GJURMË TË APOFONISË I.E. NË SHQIPE

parathënie e monografisë me këtë temë

nga Albert Riska

Në veprën e Andre Martinet “Des steppes aux oceans” (Nga stepat në oqean), teksa bëhet paraqitja dhe përshkrimi i shkurtër i gjuhëve dhe i grupeve gjuhësore të familjes indoevropiane, për gjuhën shqipe shkruhet se “ajo gëlon nga fjalët e huazuara prej gjuhëve sllave,  turqishtes, greqishtes dhe gjuhëve romane”. [1]

Është për t’u vënë re se në këtë listë të gjuhëve dhënëse Martinet përmend gjuhët romane, por jo vetë latinishten, çka do të implikonte problemin e rëndësishëm të natyrës, por edhe të kronologjisë së huazimeve latine në gjuhën shqipe.

Veç kësaj, ndoshta duke pasur parasysh vetëm faktin e sipërpërmendur, menjëherë më poshtë autori shton se “shqipja është nga ato gjuhë që më shumë i paraqesin probleme, sesa i ofrojnë zgjidhje komparativistit”.

Nuk ka të dyshuar se konsiderata të tilla burojnë, para së gjithash, nga mosnjohja e gjuhës, por edhe nga mangësitë në njohjen e arritjeve të studimeve historiko-gjuhësore në fushë të shqipes.

Do të përmendnim këtu edhe një tjetër fakt si shfaqje të keqvlerësimit.

Në trajtimet etimologjike që u bëhen përkimeve të fjalës borë, në gjuhët greke, latine, por edhe italiane, pavarësisht ngjashmërive të dukshme fonetike, nuk përmendet gjëkundi kjo fjalë e trashëguar e shqipes.

Praktikisht mund të vihet re se në shpjegimet etimologjike të këtyre fjalëve të gjuhëve klasike shfaqen probleme, si për burimin e tyre, ashtu edhe për lidhjet brenda- apo jashtëgjuhësore që ato mund të shfaqin.

Kështu, për etimologjinë greke fjala μπόρα (bora) pranohet si një huazim nga italishtja veneciane bora, kjo nga latinishtja bŏreās “erë e veriut, veri”, e cila vetë sillet nga greqishtja e vjetër βορέας|βορράς (boreas/borras).[2]

Ndërsa, për etimologjinë italiane trajta dialektore bora shihet si variant i trajtës borea, kjo si zhvillim i trajtës latine bŏreās, që, si më lart, konsiderohet si një huazim nga greqishtja βορέας (boreas); por nuk përjashtohet, gjithashtu, edhe mundësia që të jetë një huazim nga sllavishtja буря/бура (burja/bura) “stuhi, furtunë”. [3]

Nga ana e vet fjala sllave буря/бура (burja/bura) “stuhi, furtunë” implikon edhe një fjalë tjetër shqipe, burë “batica e detit; gjendje e trazuar e detit kur fryn erë e ka dallgë”. Duke qenë krahinore, fjalën e shqipes etimologët e kanë menduar, pa mëdyshje, si të huazuar nga maqedonishtja бура (bura). Madje, prej këtej edhe rumanishtja búră “llohë, mjegull”, megjithëse kjo është lidhur edhe me latinishten boreas “erë e veriut”.[4]

Siç mund të shihet, nën këtë frymë është më e lehtë të pranohet që shqipja “detare” të huazojë nga maqedonishtja “tokësore” një fjalë që lidhet me detin, sesa të kërkohen lidhjet midis fjalëve shqipe burë e borë, që, për natyrën fonematike, me /b/-në nistore nga një /bh/ indoevropiane, do të mund të konsideroheshin si bazë për përftimin edhe të fjalës greke βορέας|βορράς e fjalës latine bŏreās, pse jo edhe të derivateve dialektore italiane borea, borana, burrasca, buriana.

Nuk do të ishte, normalisht, rasti që të diskutonim për problemin e raportit midis elementeve vendase dhe atyre të huaja në gjuhën shqipe, vetëm se do të sugjeronim të kihen parasysh vërejtjet e C. Tagliavini-t mbi statistikat e G. Meyer-it, prej të cilave do të përmendnim, së pari, se fjalët e një gjuhe nuk mund të vlerësohen njësoj pa një “dallim cilësor” dhe, së dyti, se studimet e mëvona etimologjike në fushë të shqipes i kanë kthyer fondit vetjak të shqipes mjaft fjalë që më herët janë gjykuar si huazime.[5]

Nga ana tjetër, është mëse e qartë se në vlerësimin e natyrës së një gjuhe, më shumë se statistikat për burimin a origjinën e fjalëve, duhen peshuar elementët e natyrës sistemore që përcaktojnë karakterin dhe organizimin e brendshëm të saj në të gjitha nivelet e sistemit, përfshi edhe atë leksikor.

Nga ky këndvështrim, me lëndën që ofrohet nga brumi i shqipes do të gjykohen rastet e ruajtjes së gjurmëve të një dukurie shumë të hershme indoevropiane, apofonia apo ablauti, me një natyrë mjaft komplekse, por që shfaqet në fjalë a fjalëforma të disa gjuhëve të familjes.

Dhe, në përgjithësi, kur flitet për rastet e shfaqjes apo për ruajtje të gjurmëve të dukurisë së apofonisë në gjuhët indoevropiane, përmenden rregullisht greqishtja e sanskritishtja, por edhe latinishtja e gjuhët gjermanike, normalisht gjuhë me dokumentim relativisht të hershëm.

Veçse, është për t’u përmendur se do të mjaftonte edhe një hetim sipërfaqësor në lëmë të kërkimeve etimologjike për të kuptuar se gjurmët e dukurisë indoevropiane të apofonisë në gjuhën shqipe janë mjaft më të rëndësishme nga ç’përmendin edhe vetë veprat tona sintetizuese.

Duhet theksuar paraprakisht se këtu nuk është për t’u diskutuar thjesht numri i fjalëve shqipe që ruajnë gjurmët e kësaj dukurie të trashëguar të fazës së përbashkët indoevropiane, megjithëse edhe ky numër nuk rezulton i parëndësishëm (po të kemi parasysh raportin midis elementeve leksikore të shqipes që janë trashëguar nga faza e përbashkët indoevropiane, qoftë me ato të krijuara apo të përftuara më vonë brenda gjuhës, qoftë edhe me elementet e huazuara nga gjuhët e tjera); pra, nuk do të tregohet se shqipja është thjesht e vetëm një pjesëmarrëse.

Shkurt, këtu është fjala për të gjykuar peshën e gjurmëve, për të gjykuar natyrën dhe vlerën e tyre, në mënyrë që të mund të tregojmë se gjuha shqipe mund të ndihmojë në njohjen më të thellë apo në përfytyrimin më të drejtë të kësaj dukurie që besohet se duhet të jetë shfaqur që në indoevropianishten e përbashkët.

Pra, çështja e gjurmëve të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe mund të shihet nën dy këndvështrime që do t’i etiketonim, në mënyrë thjesht konvencionale, si “sasior” dhe “cilësor”, të cilët do të përkthenin në njëfarë mënyre marrëdhëniet midis dijes albanistike dhe asaj indoevropianistike.

Njohja “sasiore” e gjurmëve, që ka të bëjë me identifikimin e dukurisë në gjuhën shqipe, do të na tregonte se si indoevropianistika, duke ofruar modelin, ndihmon në njohjen e historisë së fjalëve të gjuhës shqipe, ose, për të qenë më të qartë, do të na tregonte se si indoevropianistika mund të ndihmojë albanistikën; ndërsa njohja “cilësore” e gjurmëve në shqipe do të na tregonte, nga ana tjetër, se si albanistika do të ndihmonte, qoftë edhe në mënyrë modeste, indoevropianistikën. Jemi, pra, në kushtet e marrëdhënieve të ndërsjella, megjithëse në raportet e pjesës me të tërën.

(c) 2021 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Andre Martinet, Des steppes aux océans. L’indo-européen et les “Indo-européens”, Payot, Paris 1986; sipas variantit në italisht: L’indoeuropeo. Lingue, popoli e culture, Gius, Laterza e Figli Spa, Roma-Bari, quarta edizione, 1994, fq. 66.

[2] Γεργιου  Μπαμπινιτη, Λεξικο τησ νεασ ελληνικησ γλcσσασ, Αθηνα, 2002, fq. 1145.

[3] Dizionario etimologico della lingua italiana DELI (varianti elektronik).

[4] E. Çabej,  Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II, Tiranë, 1976, fq. 379.

[5] Për më gjatë shih: E. Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II, Tiranë, 1976, fq. 159-162.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin