Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

TARTUFI DHE DIOGJENI (NË PENDËN TIME)

nga Bardhyl Demiraj

(në përgjigje të shkrimit Diogjeni dhe Tartufi, nga Albert Doja)

Albert Doja!, përsëri po më lë pa mënd, për të mos thënë je bërë vërtet për  gjynah, më saktë për të të qarë hallet! Personin dhe prurjet e tua në diskursin shkencor-albanologjik unë ka kohë që i shoh thjesht dhe vetëm si kalimtare në historinë e brishtë të albanologjisë, për të mos e kufizuar më tej, bash në ato zyra e fusha ku e ke pasur zakon të dalësh natën me kandil e me çelësa passepartout e me rrëmuar e gjetur fakte e argumente. Që ndërkohë e ke ngritur disi shënjestrën e rrëmimit, bash ashtu duke qëmtuar do modele të natyrës teorike nëpër sirtarë faqesh muri të antropologjisë e të sociologjisë së përgjithshme, kjo nuk do as mend e as kalem: mjafton të mbash parasysh shkrimet e tua në këtë revistë online mbi “dëmet” e pallogaritshme që i paska shkaktuar shkenca e albanologjisë kryesisht vetvetes qysh prej përftimit të saj e deri në ditët tona, më saktë derisa u shfaq person(alitet)i Yt mes nesh, anipse, siç mëton shpesh në shkrimet e Tua, sa therëse aq edhe të pagjetura ndaj prurjeve të albanologjisë si shkencë komplekse rajonale, Ti as nuk denjon ta mbash veten për albanolog, por, ja ashtu – dale-dale!!! – antropolog i vijës dhe i prapavijës, thënë më saktë: thjesht na mëson të vëmë pikat mbi i, e pse jo edhe mbi ë, për gjithë ç’ka të bëjë me këtë fushë studimesh, bash ashtu siç është zhvilluar ajo në kohë e hapësirë deri sot.

Për të mos u zgjatur në përsiatje të kësaj natyre, bash ashtu siç rezulton edhe shkrimi Yt ndaj “Diogjenit dhe Tartufit”, po përgjigjem fillimisht, se problemin më serioz në shkrimet e firmosura me emrin tënd, sa të trembshëm aq edhe qesharak: Akad. Prof. Dr. Albert Doja (ASHSH Tiranë/ Uni Lille), unë personalisht i vërej te titujt, të cilët ma do mendja se i fikson para se të fillosh të shkruash fjalëza e fjali që askush nuk t’i kupton.

Anipra, të vësh përballë një “Diogjen të shtrirë përmbys” me një “Tartuf të shtirë”, kam përshtypjen se kjo rrethanë ka të bëjë, nëmos me një formim të mangët intelektual, së paku të jetë ajo që kërkon të përballesh në radhë të parë me vetveten, çka vjen me thënë me një Diogjen me kandil në dorë që kërkon në mes të ditës një Njeri sagllam dhe një Tartuf të mirëfilltë, e kundërta e atij që shtiret si i tillë. E pikërisht këtu jam ka ndalem shkurt me fakte dhe argumente, të cilat, siç po duket, më duhet thjesht t’i përsëris, meqë ti, mor zotëri!!!, nuk ha më pykë, në sa kam shkruar më parë ndaj personit tënd në ndonjë tekst, fusnotë ase epilog,[1] sikurse më parë në do komentare që më ka lejuar dikur të shkruaj revista e amshuar “Peizazhe të fjalës”, e cila, ja ashtu!!!, është gatuar edhe për “…natyra jo aq të qeta.”. Po përmbledh shkurt qëndrimin tim ndaj shkrimit dhe personit tënd fatkeq, sa vijon:

  1. Së pari më nderon, duke më sajdisur si Diogjen, qoftë edhe të shtrirë përmbys, i cili edhe në atë pozicion nuk është se struk assesi kokën nën jorgan e symbyllas ndaj zhvillimeve që ka përjetuar e përjeton shkenca e albanologjisë dje dhe sot edhe në hapësirën shqipfolëse. Për këtë mjafton të lexosh, nëmos të citosh – së paku ti, azreti Doja !!! – shkrimin tim në suplementin e dikurshëm të “Milosao-s” ndaj zhvillimeve në albanologjinë shqiptare bashkëkohore,[2] e cila në fund të fundit të bëri ty atëbotë anëtar të përhershëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pra jam unë ai Diogjeni, madje edhe me kandil në dorë, që kërkonte e gjente vetëm “jonjerëz” të asaj bote, bash sosh të tipit tënd, që e rrëgjuan deri në mosnjohje traditën e studimeve albanologjike në hapësirën shqiptare; pra jo vetëm ty, or mik i paftuar në sofrën e albanologjisë (!!!), që, thënë troç, nuk ke fare haber, sa i përket zhvillimit të kësaj tradite.Që ti guxon sot të përdorësh ndaj personit tim epitetin Tartuf, kjo nuk e zgjidh assesi problemin, se kush është bash Tartufi i mirëfilltë në këtë traditë. Prashtu, nuk bëj gabim, në rast se mëtoj se njëri ndër Tartufët e shumtë dhe të mirëfilltë të kohës sonë je ti, pikërisht ti! Ti je ai Tartufi i paskrupull që shfrytëzon njëlloj si dikur mekanizmat e pamoralshëm partiakë me u bërë atëbotë e në ato kushte anëtar i asaj akademie. Unë personalisht u qëndrova larg atyre insinuatave, anipse do të mundja të përmirësoja, sipas shijes tënde perverse, “biografinë” time si puthador i trashëgimisë nacional-komuniste në shkencë, bash ashtu siç guxon të më karakterizosh ti, pikërisht ti!!!, që si e tillë nuk meriton as “limbin albanologjik”, por thjesht lufton sot e gjithë ditën në demokraci me mullinjtë e erës.
  1. Së dyti më akuzon me retorikën meskine të sillojit tënd, se nuk sillkam argumente dhe fakte konkrete ndaj përsiatjeve të ndryshme të natyrës etnolinguistike ase antropologjike historike, sidomos ndaj “çështjes shqiptare”, nëmos edhe ndaj shenjuesve dosido të matriksit të kulturës etnike shqiptare. Për këtë po të shkruaj vetëm, se nuk ka kuptim vërtet të përsëris çka kanë pohuar pararendësit e mi në fushat e hulumtimit, ku unë jam aktiv. Se ç’të re i sjell unë këtij diskursi, më vjen keq që po ta përsëris rishtas dhe hapur, se ti nuk je aspak në gjendje të pjesëmarrësh seriozisht dhe në mënyrë aktive në këtë diskurs të natyrës thjesht albanologjike, përderisa e shpall veten në mexhlis se nuk je albanolog. Pra, që nuk të ka faj kush për broçkullat që shkruan e shfryn në kurriz të albanologjisë, sikurse edhe ndaj personit tim. Kjo është vërtet thjesht dhe vetëm për të ardhur keq, por nuk do të thotë aspak, se duhet të tregoj sadopak le bon sense ndaj mefshtësisë dhe padijes së personit tënd, që e ke më se të vështirë të përtypësh prurjet e reja në albanologjinë historike dhe në indoeuropianistikë.
  2. Problemi më i mprehtë në personin tënd, që uroj vetëm ta kuptosh dikur, është se ti – më vjen keq që po ta them troç –, nuk ndryshon dot më: Ti je, mbetesh dhe do të mbetesh i paregjur në punë të albanologjisë, sidomos ndaj asaj historike. Mund të citosh kë të duash, të sajosh çfarë të duash e ta sjellësh e përcjellësh si të duash!!!. Ti je e do të mbetesh kalimtar në fushë të albanologjisë, të etnolinguistikës e të antropologjisë historike shqiptare. E them këtë ashiqare, në mënyrë që të mos abuzosh më në hullinë e karrierës sate, duke infektuar qoftë edhe përkohësisht brezat e rinj, të cilët së paku e ndjejnë veten se janë të aftë dhe duan vërtet të bëjnë diçka për shkencën tonë – dhe aspak tënden (!!!) – që vjen me thënë atë të albanologjisë. Që mund t’i bashkëngjitesh dikur “Shoqatës së budallenjve shqiptarë”, ky opsion mbetet gjithmonë i hapur për ty, në rast se arrin të botosh dikur deri tri monografi. Ja që këtë kusht ka vënë së fundi kryetari i saj, zoti A. Dalipaj, që s’lë fjalë pa thënë ndaj personit tim, veçse ja ashtu krenohet për të qenët e tij, sikurse sosh të sërës së vet, në atë kategori, si: “(ai që) bën dallim (= bu dalla për mirë ose për keq) në atë rreth shoqëror që i takon”. Je vërtet në rrugë të mbarë në këtë drejtim, e sigurisht vetëm për keq.
  3. Meqë guxon të tregosh në mexhelis se kush qenke ti, e kush qenkam unë në punë prurjesh shkencore e se ku i botoka zotëria jote punimet e tua shallvaregjera, po të përgjigjem thjesht dhe vetëm se punimet dhe botimet e mia ka mundësi gjithkush t’i mësojë sa janë, si janë, ku janë e qysh janë.[3] Gjithçka është botuar në bashkëlidhje me fushat e mia të specialitetit në albanologji, në indoeuropianistikë dhe në filologjinë shqiptare dhe ballkanike njëherësh, që i gjen të botuara sipas rastit: në Shkodër dhe Prishtinë, sikurse edhe në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Tetovë, Shkup, München, Wiesbaden, Berlin, Sankt Petersburg, Leiden, Amsterdam, Atlanta, New York, Cosenza, Palermo, Wien etj. Ajo çka i përmbledh së bashku botimet e mia është puna ime konkrete me etimologjitë e fjalëve dhe historinë e gjuhës shqipe si gjuhë sa indoeuropiane aq edhe ballkanike dhe europiane, me trashëgiminë e njohur dhe të panjohur në kulturën e shkrimit shqip dhe të gjuhës shqipe; e nëpërmjet mbledhjes, sistematizimit dhe klasifikimit të materialit shqip kam mundur të arrij në mënyrë individuale shpjegimin e një aradhe problemesh etnolinguistike sa i përket “çështjes shqiptare”, duke u mbështetur në atë bazë teorike dhe aparat metodik që mundëson shpjegimin më të mirë të gjithë asaj ç’ka mundëson materiali faktik që kam mbledhur. Prurjet e tua në këto pika janë baraz me “zeron me xhufka”, meqë ti dhe vetëm ti nuk ke as fytyrë e as sqimë, por vetëm gllabëron arritjet e derisotme në albanologji e pasi i shfrytëzon, i përcjell të gjitha në indeks.
  4. Pjesë e aktivitetit tim intelektual është sigurisht edhe projekti ndërdisiplinor i “Fjalorit digjital filologjik-etimologjik i shqipes së vjetër (shek. XV-XVIII)” që e mbështet financiarisht fuqishëm Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman (DFG 1,2 mil EUR) për 6 bashkëpunorë shkencorë deri në vitin 2025.[4] Ti sigurisht nuk ke ç’t’i tregosh botës shqiptare në këtë drejtim.
  5. Por jo vetëm kaq: është vatra shkencore-universitare albanologjike në universitetin elitar “Ludwig-Maximilian” të Mynihut që unë organizoj jo rastësisht prej vitit 2000, duke bartur dhe mbarështuar tagrin e së vetmes degë Master dhe Doktoraturë për Albanologji në botën shkencore jashtë hapësirës shqipfolëse.[5] A i thërret mendjes, se çfarë i jep ti shkencave albanologjike në kohën tonë, përpos llomotitjes nëpër media e gjetkë?! Përgjigja është e thjeshtë, më saktë banale: asgjë!!!
  6. Gjatë periudhës 21-vjeçare (2000-) që unë kam nderin të drejtoj këtë degë janë organizuar 6 (gjashtë) kongrese ndërkombëtare albanologjike me pjesëmarrjen aktive të ajkës së studiuesve albanologë në gjithë botën. Edhe aktet e këtyre tubimeve janë botuar ndërkohë në shtëpi botuese të mirënjohura e të specializuara në botime albanologjike, ballkanologike dhe indoeuropianistike, si Harrassowitz (Wiebaden: në radhojën “Albanische Forschungen” Wiesbaden, ku unë jam jo rastësisht bashkëbotues) dhe Kovač (Hamburg). Vlerësimi yt ndaj kësaj veprimtarie – më vjen keq vërtet të ta them troç – është baraz me zero. Pse? Sepse e kundërta ndodh me personin tënd, që mendon se mjafton të shkruash paçavure në media shqiptare, Facebook e gjetkë, duke hequr kështu edhe detyrimet ndaj mbarështimit të albanologjisë në botë. Nuk të vjen turp, për sa shkruan kundër albanologjisë në hapësirën shqipfolëse deri më sot? Sigurisht që jo, e nga një dikush që i thërret vetes si Mosozot-albanolog, është vështirë të kërkosh diçka më shumë se kaq!!!
  7. Ti dhe silloji yt njollosni dukshëm kërkimin shkencor albanologjik, thjesht se vetëm përvetësoni prej tij e më pas manipuloni mbledhjet, sistematizimin e klasifikimin e materialit gjuhësor-kulturor-etnografik “tonin”, duke ua përshtatur atë modeleve teorike amorfe që qarkullojnë përkohësisht në kohë dhe hapësirë. Kjo është edhe arsyeja përse ti, or antropologu ynë!!!, kërkon dhe gjen shkas me zhgarravitur e vjellë vrer ndaj të ashtuquajturave metoda empiri(ciz)mi, (vetë)kolonializmi etj., etj., etj. në traditën e studimeve albanologjike e sidomos ndaj prurjeve të elitës së shkencës shqiptare, që dikur u hapi sytë gjithkujt në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, duke i treguar se “dielli lind bash andej nga perëndon”. Është pikërisht ky akt jashtëkohor që nuk i përshtatet dot sojit tënd e asaj skeme orguzezë që sajon ti, or antropologu ynë!!!, që nuk njeh, sepse thjesht nuk ke idenë, çdo të thotë albanologji si shkencë komplekse rajonale. E për këtë mos(mirë)njohje të natyrës thjesht njerëzore nuk të ka faj kush, andaj lejohem të të them vetëm që “…je pikërisht ti Tartufi i paftuar në shkencat albanologjike bashkëkohore, sepse je pikërisht ti ai që s’ke ndjesi të kësaj natyre, si në jetë ashtu edhe në kërkimin shkencor.”
  8. Së fundi edhe diçka lidhur me manipunimin e tipit të Tartufit konkret që rrekesh të përcjellësh ti, ndaj personit tim lidhur me anashkalimin pa argumente dhe fakte të provave, më saktë akuzave që ti dhe sëra jote ngrini ndaj mërgatës kulturore-politike shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX. Është për të ardhur vërtet keq që më duhet tash të përsëris se qoftë ti, ashtu edhe ndonjë tjetër që i bie fyellit ende në brimën e fundit, bash në atë të mos(mirë)njohjes, jeni jo vetëm kundërproduktivë në kohën që jetojmë sot, por thjesht e vetëm u puthni dorën praktikave të sistemit të dikurshëm antihuman dhe antishqiptar në Shqipërinë vrastare të asaj kohe. Mëtoj në këtë qëndrim, bash si pjesë e atij grupi studiuesish albanologë bashkëkohorë që nuk përdor assesi armët e retorikës marramendëse dhe mbushamendëse, kur prononcohet ndaj akuzash ogurzeza e të pabazuara në fakte ndaj një personi a personash që nuk jeton/jnë sot mes nesh. Ndërhyrje të asaj natyre, të cilat shkruesi i këtyre radhëve i kundron thjesht si akt të pështirë dhe paburrëror, më saktë të natyrës donkishoteske ndaj mullinjve të erës, që guxojnë vetëm ata studiues të tipit alla-Doja, nuk kanë vërtet vend në diskursin e sotëm mbi edukimin dhe rolin e brezit të ri në shtjellimin e historisë dhe të fushave të ndryshme në përftimin dhe zhvillimin e matriksit së kulturës shqiptare.

Është pikërisht kjo detyrë, me të cilën duhet të përballet historia e formëzimit dhe zhvillimit të kulturës etnike shqiptare në kohën tonë. Ti si Akad. prof. Dr. Albert Doja (ASHSH/Uni Lille) je thjesht një fenomen sui generis që fut hundët vend e pa vend në diskursin albanologjik të kohës sonë, veçse të gjithë jemi në gjendje të të njohim dhe të të jashtëqisim lehtë si dukuri thjesht sporadike në historinë e albanologjisë. Motet do ta tregojnë se ku ua çon mushka drutë tipave si ty, që rreken të manipulojnë shkencën në kohën tonë!!!

 

(c) 2021 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] https://peizazhe.com/2020/09/07/ceshtje-shqiptare/; https://peizazhe.com/2021/02/23/vendbanimet-shqiptare-ne-mesjeten-e-hershme/; https://peizazhe.com/2021/10/09/feja-ne-kodin-zakonor-shqiptar-ii/ etj.

[2] https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/neue-publikationen-2016/a_91b_demiraj_beitraege.pdf/

[3] https://www.albanologie.uni-muenchen.de/personen/professoren/demiraj/publikationen/index.html

[4] https://www.albanologie.uni-muenchen.de/forschung/projekte/albanisch/index.html

[5] https://www.albanologie.uni-muenchen.de/index.html

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin