SHITEN

Ofrojmë për shitje tre emra rrugësh, në zona të ndryshme të kryeqytetit: 1. Rrugë në periferi, 250 m e gjatë, në gjendje të mirë, gjysmë e shtruar, afër Barber Shop Stojan, e përfshirë në planin e zhvillimit afat-mesëm, me dalje në një shesh ende pa emër formal. Lidhet me rrugën Muçi Zade. 5 mijë euro. 2. Rrugë me kthesë afër ish Parkut Shtetëror të Autobusëve Urbanë, me akses te byrektore Mushmolla dhe dalje të pavarur te Bujtina e Gjelit; 500 m e gjatë, me dy korsi, trotuar të ngushtë. 12 mijë euro. 3. Rrugë qendrore, afër pastiçeri Syltiaçi, me semafor funksional te kryqëzimi me rrugën Gigi Riva, 750 m e gjatë. 16 mijë euro. Ky është rasti që prisnit, për ta pavdekësuar njeriun tuaj të shtrenjtë, duke ia vënë emrin një rruge në kryeqytetin më vibrant të Ballkanit. Pranojmë porosi me aktivizim të vonuar, për një të afërm që ende nuk ka ndërruar jetë. Oferta përfshin miratimin zyrtar nga organizmat përkatës dhe vendosjen e pllakës (pllakave) me emrin e rrugës sipas kushteve teknike të urbanistikës.

***

Fytyra juaj ose e një të dashurit tuaj, për t’u pikturuar me besnikëri realiste, në pamje ballore, gjysmë-profil ose profil, në një nga afresket madhështore të kishës së Shën Premtit, e cila po ndërtohet në periferi të Laprakës, afër lavanderisë së tapeteve Aladin. Opsion për ta zgjedhur personazhin e përfaqësuar, nëse është ende në dispozicion. Telefononi te 0644 528 9400 dhe kërkoni Jakun. Nxitohuni: oferta është e kufizuar në numër. Pranojmë foto grash, burrash dhe fëmijësh mbi 12 vjeç, në formatin JPEG. Çmimet variojnë sipas subjektit të pikturës dhe pozicionit, duke filluar nga 4200 euro për person. Duhet paraqitur certifikatë pagëzimi.

***

Tyrbe ornamentale në fshatin Zgërdhiq në rrethinat e Shijakut, me mbishkrim në arabisht dhe mermer të Qafë-Shtamës por të vjetruar me metoda bashkëkohore, e përshtatshme për një njeri të shquar të fisit tuaj, i cili ashtu fiton edhe qetësi të vëmendshme, por të merituar. Tyrbja është e rrethuar me kangjella hekuri në gjendje të mirë dhe vetëm 50 m larg nga rruga automobilistike. Vjen me dokumentacionin dhe autorizimet e duhura, përfshi edhe një pemë gjenealogjike autentike, të lëshuar nga Instituti i Arkivave të Edërnesë, Turqi. 55 mijë euro (880 mijë lira turke). Telefononi 0800 4466 6244, ext. 419.

***

Dorëshkrim voluminoz i një studimi monografik për Shkallën e Tujanit, i viteve 1925-1935, gegnisht, i ruajtur mirë në një koleksion privat, pa emër autori /me emër autori të fshirë, i lexueshëm, i papërdorur. Mungojnë dy faqet e para dhe faqja 32. Të interesuarit të telefonojnë te 0621 066 4852 dhe të kërkojnë Takun. Çmimi bazë, 120 euro, përfshin edhe garanci për ruajtjen e anonimitetit.

***

Shërbim pllake përkujtimore, për t’u vendosur në hyrjen e pallatit tuaj, në nderim të një eventi domethënës për ju, që ju paraqet në një dritë të re për fqinjët, lagjen dhe më gjerë, ose një eventi historik minor, të zgjedhur nga ju vetë, që ka ndodhur në pallat, në truallin ku është ngritur pallati ose në afërsi të tij, por që nuk ka gjetur pasqyrimin e duhur historiografik. Mund t’ia bëni edhe dhuratë surprizë një familjeje tjetër pranë jush. Pllaka do të jetë në përmasat standard, prej mermeri, me mbishkrimin në font serif. Kontaktoni Xhuvitin, te 0621 557 1892, ose dërgoni email te: pllaka_per_ju@yahoo.it. Çmimi bazë 4 mijë euro, përfshin edhe hakun e punëtorëve. Një vit garanci.

***

Emri i rezidencës suaj, me font të theksuar dhe/ose madhësi të spikatur, i vendosur në mënyrë permanente në Google Maps, dhe i tillë që të bjerë në sy të shfletuesve anembanë botës. Me kërkesë palësh të treta, vetëm dy të tillë për bllok banimi. Flisni me Eglën, te 0625 884 4478. Çmimi 250 euro, i negociueshëm.

***

Fotoshopim profesional i një stërgjyshit tuaj ose të parit të fisit, për ta shtuar me art te një foto kolektive të pjesëmarrësve në Kongresin e Manastirit, në Kongresin e Triestes ose në Kongresin e Margëllëçit. Fotoja vjen me certifikim autentik nga studioja e njohur fotografike Dobiani, e futur në kornizë ornamentale prej druri arre. Dërgoni një fotografi të personit si bashkëngjitje, tek adresa foto_shopi@yahoo.it. Çmimi 120 euro për përfshirje në rreshtin e tretë dhe më mbrapa, 180 euro për përfshirje në rreshtin e dytë, 240 euro për përfshirje në rreshtin e parë të grupit të fotografuar.

***

Falënderim posaçërisht për personin tuaj, me emrin tuaj në shkronja të theksuara dhe/ose të praruara, në faqen hyrëse të vëllimit luksoz “Historia e popullit kombëtar”, botim i Shoqatës shqiptare për drejtësi historike, që do të dalë në qarkullim së shpejti. Çmimi ofertë 5 euro, përfshin edhe ftesën për ceremoninë e prezantimit të librit. Telefononi 0643 0566 5446, kërkoni të flisni me Haxhi Filipin. Mbani gati një provë të shtetësisë shqiptare dhe një dëshmi të sjelljes së mirë, lëshuar nga organet e rendit.

***

Protestë tri-orëshe e qenësishme dhe e autorizuar, para një institucioni qendror në kryeqytet, me pjesëmarrje minimumi 150 vetë, njerëz seriozë, të moshave të ndryshme, me paraqitje dhe sjellje të rregullt plus dy parulla standard për t’u ekspozuar në rreshtat e parë të protestës me tekst të sugjeruar prej jush (jo profanitete!) dhe një megafon që do të lëshojë zhurma kontekstuale jo-specifike. Protestuesit do të sillen me mjete transporti të rregullt rrugor nga një lokalitet i afërt dhe do të paguhen dieta të arsyeshme. Çmimi, duke filluar nga 12 mijë euro, plus benzina e autobusëve me tarifën e tregut. Angazhohuni edhe ju si qytetarë dhe porositni protestën tuaj, duke telefonuar te 0800 0885 8655 ext. 22: tani nuk ka më justifikime për pasivitetin!

 

© 2022 Allish-Verish dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: Rishikimi i historisë, nga Krypa.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin