TEATËR MADE IN ALBANIA

Një shfaqje teatrore na mbiu në skenë të teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” këtë mes pranvere të 2016-ës. Shfaqja “Made in Albania”. Pjesë e një trilogjie që autori e ka krijuar së bashku me shfaqet “Alegreto Albania” dhe “I am from Albania”. Dy shfaqje që gjithashtu synojnë realitetin shqiptar, një me tematikën e gjakmarrjes dhe realizimeve të saj absurde e tjetra për pasojat që le realiteti ynë mashkullor agresiv mbi gruan.

Dhe që forca e vëmendjes për shfaqjen të mos zbehet, le të kalojmë direkt tek “Made in Albania”, shkruar nga Stefan Çapaliku dhe realizuar me regji nga Altin Basha.

Çapaliku, si shumë në teatër, ka një pëlqim të madh për korin. E ku ka më mirë se shumë zëra për një mendim.

Por, në fakt nuk është as kor. Janë nëntë gra që mbyllur në një bodrum mbushin ditët e veta me punë në rrobaqepësi. Nëntë gra që qepin e rrëfejnë në njëfarë përditshmërie historitë e veta (paksa të mbushura me risi në lajm, për shoqe.)

Por, fillimisht kishte qenë pronari. Pronari e hap shfaqjen duke na vendosur në kohë dhe ndoshta në një vend të caktuar në një qytet tonin. Pronari na tregon se kjo është dita e karnavaleve. Një ditë që paraprinte një kreshmë të gjatë që do t’ia linte vendin Pashkës. Një ditë pas së cilës nuk hahet mish. Një hyrje protagoniste prej pronari, luajtur nga Florian Agalliu përmes pozash e kërcimesh. Një si tekst reklame e informimi për karnavalet. Industria fasone. Një rrobaqepësi. Ky është momenti kur përshëndesim edhe koreografin e shfaqjes zotin Gjergj Pervazi, që kishte siguruar një goxha damar për gjallimin e shfaqjes.

madeinalbaniaPastaj fjalën e pronarit e rimerr një si kor i çuditshëm. Një kor me të njëjtat maska. Me ca si qeleshe të gjata. Rroba të njëjta. Kostume të mira. Secila nga një fjalë, përsërisin fjalën e pronarit duke na ofruar njëkohësisht me një seri pozicionimesh me duar e me këmbë, një seri tablosh që avancojnë duke shkërmoqur një copë tekst që kishte thënë pronari.

Vjen aty menaxheri shef që menjëherë i kthen në punë: Aleksandër Seitaj, personazhi i ngarkuar të jetë masha e nxehtë prej frustrimi e kapitalistit. Ishte veshur edhe kuqezi, i poshtri, teksa luhatet mes seksi e ligësish. Veshur në një kostum karnavalesh, gjëja e parë që kërkon është të vishet me kostum karnavalesh, qëllim që nuk do ta arrijë.

Pas një motivimi të egër gati neurastenik ai zhduket dhe lë pas rojën.

Luftar Paja duhej të ishte në rolin e rojës servil, por sapo kap qendrën e skenës, ky shpërthen. Paja sakaq kulmon rolin e vet në shfaqje me një fjalë që nis si lëvdatë për shefin dhe përfundon në një delir fjalimi propagandistik në rusisht.

Korri duartrokitje një ta mbaruar fjalën, por si dëshmori i parë i shfaqjes, njoftoi se beteja do të ishte e përgjakshme. Dhe ikën ky e fillojnë gratë me radhë. Tension i lartë. Ndonjëherë paksa melodramatik por avancimi është i beftë. Një t’u shfaqur mbi barrikadë, një të lëshuar të urimit dhe bëlldum për tokë. Dëshmore.

As emrat nuk ua morëm vesh. Një kor solistësh jetëshkurtër.

Përveçse mjet, kori është material lidhës i historive. Ngjarjet janë bashkë sepse janë rrëfimet e korit. Të ulura me fytyrë nga ne, ato na tregojnë ne. Dhe kur thonë ‘oj gra’ jemi në që duhet të hapim veshët.

Dhënia me qira e dhomës së gjumit të shtëpisë së ngushtë me burrë brenda; beqaria-policia; babai që lëngon prej kohësh dhe nuk di në ka vdekur a është gjallë dhe qesh; shtatzëna që lind sot; njëra që ka burrin në burg e mallin për burrë ndër gjinj; njëra që ka gjashtë kalamaj; njëra që di nga afër historinë e pesëmbëdhjetë përdhunimeve të grave të moshuara e të vetmuara prej një maniaku të dhunshëm diku në një fshat; hamësja babaxhane lozonjare që lutet ‘bane o zot rehat’; dhe një çupëlinë e vogël që kishte dalë hutueshëm prej fëmijërisë për të rastisur në jetën e gjatë paksa e shkalafitme dhe gati për hardallosje të madhe, adoleshente.

Gazetarja e harlisur narciziste i bën dhjetë.

Gjithë ky milet hip e zbrit nëpër barrikadë. Vritu e ngrihu e vritu prapë.

Personazhi kryesor gratë. ‘Oj gra’ është fjala që përdor secila prej grave kur kërkon vëmendje. ‘Oj gra’ shefi, zëvendësshefi dhe roja. Dhe gazetarja.

Nëntë gra. Një mësymje ndër ndjeshmëri që përkojnë pa vështirësi.

Një përqafim i gjerë i realitetit.

Përshtypja ime është që dramaciteti derdhet nga kroje të rrëmbyera. Një repart grash rrobaqepësie që prodhojnë tension si me qenë spitali ushtarak i improvizuar pranë barrikadës.

Zi gjithandej. I mjeri ky popull ç’po heq. Papajtueshmëria me zgjedhjen për t’u përfshirë në konkurrimin ndër popuj me krahun e lirë të punës, ose hapjen e lirë të këmbëve siç thoshte kërcimi i gazetares dhe hutimi i asaj të voglës.

Si të mos mjaftonte kjo, roja lexon nga gazeta ‘lajmin se njëri ka vrarë babën se i hëngri byrekun’. Dhe ngrihet pyetja ekzistenciale a mund të vritet baba, kur ta ha byrekun, qoftë edhe gjithmonë.

Mirëkuptimi i madh. Sensibilizim për fatet e klasës dhe të njeriut. Nënshtrim, varfëri, nevojë, frikë, karnaval.

Një shfaqje e bollshme

Një regji e komplikuar. Me një skenë relativisht të thjeshtë. Një skelë metali me shkallë që herë janë një tribunë e shefit, erotizmit, religjionit e lindjes, e herë çojnë në një nivel të sipërm andej nga fundi i skenës, por që tërhiqet edhe para dhe krijon edhe një mjedis të poshtëm ku gratë të fshihen kur janë krismat.

Zoti Basha duke i vënë edhe shpatullën tjetër punës sjell kurim e kompozim me një gamë të madhe mjetesh.

Kërcim tango goxha erotik. Një përkujtim i afërt akti seksual. Instalacion pamor me njerëz në rroba të mira karnavalesh, mes të cilave edhe një tablo e darkës së fundit vetëm se me dymbëdhjetë njerëz. Ndoshta vetëm dishepujt, meqenëse një vrasje në fundin e skenës ka hequr qafe pronarin.

Gratë me teknikën gati-korale, secila nga një fjalë, përsërisin fjalën e pronarit për karnavalin, japin lajmin e vrasjes së pronarit e komentojnë një mbrëmje nga bigbradhër. Dy skena kërcimi në grup. Sherr grash. Pantomimë. Dhe lexim gazete. Reagim neurastenik për zbulim të gabuar të origjinës së prodhimit për xhaketat e karabinierisë italiane. Koment mbi eksperiencën shqisoro-intelektuale të ferexhesë me pëlhurë të zezë të madhe. Lindja e fëmijës. Një çerek kënge për lindjen e jetës e për trëndafilin që kur çel i hapet qielli dhe fryn një erë e kësi gjërash.

Bollëk i madh.

Hapësirë e bollshme për të motivuar secilin aktor.

Gjithë trupa është aty. Zyliha Miloti një aktore që gjithnjë ka thënë plot hijeshi “lëre se e di unë atë muhabet” tregoi edhe një herë vendosmërinë e vet profesionale. Albana Koçaj në një prezantim të çlirët e gazmor të dëshirës së paharruar seksuale e pastaj secila nga gratë me radhë duke shkarkuar tensionet e veta me tonalitet të lartë dhe pasion.

​Autori zgjedh që të vërë në bashkëjetesë edhe rëndësinë e narracionit edhe mësymjen e përjetimit me spektakël. Edhe kjo mbingarkon. Ti ndjek me intensitet të lartë se shfaqja është e kompozuar për e tillë, por diçka topitet brenda teje kur ai grumbull fatkeqesh gulçon problemet e veta me aq forcë. Pavarësisht provokimit që autorët sjellin përmes lojës skenike vetë drama është një deklaratë solidariteti korrekt me të vuajturin ndër ne. Një korrektësi që e mban larg spektatorin.

Shfaqja ndodh që ngjall kujtime më të mira nga sa është përjetimi në sallë.

 

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin