(EDHE) EKSPERTI GËNJEN?

Para se të mbahej referendumi për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian në 2016, një gazetar i kërkoi sekretarit të Drejtësisë, Michael Gove, të përmendte një ekonomist të vetëm, që e kish mbështetur daljen, dhe ky u përgjigj kështu: “popullit i ka ardhur në majë të hundës nga ekspertët.”

Çfarë ndodhi këto dy vjet në hapësirën e komunikimit publik, lidhur me politikat për t’u ndjekur për pandeminë e Covid-it, vetëm sa e konfirmoi këtë krizë të besimit ndaj institucioneve të dijes dhe “priftërinjve” të shkencës – teksa u kristalizua një masë kritike njerëzish që refuzuan rrezikun e sëmundjes, statistikat e vdekshmërisë, terapitë e propozuara dhe, më në fund, vaksinat.

Si kurrë ndonjëherë, në Perëndim, kundërshtimi i ekspertëve mori trajtat e një kundër-ekspertize, ose të një dijeje alternative.

Institucionet e dijes, nga ana e tyre, u kapën të papërgatitura ndaj kësaj “patologjie epistemologjike” dhe reagimet e tyre u treguan inadekuate – sidomos ngaqë nuk arritën të formulojnë një strategji efikase, për t’u mbrojtur ndaj efekteve të asaj çfarë e kanë quajtur “post-truth”.

Në fakt, teknologjitë e reja të rrjeteve sociale ndihmuan që të krijoheshin “hapësira epistemikisht të mbrojtura”, ku pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillojnë ideologjitë e tyre të pasfiduar; dhe dora-dorës t’i normalizojnë këto ideologji, duke i korracuar ndaj kundërshtimeve. Brenda këtyre hapësirave, e vërteta është ajo që ne, banorët e tyre, duam të dëgjojmë.

David Roberts e ka quajtur këtë “epistemologji tribale”, e cila e sheh kufirin mes të vërtetës dhe të pavërtetës si dallim mes çfarë mbështet ideologjinë e palës sonë dhe çfarë nuk e mbështet këtë ideologji (Donald Trump and the rise of tribal epistemology).

Paradoksalisht, atmosfera toksike e debatit publik gjatë pandemisë e zhvendosi edhe locus-in e gënjeshtrës: nëse pranojmë se akti i të gënjyerit parakupton njohjen e së vërtetës nga ai që flet, atëherë më shumë gënjeshtra u thanë, për arsye të ndryshme, nga kampi i ekspertëve institucionalë dhe i politikanëve të shëndetit.

Përkundrazi, ai që dilte në publik dhe mbronte me të madhe efikasitetin e hidrokloroksinës ose të ivermektinës, kundër virusit të Covid-it, zakonisht u besonte fjalëve të veta; siç edhe besonte se ekspertët, institucionet dhe autoritetet po gënjenin. Prandaj përgjegjësinë për epistemologjitë tribale e kanë, në masë të madhe, vetë institucionet, politikanët dhe mediat që gjykuan se publiku mund të gënjehej me lehtësi.

Shumica dërrmuese e rebelëve ndaj politikave shëndetësore publike – përfshi këtu detyrimin për maska, mbylljen e lokaleve, detyrimin për vaksina – nuk gënjejnë; dhe nëse e kanë gabim, kjo ndodh nga “aq dinë”, me fjalë të tjera, kanë një qasje dorëlëshuar ndaj së vërtetës. Një masë e madhe njerëzish flasin të pavërteta dhe janë gati të organizohen edhe politikisht për t’i mbrojtur – dhe marrin forcë nga vetëdija se nuk po gënjejnë. Njëfarësoj, rebelimi i tyre ka natyrë morale, sepse drejtohet kundër gënjeshtrës.

Dhe këtu merr rëndësi nocioni moral i përgjegjësisë personale të atyre që flasin, ose detyrimi për t’u kujdesur, kur formojnë dhe mirëmbajnë bindjet e tyre. Atij që ngrihet në publik dhe thotë se vaksinat kundër Covid-it po kontribuojnë në përhapjen e sëmundjes ose janë një mjet për kontrollin e popullsisë në botë, nuk mund t’i thuash se gënjen. Gjasat janë që ai të besojë se po thotë të vërtetën, përballë një establishmenti që gënjen.

Kush ende shpreson se mund të debatohet lirisht për këto çështje, nuk mundet veçse të ngulë këmbë në detyrimin jo për të thënë të vërtetën, por për të verifikuar sa të mbështetura janë ato që po thuhen. Është fakt se, shumë nga “alternativët” e politikave shëndetësore të establishmentit nuk i kuptojnë mirë ato që thonë – dhe shkojnë me shpresën se dikush, brenda “tribusë” së tyre, do t’i ketë kuptuar. Një opinionist ose një politikan mund të flasin për ivermektinën nga mëngjesi në darkë, dhe megjithatë të mos e kenë idenë si mund ta luftojë covid-in një preparat përndryshe i destinuar të përdoret kundër parazitëve.

Realiteti i post-truth vepron edhe ndaj atyre që ende besojnë te dija, racionaliteti dhe argumenti; të cilët duhet të përgatiten për të shkuar më tej konfliktit mes së vërtetës dhe gënjeshtrës; sikurse duhet të heqin dorë nga shpresa se alternativët do të ndëshkohen “moralisht”. Pavërtetësia, në pretendimet e tanishme të atyre që distancohen nga establishmenti, nuk lidhet veçse tërthorazi me të vërtetën; prandaj mund të neutralizohet edhe nga ata që nuk janë në zotërim të së vërtetës.

Për fat të keq, dija nuk është ende gati për t’u përballur me post-dijen, në hapësirat e reja të komunikimit në rrjetet sociale; sepse nuk i ka instrumentet e duhura. Një hap në drejtimin e duhur do të ishte heqja dorë nga superioriteti intelektual dhe snobizmi i ekspertit, përballë masës tribale; aq më tepër që, po të flasim për virtyt epistemologjik, këtë tashmë rrallë e gjen në politikat shëndetësore publike; ose edhe kur e gjen, është i pari që sakrifikohet, në emër të pragmatizmit politik. Mjaft të krahasosh se çfarë është thënë zyrtarisht për pandeminë në Shqipëri me statistikat e vdekshmërisë ekstra (excess mortality), të cilët e nxjerrin Shqipërinë si vendin e dytë më të goditur nga pandemia në Europë. Kjo paaftësi institucionale për ta rrokur dhe për ta folur të vërtetën në publik gati-gati u jep licencë qarkullimi teorive konspirative të alternativëve.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi: Chris Heffer, All Bullshit and Lies? Insincerity, Irresponsibility and the Judgment of Untruthfulness, Oxford University Press, 2020.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin