TRASHËGIMI E PADUKSHME

– rrënjët sovjetike të modernitetit shqiptar në shekullin XX –

Dinamikat e totalitarizmit në Shqipëri më kanë interesuar dyfish: si studiues i ligjërimit publik gjatë asaj periudhe, por edhe ngaqë në atë sistem e kalova fëmijërinë dhe rininë.

Në rrjedhë të viteve, kam krijuar bindjen se ajo periudhë, që ende lëshon hije mbi të tashmen tonë, nuk mund të analizohet as të kuptohet mirë, pa marrë parasysh ndikimin sovjetik në jetën shqiptare.

Jo vetëm deri në fillim të viteve 1960, por edhe për shumë kohë më pas, Bashkimi Sovjetik ishte jo vetëm burim i preferuar i ideve dhe i praktikave politike, ekonomike, sociale dhe kulturore që përqafoheshin, promovoheshin dhe ndiqeshin në Shqipëri, por edhe pikë referimi unike për elitat manaxheriale dhe teknokratike të vendit, një pjesë e madhe e të cilave kishin studiuar në universitetet më të mëdha sovjetike.

Paradoksalisht, udhëheqja e shtetit dhe e Partisë e dalë nga Lufta II Botërore, me Enver Hoxhën në krye, nuk e pranuan dhe aq lehtë dhe lirisht modelin ideal sovjetik, sepse ishin produkt intelektual – sado gjysmak – i Perëndimit: Francës, Italisë dhe ndonjë vendi tjetër pa lidhje me sovjetikët dhe Kominternin. Që kjo krushqi kishte probleme të pazgjidhshme, këtë e provoi edhe prishja – aq e çuditshme dhe në thelb e pashpjegueshme – mes Hoxhës dhe Hrushovit, në fund të viteve 1950.

E megjithatë, pavarësisht nga ndërprerja e marrëdhënieve në vitet 1960, ndikimi sovjetik mbeti vendimtar në jetën shqiptare – dhe Hoxhës iu deshën më shumë se njëzet vjet luftë brenda gjinisë, për t’i neutralizuar të gjithë ata, të cilëve nuk u besonte, pse i gjykonte si kontingjent filo-sovjetik në pushtet.

Madje neutralizimi nuk pati sukses: edhe pas vdekjes së Hoxhës, pushteti u trashëgua nga Ramiz Alia dhe njerëz si Sofokli Lazri, që ishin edhe ata derivate, nëmos produkte intelektuale të lindjes sovjetike.

Flitet shumë pak, për këtë “elefant” në dhomën e historisë së totalitarizmit në Shqipëri; paçka se shtetin aso kohe, nga ekonomia te financa (i kujtohet kujt hozrashoti?), nga industrializimi te transporti, nga ushtria te organet e sigurimit dhe të policisë, nga gjykatat te burgjet, nga tregtia te shëndetësia, nga fermat bujqësore te kooperativat, nga arsimi te kultura, nga dezhurnët te fletët e kampit të pushimit, e ngritën dhe e mbajtën në këmbë njerëz që kishin studiuar në Moskë dhe në Leningrad, pa përmendur pastaj specialistët sovjetikë që i kishin sjellë të ndihmonin për “ndërtimin e socializmit” tek ne.

Flitet shumë pak, edhe pse – mbase sot e kësaj dite – fondi më i madh i librit të huaj, në Bibliotekën Kombëtare, është në rusishten sovjetike.

Flitet shumë pak, me ndonjë përjashtim madhor, si libri i Elidor Mëhillit, From Stalin to Mao, ku lexuesi gjen, mes të tjerash, një analizë unike të marrëdhënieve sovjeto-shqiptare pas vitit 1945 dhe të sovjetizimit të Shqipërisë në atë periudhë (si pjesë e ekspansionit sovjetik të Pasluftës). Më e plotë, kjo analizë shpaloset në disertacionin doktoral të po atij autori, Building the Second World: Postwar Socialism in Albania and the Eastern Bloc, që mund të shkarkohet falas këtu. Shqetësimet metodologjike të Mëhillit (dhe më tej të Kotkin-it, që ia ka udhëhequr temën), lidhur me nevojën për ta rikthyer sovjetizimin në vëmendje të historianëve të totalitarizmit (edhe atij në Shqipëri), unë i gjej me vend dhe të rëndësishme.

Sado e çuditshme të tingëllojë kjo, libri i Mëhillit ende nuk është përkthyer në shqip – dhe diskursit kulturor sot në Tiranë duket sikur nuk i intereson të flasë për rrënjët sovjetike të Shqipërisë dje dhe sot, të Shqipërisë siç ka qenë dhe është, dhe jo ashtu siç do ta dëshironin disa të ishte dhe të jetë.

Deri edhe për një shkrimtar të kalibrit botëror si Kadareja zakonisht lihet mënjanë ose gjysmë në heshtje fakti që ai u formua profesionalisht dhe kulturorisht në Institutin Gorki në Moskë dhe që, pa atë ndikim vendimtar, nuk do të kish mundur të shkëlqente dhe të realizonte potencialin e vet si autor.[1] Mjafton të krahasosh krijimtarinë e tij para Moskës me atë çfarë shkroi fill pasi u kthye që andej – për të parë ndryshimet dramatike dhe de-mediokrizimin e rrufeshëm në tema, në stil dhe në écriture.

Mungojnë – të paktën me sa di unë – qëmtimet historike-kritike të fillesave sovjetike në veprën letrare të Kadaresë; në një kohë që shumë kritikë vazhdojnë të hedhin popla për Danten, Eskilin, Shekspirin dhe Homerin, duke i bërë jehonë servile auto-fiction-it të Kadaresë vetë.

Prishja e madhe me sovjetikët, në fillim të viteve 1960, u përjetua si traumë nga ai brez shqiptarësh të shkolluar – ajka e formuar rishtas e teknokracisë dhe e kulturës në Shqipëri – që tani nuk e shpallnin dot hapur besnikërinë e tyre ndaj Moskës dhe as varësinë e tyre nga idetë sovjetike. Madje e shkuara e tyre si studentë në universitetet e Lindjes, nga dikur aset, u kthye në handikap dhe mund të përdorej – siç edhe u përdor – kundër tyre. Nëpërmjet një mekanizmi freudian banal, filo-sovjetizmi i elitave u zhvendos nga vetëdija në pavetëdije.

Hoxha nuk u besonte këtyre njerëzve, për të paktën tri arsye: sepse këta ishin formuar në një kulturë për atë vetë të panjohur; sepse këta ishin profesionistë, jo amatorë me gjysmë universitet; dhe sepse këta ishin formuar, në masë të madhe, në mjedise kulturore ku Stalini nuk shihej më si Perëndi e Olimpit Socialist dhe pasi Hrushovi e kish filluar – me fjalimin e vet të famshëm në 1956 – procesin aq historik të destalinizimit.

Tmerri i Hoxhës, që nuk ia kish lëshuar dot dorën “baba Stalinit” ishte se shteti shqiptar, në aktivitetin e tij të përditshëm, rrezikonte të binte në duart (në “kthetrat”) e një klase kuadrosh që e kishin kuptuar, në masë, natyrën kriminale të stalinizmit dhe, për rrjedhojë, edhe të Enverit, si nxënës dhe admirues besnik i mustaqemadhit.

Që këtej edhe marrëzia reformuese e viteve 1960, e frymëzuar edhe nga Revolucioni Kulturor në Kinën e Maos, që mori trajtën e fushatave të njëpasnjëshme të luftës kundër burokratizmit dhe të revolucionarizimit të shkollës; të cilat masivisht synonin edhe frikësimin dhe disiplinimin e kësaj shtrese kuadrosh. Të cilët tashmë kishin shumë çfarë të humbnin, nga privilegjet që kishin; por edhe shumë për të rekriminuar, në raport me privilegjet që mund të kishin pasur, po të mos e kish shkëputur Hoxha Shqipërinë nga Bashkimi Sovjetik.

Një pjesë e tyre madje ishin martuar me gra nga vendet e Lindjes ku kishin studiuar dhe kishin krijuar me to familje; gra të cilat pastaj u nëpërkëmbën, u keqtrajtuan, u damkosën si agjente të huaja, u dëbuan dhe u burgosën. Historia e këtyre persekutimeve pjesërisht po rrëfehet, sidomos në fiction; por ka ende nevojë të ndriçohet, nga pikëpamja e një kulture vetë-kanibalizuese, si ajo shqiptare, e cila që prej një shekulli veç i kish masakruar elitat e veta, që mezi i nxirrte.

Shumëçka tjetër mbetet për t’u rrëfyer. Kultura tek ne vazhdon të lektiset pas mbetjeve dhe ndikimeve italiane të periudhës së Impero-s, atyre veneciane dhe atyre austriake në jetën e Shqipërisë; nuk ka mbetur njeri pa dëgjuar për kontributet e shkollës italiane të arkitekturës në Tiranë, për kompleksin e ministrive dhe bulevardin dhe korpusin e Universitetit. Ka studime shumë të mira për arkitekturën osmane dhe për kishat ortodokse; ka studime po aq të mira për kështjellat dhe kalatë dhe fortifikimet historike. Nuk më duket se i është kushtuar vëmendje e ngjashme rrënojave – sepse të tilla janë – të arkitekturës sovjetike në Shqipëri; edhe pse kontributet e saj janë të kudo-gjendura dhe të rëndësishme dhe të tilla që të kenë ndikuar thellë në jetët e ne të gjithëve (një ditë pata përsiatur gjysmë me shaka, në bisedë me Mëhillin, për oportunitetin e një shëtitjeje të organizuar, përmes shenjave dhe rrënojave të arkitekturës sovjetike në Shqipëri; ndesh njeriu në gjëra fantastike, të cilat meritojnë të jenë më publike).

Këtu nuk e kam fjalën vetëm për arkitekturën, e cila artikulon në analizë të fundit një ideal, por edhe për të gjitha ato institucione, praktika dhe rutina, të punës dhe të kohës së lirë, të cilat i dhanë formë arkitekturës së jetës së shqiptarit të Shqipërisë, për gati gjysmë shekulli: nga dekori urban, te festat publike; nga Pallatet e Pionierëve te Kampet e Punëtorëve; nga mensat te dyqanet “ushqimore” (“gastronomi”); nga gazetat e murit tek emulacioni socialist; nga olimpiadat teatrale te sporti masiv; nga formati i shtypit te programacioni i radios; nga teatri te Kinostudioja “Shqipëria e Re”; nga bibliotekat e lagjeve te parakalimet e 1 majit; nga shkolla e baletit tek estrada. Poshtë të gjitha këtyre, po t’i gërvishtësh, do të shfaqen shkronjat dhe mbishkrimet cirilike.

Libri i Mëhillit e ndihmon lexuesin të kuptojë, duke i hapur një dritare dhe duke lënë që të bjerë drita, mbi çfarë deri dje ishte në errësirë, madje e futur në errësirë; nëpërmjet një procesi të ngjashëm me psikanalizën. Si shoqëri, ne të Shqipërisë ende nuk e kemi shlyer ndikimin sovjetik, por vetëm sa e kemi shtyrë dhe pastaj kyçur në pavetëdije; në një kohë që faktet vështirë të mohueshme priremi t’i minimizojmë, duke ngritur supet. E kemi më të lehtë ta përfytyrojmë vendin tonë si totalisht të izoluar dhe të rrethuar nga armiku, se ta vendosnim ekzistencën e Shqipërisë “socialiste” në kontekstin e sovjetizimit. Që për brezin e ri sot kultura ruse dhe rusishtja janë po aq të huaja sa ato të një qytetërimi jashtëtokësor, kjo i ndërlikon edhe më shumë përpjekjet tona për të komunikuar me të kaluarën.

Kur kthehem në Tiranë, dhe hyj në shtëpinë ku jam rritur, e gjej veten të rrethuar nga librat rusisht të tim eti, që pat studiuar edhe ai për mjek psikiatër, në Universitetin e Moskës. Janë me qindra të tillë, të vjetruar, të dalë boje, me faqe të zverdhura, dhe me njolla kafe si duar gjyshesh. Më shumë se libra, janë kodikë të profesionit, të cilat sot mbase nuk vlejnë më – sepse janë kapërcyer. Edhe im atë prirej t’i zëvendësonte, dora-dorës, me tekste e revista frëngjisht dhe pastaj anglisht, më të përditësuara dhe më “të kohës”. Pas vdekjes së tij, nëna ime bëri përpjekje për t’ia dhuruar ndonjë biblioteke, por pa sukses: askujt nuk i duheshin manualet e mjekësisë sovjetike të viteve 1950. Por trashëgimia sovjetike, në rastin e tim eti dhe të kolegëve dhe vërsnikëve të tij, nuk ka lidhje me librat që la pas, por me pacientët që ai mjekoi e jo rrallë shëroi për gjysmë shekulli; dhe me studentët e doktorandët e shumtë, të cilëve u mësoi psikiatrinë në auditore.

Një trashëgimi të tillë gati të padukshme e gjen edhe te një urë, te një hidrocentral, te një qytezë punëtorësh, te një traditë festive tashmë të “shqipërizuar”; në Shqipëri njerëzit vazhdojnë ta duan dhe t’i referohen me mall, edhe kur malli nuk është veçse efekt anësor i mjerimit të sotëm. Filmat e Kinostudios mund të kenë qenë produkte propagandistike, që i shërbenin konsolidimit të pushtetit dhe të shtetit totalitar; por profesionalizmi pas tyre, i regjisorëve dhe aktorëve dhe teknikës, i detyrohej ndikimit sovjetik. Njerëzit ende dëgjojnë dhe duan fort muzikën e kompozuar dhe të përpunuar nga artistë të formuar në Moskë dhe në Leningrad; dhe luftojnë për traditën e një Teatri Popullor, i cili – në atë pjesë që ia vlen për t’u mbajtur mend – nuk do të hidhte dot shtat, pa modelin sovjetik dhe specialistët përkatës. Nëse ka pasur (dhe kushedi ka akoma) një shkollë shqiptare të artit refleks, nga muzika e dhomës tek opera, nga teatri klasik te muzika orkestrale, nga baleti te skulptura monumentale, kjo shkollë në masë të madhe u detyrohet kontributeve dhe vizionit të artistëve dhe intelektualëve të formuar në Lindjen sovjetike, zakonisht në universitetet e Rusisë.

Këtu nuk po dua të jap gjykime vlere, lidhur me sovjetizimin në kulturë dhe gjetiu; por për të kujtuar, veten dhe të tjerët, se kjo dukuri nuk mund dhe nuk duhet të shpërfillet, dhe aq më tepër në kontekste të obsesionuara me historinë si këto tonat, kur nuk lëmë deri edhe dokumente margjinale, si Statutet e Shkodrës, pa i kremtuar si të ishin skriptura të historisë kombëtare. I mirë apo i keq, sovjetizimi ndodhi, dhe nëpërmjet sovjetizimit erdhi edhe moderniteti në Shqipëri, shumë më tepër se ç’kish ardhur me investimet italiane më parë dhe me ato kineze më pas. Të gjitha institucionet tona referencë të periudhës totalitare, nga Universiteti tek Akademia e Shkencave, nga shëndetësia tek arsimi publik, nga Radio-Televizioni te shtëpitë botuese, nga Teatri Popullor te Kinostudioja Shqipëria e Re dhe Teatri i Operës dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, u ngjizën nëpërmjet dhe falë ndikimit dhe ndihmës sovjetike. Dhe çfarë është me rëndësi, ky ndikim sovjetik lejoi edhe një sinkronizim të elitave – ndryshe nga ç’ndodh sot, kur shpesh mes specialistëve dhe menaxherëve njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, sepse njëri nga mbaruar në Ohio, tjetri në Mynih, njëri është specializuar në Grenoble, tjetri në Qatar; dhe elitat nuk flasin dot një gjuhë të përbashkët mes tyre, përtej platitudave të amerikanizimit dhe të globalizmit.

Ky shkrim nuk mëton asgjë më tepër, se të shërbejë si rikujtesë që historia – edhe ajo e vonë dhe e përjetuar prej shumëve që janë ende gjallë – ka nevojë të zbërthehet dhe disektohet në tryezën e studiuesit, para se të shkruhet. Analiza e viteve të totalitarizmit në Shqipëri është tepër e rëndësishme, për t’iu lënë në dorë ideologëve dhe politikanëve: aq më tepër që gjendja ku jemi sot, me të mirat dhe të pamirat e saj, është ende efekt i drejtpërdrejtë jo vetëm i çfarë kemi jetuar dje, por edhe i çfarë kemi harruar se kemi jetuar.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Edhe Dritëro Agolli studioi në Bashkimin Sovjetik dhe pastaj luajti rol të dorës së parë në plazmimin e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Një listë e plotë me emrat e shkrimtarëve, kompozitorëve, muzikologëve, estetëve, etnologëve, regjisorëve të teatrit, kineastëve, baletmaestrove, piktorëve, skulptorëve, arkitektëve, kritikëve të artit, gazetarëve mbase do të ndihmonte për të kuptuar më mirë impaktin që pati modeli kulturor sovjetik në themelimin – praktikisht nga nëndheu – të kulturës moderne në Shqipëri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin