RRËFIMTARI, KY I PANJOHUR

orvatje për të shpjeguar thjesht dhe në mënyrë intuitive një koncept të vështirë

nga Giulio Mozzi (“Teoria e pratica”, më 16 shkurt 2021)

përktheu Arben Dedja

Një nga konceptet më interesantë – dhe në njëfarë mënyre më të parrokshëm – tjerrë në stinën zulmëmadhe të narratologjisë në Francën e viteve Shtatëdhjetë, është koncepti i Rrëfimtarit (po e shkruaj me të madhe për të shmangur – siç do ta kuptoni më vonë – ndonjë ngatërresë).

Rrëfimtari (me “rr” të madhe) në një rrëfim është, në thelb, ai që tregon historinë. Dhe ja, menjëherë fillojnë dallimet.

Rrëfimtari (me “rr” të madhe) nuk është autori i veprës: Rrëfimtari është një subjekt i brendshëm i veprës.

Rrëfimtari (me “rr” të madhe) nuk është personazhi që rrëfen historinë ose personazhi rrëfyes: ky është thjesht personazh (me një rol të caktuar, por me personazh kemi të bëjmë gjithsesi).

Rrëfimtari (me “rr” të madhe) nuk është rrëfimtari (e shihni që është me të vogël) që shfaqet në tekst dhe, përveç që tregon ngjarjet, në qoftë nevoja i komenton, hedh hipoteza, shpreh dyshime, nxjerr moral nga faktet, etjera: ky rrëfimtar (me “rr” të vogël, po e rivë në dukje) është në thelb më i ngjashëm me një personazh se me Rrëfimtarin.

Epo atëherë, do të pyesë ndokush, cili na qenkësh ky dreq Rrëfimtari?

Një narratolog frëng i viteve Shtatëdhjetë do të përgjigjej, gjithë edukatë: Rrëfimtari është një funksion i tekstit. Dhe natyrisht do të saktësonte që, po të marrim vepra të ndryshme të së njëjtit autor, secila syresh do të ketë Rrëfimtarin e vet për së mbari (edhe më: po të shqyrtojmë një përmbledhje me tregime, secili tregim ka Rrëfimtarin e vet për së mbari). E shumta e shumta do t’ju bëjë lëshimin – gjithnjë narratologu frëng i viteve Shtatëdhjetë – që vepra të veçanta të së njëjtit autor mund edhe të kenë Rrëfimtarë të ngjashëm.

Thënë kjo, tani do të rrekem, me ca shembuj të thjeshtë, t’ju bëj ta kapni se ç’na qenkësh një Rrëfimtar.

Ndoshta dikur keni mbajtur ditar. Ose të paktën njihni dikë që e ka bërë për shumë vite këtë punë. Tani përpiquni të imagjinoni dikë që, pasi ka gjetur rastësisht një ditar të vjetër të vetin, le të themi të njëzet e ca viteve më parë – teksa ndërronte shtëpi, për shembull – në mbrëmje ulet ta lexojë. Do ta keni kollaj të imagjinoni si ky person, pas dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzet e dy faqeve, të ngrejë kokën, t’i ngulë sytë për disa çaste në bosh dhe të pyesë veten me zë të lartë: “Po cili isha, kur i shkrova këto gjëra?” Përndryshe, personi mund të ngrejë kokën pas shtatë apo dymbëdhjetë apo njëzet e një faqesh, t’i buzëqeshë kurrkushit dhe të thërrasë, i mallëngjyer: “Ç’gënjeshtra që tregoja, ç’gënjeshtra i tregoja vetes, në atë moshë!”.

Ja: ky shembull i thjeshtë është, sipas meje, një arsye e fortë për të menduar që autori (material) i një teksti dhe Rrëfimtari i po atij teksti nuk përkojnë katërçiptazi. Autori, në fakt, është, ka vazhduar të jetë, vetvetja dhe, duke vazhduar të jetë vetvetja, ka ndryshuar me domosdo; kurse Rrëfimtari, duke qenë si i burgosur në tekst dhe pa mundur të ndryshojë dot më, ka mbetur ai që ka qenë.

Mund të themi që çdo autor, në çastin – në kohën – kur punon me një tekst, projekton brenda tekstit një imazh të vetes: imazh që është i ndryshëm nga autori – jo vetëm ngaqë autori është prej mishi e kocke kurse imazhi është shëmbëlltyrë, por sepse imazhi është, duke qenë shëmbëlltyrë, një transfigurim i autorit. Të jeni të sigurt që gjithkush që shpall se ka futur në një vepër “tërë vetveten”, në fakt ka futur aty veç një pjesë të saj, bile edhe ajo e modifikuar, e shndërruar, e shtrembëruar, e amplifikuar, etj., me pak fjalë e transfiguruar.

Shembulli dy. E keni lexuar Të fejuarit. E keni lexuar dhe keni krijuar një ide se si mund të ishte autori i librit, Alessandro Manzoni. E keni lexuar dhe keni ndier një zë madhështisht gjakftohtë, butësisht ironik, fare të qetë, devotshmërisht dhe patundshmërisht përkushtuar Zotit, e kështu me radhë. Imazhi që keni krijuar në mendje për Alessandro Manzoni-n është ky, pra. Paskëtaj, ndoshta, ju ka hipur dëshira të lexoni një biografi të Alessandro Manzoni-t: dhe aty keni zbuluar që kishim të bënim me një person me nerva llahtarisht të sëmura, sedërli i madh, pak mizantrop; që, në thelb i rritur me një ateizëm iluminist, te feja e krishterë katolike kish mbërritur saje një rrugëtimi goxha të përthyer (dhe disa skenave-nëna tejet histerike); që jeta e tij kish qenë citë me dhimbje, sidomos nga vdekjet: e shumë të dashurës Enrichetta Blondel, dhe të gati gjithë fëmijëve që pat (hiq njërin: të ligun). Alessandro Manzoni prej mishi e kocke, pra, mundet fare mirë të ketë qenë autori i romanit Të fejuarit; por as që i ngjan hiç Rrëfimtarit që ne, tek e lexojmë librin, provojmë ta marrim me mend.

(Ah, kalimthi kjo: autori, Alessandro Manzoni, sipas dëshmive të kohës, nuk ishte në gjendje as ta fliste siç duhet gjuhën në të cilën romani i tij është shkruar: në jetën e përditshme përdorte dialektin lombard, për biseda intelektuale frëngjishten dhe, për të tjerat, një italishte të lombardizuar rëndshëm, ngarkuar në mënyrë qesharake me fiorentinizma zë-ëmbla. Autor dhe Rrëfimtar, pra, as nuk flisnin të njëjtën gjuhë).

Kështu pra: kemi nga njëra anë një autor që kall brenda tekstit një projeksion të vetes, një vetvete të imagjinuar; nga ana tjetër një lexues që rreket të imagjinojë si është i ndërtuar subjektiviteti që ka mbrujtur tekstin. Pika e takimit të këtyre dy imagjinatave, asaj të autorit me atë të lexuesit, është pra Rrëfimtari. Që nuk ka përmbajtje lëndore, është, po themi, një ektoplazëm [Fjalori Treccani: “Në parapsikologji, lënda e veçantë që, në kushte të caktuara, dalkësh nga trupi i do mediumve (e quajnë edhe teleplazmë). Në kuptim më të gjerë: trajtë ujem, e vagëlluar”] apo, po të dëshironi fjalë të dorës tonë, një fantazmë apo një ndërfaqe (ose ndoshta edhe një ndërmjetësirë).

Besoj që një narratolog rrënjak frëng i viteve Shtatëdhjetë, po të më dëgjonte ta përkufizoja Rrëfimtarin kësisoj, në mënyrë kaq paturpësisht psikologjike, do t’i hanin duart për dru. E pra, nëse qëllimi ynë nuk është të bëjmë teori letërsie, por të merremi pak me praktikë letrare, kjo ide për Rrëfimtarin del e mjafton. Të paktën si fillim.

Hapi i mëtejshëm qëndron në marrjen në dorë të një teksti tëndin dhe në bërjen e pyetjes: “Kush ta ketë shkruar, vallë?”

Pyetja mund të duket paradoksale, por nuk duhet t’ju ngjajë e këtillë nëse më keni lexuar deri këtu. Duhet t’ju ngjajë, përkundrazi, një pyetje krejtësisht logjike dhe e natyrshme. Mund të shprehet edhe kështu: “Ç’pjesë, ç’variant, ç’projeksion, ç’imazh, ç’transfigurim (etj.) të vetvetes kam vënë në lëvizje, kam përdorur, për të shkruar këtë tekst?”, apo: “Ç’pjesë, ç’variant, ç’projeksion, ç’imazh, ç’transfigurim (etj.) i vetvetes e ka shkruar këtë tekst?”

Ushtrimi bëhet më i lehtë nëse analizojmë tekste të hershme. Është i vështirë nëse kryhet mbi një tekst me të cilin jeni duke punuar.

Një debat i vjetër filloi qysh në vitet Shtatëdhjetë (në Francë, po jua kujtoj) rreth pyetjes: Rrëfimtari, është prodhim i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i autorit?

Përgjigja më me mend, me gjasë, është: Rrëfimtari është prodhim i autorit gjer në njëfarë pike i vetëdijshëm dhe, nga njëfarë pike e tutje, i pavetëdijshëm.

(Përgjigja ime, private, është që Rrëfimtarët e teksteve që kam shkruar janë prodhime të miat krejtësisht të pavetëdijshme. Për çdo tekst unë sendërgjoj, natyrisht, një Rrëfimtar ad hoc. Dhe përpiqem të jem sa më racional dhe i vetëdijshëm që mundem për ta vënë në jetë, për ta bërë të shkruajë atë histori. Pastaj, mjafton ta rimarr në dorë tekstin pas një jave dhe do të vë re që ca gjëra kanë hyrë aty pa dijeninë time, pa dashjen time, pa autorizim. Natyrisht përpiqem ta ripunoj tekstin duke u nisur nga vetëdija e ekzistencës në tekst të këtyre gjërave: “Kështu – mendoj – do të jem i vetëdijshëm ç’është, cili është Rrëfimtari im”. Varianti i ri i tekstit, lënë të prehet aq sa duhet, do të më shpallë – ndodh gjithmonë, ka ndodhur gjithmonë – prani gjërash të tjera depërtuar në tekst pavarësisht ndërgjegjes, vullnetit, mendimit tim. Atëherë i fus prapë duart në tekst, por – etjera: mund të vazhdohet kështu ad libitum).

Pse duhet atëherë, meqë është kaq pak i kontrollueshëm, ta dimë që në çdo tekst ka nga një Rrëfimtar, dhe që ky Rrëfimtar nuk përkon me ne?

Duhet: se teksa mendoj për Rrëfimtarin, këtë subjektivitet të pakapshëm që përcakton aq shumë gjëra në tekstin tim, në fakt unë mendoj për lexuesin. Për Lexuesin, po të doni. Mendoj për atë tjetër subjektivitet që – në s’di ç’log, në s’di ç’kohë – me anë të tekstit do të rreket të mbërrijë tek unë, të arrijë të më prekë. Nuk do ta bëjë dot, natyrisht, se unë jam këtu, në këtë vend e kohë dhe po lëviz e, për të mbetur vetvetja, po ndryshoj vazhdimisht: por do të mundë, ama, nëse tregohem vërtet i zoti, të prekë me imagjinatë Rrëfimtarin që i dhurova tekstit dhe e lashë të ndërkallej në tekst bash që, larg në kohë, në vende ku s’do të shkel dot kurrë, të mundë të përqafojë imagjinatën e Lexuesit.

Kjo ishte.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin