DITË KONSPIRACISTËSH

Viti 2001 nuk i përket vetëm i 11 shtatorit dhe fundit të “fundit të luftës së ftohtë” (Francis Fukuyama’s The End of History), por edhe sanksionimit të Internetit, si avatar i vetëdijes kolektive planetare.

Natën e 11 shtatorit, me miliona njerëz, anembanë botës, iu kthyen Internetit, për të marrë vesh si-të dhe pse-të e katastrofës në World Trade Center.

Dhe Interneti i kish përgjigjet gati; si në një supermarket të furnizuar mirë, vizitorit veç i mbetej sikleti i të zgjedhurit mes produkteve të panumërta.

Thonë se teoritë e komplotit i ushqen frika, e kombinuar me mosbesimin ndaj autoritetit. Nëse është kështu, 11 shtatori u dha në mos legjitimim, të paktën përligjje të gjithë konspiracistëve në SHBA dhe gjetiu në botë.

Por një arsye kryesore, e suksesit të teorive të komplotit, në botën perëndimore ende të trullosur nga realiteti i së pamundshmes, ishte se shpjegimi zyrtar i çfarë kish ndodhur, nuk tingëllonte bindës.

Unë isha atë ditë në Manhattan, pak milje larg “truallit zero”; dhe kur shkova të pi një kafe, andej nga ora 11:00, te një lokal aty afër, baristi malazez e kish gati teorinë e tij, se kush e kish urdhëruar dhe përgatitur sulmin.

Ngaqë kisha jetuar në Perëndim, pak kisha dëgjuar deri atëherë për teoritë konspirative që qarkullonin në Lindje: për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë, pa folur për Izraelin dhe Lindjen e Mesme dhe ngjarje të tjera të periferisë.

Por pas 11 shtatorit askujt nuk do t’i lejohej më t’u qasej me naivitet versioneve zyrtare dhe historive pak të pagjasa, për atentatin e madh.

Ngjarjet që vijuan, dhe sidomos pushtimi i Irakut, i mbështetur mbi sendërtimin se Sadam Huseini po prodhonte dhe magazinonte atje armë të shkatërrimit në masë, i treguan publikut se qeveria – autoriteti publik – s’e ka për gjë të thotë të paqena, për të arritur synimet e veta.

Nëse po na gënjejnë për armët sekrete të Sadamit, thanë disa, atëherë pse të mos na kenë gënjyer edhe për 11 shtatorin?

Dhe këtu u ngritën të tjerë dhe thanë: nëse na gënjyen për armët e Sadamit dhe të 11 shtatorit, atëherë pse të mos na kenë gënjyer edhe për programin Apollo dhe për vrasjen e vëllezërve Kennedy?

Aq impakt dramatik pati shembja e kullave binjake, në vetëdijen e përbotshme, sa ai vuri në dyshim jo vetëm shpjegimin zyrtar që u dha, por edhe krejt versionin zyrtar të historisë, të rrëfyer nga autoritetet, të paktën gjatë gjysmë-shekullit të fundit.

Dhe ky dyshim gjeti platformën e vet ideale, për t’u bashkëndarë mes milionave: Internetin.

Ata që habiten sot, për suksesin e teorive të komplotit dhe masën e madhe të atyre që u besojnë, duhet të kuptojnë se kjo krizë mosbesimi ndaj autoritetit – qoftë ky politik, qoftë ky akademik – i ka rrënjët te 11 shtatori.

Ka disa studiues që shkaqet e mosbesimit masiv i gjejnë edhe më herët, te skandali i Watergate-it; madje edhe më herët akoma, te vrasjet e mëdha politike të viteve 1960.

Por 11 shtatori pati “meritën” që i solli teoritë e komplotit në mainstream, me bashkëfajësinë e Internetit.

Nëse deri dje konspiracistët ishin një elitë margjinale tuhafësh, që shkruanin libra të botuar me shpenzimet e tyre, mbanin programe në radio obskure me valë të shkurtra dhe mbanin konferenca në motele autostradash, ajo datë ua hapi dyert e normalitetit.

Madje me po aq lehtësi, sa ç’edhe e shndërroi versionin zyrtar të ngjarjeve të asaj dite në një teori komploti.

Gjasat janë që mosbesimin ndaj autoritetit, i cili sa vjen e shtohet edhe sot, ta ushqejë pikërisht lehtësia me të cilën po gënjejnë sot autoritetet, nën presionin për t’u konformuar me diktatin politik të momentit.

Marrëdhëniet me publikun po bëhen tepër të rëndësishme, që t’i binden ende zotimit etik ndaj së vërtetës.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin