PSE CASTIGAT (I)

Nëse do të më pyesin – pse ky libër, CASTIGAT, dhe çfarë përfaqëson për ty? – do të thoja, flakë për flakë, se prozat e librit duan të jenë rrëfime, ose më mirë narrativizime, të përpjekjeve të mia si autor, si subjekt, si individ i lirë, si qytetar, si zë në hapësirën publike, për të kundërshtuar trysninë e sistemeve: qyteti (jeta urbane), jeta letrare, mediat dhe propaganda, Interneti dhe rrjetet sociale, e shkuara si nekrokraci dhe, më në fund, gjuha. Të gjitha këto sisteme vijnë me narrativat e tyre, të gatshme dhe të maskuara si të natyrshme; madje duke synuar që të të pengojnë ty, individin, që të vësh në dyshim soliditetin e tyre dhe të dekonstruktosh artificialitetin e tyre. Këtë e pata provuar ta bëj para gjashtë vjetësh, me romanin BOLERO, që rrëfen makthin e individit të kapur në spiralet shtrënguese të metrosë së New York-ut. Si edhe atëherë, edhe tani, autori – në kontekstin konkret CASTIGAT-i – i sendërgjon kundër-narrativat e veta si letërsi (fiction); dhe nga ky këndvështrim libri shpaloset edhe si ekspozitë, të cilën lexuesi ftohet ta “vizitojë” siç viziton një ekspozitë të artit vizual, teksa bisedon për sfidat e procesit letrar dhe në bisedë e sipër riprodhohet si lexues. Këto sfida sot janë të tilla, që t’u përgjigjesh me prozë realiste kritike tradicionale do të thotë të bësh lojën e tyre ose t’ua lëshosh pikërisht atë hapësirë, ku duhet t’i kundërshtoje. Të marrësh mediat, të cilat sot të bombardojnë me gjithfarë historish dhe pseudo-historish, eventesh dhe pseudo-eventesh, të mëdha dhe të vogla, me lidhje dhe pa lidhje mes tyre, por të tilla që thjesht për hir të pranëvënies mpiksen së bashku në një dyllë asfiksues. Ti si autor mund të zgjedhësh t’i shpërfillësh, duke u fshehur pas formave tradicionale të cilat të mbrojnë ty (dhe lexuesin) falë intertekstualitetit – sërish nekrokracia – ose lidhjet që kanë me të shkuarën dhe energjia që marrin nga dheu; por duke i shpërfillur, në fakt ke vulosur irrelevancën tënde. Dhe nuk e kam fjalën për famën a suksesin, të cilat sot rregullisht konstruktohen nga pushtetet, por për aftësinë e një teksti për t’i depërtuar, në mos çarë tej e tej mbrojtjet e lexuesit. Aq e madhe është sot trysnia e mediave dhe e modeleve narrative që këto imponojnë, sa një autori i vjen gati natyrshëm shtysa për kolazh, ose për të krijuar nëpërmjet rikombinimit. Me këtë nuk dua të them që tekstet e librit të tanishëm janë kimera, kombinime fantazmagorike ngjarjesh zakonisht banale; por që procesi krijues, të paktën për CASTIGAT-in, vjen dhe i ngjan asaj çfarë ndodh kur ulemi të rrëfejmë një ëndërr që kemi parë; ose narrativizimit të një procesi psikik misterioz, që edhe është yni intim edhe nuk varet nga ne, dhe që bëhet rrëfim vetëm në momentin kur ulemi t’a rrëfejmë – vetes ose tjetrit. Që me Freud-in, e dimë se ëndrrat janë në mënyrën e tyre mjete mbrojtëse; çfarë më lejon mua autorin të shpresoj se edhe rrëfimi – si proces krijimi dhe si proces lexim/dëgjimi – ofron mbrojtje ndaj kërcënimit depersonalizues të sistemeve.

© 2021, Peizazhe të fjalës™.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin