ANATOMIA E MBISHKRIMIT TË MEDAURËVE

nga Apollon Baçe

1. Mbishkrimi i Medaurëve është një përkushtim në vargje, të cilin konsulli i provincës Africa Proconsularis, origjinar nga Rizoni, ja dedikon Medaurit, hyut mbrojtës të qytetit.

Rizoni ndodhet në brendi të njërit nga labirintet më të ngatërruar dhe mahnitës detarë, të Boka Kotorskas.

Gjiri i Rizonit/Boka Kotorska.

Qyteti qarkohet nga mure të fuqishëm, ndërsa ngrehinat në brendi, mes tyre pallati i Teutës, i përmbahen sistemit ortogonal.

Rizon: qyteza e shek 11/10 p.e.s.

Një shekull e gjysmë më parë, më i shquari i arkeologëve, sir Arthur Evansi, ju kundërvu mohuesve të qytetit ilir me frazën e prerë “Historia e hershme e Rizonit nuk është as greke, as romake, por fare kthjellët ilire … Në periudhën ilire Rizoni i kishte tërë tiparet e një qyteti të civilizuar.

Dhjetë vjet të shkuar, teksa zbrisja një rrugë të parrahur, rastësia më çoi në paraqytetin e Rizonit, çka e dëshmoi Rizonin qytet ilir- bir prindërish ilirë. Të patransplantuar, të brendazhvilluar.

2 Mbishkrimi i Medaurit u zbulua në qytetin Lambezia të provincës Africa Proconsularis, ku ndodhej pretoriumi selia e guvernatorit, konsullit- komandant të legjionit të III August. Një detyrë mëse e rëndësishme kjo, pasi legjioni i siguronte Romës bukën falas dhe shprehja cinike e Juvenalit “panem et circenses”, bukë dhe cirk, ka kuptimin Roma është e atij që i siguron falas bukën dhe ndeshjet e gladiatorëve. Mbishkrimi u gjet në një nga tempujt e Asclepeion-it, arealit të shenjtë të perëndisë së mjekësisë Asklep dhe u botua dhe ribotua nga Mommseni në korpusin e mbishkrimeve latine.

Rizon: pretoriumi, selia e konsullit Medaur.

Mbishkrimi shoqëronte shtatoren e hyut, pasi, sipas venomeve kabalistike, magjia funksionon vetëm me shëmbëlltyrat tredimensionale.

Nisur nga mbishkrimi dhe ikonografia, Medauri përfytyrohet pa armatim mbrojtës, i pafriguar nga kush. Ndryshim qenësor ky nga ikonografia e panteonit greko-romak, ku perënditë luftojnë me gjigantët të pajisur me armatim të rëndë mbrojtës.

Stelë nga rrethinat e Apolonisë, kupë terra sigillata nga Rizoni, 1 lek i vitit 1926, Athina në luftë me gjigantin Enkeladus (550-500 p.e.s.)

E veçanta e mbishkrimit ishte ç’gdhendja me daltë dhe çekan e emrit të konsullit blatues, dëshmi kjo e fundit të tij tragjik: ekzekutimit dhe dënimit me Damnatio Memoriae ,“mallkim të kujtimit.” Si në paradigmën orwelliane “Ai nuk ekziston. Ai nuk ka ekzistuar kurrë”, emri i tij u fshi nga mbishkrimet, aktet dhe librat e historisë, proces ky i ngjashëm me retushimin komunist të historisë.

Por ndërsa në komunizëm ajo që e pësonte pas ekzekutimit ishte familja, tek romakët procesi zhvillohej ndryshe. Për ta “ndëshkimi pas vdekjes” (poena post mortem), shënjonte këputjen e jetës së përtejme e cila vijonte falë ngulmimit të kujtimit (pervicacia memoriae). Kur memoria mallkohej, ajo ngrinte si në pikturën e Dalisë “The persistence of memory” dhe jeta shuhej. Kjo dhe të çon në paradigmën tjetër të Orwell-it, pak të respektuar prej nesh: “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën.”

Ndonëse zhdukja e emrave të mëkatarëve zbatohej plogët, në këtë rast ajo ishte zbatuar në mënyrë shembullore.

Ç-gdhendja e emrit të perandorit Komod, ç-gdhendja e emrit të konsullit Medaur.

Paralelja e ç-gdhendjes së emrit të perandorit Komod me emrin e konsullit e ilustron bukur mirë këtë. Kjo dëshmon për një mëkat skajor, një ndër të cilët ishte prozelitizmi, konvertimi fetar, minuesi i bazës ideologjike. Ndërkohë mbishkrimi nuk u tret falë tabusë së moscenimit të emrave të shenjtë të perëndisë Mars dhe perandorit Mark Aurel.

3. Mbishkrimi trysnon brenda 14 vargjeve një histori të mistershme dhe të përgjakur si ajo e Kodit da Vinçi, kabalistike dhe mistike si historia e Kodit, por ndryshe nga historia e kodit të vërtetë dhe jo të trilluar. Ndërkohë mbishkrimi është trajtuar si vile rrushi, duke këputur kokrra për ti konsumuar tjetër kund, por pa treguar asnjë interes për mesazhin e shpirtëror. Ndonëse ai përcjell një mesazh shpirtëror të shkallës më të lartë të sinqeritetit.

Mbishkrimi është përkthyer disa herë dhe çuditërisht gjithnjë me gabime, me më të gabuar variantin bazik që përfundon si në një dyqan suveniresh : “dhe ty Medaur, këtë shtizë të dhuroj.”

Përkthimi im, mjaft i ndryshëm prej tyre, vijon si më poshtë:

Mbishkrimi i Lambezias në latinisht, përkthimi i tij në shqip.

(Ti) që për ledhet e Rizonit ajakid, kryekështjellës
sonë dalmate përkujdesesh.
Lar publik i popullit tonë, Medaur i shenjtë në atdhe, i shenjtë dhe këtu:
Të falem shumë edhe për këtë tempull kujdesu
i madhërishëm siç je në shëmbëlltyrën vocërrake,
ku kalin me të majtën përpjetë ngre
ndërkohë që me të djathtën vdekjen përflak.
Të blaton dhe adhuron në këtë strehë tënden
konsulli, tashmë i emëruar [……] i njohur nga beteja-prijësit Mars dhe ti o Cezar Mark
nga fama radhëve të para të betejave të shkuara,
_______________________________________
Ai që tanimë e nisi konsullatën [………],
ty, vegim i gjallë i Hyut të atdheut,
që kur kalin vrullshëm frenon, ushtën e flak tejet ku vështrimi venitet.
Ty Medaur, ta përkushton Medauri.

Të papriturat nisin që në vargun e parë. Fjalinë “Moenia qui Rissini Aaeacia” Garashanin e përktheu “muret ajakide të Rizonit” (Moenia Aeacia), duke entuziazmuar stilistët e mureve dhe viktimizuar ata që u morën me këtë temë. Ndërkohë fraza, nga më domethënëset për historinë ilire, përkthehet diametralisht ndryshe: “Muret e Rizonit ajakid.” Ajakid është Rizoni dhe jo muret e Rizonit.

Kjo e lidh natyrshëm mbishkrimin me fragmentin e pavëmendur të Apianit: “Agroni ka qenë mbret i atij vendi të ilirëve që është buzë Adriatikut dhe që e zotëronte Pirroja dhe trashëgimtarët e tij ajakidë” dhe me dëshminë e papërfillur të shek. 11 të delegatit të peshkopit të Barit: “Brenda mureve të shkatërruara të Epidamnit u vendosën kapanonet e ushtarëve… Pas aleancës me Tarentinët dhe nisjen e luftës së egër kundër romakëve, në këtë qytet banonte mbreti Pirro i Epirit.” Të bashkëlidhur fragmentet dëshmojnë praninë e një shtet të qëndrueshëm ilir, të shtrirë së paku nga Ambrakia në Rizon. Por analiza e këtij pohimi do dilte krejt jashtë kornizave të temës.

4. Emri i konsullit u transkriptua 55 vjet më parë nga Luis LeschiM. Lucceius Torquatus Bassianus, përkatësisht në emrin/praenomen M., atësinë/patronimicus Luçeius, përcaktorin/agnomen Torquatus të kthyer në mbiemër cilësor/cognomen) dhe zanafillën/residentia, Bassianus.

a. Antroponimia romake e zbërthen siglën M. vetëm me Marcus. Në pjesën e parë të mbishkrimit, kur konsulli ishte i emëruar por ende nuk e kishte nisur detyrën (consuli iam designatus), ai i përmbahet rregullit. Por në të dytën kur e kishte nisur detyrën (adepto consulatu) dhe si i parë i provincës nuk druhej më nga kush, ai e çkodon atë ndryshe. Vargu i fundit “ty Medaur, ta përkushton Medauri”, tregon se M.-ja fshihte emrin Medaur, si emrin e hyut.

b. Mbiemri Lucceius, me dy c, ndryshe nga trajta romake me një c që lexohet Lukius, shqiptohet i palatalizuar, Luçeius. Dhe për Cekën senjor emrat me mbaresë ç (si Laç, Kuç) i përkasin leksikut ilir dhe jo romak.

Torkë argjendi me figurina dashi (shek. 2/1 p.e.s.)

c. Torka, gjerdani i çmuar metalik nuk është stoli romake, por stemë fisnikërie e prijësve ilirë dhe keltë. Livi tregon se në vitin 361 p.e.s, “Konsulli Titus Manlius ja hoqi torkën kundërshtarit kelt që sapo kishte vrarë në duel dhe e vuri në qafën e tij… Kjo i solli atij mbiemrin shumë të nderuar Torquati (Liv. 7. 10). Dhe, në monedhat e prera prej tyre, mbretërit labeatë Ballë dhe Gent portretizohen me torkë në qafë një atribut ky që ruhet edhe monedhat e sotme.” Si i tillë mbiemri Torquatus i konsullit, “ai me torkë”, dëshmon prejardhjen e lartë aristokratike.

Monedhë e mbretit rizonitan Balla me torkë në qafë (shek. 4/3 p.e.s.).

d. Zanafilla/residentia Bassianus, korrigjohet çdo herë me Cassianus pasi një emër i tillë qënkesh i panjohur . Ndërkohë Livi në ciklin e ngjarjeve të vitit 168 p.e.s. përmend qytetin labeat “Bassania, pesë mile larg Lisit”, përkatësisht 90 km në jugë të Rizonit po labeat. Kjo dhe i jep gjymtyrës së katërt, zanafillë/residentia-s, kuptimin origjinar nga qyteti labeat Bassania.

Pozicioni i supozuar i qytetit Basania.

Si e tillë formula M. Lucceius Torquatus Bassianus ofron ID-në e plotë të konsullit Medaur: Emrin emnak me perëndinë ilire Medaur, emrin ilir Luç të të jatit, përkatësinë fisnike ilire dhe origjinën qytetare ilire. Përkatësisht formën “Medauri, i biri i Luçit, fisnik me torkë, origjinar nga qyteti Basania”.

Raporti i konsullit me hyun i përmbahet korrelacionit narcisist: portretizimi i hyut bazohet në riprodhimin e mbresave dhe cilësive të konsullit: Befasinë vrastare të ushtës që e kupton se po të ngulet pasi të është ngulur dhe përshpejtimin e kësaj ushte nga frenimi i prerë i revanit të kalit e di vetëm një kalorës ushtarak profesionist.

Dialogu mes Medaurit konsull dhe Medaurit hyjni është konfidencial, me ti (tuus, tibi), jo me shumës madhështie (pluralis majestatis, vos, vobis), siç ndodh detyrimisht me perënditë. Nëpërmjet tij konsulli Medaur përcjell me sinqeritet të papërsëritshëm afrinë dhe adhurimin për hyun Medaur, të cilin e cilëson sancte (i shenjtë ), magnus (i madhërishëm) dhe augusto (i admirueshëm). Krejt ndryshe nga perëndia Mars dhe perandori Mark Aurel, të cilët thirren si dëshmitarë gjyqi për bëmat e konsullit. Pa as edhe një epitet.

Vargjet e mbishkrimit i përkasin një pene të kultivuar që krijon kadencë nëpërmjet këmbimit të rrokjeve të gjata me të shkurtrat. Ndërsa dhjetë vargjet e parë i përmbahen metrikës elegjiake (hexameter/pentameter), katër të dytët i përkasin pentametrit iambik. Figuracioni i poezisë është huazuar nga më brilanti i poetëve romakë, nga Virgjili. Nëse në Eneidë “ushta shungullon pranë tëmthit”, në mbishkrim hyu me të “djathtën pranë tëmthit, vdekjen shungullon.” Çka dhe të krijon ndjesinë se përmasave të hapësirës u është shtuar përmasa e katërt, e kohës së ndalur çuditshëm. E ushtës së ngulur e cila nuk lëviz më para, por vibron me zukamë vrastare.

5. Mbishkrimi nuk e quan Medaurin perëndi, çka për besimin romak do nënkuptonte mbulimin e një lëmie të caktuar, luftë, bujqësi qoftë dhe seks. Por, ndonëse mbishkrimi e përmend Medaurin me superlativa, ai e rreshton atë në specien më mish-mashe të religjionit, atë të larëve proto-indoeuropianë (PIE). Mos përmendja si perëndi por lar, nuk është rastësi. Venomet proto-indoevropiane, i ngarkonin larët me përkujdesjen e gjithçkaje, nga të korrat tek muret mbrojtës të qyteteve, por gjithnjë brenda një sinori, familje qytet a etni qoftë ajo. Kurrë jashtë tij. Si e tillë fraza “Lar Publik i Popullit tonë”, dëshmon një strukturë religjioze krejt të ndryshme nga struktura politeiste greko-romake: Monoteiste me një zot të vetëm, por me një zot vetjak për çdo njësi.

Apex-in, pikën kulmore të poezisë e shënjon telesma, lutja rituale “Hyjnor në atdhe, hyjnor edhe këtu. Të falem: Përkujdesu edhe për këtë tempull, i madhërishëm siç je në shëmbëlltyrën vocërrake.” Sipas riteve të mystai-ve, kjo dhe shënjon finalen e inicimit mistik, çastin kur pas libacioneve dhe formulave kabalistike, krijuesi i objektit (konsulli Medaur) grish subjektin (hyun Medaur) që ta shkarkojë forcën e tij magjike tek objekti (skulptura e Medaurit). Pas kësaj shëmbëlltyra e Medaurit, nis ushtrimin e forcës së Medaurit në mjedisin e kërkuar, tempullin e Eskulapit.

Ky akt i paprecedent, i cili shpërfill venomin e larëve për mos kalimin e sinoreve të tyre, i atribuon Medaurit universalizëm. Çka do të thotë sinkretizëm i pastër, shkrirje e elementeve të papajtueshëm ideologjikë në funksion të një kërkese religjioze. Ky dhe është hapi i parë drejt prozelitizmit, ndërrimit të fesë. Së fundi formula “të falem: përkujdesu edhe për këtë tempull”, krijon paradoksin e marrjes nën tutelë të perëndisë zyrtare romake Asklep nga një lar, përkatësisht kthimin e një perëndie zyrtare romake në subjekt subaltern të një hyjnie pagane.

6. Ekzekutimi dhe Damnatio Memoriae e konsullit, i ngarkohet unanimisht mbretërimit të perandorit Kommod (180-192) madje dhe vitit 193 të e.s., çka supozon e rikthimin e tij nga bota tjetër për të ekzekutuar konsullin Medaur. Terminus post quem-in (kohën pas së cilës) e shënjon vargu “i njohur nga ti o Cezar Marku, nga fama e betejave të shkuara”. Përkatësisht vitin 166 kur përfundoj lufta parthine e Mark Aurelit. Skajin tjetër, Terminus ante quem-in, (kohën para së cilës) e fikson grushti i shtetit i Gaius Cassius-it në vitin 175, në shtypjen e të cilit morri pjesë deri prefekti i Kapadokisë së largët, por jo konsulli i Africa Proconsularis-it, provincës ngjitur me Egjiptin ku shpërthyen aksionet ushtarake. Dhe jo vetëm kaq: në shtypjen e grushtit të shtetit morën pjesë 7 legjione afrikane, por jo elita ushtarake e Afrikës, legjioni III August. Ndërkohë vargu i pandërprerë i 174 konsujve të Africa Proconsularis-it këputet pikërisht kur provinca drejtohej prej konsullit Medaur.

Një zbrazëtirë e tillë shpjegohet vetëm me terrin e Damnatio Memoriae-ve, të cilat si gropat e zeza kozmike që përpinë dritën e tyre, përpinë çdo gjurmë historike. Ndërkohë krimi i dytë më i rëndë për senatin romak, ishte prozelitizmi, këmbimi i fesë, atentati ndaj bazës ideologjike.

Dhe ky mjedis i muzgët, mistik dhe i përgjakur me libacione vere, tymra vajrash aromatikë dhe formula kabalistike, vjen dhe mbështillet nga velloja misterioze e përkimeve: e lumit Drinn Lambaesia-s me Drinn-in që Scylax-i e kalon përmes Rizonit, i emrit Medaur të hyut dhe konsullit dhe medaurensis të kryetarit të Këshillit Drejtues të Provincës; e mbiemrit të panjohur Bassianus , i cili fill pas ardhjes së konsullit shpërthen në emra kryepriftërinjsh dhe mbiemra perandorësh.

Por, kryesorja e mbishkrimit, tej koincidencave dhe misticizmit, është mesazhi shpirtëror që përcjell konsulli Medaur: adhurimi për hyun Medaur, mbrojtësin e Rizonit Ajakid. Respekti, dashuria dhe përulja e tij ndaj botës shpirtërore, traditës dhe dokeve të vendit të zanafillës. Krejt i gjallë dhe aspak i asimiluar pas 4 shekujve të commonwealth-it romak.

 

© 2022 Apollon Baçe. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Lutemi kontaktojeni drejtpërdrejt, nëse dëshironi ta ribotoni shkrimin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin