SHKRIMI I BABAIT

Gjatë një vizite të para ca vjetëve në MoMA, më pat tërhequr vëmendjen një instalacion nga artisti vietnamez Danh Vo: një stand i gjatë i gjatë, ku ishin ekspozuar 60 fletë letre të dorëshkruara me kaligrafi të përsosur, nën titullin Death Sentence. Një vështrim nga afër më informoi se bëhej fjalë për tekste të përzgjedhura nga artistja Julie Ault dhe të tejshkruara me dorë nga babai i artistit, Phung Vo, që është ai vetë piktor shenjash dhe kaligrafist. Tekstet ishin gjithfarësh: një analizë e historisë gjeologjike të Kalifornisë, një kritikë pesimiste e shoqërisë Perëndimore nga një filozof rumun, një rrëfim në vetë të parë i një eksperience kanibaliste nga një grup të mbijetuarish (Donner party). Çfarë i kish mbledhur bashkë ishte, nga njëra anë, vizioni filozofik i Danh Vo-së, dhe nga ana tjetër dora e kaligrafistit Phung Vo.

I lindur në një fshat afër Saigonit në 1975, Trung-Ky-Danh Vo u largua nga Vietnami që fëmijë dhe, pas peripecish gjithfarësh, përfundoi me familjen në periferi të Kopenhagenit, ku prindërit hapën një kafé për punëtorët e zonës. Atje Vo-së i pat bërë përshtypje kaligrafia e bukur me të cilën i ati plotësonte menytë e ditës me çmimet e gjellëve, edhe pse të shkruara në një gjuhë që ai nuk e kuptonte. Shumë vjet më vonë, artisti do ta përdorte këtë kaligrafi për veprën e vet Death Sentence, të cilën ai vetë e quan “vizatim” 60-faqesh. Në fakt, babai Phung Vo, që i ka shkruar me dorë dokumentet, nuk lexon dot as në anglisht dhe as në frëngjisht; puna e tij prej kopisti është përshtatje dhe riprodhim elegant formash.

Ideja për këtë lloj vepre i erdhi Danh Vo-së gjatë një rezidence në një qendër të artit bashkëkohor në Paris, ku ai vizitoi arkivat e Missions Éntrangères, një organizatë që i kushtohet historisë së veprimtarisë së misionarëve katolikë francezë kryesisht në Azi. Arsyeja e kësaj vizite kish të bënte me atë që, dikur në Vietnam, ai u pat ndeshur ballë për ballë, në një kishë katolike, me kokën e rreshkur të një prifti, Jean-Théophane Vénard, të cilin e patën ekzekutuar në 2 shkurt 1861. Të njëjtit Vénard, trupin ia patën dërguar për varrim në Francë, në bodrumet e Missions Étrangères. Në arkivat e këtij institucioni Vo gjeti materiale të bollshme për misionarët francezë, të keqtrajtuar egërsisht nga sundimtarët e atëhershëm konfucianë të Vietnamit (incidentalisht, persekutimi i misionarëve katolikë ishte një nga shkaqet e ndërhyrjes ushtarake të Francës në Indokinë). Mes tyre, edhe një letër që Vénard-i i pat dërguar të atit, në Francë, pak para se të ekzekutohej; dhe që i bëri artistit përshtypje për tonin poetik dhe elegant.

Ashtu edhe i erdhi ideja që ta vinte të atin, Phung Vo, që ta riprodhonte letrën e misionarit frëng me shkrim dore. Në rrjedhë të muajve dhe pastaj të viteve, Phung Vo tashmë e ka kopjuar letrën më shumë se njëmijë e dyqind herë. Të gjitha këto kopje Danh Vo i ka shitur pastaj si vepra arti, për 300 euro secilën. Një kopje e letrës është gjithnjë e pranishme në ekspozitat e tij, me titullin “2.2.1861”.

Vo thotë se “im atë dhe unë u afruam me njëri-tjetrin përmes punës që ai bën për mua – riaktivizimin e kaligrafisë së tij gjithnjë e kam përjetuar si një nga arritjet e mia më të mëdha.” Por kur e pyesin nëse prindërit e tij e kuptojnë se çfarë bën, thotë “Jo. Thjesht habiten me punët e mia dhe suksesin që kam arritur.”

+ + +

Shkruajnë Ivan Illich & Barry Sanders te ABC, The Alphabetization of the Popular Mind (1988, Marion Boyars, London, New York), në kontekstin e historisë së dorëshkrimeve në Mesjetën europiane:

“Arti i të shkruarit nuk ishte veçse një nga artet, përmes së cilave do të sillej në jetë një dorëshkrim. Lëkurëpunuesi dhe mjeshtri i pergamenës, bletari që prodhonte tabletën prej dylli dhe piktori i miniaturave ishin po aq të nevojshëm sa edhe libërlidhësi dhe lector-i, ose lexuesi në dhomën e kopistëve. Kur kopisti shihte fjalët para syve të vet, ish në gjendje ta kopjonte origjinalin fjalë për fjalë. Ka prova se, gjatë shekullit të trembëdhjetë, kopjimi i dorëshkrimeve u besohej atyre që nuk lexonin dot (analfabetëve), sepse ata ishin në gjendje të kopjonin më mirë. [theksimi im, A.V.]

+ + +

Ja edhe një pyetje që gjithnjë na mundon: Po ilirët pse nuk e shkruanin gjuhën e tyre? Përgjigjja sikur vjen vetvetiu: sepse ishin mësuar të përdornin shkrimin grek dhe latin, kur u duhej; dhe nuk e ndienin nevojën për të hartuar tekste me shkrim. Bota ilire, aq sa ka mbijetuar sot, përmban me mijëra dëshmi mbishkrimesh, si ato të varreve, të sendeve të ndryshme, të ndërtesave; por autorët e atyre mbishkrimeve do të habiteshin, po t’u thoshte kush se ishin mbishkrime “greqisht” ose “latinisht”; meqë shkrimi, për kulturën ilire, si për shumë kultura të tjera të lashtësisë, nuk ishte veçse teknikë notacioni që përmbushte funksione sociale të caktuara; dhe mbishkrimi – p.sh. në një varr ose në një vazo – nuk pretendonte të riprodhonte në ndonjë farë mënyre ligjërimin e folur, por mjaftohej t’i referohej atij ligjërimi tërthorazi.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Lexime të mëtejshme për Danh Vo, artikuj nga ku e kam nxjerrë edhe informacionin më lart:

The Personal and Political in the Art of Danh Vo, nga Maura Lynch
The Artist Questioning Authorship, nga Calvin Tomkins

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin