DY LLOJE TË KRITIKËS

Shkas për këtë shkrim u bë një status i Ervin Nezhës, në Facebook, për dobinë e kritikës letrare, meqë – kur e lexova – m’u duk se shqipja, si edhe gjuhë të tjera, përdor të njëjtën fjalë, kritikë, me dy kuptime në thelb të ndryshme dhe ndonjëherë edhe të kundërta: si analizë dhe vlerësim i një vepre, dhe si gjykim zakonisht negativ ndaj një vepre. Ekuivoku ka të bëjë me atë që, nga dy kuptimet e ndryshme të termit kritikë, vetëm njëri, i dyti, trashëgohet në foljen kritikoj, dhe pastaj – me metonimi – edhe tek emri kritik, i cili perceptohet si nomen agentis i kësaj folje, ose ai që merret me kritikë (negative) të veprave.

Mirëpo kritika nuk mund të reduktohet te gjetja e “të metave” te një vepër; mjaft të kujtojmë, për një moment, titullin e veprës së Kantit, Kritika e arsyes së kulluar, një vepër ku ai filozof nuk është se po e “kritikon” arsyen e kulluar. Kritika e Kantit është analizë dhe vlerësim, që i shërben të kuptuarit dhe njohjes.[1] Në anglishte, dy kuptimet e shqipes kritikë dalin si dy fjalë më vete: critique dhe criticism, nga të cilat e dyta – në kontekstin që na intereson – përkufizohet si “analiza dhe gjykimi i meritave dhe mangësive të një vepre letrare ose artistike”, që këtej edhe literary criticism, që do të ishte kritika letrare.

Tani, kur themi që në kulturën shqiptare sot ndihet mungesa e kritikës, në fakt më shumë duam të nxjerrim në pah mungesën e autoritetit të kritikës, në të dy kuptimet madhore të termit; sepse ne vazhdojmë të mos i japim rëndësi qasjes kritike ndaj realitetit, kulturës dhe artit, duke ia lënë kritikën vetëm sferës politike dhe ideologjike. Ndërkohë, revistat letrare dhe kulturore dhe sajtet e ndryshme të specializuara ose jo, botojnë herë pas here kritika pozitive, në trajtë recensionesh, për vepra të reja; por këto kritika nuk arrijnë dot të integrohen në sistemin e qarkullimit të vlerave letrare, për shkak të subjektivitetit të autorëve dhe të asaj që, shumë lexues, i perceptojnë si qoka dhe nuk i lexojnë.

Shumë rrallë qëllon të lexosh, sot, një kritikë negative, ose të llojit që e qorton një vepër letrare dhe ia evidenton të metat, paçka se ajo do t’u shërbente shumë edhe lexuesve, edhe autorëve, edhe punëtorëve të tjerë të librit, duke filluar nga shtëpitë botuese. Që botohet letërsi e keqe, këtë e pranojnë të gjithë, por pa u shqetësuar shumë; gati-gati, sikur ngushëllohen me lexueshmërinë e pakët të letërsisë shqip bashkëkohore. Mirëpo një kritikë negative u mëson lexuesve si të lexojnë, teksa ua korrigjon autorëve ca të meta, duke i ndihmuar edhe të rriten si autorë; ose, anasjelltas, duke i bërë të dyshojnë për talentin letrar. Ka, natyrisht, një kritikë negative surrogato, që fillon dhe mbaron në hapësira private – në pësh-pëshe, në juri çmimesh, në kafene, në Whatsapp, shpesh me motive meskine dhe nga njerëz që kanë frikë të thonë gjë haptazi dhe ballazi, pse nuk duan “të bëjnë armiq”. Prandaj ndoshta duhet shtuar që kritika, për të qenë e tillë, duhet të jetë edhe publike.

Në çdo rast, si veprimtari kulturore, kritika letrare duhet t’i mbulojë të dy llojet e kritikës: atë që në anglisht e quajnë critique dhe që ofron instrumente dhe teknika për t’i kornizuar dhe orientuar debatet, dhe atë që anglisht e quajnë criticism; edhe pse criticism pa critique nuk vlen shumë, siç e dëshmon edhe praktika e tanishme në hapësirën shqipe. Dhe për këtë ka faj edhe pështjellimi konceptual. Në të vërtetë, Konfuzioni – që vjen për shkak të pasaktësisë së termit vetë në shqipe – nuk është çështje semantike, ose e tipit të qimes në vezë; sepse ka autorë që tregojnë ndjeshmëri të madhe ndaj kritikës (“kritikimit”) dhe ashtu presin me këmbë të para edhe kritikën (“critique”) që vetëm sa ua vlerëson veprën, por jo për t’ua lëvduar. Sërish për faj të këtij keqkuptimi, ka shumë prej nesh që presin prej analizës së një vepre të jetë ose “negative” ose “pozitive”, ose ta ngrejë ose ta ulë, pa çka se kritika si “critique” vërtet mund të vlerësojë, por nuk merret me gjykime vlere.

Tek ne nuk janë vetëm shkrimtarët, që kanë përçmim për “kritikën” – madje identifikohen me këtë përçmim, sipas një botëvështrimi mistifikues, që e identifikon autorin me gjeniun krijues; por edhe publiku, që beson se kritikë, dhe në veçanti kritikë letrare, tek ne nuk ka. Por çfarë na mungon, në fakt, është tradita e kritikës letrare dhe përgatitja teorike e atyre që sot guxojnë të merren ende me kritikë. Sa për të sjellë një shembull, rrallë të qëllon që të lexosh një ese, ku autorit kritik t’i kuptohet se ç’metodë po përdor për t’iu qasur veprës; shpesh qasja sociologjike merret si default. Në raste të tjera, përzierja e metodave të qasjes nuk shqetëson kënd. Për mua, ky mjerim i mendimit bashkëkohor nuk është pa lidhje edhe me paaftësinë për të dalluar, kështu në përgjithësi, mes kritikës si critique dhe kritikës si criticism; sepse që aty, nga ajo paaftësi, vjen edhe vështirësia që kemi për ta pranuar kritikun si figurë profesionale të sistemit kulturor. Kjo është si tre rrota të makinës ta refuzojnë nevojën për rrotën e katërt – me rezultate që shihen qartë. Dhe ironia, këtu, është se kritika si critique është viktima e parë e alergjisë së autorëve ndaj kritikës si criticism!

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Titulli i librit të Kantit përbën model: Kritika e arsyes praktike (Kant), Kritika e arsyes dialektike (Sartre), Kritika e jetës së përditshme (Lefebvre), Kritika e arsyes cinike (Sloterdijk), Kritika e arsyes narrative (Leiduan), Kritika e ligjërimit fetar (Zaid), etj. Janë tituj që të bëjnë ta mendosh kritikën si zhanër të diskursit filozofik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin