RADHA DHE MIKU

(RADHË DHE PRIVILEGJ IV – shënime)

Kodi i sjelljes në radha është studiuar relativisht mirë dhe nga perspektiva të ndryshme, siç janë studiuar edhe llojet e radhëve. Me logjikë, kur radha dështon të formohet, janë më të fortët ose më kokëkrisurit që arrijnë të sigurojnë të parët mallin ose shërbimin e dëshiruar, shpesh edhe në grindje me njëri-tjetrin. Që këtej, radha do parë edhe si një mënyrë mekanike për shmangien e konfliktit, duke eliminuar pabarazinë dhe privilegjin, nëpërmjet adoptimit të një hierarkie (rendi) të bazuar në kohëpritjen.

Mund të supozohet, nga ana tjetër, se zhvillimi ekonomik, rritja e qyteteve dhe konsolidimi i tregtisë me pakicë i paraprinë shfaqjes së radhëve për mallra ose shërbime, duke “ua mësuar” radhën edhe atyre që nuk e njihnin, ose që zbatonin hierarki pritjeje të tjera. Për shembull, të gjithë ata që respektonin rangun më shumë se principin e barazisë, do të ndiheshin të detyruar t’i hapnin vend një personi me status social më të lartë, ose një të moshuari, ose një funksionari të njohur publik, duke e ftuar të kalonte përpara, si formë kortezie elementare. Këtë dukuri mund ta përkufizojmë edhe kështu: emri merrte përparësi ndaj jo-emrit. “Radhëtarët” mund të hynin me njëri-tjetrin anonim në marrëdhënie të barazisë, por kjo nuk i bënte që të braktisnin principe të tjera të ndërveprimit, kur u dilte përpara një person i njohur; p.sh., një gjimnazist do t’i hapte radhën mësuesit të vet. Në analizë të fundit, pritja ishte haraçi abstrakt i anonimitetit.

Vetë rregullat minimale të mbarëvajtjes së radhës varen nga anonimiteti; sepse ato synojnë të ruajnë paqen dhe mirëkuptimin mes njerëzish që nuk njihen, por që detyrohen të ndajnë me marrëveshje kohën dhe hapësirën mes tyre, ngaqë kanë të njëjtin synim: të sigurojnë mallin apo shërbimin përkatës. Nga ana tjetër, shumë nga këto mallra, artikuj ose shërbime askush nuk do t’i siguronte dot vetëm duke mbajtur radhën dhe duke kaluar nga një radhë në tjetrën; dhe praktikisht të gjithë ia dilnin që, në një mënyrë ose një tjetrën, të hidhnin në dorë gjëra të lakmuara nëpërmjet “mikut”, duke njohur një shitës a një shofer të shpërndarjes a një administrator gjëkundi; ose edhe duke në këmbim të favoreve të vogla, të tipit “unë të gjej dy kile peshk koran për një sebep që ke, ti më gjej një fletë-kampi”; favore që nuk ishin veçse transaksione në zgrip të hapësirës publike, dhe që kompensonin një masë të madhe mungesash në treg. Mekanizmi i “mikut”, që funksiononte gjerësisht edhe në fusha të tjera (duke marrë formën e “ndereve”), mbështetej mbi njohjen e tjetrit, që është edhe e kundërta e anonimitetit; për këtë arsye, ai mekanizëm ndihmonte për të shmangur qëndrimin në radhë. “Miku” dhe radha mund të shihen kështu si dy anë të së njëjtës medalje: varfërisë katastrofale të tregut me pakicë dhe të shërbimeve të nevojshme për qytetarët, në një ekonomi të planifikuar, ku çmimet mbaheshin artificialisht të ulëta, pa çka se u përgjigjeshin mallrave dhe shërbimeve zakonisht të pagjendshme a të pasigurueshme.

Si mekanizëm, “miku” shtrihej shumë më tej se tregu me pakicë; me “mik” mund të sigurohej një notë kaluese në provim, një fletë-kampi për një vend klimaterik të lakmuar, një vend pune, një e drejtë studimi; në përgjithësi, “miku” ishte kundërveprimi i komunitetit ndaj një sistemi që kërkonte disiplinë dhe kontroll total. Mekanizmi i mikut kërkonte njohje paraprake mes palëve, një rrjet informal njerëzish të lidhur mes tyre me borxhe favoresh ose “nderesh” të ndërsjellta dhe një hapësirë marrëdhëniesh ekonomike ose sociale ende të pakontrolluar tërësisht nga shteti, ku kish ende vend për agjenci personale dhe private, që nuk do të linte gjurmë burokratike. Individët merrnin pjesë me dëshirë në këto lloj transaksionesh, sepse ashtu krijonin kapital nderi (unë që të ndihmoj ty sot, do të kem nesër nevojë për ty) por edhe realizoheshin si individë, në kundërshtim me anonimitetin dhe anonimizimin që impononte marrëdhënia me sistemin. Me pak fantazi, mikun mund ta këqyrim edhe si manifestimin themelor të shoqërisë civile në totalitarizëm. [1]

Sa kohë që shtetasit, për të siguruar jetesën dhe një mirëqenie minimale, nuk vareshin tërësisht nga funksionimi i makinës administrative të shtetit, meqë mangësitë dhe dështimet e kësaj i kompensonin nëpërmjet “mikut”, atëherë ky mekanizëm kompensator u shërbente të dyja palëve, edhe regjimit edhe qytetarëve, duke ruajtur njëfarësoj paqen sociale. Frustrimi i kujt nuk arrinte dot ta siguronte atë që dëshironte nuk ushqente ndonjë rebelim instinktiv, sa kohë që ngushëllonte shpresa se dëshira do të plotësohej me ndonjë mënyrë tjetër, alternative.

Duke qenë radha në rastin më të mirë bezdi, dhe në rastin më të keq torturë, mishërim i pushtetit të sistemit ndaj individit, asfiksim i vullnetit të lirë, pezullim i çdo agjencie përtej vendimit për ta braktisur radhën, atëherë nuk është për t’u habitur që të gjithë ata që detyroheshin t’i nënshtroheshin këtij rituali do të kërkonin mënyra për t’iu shmangur – aq më tepër që ishte e vështirë të bindje veten se, duke qëndruar në radhë, “po i shërbeje atdheut.”

Më e lehta mënyrë për t’iu shmangur radhës ishte ajo që të bleje “pa radhë” – çfarë ndodhte relativisht rrallë, sepse komuniteti i atyre që rrinin në radhë do të reagonte me zemërim të madh ndaj çdo orvatjeje për ta shkelur paktin dhe disiplinën e pritjes (“po ne të tjerët çfarë jemi këtu?”). Mënyra tjetër, të cilën e cekëm në shkrimin e mëparshëm, ishte ajo e privilegjit, që e përjashtonte një shtresë të caktuar nga nevoja për të mbajtur radhë; dhe që gjithashtu do të bëhej shkas për pakënaqësi dhe revolta, sepse edhe privilegji shkelte parimin e shenjtë të barazisë (“jemi të gjithë njësoj”). Mes blerjes pa radhë dhe privilegjit, shtrihej hapësira e gjerë por e mjegullt e veprimit “me mik”, e cila ndryshe nga radha ndihmonte për t’i shmangur pritjet, por ndryshe nga privilegji, i jepte akses kujtdo, pa e cenuar barazinë.

Veçoritë e tregut me pakicë në totalitarizëm gjenin pasqyrim edhe në leksik. Folja e parazgjedhur (default) për dikë që bën të vetin një mall përkundrejt pagesës është blej, por statusi i kësaj foljeje vinte dhe dobësohej, sa kohë që vetë transaksioni, ose këmbimi i parave me mallin, nuk luante veçse një rol të vogël brenda përpjekjes për ta siguruar mallin. Me përjashtim të disa pak artikujve të nevojës së parë, si buka, qumështi, vaji, sheqeri, vajguri, etj., mallrat nuk është se prisnin në raft të dyqanit që ti të shkoje dhe t’i bleje. Mallrat dilnin (në treg). Që këtej edhe shprehjet që dëgjoje rëndom: ka dalë djathë, ka dalë gjizë, kanë dalë patate të reja, ka dalë rrush me erë. Kur mallrat dilnin, atëherë qytetarët e interesuar, me kusht që ta merrnin vesh në kohë (se lajmi nuk është se jepej në TV a në radio a në gazetë), shkonin dhe mbanin radhë, për ta siguruar. Një situatë disi e ndryshme, ishte kur dikujt i dilte rastësisht përpara një dyqan që shiste diçka të rrallë – të themi cigare me filtër ose sapun “tualeti” ose tahin – pasi ta blente, folja që do të përdorte ishte gjej: gjeta reçel fiku, gjeta karamele Zana, gjeta këpucë me qafa, gjeta copë (stof) për kostum, gjeta shall leshi. Mallrat dilnin dhe ti, konsumatori, i gjeje.[2] Brenda këtij konteksti, blerja – si transaksion financiar – vinte e fundit për nga rëndësia.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Në Bashkimin Sovjetik që prej viteve 1920-1930, por sidomos më pas, kjo dukuri njihej me emrin blat, ose “lidhje” (angl. “connections”, “influence”, “pull”). Praktika e Blat u referohet rrjeteve personale që përdornin qytetarët sovjetikë dhe marrëveshjet informale mes tyre, shpesh brenda një logjike të miqësisë, për të siguruar mallra dhe shërbime. Te Russia’s Economy of Favours – Blat, Networking and Informal Exchange (Cambridge University Press, 1998), Alena V. Ledeneva shkruan se “Blat-i ishte një shkëmbim “favoresh të aksesit” në rrethanat e mungesave në treg dhe një sistemi shtetëror privilegjesh. Nëpërmjet këtij mekanizmi, “favori i aksesit” shfrytëzonte burimet publike dhe u shërbente nevojave të konsumit personal dhe ri-organizonte shpërndarjen zyrtare të mirëqenies materiale. Shkëmbimi i llojit blat shpesh ndërmjetësohej dhe mbulohej nga retorika e miqësisë ose e njohjes… çfarë mundësonte aksesin në burimet publike përmes kanaleve personale.” (f. 37) Këto rrjete miqësish dhe favoresh të ndërsjellta kërkonin kohë për t’u përftuar, prandaj edhe të ardhurit rishtas në qytetet e mëdha ndiheshin të nëpërkëmbur, meqë ende të privuar nga blat-i.

[2] Sot – ose në rrethanat e një tregu të furnizuar mirë dhe me asortiment të pasur – gjasat janë që, në vend të blej, të përdoret marr: mora ca kaçkavall, mora edhe luleshtrydhe se m’u dukën të freskëta. Kjo marr lë të kuptohet se ka pasur edhe zgjedhje nga ana e subjektit, ndryshe nga gjej e cila zgjedhjen e përjashton – meqë ti “merr” çfarë të të nxjerrë fati përpara. Të krahasohet mora ca mandarina me gjeta mandarina; shembulli i dytë shënjon një event të relativisht të rrallë në mos të papritur, meqë subjekti folës nuk ka shkuar në treg pikërisht për mandarina, por megjithatë i ka blerë, sepse mandarinat i ndesh rrallë. Përkundrazi, mora mandarina se i gjeta lirë lë të kuptohet se surprizën e sjell çmimi, jo malli vetë; meqë është çmimi i ulët që duhet shfrytëzuar. Për të njëjtën arsye, mora bukë misri ndryshon nga gjeta bukë misri, sepse thënia e dytë nënkupton që buka e misrit nuk gjendet lehtë, qoftë sepse nuk e furnizojnë, qoftë sepse shitet menjëherë – ngaqë e kërkojnë shumë ose ngaqë e sjellin në sasi të vogla. Le të themi se në rrethanat e tregut modern, kuptimin e thellë të foljes gjej (shënjimin e “rrallësisë” së një artikulli ose malli) e ka zëvendësuar paraja, meqë duke paguar çmimin përkatës, mund të “gjesh” gjithçka që të dëshiron zemra; zotërimi i parasë së mjaftueshme e ka mënjanuar, si me thënë, surprizën e tregut.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin