PURGATORI I DEMOKRACISË SHQIPTARE

Qeverisja e Shqipërisë, megjithëse gjatë çerek shekullit të fundit ka ndryshuar disa herë kah dhe është ofruar me etiketa e paketime të ndryshme, në thelb ka mbajtur të njëjtën lidhje me qytetarët. Ajo ka dëshmuar mospërfillje ndaj popullit kundrejt të cilit, si rregull, duhet të japë llogari. Populli, nga i cili duhet të burojë pushteti, ka përfunduar në një plaçkë për të lubrifikuar ingranazhet e makinerisë zhvatëse të tij, sa herë mbahen zgjedhje. Zgjedhje që janë dalluar për ndeshjen midis bandave rivale, për futjen në dorë të pasurive publike dhe jo për zgjedhjen e qytetarëve midis projekteve të mirëfillëta politike. Qeverisja është shquar më së shumti për diletantizëm dhe shpërdorim detyre, për klientelizëm dhe zhvatje të parave të taksapaguesve dhe të pronës së përbashkët. Nëse disa pushtetarë janë përpjekur të kamuflojnë përfitimet e paligjshme, të tjerët i paraqesin ato si trofe për të shquar aftësitë e tyre. Në thelb, sistemi politik është kapur nga një tufë batakçijsh që e kanë kthyer në zanat zhvatjen e pasurisë publike dhe e ushtrojnë atë pa u trazuar nga populli që i mban mbi qafë.

Kapja e pushtetit si fenomen nuk është tipik shqiptar, por një prirje e sistemeve politike kudo në botë. Lind dhe zhvillohet kur mekanizmat rregullues të demokracisë mungojnë ose manipulohen nga një grusht njerëzish për interesa vetjake dhe kundra interesit e të mirës së përbashkët. Është një fenomen i perhapur si në vende në tranzicion ashtu edhe në demokraci të konsoliduara, por merr shkallë dhe trajta të ndryshme. Ne disa vende kap të gjithë kupolën dhe shtrihet në të gjithë veprimtarinë e shtetit, në të tjera zapton institucione jetike, si pushtetin ligjëvënës me si qëllim hartimin e ligjeve që shërbejnë interesave të veçanta apo përpilimin e politikave të caktuara, si atë të ekonomise ose të sigurisë, në favor të industrive apo grupeve të veçanta. Me fjalë të tjera, kapja e shtetit mund të jetë e pjesshme ose e gjithëanëshme dhe përbën një rrezik të përhershëm gjithëkund dhe për cdo shoqëri. Lufta ndaj ketij fenomeni kërkon përpjekje të vazhdueshme si nga institucionet e pavarura ashtu edhe nga shoqëria, për të qënë e sukseshme.

Në vendin tonë, kapja duket e gjithësishme. Përtej nivelit të lartë të zhvatjes, ajo cfarë bie në sy është kundërshtimi i vakët ndaj këtij fenomeni rrënues. Edhe pse kjo formë banditizmi politik ka shtrirë rrënjët e saj gjithëkund dhe dëmet që shkakton prekin shumicën dërrmuese të qytetarëve, shoqëria jonë nuk është organizuar për t’i bërë ballë. Kjo do të thote se nuk ka mbetur asnjë pengesë që të ndalojë degjenerimin e pushtetit në një makineri zhvatëse, larg funksioneve të saksionuar në ligj. Udhëheqës apo zyrtarë të devotshëm e kanë të pamundur të luftojnë këtë fenomen pa mbështetje mbarëshoqërore. As ata që janë shkolluar jashtë nuk kanë sjellë një ndryshim të dukshëm në kapërcimin e këtij fenomeni; në të kundërt, në shumë raste kanë shërbyer si gjethe fiku për vetë kapësit e pushtetit si një mënyrë për tu ngjitur në piramidën e banditizmit.

2457195405_f5b7b80bf3_b

Organizatat që veprojnë nën tendën e “shoqërise civile” nuk kanë mundur të krijojnë një lidhje të fortë me qytetarët që të veprojnë si katalizatorë për zgjimin e shoqërisë dhe organizimin e saj kundra këtij fenomeni apo veseve të tjera; ndikimi i këtyre organizatave mbetet krejt i kufizuar sa veshtire që udhëton përtej selive dhe rrogëtarëve të tyre. Shoqatat fetare janë ndër të vetëmet forca joqeveritare që kanë fituar terren në hendekun e madh midis pushtetit dhe popullit, duke krijuar lidhje të ngushta varësie, sidomos me ato që jetojnë në skamje. Por suksesi i tyre ka më shumë gjasa të krijojë idhtarë fetarë se sa qytetarë të pavarur që me frymën e tyre civile të mund venë në pikëpyetje çdo formë autoriteti, duke filluar nga vetë feja. Sindikatat, gjithashtu, shërbejnë si mjete për pasurimin e kupolës së tyre dhe mbajtjen nën kontroll të punëtorëve, dhe jo për të ushtruar trysni ndaj shtetit apo ndërmarrjeve private në misionin e tyre për të mbrojtur të drejtat e punës dhe punëtorëve. Këto shembuj mjaftojnë për të vënë në pah se sot në Shqipëri nuk ka vetëm një kapje të shtetit, por një zaptim të gjithëanshëm.

Edhe pse vuan pasojat, shoqëria jonë nuk ka arritur të ngrejë zërin kundra ketij fenomeni në mënyrë te qëndrueshme dhe të organizuar. Ndër ato pak levizje popullore që kanë lënë gjurmë, Aleanca Kuq e Zi u shpërfytyrua sa hap e mbyll sytë në një vegël e një grushti individësh që u përpoqën të hutojnë njerëzit më parulla të dalë boje nacionaliste. Mobilizimi i rallë dhe në dukje mbresëlënës kundër shkatërrimit të armëve kimike të regjimit Sirian, në Shtator 2013, kishte të bënte më tepër me trajtën e rrezikut që dukej sikur i kanosej vendit dhe me friken se askush nuk mund t’i shmangej pasojave të një aksidenti të mundëshëm, sesa me një shprehje të një shqetësimi mbarëshoqëror e të qëndrueshëm për sigurinë e përbashkët apo mbrojtjen e mjedisit. Me fjalë të tjera, organizimi qytetar, i domosdoshëm për të kërkuar llogari ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit, mungon.

Kapja e gjithëanëshme bën që të mirat publike dhe shërbimet jetike, duke filluar nga arsimi e shëndetësia, cilësia e informimit dhe sigurisë, ushqimi që hamë dhe ajri që thithim, varen më tepër nga aftësitë vetë-rregulluese të shoqërisë dhe degët e papushtuara të pushtetit apo efektet anësore pozitive të strategjive të përdorura për zhvatjen e pasurisë së përbashkët. Segmentet e sistemit politik që veprojnë në shërbim të interesit publik janë tepër të brishta edhe pse arrijnë të prodhojnë njëfarë ndjenje rregullsie. Ajo e mban vendin të ngërthyer në purgator dhe ka gjasa të neutralizojë çdo përpjekje që bëhet nga qeveria apo faktorët ndërkombëtarë në luftimin e saj, pa një rol të fortë të shoqërisë. Kjo do të thotë ndër të tjera se paaftësia në kapërcimin e purgatorit çerek shekullor të tranzicionit në drejtim të demokracisë së mirëfilltë, nuk mund të jetë dështimi ose përgjegjësia e një personi apo qeverie, por i të gjithëve ne si shoqëri në tërësinë e saj. Pra asnjë udhëheqës i vetëm, apo grup zyrtarësh të ndershëm që gjenden të rrethuar brenda institucioneve të kapura, nuk mund ta nxjerrin vendin nga bataku ku e mbajnë bandat politike. Nuk mundet, gjithashtu, që një shoqëri të lulëzojë duke qënë e varur nga tekat apo mëshira e parisë politike. Përkundrazi, kërkohet një organizim i fuqishëm i shoqërisë në mënyrë që të marrë fatin e saj në dorë dhe të detyrojë zyrtarët të zbatojnë ligjin dhe luftojnë kapjen e gjithëanëshme.

Vetëm nëse shoqëria bëhet një faktor i fortë i jetës politike, do të jetë e mundur që pjesa e shëndoshe e shtetit të ngrejë krye dhe të luftojë me sukses këtë të keqe të madhe që mban ngërthyer vendin tonë. Për të qënë i dobishëm, ky organizim shoqëror nuk duhet të ndërtohet si pjesë, apo nën hijen, e të ashtuquajturave “parti politike” të vendit. Nuk duhet të jetë as i “majte”, as i “djathte” as “mbipartiak”. Në të kundërt. Duhet të jetë një forcë e pavarur që të mund të përballet drejtëpërdrejt me të gjithë sistemin politik dhe partite politike, duke përfshirë qeverinë por edhe opozitën, në kërkimin e llogaridhënies nga strukturat qëndrore e vendore të pushtetit. Kjo mënyrë organzimi kërkon burime të reja informacioni dhe të mjeteve të përhapjes së tij, në mënyre që të fuqizohen qytetarët që të mund të bëhen pjesëtarë dhe bashkë-qeverisës të jetës politike të vendit. Ky informacion është jetik për të shpërndarë mjegullën e keqinformimit në vend, dhe për të zbërthyer thjesht e kuptueshëm dëmet e prekshme që rrjedhin nga kapja, duke filluar nga shitja e votës, dhënia e rryshfeteve apo të apatise politike, si dhe për të shpalosur zgjidhjet konkrete të mundëshme.

Dora-dorës, krijimi dhe përhapja e dijes rreth dëmeve të prekshme të kapjes dhe mundësive konkrete për luftimin e saj duhet të hapë një shteg për një informim pak më abstrakt rreth rëndësisë së zgjidhjeve politike me të cilat përballen qytetarët. Kërkohet një shpalosje e mirëfilltë e ideologjive kryesore, duke vënë në dukje sidomos dallimet dhe ngjashmërite e tyre me raste konkrete. Kjo nuk është e nevojshme vetëm për të rritur kulturën politike të qytetarëve, por më tepër për fuqizimin e tyre për të verifikuar e zgjedhur projektet politike që ofrohen si të “majta”, të “djathta” apo “liberale” në mënyrë të mirëinformuar. Ky organizim shoqëror duhet të edukojë publikun rreth ideologjive politike duke mos mbrojtur njerën apo tjetrën ideologji. Luftimi i një plage shoqërore si kapja nuk është një cështje partiake që vjen e shkon sa herë ndryshojnë qeveritë; është një hap i domosdoshëm për të bërë zgjedhjet politike të mundëshme, dhe për ti dhënë drejtim vendit sipas vullnetit të mirëfillët të qytetarëve.

Është pikërisht ky organizim shoqëror që vendi ynë ka më tepër nevojë sot. Është kjo llojë shoqërie që duhet të bëhet palë në bashkë-drejtimin e vendit, dhe të bashkërendojë përpjekjet me forcat e pakapura, brenda shtetit, për t’i bërë ballë gangrenës së kapjes. Pjesmarrja aktive e shoqërisë në organizimin e jetës politike në vend nuk është fakultative, por jetike për mbajtjen e pushtetarëve nën fre dhe për ndërtimin e shoqërisë që meritojmë. Ajo duhet të nisë e kultivohet në të gjitha rradhët e shoqërisë, nga bankat e shkollave e universiteteve deri tek punëtorët e thjeshtë dhe intelektualët e mirëfillët. Apatia dhe flegmatizmi, që fatëkeqësisht sundojnë në shoqërine tonë, i shërbejnë vetëm interesave të parisë politike dhe forcave të tjera që lulëzojnë mbi rrënimin e shpirtit qytetar. Zgjimi dhe aktivizimi i shoqërisë në mbrojtje të interesave të saj është një domosdoshmëri jo vetem për luftimin e kapjes, por edhe për kapërcimin e purgatorit rrënues të tranzicionit ku ndodhet Shqipëria.

Rreth Autorit

Gjovalin Macaj është Asistent Profesor në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Institute for History, University of Leiden në Hollandë. Ka një DPhil nga University of Oxford, ku ka dhënë mësim për katër vite radhazi dhe ka mbajtur një post si Lecturer in Politics në Keble College, University of Oxford.

Author Archive Page

6 Komente

  1. nuk e di sa i shkon per shtat mendesise aktuale ne vend ky artikull, teper i ftohte per te nxitur ne veprim, dhe teper i arsyeshem si kendveshtrim. Kam idene, ose une jam ne kete gjendje mendore, se ne Shqiperi njerezit koloviten ndermjet urretjes dhe apatise, pa kaluar fare ne ate te mesmen e arte ku te ndalojne per te menduar sesi mund te veprohet arsyeshem.

    Kur kam qene student edhe une kisha deshire te shpjegoja me ndonje kuader teorik, ose ta perdorja ndonje teori normative si shabllon per zgjidhje politike. Por jemi shoqeri shume e vogel, nje province. Jane pikerisht keto protesta si ajo ndaj armeve kimike qe mitizohen per te shnderruar nje shoqeri fshatare ne nje qytet te vogel, ku duhej te zoteronte anonimiteti. E pamundur. Sepse kur problemet kane emra te pervecem, sikur pallati i perket filanit, e gazeta fistekut, askush nuk hidhet te protestoje. Keto pune rregullohen me shantazhe, leke me hir a pahir etj. mekanizma fshatare ku nuk sundon as shtet e as ligj. Parimet ekzistojne vetem ne biblioteka.

    1. Qeshtjet qe ngre jane shume te vlefshme dhe meritojne me teper vemendje se sa mund tu jap ketu.

      Ne rradhe te pare, na duhet te pranojme se ka nje problem dhe ta kuptojme mire ate perpara cdo perpjekje per ta zgjidhur. Tani eshte koha per te vepruar, per te pare se si te kapercehet doreheqja kolektive e shoqerise nga pergjegjesite e saja. Ndryshe cdo kush qe shpreson te shohe zgjidhjen e probelemeve te medha qe kemi eshte njelloje sikur te jete duke pritur per Godone.

      Pra nuk na i zgjidh tjeter kush keto halle pervecese vete. Dhe te gjithe kemi pergjegjesi te shohim se si mund te ndryshojme dicka per mire, ku te mundemi.

      Une jam i njemendje me ty se arsimi ideologjik ne vetevete nuk i zgjidh keto probleme, por duhet gjendur nje menyre per tu treguar njerezve se perpara se gjithash eshte ne interesin e tyre te behen pjestare dhe jo spektatore te jetes politike.

      Pra une nuk po them te varim te gjitha shpresat tek ideologjite apo heronje te dekomkracise (edhe pse nuk bejne dem) per te na treguar rrugen e drejte. Ne te kundert, keto ideologji ndihmojne njerezit te kuptojne se cfare eshte ne interesin e tyre vetjak dhe cfare jo. Per kete, duhen shembuj konkret per te deftuar se si njerezit perfitojne apo mund te perfitojne nga bashkepunimi dhe bashkerendimi i forcave te tyre. Pra edhe pse eshte teper e veshtire, duhet te fillohet dikund. Une te pakten nuk shoh rruge tjeter.

  2. Kapja e pushtetit si fenomen nuk është tipik shqiptar, por një prirje e sistemeve politike kudo në botë. Lind dhe zhvillohet kur mekanizmat rregullues të demokracisë mungojnë

    Ose kur jane shume komplekse.

  3. Jo se ne vendet e zhvilluara s’eshte problematik, por, ne vendet ne zhvilim/tranzicion si Shqiperia, kapja e shtetit dhe gjithe institucioneve (perfshi mediat) nga nje pakice mafio-politike eshte fatale, eshte si kanceri tek nje foshnje qe sapo ka lindur.

    Ne pamje te pare, nje popull (si ne shqiptaret) pa memorje te mirfillte demokracie e shteti funksional e ka te veshtire t’i kundervihet ketyre tentakulave mafio-politike, thuajse duket e pamundur. Ama kur shikon qe populli arrin te organizohet dhe te revoltohet edhe ne vende me shume autoritare dhe me mungesa me te theksuara demokracie, si ne disa vende te Lindjes se Mesme, situata behet me shume gri.

    Kush e ka fajin, c’kemi mangut ne shqipot ne krahasim me ata qe ja dalin, cfare s’po bejme apo s’po bejme si duhet? Nuk e di, po p.sh. fakti qe keto pyetje thuajse s’behen fare (si diskurs publik) nga shqipet qe jetojne ne Shqiperi eshte padyshim goxha problem. Dmth problemi nr 1 mbase eshte qe ky s’duket si kushedi ca problem, apo si problem urgjent qe kerkon zgjidhje.

  4. Shembujt qe sjell tregojne me se miri se shpjegimet kulturaliste se pse njerezit sillen ne kete apo ate menyre na ngaterrojne me teper se sa na qartesojne. Njerezit ne Bahrain kane qe nga viti 2011 qe protestojne pa nderprerje; protestojne ne Alepo e shkaterruar apo ne Egjipt kundra nje diktature gjakatare.

    Nuk eshte as rendi i natyrshem i gjerave as ne AND-ne qe ne shqiperi te mos kete revolte qytetare, qe njerezit te organizohen per te mbrojtur interesat e tyre.

    Ata qe sundojne jeten ekonomike dhe politike te vendit kane interes qe njerezit te mos organizohen, qe te mbahen te painformuar apo te dehen me gjepura—qe te shpenzojne energjite e tyre me gjera koti dhe jo per te luftuar per te drejtat e tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin