PIKASO DHE AJNSHTAJN NË TIRANË

Skicë mbi lojën e aktorëve në shfaqjen “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris”

nga Jonida Çunga Sela

Me përtesë u nisa një ditë të diele të shihja reprizën e fundit të shfaqjes “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris” në teatrin e Metropolit[1], me bindjen se do të shihja një shfaqje të zakontë, e se nuk do të më linte asnjë mendim apo emocion për më tej. Por ndodhi krejt e kundërta, përveçse u ndesha me një lojë të zhdërvjellët nga aktorët, me një mori personazhesh, u ktheva në shtëpi me një ndjesi pozitive dhe shprese.

Diskutimi mbi artin modern dhe rrymat artistike që linden së bashku me shek XX ishin shtysa dhe kryefjala e shfaqjes që mbylli reprizat në fillim të tetorit në teatrin Metropol. “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris” shkruar nga aktori, regjisori dhe komediani Steve Martin. Vepër dhe shfaqje e vlerësuar nga media amerikane si argëtuese, tërheqëse, përfshirëse dhe komike. Por mbi të gjitha është vlerësuar aftësia e Martin për të sjellë një subjekt të guximshëm duke trajtuar në skenë çështje serioze përmes komikes ku përfshihet sublimja dhe qesharakja. Këto linja ruante edhe koncepti i regjisores Demaj. Nën petkun e personazheve të çlirët vinin idetë mbi artin dhe shkencën, e ardhmja parashikohej jo vetëm në tekstet e autorit, por dhe në zgjidhjet regjisoriale të mizanskenave, veprimeve dhe karaktereve të ndërtuar nga aktorët.

Ngjarjet vendosen pikërisht në një bar në Paris më 1904 dhe shfaqja hapet me muzikë të lehtë kabareje interpretuar për së gjalli në fizarmonikë nga kompozitori dhe muzikanti Gent Rrushi shoqëruar në vokal nga Laura Hoxha. Falë grimit dhe ngjyrës së vokalit Hoxha evokonte Edith Piaf ndërsa tingujt e fizarmonikës së Gentit përfshinin publikun në atmosferën e shfaqjes, në këtë mënyrë referohej koha dhe vendi ku zhvilloheshin ngjarjet. Interpretimi i tyre do të mbetet gjatë gjithë shfaqjes si një kontorrno interesante për ta bërë më të shijshëm ndijimin e veprës dhe për t’ju dhënë hov shpërthimeve të personazheve.

Siç e shpreh edhe titulli, në këtë bar do të ndodhë takimi midis Ajnshtajnit dhe Pikasos pikërisht më 1904. Në këtë kohë Ajnshtajni nuk kishte botuar ende teoritë e tij e kësi nuk kishte as famë, ndërsa Pikaso ishte në përfundim të periudhës së tij blu, përpara se të pasojë tek periudha rozë. Ky sigurisht është një takim i hamendësuar nga Martin duke shfrytëzuar kohën kur të dy këta personalitete kanë jetuar në Paris.

Personazhet interpretoheshin prej Ermir Hoxhajt në rolin e Ajnshtajnit dhe Silvio Goskovaës në rolin e Pikasos. Dy figura të vështira për tu sjellë në skenë për shkak të njohjes paraprake që publiku ka me veprën e tyre dhe pamjen fizike. Duke qenë dy personazhe që lidhen me historinë, aktorit nuk i duhet thjesht të rikrijojë një personazh sipas asaj që ofron teksti dhe sipas përfytyrimit që ka regjisori apo interpretuesit e tjerë mbi të, por të risjellë figurën historike. Kjo risjellje kërkon një punë të dyfishtë mbi plastikën e figurës, që duhet të ngjasojë sa më shumë së jashtmi me imazhin që ka lënë, në këtë rast Ajnshtajni dhe Pikaso.  Por edhe të punojë mbi personalitetin dhe botën e brendshme të tyre, e cila po ashtu duhet të vijë në të njëjtën linjë për të krijuar psiko-fizikën e figurës artistike. Por në të dy rastet, personazhet na flasin për rininë e tyre, ky detaj ka thjeshtësuar edhe punën e aktorit me personazhin. Përtej kësaj tendenca ishte e mirë dhe e gjetur, me sjelljen e një Ajnshtajni të matur e të përqendruar në punën e tij, dhe  të pakujdesshëm me detajet e pamjes apo jetës private, duke luajtur me elementin që të gjithë kanë përpara syve kur mendojnë për Ajnshtajnin, flokët e shpupuritur. Si dhe të një Pikasoje, të sigurtë në të ardhmen e ndritur dhe projektimin artit të tij, figurë që Silvio e sillte natyrshëm, me një plastikë të çlirët.

Të dy personazhet sjellë në vepër si dy antipode që krijojnë balancë mes shkencës dhe artit vijnë në bar për të kërkuar pije dhe femra. Paçka gjenialitetit të tyre, ata nuk i shpëtojnë dëshirave njerëzore. Por gjithë aftësitë dhe talentin e tyre e përdorin për të patur sukses me seksin e kundërt. Martin ka përdorur pikërisht këtë “të metë”, për të ndërtuar qëllimet personale të personazheve. Ajnshtajni, habit personazhet me shkathtësinë dhe zgjuarsinë e tij në përllogaritje dhe shpjegimin e fenomeneve të ndryshme natyrore, momente të zbërthyera me mjeshtëri nga Hoxhaj, duke i paraqitur këto me lehtësinë më të madhe që do të kishte një gjeni si Ajnshtajni. Ndërsa Pikaso tërhiqte vëmendjen e publikut dhe të personazheve të tjerë në bar, me sharmin e tij, që vinte jo prej bukurisë fizike, por atij sharmi që përhapet si në ajër si një pluhur i padukshëm, që vesh shpesh artistët që duket sikur ruajnë brenda vetes sekretin e së bukurës. Sigurisht kjo lojë mbahej gjallë edhe prej personazheve të tjerë që ndodheshin në bar si Fredi, Zhermina,  sepse  në teatër “mbretin e luajnë të tjerët”.

Pronarët e bar-it, Fredi dhe Zhermina, interpretur nga Roerd Toçe dhe Klodiana Keco, janë një dyshe që hedhin e presin batutat, qasen me rrethanat duke nxitur e duke çuar përpara lojën e aktorëve të tjerë. I ngrohtë, konfident dhe shakatar aq sa duhet vinte interpretimi i Fredit në përballjen me rrethanat e ndryshme që shfaqeshin herë pas here në skenë dhe i goditur vinte halli i tij kryesor si pronar i barit, pagesat e munguara nga klientët.

Një figurë qendrore ishte gjithashtu edhe e shoqja, një personazh me nuancat e duhura, i sjellë nga Keco. Zhermina nuk është një zonjë e rëndomtë taverne, ajo është një zonjë me shije, e rrahur nga jeta e kaluar në këtë tavernë, e mësuar me situatat që krijohen në bar, me  humor të hollë dhe batutë spontane ndaj personazheve të tjerë. Përmes figurës së Zherminës autori sjell natyrën femërore të pjekur, të matur, të sigurtë në kërkesat e saj. Eksperienca e Keços e plotësonte këtë figurë, të rëndësishme për shfaqjen që bën një lojë brenda lojës. Por Keço, këtë lojë ja zbulon publikut gradualisht, dhe kthesa që merr personazhi gjatë përfundimit të shfaqjes, mbërthen vëmendjen e audiencës edhe më shumë.

Një cheapou i takon Blendi Arifit në rolin e Gastonit. Gastoni përfaqësonte figurën e një të dehuri, të pafat, në kërkim të dashurisë dhe seksit, që nuk vinin asnjëherë për të ose dhe kur vinin ai nuk kishte fat. Një rol i tillë paraqet vështirësi në interpretim për të mos dalë tek figura e të dehurit që e zhbën skenën me lojën e tij të rëndë dhe belbëzimin, se me demek po i merret goja, siç ndodh shpesh ta shohim rolin e të dehurit në skenat tona. Mjeshtëria e Arifit ishte tek masa me të cilën e sillte dhe organizonte lojën e personazhit që kishte këto dy halle. Ai kishte krijuar një ekuilibër mes përçimit të mesazheve të personazhit brenda situatës në të cilën duhet të interpretonte të dehurin, ndaj figura e tij vinte aq e freskët, e halli i tij aq komik.

Por ku ka artistë ka edhe kuratorë edhe tregtarë, dhe kemi figurën e kuratorit të veprave të artit, i cili në momentet që flasim, fiton më shumë se artistët që realizojnë veprat e artit. Ai nuk merret me vlerat e vërteta të veprës së artit, por vetëm me atë që shet më shumë. Aleksandër Kondaj, si interpretues i këtij karakteri, e mvishte figurën me dialektin e tij gjirokastrit dhe sillte një kurator të matur, me eksperiencë që punon për interesin e tij, jo të tjerëve. Kondaj kishte zgjedhur të luante në territore të njohura, dhe jo të eksperimentonte me personazhin e kuratorit. Ndaj vinte një figurë korrekte, më shumë nga sa mund të imagjinohet një kurator sot.

Shfaqja sjell edhe disa karaktere damash në kërkim të dashurisë pasionante. Karakteri më i plotë i damave, ishte ai Suzanës interpretuar nga Kristjana Dodaj. Suzana shfaqet në bar me shpresën se mos ndoshta rastësisht takon Pikason. Ajo ruan skicën e portretit të saj, realizuar nga Pikaso gjatë dy takimeve pasionante që ka pasur me të, ku më pas ai është zhdukur befas, pa lënë adresë. Pritja do ta argëtojë, por edhe do ta lodhë Suzanën, derisa të vijë zhgënjimi nga artisti që nuk kujton asgjë nga takimet me të. Dodaj tentonte të sillte figurën e një gruaje të dëshiruar për të përjetuar pasionin, por kjo tentativë vinte më shumë përmes deklamimeve të tekstit se sa prej plastikës së aktores.

Damat e tjera, paçka se figurante, qëndronin në skenë të ndrojtura dhe nuk kishin gjetur lidhjen mes personalitetit të tyre dhe karakterit.

Duke shfrytëzuar figurën e kuratorit të artit, Martin bashkon në skenë edhe personazhe të tjerë, të rastësishëm duke prezantuar fenomenin e pseudo-artistit. Pseudo -artisti, interpretuar nga Erdet Miraka, hyn në skenë duke kërkuar kuratorin dhe duke shfaqur artin e tij, si kryeveprën e fundit të momentit. Këtu regjisorja Demaj ka zgjedhur të bëjë humor me veprën “The Comedian” realizuar nga artisti italian Maurizio Cattelan, për Art Bazel, Miami më 2019. Bëhet fjalë për instalacionin e bananes së ngjitur në mur me adeziv, i cili u bë viral, pak kohë më parë.

Pseudo-artisti është një spanjoll i ardhur në Paris për të kërkuar suksesin. Ky detaj nuk është arsye për të krijuar një personazh që e flet gjuhën si i huaj, në këtë rast shqipen. Por Miraka kishte zgjedhur një të folur që ngjasonte me frëngjishten, që e lodhte spektatorin dhe vetë aktorin me bashkëtingëlloret e zëshme dhe grykore. Këtu aktori është treguar i pakujdesshëm si nga ana teknike, duke zgjedhur një formë të foluri që të lodh, por edhe nga ana logjike, sepse nuk ka ditur të sjellë të “folurën” e një spanjolli. Ose nuk ka zgjedhur një rrugë tjetër për të sjellë personazhin përtej të folurës dhe origjinës që ai deklamon.

Duke qenë një takim imagjinar me dy figurash që bënë histori gjatë shekullit të shkuar, autori e zgjidh mbylljen e veprës duke sjellë një personazh nga e ardhmja. Në zgjidhje të dilemave, pyetjeve dhe argumenteve që ofron vepra, shfaqjet Elvis Presley. Mes takimeve të pamundura si ai midis Ajnshtajnit dhe Pikasos, ashtu është edhe takimi me të shkuarën dhe të ardhmen. Pa dashur të zbuloj deri në fund fabulën, me shpresë se vepra mund të rivihet sërish në teatrin e Metropolit apo në ndonjë skenë tjetër, sjellja e Presleyt në skenë u përdor për t’i dhënë ritëm shfaqjes. Dhe vërtet funksiononte, publiku reagonte dhe këndonte bashkë me aktorët.

Shfaqje me subjekte të ngjashme, mbi takime të supozuara apo të vërteta të personazheve të njohur, mbi debate dhe argumente për artin, shkencën dhe rëndësinë e tyre, apo se kush është më e rëndësishme, arti dramatik njeh disa. Kjo vepër të përcillte me ndjesinë e me të tashmen projektojmë edhe të ardhmen. Largoheshe nga salla për të përjetuar të ardhmen që kish nisur të projektohej…

 

[1] https://www.facebook.com/teatrimetropol/photos/pcb.3637340339824693/3637340156491378/

 

“Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris”
Regjia: Armela Demaj
As/ regji: Joana Omeraj
Aktorë: Aleksandër Kondi, Amri Hasanlliu, Blendi Arifi, Erdet Miraka, Ermir Hoxhaj, Klodjana Keco, Kristjana Dodaj, Roerd Toçe, Sara Koçi, Silva Brahimataj, Silvio Goskova
Formulues Muzikor: Gent Rushi
Këngëtare: Laura Hoxha
Skenografia: Klodiana Beqiraj
Koreografia: Sara Koçi
Kostumografia: Frenci Gjerasi
(c) 2021 Jonida Çunga Sela. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Falënderime Teatrit Metropol

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin