prapë, i zi. Deti është det, pema pemë, mali mal, guri gur, qielli qiell, çifti që bën selfie (mos i dil në kuadër!) është çift që bën selfie dhe jo çifti në imagjinatë.

-Nuk je deti, pema, mali, guri, qielli, çifti. Jeta jote nuk është gjëkund tjetër ku nuk je ti. Jeta jote je ti.

-Po. Nuk kam më nevojë për madeleine-ën.

-Nuk ke nevojë të identifikohesh…

-Këtu ku jam, jo.

-E arrin dot këtë në qytet?

-Nuk jam e sigurt. Nuk i ndaj dot objektet nga simbolet, lidhjen e shqisave me iluzionet. Një aromë është aromë dhe diçka tjetër. Një zë tërheq pas një kamion gjërash që kanë ekzistuar në të shkuarën ose që nuk kanë ekzistuar. Një ngjyrë, një imazh janë vetja dhe diçka më shumë që ua vesh unë. Ato më çojnë ku duan.

-Edhe një herë, çfarë sheh?

-Ujë transparent, pa ngjyrë, pastaj gurëkali, i murrmë, gurëkali, i murrmë, i zi. Po të duash ti, nga këtu shoh edhe Zyrën e Informacionit Turistik në Radhimë dhe ekspozitën e mjeteve detare motorike.

-Çfarë po dëgjon?

-Zërat e Tefta Radit dhe Elsa Xhait. Po pijnë kafe në verandë.

-Mos më thuaj se të vjen t’i përqafosh. Nuk ke miqësi, por të vjen t’i përqafosh?

-Pse ty, nuk të vjen?

 

Ky shkrim është pjesë e një cikli mbi aktualitetin kulturor dhe artistik në kryeqytetin shqiptar dhe jo vetëm. Mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autores dhe në asnjë rast, nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin