Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Fotografi / Histori

FOTOGRAFIA QË VRET

Një nga hipotezat më popullore për qefinin e Torinos (la sindone), është se imazhi në pëlhurë është përftuar nëpërmjet kontaktit me trupin e një njeriu, ose si gjurmë.

Shkenca empirike mbështetet rëndom në gjurmën si provë të vërtetësisë: një krater në Arizona është provë se atje dikur ka goditur një meteorit; një vrimë e rrumbullakët në ballin e një të vrari është provë se atje ka kaluar një plumb; shenja jote e gishtit mbi një dorezë dere është provë se ti e ka prekur dikur dorezën, e kështu me radhë.

Dhe për të shërbyer si provë vërtetësie, gjurma nuk ka pse të jetë doemos ikonike: nëse gropa që lë pas thundra e kaut ka formën e thundrës, shkrumbi në një trung peme nuk ka formën e zjarrit dhe as shiriti i bardhë prej avulli në qiell nuk ka formën e avionit.

Fotografia thjesht qëllon të jetë gjurmë ikonike – e cila riprodhon pamjen e botës që ka qenë përballë objektivit në momentin e shkrepjes. Deri sa nuk kish marrë dhenë photoshop-i, pakkush do të debatonte vërtetësinë e një fotoje; por siç e kanë treguar disa semiologë, mes të cilëve sidomos Eco-ja, nuk është e lehtë të përcaktohet se si i referohet pikërisht fotoja subjektit që riprodhohet.

Të ngjashme me fotografinë janë edhe gjurmët që kanë lënë dikur dinosaurët në lym dhe që tani kanë marrë trajtën e gropave në shkëmb; ose trungjet e gurëzuara (pietrifikuara) të pemëve, ku çdo molekulë bimore është zëvendësuar nga kristale minerali. Sërish paradoksi i Teseut të vjen në mendje: forma e trungut ka mbetur e njëjtë, por çfarë ishte dje dru, sot është gur.

Anije të Teseut janë edhe trupat tanë, ku çdo molekulë ripërtërihet dhe zëvendësohet me kalimin e kohës, pa çka se struktura ruhet, sëbashku me AND-në dhe karakteristika të tjera funksionale.

Fossil-Fish-1Të mos lëmë pa përmendur edhe ato “fotografi” ose bareliefe që janë fosilet anembanë planetit, dëshmi të jetës qindra miliona vjet më parë, dhe që tani na vijnë si gjurmë krijesash të dikurshme në shkëmb. Deri edhe ekskrementet e kafshëve të dikurshme i gjen sot të gurëzuara (koprolitet).

Por le të kthehemi te njerëzit dhe imazhet e tyre.

Kush e ka vizituar Pompein, afër Napolit, do t’i ketë parë “kalket” e famshme: trupa të vdekurish gjatë erupsionit të Vezuvit, që tashmë janë riderdhur në allçi.

Historia e këtyre objekteve unike nis në vitin 1864, kur drejtorin e gërmimeve në sit, Giuseppe Fiorelli-n, e lajmëruan se punëtorët që rrëmonin truallin kishin ndeshur në një zgavër, brenda së cilës mund të shquaje eshtra njeriu. Fiorelli-it i erdhi një ide gjeniale dhe u dha urdhër punëtorëve që ta mbushnin zgavrën e sapozbuluar me allçi. Pasi e lanë allçinë të thahej, punëtorët e hoqën hirin përreth dhe ashtu nxorrën që andej një “trup” njeriu të plotë, të cilit mund t’i dalloheshin deri edhe modeli i flokëve dhe shprehja e fytyrës në momentin e vdekjes.

Pompei-presto-esposti-86-calchi-umani-appena-restauratiGati 100 trupa të tillë janë “rikrijuar” në Pompei, me teknikën e injektimit të allçisë. Bëhet fjalë për banorë të qytetit që u mbytën dhe u përvëluan nga reja e hirit vullkanik, e cila pastaj i fundosi nën vete. Me kohë, hiri u ngurtësua dhe i ruajti format e trupave të varrosur brenda – dhe kur trupat gjithashtu u shkërmoqën pas muajsh e vitesh, zgavrat e tyre e ruajtën formën dhe mbetën si dëshmi e vërtetësisë së dikurshme.

Hiri vullkanik, në këtë rast, veproi si ai dentisti që të merr masën e nofullës, ose si skulptorët që u derdhin të mëdhenjve maskën mortore.

Ose le ta themi kështu: pasi i vrau, Vezuvi “i fotografoi” viktimat e veta në 3D, ashtu siç diti.

Këto zhbirime dhe përsiatje nuk mjaftojnë, për të përshkruar efektin e kalkeve të Pompeit te vizitori. Fytyrat e kanë ruajtur gjurmën e agonisë së çasteve të fundit, gjymtyrët spërdredhjen e egër për shkak të zjarrit; disa prej viktimave kanë vdekur të përqafuar. Edhe më i tmerrshëm është kalku i një qeni, që i ngjason fosilit të një krijese të përbindshme, jashtëtokësore; gati një demoni të shkrumbuar në flakët e ferrit.

pompeii2Të tjera “fotografi” turbulluese në 3D i gjen, gjithnjë në Campania, në Kapelën Sansevero afër sheshit San Domenico Maggiore, në Napoli. Në bodrumin e kishës gjenden dy modele anatomike në madhësi natyrore, të një burri dhe të një gruaje, të përgatitura nga anatomisti Giuseppe Salerno në vitet 1760 me porosi të Raimondo di Sangro-s, Princit të Sanseveros – një fisnik, shpikës, shkrimtar, dijetar, alkimist dhe frank-mason italian; dhe që riprodhojnë me saktësi të habitshme, të paimagjinueshme, sistemin e qarkullimit të gjakut të njeriut.

Për shumë vjet, besohej se enët e gjakut të riprodhuara deri në detajin më të vogël, ishin ruajtur nëpërmjet teknikës së injektimit të një lënde balsamuese drejtpërdrejt në trupin e dikujt që ishte duke vdekur ose, gjithsesi, ende i gjallë. Analiza më të vona kanë konfirmuar se Salerno, në fakt, e ka rindërtuar sistemin e qarkullimit të gjakut duke përdorur fije teli, mëndafsh dhe dyllë të pigmentuar. Këto analiza kanë sqaruar vërtet një enigmë, por kanë nxjerrë ndërkohë në pah një tjetër: si arriti Salerno ta njohë anatominë e enëve të gjakut me kaq saktësi, sa të mund të riprodhonte deri edhe një anomali gjenetike te njëri prej modeleve të veta?

macchine-anatomiche

Debatet mes atyre që besojnë se makinat anatomike ishin ndërtuar nëpërmjet “plastinimit” të subjekteve ende të gjalla dhe atyre që besojnë se bëhet fjalë për një rindërtim artizanal të sistemit të qarkullimit të gjakut nga ana e skulptorit Salerno, duhen kornizuar në fakt si pjesë e kundërvënies midis balsamimit ose mumifikimit të një trupi, dhe riprodhimit të tij skulpturor.

Gjithsesi, është jashtë çdo dyshimi se dy modelet në fjalë janë ndërtuar rreth skeleteve njerëzore; çka do të thotë se edhe kjo formë fotografie rudimentare, njëlloj si qefini i Torinos ose, tek e fundit, edhe kalket e Pompeit, e paraqet subjektin e vet si të vdekur absolut në të tashmen dhe si të gjallë absolut në një moment rrufe në të kaluarën.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë