MJESHTËR SUBVERSIONESH TË VOGLA

  1. Valët e radios

Qëkur është shpikur radioja, ka pasur edhe njerëz të interesuar për të folur me njerëz të tjerë, përmes sinjaleve radio – përtej barrierave gjeografike, të kufijve shtetërorë, të gjuhëve dhe të kulturave.

Në Shqipërinë e viteve 1945-1990 promovohej sporti i radio-amatorizmit, por gjithnjë nën tutelën e rreptë totalitare dhe i konsideruar si një lloj sporti “ushtarak” (i së njëjtës kategori me qitjen), që përgatiste radistë të zotët. Radio-amatorët në Shqipëri komunikonin me njëri-tjetrin për të provuar zotësitë, por jo me botën; komunikimi i tyre ishte i llojit “fatik”, si një farë testimi sportiv i kanalit radio.

Si sport, radio-amatorizmi kish lidhje edhe me shpejtësinë dhe saktësinë e transmetimit me mors, një lloj komunikimi efikas, por relativisht primitiv. Nuk kish lidhje, përkundrazi, me përpjekjet e mijëra e mijëra qytetarëve, në Shqipëri, për të kapur stacione të huaja që transmetonin shqip, në valë të shkurtra.

Deri vonë në vitet 1970, rrethi i radio-amatorizmit në Pallatin e Pionierit në Tiranë tërhiqte fëmijë kureshtarë për radio-elektronikën. Nga një shok që merrte pjesë në ato aktivitete, mësova për radion me galenë, një aparat fare i thjeshtë, për marrjen e sinjaleve radio, i ndërtuar rreth një kristali mineral, si galena (sulfur plumbi, ose PbS). Për ta ndërtuar një radio me galenë, mjafton të kesh një tel për antenën, një bobinë teli, një kapacitor, një kristal (galenë ose të ngjashme) dhe kufje.

E kujtoj si tani magjepsjen time, para këtij kristali ngjyrë metalike të ndezur, që njëfarësoj gumëzhinte nga sinjalet e botës. Mjafton t’ia lidhje “telat” si duhet, dhe ato sinjale ktheheshin në zëra, tinguj dhe zhurma për ty. E gjitha kjo, pa nevojën e rrymës elektrike!

Për arsye të njohura, radio-transmetueset gjatë atyre viteve kontrolloheshin rreptë (edhe më rreptë se makinat e shkrimit); një person që ndërtonte një të tillë, qoftë edhe për hobby, do të klasifikohej zakonisht si spiun. Prandaj edhe në Shqipëri nuk u përhap dot ai lloj radio-amatorizmi i cili gjetiu në botë ka popullaritet të madh, dhe që në SHBA njihet si ham radio.

Si teknologji komunikimi, ham radio ka rëndësinë e vet për komunitete të shpërndara në hapësira të mëdha gjeografike, si ato në SHBA a në Kanada; veçanërisht në momente katastrofash natyrore. Është e kundërta e Internetit – pakkush kujtohet për të, përveçse kur teknologjitë e përditshme pushojnë së funksionuari.

  1. Pullat e postës

E kujtoj me mall të papërshkruar, kohën kur mblidhja pulla poste. E kisha nisur me një kapital të vogël, të trashëguar nga xhaxhai im, që kish koleksionuar edhe ai gjithfarë pullash italiane, gjermane të Rajhut të Tretë, por edhe sovjetike dhe jugosllave. Nga pullat më kurioze që më kish dhënë, mbaj mend ato nga Nezavisna Država Hrvatska, të cilat si fëmijë e kisha të vështirë t’i identifikoja.

Për fëmijët si unë, pullat shërbenin edhe si një lloj atlasi gjeografik abstrakt – edhe pse ato më të vyerat u përkisnin shteteve fantazmë, si Djibouti, Territoire français des Afars et des Issas, Somalie française e kushedi ç’tjetër; ose ishujve a federatave me status sovraniteti të paqartë (Tristan da Cunha, Aden, Montserrat, Ascension, São Tomé and Príncipe, Kenya Uganda & Tanganyika, Union des Républiques arabes).

Pullat më të shpëlara dhe më pa interes ishin ato nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja; por edhe sovjetiket nuk mbeteshin prapa.

Amatorët filatelistë pa pretendime i krijonin koleksionet e tyre duke shkëmbyer pulla dhe “seri” me njëri-tjetrin; dhe i vendosnin zotërimet e tyre mes faqeve të ndonjë libri kapakfortë. Por ata më të sofistikuarit kishin albume, ku pullat vendoseshin si eksponatet në muze.

Besoj se më të çmuarat në koleksionin tim modest, kanë qenë një seri prej katër pullash, të emetuara nga Fronti nacional-çlirimtar i Vietnamit të Jugut, një lëvizje që i kundërvihej regjimit të Saigonit pa qenë tërësisht i varur nga Vietnami i Veriut. I pat sjellë në Shqipëri një delegacion i asaj lëvizjeje politike, dikur në fund të viteve 1960 dhe ashtu patën përfunduar rastësisht në duart e mia.

Një mënyrë për ta pasuruar koleksionin, ishte të blije pulla nga ndonjë filatelist i regjur, por që tani gjendej në vështirësi ekonomike. Në lagjen tonë, pulla shiste Gaspri, një plak që jetonte i vetëm në një dhomë modeste te një shtëpi e vjetër në rrugën e Kavajës – kam blerë prej tij pullën e parë trekëndëshe, një kuriozitet për mua i rrallë.

Gaspri vetë me gjasë e pat krijuar koleksionin e vet aq të pasur nëpërmjet korrespondencës filatelike, me ndonjë amator të përtej detit. Edhe pse i mbyllur ndaj shkëmbimeve kulturore, shteti shqiptar i toleronte këto lloj shkëmbimesh, mes filatelistëve shqiptarë dhe të huaj – ku shqiptarët dërgonin jashtë seri dhe koleksione pullash shqiptare, për të marrë nga jashtë seri dhe koleksione pullash nga vende të ndryshme.

Një shok imi i klasës mbante lidhje të tilla dhe ashtu pat siguruar seri të hatashme pullash, mes të cilave më kanë mbetur në mendje disa nga Emiratet arabe të bashkuara (më dramatikat ishin ato nga Sharjah).

Shteti shqiptar pat investuar atëherë edhe në tipografinë e pullave, për të nxjerrë koleksione estetikisht tërheqëse, të punuara nga grafistët më të mirë, mes të cilëve dhe piktorë dhe ilustratorë të njohur. Pullat shqiptare kërkoheshin dhe vlerësoheshin shumë. Shteti – me sa mbaj mend – angazhohej drejtpërdrejt në shitjen e tyre, por me gjasë e gjykonte edhe këmbimin privat si të dobishëm për “kauzën”.

Kishte, megjithatë, një farë rreziku inherent, në korrespondencën filatelike. Qarkullonin histori për filatelistë që rezultuan të kishin pasur lidhje – pa dijeninë e tyre – me agjentë të huaj; ose e kundërta, për spiunë të regjur vendës, që shfrytëzonin filatelinë për të ruajtur lidhjet me padronët e tyre përtej detit. Por këto histori nuk mjaftonin për t’i dekurajuar amatorët – shumë prej nesh ishim gjithnjë në kërkim të një “adrese”, ku mund të shkruanim një letër me anglishten tonë të çalë, dhe të propozonim shkëmbime pullash.

U pata kërkuar edhe unë leje të mive, që të përfshihesha në këtë lloj trafiku, por nuk ma patën dhënë.

  1. Esperantizmi

Pak e dinë, sot, se ka pasur në Shqipëri një lëvizje esperantiste, e cila u mbajt gjallë edhe në vitet më të errëta të izolimit totalitar.

Esperantoja është një gjuhë artificiale, e krijuar dhe e propozuar nga L.L. Zamenhof në vitin 1887, me synimin për të lehtësuar komunikimin mes popujve të ndryshëm, gjithë duke penguar hegjemonizmin e ndonjë gjuhe historike, që u detyrohej ushtrive dhe luftanijeve.

Struktura e saj gramatikore është e thjeshtë dhe e tejdukshme; leksiku i saj bazohet në gjuhët perëndimore kryesore.

Esperanton në Shqipëri e sollën studentët nga Perëndimi; i pari esperantist mbahet Lazër Shantoja, një prift katolik, i cili e përdori në 1907.

Pas vitit 1945, lëvizjen e mbajtën gjallë kryesisht ish-studentë të kthyer nga vendet e Lindjes – thuhet se edhe Cikli i kreshnikëve dhe Përrallat shqiptare janë përkthyer në atë gjuhë.

Në vitet 1960, unë mbaj mend të kem parë të qarkullonte revistën El Popola Ĉinio, botimi në esperanto i një reviste propagandistike zyrtare, të Republikës Popullore të Kinës. Kam lexuar më pas se gjeje tek-tuk edhe një revistë të ngjashme nga Vietnami, Vjetnamio antae ŭnmarŝas. Në esperanto ishin përkthyer edhe veprat e plota të Maos, madje edhe Libri i Kuq!

Esperantistët në Shqipërinë e atyre viteve ishin një grup enigmatik: toleroheshin, por nuk mbështeteshin. Një shok imi i shkollës më fliste gjithnjë për të vëllanë, që i përkiste atij grupi; ndonjëherë edhe më tregonte materiale të ndryshme në esperanto – si broshura, revista dhe libra. Me sa mbaj mend, ato vinin të gjitha nga Kina.

Historinë e lëvizjes esperantiste në Shqipëri e rrëfen në hollësi një monografi nga Bardhyl Selimi dhe Heide Otto, e cila mund të lexohet këtu. Prej andej i kam marrë edhe unë disa të dhëna që i përmend më lart.

  1. Në mbyllje

Kur një shtet totalitar si ai i Hoxhës, në Shqipërinë e viteve 1945-1990, e themelon ekzistencën e vet mbi izolimin dhe dyert e mbyllura, çdo orvatje për të komunikuar me botën – nga ndjekja e televizionit të huaj, te kontrabanda e orëve të dorës – merr valencë politike dhe meriton vëmendje të posaçme.

Radioamatorizmi, filatelia dhe esperantizmi sot mund të duken si kuriozitete të vogla; dhe praktika e tyre një paradoks, në rrethanat kur Shqipëria funksiononte me logjikën e një mega-burgu. Në ato vite, edhe të dëgjoje me kufje një gërvimë elektro-magnetike të pakontrolluar, të koleksionoje me kujdes një pullë poste prej një shteti a qytetërimi “përtej”, ose të përpiqeshe të mbaje gjallë një gjuhë artificiale, si esperantoja, ishin vetvetiu akte subversive dhe si të tilla duhen kujtuar edhe sot.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: galenë me pak përzierje piriti. Foto © Ivar Leidus.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin