NDOFTA!

(ose : «Çfarë mbulonte buzëqeshja jote e fshehtë, zoti Dhamo?»)

Nga : Kino Ditari (Stalker)

Ndarja nga jeta e regjisorit të «Tanës», filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë më kujtoi se Kristaq Dhamo, lindur në Lushnjë në vitin 1933, i kishte kryer studimet për kinematografi në fillim të viteve ’50 në Akademinë e Teatrit dhe Filmit artistik në Budapest. Pra në njërën prej shkollave më të mira të kinemasë, në nivel botëror.

Po t’i hedhësh një sy listës së regjisorëve që kanë studiuar në atë akademi, të kap syri Miklós Jancsó-n (per mendimin tim, regjisori më i madh hungarez i të gjitha kohërave), Béla Tarr (një tjetër monument i kinematografisë hungareze të viteve ‘80-2000, autorin e të famshmit «Satantango»); deri edhe Kornél Mundruczó paskësh studiuar atje: regjisor në aktivitet, pjesëmarrës i shpeshtë në Festivalet e viteve të fundit në Kanë, Mundruczo është nga më të shquarit regjisorë-autorë të sotëm.

E gjitha kjo për të thënë se, së pari, Kristaq Dhamo pati fatin të studiojë në fillim të viteve ’50 në një nga institucionet më prestigjioze të kohës. Jo se arti i shtatë detyrimisht mësohet në shkollë (asnjë prej regjisorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave nuk ka kryer studime kinematografike, fillo me amerikanët John Ford e Hitchcock, vazhdo me suedezin Bergman, italianët Rossellini e Antonioni, me japonezët Mizoguchi e Ozu e përfundo me Godard e Truffaut, francezet e Valës së Re: të gjithë autodidaktë. Pa asnjë përjashtim!). Por Shqipëria e pasluftës, pa më të voglën trashëgimi e kulturë kinematografike do e kish të pamundur t’i hynte rrugës së filmit pa një ndihmë të huaj dhe, rrethanat e sollën që njeri prej shumë të paktëve studentë shqiptarë të studionte në një shkollë aq prestigjioze si ajo e Budapestit (dy-tre bashkëmoshatarë të tij, si Dhimitër Anagnosti a Viktor Gjika, vërtet studiuan në shkollat sovjetike të së njëjtës kohë por, së pari, i kryen studimet për kinooperatorë dhe jo regjisorë dhe, së dyti, ajo e Budapestit, siç thosha më lart, ka qenë dhe vazhdon të jetë me reputacion më të lartë). Kristaq Dhamo, njëri prej nxënësve të asaj shkolle, e shtriu krijimtarinë e tij nga 1958-a («Tana») deri në 1987 («Botë e padukshme ») pra në gati 30 vjet, duke realizuar gjithsej vetëm 10 filma. Që do të thotë: një film në 3 vjet. Nuk janë shumë për një regjisor të asaj kohe, por për mendimin tim, ky numër relativisht i ulët është një tjetër shenjë e mirë (arsyen e të cilës do përpiqem ta shpjegoj më poshtë).

Por le të flasim për to, meqë është dhe mënyra më e mirë për të folur për krijuesin e tyre.

* * *

Do të ishte e tepërt të kujtonim se të gjithë filmat e asaj periudhe mbanin mbi të gjitha vulën e Kinostudios «Shqipëria e Re» : asokohe askush nuk fliste për regjisor-autor, për kinematografi autoriale (ose ajo që shpesh në Europë quhet ‘film-autor’, dhe në SHBA ’film indipendent’). E megjithatë, po të shikosh sot filmat me regji të Kristaq Dhamos, është evidente dora e kineastit (ose ajo që quhet nganjëherë me kollajllëk ‘stil’).

Që të jem i sinqertë deri në fund: ndofta diçka e tillë nuk i jepet çdo spektatori që sheh një prej filmave të tij (arti i shtatë, duke qenë art kolektiv, është jo pak i vështirë për të dalluar në të individualitetin regjisorial) por «Detyrë e posaçme» (1963), «Gjurma» (1970), «Brazdat» (1973 – versioni i plotë 90-minutësh, dhe kurrsesi ai i shkurtuari 70-minutësh) si dhe «Botë e padukshme» (1987) janë nga të rrallët filma shqiptarë (të vetmit ?) që mbajnë dukshëm firmën e krijuesit kryesor të tyre. Domethënë të regjisorit.

Ka një legjendë sipas së cilës kineastët nuk i tregojnë sekretet e krijimtarisë së tyre. Kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse jo pak regjisorë (sidomos ata që kane qenë shquar po ashtu edhe për kinofilinë e tyre – fillo me Godard-in e mbaro me Tarantinon) kane folur jo pak për krijimet e tyre.

Nuk di nëse në të gjallë të tij Kristaq Dhamo është shprehur për filmat që krijoi por mendoj se, në këtë aspekt, bën pjese tek shumica e heshtur e kolegëve të profesionit të tij.

Personalisht, firmën e tij do e quaja ‘realizëm poetik’. Filmat e Kinostudios «Shqipëria e Re» kanë qenë dukshëm të influencuar nga realizmi, para së gjithash nga neorealizmi italian. Mendoj se vendosja e prapashtesës ‘socialist’ ishte thjesht koniunkturë ideologjike, sepse realizmi ishte kusht i nevojshëm. Por ndofta jo i mjaftueshëm për Dhamon!

Sepse pikërisht ajo që e dallon krijimtarinë e tij është diçka tjetër: është poetika. Por edhe ajo duhet shpjeguar pasi nuk duhet marrë thjesht si etiketë e realizmit, por si veçori form(ës)uese: regjisori, pa dyshim kish kuptuar (mësuar në shkollë? mësuar dhe aplikuar më pas në jetë? mësuar dhe rikuptuar e rikuptuar më pas e më pas?) se kinematografia, në thelb të saj, nuk u krijua në fillim të shekullit të XX për të shprehur psikologji apo sentimentalizëm, por lëvizje. Dhe kjo lëvizje nuk do të thotë thjesht lëvizje kamere, por lëvizje e vetë filmit. E që filmi të lëvizë, duhet që regjisori të kuptojë nga ajo qe rëndom quhet gjuhë e imazhit : asnjë nga filmat kryesorë të Dhamos nuk vuan nga e famshmja sindromë (jo vetëm e kinematografisë shqiptare, por edhe e asaj botërore) e skenarizmit (skenarizmi: filmi si rezultat i xhirimit të një skenari, në të njëjtën mënyrë që një regjisor vë në skenë një pjesë teatrale me aktoret e tij : në këtë rast, skenari korrespondon me pjesën teatrale). Kristaq Dhamo nuk vuri asnjëherë në skenë (në sensin e skenës së teatrit) por krijoi mizanskenë (e që ironikisht vjen nga frëngjishtja mise en scène, vënie në skenë), domethënë krijoi regji, ose atë të cilën me të drejtë disa të pasionuar të artit të shtatë e quajnë ‘shkrim kinematografik’ (écriture cinématographique).

Por nëse nisemi nga principi se, në fund të fundit, forma është përmbajtje dhe përmbajtja është formë, në rastin e filmave të Dhamos do të thoshim se kjo përmbajtje korrespondon me compassion-in (dhembshurinë? nuk jam i sigurt në përkthimin e sakte të kësaj fjale) me të cilët ai filmonte (fiksonte në celuloid) personazhet e tij, qofshin ata edhe më ‘negativët’ (thënë kjo sipas kanoneve të artit të kohës : për më tepër shih këtu (Rreth disidencës në kinematografinë shqiptare) dhe këtu (Kristaq Dhamo ose Kadareja i filmit shqiptar).

Personalisht, do më pëlqente ta quaja humanizëm por, meqë edhe kjo fjalë u keqpërdor aq shumë pikërisht në shekullin kur jetoi dhe krijoi edhe Kristaq Dhamo, do preferoja një tjetër fjalë : njerëzillëk. Ndofta ky ishte dhe sekreti i tij: njerëzillëku.

Ndofta (gjithmonë ndofta!) pikërisht kjo ka qene një tjetër arsye e tërthortë që shpjegon numrin disi të ulët të filmave të realizuar prej tij. Një far’ tërheqjeje. Një far humility (përulësi? përvuejtni? – nuk jam i sigurt as në dhënien e saktë shqip edhe të kësaj fjale). Ndofta nuk ka qenë zgjedhje vullnetare, por nganjëherë, zgjedhjet e ‘pavullnetshme’ flasin më tepër se të ‘vullnetshmet’. Po ashtu, në disa prej tyre Dhamo është edhe skenarist (shenjë jo pak dalluese e regjisorëve-autorialë që evokoja më lart). Por sot, askush nga ne nuk mund ta dijë se deri ku shkonin zgjedhjet e tij, për më tepër në kuadër të një institucioni fort të kontrolluar siç ishte Kinostudioja «Shqipëria e Re».

Kështu që nuk na mbeten veçse të shohim filmat e tij të cilët, pavarësisht nga sistemi, koha, apo vendi kur u realizuan, për nga vetë natyra e kinemasë, ishin (dhe janë) «bigger than life». Por në rastin e krijuesve të mirë, këta të fundit i tejkalojnë krijimet e tyre. Kështu që mund të themi se Kristaq Dhamo, në fund të fundit, tejkaloi jetën.

Përmes njerëzillëkut të tij.

P.S.: një nga specifikat e kinofilisë është loja me listat e filmave, bazuar në vitin e realizimit të tyre, ose të autorëve përkatës, e pse jo dhe aktorëve.

Ndaj sipas traditës, ja një top-five imi i filmave të preferuar të regjisorit Kristaq Dhamo :

  1. Detyrë e posaçme (1963)
  2. Brazdat (1973)
  3. Gjurma (1970)
  4. Botë e padukshme (1987)
  5. Vitet e para (1965)

© 2022 Kino Ditari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Të interesuarit për ribotim të kontaktojnë autorin ose revistën Peizazhe të fjalës.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin