PRINDËR QË KTHEHEN

Babai më vdiq në verë të vitit 2010, nëna në dimër të 2021-shit – dhe tani më hyjnë në ëndrra nga i njëjti rrafsh misterioz i ekzistencës. Sepse i shoh në ëndërr shpesh. Nëse kjo u ndodh edhe të tjerëve, nuk mund të jem i sigurt: cave jo, ca nuk kanë qejf të flasin për ëndrrat që shohin, ka edhe nga ata që nuk i mbajnë mend dhe pastaj janë fatlumët që i kanë prindërit ende gjallë. Për veten, e di që im atë nisi të më dalë shpesh në ëndërr, fill pasi ndërroi jetë. Kjo mbase shpjegohet edhe me traumën që përjetova, kur i ndenja pranë gjatë periudhës kur ishte i sëmurë rëndë dhe e pashë si tretej e shuhej dita-ditës. Por dukjet e tij, në ëndrrat e mia, janë pak bizarre: është vërtet aty, por më shumë si prani abstrakte a formë gramatikore, se personazh aktiv. Kur ëndrra më shpie në shtëpi në Tiranë, e ndiej që gjendet në një dhomë tjetër, por nuk e shoh. Është andej, më thonë. Ndonjëherë tjetër më thonë se sapo ka ikur, ndonjëherë tjetër se e presin të vijë. Kur qëllon që gjendemi të dy në të njëjtën dhomë, nuk më flet; e shumta, është evaziv, ose miraton me të shpejtë gjithçka, të thuash se po pret që ëndrra të mbarojë. Përshtypja që kam, këto dhjetë vjet, është se përballem jo aq me tim atë si personazh, sa me copëra të tij nga e shkuara, disjecta membra, që kushedi edhe kërkojnë njëra-tjetrën në dëshpërim, brenda një hapësire jo aq mikpritëse, si ajo e ekzistencës pas vdekjes; një baba në rindërtim e sipër, fragment pas fragmenti.

Edhe nëna, pas vdekjes, më është kthyer në ëndërr, por në një mënyrë disi tjetër: duke shprehur – më shumë me pamjet dhe gjestet tipike, se me fjalë – alarmin për tim atë të sëmurë, gati-gati duke e mbrojtur nga interferencat e këtejme: lëngata e tij është kolona peshëmbajtëse e botës ku ajo ka gjetur strehë. Kjo dinamikë pasqyron çfarë ndodhi realisht, kur im atë kish zënë shtratin dhe nëna i rrinte mbi kokë dhe i shërbente, si për të provuar një argument që e kish me veten a me ndonjë personazh të imagjinatës së saj. Më është kthyer siç ishte para se im atë të vdiste, duke kërkuar me ngulm sfida morale tek të tretët, njëlloj si atëherë. Nga gjithë muzeu i pafund i kujtimeve që kam për të, ajo ka zgjedhur ta rikrijojë veten mbi këtë motiv altruizmi.

Të dy po dua t’i mendoj si personazhe të skriptuara, që janë kapur peng i pak shprehive të kahershme, edhe pse rrethanat që i përftuan ato shprehi nuk janë më.

Fill pas vdekjes së tim eti, kur prania e tij në ëndrra më turbullonte thershëm, nisa të mendoj – gjysmë me shaka – se mosha e tij reale, në atë rrafsh ekzistence ku gjendej tani, duhej llogaritur rishtazi që nga data e vdekjes; dhe se, gjithnjë në atë rrafsh, ai ishte ende fëmijë. Tani që shkruaj, do të jetë 12 vjeç – sepse 12 vjet ka që ka vdekur. Djalë ende i njomë, por njëfarësoj i detyruar të futet në rolin e të rriturit e të adoptojë, pa i kuptuar, zakonet dhe manierizmat e para-vdekjes, siç ia mbaj mend unë; madje edhe pa e ditur se çfarë pritet prej tij të bëjë. Në skenat ku shfaqet edhe ime më, tani fëmijë diçka më shumë se një-vjeçe, moskuptimi vjen e rëndohet, sepse janë vërtet të dy të skriptuar, por në një mënyrë që nuk pajtohet me skenat ku i vendos ëndrra; dhe me gjasë me njëri-tjetrin nuk komunikojnë dot, edhe pse janë pjesë e së njëjtës ontologjie.

Ëndrrën e fundit që pata, im atë i sapokthyer nga një shërbim në Veri (Rrëshen), më kish sjellë një revistë tabloid, që e kish blerë në stacionin e trenit, dhe ku dikush më kish përmendur mua në një artikull të ilustruar, më shumë foto se tekst. Në të vërtetë, atij gjithnjë i bëhej qejfi kur shihte ndonjë gjë timen në shtyp; kur unë fillova të botoj relativisht shpesh, jetonte në Tiranë dhe i koleksiononte gazetat “Shekulli” të artikujve të mi, për të cilat edhe më “raportonte” pastaj në telefon. Por nuk besoj se do të kish pasur kurrë interes për tabloidët, madje as për të kaluar kohën në tren. Për një arsye të paqartë, tek e njëjta ëndërr, ime më i dha rëndësi të madhe revistës, madje edhe vetë faktit që im atë e kish blerë në rrugë e sipër, duke më përcjellë një qortim të heshtur për indiferencën time. E kështu me radhë, ëndrrat sa më hollë që t’i tregosh, aq më absurde bëhen.

Por pastaj më qëlloi të ndeshja, pikërisht atë ditë, në dy aforizma frënge: njëri nga Chamfort, “L’homme arrive novice à chaque âge de la vie” (“Njeriu hyn si rishtar në çdo moshë të jetës së vet”) dhe tjetri nga La Rochefoucauld: “Nous arrivons tout nouveaux aux divers âges de la vie, et nous y manquons souvent d’expérience malgré le nombre des années” (“Arrijmë gjithnjë të rinj në moshat e ndryshme të jetës dhe shpesh na mungon eksperienca për to, pavarësisht sa vjeç jemi”).[1]

Kjo mund të tingëllojë triviale – siç tingëllon njëlloj triviale e vërteta tjetër se askush nuk arrin ta përdorë mirë eksperiencën që mbledh, madje as nusja që nusëron dy herë. Por nuk më tingëllon e tillë, triviale, kur e mendoj për prindërit që tani nuk i kam më dhe e kuptoj sa e dhimbshme dhe frikësuese mund të jetë për dikë, qoftë ky edhe personazh i një bote të kujtuar (i një “loje” të kujtuar), që ta nisë jetën nga e para dhe të zbulojë se është kthyer fëmijë, edhe pse fëmijë e programuar që të sillet si i rritur, në mos si plak. Më vjen në mendje një ëndërr e para pak ditëve, me tim atë të mbyllur në shtëpi dhe që nuk i dilte kujt, por vetëm sa shihte nga pak nga njëra dritare i fshehur pas perdes, kushedi i pamësuar me mjedisin ku gjendej, në kontrast të athët me fëmijërinë ku ish kthyer rishtas, por që nuk e njihte si të tijën.

Douglas Hofstadter, autor i të shumëdashurit Gödel, Escher, Bach, ka rrëfyer në një vepër tjetër të tijën, I am a strange loop për gruan e vet, Carol, që i vdiq papritur dhe ende e re, nga një tumor në tru; por që, sipas një argumenti tejet kompleks që ai e shtjellon mjaft hollë, ende jeton si një “strange loop” në mendjen e të shoqit. Kjo hipotezë shkon diçka më tej se ideja që “vetëdija” dhe “uni” nuk janë veçse fiksione narrative, personazhe të jetës sonë si eksperiencë; por jo për t’ju afruar dhe aq idesë tjetër – edhe ajo fiksionale por mjaft të vjetër – se vdekja nuk është veçse kalim i vetëdijes në një “botë tjetër”.

Shpjegon filozofi Jeffrey Foss në një artikull në The Globe and Mail (“When is death not death?”), se kur Hofstadter-it i vdiq e shoqja Carol, ai nuk po arrinte t’i hidhte dot dritë misterit si dhe ku humbi vetëdija e saj. Pas bisedash të gjata me mikun e vet Daniel Dennett, edhe ky filozof i mendjes, Hofstadter-i gjykoi se “një pjesë e vetëdijes së Carol-it, interioriteti i saj, ka mbetur në këtë botë.” Argumenti i atij autori, në vija të trasha, mund të përmblidhet kështu: “meqë personat nuk janë veçse struktura informacionale, atëherë kjo e lejon veten e Carol-it të shtjellohet në harduerin tim.” Tek e fundit, falë marrëdhënieve që kemi me ata që duam dhe i kemi afër, ne jemi përhapur tashmë (si kopje, do të shtoja unë) në mendjet e atyre që janë në gjendje ta shohin botën nga këndvështrimi ynë.

Mund ta pranoj që vetëdija ime është e strukturuar si rrëfim, me “unin” tim si personazh kryesor (kush e rrëfen? – mbase pavetëdija). Kjo më bën çuditërisht më të afërt me personazhet e tjera të rrëfimit, veçanërisht nga ato që e mbajnë rrëfimin konsistent me veten, ose proceset e kontrollit; ku të parët vijnë në vështrim prindërit. Ekzistenca e këtyre, pas vdekjes, në kujtesën time nuk do të ishte aq e ndryshme, në parim, nga ekzistenca ime, në vetëdijen time (një tjetër loop); madje edhe duke ua njohur këtyre strukturave të kujtuara një lloj autonomie ndaj vullnetit (iluzionit të vullnetit) tim. Në vdekje, prindërit personazhe e humbin kontaktin me referencën e tyre jashtë vetëdijes – duke u bërë edhe më jetimë se unë. Por ashtu, të mbyllur brenda kujtimeve të mia dhe të motrës sime dhe të së tjerëve që i kanë pasur të pranishëm në jetë, na njohin më mirë se ç’e njohim ne veten, meqë kujtimet tona janë ajri që i mban gjallë dhe uji ku notojnë.

E mbyll me një kujtim tjetër të hershëm ndoshta pa shumë lidhje: kopshti im në Tiranë me katër pemë hurme, në një muzg të hershëm nëntori, kur gjethet tashmë janë ndezur në të kuqe si prej korali të ëmbël. Nuk pipëtin asgjë, veç sendeve të vogla që përfitojnë për t’iu përshtatur nga pak gravitetit. Një hurmë e gjerë, madhështore në shëndetin e saj dhe e pjekur deri në flakë, qenka shkëputur nga dega e lartë ku varej dhe tani dergjet përdhe. Breshka e oborrit tonë, që ishte edhe perëndia jonë sekrete, e vjedh momentin më paqësor të ditës, për t’iu afruar hurmës ngadalë dhe për të filluar ta kafshojë; ia shoh bukur mirë qafën e rreshkur dhe gati më duket sikur po ia dhunoj fshehtësinë edhe në kujtim. Ajo breshkë, në atë moment, më përhihet edhe si gjyshja ime e vdekur; jetojnë të dyja breshka dhe gruaja brenda të njëjtit imazh, të thuash pikturë e çmuar që e ruaj në dhomën më intime të vetëdijes.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Këto citate m’i solli Ennio Flaiano (te Diario degli errori), i cili i komenton kështu: “Arrijmë të zhgënjyer në çdo moshë të jetës, sepse do të mund të bënim (madje kjo na ofrohet) çfarë do të na kish pëlqyer në një moshë të mëhershme. Sot refuzojmë atë që dje do të na kish kënaqur. Gjithçka, me një fjalë, arrin me vonesë.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin